• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dija, në humbje

June 9, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi

Shkruan: Astrit Lulushi/

Arsya dhe fuqia, gjithmonë në luftë të përherëshme që nga zanafilla, herë bëhet e ashpër, rrallë herë e pajtueshme. Arsyeja vazhdon udhën e vet pa fund përballë fuqisë. Edhe fuqia bën të njëjtën gjë, megjithë pengesat që lehtësisht i rrëzon. Aftësitë e njeriut janë të endura në mbijetesë. I dituri mënjanohet nga pushteti; i fuqishmi mbetet pa dije. Fuqia ofron lajka, dhurata e pozita dhe tërheq vetëm mediokritet, mbyllet, por ajo ka forcën dhe e përballon këtë humbje. Dija këto nuk i ka; ajo hap mendje, kthjellon, ndriçon udhët, përhapet dhe ofron gjithnjë zgjidhje të reja. Kombin, që Aleksandri i Madh e preu me një të rënë shpate – Nyjen Gordiane – Filozofi do ta kishte zgjidhur me durim; dhe anasjelltas, rrezet e diellit që për Diogjenin ishin jetike, Aleksandri i mbuloi me trupin e tij. Bazuar në këto ide të asaj kohe, Platoni doli me mendimin se qeverisja e mirë vjen vetëm me njerëz të ditur në pushtet, dhe dhuna mund të shmanget.

Shkolla sot mëson aftësi që siguron shpërblim, karrierë, kënaqësi dhe përmbushje. Ky interes i përtërirë për të mësuar “praktikë” të kujton shprehjen “Ai mësoi aq shumë sa që mund të emëronte një kalë në nëntë gjuhë; dhe prap mbeti aq injorant sa bleu një lopë për të hipur.”

Interneti i jep përparësi studimit “praktik”, që mbështetjen e dijes e bën shqetësim sekondar. Kjo ka një logjikë të caktuar. Fuqia është në pushtet – duke parë bishtin vlerëson qenin. Përqëndrimi në aftësitë për të njohur thelbin mbetet në hije. Duke pasur parasysh shpërthimin e teknologjisë dhe aksesin në informacion, mund të thuhet se studentët e sotëm mësojnë si të mësojnë të mendojnë në vend që të zotërojnë dije. Kështu, të mësuarit social dhe emocional është po aq i rëndësishëm sa edhe rezultatet e vlerësimeve akademike, një lloj praktike pa teori dhe teorie pa praktikë.

Disa prej kohësh kanë paralajmëruar se kjo është marrëzi. Edhe pse studentët mësojnë të lexojnë, gjë që domosdoshmërisht përfshin aftësi të tilla si të kuptuarit, nevoja e tyre më e madhe është njohuria për përmbajtjen. Boshllëqet nuk shkaktohen nga mungesat e aftësive, por nga boshllëqet e dijeve. Kur lexuesit i jepet një histori për një temë që ata e njohin, gjetja e idesë kryesore është punë e lehtë. Në të kundërt, jepuni lexuesve një pasazh për diçka për të cilën nuk dinë asgjë, dhe ata do të kishin pak shanse për të gjetur idenë e saj. Studiuesit kanë vënë re se kur në vendet ku leximi i pasur me përmbajtje lihet pas dore, performanca e njerëzve zvogëlohet; sa më pak lexim aq më e madhe është humbja dhe njeriu i bashkohet turmës me ‘like’ e ‘comment’ bajate, apo vazhdon të adhurojë e të jetë nostalgjik për shkrime që ndoshta as i ka lexuar deri në fund për të kuptuar idenë e tyre nga epoka e socializmit. Këta lexues mahniten me bukurinë e të shprehurit dhe mbeten aty, humbasin, pa mundur të mbërrijnë tek thelbi.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Dija, ne Humbje

Diogjeni dhe Aleksandri

June 7, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi

Astrit Lulushi

I shtrirë në tokë, zbathur, parruar, gjysmë i zhveshur, ai dukej si lypës ose i çmendur. Kishte hapur sytë me agimin e diellit, buzë rrugës, ishte larë në rrjedhën pranë, për mëngjes një copë bukë dhe disa ullinj kishte ngrënë shoqëruar me ujë nga burimi. Duke mos pasur punë për të shkuar, dhe as familje për t’u kujdesur, ai ishte i lirë. Ndërsa sheshi i tregut mbushur me blerës, tregtarë, skllevër dhe të huaj, ai shëtiti mes tyre për një a dy orë. Të gjithë e njihnin, ose kishin dëgjuar për ‘të. Njerëzit i bënin pyetje të mprehta dhe merrnin përgjigje më të mprehta. Ndonjëherë hidhnin sharje dhe sharje mernin; nganjëherë i hidhnin copa buke dhe falenderime të pakta; ndonjë guralec dhe mori gurësh e abuzimesh. Ata nuk ishin të sigurt nëse ai ishte i çmendur apo jo. Ai e dinte që ata ishin, të gjithë të çmendur, secili në një mënyrë a tjetër; ata e argëtonin. Tani ishte përsëri në shtëpinë e tij. Nuk ishte shtëpi, madje as kasolle. Ai mendonte se të gjithë jetonin në shtëpi, vila a pallate, me ankth. Ç’e donte shtëpinë? Askush nuk ka nevojë për privatësi. Aktet natyrore nuk janë të turpshme. Askush nuk ka nevojë për shtretër, karrige dhe mobilje. Kafshët jetojnë mirë e shëndetshëm dhe flenë në tokë. Gjithçka që kërkon njeriu, pasi natyra nuk e veshi siç duhet, është një veshje për t’a mbajtur ngrohtë, dhe strehë për t’a mbrojtur nga shiu dhe era. Kështu ai kishte një batanije – për ta veshur gjatë ditës dhe për ta mbuluar natën – dhe flinte në një qyp. Emri i tij ishte Diogjen, me kuptimin ‘djalëzoti’. Ai ishte themeluesi i fesë së quajtur Cynicizëm, fjalë do të thotë “qënishte”, sepse jetë si të qënit bënte. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në qytetin e pasur të Korintit, duke tallur dhe satirizuar njerëzit dhe duke konvertuar herë pas here ndonjë prej tyre. Shtëpia e tij nuk ishte fuçi e bërë prej druri, kjo kushtonte shumë. Ishte një enë prej balte, diçka si një rezervuar uji – pa dyshim që nuk përdorej më sepse ishte i thyer. Ai nuk ishte i pari që banoi në një enë të tillë. Refugjatët e shtyrë në Athinë nga pushtimi Spartan ishin strehuar në qypa balte. Por ai ishte i pari në parim. Diogjeni nuk ishte maniak. Ai ishte një filozof që shkroi shfaqje, poema dhe ese që shpjegonin doktrinën e tij. Ai fliste me ata që ishin të vëmendshëm të dëgjonin. Kishte nxënës që e admironin. Por ai mësonte kryesisht me shembuj. Të gjithë duhet të jetojnë natyrshëm, thoshte ai, sepse ajo që është e natyrshme është normale dhe nuk mund të jetë e keqe ose e turpshme. Jetoni pa konventa, të cilat janë artificiale dhe false; qëndroni larg nga ndërlikimet, teprimet, vetëm kështu mund të jetoni një jetë të lirë. Njeriu i pasur beson se ka shtëpinë e tij të madhe me shumë dhoma dhe orendi, piktura, rroba të shtrenjta, dhe llogari bankare. Por, jo. Ai varet prej tyre. Ai shqetësohet për ‘to; harxhon pjesën më të madhe të energjisë së tij duke u kujdesur për to; mendimi i humbjes së tyre e bën atë të sëmurë nga ankthi. Ato e zotërojnë atë. Ai është skllavi i tyre. Me qëllim të blerjes së një sasie të mallrave të rremë, që prishen, ai ka shitur të mirën e vetme të vërtetë, të qëndrueshme: pavarësinë e tij. Ka pasur shumë që janë lodhur nga shoqëria me ndërlikimet e saj dhe janë larguar për të jetuar thjesht – në një fermë të vogël, në një fshat të qetë, ose në errësirën e anonimitetit.

