• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POETI YNË KOMBËTAR AT GJERGJ FISHTA

December 31, 2020 by dgreca

Nga Agim Xh. Dëshnica-Boston/

At Gjergj Fishta dhe profesorët  mjeranë të realizmit socialist

Në librin „Historia e Letërsisë Shqiptare -1983“, u synua të hidhej poshtë vepra e poetit kombëtar At Gjergj Fishta me fjalë si këto: „Përfaqësuesi kryesor i klerit Gjergj Fishta (1871 – 1940), poet, publicist, pedagog, politikan, drejtoi për një kohë të gjatë  shtypin e urdhërit françeskan dhe veprimtarinë kulturore e arsimore të këtij urdhëri. Për të interesat e kishës e të fesë qëndronin mbi interesat e atdheut e të popullit, gjë që ai e shpallte dhe e mbronte me tërë demagogjinë, por edhe me cinizëm dhe e kishte vënë në themel të punës si letrar. Vepra e tij kryesore, poema epike “Lahuta e Malësisë”, propagandonte antisllavizmin dhe vinte në plan të dytë luftën kundër sundimit osman. Ajo i ngrinte himnin patriarkalizmit e bajraktarizmit, obskurantizmit fetar e klerikalizmit, dhe spekullonte me ndjenjat patriotike, kur ishte fjala për të ngritur lart ngjarje dhe figura të historisë kombëtare të periudhës së Rilindjes sonë. Veprat e tjetra, si poema satirike “Gomari i Babatasit”, ku u sulmuan me tërbim laicizmi i shkollës dhe idetë demokratike, ishin karakteristikë e luftës së egër që bëri kleri katolik për të ruajtur e për të rritur ndikimin e tij në jetën mendore të vendit. Këtij arti përpiqej t’i shërbente një formë që i qëndronte pranë folklorit. Atë e shoqëronin shpesh proliksiteti, efektet e kërkuara, retorizmi, brutaliteti i shprehjes e stilit, gjer në banalitetitet, argumentet e tyre false, që orvateshin të imponoheshin me pahir, si dhe një qëndrim i theksuar konservator në lëmin e gjuhës. Fishta i mbaroi ditët si akademik i Italisë fashiste.”

Nuk do të mjaftonte ky qëndrim armiqësor ndaj Fishtës, as ndalimi barbar i librave të tij, por duhej të dëgjohej edhe zëri i një njeriu jashtë Shqipërisë me emrin Rexhep Qose. Në librin “Panteoni i rralluar” i vitit 1985, tashmë i vlefshëm vetëm për arkivë, ndofta edhe për kosh, ai shkruan: “Gjergj Fishta përkundër Naim Frashërit, ka shkruar për pjesën katolike të shqiptarëve, ka folur në emër të tyre dhe dy fjalë më të shpeshta të fjalorit të tij ishin feja dhe atdheu: gjithnjë përpara feja, mandej atdheu. Në zemrën e madhe të Naim Frashërit kishte vend për të gjithë shqiptarët dhe, më në fund, për gjithë njerëzit, kurse në zemrën e vogël të patër Gjergjit – për një pjesë të shqiptarëve, prandaj edhe për një pjesë të njerëzve. Veprat e tij sot shijohen më me vështirësi sesa atëherë kur ishin shkruar, qoftë edhe prej gegëve dhe, mund të besojmë, pas ca dekadash do të përkthehen si ato të De Radës….” 

Po ashtu gabuan edhe ata, që shkruan se emri  i Gjergj Fishtës pas vitit 1944, u harrua. Përkundrazi, librat e tij mbaheshin  si thesar në bibliotekat vetiake, kudo në Shqipëri. Leximi apo përsëritja përmendësh në rrethe të ngushta, gjallonte më me zell. Edhe në rastet, kur në gazetën „Zëri Popullit“ botoheshin shkrime zilare e fyese kundër poetit të madh, në shumicën e lexuesve ato zgjonin përbuzjen e kundërshtimin, ashtu siç nuk miratohej edhe gjykimi qesharak i diktatorit E. Hoxha aty nga viti 1949, kur në një mbledhje të rëndomtë thoshte se “Fishta me satirat e tij nuk pi ujë përpara “Epopesë së Ballit Kombëtar” të Shefqet Musarajt.”(?!) Mirëpo, ai ishte ndër të parët,  që me vargjet e veta  qortoi me vendosmëri veset e shoqërisë, apo si poet i ndiesive atdhetare, që i zienin në zemër,  u ngriti lavde mbrojtësve të atdheut. 

Në kohët e sotme aty – këtu vihet re, se si disa të ashtuquajtur prof. dr. kundër çdo rregulli, dëmtojnë dhunshëm me ndreqje antishkencore ëmbëlsinë e gjuhës dhe ritmin  e vargjeve  të arta të At Gjergj Fishtës, ose dikush tjetër, duke bredhur derë më derë, mbledh letra të mykura ndër vite, pa adresë dhe të përkthyera, pra, të sajuara, i boton me stërhollime për të zbehur dritën e veprës së Fishtës, apo të Nolit tashmë të nderuar, dhe me frymëzim tymnaje, noton pa shpresë përmes dallgësh, në kërkim të atdhetarëve të mërguar në çaste tragjedish. 

Krijimtaria  e botuar e Fishtës

Poezinë e parë Fishta, e botoi më 1900, në revistën “Albania” të Konicës. Gjatë gjithë jetës së vet ai u shfaq si poet epik e lirik dhe prozator. Në krijimtarinë e tij të gjithanëshme, përveç poemës epike, „Lahuta e Malsis“, rreshtohen veprat: „Kangë Popullore“, „Viersha t‘përshpirtme“, „Pika voeset,„ „Anxat e Parnasit“, „Mrizi i Zanave“, „Vallja e Parrizit“,  „Shën Françesku i Asizit“  „Gomari i Babatasit „ ,  „Dredhitë e Patukut dhe i Ligu për mend“, „Shna Ndou i Padues“, „Juda Makabe“, „Vllaznija“, „Odisea Ifigjenija n’Aulli“, „Shqyptari i qytetnuem“,  „Shën Luigji Gonzage„ ,  „Barijt e Betlemit“, „Mojsi Golemi i Dibrës e Deli Cena“, „Jerina ose mbretëresha e luleve“ e  të tjera. Në vëllimin „Mrizi  i  Zanave“, renditet  edhe poezia „Lule Vjeshte“,  nga më të dhimbëshmet e më të bukurat  e letërsisë sonë.

Me prozën e rrjedhshme Fishta u shqua me shkrimet polemike – politike, filozofike, letrare dhe estetike në gazeta e revista, veçanërisht në të përmuajshmen  „Hylli i Dritës.“ 

Në  vitet e  diktaturës,  kur vepra e Fishtës ndalohej,  një veprim i tillë, nuk ndodhte askund, madje as në shtetet fqinjë veriorë. Emri i tij i kishte kaluar kufijtë. Në enciklopeditë e botës, përmendej me përcaktimin: „At Gjergj Fishta, Poet Kombëtar Shqiptar etj…“ 

Fishta dhe “Lahuta e Malësisë”

Gjatë kohës së diktaturës, sado që disa guxuan të fyenin poetin e madh dhe dritën e veprës së tij ta mbulonin me mjegullën e shpifjes, rrezatimi i saj çante terrin: „Shkundu pluhnit pra, Shqypni! Ngrehe ballin si  mbretneshë!/ Pse me djelm, qi ngrof ti, /Nuk mund t’quhesh, jo, robneshë!.“ Vargje si këto në vetëdijen e rinisë, mbajtën gjallë ndjenjën e kombit dhe të lirisë, shpresën dhe besimin për shpëtim. Veprat e Fishtës në tërësi, janë thesar për gjuhën tonë. Sipas Maximilian Lambertz-it, “vepra e Fishtës, është shtylla kurrizore e Kombit Shqiptar. Aq sa mund te kuptohet Greqia pa Homerin, Italia pa Danten, Gjermania pa Eposin e Nibelungëve, Anglia pa Shekspirin, aq mund te kuptohet edhe Shqipëria pa “Lahuten e Malësisë” të At Gj. Fishtës.” Për At Gjergj Fishtën kanë shkruar Norbert Jokl, Erëin Stranik, Gustav Veigand, .etj. Veigandi, përveç punimeve të veçanta, do të përkthente në gjermanisht (Lahuta e Malcis von Gjergj Fishta, Balkan Archiv, Lajpcig 1925), kurse Lambertz po në gjermanisht (Die Laute des Hochlandes), Verlag R. Oldenbourg, Munchen, 1958. Në italisht, nga Papas Ignazio Parrino (Il Liuto Della Montagna, Palermo 1968, 1970). Pas shembjes së diktaturës „Lahuta  e Malësisë“, u njoh  në anglisht e përkthyer nga Robert Elsie dhe Janice Mathie-Heck (The Higland Lute, Londër, Nju Jork, 2005).

Poemën  “Lahuta e Malcisë”,  Fishta e filloi më 1905, me këngën  e parë “Cubat” dhe e përfundoi më 1937, me këngën  e tridhjetë “Konferenca e Londonit.”. Në shënimet e  veta Fishta, kujton se njëherë gjatë kohës  së pushimeve verore ishte dërguar në katundin Rrapsh të Hotit për të zëvendësuar famullitarin Leonard Gojanin. Në atë vend të qetë u miqësua me një burrë të thyer në moshë, Marash Ucin nga Hoti. Mbrëmjet i kalonin  bashkë. Nga Marashi, Fishta dëgjoi  rrëfime nga më të ndryshmet për luftimet e herëshme të malësorëve shqiptarë dhe malazes, edhe  për betejën e rreptë në Urën e Rrazhanicës, ku pati marrë pjesë Marashi vetë.  Fishta vijoi  ta botonte  e ribotonte poemën të zgjeruar më 1912, 1923, 1931 dhe 1933. “Lahuta e Malsisë”, me gjuhën  e pasur nga burimet e veriut, e ngritur në art nga Fishta, u paraqit e plotë në Shkodër në kremtimet  e njëzetepesë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. 

Poema  në vargje  tetë rrokësh  sado me ngjyrimet  e një rapsodie kreshnikësh legjendarë, është  histori  në vargje e luftës për Lirinë e Pavarësinë e Shqipërisë, me heronj të vërtetë, si Ali Pashë Gucia, Ded Gjo Luli, Oso  Kuka, Marash Uci etj. Befas, në çaste frymëzimi, poeti me sokëllima  kreshnikësh, i drejtohet Zanës së mirë, apo i shqetësuar – Orës së Malit.  Rimat, herë janë të përputhura, herë të kryqëzuara. Këngët e krijuara në rini janë të hovshme, ndërsa në vijim, afër mbarimit, medituese dhe filozofike, me shqetësime për fatin e atdheut në prag të lirisë, pas Luftës së Parë e konferencave ndërkombëtare. 

Nga kjo  kryevepër epike,  po japim  pjesë  vetëm nga pesë  këngë.

LAHUTA E MALËSISË

C U B A T 


Ndihmò, Zot, si m’kè ndihmue! 
Pesëqind vjet kishin kalue 
Çëse të buk’rën ketë Shqipni 
Turku e mbate në robnì, 
krejt tu’ e là t’mjerën në gjak,

frymën tue ia xanun njak, 
e as tu’ e lanë, jo, dritë me pà: 
kurr të keqen pa ia dà: 
rrihe e mos e lèn me kjà: 
me iu dhimbtë, po, minit n’ murë,            +

me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!              +
Veç si ‘i dèm, vu n’lavër spari, 
qi, ka’ e vret zgjedha e kulari 
kah nuk bàn m’e thekë strumb’llari, 
s’ndigjon me tërhjekun m’pluer:                 +

e tue dhanë kryq e tërthuer, 
tu’ i dhanë bulkut shum mërzì, 
me u vu s’ ryset për hullì 
e as me shoq ai pendë me shkue: 
kështu Shqiptarët, të cilt mësue

s’din’ me ndejë rob nën zgjedhë t’huej, 
pagë e t’dheta me i là kujë: 
por të lirë me shkue ata motin, 
veç mbi vedi tue njohtë Zotin, 
e as kurrkujë n’ këto troje t’ veta

mos me i bà kurr tungjatjeta, 
n’braz me Turk kurr nuk kanë rà 
e as kurr pushkën s’ ia kanë dà; 
por t’janë grì me tè e t’janë vrà, 
si me kenë tu’ u vrà me Shkjà

E prandej si pat fillue 
Turkut Ora m’ iu ligështue, 
e nisë pat m’ iu thy’ atij hovi, 
m’ qafë përditë tu’ i mbetë Moskovi: 
e ato fiset e Ballkanit

zunë me i dalë dore Sulltanit, 
nisë Shqiptarët kanë me u mendue, 
si Shqipninë me e skapullue 
zgjedhet t’ Turkut: qi si motit 
n’ ato kohët e Gjergj Kastriotit,

krejt e lirë kjo t’ishte, e askujë 
n’daç t’jetë Krajl a Mbret i huej, 
me i bà kurr mà tungjatjeta, 
kurr me i là mà pagë e t’dheta: 
edhe Flamuri i Shqipnisë,

si fletë Engj’lli t’Perëndisë, 
si ajo flaka e rr’fesë zhgjetare, 
me u suvalë prap n’tokë shqiptare.

Kur qe ai Knjazi i Malit t’Zi, 
Knjaz Nikolla, ‘i gërxhelì: 

gërxhelì, por belaçì: 
na dyndë top, na dyndë ushtrì 
edhe del e bjen n’Shqipnì, 
për me shtrue këto bjeshkë e vërrì, 
shka merr Drinin për s’të gjatit 

der’ n’ Kalà të Rozafatit, 
ku ai me ngulë do’ “trobojnicën”, 
do’ m’ ia vu Shkodrës “kapicën”: 
me bà Shkodrën Karadak, 
mbasi ‘i herë ta kisht’ là n’gjak!

VRANINA

Vojti fjala te Çetina:

-Vallë! ç’po ban mi ShkjaVranina!

Vallë! ç‘po ban  Vranina m‘Shkje?

rob tue xanë  e gjind tue pre,

tue pre gjind, tue xanë kajduka

qysh se duel njaj Oso Kuka! 

Oso Kuka, ’i  burrë Shkodran, 

shoq në Shkodër, thonë, s‘ka lanë

për kah besa e kah trimënia,

qi zanatë i ka Shqipnia.

Kaleshan e sy-përgjakun,

mje m’sylah mustakun:

ushton mali, thonë, kur t’flasë,

dridhet  fusha kah t’vikasë,

e kah t’dredhë të rrebtë taga‘n

thue se rr’feja shkrepë për anë

kaq vringllim ai shkon  tu‘ i dhanë!

MARASH   UCI

Te nji mriz, te nji lejthí
kishin ndodhun tre barí
dy me dhen e nji me dhí,
njani plak e dy të rí:
Marash Uci e t’ bijtë e Calit:
dy djelm t’ lehtë si shpezt e malit.
Marash Uci i Uc Mehmetit,
anë e m’ anë i kisht’ rá detit
kishte pá pronët e Mbretit
çak prej Hotit tue xanë filli
dér ku piqet buka m’ dielli;
pse, sa kje Marashi i rí,
i pat dalë Mbretit n’ ushtrí
me armë n’ dorë, me zjarm në gjí,
si qi doke asht n’Shqipní.
Burrë i fortë e trim si Zana,
armët i kjenë atij baba e nana:
babë tagani e nanë breshana,
vëllá e motër dý pistolet
dý gjarpnusha prej Stambollet.
Ky kje lypun edhè gjetun,
pat kenë thirrun edhè pëvetun
e n’ kushtrim e n’ gjýq t’ bajrakut,
e ndër pré marrë Karadakut;
e kudo qi i doli prîja
atý i dajti edhè trimnija.
Por, si kripit i rá bora,
e la kamba e e la dora,
edhè i shkrefi armët besnike:
njato armë qi n’kohë jetike
pa’n kenë ndera e Arbënísë kreshnike:
e na doli barí malit,
i shmrijak me t’ bijtë e Calit
prore Mashi djelmëve t’ Hotit
u kallxonte punët e motit,
punët e motit, punë trimënie:
si Shqiptari mbas lirie
e mbas besës e s’ bardhës Fé
bate dekën si me lé;
e u permendte Orë e Zana,
edhe u thotë shum punë t’ mëdhana,         +
për lugat kur xehet hana,
e  për luftë, qi me drangona,                      +
ban kulshedra n’ vise t’ ona;
edhe i njifte ai ma s’ mirit
sa drangoj janë rodit t’ njerit                       +
mbi Ranë t’ hjedhne e n’ Urë t’ Vezirit.
Prande’ e dojshin gjith barija
e ndigiojshin fjalët e tija
si kah pushka ashtu ka’ urtija. 

Po shka, Zot, ka Mashi sot,

Qi na a vra e nuk ban za?

TE KISHA E SHINJONIT

Prendoi dielli, n’qiellë duel hana,
n’ Veleçik po pingron Zana:
Ehu! ju malet e Shqipnísë,
n’ t’ cilat strukë shqipja e lirísë
n’ t’ bardhat kohë qi kanë prendue
s’ lete anmik, jo, me i u afrue!
E din shpat e di’ edhe përrue,
e din landë e di’ edhe gúrë,
Shqiptarísë kryq e tërthuer,
se sa gjak atëbotë i anmikut
vojti rrëkajë prej t’ bardhë çelikut,
qi flakote n’ dorë t’ Shqiptarit
Porsi rrëfeja majes s’ Sharit.
A kisht’ mujtë kurr n’ atë kohë t’ lume,
( Me lot gjakut sot t’ lotueme!)
veç nji troe t’ tokës Shqiptare
m’ e rëmue dora grabitçare?
Ah! jo kurr: t’ isht’ çue mbarë bota…
pse ndo ‘i Lekë, a ‘i Gjergj Kastriota
do t’ kisht’ dalë, atë dorë rrëmbyese
m’ e cungue me armë ngallnjyese,
t ‘ cilat n’ shekull do t’ permenden
hanë e hyj sa qiellëve t’ enden.
Por kanë ndërrue sot moti e stina
për dhé t’ ngrît, ku rreh „martina“!
Gjinde e mbajtun me lot t’ shu‘mit
qi n’ djersë njomë busat e umit,
ja qi n’ kullmë rreshket kumbuese,
ja n‘për dét bjen valës shkumuese,
për me mbajtë nji grue te shpija
s’ cilës bukë i lypin fëmija,
edhe i len ndoshta me kjá,
përse e mjera bukë nuk ká:
gjinde, s’ cilës Zot i asht ari,
t’ zezën tokë qi i ngratë Shqiptari
shtrejt me gjak e pat fitue,
pa ndo ‘i dhimbë, kjoshin mallkue!
Sot m’e dá duen copa – copa:
e përse? Pse don Europa…
Lum, oj Zana e Veleçikut,
qi m’ ia lshon ti namët anmikut,
qi m’ i uron djelmët e Malsísë,
qi m’ i a kjánë hallin Shqipnísë;
kësaj Shqipníe, e cilla motit,
n’ za kah pushka e besa e Zotit,

pat kenë çmue prej fisesh t‘ tana

kah bien dielli e kah merr hana!

TE URA E RZHANICËS

Riza Pasha del n’ kalá:
‘Madhi Zot, se shka me pá!
‘Fort ndjegull paska rá
N’ at Rrzhanicë, nën Podgoricë.
S’ ká me ngiatë e do t’ bjerë shí:  
Hazna e madhe për bulqí!
T’ u ngjatët jeta! i thotë Myftija
S’ ká rá ndjeglla kah Malcija,
Kah Rrzhanica e Podgorica;
Por âsht çue tymi i barotit,
Djelmt e Grudës e Lekët e Hotit
Kah luftojn me Mal të Zí.

Pas Luftës së Dytë, “Lahuta e Malësísë”  dhe  krijimet e tjera të Gjergj Fishtës u ndaluan dhunshëm nga pushteti i ashtquajtur popullor, ndërkohë u ribotua në Romë më 1958, në Lubjanë, më 1990 dhe sërish në Romë më 1991. Pas pëmbysjes  së diktaurës, veprat e Fishtës dhe shkrimet përkujtimore botohen vazhdimisht. me titullin “Lahuta e Malësisë”. Studimet për Gjergj Fishtën, tashmë janë më të thella, shkencë e mirëfilltë, sepse lidhen  me vlerësimin  e vazhdueshëm e kujtimin e poetit tonë kombëtar. Studiuesit e brezit të ri, si Arben Marku, tashmë kanë shkuar më tej, duke caktuar vendin më të lartë, bie fjala, për poemën epike “Lahuta  Malësisë” përballë  poemës “Kunora e Malsisë” të poetit malazes  Negoshi. Me “Lahutën e Malësisë”, poeti ynë tregon historinë e shqiptarëve, zgjon e jep kushtrimin për bashkimin e kombit pa dallim feje në luftën kundër pushtuesve të atdheut me ndihmën e Europës, ndërsa Negoshi kërkonte bashkimin e malazesve në një fe,  në  luftë kundër pueshtuesve turq me përkrahjen e Rusisë. Me krijimin e rrallë tridhjetëvjeçar “Lahuta e Malsisë”, Fishta i dha kombit shqiptar një histori të artë, ndërsa Europës, një mësim të qartë për çështjet e pazgjidhura kombëtare, si rrjedhojë e padrejtësive të kohëve. Ndaj ai meritoi titullin Poet Kombëtar. Në veçanti „Lahuta e Malsisë“, i ngjan një simfonie klasike, ku në rrjedhën e ngjarjeve vargjet, rimat e ritmi, janë notat e saj. Herë të zymta, herë shprehje dhimbjeje, herë si mallkim dhe në çastet e ngadhnjimit, piskamë hareje e luftëtarëve. Mandej dëgjohen zëri i natyrës së bukur shqiptare dhe i zanave, jehona e bjeshkëve, gurgullimat e krojeve dhe e përrenjve, teksa rrëzohen tatëpjetë. Në brendi të kësaj poeme epike, gjejmë edhe vargje lirike, të rralla për nga bukuria e kuptimi, kushtuar vajzës shqiptare, si këto: 

Varza ka e varza s’ka,

porsi asht nji varz’ n’Janinë

kurkund shoqen s’ia ke pa,

kah bje‘ diell e serotinë;

synin diell, ballin si hana,

ardhun shtatit si selvija

Efruazin e  quejti nana, 

augur t’mir me e pas Shqipnia.

Autorë të shquar për Fishtën

Albanologu i njohur Fulvio Cordignano shkruante: “Pakkush kujtoj në letërsi të mbarë botës, ia del At Fishtës si poet satiric. Si i tillë, me një furi të çudishme, ai ther e pret aty ku djeg.” Ndërsa poeti italian me famë botërore Gabriele  D’Anuncio thoshte:  “Patër Fishta njihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli… Si këtë kemi edhe një të madh tjetër: Rabindranat Tagora.” Në një kohë, kur Fan S. Noli në ligjërata shprehej nëpër ligjërata: “Fishta është i madh”. Kurse Faik Konica shprehej: “Fishta është jo vetëm poet i madh, por edhe intelektual i dorës së parë! Kot së koti përpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se “Lahuta” e Gjergj Fishtës”. Ndërkohë Lasgush Poradeci, do ta quante Fishtën me nderim: “Poeti ynë kombëtar! Shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar!” Dijetari i shquar Eqrem Çabej, teksa analizon romantizmin tonë, që lidhej me luftën për liri e pavarësi, ndërmjet Jeronim De Radës e Naimi Frashërit, rendit edhe Gjegj Fishtën për fuqinë e vet epike. Krahas tij, Engjëll Sedaj  theksonte se “krahasimi i poezisë epike të Fishtës me poezinë e Naimit bëhet jo vetëm në punimet e veçanta mbi Fishtën, por edhe në punimet e tjera të E. Çabejt, duke përqëndruar vëmendjen më tepër te këta dy poetë sesa në krahasimin ndërmjet Fishtës dhe poetëve të tjerë shqiptarë. Kështu, bie fjala, në punimin e tij, „Romantizmi“, ndonëse nuk shqyrton në veçanti Fishtën, por kryesisht De Radën dhe Naimin, ai e ka krahasuar Naimin dhe Fishtën, duke thënë se “ky epos (Istoria e Skëndërbeut) nuk u bë dot epos kombëtar, se këtë ua fali më vonë shqiptarëve Gjergj Fishta”.

Aurel Plasari shkruan: “Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes fizike të Fishtës, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifike të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë.”

Ndërkaq, disa nga profesorët e moshuar, me dijeni të pakta për jetën e veprën e poetit Gjergj Fishta, vijojnë të botojnë e të ribotojnë studimet e korrigjuar  të viteve para ’90.  

Fishta për Atdheun

Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Fishta e priti me gëzim, por edhe me brengë, për shkak të Luftës Ballkanike e vendimeve të padrejta të Konferencës së  Londrës -1913. Një gjendje e tillë shpirtërore shprehet në poemën „Lahuta e Malsisë“ dhe në artikujt e botuar në revistën „Hylli i Dritës“, të themeluar prej tij në Shkodër më 1913.  Në  shkrimin  me  titull: “A jan t’zot shqiptarët me u mbajt shtet m’vedi?“, Fishta kritikon ashpër, nga një anë veprimet grabitqare të fqinjëve e nga ana tjetër qëndrimin e shteteve europiane kundër tërësisë tokësore, sidomos të Rusisë.  Ndërkohë ai argumenton  me fakte historike aftësinë e shqiptarëve për krijimin e drejtimin shtetit të pavarur brenda kufijve etnikë. 

Një ngjarje e paharruar do të mbetet në histori dita 23 tetor 1913, kur Fishta ngriti Flamurin Kombëtar në Kishën e Gjuadollit dhe e lidhi me drita me Xhaminë e Fushës së Çelës. Ishte ky një veprim i guximshëm për bashkimin  e shqiptarëve me disa besime  fetare. Në vitet 1916-1917, nën pushtimin austriak, ai boton gazetën “Posta e Shqypnisë.“ Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, nga prilli i vitit 1919 dhe gjatë vitit 1920, Gjergj Fishta është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë. Në një nga ligjëratat e vitit 1919,  ai tha: „Pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë asht vendi ynë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitet e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rranjëve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundërshtueshëm i tokave të tij. Po qe se pernjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve si dhe për përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografik. Por çka, se simbas teorisë Vilsoniane për me mund nji popull me u sundue në vetëvete, përpos kombësisë duhet të mirret parasysh edhe ndërgjergjja e tij kombëtare. Tashti për në qoftëse si ndërgjegje kombëtare duhet të kuptohet ndjesija për liri, si edhe ai dëshir që mund të ketë nji popull për t’u zhvillue, gjithnji përbrenda qarkut të forcave të veta, unë them se edhe në këtë pikëpamje Konferenca duhet t’ia njohë Shqipnisë pamvarsinë si edhe sovranitetin e saj. E po thomëni, cili populll në Ballkan ka ndjesi ma të thella për lirinë e vet sesa populli shqiptar?  Në rast se ata nuk na duan në nji shtet të vetëm, pasi thonë se shqiptarët qenkan Musliman, atëherë na Kristianët, do t’i shkrijmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishekë, me mbrojtë vllaznit tanë muslimanë shqiptarë”, Eshtë kjo një shprehje  e dalë nga shpirti i At Gjergj Fishtës, e cila tregon shumë për harmoninë fetare ndërmjet  shqiptarëve. Gjithashtu dëshmon, se përjetësisht ndërmjet krerëve të besimeve fetare në Shqipëri gjithnjë ka ekzistuar një harmoni e mrekullueshme fetare. Në vitin 1922  Fishta pritet në Uashington si personalitet i njohur i kulturës. Takohet e bisedon me sukses me senatorë republikanë për çështjen e kufijve  të Shqipërisë. 

I ftuar, më 1930, në  Nju  Jork, pranohet anëtar në Bashkimin Ndërkombëtar të  poetëve nga 60 vendet e botës. Fishta përfaqësoi Shqipërinë edhe në mbledhjet ndërkombëtare, më 1930 në Athinë, më 1932 në Stamboll e  Bukuresht. 

Me prozën e tij të shkëlqyer përshkroi udhëtimin për në Turqi, ndërsa lundrimin përmes dallgëve të oqeanit të trazuar  do ta rrëfente me një prozë plot humor,sipas ndryshimit të motit e gjendjes shpirtërore, duke iu lutur  dhe shenjtorëve.

Nga  leximi  me vemendje i prozës, së  Fishtës, vihet re,  se ajo rrjedh  poashtu si poezia e tij. Poezia  ashtu edhe proza e Fishtës janë burime frymëzimi  për  poetët e shkrimtarët, madje për gjithë ata, që duan  të flasin  bukur shqip.

Veprimtaria e Fishtës në vitet 20 – 30

Në vitet 20, Fishta merr pjesë edhe ne veprimtari politike. Në dhjetor të atij viti

zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar. Po atë vit themelon Gjimnazin Françeskan në Shkodër. Në ngjarjet e Qershorit 1924, mban krahun e demokratëve. Mandej largohet nga atdheu dhe vendoset në Itali.  Atje, në vitet 1925 e 1926, krijon, boton e riboton pareshtur. Të atyre viteve janë  pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. I kthyer në atdhe, siç u tha më lart, përfundon më 1937 poemën epike „Lahuta e Malsisë“. 

Më 1939, Fishta ishtë kandidat i çmimit Nobel, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Italiane, ndërmjet poetëve, shkrimtarëve, kompozitorëve dhe shkencëtarëve me famë botërore. Aty nga fundi i jetës, më 1940, pa pritur Fishta do të deklaronte: “qysh nga kohët romake përgjatë rrjedhës së shekujve, pushtues të ndryshëm kaluen nëpër Shqipni, por asnjeni prej tyne nuk e nënshtroi dhe nuk e pushtoi dot shpirtin e shqiptarit.” Ky zë jehon fuqishëm edhe për profesorët, që rropaten e rrëmojnë më kot nëpër skutat e errëta të arkivave, të gjejnë ndonjë krisje në përmendoren e shenjtë të etërve atdhetarë katolikë me Fishtën në krye dhe letrat e sajuara prej tyre askush nuk i beson.

Po dokumentet, ç’thonë për jetën e veprimtarinë e tij?

At Gjergj Fishta lindi në fshatin Fishtë të Zadrimës, më 1871. Për fat të mirë mësimet e para i mori nga mësuesi e poeti Leonardo de Martini. Shkollën e mesme  e kreu në Troshan të Shkodrës, kurse studimet e larta për teologji, filozofi e gjuhët e huaja, në institutet e seminaret françeskane në Sutjekë, Livno e Kreshevo të Bosnjës. Pas mbarimit të studimeve më 1894, u shugurua meshtar dhe u pranua në Urdhërin Françeskan. Në vitin 1899 së bashku me Abatin e Mirditës Preng Doçin, me romancierin e parë shqiptar Dom Ndoc Nikajn, At Pashko Babin etj. themelon në Shkodër shoqërinë letrare “Bashkimi.” Në vitin 1902, sapo qe caktuar drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, vendosi shqipen në mësime. Në vitin 1908 përfaqëson shoqërinë “Bashkimi” në Kongresin e Manastirit dhe drejton Komisionin e Alfabetit. Në mbarim  të Kongresit, Fishta  kreu një veprim fisnik, kur fjalën për njoftimin e vendimit ia dha Mit’hat Frashërit, aso kohë në moshë të re.

Dëshira e përkrahja gjuhës shqipe, trimëroi drejtuesin e arsimit në Shkodër, Luigj Gurakuqin të themelonte më 3 gusht 1916, Komsinë letrare nën mbrojtjen e komandës ushtarake të kryesuar nga gjeneral Trollman, i ndikuar dhe nga Dr.R.Nachtigal, studiues i gjuhës sonë, më në zë në Europë si dhe nga Dr. Gjergj Pekmezi. Në Komsinë Letrare morën pjesë me punimet  e tyre,  përherë të vlefshme, At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjedja, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci  e shumë të tjerë nga Veriu e Jugu. 

Si rrjedhojë e shtrembërimeve dashakeqe ndaj jetës e veprës  së At Gjergj Fishtës ishin të pakët lexuesit e letërsisë që kaluan çaste hutimi. Kritika shkencore e mirëfiltë e të gjitha kohëve bashkohet në një mendim se vepra e tij është kulm i ndritur që u ngrit madhërisht, për rreth dyzet vjet, mbi hapësirën e letërsisë shqiptare në  shërbim të atdheut.

Nderimet nga vendi e bota 

At Gjergj Fishta në historinë e Shqipërisë  zë një vend me rëndësi si vazhduesi i Rilindjes sonë Kombëtare e shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në gjysmën e parë të shekullit njëzetë. Krejt ndryshe  nga shkrimi në librin „Historia e Letërsisë Shqiptare“-1983, Fishta njihej kudo, si poet, shkrimtar, dramaturg, kritik letrar, satirist, eseist, gjuhëtar, edukator, piktor, arkitekt, drejtues i lartë i fesë françeskane, publicist, politikan demokrat etj. Më 1941 shkrimtari i shquar Karl Gurakuqi shkruante: “Fishta i la  nder gjithkund  emnit shqiptar. Jo vetëm bota shqiptare e naltoi edhe për së gjalli tue i dhanë titullin ”Poeti Kombëtar”, por edhe bota e jashtme, mbasi shijoi e çmoi frytin e pendës së tij, ia njofti vleftën dhe e nderoi me lëvdata, dekorata e tituj. Klubi “Gjuha Shqype” i dhuroi në vitin 1911 dy basoreljeve symbolike të punuem mjeshtërisht dhe nji kunorë argjandi; më 1917 qyteti i Beratit i dërgoi nji pendë ari, për kujtim të veprimit të tij letrar e politik. Perandoria otomane i dha dekoratën Mearif kl.II (1912); Mbreti i Austro-Hungarisë e dekoroi me Ritterkreuz (1912); Papa Piu XI e nderoi me Medaljen e Meritimit (1925); Paria e përgjithëshme e Urdhnit françeskan me titullin “Lector Jubilatus”(1929): Greqia me dekoratën.“ Phenix” (1931), etj.„ Për Gjergj Fishtën kanë shkruar edhe në botën gjermane.

Pas vitit 1990, At Gjergj Fishta u dekorua me Urdhërin Nderi i Kombit.

Përkujtimi i tij me rastin e 100 – Vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë,  ishte  një nga vlerësimet  më të larta, që  mund t‘i bëhej një Poeti Kombëtar si At Gjergj Fishta. 

Po ç’thotë Fishta me poezitë e veta?

NGA MRIZI I ZANAVE 

GJUHA SHQIPE

Porsi kanga e zogut t’verës,
Qi vallzon n’blerim të prillit;
Porsi i ambli flladi i erës,
Qi lmon gjinjt e drandofillit:
Porsi vala e bregut t’detit,
Porsi gjâma e rrfés zhgjetare,
Porsi ushtima e nji termetit,
Njashtû â gjuha e jonë shqiptare.


Ah, po, â  e  ambël fjala e saj,
Porsi gjumi m’nji kerthí,
Porsi drita plot uzdajë,
Porsi gazi i pamashtrí;
Edhè ndihet tu kumbue,
Porsi fleta e Kerubimit,
Ka’i bjen qiellvet tue fluturue
N’t’zjartat valle t’amëshimit.
Prá, mallkue njaj bir Shqiptari,
Qi ketë gjuhë të Perendísë,
Trashigim, qi na la i Pari,
Trashigim s’ia lên ai fmís;
Edhè atij iu thaftë, po, goja,
Qi e perbuzë ketë gjuhë hyjnore;
Qi n’gjuhë t’huej, kúr s’âsht nevoja,
Flet e t’veten lên mbas dore. 


Në gjuhë shqype nanat t’ona
Shì prej djepit na kanë thânun,
Se âsht nji Zot, qi do t’a dona:
Njatë, qi jetën na ka dhânun;
Edhè shqip na thanë se Zoti
Per Shqiptarë Shqipnínë e fali,
se sá t’enden stina e moti,
Do t’a gzojnë kta djalë mbas djali.

Nëpër gjuhë shqipe bota mbarë
Ka me u njohtë se ç’fis ju kini,
Ka me u njohtë jú për Shqiptarë:
Trima n’zà sikurse jini. 


Prandej, prá, n’e doni fisin,
Mali, bregu edhè Malsija
Prej njaj goje sot t’brohorisin:
Me gjuhë t’veten: “Rrnoftë Shqipnia!” 

SHQIPNIJA

Edhè hâna do t’ a dije,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqipnia ‘i vend nuk ká !
Fusha t’ gjâna e kodra t’ blera,
Zijes s’ mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t’ vet ktû i veshë Prendvera,
Si t’ Parrizit t’ larmet shtroja. 

Nen nji qiellë perherë t’ kullueme,
N’ rreze e n’ dritë pershkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n’ ajrí.


Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t’ kjarta e t’ cemta gurra,
Tue rrëmbye n’për mriza hale,
Gurgullojn n’për rrâjë e curra.


Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
Léjnë mandej ata djelm si Zâna,
Armët e t’ cilvet, p’rherë besnike,
Janë permendë nder fise t’ tana.


Atje léjnë, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n’ flakë t’ nji dielli:
Si dý rrfé, qi shkojnë tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.


Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N’ turr t’ Shqiptarit pît ka rá.


Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka’ i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Liria.


Lume e shé para atij ngelin,
Ia lshojnë udhën dete e male;
Mbretnitë fjalën s’ mund t’ ia shkelin,
Turrin ferri s’ mund t’ ia ndale.


Shkundu pluhnit, prá, Shqipní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n’ gjí,
Nuk mund t’ quhesh, jo, robneshë.

Po, edhè hâna do t’a dije,
Edhè dielli do t’ kétë pá,
Se për qark ksaj rrokullie,
Si Shqipnia ‘i vend nuk ká!
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqipní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí. 

I  DBUEMI

Lamtumir’!- vendet e mija,

Qe, po zhduken dal’- ngadalë;

Gjimon deti, ushton duhija,

Lkundet barka  val’ mbi valë;

Kah njaj diell, qi a tue flakue

Andej fill un tash do t’veta…

Lamtumir’! o dhe i bekue!

Lamtumir’! përsa t’jet jeta!

Nesër nadje kur mbi ne

Rrezja e diellit ka me ra,

Kush e din sa ujë e dhe 

Mue prej tejet kan me m’da?!

E por n’pyetsha retë mizore,

E por n’pyetsha zojtë e detit

Se për ty, moj tokë arbnore,

S’ka me m’fol’ kush mue t’shkretit…

Tjera fushë e tjera zalle

Kam me pa, e tjera dete:

Kam me ndie, po, tjera valle,

Tjera gjuh’ n’tjerë qytete;

Vendin t’em, por, s’kam me e pa

Ku kam le e jam burrnue;

Syt e mij edhe kan me kja,

Pa u gjet’ kush, qi me i ngushllue.

Pa kend t’emin, po e’ nji Zotit,

Tue shtegtue për dhe të huej,

Kan me m’shkue mue ditt e motit

Sha e përbuzun prej gjithkuej.

Kam me pas’ shkretin për votër,

E për shtroj’ të ndeztën ranë.

Kam me pasë ulkojën motër,

Kam me pasë , ehu! tigrën nanë.

Nana e mbetne për s’të gjallit

Ka me m’kja, kushdi, ndo ‘ i ditë,

Der sa motra dekun mallit,

Kot ndo’ i her’ mue ka me m’pritë.

Ka me i njeh’, po, krushqit, e mjera,

Me i pru nanës n’shpi nji re:

Por i vllaj, kushdi m’ at-hera

Ka me u kalbun për nën dhe!

E, njaj dhe-ehu! Kob prej qiellet!-

S’ka me ken’, jo, dheu i t’ Parvet,

Ku ma bukur qielli kthjellet,

Ku ma ambël n’gjuh’ t’Shqiptarvet

Para Hyut naltohet luta,

E ku besa asht e shejtnueshme,

E ku zemrat, s’dijn’ shka a tuta,

E ku bjeshk’t jan’ të madhnueshme.

Oh! ju bjeshk’t e Shqiptaris, 

Ku ma mir’ shndrit’ dielli e hana,

E ku logu a i bujaris

E ku rriten djelm si zana!

Un ju kurr s’kam me u harrue,

Kahdo t’m’jet gjykue me u endë:

Der sa t’muj me ligjrue,

Ju gjithmon kam me u përmendë!

E ato halë e qipariza 

Kam me i pas’ ndër mend gjithmonë,

E ato stane e njato mriza,

E ato berre e ato kumbonë…             

Por, oh, vaj! Malet e mija,

Qe, po zhduken dal’- ngadalë;

Gjimon deti, ushton duhija,

Lkundet barka val’ mbi valë.

Lamtumir’, pra, bjeshke e male!

E ju krepa edhe ju curra;

E ju breshta e ju gjeth hale;

E ju prroje edhe ju gurra!

Lamtumir’ ju mrrize e stana!

Lamtumir’ kumbona e  berre!

Lamtumir’, ju fusha t’gjana,

Ju livadhe, ende ju djerre.

Lamtumir’! ti shpija e t’Parvet,

Ku ma s’parit m’agoi drita

E ku strehë u dhaç’ shtegtarve

Miqt e babës’ edhe ku i prita

Lamtumir’! carani m’votër,

Lamtumir’! ju arm’t e shkreta;

Lamtumir’! ti nanë e motër,

Lamtumir’ për sa t’jet jeta!… 

Porositë e fundme të Fishtës

Sipas disa publicistëve shqiptarë, ndër ta Fritz Radovani, dihet se shkrimtarët e njohur në botën e letrave, para largimit nga jeta kanë shprehur fjalët e fundit prekëse, himne, testamente, këshilla, porosi… Poeti ynë kombëtar Gjergj Fishta ndërroi  jetë në mbarim të dhjetorit 1940. Pak para se të shuhej  në spitalin e Shkodrës, nga  një polmonit  i rëndë në kohë ngrice  e bore, u la këshilla e porosi fretërve të rinj françeskanë. Në testamentin e tij  lexohen  këto fjalë: “Po vdes i kënaqun, sepse kam punue  për atdhe e fe.” Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit  Gjergj Fishta, kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe përsëriti  fjalën: “ i kryqëzuemi” në latinisht. Pastaj kërkoi t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”. Ndërsa, një mik i poetit, përmend fjalët e fundit të Fishtës: “Jo për tjetër, por sepse po lë anmikun mbi trollin shqiptar, mue më vjen keq se kam me vdekë.”

Sipas kujtimeve të At Zef Pllumit, kur Fishtës iu kërkua që të refuzonte titullin e Akademikut nga sivëllezënit,  Fishta sipas një rregulli të caktuar duhej të mbante një varg konferencash nëpër institucione të ndryshme kulturore, ai u përgjigj se: “Un ndër konferencat do t’u përsëris italianëve pa ja dà se me të vërtetë Roma dikur e ka pasë namin e madh, por legjionet ilire dhe perandorët e mëdhaj ilirjanë ishin ata që kishin në dorë fatet e Romës. U bâj edhe nji premtim tjetër se përnji  ato konferenca do t’i kryej për gjashtë muaj, siç e don rregullorja, un menjiherë do të kërkoj me ardhë në Shqipnì.”

Duke lexuar shkrimin e prof. N Jorgaqit. kundër Fishtës e françeskanëve, na del para sysh jeta e vepra për atdhe e krijuesit të “Lahutës së Malsisë”  me të cilën iu drejtua tërë kombit shqiptar për bashkim  kundër pushtimit të huaj. Nga  vepra e ndritur e Fishtës plot larmi tingujsh, dëgjohet gjuha shqipe “porsi kanga e zogut t’verës.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Agim Xh. Dëshnica, At Gjergj Fishta O.F.M.

Fatosi i Krujës

January 15, 2017 by dgreca

Nga At Gjergj FISHTA O.F.M.: “IN  HOC  SIGNO  VINCES”/

(ME KËTE SHENJË DO TË FITOSH)/

1 gjergj kastrioti     Në fillim të shek. XV turqit sulmojnë Europen dhe shkretnojnë fise e mbretni.

1-Fishta1-Skenderbeu-300x269Fatosi i Krujës përballë rrezikut që i kercnohej Shqipnisë, i drejtohet Hyjit edhe e lutë qi mos premtonte, që Shqipnia të bije ndër kthetra të turqve. Lutja e tij prekë të Amshuemin, i cili i dergon së nalti Flamurin Kuq e Zi, emblemë bashkimi e vetsundimi.

Me atë Flamur në dorë Skanderbeu, i mberthyem në armë qet kushtrimin. Shqiptarët rrâjnë (nisen) menjëherë, kështu nisë lufta e mënershme dhe turqvet u thehet sulmi.

Në dorëshkrim që ban Poeti, ka datën 20/11/1919, nën titull, ndër kllapa, lexojmë: Fragment i një poemthi të pabotuem. Nuk dijmë kurrgja për ketë mendim të parë të tij rreth hartimit të këtij poemthi. Kanga, si kemi theksue edhe ma nalt, merr nji ton liriko-epik, tue u nda në shenj për fuqi shprehjesh, paraqitjesh të gjalla e fëtyrash ndjekore. (Koment nga At Viktor Volaj O.F.M. 1941).

Tue zbardhë mosha dhetepestë e jona

Atje prej shtojesh s’ Anadollit t’ plleshem

Hanza pergjakshem, nisë mbi Europë t’ kukzohet.

Ishte zot-madhi i turqvet, qi në krye

                    Të ma s’ rreptes ushtri së jetës s’ atëhershme

Ujnat e njelmta dilte t’ Helespontit,

Edhe betohej n’ mëni të vet mizore,

Se shpirti trupit s’ do t’i ndahej para

Se hanzen t’ ngrinte mbi Sh’ Sofi t’ Bizantit

                    E n’ Sh’Pjeter t’ Romës tagji t’i vinte kalit.

E pse ai burrë dokrrash e pallavrash s’ ishte,

Perpara tij ranë frone e ranë therore;

U rroposën mbretni e u shkimen fise,

E as bar ma s’ bijti andej ka ’i shkeli kamba.

           Greku, bullgari humben, humbi serbi,

– Humbi, po, Serbi, madhështia e t’ cilit,

Atje te e vona boten mbarë në zi

Do t’a mbështillte. – T’ felgruem droje, shuejten

Zanin mbretent e Europës. Zâmaret heshtën,

           Heshti edhe kanga e një mjerim i shemtuem,

I ra mbarë dheut.

                                        Kur, qé, mbi kep të Krujës

Titanike po del një hije burri,

Vetullat ngerthye, si dy hulli rrufeje,

Me do sy zjarmi e ‘i mjekerr t’ thinjtë, e cila

Shllungë gjatë nofllash i derdhej, si ajo mjegulla

Rreth njaj curri s’ thepisun. N’ krye trishtueshem

Flakë i shkelqen tarogza brinatake,

Që, tmershem ka ‘i vezullon nën rreze t’ diellit,

Kometë zharitse dan nder sy t’ anmikut.

Ai asht fatosi i ndiem Gjergj Kastriota,

I Madhi Gjergj Kastriota Skenderbeu,

Që, prej atij kepi, si një shqipe mali

Kundron kah forca e barbarisë lindore

Shkon tue rrëmbye mbretni e fise e popuj,

E gjithshka t’ mbarë perftue kisht’ mendja e njerit;

Si rribë Veriu, qi rêt’ i fshin prej qielli

Dhe e lê token me u tha. Edhe tue pa

Se anmiku i rreptë i qytetnis njerëzore

Po nis per s’ afermi Shqipnisë t’ kercnohej

E se prej njerit s’ kisht’ pse ndihmë me pritë,

Çon syt kah qielli, e zemra gjak tue i shkue,

“O Zot! – gerthet, – O Zot i Madhi i Ushtrive!

E po a njëmend se ma s’ do t’ ket Shqipnia

Një vend ku me t’ u lutë?… E se gratë tona

Djepat n’ Azi mbas sotit do t’ perkundin?…

E se Shqiptari tokën do t’ punojë

Veç per me kndêllë n’ mish gocat çerkeze,

Që një tirani ti sherbejnë ma kandshem?

Oh! Pse ia mbërrim ksajë dite, e s’ ka shperthye

Toka q’ me kohë, me na perpi për s’ gjalli!

Ti, o Zot i Madh i Ushtrive, Ti prej qielli

Zemer e forcë m’ dergo, që këtij tartari

Barbar un t’ ia diftoj, se Shqiptaria

S’ merret pa gjak, e se për Fé e Atdhé

Di t’ vdesë Shqiptari”. Permbi flatra

Të bardha t’ Fésë kjo lutje u çue kah qielli

E i shkoi n’ vesh Perëndisë e e preku n’ zemer.

I Amshuemi, atëherë, prej visarit t’ qiejve

Nxjerrë një pelhurë të ngjyme “kuq e zi”,

Që Engjëjt vetë n’ Parriz endë e kishin:

E mbasi e puth i Lumi e ve në ballë,

Një kerubini t’ lehtë i urdhnon tu’i  thanë,

“Na, e ketë Flamur Skenderbeut çoja

Atje poshtë n’ Krujë,  e thuej prej anës sime,

Se dersa t’ rrijë tok fisi i Shqiptarit

Nen hije t’ këtij emblemi tim t’ bekuem,

Zot m’ veti e i lirë gjithmonë ai ka me kenë”.

Kështu tha i Amshuemi; e ai kerubini i qiejve,

Palosun n’ parsmë Flamurin e Shqipnisë,

Hap flatrat e prarueme, e poshtë Empirit

Zhgjetë n’ per një rreze drite dirgjet n’ Krujë,

Ku Skenderbeut n’ dorë dhuntinë Zotit –

Flamurin e Shqipnisë – ia jep e këshillin

E t’ Lumit ia difton: Se si Shqiptari

Zot m’ veti e i lirë gjithmonë do t’ mund qindroje.   

Si ai nieri, që trishtue një andrre s’ keqe,

Kur gjumi i del, me vete zë’ e gëzohet,

Se n’ hije e jo njëmendtë iu shfaq rreziku:

Kështu Skenderbeu nis me u gëzue me vete,

Si Lajmi i qiejve n’ dorë ia dha Flamurin

E i tha se per nën hije t’ tij Shqipnia

E lirë e zojë m’ vete përherë do t’ mbetej.

Edhe armatoset Burri i dheut krejt n’ hekur,

Ngjeshë pallen n’ ije – pallen t’ rreptë, mizore,

E n’ patershanë, e me pafta arenzi t’ mbathun,

Njet Flamurin kuq e zi, qi vetë i Amshuemi

E kishte puth edhe mbi shpinë të kalit,

Qi, fry turinjtë, nuhatte erë gjaku,

Hidhet porsi duhi e rreptë. Prej millit

E nxjerr pallen mizore, e drejt kah qielli

Heshten e ngreh. Një fllad i lehtë, i ambel –

Flladi i Dashunisë – po e zhdrivillon Flamurin.

– Flamurin e Atdheut tim – që tue gufue

Mallnueshem nepër ajr të lirë t’ Shqipnisë,

Nisë me u valvitë si fleta e Kerubinit,

Si ai skundilli i petkut t’ Perendisë,

Që, mirë qendisë me hana, yj e diej,

Prej krahve t’ amëshuem e t’ gjithpushtetshëm

I varet poshtë nepër hapësi t’ Empirit,

Kah, mështetë n’ stuhi e n’ flatra t’ rribës s’ murranit

Sheston boshtin e moknes s’ rrokullisë.

E ashtu n’ atë dukë të rreptë e t’ perfrigueshme

Me ‘i za, si tue ulrue, prej kepit t’ Krujës

Po u thërret Shqiptarve t’ vet e u thotë: “Këtu burra!

Këtu ejani, o bijtë e Maleve! Shqipnia

Gjindet n’ rrezik!” N’ atë bulurimë ushtuene

Malet e fushat e Shqipnisë kreshnike,

Edhe nji çetë e vogel homeridësh,

– Burrash si motit, veç që bate nana –

Per rreth tij mblidhen, e nen hije t’ Flamurit

Një bé të madhe bajnë e lidhin besen,

Se i pëllâmë toke t’ Atdheut s’ ia lëshojnë tartarit,

Po s’ e lánë para me gjak t’ tij t’ perdhosun.

T’ forcuem me atë bé, t’ forcuem me shejtni tagresh

E shpresë n’ Zotin tue mbajtë e n’ krah të vetin,

Me Flamur kuq e zi zhdredhun perpara,

Poshtë errmoreve t’ maleve t’ thepisuna

Si rreshme bore prej ndo ‘i kulmi t’ rryeshëm,

Rrâjnë fulikare permbi rradhë t’ turqve,

Të cilët, prej s’ largut tue ua pamë hovin,

Thonë se kulshedra me dragoj po u turret.

Edhe mnershem nisë lufta titanike.

Kah t’ idhtat shpata, kah gjakbâset heshta

Çeken nder shkëndija me vringllimë t’ trishtueshme,

E bumbullojnë henikë edhe gopedra,

E vërrasin keqas të varruemt perdhé.

Kaq nji zhurmë, një rropame e ‘i vigmë e kobshme

Çohet per ajr të terratuemun pluhuni,

Që rreth e rrotull t’ tanë dridhet Ballkani.

Shkon gjaku rrëkajë. T’ tanë fusha e gjanë e Dibrës

Me kurma t’ zeshkët barbarësh asht mbulue. Hidhet,

Hingëllon, trumhaset kali i Skenderbeut,

Kah thundra e mbathun thellë i humbë në dhé

Të rijtun n’ gjak t’ barbarit. N’ dhambë brén buzen,

Atëherë zotmadhi i turqve pendohet

Që i ra kurr n’ mend t’ mësyjë Shqipninë mizore.

E sheh, po, vetë gjakbâsi, se rob s’ bahet

Ai dhé, ku Flamri kuq e zi valvitet.

Shenim nga F. Radovani: Poezia e At Gjergj Fishtës asht marrë nga libri i Tij

“Mrizi i Zanave”, i redaktuem nga Prof. Ndue Zef Toma. 2001.

U shkrue në 1919, kur At Fishta ishte në delegacionin e Lidhjes së Kombëve.

Kjo poezi asht një kujtesë per ata që nuk e kanë njoh kurrë madhshtinë e Tij.

Melbourne, Janar 2017.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: : “IN HOC SIGNO VINCES”, At Gjergj Fishta O.F.M., Fatos Kruja

At Gjergj Fishta O.F.M. visar shpirtëror i shqiptarëve

March 19, 2014 by dgreca

Pse diktatori Enver Hoxha e urrente Fishtën dhe kryeveprën “Lahuta e Malcisë”!?/

Nga Klajd Kapinova/

 Të rindertojmë Fishtën e gjithshqiptarëve/

Çdo ditë e më shumë, po zgjohet ndërgjegja kombëtare e gjeneratës së re në trojet shqiptare dhe diasporë. Ata, po kërkojnë të shkundin qeveritë e papërgjeshme, për indiferentizmin që kanë manifestuar gjithnjë ndaj figurës së madhe të At Gjergj Fishtës. Duhen përgëzuar Nismëtarët në rrjetin social Facebook (1 Milion Shqiptarë Që Shtepia e At Gjergj Fishtës Të Rikonstruktohet), për idenë qëllimmirë të Rilindjes së Poetit të Madh Kombëtar.

Ne s’kemi pse të presim, të behemi një milion vete, për të Ngritur një Qendër të Madhe Kulturore, kushtuar Pader Gjergj Fishtës!?

Kësisoj, secili nga ne, që jeton në diasporë, mund të kontribuojmë me $100 apo më shumë Euro, sipas mundësisë së xhepit secili, për të realizuar një vepër fisnike, nderimi dhe respekti, për identitetin e vetes tonë.

Të presim pambarim sipas shprehjes: “prit gomar, sa t’bahet bari”, sa të bëhen 1 milion shqiptarë (që kanë mendje të ndryshme), ne nuk bëjmë asgjë, veçse vrima në ujë apo vetëm mbesim me fjalë të bukura moralizuese si papagalli: “M’ka que nana me la gojën!”.

Nuk është tashme fjala të rindërtohet shtëpia e tij (pse është jashtë kohës), por duhet të rikonceptohet Një Qendër e Re e Madhe Kulturore Mbarëkombëtare; të blehet tokë me hapësirë të mjaftueshme apo mbi tabanin e kësaj kulle përdhese dhe perreth ndertesës autoktone, mund të Ringrihet Identiteti Ynë Arbëror, ku, për fat të keq, sot streheza e tij fëminore është braktisur deri në përdhunim…

Arkitektet e “huaj”, që jetojnë dhe punojnë nëpër botë dhe kanë përvoj, sëbashku me ekspertët e urbanistikës në vendlindje, kanë mundësi të hapin një konkurs profesional bashkëpunimi, për një projekt serioz dhe ambicioz cilësorë, me disa kate lartësi plot vlera funksionale, duke respektuar traditën.

Aty mund të pranifikohet të ndërtohen disa dhoma apo salla e komode të departamentit të albanologjise, auditore bashkëkohore kumtesash, muzeume moderne, me relike të ndryshme dhe pavione në dy gjuhe shqip-anglisht, një restorant të vetëadministruar nga stafi etj.

Gjithashtu mendoj, se duhet të ketë mirëmbajtës vendas dhe disa cicerone shumë të mirë, të traditës, që të dinë shumë gjuhë të huaja; të ketë numër llogarie bankare të përhershem në vendlindje, për dhurime fondmbledhëse, fotoarkiv, libra të larmishëm dhe dokumente të kontributit të madh të shkollave me ëmër të shquar të Kuvendeve Franceskane dhe Jezuite të Shkodrës, në ndihme të cështjes shqiptare.

Ne, duhet të jemi krenar, për këtë nismë mbarëshqiptare në trojet etnike dhe diasporë, sepse në çdo hap është e gdhendur dukshëm në histori vlera e ndihmës së madhe, për çështjen e mirëfilltë kombëtare të vetë fratit të përvuajtur dhe modest të Shën Françeskut, që ishte dhe mbeti deri sa kaloi në amshim Pader Gjergj Fishta.

Ky mendoj, se është një investim i së ardhmes sonë, per të na treguar ne dhe brezave vijimësinë shqiptare dhe një Falënderim nga zemra, për të gjithë eterit e shquar shpirtëror ndër shekuj, të atdhedashurisë për Fe-Atdhe-Përparim.

Të ngrihet me keto fondmbledhje Biblioteka e librave dhe të gjithë kolana të ndryshme të botimeve shqiptare, për dhe rreth veprës së pavdekshme të Fishtës.

Mendoj, se çdo autor shqiptar apo albanolog i huaj, pa problem, mund të dërgoi 5 kopje librash të poetit kombëtar, (sikurse i dërgohen rregullisht çdo botim i ri Bibliotekës Kombëtare në Tiranë dhe Prishtinë, që kthehen automatikisht në pasuri mbarëkombëtare), të cilat në vite e kohë të ndryshme, i janë përkushtuar At Gjergj Fishtës.

Atë e ka dashur dhe e do sërisht (edhe mbas 74 vjetëve të kalimit në amëshim) çdo brez, që ka jetuar dhe jeton në trojet etnike shqiptare.

Shikoni rastin pozitiv të luftëtarit martir trimit Adem Jashari, sa investime dhe kontribut i madh po jepet nga diaspora, për të rindërtuar (me të drejtë) përkujtimin e veprës se tij  heroike dhe përmes kësaj natyrshëm përkujtohen trimat liridashës deshmor të Dardanisë, të renë për liri e pavarësi ndër shekuj…

Kompleksi i Ri Shumëfunksional, i Qendrës Kulturore Kushtuar Pader Gjergj Fishtës, natyrshëm mund të shërbej si vend peligranazhi atdhedashurie, për ne, që jetojme larg vendlindjes në Perëndim dhe Amerikë.

Kudo në botën e civilizuar qendrat kulturore atdhetare, janë muze origjinale të gjalle ose pasaportat e identitetit tonë arbëror ndër shekuj…

Aty mund të hapen disa panaire libri të përvitshëm, komplekse dyqanesh me suvenire apo produkte kombëtare të markës ‘Made in Albania’ nga çdo zonë dhe krahinë të trojeve etnike shqiptare.

Fishta ynë i papërsëritshëm në histori dhe letërsi, është sot për sot shkrimtari më i përfolur me gojë, por dhe më i lënë në harrese me apo paqëllim, sa askush tjetër. Kështu kolana e veprave të tij, tash 24 vjet asnjëherë nuk është rishtypur, nga kujdesi i qeverive, sikurse disa shkrimtarëve të tjerë. Shtëpia e tij dhe banorët e katundit Fishtë, janë lënë mbas dore, sikurse të ishin nga një planet tjetër. Varfëria dhe prapambetja, janë ulur këmbkryq atje.

Fishta shumëdimensional, ka një të veçantë brilante, se vetëflasin veprat e tij të madhe, dhe s’ka nevoj të flas Fishta, sikurse ndodh rendom sot në media, ku, shkrimtarët vetëintervistohen dhe flasin ‘non stop’, për veten e tyre dhe jo të tjerët për librat e tyre.

E pra, për fat të mirë të historisë së djeshme dhe sotme Fishta respektohet nga të gjithë. Ai  adhurohet, dhe mbahet me krenari identitetit shqiptar fotot e shumta dhe kryevepra “Lahuta e Malcisë”, recitohet me mall nostalgjik poezia e tij atdhetare permendesh, permenden me respekt si shembull brilant fjalimet e tij të zjarrta, me nota shpirti të thekshme patritotizmi, në Konferencën e Paqes në Paris, për çeshtjen thellësisht shqiptare.

Kësisoj, Fishta, është tjetër esencialisht si personalitet i kompletuar një njeri me virtyte positive dhe shembull patriotizmi, meshtarë i përvuajtur, që iu gjend pranë grigjës së vet edhe në momentet më të vështira historike dhe shkrimtarë, i një vlerë dhe cilësie shumë të lartë, mbasi ka hyrë natyrshëm në zemrat dhe familjet eçdo shqiptari, pa dallim feje, krahine e ideje.

Ai, është simboli i shqiptarisë së kulluar, modeli i një njeriu të thjeshtë, të përvuajtur deri në madhështi….

Në Amerikë, bëhen shumë gjëra te bukura positive jo nga Qeveria apo Presidenti Obama, por nga vetë inisiativa e lirë e njerzve të lirë, në një botë të lirë demokratike.

Sot, përmes internetit dhe rrjeteve sociale si Facebook etj., ne mund të komunikojmë dhe bëjme misione atdhedashurie të vlefshme, për vendlindjen, pa pasur nevoj të bëjmë mbledhje rutine të lodhshme dhe stergjata me burokracinë e korruptuar shqiptare.

Këto rrjete po ndryshojnë sot botën dhe po e bejnë atë dhe njerëzimin me transparente, para ngjarjeve dhe fakteve, të cilat shpesh media elektronike e “pavarur” i ka fshehur dhe ka abuzuar me qëllime kompromentimi me qeveritë dhe sistemet e ndryshme.

Eshtë koha për veprim! Të ngrihet grupi i punës me përfaqsues nga gjithë trojet etnike shqiptare dhe diaspora dhe hapet llogaria bankare dhe ne i kalojmë atje ndihmat apo kontributet tona.

Komisioni, duhet të jetë transparent, pa futur hundët apo duart qeveritarët parazitë të babëzitur apo sikurse thotë poeti kombetar:

“Ju rrugaça sallahana  

vagabonda shakllabana,

rriçna t’ndyet, mikrobe të kqi

qi të mjerës moj Shqipni

kthelltë hi i keni në mushkni

pa dhimbë gjakun tuj ia pi,

por der kur, bre batakçi!

Bre coftina, kalbe mbi dhè

der kur ju, tu tallë npër ne,

do t’na qelbi fis e atdhè…”

Fishta, ishte dhe mbeti Poeti Mbarëkombëtar dhe projekti, duhet të ketë këtë ide, vizion dhe dimension, me qëllimin fisnik mbarëkombëtarë, për brezat që do të vijnë.

Pamja e zymtë e medaljes shfaqet para nesh. Eshtë fjala për një shkrimtar tjetër shqiptar gegë, por që nga vëllezërit shqiptarë është lënë në harresë me ose paqëllim.

Shtëpitë e Gurakuqit dhe Fishtës, gradualisht po shemben, për t’ia zhdukur qytetit kultudashës Shkodërlocës gjurmët e identitetit dhe historinë e lavdishme ndër shekuj…

Kështu, poeti i ndjenjave shqiptare At Gjergj Fishta O.F.M. (1870-1940), nuk ka varr, ku, mund t’a përkujtojmë me lule dhe lutje, sepse për eshtrat e tij, nuk u kujdesen asnjë nga qeveritë “demokratike“, duke filluar me komunistët, që i vodhen e hodhën në lum me fanatizëm anadollak mbetjet relike dhe deri tek ato të erës “demokratike”, që drejtojne sot me fjalë të bukura përmes “rilindjes”…

Komunistët dhe postkomunistët, me kostume perëndimore sot, si s’mirëzi ia shkatërruan me heshtje varri shtëpinë, u muduan t’i tjetërsonin historinë, gjurmë të pashlyeshme të lavdisë së perkushtimit ndaj Atdheut, Kuvendin shpirtëror dhe kombëtar, arkivat, antikuaret e rralla me një fond të pasur origjinal, muzeun e parë kombëtar, sepse aty françeskanët e Fishtës strehuan liberatorin e madh Luigj Gurakuqin, për të mos e vrarë kundërshqiptarët, ruajten flamurin e Deciqit dhe eshtrat e Dedë Gjon Lulit, duke i varrosur me respekt, në zemër të Kuvendit; ngritën me mund dhe djersë stacionin e parë meterologjik, muzeun filatelik, bandën e parë muzikore të qytetit, sollën në Shkodër topin e parë dhe hapën sportin popullor të futbollit etj.

Në këtë Kuvend shqiptaresh të kulluar, brez mbas brezi françeskanët nder shekuj realizuan me sukses misionin pranë popullit shqiptar nën moton: “Lutu dhe Puno“, duke bërë që Shqipëria (si vijim i Arbërisë krenare të Gjergj Kastriotit) të mos jetë një lagje e vjetër e Turqisë anadollake…

 

Pse u masakrua Fishta?

 

 ‘’Kontributi i çmueshëm që dha Fishta në laminë e letrave dhe në edukimin e kombit, në ruajtjen e kulturës dhe në naltësimin e e gjuhës, vërtetojnë njëherë e përgjithmonë, se Shqipnija pa Fishtën, kishte për të qenë e mangët, ashtu si letrat tona pa penden fishtjane kishin për të paraqitë nji golle (boshllëk) të paplotsueshme. Këndej del e qartë, se vetëm mënija e vëneri ndaj zhgunit e ndaj meshtarit katolik, terratisin mendjet dhe ia mohojnë Fishtës vlerën e vendin, që ai xen në panteonin e Kombit.’’

Prof. Namik Resuli

Universiteti i Napolit, Itali

 

Pa koment, po ofrojmë pjesë të fjalës së diktatorit të egër komunist dhe ateist Enver Hoxhës, para një grupi të rinjsh, që morën pjesë në Pleniumin e IV të Rinisë Popullore Komuniste.

“… Dashuria e popujve të Jugosllavisë e mareshallit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e madhe.

Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë siç është Jugoallavia….

Po të studjojmë historinë e vërtetë të popullit tonë dhe jo atë të shkruajtur prej agjentëve të imperializmit, do të shohim se populli ynë, pa qenë një popull sllav, ka pasur një lidhje të ngushtë dhe të përzemërt me popujt sllavë.

Kurdoherë, që krerët feudalë të Shqipërisë si Ballshët (Balshajt ‑ shënim) e të tjerë, kanë qenë në aleancë të mirë me sllavët e jugut që kanë pasur përkrahjen e malësorëve…

Çdo gjë e lidhte popullin tonë me sllavët e jugut, jeta zakoni, burrëria, lufta për indipendencën kundër të njejtëve armiq…

Miqësia ka ekzistuar përgjatë shekujve e rrebeshesh në mes të popujve tanë dhe atyre malazezë.

Këtë miqësi nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit dhe i fashizmit italian, shovinisti At Gjergj Fishta, me “Lahutën e Malësisë”, ku ai nga një vepër kusare të thjeshtë, kërkon t’i bëjë apologjinë shovinizmit më të tërbuar dhe ta ngrerë armiqësinë që nuk ka ekzistuar në mes të malësive të veriut dhe Malit të Zi, në një teori të çmendur…

Fishta dhe Vlladan Gjeorgjeviçi janë njerëz të po një shkolle dhe shërbëtorë të një ideje skllavëruese. Populli shqiptar dhe sllavët e jugut, me malazezët e serbët në krye, nuk mendojnë dhe nuk ndiejnë si as si Gjergj Fishta dhe as si Vladan Gjeorgjeviçi.

Poetët popullorë malazezë e serbë kanë shkuar me entuziazëm për trimërinë dhe bujarinë e shqiptarëve. Këngët autentike të malësorëve të Shqipërisë së Veriut, këndojnë anasjelltas trimërinë dhe besnikërinë e malazezëve. Si mund të këndonte populli kësisoj kur ekzistonte një armiqësi siç kërkon ta përshkruajë At Gjergj Fishta e agjentët e tjerë të imperializmit.

Populli shqiptar, ka luftuar së bashku me popujt sllavë të Jugut, kundër Turqisë në Kosovë e gjetkë. Në kohën e Gjon Kastriotit dhe Skënderbeut, ne kemi pasur marrëdhënie të ngushta me këta popuj, ne kemi pasur krushqira dhe aleanca.”

Sulmi dhe lufta, kundër klerit katolik në Shqipëri prej 1944-1990, ka qenë e mirëorganizuar nga sistemi komunist dhe veglat e propagandës, që më pas në vitin e zi 1976, shpalli Shqipërinë si shteti i vetëm ateist në botë.

Në ndihmë të kësaj lufte katastrofike vdekjeprurëse dhe shkatërruese të vlerave kombëtare, një rol të madh kanë luajtur shkrimtarët dhe artistët e numeklaturës komuniste, që për të fituar poste dhe privilegje apo foto me buzëqeshje para apo në krah të diktatorit Hoxha, shkruan dhe përbaltën sistematikisht patriotin dhe shkrimtarin e shquar françeskan At Gjergj Fishtën O.F.M.

Për të parë poetin fisnik, po ofrojmë një shkrim të shkurtër esencial nga dora e tij, që paralajmëron dhe fton lexuesin, përmes rubrikës së botimit të librave të rinj, daljen në dritë të poezive brilante me titull: “Juvenilia”, të shkruar me dashuri dhe përkujdesje ndaj veprës letrare, të kolegut poet dhe patriotin e madh të papërsëritshëm Dom Ndre Mjedën.

“Literaturë shqype

Si e kemi lajmue edhe nji herë tjetër, fort i Nderti Zotni Dom Ndre Mjedja në këto kohët e mbrame, tue herrë lulishtën e Zanave, ka mbledhë e ba tubë do lule të bukura poezie plot njomësi e hijeshi e i quejti “Juvenilia”, nën të cillin emën kuptohen vjershat e kangët e tija të shkrueme në moshë të re.

Prej emnit të përvujtë të të mbledhunit të këtyne kangëve, njeriu s’kishte me pritë se gjenë aty mbrendë nji poezi të naltueshme e vjersha të punueme me zeje. Por puna âsht krejt ndryshe.

Në atë libër ke nji poezi plot ndiesi, nji zeje të pashoqe e nji gjuhë fort të hijshme. Kur ti këndon ato vjersha, të ngjallet menjiherë uzdaja se me gjuhë shqype ka me mujtë dikur me u mëkambë nji literaturë e zgjedhme e e hijshme.

Kur këndon ato kangë, as nëpërmend nuk të kalon me thanë: Jo, kjo âsht gjuha e Shkodrës, ase e Korçës, ase e Elbasanit, por thue: Kjo âsht gjuha shqype.

Në ato kangë, nuk janë shartue mollat me morriza, as lilat me hitha, si me thanë se ajo gjuhë nuk âsht e perbame me fjalë të trillueme mbas qejfit e me hamendje; por âsht e ujdisme me shije estetike e e xjerrme prej gurret të vet të gjallë, që âsht goja e popullit, prej visarit të kombit që âsht literatura e perbame me mund e me kohë.

Prej këtij libri, shifet kjarisht sesa arsye kanë ata që thonë, se gjuhën letrare e ban pupla e letrarve e jo pallavrat e thata. Prandaj na po jau porosisim këte libër gjithë dashamirësve të literaturës kombtare e, sidomos mësueasve e nxanësave të shkollave si fillestare, si të mesme.

E shpresojmë, se shqyptarët, kanë me iu pergjegjë kësaj porosie tonën, psekujtojmë që ata e dijnë, se, kur na flasim mbi Shqypnì a lavdojmë ndonji vepër shqyptare në fletore tonë, atëherë e kemi përnjimend e jo per me shkarravitë leter.

Libri “Juvenilia”, në këto ditë âsht qitë me u shitë e kush don me e ble, t’i sillet Shtypshkrojës Françeskane në Shkoder, tue dërgue çmimin e tij, që âsht tri koronash, si edhe shpenzimet e postës, kush e porositë me postë.” (At Gjergj Fishta, “Posta e Shqypnís”, nr.54, f.3, Shkoder, 22 qershuer 1918).

Ai na paraqitet në harresë të qëllimshme, pra, në një formë të re të vijimit të persekutimit të ri ndaj poetit tonë të madh Fishta, i cili, kësisoj dretjpërdrejtë del i huaj në tokën shqiptare, sepse nuk ka varr dhe shtepi…

Ndërsa Fishta i pagojë, që nuk është ankuar dhe nuk ankohet, s’ka asgjë, përvec veprave, që populli dhe në vecanti malësorët kreshnikë dhe fisnike, pa ditur shkrim dhe këndim, i dinin permendesh dhe këndonin me lahutë e cifteli plot dashuri në odat e burrave me mijëra vargje të ‘Lahutës së Malcis’.

Kujtoj, se aktori i famshëm malësori dukagjinas Ndrek Luca, tronditi të gjithë shqiptarët, në Kuvendin e Motrave Stigmatine në Gjuhadol në Shkodër (në vitin 1991), kur recitoi permendesh për 1 orë pjesë brilante nga “Lahuta e Malcisë”, që ishte dhe mbeti kryevepër mbarëkombëtare e Poetit Kombëtar Fishta…

Homeri shqiptar Pader Gjergj Fishta, është monument kulture dhe atdhedashurie mbarëshqiptare.

“Mënyra me të cilën Fishta u del zot ideve të veta, që janë ide lirie, mbrojtje për tagre të veta, mësimit komtar mbi mbshtetjen e gjuhës komtare, bashkimit të zemrave për qëllime e në veprim për të përtëri popullin shqyptar – ashtë nji mënyrë luftarake, nga nji herë e përcjellme prej nji fuqie të pafrigueshme. Ai këndon në mes të poterës së stuhisë ballkanike, në mes të ngatrresave të fuqive të mëdha, që me një politikë plot dredhi ja mohojnë tagret popujve të vëgjelë; këndon sa i kërcnohet Shqypnisë përmbrenda ndasia e partive, interesat e veçanta, pabesia, korrupsioni e tradhti politike gjithfarësh.”, vlerëson albanologu i shquar italian At Fulvio Cordignano, (Shih ‘Epopeja Komtare’, Shkodër, 1925).

Ne, jemi krenar gjithnjë, se kemi një Pader Gjergj me shpirt brilant, një atdhetar të kulluar dhe të vlerësuar shumë nga zemrat e shumë breznive shqiptare…

 

Filed Under: Analiza Tagged With: At Gjergj Fishta O.F.M., visar shpirtëror i shqiptarëve

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT