
Mësuese Fabjola (Gjinaj) Marku/
Më 31 maj 2026 shkolla shqipe “Gjergj Fishta” New York festoi Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe mbylljen me sukses të vitit shkollor 2025-2026. Aktiviteti u hap me himnin e Flamurit Amerikan dhe himnin e Flamurit shqiptar. Në fjalën e mirëseardhjes bashkëthemeluesi dhe drejtuesi i kësaj shkolle, njëkohësisht edhe mësimdhënës në shkollën tonë, Dr, Paulin Marku ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve në këtë aktivitet të rëndësishëm shkollor. Ai përgëzoi nxënësit e shkollës për arritjet e tyre gjatë vitit mësimor 2025-2026 duke u ndalur në faktin se sot këta nxënës flasin e shkruajnë në gjuhën shqipe, recitojnë, këndojnë e kërcejnë gjithçka me motive kombëtare duke mbajtur ndezur traditat shqiptare. Në fjalën e tij, ai shprehu mirënjohje të veçantë për dy koleget e tij pranë kësaj shkolle, mësuese Fabjolën dhe mësuese Dorinën për angazhimin e tyre profesional dhe suksesin e arritur me nxënësit e kësaj shkolle që falë punës së palodhur, aty ku gjuha shqipe, historia kombëtare dhe vlerat kulturore e patriotike janë tashmë vlerë e çmuar për lëvrimin dhe kultivimin me nxënësit e kësaj shkolle çdo të shtunë për të mësuar tanë gjuhën amtare.
Dr. Paulin Marku theksoi se nisma jonë në komunitetin shqiptar të Long Island, New York nuk është një projekt i mbetur në letër. Ai e mbylli fjalën e tij me thënien se “Një popull që ruan e trashëgon gjuhën, historinë e traditën e origjinës, do të thotë se ai komb është i predisponuar të rrojë brez pas brezi si identitet kombëtar”. Koncerti recital e muzikor u përgatit nga mësuese Fabjola dhe mësuese Dorina, të cilat krahas mësimdhënies çdo të shtunë përgatiten edhe nxënësit e mrekullueshëm të kësaj shkolle me logon “një komb, një gjuhë, një histori e një kulturë” që gjithçka të jehojë shqip këtu në diasporën e largët të Amerikës, duke sjellë një copës të origjinës këtu në New Yorkun e bukur, të lirisë së fjalës dhe të mundësive të shumta.
Aktiviteti u prezantua nga tri nxënëset e kësaj shkolle, Emeli Marku, Bora Loxha dhe Wendy Bilali. Fillimisht nxënëset ju uruan mirëseardhjen të pranishmëve dhe shprehen mirënjohje për shkollën shqipe “Gjergj Fishta” N,Y. dhe falënderuan mësuesit për mundësinë që nëpërmjet programit mëso shqip, sot ata mund të flasin dhe të shkruajnë në gjuhën amtare. Gjithashtu, falënderuan edhe prindërit për mbështetjen e vazhdueshme për të mësuar shqip.
Programi artistik: këngën “Abetarja libri ynë” – këndoi Parta Loxha; këngën “1 Qershori”-kënduan Kamila & Anna Marku; vjershën “Nëna”-recitoi Klea Bilali; nxënësit performuan vallen “Pogonishte”; këngën “Shkolla ime”- këndoi Uarda Bilali; vjershën “Në degën e mollës”- recitoi Ajla Durra; këngën “Mësuesja”-kendoi Alisia Durra; vjershën “Vëllai im”- recitoi Wendy Bilali; vjershën “Shkronja A”- Aron Domi; vjershën “Për një D që ti se vë”- recituan Bojken & Era Bajraktari; këngën “Për Ty”- kënduan Alex Qepuri dhe Ajla Durra; këngën “Fëmijët janë vetë bukuria”- këndoi Bora Loxha; vjershën “Ç’ke harruar moj Valbonë”- Recitoi Alisja Durra; këngën “Globi rrotullohet” – këndoi Emeli Marku; vjershën “Flutura”- recitoi Uarda Bilali; këngën “Nanë” – këndoi Klea Bilali; nxënëset e shkollës “Gjergj Fishta” performuan vallen “Baresha”; vjershën “Pranvera” – recitoi Parta Loxha; vjershën “ Duart tona” – recitoi Kamila Marku; vjershën “Ne tani lexojmë vetë” -recitoi Bora Loxha; programi artistik u mbyll me këngën “Vëndi im”- kënduan Emeli, Alisja, Uarda, Klea, Wendy, Ajla, Alex, Bora, Parta dhe Kamila.
