NGA ASLLAN BUSHATI*/
Novela “Alida” e Dine Dines, nis nga Burgu i Spaçit, ku dy të burgosur kryqëzojnë shikimin jashtë rrethimit me tel me gjemba mbi dy të rinj, një vajzë e një djalë. Ata ishin barinj dhishë e në punën e tyre, por meqënëse po loznin me njeri tjetrin, nga të burgosurit, supozohet virtualisht se ishin të dashuruar. Nga kjo fillesë, nëpërmjet gojës së të burgosurit Qani, shtjellohet gjithë historia e dashurisë me Alidën.
Berti, i tregon Dines (autorit), se duke qenë i internuar në një sektor të fermës, punonte fort në brigatën e ndërtimit. Puna ishte e rëndë sa s’merret me mend, por ishte i detyruar të qëndronte kokë ulur nga e ashtuquajtura lufta e klasave. “Në internim- thotë Berti- një herë të kolliteshe e merrte vesh i gjithë sektori”. Në të njejtën kohë, në shtëpi Berti lexonte shumë libra (ca të lejuar e ca të ndaluar), ushtrohej në fizarmonikë dhe në dizanjo (shkrim me germa të mëdha), të cilat i mbushnin boshllëkun e të qenit i internuar.
Kur krejt pa pritur një ditë e thërrasin Bertin të shkonte dhe të bënte qendrën e emulaçionit, ku përgjegjëse për këtë punë ishte Alida. Ajo ishte një vajzë shumë e bukur nga pamja, hiret, fytyra, sytë, flokët, elegante në veshje , në ecje, sjellja etj. Berti tregon se bie brenda siç i thonë që në shikim të parë. Por edhe Alida dukshëm ishte në të njejtën “turbullirë rinore”. Kështu pas disa ditësh në punë gjysëm të përbashkët, Berti i thotë :“Alida a ke ndonjë kundërshtim që pa na vëvë re njeri në këtë botë të takohemi ndonjëherë e të bisedojmë? Alida në cast, e miratoi me me kokë”.
Që nga ky moment, dshuria për Alidën zgjerohet, thellohet, bëhet motiv, në punë, në shtëpi, në sektor, në hetuesi, gjyq, në burg, në “lirinë” e pas burgut e në çdo segment të jetës së Bertit. Ajo mbetet vetëm si ide virtuale, si një brengë që zgjati gati tri dekada dhe që përfundoi e pa realizuar, por vetëm me disa refuzime përgjigjesh në telefon.
Në trillën artistike të Alidës, lexuesi krahas dashurisë, takohet natyrshëm me Arkimedin e Platonin, me Shekspirin, Omar Khajamin, Paskal e Mark Tuejn, me klasikët e muzikës Shtraus, Bah, List, Brams, e Shopen. Takohet me Nanan e miqt e familjes, me të rinjët në mbrëmje dëfrimi si Lilin e miqt e saj,me këngët e kohës kënduar nga Luan Zhegu e Liljana Kondakçi, me mësuesen Nerime e bashkfshataren Nurije etj.
Trilla rrok një sasi të konsiderueshme vendesh si: Lushnje, Devoll, Korçë, Tiranë, Laprakë, hotel “Arbëria”, “Bar Elyse” e mbi të gjitha Burgu i Spaçit dhe i Qaf Barit.
Novela Alida, në çdo fjalë e në çdo frazë, përciellë në mënyrë të koncentruar idenë se dashuria e vërtetë është një nga motivet më të mëdha të jetës. Ajo nuk njeh kufi, je në internim apo në hetuesi, në burg apo në liri, je në një sistem totalitar e mizor apo në një vend të lirë. Ajo është ndjenja më e bukur që na buron nga shpirti e na mbush me optimizëm për ta shijuar atë dhe jetën në tërësi.
Por dashuria e një të internuari, të ndaluari e të burgosuri, ka edhe disa specifika, që masa e madhe e njerëzve të lirë nuk i ka përjetuar. Këtë pjesë boshllëku shoqëror e plotëson bukur Alida.
Novela, në pamje të parë, e duke e vënë rrëfimin nëpërmjet gojës së Bertit, duket sikur kjo është historia e këtij personazhi. Por, përshkrimet e imta të personazheve, ngjarjeve , dialogjeve, brendisë, e specifikave, shpesh të bëjnë të mendohesh se kjo ngjarje më shumë i përket autorit se sa Bertit.
Por, parë në tërësi, Alida është një vepër artistike e mirërealizuar, një novelë e bukur, e kënëshme për një gamë të madhe lexuesish. Por, mbi të gjitha ajo ndriçon një pjesë të jetës së të persekutuarve e të përndjekurve politik të komunizmit në Shqipëri.
Duke lexuar Alidën, çdonjeri përvijon paralele të jetës tij me ato të treguara bukur nga autori Dine Dine. Thënë ndryshe çdonjeri nga ne, ka në lëkurën e tij alidat e veta ose femrat inversat mashkullor të alidave të novelës.
Faleminderit Dine Dine për Alidën që na dhurove. Rrofsh gjatë dhe shkrofsh të tjera vepra të cilat janë e do të mbeten pasuri në kulturën tonë kombëtare.
Mbajtur ne promovimin e organizuar nga Vatra dhe Shoqata e Shkrimtareve te Shtunen, ne seline e Vatres.
NY, më 29 Maj 2021.