
Prend Ndoja/
Njeriu i mirë është vëllai yt, kushdo qoftë ai. Sot vizitova varrezat e Thethit. Aty, të skalitur në gur, pashë emra autoktonë, emra të lidhur ngushtë me historinë, traditën dhe natyrën e këtij vendi. Në mesin e tyre më ra në sy një emër me origjinë gjermane, i ruajtur me shumë respekt nga banorët e zonës: Robert Elsie.
Kontributi i Elsie në albanologji
Elsie tregoi një interes të veçantë për dialektet e gjuhës shqipe. Kërkimet e tij e çuan në kontakt me komunitetet shqiptare në shumë vende evropiane. Ai i kushtoi një pjesë të madhe të jetës mbledhjes, dokumentimit dhe botimit të këngëve popullore shqiptare, si dhe cikleve të ndryshme të poezisë epike, të cilat tradicionalisht ishin transmetuar vetëm gojarisht. Përveç dokumentimit, ai realizoi edhe përkthime të tyre, duke i bërë të njohura për një audiencë ndërkombëtare.
Robert Elsie kishte kaluar mbi gjashtë vite në kërkime dhe studime në trevat e Veriut, e veçanërisht në Theth. Ai i deshi këto male, njerëzit, traditat dhe kulturën e tyre, duke ua kushtuar një pjesë të rëndësishme të jetës së tij. Kur sëmundja nuk e lejoi më të qëndronte në këto anë, u kthye në Gjermani, ku edhe ndërroi jetë me 02/10/2017. Në testament kishte lënë dëshirën që trupi i tij të prehej në vendin që e donte shpirtërisht: në Theth, me pamje nga bjeshkët madhështore, aty ku kishte kaluar një pjesë të mirë të jetës së tij.
Në ceremoninë e varrimit morën pjesë me qindra malësorë nga këto zona, duke i dhënë lamtumirën e fundit një miku të madh të shqiptarëve dhe të kulturës sonë.
(Këto të dhëna i mora nga Pëllumb Thinari, banor i kësaj zone, i cili e kishte njohur personalisht Robert Elsie-n dhe ishte i pranishëm në ditën e varrimit të tij.)
Respekti që gëzon edhe sot në Theth tregon se njeriu nuk vlerësohet nga vendi ku ka lindur, por nga gjurmët e mira që lë pas.