Në mbyllje të aktivitetit, bashkëthemeluesja dhe njëkohësisht mësimdhënëse pranë kësaj shkolle, mësuese Fabjola falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen. Në fjalën e saj preku pikat e forta të kësaj shkolle duke u ndalur se kudo që të vesh, kudo që të jesh pasioni, profesioni dhe dashuria për atdheun të motivojnë për të edukuar brezat dhe për të mbajtur të gjallë frymën dhe ndjenjat e atdhedashurisë. Ky aktivitet i sotëm dëshmon qartë dhe në mënyrë evidente se puna e palodhur e stafit të shkollës tonë, përkushtimi maksimal dhe bashkëpunimi i ngushtë me prindërit, shpërblehet në sukses dhe arritje në edukimin e brezave. Mësuese Fabjola, pohoi se largësia me vendlindjen nuk e ka zbehur interesin dhe profesionin tim për të shërbyer në misionin fisnik të mësimdhënies, përkundrazi, me plot pasion dhe dashuri jam e lumtur të mësoi brezat edhe këtu në Amerikë. Me bindje mund të pohoj se ky udhëtim i joni, do të jetë një vlerë e çmuar në ruajtjen e gjuhës shqipe këtu në diasporën e largët dhe këto nxënës të mrekullueshëm që sot dëshmuan para të gjithë juve se me hapa të vegjël dhe me dashuri të madhe po mësojnë gjuhën shqipe dhe vlerat tona kombëtare. Në mbyllje të fjalës, mësuese Fabjola falënderoi prindërit e kësaj shkolle duke i quajtur bashkudhëtar të rëndësishëm në rrugëtimin dhe suksesin e shkollës shqipe “Gjergj Fishta” New York , si dhe shprehu mirënjohje të veçantë ndaj “Vatrës” Long Island për mbështetjen e vazhdueshme.
Mësuese Dorina gjatë fjalës së saj, uroi nxënësit për mbarimin e shkollës dhe ju uroi një verë të bukur, plot lojë, gëzim dhe kujtime të bukura. Mos harroni të jeni gjithmonë krenarë për gjuhën shqipe dhe vendin tonë. Gjithashtu, falënderoi prindërit për praninë e tyre dhe për mbështetjen dhe ndihmën e pakursyer në aktivitete dhe uroi pushime të mbara për të gjithë.
Në mbyllje të aktivitetit themeluesi i shkollës shqipe “Gjergj Fishta” New York, dr. Paulin Marku shpërndau certifikatë pjesëmarrje për vitin shkollor 2025-2026 “për përkushtimin, pjesëmarrjen aktive dhe interesin e vazhdueshëm në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare në Amerikë”.
Festa vazhdoi nën tingujt e muzikës shqiptare dhe me ushqime tradicionale për të gjithë të pranishmit, të përgatitur nga prindërit e shkollës shqipe. Komuniteti shqiptar në Long Island, New York nëpërmjet shkollës “Gjergj Fishta” dhe “Vatrës” Long Island nuk është vetëm një qendër shkollore dhe një pikë bashkimi ku brezat e rinj dhe të vjetër por është një urë lidhëse midis komunitetit shqiptar që bashkëpunojnë së bashku për të ruajtur dhe trashëguar vlerat kulturore dhe interesit kombëtar shqiptar në diasporë.
Foto Baton Neziri (Rugova)