Nga Astrit Lulushi/
Me 13 prill 1920 – Esad Pashë Toptani ndërmerr një përpjekje të re (të fundit) me dhunë për t’u bërë mbret i Shqipërisë së tij të mesme. Qeveria në Tiranë paralajmëroi popullatën kundër pjesmarrjes në veprimet e Esadit, duke thëne se ai financohej nga jugosllavët, të cilët kishin pretendime e tyre ndaj Shqipërisë veriore.
Lëvizja esadiste u shkatërrua nga forca të armatosura, të komanduara nga Bajram Curri, nën urdhërat e Ahmed Zogut si ministër i Brendshëm. 72 udhëheqës kryesorë esadistë – përfshi ish prefektët e Tiranës dhe Durrësit, shefin e xhandërmarisë së Shijakut, si dhe nipin e Esadit, Veli bej Kruja – dolën para një gjykate ushtarake dhe u dënuan në burgun e Kalasë, Gjirokastër.
Gjatë kësaj kohe Esad Pasha kishte shkuar në Paris, Francë, ku pas një muaji (13 qershor) do të vritej me atentat nga Avni Rustemi – student shqiptar – i cili “kishte ardhur në Paris për të vrarë një tradhëtar të kombit të vet”, do të shprehej avokati. Gjykata franceze e shpalli Avniun fajtor për vrasje politike dhe e dënoi atë me gjobë (1 frank).
Rustemi 24 vjeçar, pagoi gjobën, u lirua në sallën e gjyqit, dhe u kthye në Shqipëri ku u prit si hero; qeveria i lidhi pension; më pas u bë anëtar udhëheqës i Klubit Bashkimi, i Partisë Demokratike të Fan Nolit, dhe anëtar parlamenti. Edhe Rustemi me atentat u vra; u qëllua me plumba në Tiranë më 20 prill 1924, dhe vdiq në spital pas dy ditësh nga plagët e marra; vdekja e tij do të shfrytëzohej politikisht, dhe demokratë erdhën në pushtet duke përmbysur me dhunë një qeverie të zgjedhur.(Ne Foto:Esat Pasha ne Selanik)
Shembje bustesh e idhujsh
Nga Astrit Lulushi/Me 11 prill 1985 – Shqipëria në zi – ne Tiranë vdiq Enver Hoxha, 76 vjeç; “humbje e thellë” do ta quante shtypi nën kontrollin e tij në Shqipëri; “vdiq diktatori më mizor” do të njoftonin mediat në botë; “….ka pak arsye për keqardhje…vdekja e tij shënon zhdukjen përfundimtare të një brezi tiranësh stalinistë” (The Times, 12 prill 1985).
Nuk kishte rast që Hoxha të mos pritej me brohoritje nga audienca; dhe ai i pranonte ato; në fund u thoshte se duatrokitjet i takojnë Partise (e cila ishte e vetja). Ndërsa në shumë vende të Evropes Lindore, çdo shtetas ishte edhe anëtar partie, Hoxha e hapi PPSH-në vetëm për të përzgjedhurit me tepër kujdes, më të besuarit; gjithë të tjerët (populli) ishin thjesht të dyshimtë (fajtorë derisa të gjendeshin të pafajshëm). Por Hoxha nuk kurseu asnjërën palë; Partia-Shtet vrau, burgosi, internoi, përndoqi terririzoi qindra mijëra; prej vitit 1976 (prishja me Kinën), vendin e izoloi plotësisht dhe u tha njerëzve të hanin bar.
Homazhe të shumta, koreografi masive, u bënë para arkivolit. Ramiz Alia, pasardhësi i tij, nuk lejoi që në pllakën e varrit të vihej data e vdekjes, duke thënë se për Enverin ka vetëm ditëlindje.”Fatkeqësisht për Shqipërinë, Alia duket se kishte të drejtë. Shqipëria vazhdon të jetojë me trashëgiminë e Hoxhës, dhe do të vazhdojë deri për një fare kohe”. (Balkan Strongmen, Bernard J. Fisher, London – 2006).
Hoxha pati edhe arritje; në arsim, mjekësi, industri; por urrejtja dhe zemërimi grumbulluar ndaj tij ishte shumë më i madh dhe u shpreh me rrënime të shkollave, spitaleve, fabrikave, uzinave, çdo gjëje që simbolizonte pushtetin e tij, në fillim të viteve 1990, kur shtatoret, bustet dhe dikatura ranë të gjitha njëherësh. Më 1992, trupi i Enver Hoxhës do të hiqej nga Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. De-jure, Enver Hoxha vazhdon të jetë “Hero i Popullit”.
“Mbreti 1 milion”
Nga Astrit Lulushi/
Më 9 prill 1961 – Në spitalin Foch, Sorensen, Paris, Francë, vdiq mbreti Zog, 65 vjeç – pas shumë vitesh vuajtje nga sëmundja, pa e parë vendin e tij që prej ikjes më 8 prill 1938. Shtypi në Shqipëri heshti plotësisht.Zogu ishte shtruar në spital më 4 prill, thuajse pa ndjenja nga dhimbjet e forta në stomak. Ai ishte dobësuar jashtzakonisht. Kur u përmend, pa pranë mbretëreshën Geraldinë dhe princ Lekën. Zogu i kërkoi Geradinës t’i silte një revole sepse nëse mjekët do t’i thonin se kishte kancer, ai nuk donte të jetonte më dhe do të vriste veten. E shoqja e kundërshtoi, më kot; pastaj solli armën (pa fishekë) dhe ia la pranë, por mbreti nuk kishte fuqi as për të zgjatur dorën.
Zogu kishte qenë monark absolut, i fortë, efikas dhe, i pamëshirshëm në rast nevoje. “Eshtë kollaj të jesh mbret i 400 milionë skllevërve e robërve, por është tepër e vështirë të jesh mbret i një milion mbretërve, siç jam unë”, ka thënë Zogu në një rast.
Historiani amerikan Raymond Hutchison do ta quante Zogun “personazhin shqiptar më të fuqishëm të shekullit XX ose gjatë shumë shekujve që nga vdekja e Skënderbeut të madh më 17 janar 1468” Leksografi i njohur Stuart Edward Mann, hartues i fjalorit historik Albanian-English, shkruante në paraqitjen e gramatikës së tij shqipe (1932), se “ardhja e Zogut në krye të vendit si president dhe pastaj si mbret, ishte një fillim i mbarë”.
Mbreti krijoi administratën dhe makinerinë e një shteti modern shqiptar; gjatë presidencies së tij, kodi i vjetëruar penal Osman u zevendësua me Kodin e Napoelonit; vendi përparoi në çdo fushë të rëndësishme; ai zhduki banditërinë e trashëguar; përkujdesje i kushtoi arsimit publik; qindra të rinj u dërguan me bursa jashtë shtetit në universitete evropiane (ironikisht mes tyre ishte edhe Enver Hoxha), dhe kur diplomoheshin, ata kthehesin në atdhe ku Zogu i vendoste në poste administrative.
Gjithashtu, gjatë mbretërimit të tij, mbreti Zog u rezistoi përpjekjeve nga Italia për vendosjen e fashizmit në Shqipëri, derisa Musolini u detyrua ta pushtonte, si dhe mbajti marrëdhënie të mira me vendet fqinje.
Buzuku dhe libri i parë shqip
Nga Astrit Lulushi/
Me 20 mars 1554 – Gjon Buzuku fillon të shkruajë librin “Meshari”, siç thotë vetë në pasthënie, dhe e përfundoi më 5 janar 1555. Në këtë vit duket se ka përfunduar edhe shtypja e librit. Buzuku ishte prift katolik, famullitar i thjeshtë. Nga libri i Buzukut ka shpëtuar vetëm një kopje, edhe ajo e gjymtë. I mungojnë faqet e para dhe për këtë arsye nuk e dimë vendin ku u shtyp libri dhe cili autoritet kishtar e dha lejen e botimit (imprimatur – “le të shtypet”) sipas rregullave të kishës katolike. Ajo që na kumton Buzuku te pasthënia e shkurtër në fletën e fundit të librit (mrekullisht ka shpëtuar kjo fletë), është se kisha ku shërbente dhe shtypshkronja nuk kanë qenë larg dhe kështu ai vente e vinte për të ndihmuar tipografët që shtypnin librin, sepse ata kishin shumë vështirësi të radhisnin tekstin e shqip të Buzukut. Merret vesh se tipografët kanë qenë të huaj, italianë, nuk e dinin shqipen. Janë shprehur hipoteza të ndryshme për vendin e shërbim të Buzukut. Më e besueshmja duket ajo që e bën Gjon Buzukun famullitar të ndonjë bashkësie Shqiptarësh të shpërngulur diku në ndonjë territor të Republikës së Venedikut pas rënies së Shkodrës në duart e Osmanëve (1479).
Specialistët kanë përcaktuar se tipi i shkronjave dhe lloji i letrës janë po ata që përdoreshin në shtypshkronjat e Venedikut në mesin e shek. XVI. “Meshari” përmban lutjet dhe pjesët nga Shkrimi i Shenjtë që thuhen gjatë meshës në kishë. Lënda e librit është kryesisht përkthim nga latinishtja a italishtja. Libri u botua në një periudhë të ndeshjes së Reformës dhe Kundërreformës. Reforma ishte një lëvizje fetare që u zhvillua në shek. XVI e cila shkëputi nga bindja ndaj Papës një pjesë të Europës Perëndimore dhe solli lindjen e kishës protestante dhe futjen e gjuhëve të gjalla popullore në shërbesat fetare (gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht etj.). Me emrin kundërreformë kuptohet tërësia e masave që ndërmori vetë Kisha Katolike në shek. XVI-XVII për t’iu kundërvënë reformës protestante dhe për të ruajtur autoritetin e saj duke përmirësuar gjendjen e kishës.
Sipas studiuesit dhe gjuhëtarit të njohur, Emil Lafe, “Meshari” i Buzukut është vështruar si fryt i Kundërreformës, si një lëshim që qe e detyruar të bënte Selia e Shenjtë, duke lejuar shërbesat fetare në gjuhën e gjallë të popullit dhe rrjedhimisht përkthimin e “Mesharit”… një ndërmarrje e tillë nuk mund të bëhej pa mbështetjen edhe financiare të eprorëve të kishës dhe pa lejen e tyre për ta botuar. Këtë mbështetje dhe leje e patën më vonë Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani e të tjerë, po për Buzukun nuk mund të thuhet gjë, nga shkaku i mungesës së ballinës dhe të fletëve të parathënies së librit”.
Teksti i “Mesharit” është shumë i vlefshëm nga pikëpamja e historisë së gjuhës shqipe. Ajo dëshmon se gjuha shqipe në shek. XVI ka qenë më e njësishme sesa sot, d.m.th. dallimet ndërmjet gegërishtes e toskërishtes kanë qenë shumë më të pakta. Duke u mbështetur në elementet gjuhësore të “Mesharit” studiuesit anojnë nga teza se Gjon Buzuku do të ketë qenë nga me origjinë nga krahina e Krajës, Ljarjes dhe Shestanit (sot në Malin e Zi). Fjalori mjaft i pasur dhe mënyra deri diku e saktë e drejtshkrimit dhe gramatikës në gjuhën e “Mesharit”, i kanë bërë studiuesit të mendojnë se tradita e shqipes së shkruar është shumë më e hershme.
Profesor Emil Lafe, redaktor i përgjithshëm i “Fjalorit enciklopedik shqiptar” (FESH, 3 Vëllime, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, 2008-2009), shkruan: “Ka një radhë shenjash e rrethanash që të shtyjnë të supozosh se Buzuku, kur u ul në tryezën e punës më 20 mars 1554, nuk e filloi duke shpikur ai vetë alfabetin që do të përdorte e duke stërvitur dorën për të shkruar shqip, po duke vënë në zbatim ato shprehi që tashmë i kishte fituar nga mjedisi e i kishte zhvilluar vetë. Tregues gjuhësorë dhe historiko-kulturorë flasin në të mirë të kësaj hipoteze. Kështu, E. Çabej, studiuesi më i thelluar i Buzukut, shprehet se: “kush ka lexuar këtë tekst disa herë me radhë, besojmë se do të ketë përshtypjen që gjuha e përdorur në të nuk është një arë fare e papunuar më parë.”Ai bashkohet me tezën e arbëreshit Gaetano Petrotta se në Shqipëri do të ketë pasur para sh. XVI një traditë ortografike dhe mbase edhe një gjuhë të përbashkët, së paku në shkrimet e përdorimit praktik. Edhe duke e shikuar këtë çështje nga ana e historisë së vendit, me një vështrim të gjithanshëm të gjendjes kulturore në Shqipërinë mesjetare, – shton Çabej, – teza e Petrottës do të dilte më fort e përforcuar sesa e kundërshtuar, sepse shkalla e kulturës së popullit shqiptar në atë kohë nuk ka qenë ndryshe nga ajo e vendeve përreth, sidomos e atyre të brigjeve të Adriatikut.”
Ndërsa gjuhëtari Selman Riza (1909–1988) e quan të papërligjshëm, madje kombëtarisht të papranueshëm, ngulmimin e disa studiuesve për ta çuar traditën letrare të shqipes dy-tre shekuj para Buzukut, duke mos pasur mbështetje të sigurt për këtë. Sipas tij: “të gjitha rrethanat historike e kulturore flasin se para Buzukut nuk ka ekzistuar ndonjë shkrim madhor në gjuhën shqipe. Madhëria morale e Gjon Buzukut qëndron pikërisht këtu që “en së dashunit së botësë sanë” Gjon Buzuku u bë ideator dhe realizator i një vepre, me të cilën ai neve shqiptarëve përgjithmonë e jetës na zbardhi faqen në lëmin deri atëherë të palavruam të kulturës së fjalës së shkruame (sikundërqë afro një shekull më herët Gjergj Kastrioti ne shqiptarët na pat mbuluar me lavdi në fushën jo të panjohur të luftërave vetëmbrojtëse ngadhënjimtare)”. Selman Riza “Pesë autorët më të vjetër në gjuhën shqipe”, Tiranë, 2002.
Dhe pyetja shtrohet: A a ka pasur ndonjë libër shqip para “Mesharit” të Buzukut? Profesor Lafe dyshon: “Shpresa që na u zgjua se do të shihnim së afërmi të botuar një dorëshkrim shqip të vëllimshëm të vitit 1210 (hartuar nga njëfarë Teodor Shkodrani), që e kishte gjetur në arkivat e Vatikanit gjurmuesi kosovar Musa Ahmeti, tashmë është shuar edhe te më besëplotët. Në ato dy radhë që janë bërë të njohura prej këtij dorëshkrimi, nuk ndihet asnjë amëz stërlashtësie gjuhësore. Me sa duket Gjon Buzuku do të ruajë vendin e tij prijatar dhe autoritetin e patriarkut në shkrimin shqip dhe në letërsinë shqipe. Prandaj 20 Marsi 1554 mbetet një Ditë e Madhe për shkrimin shqip dhe për kulturën shqiptare”. (DITA E MADHE E 20 MARSIT, Emil Lafe, 2004).
Kjo natyra jonë
Nga Astrit Lulushi/
Njeriu ngrihet e bie – herët a vonë – me të njëjtin intensitet (sa më lart, aq më fuqishëm rrëzohet). E natyrëshmja në fund të fundit është e pashmangshme, ashtu si njeriu nuk mund t’i shmanget vetes dhe as llojit të vet.
Pse politika është sa e dashur aq e urryer – jo vetëm në kohët tona – ka qenë kështu gjatë gjithë gjithë historisë Njerezit braktisin profesionin (pas kaq vitesh përkushtimi) për t’u marrë me politike. Dhe të tjerë (jo vetëm cinikët e mllef-çliruesit) nuk lënë gjë pa thenë kundër politikanëve. Volteri për pak sa nuk thote se politika është prostitutë, duke e venë atë thjesht në vend të dytë pas kurvërisë (ndoshta për t’iu shmangur censurës). Dhe ky perceptim theket; sepse kur flitet per korrupsion, trafiqe te paligjshme, hetime, procedura penale, i dyshuari më i zakonshëm është politikani.
Idea e përgjithshme prej epokash në qarkulim: politikani është i korruptuar, se çdo shkëlqim politik është rrezatim i bëmave të liga ose i kompromentimt të besimit. Gjithashtu, politikani është emeruesi i përbashkët i shoqërisë (si i përzgjedhur prej saj). Dhe pyetja rrjedh: A mos është shoqëria që prodhon korrupsionin, dhe politikani bëhet “dhia e fajësimit,” ashtu si pakica shpërdoret nga shumica. Në se vetja në pasqyrë është iluzion, a mos është politika ky iluzioni i vetes?
Përsëri, ndoshta është në natyren e njeriut i cili pasi përpiqet për mireqenie dhe e arrin atë, fillon të rrëshqasë në gjendjen fillestare duke shkatërruar (sheshuar) çdo gjë në proces, si në udhën nga lindja, në rritje, e pastaj në vdekje. A është kulmi i suksesit a karrierës (marrja e një titulli a dekorate) guri i sinorit të fushës së jetes, kulmi, ku pas tij (gurit) njeriut më pak këtej e tutje do t’i duhet të mendojë për veten e aq më pak për të tjerët? Përtej kufirit të aftësive a suksesit të tij, shtrihet trualli i suksesit së një tjetri.
Veprojnë, sillen ndryshe, veshin të tjera maska, karaktere, personalitete, ata që kurrë nuk kanë patur ose arritur diçka vetë, ose ato me të cilat mburren ua kanë falur të tjerët, ose i kanë zhvatur ose marrë pa të drejtë. Këta njerëz pastaj përzihen me pronarë të ligjshëm të suksesit, duke krijuar një nivel të ri barazie dhe largojnë vemendjen nga ajo se si gjithçka filloi – iluzioni që krijojnë është si pamja e vetes në pasyrë, se çdo gjë filloi me ta dhe me ta duhet te mbaroje, kur pasqyra thyhet, asgjë më ekziston; mësim i hidhur që historia ka dhënë epokë pas epoke, brez pas brezi dhe megjithatë vazhdimisht mësim i panxënë, i përsëritshëm; Gabimi dhe mos mësimi prej tij, mospërulesia në kulmin e suksesit, vetëshkatërrimi, nevoja për armiq për të shfryrë urrejten duket se të gjitha janë në natyrën tonë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 94
- 95
- 96
- 97
- 98
- …
- 102
- Next Page »