• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Protesta e opozitës si një rrugë pa kthim

February 22, 2017 by dgreca

1 ShkullakuNga Armand SHKULLAKU/1 protesta-PD-caderPartia Demokratike po përgatitet prej ditësh për një tubim- protestë që do të zhvillohet këtë të shtunë në Tiranë. Ky manifestim i opozitës po pritet si një provë e forcës së saj dhe po shihet si një sfidë e PD pas katër vitesh plot ulje- ngritje në përballjen me mazhorancën e Edi Ramës.

Për shumë arsye, protesta e 18 shkurtit mund të konsiderohet si një sfidë për PD. Ajo vjen pas një mungese të gjatë të reagimit në rrugë, ndonëse zërat që e kanë kërkuar një gjë të tillë brenda opozitës kanë qenë të shumtë. Si e tillë, projektorët e opinionit publik janë drejtuar me një interes edhe më të madh për të parin manifestim pas “agjërimit” që Basha ka mbajtur për shumë kohë në selinë e partisë së tij.

Protesta do të jetë një shenjë gjithashtu për të testuar se në çfarë niveli ka mbërritur pakënaqësia qytetare ndaj qeverisë dhe se sa kjo pakënaqësi është në sinkron me politikën e lidershpit të opozitës. Ajo do të jetë pra edhe një sfidë numrash, ku masa e protestuesve do të interpretohet edhe si cilësi e vetë protestës.

Por më tepër se pjesmarrja, testimi i pakënaqësisë ndaj qeverisë apo efikasiteti i protestës si mjet politik, 18 shkurti është sfida e PD për të ngjallur më në fund frymëzim pas katër viteve problematike në opozitë. Dhe frymëzimi nuk matet as me numrin e protestuesve dhe as me entuziasmin e radhëve të para. Nëse PD do ta mendojë protestën e 18 shkurtit si një mjet për të afruar ditën e ardhjes së saj në pushtet, si një formë për t’a përkthyer pakënaqësinë ndaj qeverisjes në një mbështetje për të apo si një taktikë për të povokuar ndonjë reagim të pakontrolluar të qeverisë, edhe kjo ngjarje do të regjistrohet në arkivën e aksioneve opozitare pa ndonjë rezultat.

Për PD, protesta duhet të jetë mjeti drejt një qëllimi më të madh, që është rifitimi i besimit tek qytetarët, zgjimi i frymës së kundërshtimit për të krijuar një front më të madh opozitar, ku të gjitha pjesët e shoqërisë, që nuk e pranojnë qeverisjen arrogante, korruptive dhe të inkriminuar të këtyre katër viteve, të kenë zë në kapitull.

Dhe për këtë, të gjithë duan një provë. Protesta e 18 shkurtit duhet të jetë akti i parë një aksioni të gjatë që s’mund të ketë kthim mbrapa. Ajo nuk duhet konsideruar si detyra e radhës që opozita e kreu dhe më pas u rikthye në selinë e saj, e izoluar nga njerëzit dhe dukshme vetëm për kamerat e televizioneve. As si një demonstrim force që thyen monotoninë e daljeve pa ngjyrë në podiumin mediatik të selisë blu. Nuk duhet konsideruar gjithashtu as si një aksion për të trembur Edi Ramën dhe për të mbajtur gjallë zjarrin tek militantët.

Më 18 shkurt, PD ka shansin të nisë një rrugë të vështirë për të bindur njerëzit e thjeshtë që është në anën e tyre dhe jo anë e së njëjtës medalje që pushtetin e ka kthyer në qëllim dhe jo në mjet për të ndryshuar Shqipërinë. Nëse për shumë arsye, opozita nuk mundi të shkëputet nga e kaluara e saj, nuk ia doli të bindë plotësisht se është e aftë të ndërtojë një të ardhme tjetër pa qenë peng i pushtetit të kaluar, se reagimi i saj kundër qeverisë është për të njëjtat arsye si edhe reagimi qytetar, tani e ka një mundësi për ta bërë këtë.

Për këtë, 18 shkurti nuk duhet të jetë një datë në kalendarin e veprimtarive opozitare, por fillimi i një rruge, nga e cila s’mund të ketë tërheqje. PD dhe Lulzim Basha duhet të vendosin të përballen me pushtetin, jo nga selia e partisë, karriket e komisioneve parlamentare apo foltorja e Kuvendit, por aty ku e duan njerëzit, në rrugë.

Opozita flet për një qeveri që ka kapur dhe kontrollon gjithçka. Që përdor krimin dhe paratë e krimit për të mbajtur pushtetin. Që kontrollon drejtësinë dhe ka kapur mediat. Që ndan paranë publike për oligarkët e saj dhe këta e mbajnë në këmbë me anë të financimeve okulte. Që po abuzon me varfërinë e njerëzve dhe po u blen votën. Që po klonon parti klienteliste e që ka ndërtuar një makineri propagande që mbyt çdo zë opozitar. Me një pushtet të tillë, opozita nuk mund t’u kërkojë vetëm qytetarëve të përballen me të, të mos shesin votën, të qëndrojnë, të sakrifikojnë, të reagojnë. Ajo duhet të japë vetë e para provën që është me ta dhe është si ata.

Përballë një pushteti të tillë nuk mund të ketë dy reagime, një qytetar në rrugë dhe një opozitar në forume. Më 18 shkurt PD duhet të vendosë jo për fatin e një proteste, por për fillimin e një rezistence që me prova duhet të dëshmojë se është e njëhsuar me atë të qytetarëve. Çdo kthim pas, do të pillte një zhgënjim të ri dhe do ta rreshtonte PD tek ato parti që presin radhën për të ardhur në pushtet dhe jo tek ato forca që ngjallin frymëzim për të bërë ndryshime të mëdha.

Filed Under: Featured Tagged With: Armand Shkullaku, pa kthim, PROTESTA E OPOZITES, si një rrugë

Kush ia zgjodhi kriminelët Ramës

March 27, 2015 by dgreca

Nga Armand Shkullaku/*
Edi Rama duhet të jetë vërtetë në një hall të madh. Ai mezi arriti të lidhte disa fjali të enjten në Kuvend, kur nisi të fliste për pensionet dhe doli tek 21 janari. Në më pak se dy vjet në pushtet, kryeministri që mori përsipër Rilindjen e Shqipërisë po shikon t’i vërtetohen çdo ditë akuzat e kundërshtarëve të tij se ai synoi pushtetin si qëllim të vetëm, pavarësisht mjeteve për ta arritur atë. Se pranoi të bëjë aleancë edhe me djallin dhe tashmë ndodhet brenda lojës së tij.
Të enjten, pas votimit në Kuvend për t’i hapur rrugën arrestimit të dy deputetëve të shumicës, shqiptarët panë kryeministrin e tyre që foli se duhej të fliste, por në fakt nuk tha asgjë. Atë që nuk e tha me fjalë, Rama e demonstroi me nervozizmin e tij, me akuzat bajate ndaj opozitës, me rikthmin e 21 janarit për të balancuar politikisht prokurorinë dhe me mungesën totale të një ndjese publike. Ai u detyrua, faqe gjithë botës, të gëlltisë lugën e parë të çorbës që ka gatuar vetë.
Edi Rama është në hall në radhë të parë me aleatin e tij kryesor, Ilir Meta, të cilin dy vjet më parë e sulmonte me zemër dhe sot është i detyruar ta mbrojë fare pa zemër. Rama është gjithashtu në hall edhe me deputetët e tij. Ai i vërtiste fjalitë të enjten në gojë pa thënë asgjë, sepse nuk mund të fliste dot hapur për Tom Doshin, një nga njerëzit e tij më të afërt, të cilin e prezantonte dy vjet më parë si një nga Rilindasit e shquar të ekipit të tij, ndërsa tani i ka hapur rrugën për ta dërguar në qeli. Nuk flet dot as për Mark Frrokun, të cilin e bëri aleat për kokë, ndonëse e dinte që në partinë e tij, i dyti në listë ishte një individ i akuzuar për vrasjen e një oficeri të lartë policie. Nuk u del për zot as dy deputetëve me të cilët krenohej kur goditën kolegun e opozitës dhe tani me heshtjen e tij ka dhënë “miratimin” për dënimin e tyre.
Kryeministri do duhej t’u tregonte sot shqiptarëve atë që po ngjet me mazhorancën e tij. Se si ndodhi që ajo përfshi në një spirale të tillë skandali ku çdo ditë shfaqet një i akuzuar i ri dhe nuk dihet se ku do të përfundojë zinxhiri. Dhe për ta bërë këtë, Edi Rama kishte vetëm një mënyrë. Të fliste hapur dhe të kërkonte ndjesë publikisht. Të pranonte se ai e ka ditur që në fillim se çfarë individësh po u ofronte shqiptarëve për të votuar në listat e tij. Se çfarë aleancash lidhi për të ardhur në pushtet dhe deri ku u detyrua të shkojë për disa mijëra vota më shumë. Ai do të duhej të pohonte se gjithë kjo telenovelë e pështirë që po zgjat me javë është kësti parë i kredisë së lartë që Edi Rama ka marrë për të ardhur në pushtet. Dhe duke pranuar këtë, angazhimi i tij për një distancim nga bota e krimit në të ardhmen do të ishte më e besueshme. Pse jo, mund të kishte edhe mbështetje më të gjerë nga opinioni publik.
Në vend të ndershëmrisë politike në një moment kritik për Shqipërinë, kryeministri zgjodhi të bëjë atë që di më mirë. Ta shkarkojë përgjegjësinë tek të tjerët dhe të ndezë motorrin e lodhur të propagandës. Ai u përpëlit para Kuvendit duke mos gjetur asnjë argument bindës për atë që po i ndodh brenda vathës së tij. Mbajti një leksion të stërpërdorur mbi të djathtën, përsëriti batutat bajate me Shqup, u kujtua të kërkojë drejtësi për 21 janarin, provoi të bëjë herë grindavecin e herë strategun, por në fund nuk tha se si ndodhi që Rilindja sot po kthehet në Riciklim. Madje kulmin e arriti kur akuzoi opozitën se po bëhej zëdhënësja e Durim Bamit, një gangsteri nga Fushë- Kruja.
Në fytyrën e kryeministrit dallohej qartë se as ai vetë nuk i besonte ato që thoshte, por ishte i detyruar të thoshte diçka. Meqë nuk mund të shpjegonte dot se përse ky gangsteri nga Fushë Kruja, me dijenë e tij, pra të vetë kryeministrit, ishte takuar tri herë me ministrin e Brendshëm e me drejtues të lartë të policisë dhe ata e kishin pritur me kafe e muhabet në zyrat e shtetit, ateherë rrugëdalje e vetme mbetet propaganda dhe armiku i klasës. Në të kundërt, kryeministri do të duhej të shpjegonte edhe përse ai, ministri Tahiri dhe drejtori i policisë nuk bënë kallzim në prokurori për dëshmitë e gangsterit nga Fushë- Kruja, të cilin tani kërkon t’ia faturojë opozitës. Ky është vetëm një shembull nga logjika e hallit që e ka zënë kryeministrin. Sepse ka shumë e shumë të tjerë.
Në thelb të gjendjes në të cilën gjendet sot shumica dhe kryeministri, nuk është as mënyra se si bën opozitë PD dhe as se çfarë thotë apo nuk thotë Durim Bami. Problemi i vërtetë qëndron tek aleanca e dikurshme me djallin për të cilën ka ardhur momenti për të dhënë llogari. Sa më shumë të fshihet Edi Rama pas gishtit aq më të vështirë do ta ketë shkëputjen nga rrjeta që ka thurrur vetë. Në fjalën e tij në Kuvend kryeministri sugjeroi të mos përdoret fjala dekriminalizim i parlamentit sepse, tha ai, “populli nuk ka zgjedhur të përfaqësohet nga kriminelë”. Kjo është e vërtetë. Populli ka zgjedhur të votojë përfaqësuesit që i caktojnë kryetarët e partive. Se kë ka caktuar Edi Rama, sigurisht nuk është faji i popullit. Populli tashmë po rri e vështron. Dhe sot po sheh një kryeministër në hall.
*Kortezi-Koha Jone

Filed Under: Editorial Tagged With: Armand Shkullaku, kriminelët Ramës, Kush ia zgjodhi

Artikujt e fundit

  • Kosova pret “Defender Europe 23”
  • E KEQJA VJEN CDO DITE NGA PAK…
  • KALLUSHI, RUGOVA DHE XHEMA…
  • Rikthimi i grekoproblemit në Himarë për shkak të korrupsionit shqiptar
  • LEONARD NEWMARK OBITUARY
  • U mbajt Akademi përkujtimore dhe promovimi i librit FRROK GOJANI PEDAGOG DHE MISIONAR I DENJË I SHKOLLËS SHQIPE
  • V I K T O R G J I K A…
  • Figurat
  • SHKOLLA DHE SPITALE APO ARSIM DHE KUJDES SHËNDETËSOR?
  • Miqtë apo vartësit e Fatos Baxhakut?
  • PER KRISTAQ DHAMON…
  • TË ARRITURAT E AMBASADORËVE TË KULTURËS, GJUHËS DHE TRADITËS SHQIPTARE NË SKANDINAVI NUK KANË TË NDALURA
  • Në Prishtinë hapet Seminari i 40-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
  • Një atentat për shqiptarët dhe një dhuratë për Serbinë !
  • Kryeministri Kurti e Presidentja Osmani pritën në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT