• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIASPORA…”NJË QEVERI E BASHKUAR NE MERGIM”?!

May 30, 2020 by dgreca

….nëse kryeministri është në gjendje t’a drejtojë vendin me anë të FB — pse Diaspora të mos krijojë një ‘Qeveri të bashkuar në Mërgim’ që do t’i bënte sfidë qeverisë së Tiranës dhe ndërkombëtarëve t’u kërkonte të rishikonin politikat e tyre ndaj kësaj province fanare?

– Qeveria ka frikë nga një nismë e tillë, prandaj edhe ka krijuar një ministri të veçantë të Diasporës, sepse përpiqet t’a pengojë duke e përçarë atë….

Nga Astrit Lulushi/DIELLI/

Në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, Shqipëria ishte e uzurpuar. Njerëzit prisnin çlirimin dhe në këtë rast, kush pret, merr atë që tepron ose s’merr hiç fare. Në fund nuk mbeti gjë për të marrë dhe shqiptarët iu nënshtruan zgjedhës së re, duke iu kthyer përsëri karakterit të dikurshëm (bë sikur bën, bëjmë sikur bëjmë), duke veshur maskën e indiferencës për të bërë lojën e sunduesit, që, me mashtrime të kombinuara me dhunë, kontrollon çdo aspekt të jetës në vend, si dikur PP.
Kjo parti Pune sot Socialiste, e cila u la në skenën politike shqiptare vetëm falë mëshirês a mirësisë së popullit për të shmangur luftën civile, vazhdon si dikur të diktojë çdo ditë e më shumë – duke lënë njerëzit të ndiejnë se janë pak më shumë se skllevër në sistemin që lejuan të rimëkëmbet – urtësia u muar për dobësi. Vetëm më të mirët ishin në gjendje të shkëputeshin, dhe jo pa përpjekje të konsiderueshme.
Por, nëse kryeministri është në gjendje t’a drejtojë vendin me anë të FB — pse Diaspora të mos krijojë një ‘Qeveri virtuale të bashkuar në Mërgim’ që do t’i bënte sfidë qeverisë së Tiranës dhe ndërkombëtarëve t’u kërkonte të rishikonin politikat e tyre ndaj kësaj province fanare? Qeveria ka frikë nga një nismë e tillë, prandaj edhe ka krijuar një ministri të veçantë të Diasporës, sepse përpiqet t’a pengojë duke e përçarë atë. Pa gjykata, me parlament një-partiak, popull të zemëruar dhe polici jashtë kontrollit, vendi po shkon drejt një protektorati.
Nëse Diaspora thotë se është e organizuar, ajoduhet tē marrë edhe përgjegjësi — Ishte një Diasporë që krijoi një shtet, Izraelin. Përndryshe, duhet ta quajmë veten thjesht ‘të ikur’ dhe që nuk i perkasim më atij vendi – – ‘Diasporë’ është emër i madh që i vëmë vetes.

Filed Under: Politike Tagged With: Astrit Lulushi, diaspora, Qeveria ne Mergim

Shqipëri utopike

May 29, 2020 by dgreca

Shkruan: Astrit Lulushi/

Dalja nga një regjim, në vitet ‘90, ku çdo gjë kishte marrë ngjyrën e një partie të vetme, pamja përpara për shqiptarët shfaqej si ëndërr, tokë e ndaluar. Shpresat e tyre ishin për një demokraci plotësisht jo partiake, demokraci laike, që zhvendoste nga froni fenë komuniste.
Por regjimi u tregua tinzar. Pushteti i tyre nuk dorëzohej, por kalonte në duar më të sigurta. Para se të “rrëzohej” regjimi u mblodh dhe caktoi profetët e tij, i përhapi në mbarë vendin, që turma e verbër do t’u besonte. Ishin këta “baballarë” të cilë caktuan agjentët e tyre politikë, dhe bënë që gjendja të dukej shumë-partish, si e parë me kaledeoskop.
Profetët ofruan edhe një llogari të re të asaj se si Shqipëria do të bëhej. Karakteristika më e çuditëshme e historisë së shkruar shqiptare është sekularizmi i saj i plotë. Në të kaluarën, shumica e ngjarjeve që kanë nxitur kombet në projekte të vetë-përmirësimit kanë qenë histori për detyrimet e njerëzve ndaj një ose më shumë perëndive. Për pjesën më të madhe të historisë, kombet kanë pyetur veten se si paraqiten në sytë e Zotit.
Shqiptarët zakonisht kishin pasur një besim të veçantë, komunizmin. Kur kjo “fe” u përmbys ata përqafuan “shqiptarizmin” dhe vazhdojnë të mendojnë për veten e tyre si të jashtëzakonshëm a ndryshe nga çdo komb. Në portale e TV, kronikat e lajmeve i paraqesin ata herë të zemëruar, herë të vëllazëruar, plot mirësi, dashuri, durim, por kurrë të gjunjëzuar e mëkatarë. Njeriu krenar nuk e bën këtë për vete dhe as për kombin, por sepse ndjehet i braktisur, sepse nëse nuk kujdesesh për secilin nuk kujdesesh për asgjë.
Idealistë të vërtetë shqiptarë ishin ata atdhetarë që jetuan në shek 18-19, kur vetë Shqipëria s’ishte gjë tjetër veçsa një ide. Ata mendonin për një qëndrim tradicional midis fesë (për të pasur frikë nga diçka më e madhe se vetvetja), dhe nevojës për siguri (për të ruajtur kohën e për të hedhur poshtë rastësinë). Ata donin të krijonin shpresën për një Shqipëri pa elita, pa klasa, ku të evokuohej a ringjallej historia e kohës së shkuar – që kjo Shqipëri utopike të respektonte Zotin si objekt të pakushtëzuar të dëshirës dhe drejtësia shoqërore të ishte parimi i gjallë i vendit, shpirti i kombit. Fakti që ide të tilla atëherë nuk fituan ishte se ato lindën nga atdhetarë jashtë, ndërsa koncepti për një Shqipëri të pavarur nuk gjente dot tokë pjellore ku të hidhej.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Shqiperia Utopike

LIRIA

May 27, 2020 by dgreca

Shkruan: Astrit Lulushi/
Njeriu kujtohet për lirinë kur provon se e ka humbur. Atë ia kontrollojnë, dhe nëse ka shumë, si paratë në bankë, nuk mund t’i tërheqësh ‘të thata’ menjëherë të gjitha njëherësh. Liria është natyrë ose si Perëndia, ajo kujdeset për ne, nëse e duam. Mos i lëndoni njerëzit: Njerëzit e lirë thjesht duan të mbeten vetëm, të mos grinden, të mos dëmtohen nga dikush tjetër që synon jetën dhe pronën e tyre Mos ia merrni gjërat: Ata janë munduar për të siguruar të drejtën individuale për frytet e punës së tyre. Liria merr përgjegjësi. Mos u ul për të pritur dikë tjetër për të zgjidhur problemet tuaja. Punoni për të: Për çdo veprim ka një reagim të barabartë. Kujdesuni dhe do të shpërbleheni. Shikoni punën tuaj. Secili e di vetë si të jetojë, nuk ka nevojë për padron a patronizim apo çdo lloj izëm. Luftoni fuqinë: Falë Internetit dhe decentralizimit të njohurive, tani ekziston më shumë mundësi se kurrë për të marrë një qëndrim kundër autoritetit të korruptuar. Sepse fundja, ndodh si me gjuhën, sado t’a udhëzosh, fiton e folura e njerëzve të thjeshtë, e cila fillimisht me përçmim quhet vulgare, por më pas pranohe

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, liria

PAK SOKRAT

May 25, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Sokrati ishte studiues, mësues dhe filozof lindur në Greqinë e lashtë. Metoda e tij e arsyetimit është quajtur ‘sokratike’ dhe vuri bazat për sistemet perëndimore të logjikës dhe filozofisë. Kur klima politike e Greqisë u kthye kundër tij, Sokrati u dënua me vdekje në vitin 399 pes. Ai e pranoi gjykimim në vend që të ikte në mërgim.
Lindur rreth 470 pes, në Athinë, jeta e Sokratit është kronizuar përmes vetëm disa burimeve: dialogjet e Platonit dhe Ksenofonit dhe shfaqjet e Aristofanit. Për shkak se këto shkrime kishin qëllime të tjera nga raportimi i jetës së tij, ka të ngjarë që asnjë prej tyre të paraqesë një pamje plotësisht të saktë. Sidoqoftë, kolektivisht, ato ofrojnë një portretizim unik dhe të gjallë të filozofisë dhe personalitetit të tij.
Emri “Sokrat” rrjedh nga ‘sos’ – (për-sos), dhe ‘krat’ – (krijim, forcë, aftësi – në anglisht ka dhënë ‘craft’)
Ai ishte djali i Sofronit, gur gdhendës e skulptor dhe i Fareretes, mami. Për shkak se nuk ishte nga një familje fisnike, Sokrati mori vetëm një arsim fillor dhe mësoi zanatin e të atit. Puna fizike nuk vlerësohej shumë atë kohë në Athinë. Besohet se Sokrati punoi si murator për shumë vite para se t’ia kushtonte jetën filozofisë. Bashkëkohësit ndryshojnë në tregimet e tyre se si Sokrati e mbështeti veten si filozof. Disa thonë se ai paguhej për mësimdhënie, ndërsa Platoni shkruan se Sokrati e mohoi pagesën, duke përmendur si provë varfërinë e tij.
Sokrati u martua me Xanthipen, një grua më e re, e cila lindi tre djem. Dihet pak për Ksanthipen përveçse nga karakterizimi i Ksenofonit, i cili thotë se ajo ishte “e padëshirueshme”, se ishte e pakënaqur me profesionin e dytë të Sokratit, pasi nuk e mbështeste dot familjen si filozof. Sipas Ksenofonit, Sokrati nuk merrej shumë me edukimin e djemve të tij dhe shprehte më tepër interes për zhvillimin intelektual të të tjerëve.
Ligji i Athinës kërkonte që të gjithë meshkujt me gjendje të aftë të shërbenin si ushtarë në rast lufte, nga moshat 18 deri në 60 vjeç. Sokrati shërbeu si shigjetar. Ai mori pjesë në tre fushata ushtarake gjatë Luftës së Peloponezit, në Delium, Amfipolis dhe Potidaea, ku i shpëtoi jetën Alcibiades, një gjeneral popullor athinas.
Sokrati ishte i njohur për guximin e tij, tipar që qëndroi me të gjatë gjithë jetës. Pas gjyqit, ai e krahasoi mospranimin për t’u tërhequr nga problemet e tij ligjore me refuzimin e një ushtari për t’u tërhequr nga beteja kur kërcënohet me vdekje.
Simpoziumi i Platonit jep detaje më të mira të paraqitjes fizike të Sokratit. Ai nuk ishte fizikisht i pashëm; i shkurtër, i shëndoshë, me hundë të gjërë të shtypur dhe me sy të çuditshëm, por krijimtarinë e mendjes e kishte të përsosur dhe i tërhiqte studentët në debatet e tij të shkëlqyera. Sokrati gjithnjë theksonte rëndësinë e mendjes mbi parëndësinë relative të trupit. Kjo kredo më pas frymëzoi filozofinë e Platonit për ndarjen e realitetit në dy sfera të veçanta, në botën e shqisave dhe botën e ideve, duke theksuar se kjo e fundit ishte e vetmja e rëndësishme. Këtu filloi edhe përçarja midis Platonit dhe Aristotelit, i cili e kundërshtoi teorinë e dy botëve.
Sokrati besonte se filozofia duhet të arrijë rezultate për mirëqenien më të madhe të shoqërisë. Ai u përpoq të krijonte një sistem etik bazuar në arsyen njerëzore dhe jo në doktrinën teologjike.
Sokrati theksonte se njeriu në zgjedhje motivohet nga dëshira për lumturi. Urtësia vjen nga njohja e vetvetes. Sa më shumë që një person di, aq më e madhe është aftësia e tij për të arsyetuar dhe bërë zgjedhje që do t’i sillte lumturi të vërtetë. Sokrati besonte se kjo përkthehej në politikë me formën më të mirë të qeverisjes, që nuk ishte as tirania dhe as demokracia. Sokrati mendonte se qeveria funksionon më mirë kur qeveriset nga individë me aftësi, dije, dhe virtyte që zotërojnë një kuptim të plotë të vetvetes.
Historiani Xenophon thotë se Sokrati e përdorte shpesh maksimën ‘Njihe Veten’, moto, të cilën e kishte parë të gdhendur në hyrjen kryesore të tempullit të Delfit, që i kujtonte njeriut se duhet të qëndrojë dhe të jetojë sipas natyrës së vet, dhe gjithmonë t’i hedhë vetes një vështrim njohës. Në vazhdim të këtij arsyetimi, Sokrati arriti në përfundimin logjik se njē jetë e pa-ekzaminuar nuk ia vlen të jetohet.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Pak Sokrat

PAK PLATON

May 24, 2020 by dgreca

Shkruan: Astrit Lulushi/

Filozofi i lashtë Platon është autor i veprave filozofike me ndikim të pashembullt në mendimin perëndimor. Ai ishte student i Sokratit dhe mësues i Aristotelit. Shkrimet e tij eksploruan drejtësinë, bukurinë, barazinë, dhe përmbajnë diskutime në estetikë, filozofi politike, teologji, kozmologji, epistemologji dhe filozofi të gjuhës. Platoni themeloi Akademinë në Athinë, një nga institucionet e para të arsimit të lartë në botën perëndimore. Vdiq më 348 pes.
Për shkak të mungesës së burimeve parësore, pjesa më e madhe e jetës së Platonit është ndërtuar nga studiuesit përmes shkrimeve të tij, të bashkëkohësve dhe historianëve klasikë. Vlerësimet e historisë tradicionale thonë se Platoni lindi rreth vitit 428 pes, por shumë studiues modernë, duke gjurmuar ngjarje të mëvonshme në jetën e tij, besojnë se ai ka lindur midis viteve 424 dhe 423 pes. Të dy prindërit e tij vinin nga aristokracia. Babai i Platonit, Ariston, rridhte nga mbretërit e Athinës dhe Messenisë. Nëna e tij, Periktone, i përkiste familjes së mbretit Solon.
Disa studiues besojnë se emri “Platon”, që do të thotë ‘shpatull’ ishte pseudonim, për shpatullat e tij të gjëra. Edhe kjo është e mundur.
Si me shumë djem të rinj të shtresës së tij shoqërore, Platoni mori mësime nga disa prej arsimtarëve më të mirë të Athinës, që në programet e tyre përfshinin doktrinat e Kratylusit, Pitagorës, dhe Parmenides. Këto ndoshta ndihmuan në zhvillimin e bazës që Platoni të studionte metafizikën (studimin e natyrës) dhe epistemologjinë (studimin e njohurive).
Babai i Platonit vdiq kur ishte i ri, dhe nëna e tij u rimartua me xhaxhain e saj, Pyrilampes, një politikan athinas dhe ambasador në Persi. Platoni besohet të ketë pasur dy vëllezër, një motër e një gjysmë vëlla. Shpesh, anëtarët e familjes së Platonit shfaqen në dialogët e tij. Historianët besojnë se ky është një tregues i krenarisë së Platonit për prejardhjen e tij familjare.
Si djalë i ri, Platoni përjetoi dy ngjarje të mëdha që i dhanë drejtimin jetës së tij. Njëra ishte takimi me filozofin e madh Sokrat. Metodat e dialogut dhe debatit të Sokratit e mahnitën Platonin aq shumë sa që shpejt ai u bë bashkëpunëtor i ngushtë dhe ia kushtoi jetën virtytit dhe formimit të një karakteri fisnik. Ngjarja tjetër domethënëse ishte Lufta e Peloponezit midis Athinës dhe Spartës, në të cilën Platoni shërbeu për një kohë të shkurtër. Humbja e Athinës i dha fund demokracisë, të cilën spartanët e zëvendësuan me një oligarki. Dy nga të afërmit e Platonit, Charmides dhe Critias, ishin figura të shquara në qeverinë e re të Tridhjetë Tyrantëve, sundimi i shkurtër i të cilëve shtypi ashpër të drejtat e qytetarëve athinas. Pasi oligarkia u rrëzua dhe demokracia u rivendos, Platoni shkurtimisht konsideroi një karrierë në politikë, por ekzekutimi i Sokratit në 399 pes, bëri që ai t’i kthehej studimeve dhe filozofisë. Pas vdekjes së Sokratit, Platoni udhëtoi për 12 vjet në të gjithë rajonin e Mesdheut, duke studiuar matematikë me Pitagoreasit në Itali, dhe gjeometrinë, gjeologjinë, astronominë dhe fenë në Egjipt. Gjatë kësaj kohe, ai filloi shkrimet e tij. Ekziston një debat midis studiuesve për rendin e këtyre shkrimeve, por shumica besojnë se ato ndahen në tre periudha. Apologjia e Sokratit duket se është shkruar menjëherë pas vdekjes së Sokratit. Tekste të tjera në këtë periudhë përfshijnë dialogjet, ku Platoni përpiqet të përçojë filozofinë dhe mësimet e Sokratit.
Në periudhën e dytë, Platoni shkroi mbi idealet qendrore të drejtësisë, guximit, mençurisë dhe moderimit të individit dhe shoqërisë. Republika u shkrua gjatë kësaj kohe me eksplorimin e qeverisjes së drejtë nga mbretërit filozofë.
Në periudhën e tretë, Sokrati zhvendoset në një rol më të vogël dhe Platoni i hedh një vështrim më të ngushtë ideve të tij të hershme metafizike. Ai eksploron rolin e artit, duke përfshirë vallëzimin, muzikën, dramën dhe arkitekturën, si dhe etikën dhe moralin. Në shkrimet e tij mbi Teorinë e Formave, Platoni sugjeron që bota e ideve është e vetmja konstante dhe se bota e perceptuar përmes shqisave është mashtruese dhe ndryshuese. Por besohet se ishte Aristoteli, shpikësi i logjikës moderne, që do t’i kundërvihej teorisë së dy botëve.
Kështu, mund të thuhet se bazat e filozofisë perëndimore u hodhën nga Sokrati. Platoni ishte studenti i tij më i mirë, i cili do të mësonte Aristotelin dhe ky do të mësonte Aleksandrin e Madh, që u bë kurora e këtij trinomi.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Platon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT