
Suzana Varvarica Kuka/
Shqipnia o Shqypnia, e thërritur kësisoj nga gegërishtja e zërit burrëror të malësorëve të Veriut, në ditët e sotme e cilësuar Shqipëria, ishte dikur Arbëria e arbërve, një komb i njohur e i madh, pasardhës i fiseve të lashta pellazge e ilire. Familja Rakaj dhe skulptori Vasil Rakaj janë me origjinë nga Malësia e Madhe, vend i rrallë verior shqiptar. Kaherë, Shqipëria është një vend i pasur natyror dhe bën pjesë gjeo-politikisht në Europën Juglindore dhe shtrihet në pjesën jugperëndimore të Ballkanit. Shqiptarët, gjatë dhjetëra shekujve, kanë qenë faktor kryesor i zhvillimit të trojeve të tyre. Ata, herë në begati e herë në luftëra kundër pushtuesve fqinjë apo të largët, i kanë rezistuar me forcë ekzistencës së fiseve të tyre. Prej dy a tri shekujsh, e kanë rritur ndërgjegjen e tyre sociale dhe kanë trashëguar kulturën e zakonet e tyre. Për shqiptarët, shekulli XX, është shumë i rëndësishëm dhe plot me ngjarje, të cilat përbëjnë historinë e shkruar të tyre. Nga mesi i shekullit XIX dhe në kapërcyell të shekullit XX, zhvillimet industriale në vendet e mëdha europiane, ndryshimet e thella në sistemet e tyre politike, rritja e oreksit të tyre për sundime të reja dhe rënia e perandorisë osmane përgatitën kushtet ndikimplota në shfaqjen e një epoke të re në Europë dhe në Shqipëri. Ishte koha e ngjizjes dhe formimit të shteteve, e gëlimit të lëvizjeve për pavarësinë e kombeve dhe e nxitjes së edukimit me frymën kombëtare. E tillë situatë ndikoi edhe në trojet shqiptare, që kërkonin të formohej kombi shqiptar. Përpjekjet diplomatike kryesuan dhe u angazhuan për zgjidhjen e çështjeve kombëtare.
Inteligjenca shqiptare, e shpërndarë në disa vende të botës, u mobilizua për të arritur qëllimin final të pavarësisë, duke sjellë në mesin e shqiptarëve figurën e kryetrimit Gjergj Kastriot Skënderbeu, për t`i frymëzuar dhe kujtuar lavdinë e kahershme. Dhjetëra çeta luftëtarësh të Veriut dhe Jugut u bashkuan dhe luftuan të armatosur, për të ruajtur kufijtë e trojeve shqipfolëse. Epoka e re europiane, që po hynte në shekullin XX dhe të gjitha përpjekjet e brendshme krijuan kushtet që më 28 nëntor 1912, nën drejtimin e Ismail Qemalit (1944-1919), të shpallej në Vlorë Pavarësia Kombëtare dhe të krijoheshin strukturat shtetërore, që sipas akademikut Arben Puto “…janë produkt i lëvizjes kombëtare shqiptare”. (2)Në mbarë botën asokohe dhe gjatë shekullit XX ranë dhjetëra mbretëri, shpërthyen dhe u zhvilluan dy luftëra botërore, humbën jetën miliona njerëz, u shkatërruan qytete të rëndësishme, u rrënua ekonomia dhe prodhimi, si dhe ndaloi jeta e përditshme. Në Shqipëri, në muajin prill të vitit 1939, Mbreti Zogu I braktisi vendin, i cili ra nën pushtimin e Italisë Fashiste.
Në vitin 1943, vendi u uzurpua nga ushtria e Gjermanisë Naziste dhe në nëntor të vitit 1944 u çlirua prej ushtrive pushtuese. Në mesin e këtij shekulli, fituesit e Luftës së Dytë Botërore
(LDB), luftë në të cilën ishin pjesëmarrës edhe shqiptarët, e radhitën Shqipërinë, gjysmëfeudale dhe me varfëri ekstreme, në kahun komunist dhe nën çatinë e Bashkimit Sovjetik (BS). Fatkeqësisht, në vitin 1945, kufijtë e saj, përcaktuar në Konferencën e Paqes në Londër, në periudhën 1912-1913, kishin lënë jashtë kufijve toka të shumta, duke u bërë sipërfaqe toke për shtetet e ish-Jugosllavisë si: Mali i Zi, Serbia, që gllabëroi Dardaninë (Kosovën), Maqedonia e Veriut dhe Greqia.
Që nga dhjetori i vitit 1944, shqiptarët patën fatin e keq të jetonin si një shoqëri kompakte, e varfër, e mbyllur kah Perëndimit dhe nën sundimin e një kaste diktatoriale komuniste. Prej viteve 1950 e deri në vitin 1990, shteti dhe politika shqiptare, në mëkëmbje të ekonomisë, ushtrisë, arsimit dhe kulturës ishin të lidhur me shtete diktatoriale të majta dhe iu dhanë atyre potencialin propagandistik dhe ideologjik autokratik. Popullsia iu nënshtrua rregullave dhe ideologjisë së ashpër të shtetit monopartiak, partisë komuniste dhe adhurimit të Enver Hoxhës. Në tërësi ajo u kaplua nga një zhvillim kolektiv me elemente të theksuara të një varfërie në standarde masive. Asaj kohe qindra e mijëra familje, si dhe individë lëviznin vetëm brenda vendit. Në kapërcyell të shekullit XXI u përgatitën kushte të tjera të një epoke globale, krejt të re dhe plot trysni politike. Rënia e Murit të Berlinit, në vitin 1989, solli ndryshime thelbësore në territoret europiane, si dhe në Shqipëri përgatiti kushtet që në vitin 1990 të niste rënia e komunizmit. Nga viti 1991 shqiptarët jetojnë në një sistem liberal – konsumist. Ata emigrojnë, punojnë dhe jetojnë me dinjitet për arsye ekonomike dhe profesionale në dhjetëra vende të botës. Artisti Vasil Rakaj është një nga të vlefshmit dhe të përveçmit shqiptar, që emigroi së bashku me familjen e tij jashtë vendit. Sot jeton dhe krijon në Connecticut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë vend të mundësive të shumta, ai i krijoi vetes hapësirën krijuese dhe vazhdimësinë e artit. Veprat e tij të artit janë shprehi artistike që frymëzohen nga gjendje emocionale, patriotike e lirike si të vendlindjes ashtu dhe të vendit, ku banon dhe krijon. Një proces i tillë krijimtarie, që merr jetë në studion e tij, pranë familjes, në Connecticut, e mban Vasil Rakajn, të lidhur fort me historinë e të dyja vendeve.
Portreti në reliev i quajtur “Heroi i parë i Ansonias në Connecticut-ShBA”, realizuar në vitin 2020 në bronz prej artistit, është vepra e tretë që i dhuroi atij njohje e famë edhe më të madhe në komunitetin amerikan, pas dy veprave dinjitoze të krijuara më parë që janë portrete buste si: Martin Luther King Jr. dhe John W. Gatison Jr. Skulptori me bindjen e një patrioti i dhuroi qytetit dhe banorëve të tij imazhin figurativ skulpturor të dy personaliteteve të njohura dhe punën prej artisti të mirëfilltë realist dhe të përkushtuar.
Veprat e tij të çmuara e pasurojnë qytetin me artin e skulpturës dhe popullsinë me emocione të veçanta artistike, kulturore dhe historike. Gjithkush e sheh dhe e cilëson Amerikën si vendin e mundësive të mëdha dhe për familjen Rakaj kjo shprehje ka funksionuar mjaft mirë. Veprat e artit të Vasil Rakajt dhe qytetaria shembullore e familjes së tij e kanë bërë, jo vetëm të njohur në qytetin ku jeton, por artisti përmes punës së tij krijuese dhe pjesëmarrjeve në ekspozita ka arritur të lidhet me shoqata artistësh dhe artistë të ndryshëm, që kontribuojnë me krijimtarinë e tyre kudo në ShBA.