ATHINË, 27 mars /- Pa ide të reja dhe pa asnjë rezultat për çështjen e emrit të Maqedonisë u mbyll takimi mes Matthew Nimitz, i dërguar personal i sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon dhe përfaqësuesve të Greqisë dhe Maqedonisë, respektivisht Adhamantios Vasilaqis dhe Zoran Jolevski. Duke folur për ANA-MPA-në, Vasilaqis tha se ”shfrytëzuam rastin që të shohim se ku gjendemi. Unë kisha shansin para pak ditësh të takohem me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së dhe zotin Nimitz, të cilët i informova mbi vizitën e nënkryetarit të qeverisë greke, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Evengjelos Venizelos në Shkup. Kam përshtypjen se Nimitz ka ndërmend të bëjë një takim në Nju Jork, ndoshta në muajin maj, pas zgjedhjeve në FYROM (Emri i Maqedonisë nga vendet që nuk e kanë njohur, përfshirë Greqinë – shën. përkth.). Më pas, mendon ndoshta të bëjë një vizitë në rajon, nga fundi i qershorit”