
…harrimi i borxhit
Astrit Lulushi
Sokrati u bë filozof, kur pranoi se nuk dinte asgjë. Kjo ndodhi gjatë vizitës së tij në Tempullin e Delfit. Atje ai doli fitues në debat me të tjerët dhe Orakulli e shpalli njeriun më të mençur. Sokrati e dinte që nuk dinte asgjë, por çdo person tjetër mendonte se dinte gjithçka dhe kjo është arsyeja pse Sokrati dinte më shumë se ata. Këtë paradoks, Sokrati e menaxhoi me aftësi e shkathtësinë e fjalës dhe mendimit. Argumentet e tij të zgjuara e hutonin kundërshtarin dhe fitonin përkrahjen e dëgjuesve të debatit.
Politika e sotme shqiptare i ngjan një simpoziumi të Sokratit, por, ku secila palë, duke përdorur dinakërinë e shantazhin, përpiqet të fajësojë tjetrën, pa thënë gjë për veten. Sokrati nuk synonte pushtet, ndërsa politikanët shqiptarë bëhen copë për ‘të. Këto 30 vitet e fundit tregojnë se s’mund të gjesh vend më të mirë sesa arka e shtetit për të vjedhur e pasuruar, kur ajo të besoher për ta ruajtur.
Me debatet e tij, Sokratit i mjaftonte të vërtetonte se kundërshtari e kishte gabim dhe jo që ai (Sokrati) kishte të drejtë. Pasi ushtria athinase u mund nga Sparta, kjo e fundit filloi të kontrollojë qytetin përmes Tridhjetë Tiranëve për të shtypur popullin athinas për të shtruar rrugën për epërsinë spartane. Kjo ishte diçka e vështirësi për Sokratin; ai nuk mund të lejonte që spartanë të shtypnin popullin, sepse mendonte se ishte e gabuar moralisht dhe nuk mund të lejonte spartanët të kishin të drejtë, sepse ai nuk lejonte askënd të kishte të drejtë! Ky qëndrim i shkaktoi atij shumë probleme, dhe kur elita e humbi durimin, solli pasoja tragjike, dënimin e tij me vdekje.
“Gjeli është i Asclepius. Mos harroni borxhin”, ishin fjalët e fundit të Sokratit