Këto mēsonte Diogjeni. Ai ishte misionar. Qëllimi i jetës së tij ishte i qartë për të: për “të rimarrë monedhën”. Për të rikrijuar monedhën: për të marrë metalin e pastër të jetës; për të fshirë shenjat e vjetra të rreme konvencionale dhe për ta shtypur atë me vlerat e saj të vërteta. (Ai dhe babai i tij dikur ishin dënuar për falsifikim; për “rivendosje” ishte shakaja e Diogjenit për këtë çështje.)

Filozofët e tjerë të mëdhenj të shekullit të 4 pes, i mësonin nxënësit e tyre nën hije pemësh, në shkallët e ftohta të Akademisë ose në sheshe. 

Atë ditë sheshi i vogël filloi të mbushej me njerëz. Djemtë e parisë të veshur në mënyrë elegante, të zbritur nga fshatrat që flisnin një dialekt të ashpër të huaj, sekretarë të matur, oficerë me mendje të fortë, diplomatë të vetëdijshëm: Të gjithë gradualisht formuan një rreth me Diogjenin në mes. Ai i vështroi ata, si një njeri i kthjellët shikon një turmë të dehurish plaçkitës dhe tundi kokën. Ai e dinte kush ishin. Ata ishin shërbëtorët e pushtuesit të Greqisë, shërbëtorët e Aleksandrit, mbreti maqedonas, i cili po vizitonte mbretërinë e tij të poshtëruar rishtas. Tani, Aleksandri kishte ardhur në Korint për të marrë komandën e Lidhjes së Shteteve Greke. Ai u prit dhe u nderua. Ai ishte njeriu i orës, i shekullit. Aleksandri u emërua njëzëri komandant i përgjithshëm i një ekspedite të re kundër Azisë së vjetër, të pasur, të korruptuar. Pothuajse të gjithë kishin ardhur në Korint për ta uruar, për të kërkuar punë me të, madje thjesht për ta parë: ushtarë dhe zyrtarë shtetërorë, artistë dhe tregtarë, poetë dhe filozofë. Ai mori komplimentet e tyre me mirësjellje. Vetëm Diogjeni, edhe pse jetonte në Korint, nuk e vizitoi monarkun e ri. Por Aleksandri ishte mësuar nga Aristoteli se bujaria ishte cilësi e njeriut me të vërtetë të madh. Kështu, ai vendosi të shkonte vetë tek Diogjeni. Me siguri Diogjeni do ta pranonte fuqinë e pushtuesit me një dhuratë të mençurisë së rrëmbyer. Me fytyrën e tij të pashme, shikimin e zjarrtë, trupin e zhdërvjellët, mantelin e tij të purpurt dhe të artë, dhe ajrin e tij të fatit, Aleksandri lëvizi nëpër turmën që hapej nga kuajt. Kur një mbret afrohet, të gjithë ngrihen në respekt. Diogjeni nuk u ngrit; ai thjesht u mbështet në njërin bërryl dhe nuk tha asgjë. Kishte një heshtje. Disa vjet më vonë Aleksandri nuk i kundërshtoi nderimet e ekzagjeruara që i kushtoheshin madhërisë së Tij; por tani ai ishte akoma i ri, dhe foli i pari, me një përshëndetje të këndshme. Duke parë “shtëpinë” e thyer, rrobën e vetme të përlyer dhe trupin gjysmë të shtrirë në tokë, Aleksandri tha: “A ka ndonjë gjë që mund të bëj për ju, Diogjen?” “Po,” u përgjigj ai. “Qëndroni në njërën anë. Ju po bllokoni rrezet e diellit.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Botë e aftë

June 4, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Bota është e mistershme sa edhe njerëzit në të. Mund të jetë edhe e kundërta, dhe e ardhmja nuk dihet si është. Megjithatë, fitorja gjithmonë preferohet. Humbjen të gjithë duan t’a harrojnë. Genghis Khan e quante kënaqësinë më të madhe të jetës: të mposhtësh armiqtë e tu, t’i dëbosh ata, të shohësh miqtë e tyre mbytur në lot, t’i trajtosh pronat e tyre si tuajat. Por si mund të jetohet me një fitore të tillë, ku gjen dot qetësinë e vetes? Sepse të arrish fitore duhet të kesh edhe një farë ndërgjegje a karakteristika leadershipi. Pra, çështja e drejtësisë është problem; çdo njeri bëhet shtypës kur beson se ka të drejtë dhe ata që kanë mendim tjetër shpallen armiq. Duket se e drejta e tij zë fill nga smira, nga mendimi se frutat në kopshtin e tjetrit janë më të shijshme.Bota është një vend ku njerëzit mendojnë se komplotet nuk janë të mundshme, dhe u venë përpara fjalën ‘teori’ për t’i mbajtur ato larg çdo mundësie; tendenca është për t’i dënuar, sepse është pikërisht forca tërheqëse ndaj tyre që shkakton këtë tendencë. Shumë njerëz mendojnë se teoritë konspirative krijohen pikërisht se nuk janë të mundshme për t’u zbatuar. Makiaveli, mjeshtër i komploteve, madje kaloi kohë në burg për shkak të tyre, thotë se një komplot i duhur lëviz nëpër tre faza të veçanta: planifikimi, zbatimi dhe pasojat, dhe secila kërkon aftësi të ndryshme – nga organizimi në të menduarit strategjik deri te rekrutimi, financimi, synimi, fshehtësia, menaxhimi i marrëdhënieve me publikun, lidershipi, largpamësia, dhe, në fund të fundit, se kur do të ndalet. Më e rëndësishmja, një komplot kërkon durim dhe guxim, aq shumë durim sa edhe guximin. Pyetja që mbetet është: Si do të dukej një botë pa këto aftësi? Pra, a do të ishte një botë me më shumë teori komploti një makth apo diçka më e mirë? Kjo është dilema, rrugë me baltë, mbi të cilën njeriu ecën për të shkuar përpara dhe, njëkohësisht, ka frikë se ndotet.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Botë e aftë

Trashëgimi

June 3, 2020 by dgreca

NGA ASTRIT LULUSHI/

Arti bëhet vetëm, por u mbetet të gjithëve. Në këtë proces, artisti është i vetmi i racës njerëzore që harron veten – sikur ngjason me shenjtorët, si psh., Shën Tereza.
I njohur kryesisht si shqiptar i Kosovës, Bekim Fehmiu lindi jashtë Kosovës. Megjithatë, ku?
Pohimi më i zakonshëm është se lindi në Sarajevë, më 1 qershor 1936, në një familje etnike shqiptare, e cila më pas u transferua në Shkodër, qëndroi atje për disa vjet, përpara se të vendosej në Kosovë. Ky rrëfim vërtetohet nga autobiografia e tij në serbisht “Blistavo i strašno” (Verbues dhe i tmerrshëm) – 1999.
Megjithatë, data dhe vendi i lindjes së tij janë kontestuar. Një referencë në shtypin serb nga koha e xhirimeve të filmit “Aventurierët” 1981, thotë se Bekim Fehmiu lindi në Kukës, duke vënë në dyshim historinë e lindjes në Sarajevë.
Por në anën shqiptare ka më pak të dhëna. Në Enciklopedinë e Filmit Shqiptar, Tiranë-2002, autori Abaz Hoxha argumenton se Bekim Fehmiu lindi më 1932 dhe jo më 1936, por lë pa-përmendur vendin e lindjes. Ndërsa Fjalori Enciklopedik Shqiptar (FESH), Tiranë-2008, thotë se Bekim Fehmiu lindi në Prishtinë në vitin 1932.
Dhe lind pyetja – A mos ishte thelbësore që Bekim Fehmiu të lindte jugosllav për të promovuar mitin e bashkim-vëllazërimit dhe ky mit u përforcua më tej duke transportuar vendin e lindjes së aktorit nga Kukësi në Sarajevë për të minimizuar lidhjet e mëtejshme me Shqipërinë? Sepse dihet që Bekim Fehmiu nuk realizoi asnjë film me kinematografinë shqiptare, ndërsa vizita e tij më 1972 u përmblodh në një dokumentar 10 minutësh.
Gjuha është vërtetë faktor që çon në nënshkrimin e identitetit kombëtar në karrierën e Bekim Fehmiut.
Për Jugosllavinë e viteve 1960 – ‘70, rrjedhshmëria e Fehmiut në serbisht dhe përdorimi i kësaj gjuhe si mjet krijues dëshmon për mbrojtjen e unitetit dhe vullnetit të mirë midis popujve.
Për Shqipërinë, ishte zotërimi i gjuhës amtare që lejoi hyrjen e Fehmiut, megjithëse e kujdesshme dhe e pjesshme, në dialog me komunitetin artistik shqiptar – – asgjë konkrete në nivel profesional nuk u materializuar nga ky dialog.
Në Perëndim, theksi dallues i anglishtes e bëri Bekim Fehmiun të shihej si aktor prototip edhe ekzotik. Edhe kur luajti rolin e një serbi etnik në filmin hollivudian “The Deserter” (1969), theksi i anglishtes së tij ishte padyshim jo-serbisht, por shqip, dhe i panjohur për shumicën e amerikanëve të asaj kohe. Nga kritikët, aktori Bekim Fehmiu është cilësuar si një përzierje midis Zhan Pol Belmondos dhe Marlon Brandos. Ai ishte i pari aktor nga Europa Lindore të cilit iu hapën dyert e studiove filmike në Perëndim gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.
Më 1998, Fehmiu u largua nga skena e teatrit në Beograd në shenjë proteste ndaj politikës anti-shqiptare në Kosovë. Po atë vit, lexuesit e revistave kryesore italiane e votuan atë si një nga dhjetë burrat më tërheqës të shekullit të 20-të. Filmat serial L’Odissea (1968) kishin shënuar kthesën drejt suksesit të kinematografisë televizive italiane.
Bekim Fehmiu u shfaq në mbi 40 filma midis viteve 1953 dhe 1998. Ai ishte aktori i parë shqiptar i teatrit dhe filmit që aktroi në të gjithë Jugosllavinë, duke u shfaqur në një seri rolesh që ndryshuan historinë e kinemasë vendase dhe lanë gjurmë në zhvillimet artistike gjetkë. Në fund të karrierës së tij ai kishte luajtur në prodhime filmike në nëntë gjuhë, përfshirë gjuhët ballkanike, frëngjisht, spanjisht, anglisht dhe italisht.
Bekim Fehmiu vdiq më 15 qershor 2010 në banesën e tij në Beograd. Fillimisht u tha se kishte kryer vetëvrasje. Pastaj u njoftua se u gjet i qëlluar dhe arma ishte regjistruar në emrin e tij. Trupi i aktorit u kremua dhe hiri u shpërnda në lum në Prizren, shtëpia e tij e fëmijërisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Trashegimi

Jeta e gjatë e një shakaje të keqe

June 1, 2020 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/ Dikush krijon përshtypjen se shakaja me të vërtetë e vërtetë është një gjë e rrallë. Por sot ai që e thotë supozohet të jetë një lloj folësi në fuqi në këtë epokë të vazhdimësisë së specieve – “Alo, Edi Jam!”, është bërë një shaka, si kënga “Me gëzim po shkoj në punë” e Radio Propagandës Komuniste mëngjeseve të kohës së vet. Ai është kryeministri më i gjatë me emrin më të shkurtër në histori, që nuk kuptohet pse e shkurtoi. Por kur gjatësia nuk ndryshon, çfarë përdor njeriu që është i gjatë dhe i vështirë për t’u “balancuar”? Emrin e vet, ERTV. Në një nivel rreptësisht zyrtar kjo shaka ende pëlqehet, ndërsa shërben si shembull klasik i asaj që Kanti e quante “shndërrim i një pritjeje të tendosur në asgjë”, sepse komunizmi nuk vjen dot më, sado që t’a zgjasë afatin e vet. ERTV, megjithatë, përbën një përmbysje të drejtimit të zakonshëm me anë të batutava (kohët e fundit sikur janë rralluar në mediat që i pëlqenin ato) në takimet me popullin, në prani të policëve. Në vend që të provojë një shndërrim nga lartësia në të pahijshme, nga e errëta në (thjesht) të folur, fakti është se shakatë e tij, (groteske siç janë) nuk lëvizin nga abstrakte në qesharake, por thjesht nga lartësi në asgjë, megjithatë efekti është kryesisht i njëjtë, dhe jo me më pak pasoja sesa ndryshimet e tjera që sjellin shakatë bazuar në injorancën totale të arsyes.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Jeta e gjate, nje shaka e keqe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT