Duam apo s’duam ta pranojmë, shkolla shqiptare është në hendekun e saj më të keq në gjithë këto vite të tranzicionit. Këtë fakt nuk mund ta mohojë askush, bile edhe deklaratat për reformat ë kryera dhe që do të kryehen në të ardhmen. Shkolla shqiptare është larg asaj europiane, por edhe asaj ballkanike, pa folur për liderët e vërtetë të arsimit si Amerika apo Kina dhe Japonia. Por një studim i kohëve të fundit që u prezantua në Londër këto ditë, ka si synim të ndihmojë drejtues, studiues dhe politikanë në përcaktimin e faktorëve kyç për përmirësimin e shkollës. Nuk ka dyshim se shkolla shqiptare nuk ishte pjesë e këtij studimi dhe të vjen keq që distancat janë kaq të mëdha. Nga i gjithë studimi doli se dy janë modelet superfuqi të arsimit botëror: Finlanda dhe Koreja e Jugut. Studimi mbi sistemet e edukimit u zhvillua në 50 shtete dhe u realizua nga EIU për shumëkombëshen që merret me edukimin, Pearson. Në thelb të problemit qëndron një fakt i padiskutueshëm : lidhja midis njohurive të mara dhe kompetencave me të cilat të rinjtë i drejtohen punës dhe të konkurimit ekonomik afatgjatë në një vend të caktuar. Nga studimi pati disa prurje cilësore që përmbledh 60 tregues krahasues nga 50 vende, si të dhëna lidhur me shpenzimet publike për arsimin, rrogat e arsimtarëve, përqindja e analfabetizmit në rang kombëtar, deftesat dhe diplomat pas përfundimit të procesit, përqindja e papunësisë, Prodhimi i brendshëm etj. Po t’i hedhim një vështrim klasifikimit propozohet një parametër i ri vlerësimi që është treguesi global mbi aftësitë njohëse dhe arritja e nivelit të arsimimit, bazuar në testet ndërkombëtare, si dhe mesatarja e diplomave. Cilat janë vendet që e kryesojnë klasifikimin? Nuk ka dyshim se janë Hong Kongu, Singapori dhe Japonia, ndërsa në fund ndodhen Meksika, Brazili dhe Indonezia, edhe pse janë ekonomi në rrugë të shpejtë zhvillimi. Dy vendet lider në krye të listës janë për befasinë e arsimit tonë shqiptar Finlanda dhe Koreja e Jugut. Të dhënat flasin për dy sisteme edukuese krejtësisht të ndryshëm : ai koreani i ngurtë, i bazuar tek verifikimet, testet, të mësuarit me kujtesë dhe detyrimi që studentët të investojnë shumë kohë në arsimit, ku mbi 60% ndjekin shkolla private; ai finlandez më i butë, me pak orë javore në shkollë, pa detyra shtëpie. Një prej përparësive është krijimtaria në të mësuarit me kujtesë. Por a kanë gjëra të përbashkëta këto dy vende? E para, rëndësia e mësimdhënies. E dyta, i japin rëndësi tërheqjes së stafeve më të kualifikuara dhe përditësimit të mësuesit, pra e thënë me një fjalë nuk bëjnë Pazar me dijet, por zgjedhin më të mirët. E treta, i kushtojnë vëmendje të veçantë përgjegjësisë në arritjen e objektivave dhe karakterizohen nga një ide moral të përhapur në shoqëri që i motivon të dyja palët, mësuesit dhe nxënësit. Një moment i rëndësishëm është respekti për mësuesit, si një çështje themelore kombëtare dhe jo si tek ne ku ka humbur ndërgjegjësimi për rolin e madh të dijeve dhe të mësuesit. Ka një rol social mësuesi në shoqëri dhe ai nuk mund të kushtëzohet nga militantizmi apo faktorë të tjerë, ndërsa rroga e mësuesve nuk ka shumë rëndësi në sukseset shkollore. Një studim për 2,5 milionë amerikanë nxori se nxënësit që kanë patur mësuesit më të mirë, kanë më shumë mundësi të frekuentojnë kolegje prestigjoze, fitojnë më shumë, jetojnë në lagje më të mira me status ekonomik, kursejnë më shumë për pensionin dhe kanë më pak mundësi të kenë shtatzani të nxituar në adoleshencë. Vazhdon studimi amerikan ku në përgjithësi investimi ekonomik në arsim merr një rëndësi të madhe në arritjen e rezultateve positive, por më e rëndësishme është kultura mbështetëse e edukimit, pra prejardhja e nxënësve dhe origjina e tyre kulturore. Nxënës të ardhur nga Hong Kongu, Singapori janë më të mirë se ata që vijnë nga Amerika latine apo Haiti. Sistemet shkollore të atyre vendeve që ndodhen në krye të klasifikimit bazohen edhe tek një natyrë e dukshme në zhvillimin e karakterit krijues, personalitetit dhe bashkëpunimit. Nga studimi del se t’u mësosh të punojnë në skuadër, të ndërveprojnë dhe tregojë aftësi të shpejta kuptuese me të tjerët, është sfida e shkollë së nesërme. Mendoj se ky është modeli më i mirë që duhet ndjekur dhe jo konfuzioni dhe amullia e dy dekadave pas viteve ’90. Një shtet i mençur nuk ka nevojë për të bërë eksperimente, por përfiton nga arritjet e çmuara të botës pa humbur kohë me qëllim që të kapë të gjitha standartet e saj.
Arjan Th. Kallço
Pedagog i Gjuhës italiane
Universiteti Fan S. Noli, Korçë