• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Planet perëndimore dhe klanet ballkanike

April 8, 2017 by dgreca

Ballkani gjendet mes premtimeve shpesh boshe të Perëndimit dhe aspiratave të rrezikshme klanore. Qasja joserioze mund ta çojë atë në konflikte/

Nga Arsim Zekolli…/

Në mesin e të gjitha deklaratave ogurzeza apo paralajmëruese për vranësirat politike mbi Balkanin Perëndimor, e vetmja gjë që, falë kontekstit dhe tonalitetit, meriton vëmendje është ajo e Jean Claud Juncker drejtuar Donald Trump, sipas së ciles “nëse BE shpërbëhet, do të ketë luftë të re në Balkan”. Optimistët e përjetshëm preferuan që deklaratën ta interpretojnë si sinjal shpresëdhënës se vëmendja e Perëndimit ndaj rajonit sërish po kthehet me seriozitetin e duhur. Pesimistët atë e lexuan  si tentativë dinake të Junckerit për bartje të fajit përtej Atlantikut për furtunat, të cilat do të pasojnë më vonë. Megjiathate, leximi real-politik i deklaratës  të shpie drejt dy motiveve të mundshme për formulimin e qëndrimit të njeriut të parë të  BE. Motivi i parë dëshmon se Brukseli nuk ka ndonjë ide konkrete për të qetësuar gjendjen e krijuar, që të sjell në përfundimin, se Juncker në mënyrë të (pa)vetëdijshme pranon varësinë ndaj SHBA për mirëmbajtjen e paqes brenda oborrit europian.

E përbashkëta e liderëve të Ballkanit

Shikuar nga pikëvështrimi ynë i bretkocës, deklarata imponon edhe leksione tjera të bazuara mbi eksperiencat e deritanishme të qasjes transatlantike ndaj rajonit. Sa për fillim, ia vlen të parashtrosh pyetjen, se cila është pika e përbashkët që lidh Aleksandar Vuçiqin, Hashim Thaçin, Nikola Gruevskin dhe Ali Ahmetin? Përgjigja imediate do ishte se të gjithë këta konsiderohen si lojtarë të besueshëm të Perendimit. Por, vështrimi dhe leximi më i vëmendshëm i biografive të tyre pasqyron një “kurvarurë” më interesante e cila shënon ngritjet dhe dominancat e tyre politike. Që të gjithë të apostrofuarit karrierat e veta politike dhe qeverisëse i kanë filluar falë përkrahjes së fuqishme te BE (më saktësisht, të Gjermanisë) e cila që në zanafillë i ka identifikuar, kultivuar, politikisht formuar dhe në fund si shpresa të mëdha për ndryshime demokratike – instaluar në kolltuqe qeverisëse.

Që pas një periudhe relativisht të shkurtër, të kaluar në poste sunduese, të “kidnapohen” dhe rreshtohen nën flamurin e SHBA si prodhime “të gatshme për konsumim”. Por, për dallim nga agjenda iniciale e të qenurit demokrat-reformist, tani ata duken të ngarkuar me vetëm një detyrë – ruajtjen e stabilitetit me çdo kusht. Përfshirë këtu edhe çmimin më të lartë të tolerimit të logjikës së degjeneruar politike, sipas së cilës, ndërrimi i qeverisë më nuk konsiderohet si proces normal i ndryshimeve, por si kërcënim serioz e trandites ndaj stabilitetit të vendit e rajonit.

Rrugëtimet drejt ferrit

Mazedonien Arsim Zekolli (DW/K. Blazevska)

Në këtë ndarje rolesh sipas prioriteteve transatlantike, nuk do gjeni dot dallime cilësore në nxënës të mirë kundër atyre të dobët, por vetëm ilustrime për pasojat e këtushme të çertifikatave të dhëna me lehtësi absurde në duart e atyre, të cilët me shkathtësi bindnin gjermanët për “bindjet dhe vlerat e tyre demokratike”. Të trashëguar pastaj nga spin-ekspertët amerikanë, të stërvitur për servis dhe mirëmbajtje të autokratëve tanë ordiner, të gatshëm për të plotësuar që të gjitha qëllimet më të mira amerikane në rrugëtimin drejt ferrit.

Mosmarrëveshjet në raportet Juncker-Trump nuk duhet konsideruar si shkas për anime, por vetëm si dy faqe të së njejtës monedhë ballkanase në allishverishet mes imitimeve rajonale të demokracisë dhe stabilitetit, si ekzekutues i mëshirshëm i demokracisë. Ndonëse vonë, megjithatë vlen të kujtohen dy palët andej dhe këndej Atlantikut se në lojën e madhe të Ballkanit janë futur së bashku edhe me forca të partnerizuara. Por se edhe toni i zënkave të ndërsjella mes tyre, garanton se nëse nuk bashkojnë forcat, së bashku do fundosen në mocalet e krimit që tepër gjatë refuzonin të shterrin. Çfarëdo prolongimi i konfliktit absurd mes qasjes gjermane ndaj rajonit të bazuar mbi oferten “ushtri nuk kemi, por kemi lek” dhe strategjisë amerikane “lek nuk kemi, por ua garantojme stabilitetin”, patjetër do rezultojë me humbje të ndikimit  të dy paleve në rajon dhe rrënim si të demokracisë ashtu edhe stabilitetit.

Dinamika klanore

Një vërejtje e këtillë është e bazuar edhe falë rolit të tyre si prindër politik të monstrave të këtushme qeverisëse. Filozofia e sigurimit të qetësisë nëpërmjet dhuratave për djemtë e dhunshëm si ataman kolonial dhe sherifa të stabilitetit, tanimë është e tejkaluar, kundër-produktive dhe jo kompatibël me motivet fillestare. Ballafaqimi dhe negociimet e pafundme me partitë politike rajonale është i destinuar të deshtojë, dhe ashtu do mbetet derisa presioni dhe kërcënimi nuk fokusohen mbi mekanizmat  real të fuqisë dhe sanksionit. Që është më lehtë për ta thënë se për ta bërë, pasi mekanizmat në fjalë nuk janë partitë politike, por klanet e instaluara brenda tyre, si faktor efektiv të politikbërjes dhe vendosjes.

Nuk është ndonjë sekret i madh se në Maqedoni (por edhe në rajon), grupimet të cilat preferojmë t’i quajmë si “subjekt parti”, në realitet paraqesin vetëm shprehje eufemiste për sundim të klaneve. Intriga klanore të mveshura me pëlhura polit-partiake paraqiten si bashkëpunime multietnike, duke kamufluar anën e errët të konfliktit nga i cili kanë lindur dhe vazhdojnë të manipulojnë. Kjo nuk është ndonjë risi në skenen e tanishme politike, por konstantë veprimi e etabluar nga PDSH dhe Menduh Thaçi në vitet ‘90-ta. Model ky që më vonë do kopjohet nga klani kriminogjen Gruevski/Mijalkov, shumëfishohet përbrenda BDI si klani i Zajazit, klani i Teutes në Tetovë, klani i Kaqanikut në Çair, ndërsa tani në LSDM identifikohet si klani Zaev kundër klanit OJQ-medial nën kontroll të Radmilla Shekerinskes. Dinamika centrifugale klanore evoluon e përsoset edhe përbrenda partive të reja, konform modeleve dhe shembujve të partive më të vjetra.

Identifikimi i dominimit të logjikës klanore në politikat vendimmarrëse, është shtresa e fundit në procesin e mundimshëm të qërimit të qepes sociale që na ngulfat dhe përlot. Proces, ky i cili mund të kontribuojë për sqarimin e dinamikave jologjike mes partive dhe përbrenda vetë partive, që njëkohësisht qartëson shkaqet e vërteta për sjelljet inerte për të marrë vendime, për aprovim reformash dhe thënë përgjithësisht, bllokadat e shumëta që na ngarkojnë.Raportet e gjata dhe fërkimet mes klaneve i kanë qartësuar të gjitha motivet për veprime të caktuara dhe përfitimet e aspiruara, që rezulton me krijimin e një  gjendje të mosbesimit permanent, tensione dhe acarim raportesh në tërë skenen politike në vend. Në fund, diktati i epshit primar për mbijetesë të klanit shndërrohet në forcë dominante dhe gjenerator i kapjes së shtetit (VMRO-DPMNE, BDI) apo të kapjes së shoqerisë (LSDM).

Kriza rrënon shtresat

Kriza e stërzgjatur tanimë arrin të gërryejë të gjitha shtresat e mundshme politike, shoqërore e ekonomike, duke u shndërruar në acid, i cili depërton gjithandej. Zhveshja e bërthamave klanore përbrenda partive tani kërcënon të prodhojë energji enorme të agresionit si dhe procese fermentuese përbrenda partive, rrjedhimisht edhe në skenen politike dhe shoqërore.

Tentativat për të thyer bërthamat e tilla klanore si parakusht për rinisje të proceseve reformatore, provokojnë tensione përbrenda establishmentit të tanishëm. Që kërcënojnë dhe shantazhojnë me reagime destruktive zinxhirore si akt i fundit për parandalim të demisionit të tyre nga politika.

Parandalimi i reakcionit të tillë zinxhiror në rajon, imponon angazhimin e faktorëve te jashtëm që posedojnë mjaft fuqi dhe peshë për të parandaluar shpërthimin e instalacioneve të tyre me afat të skaduar. Megjithate, duhet theksuar se sa do që parandalimi i shpërthimit është intervencë urgjente dhe e realizueshme, ajo nuk do mund të konsiderohet plotësisht e suksesshme nëse nuk prek në evitimin e efekteve të fërkimeve ndërklanore dhe paraqitjen e frymëzimeve fashiste në rritje e sipër tek gjeneratat e reja. Përdorimi tepër i shpeshtë i akuzave për fashizëm si etiketim politik, na bën që sot mos të arrijmë të identifikojmë dhe alarmojmë për karakteristikat e saja socio-politike të cilat gjithnjë e më shumë po infektojnë grupimet rinore dhe diskursin publik. Sa për ta kujtuar – kriza ndoshta nuk do shpërthejë në konflikt, por rrezatimet vdekjeprurëse të energjive klanore do vazhdojnë të helmojnë qenien tonë politike (DW)

Filed Under: Analiza Tagged With: Arsim Zekolli, dhe klanet ballkanike, Planet perëndimore

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT