Nga Frank Shkreli/
Më 30 dhjetor, 1940 ndërroi jetë At Gjergj Fishta, poeti kombëtar, diplomati i kombit që mbrojti të drejtat e shqiptarëve kudo që shkoi, me një zë dhe me një penë të pashoqe, që pasuroi letërsinë dhe historinë kombëtare të shqiptarëve, të atij kombi siç ka thënë ai vet, “I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrënjeve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.” Kombi shqiptar është sot zot i tokave të veta, jo shumë pak falë veprimtarisë së këtij vigani dhe dashurisë së tij për kombin e vet.
Që të jem i sinqert me lexuesin, unë nuk e kisha në mend ta shënoja këtë përvjetor me ndonjë kujtim modest, pasi unë në të vërtetë nuk kam përgatitjen dhe as nuk e ndjejë veten të denjë dhe as të aftë që të shkruaj për këtë kolos të kombit shqiptar, dhe për më tepër edhe sepse para disa javësh e kisha kujtuar At Gjergj Fishtën me një shkrim në lidhje me lajmin mbi përpjekjet e një bisnizmeni nga Kosova, Sabri Maxhunit dhe disa të tjerëve, të cilët kishin propozuar se do të merrnin mbi vete shpenzimet për restaurimin në shkatërrim e sipër të shtëpisë së At Gjergj Fishtës. Siç duket, ky propozim ka ndeshur në një mos reagim “as po as jo”, ose në një zvarritje burokrate nga autoritetet përkatëse, ose ndoshta në një mos vullnet nga autoritetet e qëndrës dhe ato vendase për të marrë seriozisht propozimin e biznismenit nga Kosova. Ndërkohë që sot lexova në një media shqiptare një lajm të shkurtër se Vatikani më 30 dhjetor paska shënuar përvjetorin e 74 të vdekjes së At Gjergj Fishtës. Thashë me vete, po mirë që Vatikani e kujton këtë përvjetor, po kombi shqiptar, për të cilin Gjergj Fishta i deklaroi Konferencës së Paqës se kombi shqiptar “nuk e ka namin ma të vogël se kombet e tjera të Ballkanit”, çfarë nami ose kujtese po i bën ai këtij këngëtari të kombit në këtë përvjetor, ose në përgjithësi.
Duke menduar me vete, më ra në mend një kryeartikull i Profesor Ernest Koliqit, botuar në revistën e tij Shëjzat e viti 1971, nr.1-3, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës dhe thashë me vete, në vend që të mos thuhet asgjë për të kujtuar këtë pëvjetor të largimit të At Fishtës nga kjo jetë nga të gjallët, atëherë thashë se është më mirë që të lëmë të vdekurit të flasin për të vdekurit, pasi të gjallët nuk çajnë kokën. Si rrjedhim, dhe në mungesë të një shkrimi tjetër në median e gjallë shqiptare i dashur lexues, nëqoftse je i disponuar për të kujtuar At Gjergj Fishtën në këtë 74 vjetor të vdekjes se tij, mundoju pak të lexosh artikullin e Profesor Ernest Koliqit me titull thjeshtë, “Fishta”:
“Besoj se pak poetën në botë pësuen fatin e paradoksal të Gjergj Fishtës. Za i pashoq i mbarë një kombi, interpret gjenial i shpirtit të tij, i mohohet vepra dhe i shlyhet emni nga letërsia, shi prej atij kombi të cilit ia qiti në pah fisnikinë e ia skaliti në vargje të pavdekshme tiparet. Dihet që ky përdhunim historik u krye zyrtarisht, në emën të kombit, nga nji pakicë që shkruen e resitë, vendosë e leçitë pa lejue shumicën me çelë gojë aty ku shtrinë sundimin e vet. Këtë e dijmë, por prap se prap kjo përndjekje morale kundër Kangatarit që ndëgjoi të rrahmet e zemrës së Shqipnisë edhe mati mbi to rrokjet kumbore të poemit të vet, na shtje në kujdes të madh na shqetson kur mendojmë rritjen e breznive të reja dhe na terratisë pamjen e një ardhmënije të denjë për Rilindasit që na dhuruan një atdhe. Sepse mos ta gënjejmë veten me retorikë mburrjesh të shprazta. Në ashtë se themelet e një Shqipnie shqiptare mbështeten mbi trashigiminë shpirtërore që na la De Rada, tre vëllaznit Frashëri, Vaso Pasha e Çajupi, duhet të pohojmë se sot jemi tue ndërtue (ose kujtojmë se diç po ndërtojmë) jashtë atyne themeleve. Eklipsi ose të zanunit e dritës së poezisë fishtjane nuk sjell tjetër veçse muzgun e vlerave fisnore (e këtu fjala fis nuk përdoret në vështrim organizimiesh shoqënore primitive, por si tanësi e nji gjindjeje të nji barku që përbajnë nji komb, nji nacion). Vorrëmihsat e lavdisë së Fishtës ndoshta pa dashtë shkaktojnë zhguljen e popullit shqiptar nga rrajët jetike. Duen të vorrosin Shqipninë e përtrime mbi humus shekulluer të dokeve stërgjyshore për ta zevendsue me nji Shqipni të ndërtueme (mjerisht me shumë flijime të pa arsye) hallagrep e merremerr, mbi parime që s’kanë të bajnë kurrkund me qytetni të vërtetë evropiane – e vetmja që i përshtatet vetive tona ethnike. Synimet e Skënderbeut dhe të Rilindasvet po shkelen. E vërteton ostracizmi i Fishtës nga radhët e poetënve kombëtarë. Poeti i pa fat i ynë. I cili nuk bani gja tjetëtër gjatë stinës së vet njerzore veç me i ndiell Shqinisë fate të lume, lindi me 1871. Na, në botë të lirë ku nuk pengohet me mjete të dhunëshme kulti i shqiptarizmit të njimendtë, e kemi për detyrë pëkujtimin e autorit të Lahutës së Malcisë. Mirë se qofshin t’ardhuna kremtimet e çdo lloji, por mos të lehet mbas dore mënyra e denjë për të nderue Poetin, që bani të nderueshëm gjakun shqiptar. Ajo mënyrë nuk ashtë tjetër veçse leximi i veprave të tij ku vlojnë idhnimet dhe gëzimet tona historike, ku vizatohet me vija vezullore tipi i amshuem i Shqiptarit, ku tregohet rruga që duhet ndjekun për t’u radhitë ndershmënisht përbrij kombeve të përparueme”, kishte përfunduar kryeartikullin e tij Profesor Ernest Koliqi më me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Poetit kombëtar, më 1971.
Siç thashë edhe më lartë, unë nuk e ndjejë veten të kualifikuar, pasi nuk kam përgatitjen të shkruaj për At Gjergj Fishtën, por nuk jam as i denjë që të kujtoj këtë burr të madh të kombit shqiptar. Por, si njeri i thjeshtë me shqetson lënja pas dore e këtij patrioti dhe e veprës së tij nga autoritetet kompetente dhe përgjegjëse. Por nga ana tjetër, megjith shpifjet dhe lënjën pas dore të figurës dhe veprës së madhe të At Gjergj Fishtës nga bashkatdhetarët e tij gjatë dekadave, gjithnjë jam optimist me Aleksandër Xhuvanin i cili me rastin e varrimit të Gjergj Fishtës më 31 dhjetor, 1940, sikurë ta dinte se si do të trajtohej ai pas vdekjes, At Fishta — Xhuvani është shprehur se historia nuk do ta harrojë atë, duke tdeklaruar para arkivolit të Fishtës se, “Nuk jam unë, o burra, i premë sot që të mund të thuri imne për veprën lavdimadhe të At Fishtës. Âsht historija që ka për të zbukurue faqet e saj me emnin zâmath të tij; âsht letërsija e jonë që do të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë Zanat e malevet t’ona, që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime kumbim-randa deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit zâ-ambël të tyne; âsht djelmënija shqiptare që ka për t’u-ushqye e për t’u-vaditë me manën hyjnore të tij; së mramit âsht Shqipnija mbarë, Gegë e Toskë, malsi e qyteta, që do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit rrota, emnin e njenit prej bijvet të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi për gjithë jetën.”
Le të shpresojmë se kjo ditë për të cilën ka folur Aleksandër Xhuvani më 1940 do të vijë eventualisht kur në të gjitha trojet shqiptare, vepra dhe kontributi i figurës së madhe kombëtare At Gjergj Fishtës, do të vendoset aty ku e ka vendin dhe emri i tij do të kujtohet brez pas brezi ndër shqiptarët kudo.
At’ Gjergj Fishta Kolona Vertebrale e Kombit
-Në qytetin e Gencit, françeskanët e “bekum” kishin hapur shkollën e parë Shqipe qysh në vitin 1861/
– Françeskanët e Shqipërisë hapën të parët siparin e Teatrit Kombëtar. Ishte vitit 1890./
– Thuhet se vjershëtori lind, e gojëtari bëhet. E Fishta për një mend kishte lindur poet./
– Viti 1899 qe viti i një ngjarje të veçantë për Fishtën. Bëhet anëtar i Shoqërisë Bashkimi/
– Viti 1900 shënoi për Fishtën pikënisjen e vërtetë letrare./
– At Fishta me natyrshmërinë e rrjedhshmërinë e mendimit, luftoi për ta radhitur Shqipërinë me popujt e Europës/
– Në vitin 1902 Fishta merr drejtimin e shkollës fretnore në Shkodër./
– Si vendosi në rrethana kritike e të vështira Gjuhën Shqipe si gjuhë mësimi/
– Fishta e Gjeçovi themeluan të parën Bibliotekë Shkollore në vitin 1907/
– Dijetari i Austrisë së vjetër Maksimilan Lombertz e paraqet Fishtën si një “poet gjeni”/
– At’ Giuseppe Valentini një erudit e albanalog me formë botërore thotë: “Fishta ka cilësitë e Homerit dhe prirje mikelangjelike/
Mark Topollaj- Kinoregjisor/
Vjeshta e dytë e vitit 1871. Shqipëria ishte nën sundimin Otoman. Binte shi. Familja e Ndok Simon Ndocit në Fishtë të Zadrimës, kishte zbritur nga mallet e Mirditës për një jetë më të mirë. Në mëngjesin e datës 23 tetor, u dëgjuan breshana (pushkë). Kjo familje shtohej me një djalë tjetër. Fshatit ju shtua një armë, famullisë një engjëll. Kombi një Zheni.
At’ Leonardo de Martino një poet italo-shqiptar ishte famullitar në Trashan. Engjëllin e vogël ai e pagëzoi me emrin Zef dhe e lau me ujët e pagëzimit. Ishte shenjë e një profecie hyjnore. Harpa Leonardiane i dha drurin Lahutës fishtiane. U rrit me puthjet e nënës dhe përkëdhelitë e babës. Fretnit françeskan falë inteligjencës së tij e morën nën kujdestarinë e tyre. Në qytetin e Gencit, françeskanët e “bekum” kishin hapur shkollën e parë Shqipe qysh në vitin 1861. E para shkollë popullore shkollë popullore në Shqipëri. Ishte shkolla e të varfërve, e këmbëzbathurve, e të harrumve e fshatarëve. Historianët tanë heshtin. Një heshtje e qëllimtë e trupshme. Një heshtje e diktuar nga kulturua orientale. Politika është mjerane. Në ambientet e kësaj shkolle u shfaq për të parën herë ?Nata e Këshndellave” në gjuhën Shqipe. Një melodramë e përpunuar nga At’ Leonardo de Martino. Historianët heshtin pse nuk duan të pranojnë se Françeskanët e Shqipërisë hapën të parët siparin e Teatrit Kombëtar. Ishte vitit 1890. Dhjetë vjet më vonë Kolegji Soveriana e Etërve Jezuit filloi aktivitetin e vet Teatral. Pra gjuha Shqipe po flet Françeskan e Jezuit po ndezin zemrat e të rinjve që është fryti i gjenisë së racës Arbënore.
Pikërisht këtë vit Kuvendi i Fretënve i Troshanit hapi për të parën herë Kolegjin Françeskan Shqiptar nga At’ Martini nga Palmanova e At’ Gianpiero nga Bergoma. Zefi i vogël ishte ndër të parët.
Thuhet se vjershëtori lind, e gojëtari bëhet
Thuhet se vjershëtori lind, e gojëtari bëhet. E Fishta për një mend kishte lind poet. Edukimin fetar e mori njëkohësisht me edukimin e dashurisë për Atdheun. Aty ku ishte frati, aty ishte flaka e ungjillit, vatra e kulturës dhe pishtari i atdhedashurisë. Në moshën 23-vjeçare në Kishën e Trashanit dha meshën e parë. Akti i këtij djaloshi ishte i jashtëzakonshëm. Në gëzimin e kësaj feste në Trashan ishin dhe fshatrat për rreth. Kishin ardhur edhe nga Mirdita. Një festë që po i kushtohej Zotit, gjuhës Shqipe e Kombit. Në mes njerëzve, bariu i ri hetoi vetitë shpirtërore të një race të virgjër e të vendosur. Shijoi gjuhën e gjallë të maleve dhe kuptimin e plotë të së folmes me frazeologji të pasur. Gjeniu i ardhshëm hetoi hapësirën letrare të rapsodisë Ilire. Ndjenjat popullore e gjuha e shpirtit shqiptar po priste Homerin e vet, ta ujdis kangën në harkun e lahutës. Poetit të ardhmes i dha zemër visar i rujtur gjuhësor i cili ishte barometri i shprehjes së dashnisë kombëtare.
Viti 1899 qe viti i një ngjarje të veçantë për Fishtën. Edit Durham ka respekt të veçantë
Bëhet anëtar i Shoqërisë Bashkimi. Kjo shoqëri u themelua nga fort i përmenduri Imzot Prend Doçi abat i Mirditës. Ky ishte mendjezgjuar, i pajisur me një kulturë të gjanë e me zotnime gjuhësh të huaja. Kishte përvojë jete dhe i pajisur me një personalitet me parashikime të sakta e me ndjenja fetare e politike të hapura. Edit Durham thotë për Abatin e Mirditës: “Ishte fort i mençur, me një kulturë të gjerë e me plane të madhnueshme. Ishte një nacionalist shqiptar me largpamësi në botëkuptimin Europian ishte i kuptueshëm. Shpirti i tij organizativ i dha mundësi të mbledhë rreth vetes ajkën e personaliteteve të vendit. At Gjergj Fishta menjëherë u bë dora e djathtë e këtij njeriu të shndritshëm. Nuk ju nda në të gjitha iniciativat letrare e politike duke zanë fill nga Abetaria e Gjuhës Shqipe. Kjo abetare është ajo që ne flasim sot e mot.
Viti 1900 shënoi për Fishtën pikënisjen e vërtetë letrare
Pak ma vonë na befason me satirën e hollë, i cili e vendos mendimin në kuptimin artistik të fjalës. Aftësia e tij bëri që të cilësohet si një nga shkrimtarët e satirës me vlera europiane. Fishta me punë të jashtëzakonshme i bindi shqiptarët se në letrat shqipe është ma i mirë dhe i shumëtrajtueshëm. Harmonia specifike në mes temave të trajtuara, gjensia kohore dhe përsëritja e historisë në kontekstin kombëtar është një angazhim shembullor i Fishtës. Ky zheni konsiderohet shtylla vertebrale e kombit të ri Shqiptar. Në fushën e publicistikës ky vigan krijoi aktin politik me përmasat e njohjes së Shqipërisë nga zonja e vjetër.
At’ Fishta luftoi për ta radhitur Shqipërinë me popujt e Europës
Ndërlikimet historike Shqipërinë e shkëputën nga Europa por At Fishta me natyrshmërinë e rrjedhshmërinë e mendimit, luftoi për ta radhitur Shqipërinë me popujt e Europës. Ai ngriti në art elementin e qenësishëm të kulturës, të bazuar në fakte historike. Kundra Shovinzimit ballkanik ai mbajti një qëndrim të prerë e sarkastik. Çdo orë poeti bëhej fli me fratin, frati për atdheun e atdheu rraskapitej për të pas gojëtarin, dramaturgun, regjisorin, publicistin….sepse Shqipëria kishte nevojë për të gjitha. Sfidat dhe liritë e arsimit kombëtar kanë ngjashmëri dhe vazhdimësi me vendet e tjera. Kjo do të thotë se nga mot jemi pjesë përbërëse e kontinentit të vjetër.
Në vitin 1902 Fishta merr drejtimin e shkollës fretnore në Shkodër
Këtu, Ai mori një veprim ma me rëndësi për arsimin e kulturën shqiptare. Ai vendosi në rrethana kritike e të vështira Gjuhën Shqipe si gjuhë mësimi. Asnjëherë nuk ju përmend kjo iniciativë Fishtës gjatë anatemimit të tij të gjatë dhe u përdor heshtja e cila është më e rëndë se vrasja. Historiografia shqiptare është një mashtruese e vërtetë, ajo përsëri hesht.
– Fishta e Gjeçovi themeluan të parën Bibliotekë Shkollore në vitin 1907
Ata heshtin edhe për faktin se ishte Fishta e Gjeçovi që themeluan të parën Bibliotekë Shkollore në vitin 1907. Karakteri polemizues i Fishtës është se ai hartoi apologjinë Shqiptare me terminologjinë e Shovinizmit ballkanik që deformonin embrionin e së drejtës së shqiptarëve për mëvetësi.
Gjeniu i letrave shqipe ishte një njohës i shkëlqyer i frymëzimit popullor, i cili në veprat e tij solli qarkullimin e vlera të qytetërimit duke e shpreh cilësitë estetike të popullit të vet. Këtij populli i cili është mbështetur mbi ligjet e veta shoqërore e historike dhe mbi vlerat estetike nuk mund ti mohohet vetëvendosja dhe legjitimi i pavarësisë. Ky korife i racës ka shprehur haptazi të vërtetën e heshtur dhe asnjëherë nuk bëri tërheqje taktike përballë absurditetit të politikës europiane.
“Diplomacia e Europës thotë ai: nuk ka nder e burrni, është vet faqja e zezë, e marrja, e turpi i gjithë njerëzimit”.
Jemi në vitin 1908. Një nëntor
Është data historike e Kongresit të Manastirit. Këtu është bashkuar ajka e Shqipërisë letrare. Fishta dhe përfaqësuesit e Shoqërisë “Bashkimi” ishin prezent. Ai nuk ishte aty për të detyruar të tjerët që të pranojnë Alfabetin e Abatit të Mirditës Prend Doçi, por për të shkoqitur çështjen dhe për të gjetur një rrugë të mesme në dobi të gjuhës e të shqiptarëve që të bashkohemi. Fjala plotë kuptim, logjika dhe oratoria e françeskanit nga Shkodra e bani të dallohej prej të tjerëve dhe në këtë mjedis mundësoi që nga 52 anëtar të Kongresit 49-të të votojnë Alfabetin e hartuar nga Prend Doçi Abati i Mirditës. Qe një triumf i kapacitetit individual të oratorisë Fishtiane dhe të vërtetësisë shkencore të Alfabetit që fëmijët tanë mësojnë sot. Abati Prend Doçi i Gjergj Fishtës në bashkëpunim me korifenjtë e tjerë të racës përbëjnë Kostehrecionin e Harushës së Madhe në qiellin e Veriut Shqiptar. Por nuk duhet të harrojmë se në pesë dekadat e zymta të Utopisë Komuniste, mbi figurën e Viganit të letrave Shqipe është hedh shumë pluhur. Mospërfillja dhe harresa vazhdojnë edhe sot. Kultura e menisë orientale ka hedhur të keqen për të deformuar keqas shtatoren e tij madhështore. Edhe pse njerëzit e shquar të botës e kanë vendosur krah për krah me Homerin.
Dijetari i Austrisë së vjetër Maksimilan Lombertz e paraqet Fishtën si një “poet gjeni”.
Ky mendim është shpreh në raportin e botuar në Anzeiger, Organ i Akademisë Perandorake të Shkencave Vjeneze.
At’ Giuseppe Valentini një erudit e albanolog me formë botërore thotë: “Fishta ka cilësitë e Homerit dhe prirje mikelangjelike, ose ma përpiktas ai është në analogji propocionale me të. Dy vepra Iliada dhe Lahuta e Malësisë po të ishin dy piktura do ti vinin në të njëjtën dhomë galeria përballë njëra-tjetrës duke mohuar prerazi se njëra është kopje e tjetrit. Kjo analogji proporcionale nuk e vendos nxënësin në një shkallë ma të ulët se mjeshtrin, apo si një shtojcë, por baras me të. Janë shumë figura letrare të botës dhe shqiptare me mendimet e shprehura, se forca e mendjes së tij e ka vendos në volumin e një gjeniu si Homerin tek kryevepra e tij Iliada.
Ky është pra Fishta i madh. kur u nis për në Francë bashkë me Imzot Bumçin u ndaluan në Romë. Këtu u pritën nga Papa Benedikti i XV-të. Me këtë Papë Shqipëria ndjeu shpëtimin e Korçës dhe Gjirokastrës. Sipas akordit, Titon-Venizelos këto dy qytete do ti lëshoheshin Greqisë. Të parën ditë të Janarit të vitit 1920 Papa tha: “Kam me ba ç’ka të mundem për me e ndihmuar Shqipërinë”. Mbasi morëm bekimin e Papës Benedikti i XV-të u nisën për Paris në Konferencën e Paqes. Në këtë Konferencë u mbajt një fjalim madhështor i përgatitur nga At Gjergj Fishta dhe i ligjëruar nga Imzot Bumçi. Do të citoj vetëm hyrjen. “Prej brigjeve gjimuse t’Euksinit e me borë të amshume të Alpeve Julje, prej bigave bubulluse t’Akrokeraunve e Karmat të thepisurave të Karpateve, ende të rime me gjak njeriu, n’atë Kavaljetet e kalume, të vjetra, banonte ajo familje e madhe thrako-ilire me nam e në za në historinë e fiseve e të kombeve”.
Ky është edhe sot një shembull oratoria ciceroniane i veshur me kostumin Arbënor.
Një person me pseudonimin Ilirias parashtron idenë se katolikët nuk përkojnë me çështjet e ndryshme kombëtare. Kundër përgjigjia e Fishtës artikullusit të “Shpnesës” është një prej apologjive më të frymëzuara në botën e Kulturës Shqiptare.
Euridicioni argumentues i shkrimtarit i jep klerit katolik dhe çështjes Shqiptare vlera të pa krahasueshme me modelin e një retorike të lartë. Aktiviteti i tij politik e artistik është i përmasave të mëdha.
Anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të poetëve. Lahuta e Malësisë u vlerësua si degë e pavdekshme e blerimeve Olimpike
Ai u gëzua për pranimin e tij si anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të poetëve. Organizat kjo e themeluar në Nju Jork ku përfaqësoheshin nga 60 kombe të botës. Kryevepra e tij Lahutën e Malësisë e varshin në degë të pavdekshme të blerimeve Olimpike.
Ata që ndoshta se dinin se ku gjendej Shqipëria gjeografike tani e dinin se në këtë vend të panjohur ishte e ligjëronte me artin e hyjnive një poet, një shkrimtar, një Homer modern i cili këndon në gjuhën e përbashkët të zemrës e ndjenjave të njerëzimit.
Në vitin 1937 u bë publikimi definitiv i “Lahutës së malsisë”, kryevepra e letërsisë Kombëtare me përmasa botërore.
Lufta Ruso-Turke dhe Cari i Rusisë kundër Shqipërisë
Lufta Ruso-Turke e ligështoi portën e lartë. Popujt e ballkanit e kishin fituar pavarësinë. Shqiptarët e gjetën të vetmuar. Mendojnë edhe ata të fitojnë lirinë por u ndeshën me një armik të ri. Cari i Rusisë i shtyn sllavët e jugut për ta gërvisht Shqipninë.
At Gjergj Fishta ky burrë i ditur i devotshëm për fe e atdhe e studion madhështinë e kombit të vet nëpërmjet historisë. Parabola njerëzore e këtij talenti me famë botërore shënoi faqen më të lartë të lavdisë tonë. Por tragjedia e Shekullit të kaluar ishte e dhunshme dhe i lodhi shqiptarët. Fuqitë e mëdha e detyrojnë Turqinë që të lëshojë trojet shqiptare sllavëve të jugut dhe Greqisë. Por poeti i madh një personalitet poliedrik e kishte kuptuar se heroizmi i shqiptarit është poezi dashurie. Filloi punën me Lahutën e Malsisë. Ai krijoi një vepër momentale. Në brendësinë e saj ka një humanizëm sublime dhe emocionet janë prekëse e rrënqethëse. Vepra ka një shtrirje të ngjarjeve e problemeve universal në kufirin e një vendi që po e zvogëlon çdo ditë. Kush e lexon dhe e studion veprën e tij, ajo të le shenjën e përjetësisë.
Poeti është i shqetësuar për fatet e kombit. E thërret zanën e malit dhe bisedon me të.
“Hej moj Zanë! Si të duket ty? A thue se unë do ta arrij me pa rreth flamurit Kuq e Zi e kanë me u ba bashkë Geg e Toskë me derdh gjakun për Shqipëni”.
Kultura e pushtuesit oriental penetroi në jetën tonë dhe la gjurmë dëshpërimi si personazhi i Faustit. U krijua një ankth malli i harruar. Aftësia patriotike e humbi origjinën dhe krijoi tension në mes dëshirës e mos dëshriës dhe shënoi debolesën mentale.
Shqipërinë e zuni nata. E nata ringjalli të gjitha principet kozmike. Fëmijët e saj janë qielli e toka, gjumi e vdekja. Pashë njat zot këtë copë tokë e këtë copë qiell pse doni me na e marr, e kujt doni me ja dhanë?
Të vdekurit që popullojnë mbretërinë e natës i dhanë shkas të lëvizë ritmin e gjakut Shqiptar dhe i drejtohet Europës!….
– uh! Europ kurva e motit
që i ra mohit besës së zotit
po, aky a sheji i qytetërimit
me da tokat e Shqipnisë
për me mbaj këlyshët rusis.
Frymëzimi hyjnor në ndërtimin e shtatores kombëtare, krjoi epopen e një populli të lodhur nga pushtimet e një pasnjishme. Misteri i personalitetit të tij është se ai këndoi shqip. Këngët e tija janë erë e tokës, janë ngjyra qiellore, janë gurgullima e lumenjve dhe fërshëllima e pyllit. Por pushtimet vazhdojnë!
7 prill i vitit 1939. Italia fashiste e pushtoj Shqipërinë.
Shpata e fashizmi kishte për anëtar Musolinin dhe Konti Çiano. Kërkonin italizmin e Shqiptarëve. Më 12 prill përfaqësuesit e 10 prefekturave të Shqipërisë u thirrën në Tiranë për të legalizuar etikën pushtuese dhe për ti venë vulën robërisë me lirinë. Në dhjetë prefekturat e Shqipërisë vetëm ajo e Shkodrës protestoi. Komisioni ishte i përbërë nga katolikët. Padre Anton Arapi një nga korifejt e racës e ngriti zërin kundra okupacionit fashist Italian, ashtu qartë dhe pa kompromis Ai u tha: “Ju s’keni vend këtu. Ne kërkojmë Indipendencë absolute të Shqipërisë me flamurin e vet të pa prekur. Administrata shtetërore e shkollat dhe gjuhën shqipe nuk pranon cënim. Ushtria e jonë dhe përfaqësues para shteteve të huaja, do të jetë si një komb Sovran dhe i pavarur”.
O Zot na thuaj çfarë duhet bërë më shumë për vendin tënd? Padre Anton Arapi me kryyelartësinë e racës e kundërshtoi drejt për së drejti okupacionin fashist. Kurse të heshturit u bënë heroj. Padre Anton Arapi në vitin 1946 komunistat e pushkatuan si tradhëtar. I pushkatuan dhe i burgosën të gjithë klerinë katolike.
Mizorinë komuniste nuk arriti me epa poeti ynë i madh por ai e kishte parashikuar duke e ngrit tonet e madhërishme heroike, në përfytyrimet e papërsëritshme të burimeve njerëzore. Ndërthyrjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin pamsllav e ka theksuar tek lahuta Malsisë.
Homeri shqiptar i vrullshëm në ashpërsim e stilit, i fuqishëm në mendimin filozofik e dramatic e ka bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Geten e Danten Aligerin.
Në mbarimin e vitit 1940 e ndjente vehten të lodhur. Due me shkue në Fishtë në vendlindjen time thotë Padre Gjeri. Më ka marr malli me pa varret e njerzve të mi. due të pushoj pak në atë vend vaji. Diçka parandiente. As me shkrue nuk mundet ma.
Këtu nana më ka përkundur në djepin e drujtë dhe më ushqej me gjinin e saj.
Ndarja nga jeta
Ishte dimër, dhjetor. Më 10 të këtij muaji ai u sëmur. Gjithnjë e po keqësohet. E çuan në Shkodër. Binte borë, ftohtë. Murlani po i përzinte flokët e borës në drejtime të paditura. Sëmundja po i rëndohej. Shkodra me çati të zbardhura e rrugë të përbaltura mori lajmin e hidhur në orën 0.45 të datës 30 dhjetor të vitit 1940. Gjeniu i kombit u shua. Dielli në mëngjezin e kësaj dite nuk u pa. binte dhe binte borë. Shqipëria e përlotur mbeti jetime. Në Gjuhadolin e fretnve shkodranët e varrosën me dnerime të mëdha. Veprat e tij kanë pavdekësinë, çdo varg është një temë dhe çdo temë komenton heroikën dhe vitalitetin e racës për rigjenerim. Ai krijoi shqiptimin e ndërgjegjes kombëtare. Ky ishte biri i polemit shqiptar me një personalitet të shumaanshëm dhe i papërsëritshëm. Shpirti poliedrik i Fishtës zbuloi në botën e artit sekretin e fuqisë epike. Ky gjeni edhe me një plis dheu krijonte kombin. Ai ishte kryengritës, burrënor, i ushqyer si rrënjët e lisave nga toka nënë. Në fushën e satirës vraponte me Molierin. Bota At Gjergj Fishtën e kanë quajtur Homeri i ri. Nuk duhet të jetë krahasuar në letërsinë europiane ndonjë shkrimtar apo poet me Homerin. Fishta po. Për respektin e Lahutës së Malsisë që krahasohet me Iliadën e Homerit. Fishta quhej edhe TIRTEU i SHQIPNISË. Në veprën e tij ritmi i gjakut të shqiptarëve pasqyrohet fytyra e kreshnikëve. Ky i takon pavdekësisë si një vigan i racës që lëshoi kushtrimin për mbrojtjen e tokës arbënore. Në luftë për drejtësi njerëzore u ba Orfeu i Shqipërisë. Me mprehtësinë Horaciane ai ishte një zë vuajtjesh e fatkeqësish dhe u bë Apostull i Lirisë. Gjergj Fishta ka zenë vend përkrah Gjergj Kastriotit. Dy emra të njëjtë në një flamur të vetëm.
Trupi i tij u kthye në dhe Shqipërie.
SHQIPTARËT JANË NJË NË TROJET E VETA
Nga Frank Shkreli/
“Prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej brigjeve bubulluese të Ekrakeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpatëve, ende të rime me gjak njeriu, në ato shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve. Sot kjo familje asht shue. Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përbrenda gërmazave të pangishëm të vorbujve të historisë, e kështu nuk mundi ma, ç’më atë ditë kur Gentiusi, mbreti i mbramë i ilirëve, më 168 para Krishtit, ndriti triumfin e Lucë Emil Palit për me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme. Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë dhe Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në bregore të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët kishin zanë vend ose mbas mburojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave pjellore dhe plot jetë, banesë e përmallshme e hyjnive të moshës përrallëzore. Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qëndrese, ende këta e flasin atë gjuhë të të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejnë të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshëve të vet dhe sot ata gjithnji e punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të parët e tyne prehistorikë. Ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrënjëve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.”
Nga fjalimi i At Gjergj Fishtës mbajtur në Konferencën e Paqës në Paris – 1919
Shkas për këtë shkrim u bë një artikull që lexova në faqen e internetit të Agjencisë së lajmeve INA, me qendër në Shkup. Redaksia e INA-së me të drejtë ankohet për një problem që e quan aktual, por në të vërtetë është një problem i vjetër dhe i vazhdueshëm. Por, për më tepër, është një fenomen shqetsues edhe për nga fakti se ka mbijetuar në median shqiptare, dhe që në të vërtetë është një çpikje dhe shpifje e politikës dhe medias anti-shqiptare të fqinjve, ç’prej shekullit të kaluar, kur Shqiptarët në trojet e veta në ish-Jugosllavi, cilësoheshin me lloj-lloj epitetesh fyese për t’i dalluar ata nga “Shqiptarët e vërtetë” të Shqipërisë së cunguar, në përputhje me zbatimin e strategjisë politikës sllave se shqiptarët nën ish-Jugosllavi nuk janë aty në trojet e veta, por të ardhur.
Agjencia Ina specifikisht ankohet ndaj disa “mediave në Shqipëri, që vazhdojnë t’i quajnë Shqiptarët e Maqedonisë si shqiptaro-maqedonas”, duke shkruar se epitete të tilla, “përbëjnë një skandal”. Ajo citon profesorin e Universitetit të Shkupit, Avzi Mustafa, i cili shpreh zemërimin e tij ndaj këtij fenomeni në median shqiptare duke thënë se,
“Duhet të ndërpriten emërtimet e tilla. Sepse me këto emërtime ata na llogarisin se ne jemi si emigrantë apo diasporë në Maqedoni. Shqiptarët e Maqedonisë janë autoktonë dhe duhet të llogariten ashtu siç janë, e jo të emërtohen ashtu siç është praktikë në mediat e Shqipërisë, si maqedonas apo shqiptaro -maqedonas. Në kontekstin gjeografik nëse duhet të përdoret, atëherë le të përdoret ajo që u takon shqiptarëve, dhe të quhen shqiptarë të Shqipërisë Lindore. Por, do të ishte më e drejtë që shqiptarët që jetojnë në Maqedoni të thirren shqiptarë të Maqedonisë”, u shpreh për Agjencinë INA, Profesori i Albanologjisë në Universitetin e Shkupit, Avzi Mustafa. “Ne jemi një komb, kemi një identitet shqiptar dhe nuk dallojmë me shqiptarët në Shqipëri, ndërsa dallojmë shumë nga maqedonasit”, tha në deklaratën e tij për INA-n, Profesori Mustafa.
Agjencia INA njofton gjithashtu se me nismën e saj, një grup intelektualësh së shpejti do i drejtojë një peticion mediave, institucioneve dhe udhëheqësve më të lartë të Shqipërisë me qëllim që të, ”ndërpriten së përdoruri emërtime të tilla shpifëse ndaj shqiptarëve të Maqedonisë.” Naser Pajaziti, njëri ndër drejtuesit e Agjencisë së lajmeve INA deklaroi në lidhje me këtë nismë se, “Qëllimi ynë është që të ndërpriten praktika të tillë, sepse konsiderohen si fyese dhe denigruese për çdo shqiptar në Maqedoni. Me këtë fushatë kërkojmë mbështetje nga mediat, intelektualët shqiptarë dhe institucionet që të ndërpritet emërtimi i tillë i shpifur”, u shpreh Naser Pajaziti, i agjencisë INA.
Kjo nismë e Agjencisë INA meriton mbështetjen e të gjithëve, si një çështje prioritare, sidomos të përfaqsuesve të medias por edhe të gjitha enteve politike, akademike dhe kulturore, anë e mbanë trojeve shqiptare, pasi ky nuk është vetëm një problem për shqiptarët në trojet e tyre në Maqedoni, por për të gjithë shqiptarët kudo, përfshirë shqiptarët në Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore, ndaj të cilëve janë përdorur epitete shpifëse e denigruese. Nuk ka të falur që media shqiptare të bie pre e përdorimit të këtyre epiteteve kur shkruan për shqiptarët në trojet e veta.
Mediat dhe politika sllave që i kanë çpikur këto epitete fyese ndaj shqiptarëve, i kanë përdorur dhe vazhdojnë t’i përdorin për qëllime të caktuara politike dhe gjeopolitike. Por, këtë nuk duhet ta bëjnë media dhe politika shqiptare. Në përpjekje për të përçarë e sunduar, politika sllave i përcaktonte shqiptarët që jetonin në trojet e veta në ish-Jugosllavi, me termin denigrues “shiptari” ose me epitetin edhe më denigrues, “shiftari”, për t’i dalluar ata nga shqiptarët e Shqipërisë, termi sllav për të cilët është “albanci”. Qëllimi i kësaj politike shekullore anti-shqiptare nga fqinjtë ishte që të zhdukeshin gjurmët e karakterit të kombit shqiptar në tokat e pushtuara prej tyre, siç ka thënë edhe At Gjergj Fishta në Konferencën e Paqës në Paris pothuaj 100-vjetë më parë është, “për të vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën shqiptare në ato krahina për me mujt me i thanë mandej Konferencës së Paqës se atje nuk ka shqiptarë. Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë: “Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant.” Pra, sa ta kenë shkretnue vendin, do të venë mandej paqën”.
Prandaj, gjithnjë sipas Fishtës në të njëjtin fjalim, pasi “shka merr prej Mitrovice e poshtë, asht krejt shqiptare” si e tillë atëherë, të gjithë shqiptarët kudo, sidomos brenda kufijve të vetë etnikë dhe gjeografikë, duhet të përdorin parime të njëjta drejtshkrimore në lidhje me përcaktime të tilla në media, por edhe në prononcime e deklarata politike, si një ndërmarrje kjo e pandashme e ndërgjegjes dhe e identitetit të përbashkët kombëtar.
1914…100 VJET MA PARË…NJË GJAMË DËSHPËRIMI
Ne Foto: At Gjergj Fishta OFM (Grafikë nga FRadovani 2010)/
NJË GJAMË DËSHPËRIMI/
Nga At Gjergj FISHTA OFM/
Mbaroi Malcija! Lekë ma sot nuk ka; /
Nuk ka ma burra, qi, me drrasë t’ krahnorit/
Mburojë me i ndêjë Shqypnis. Anmiku shkjá/
Mbas sodit s’ ka pse dron mâ prej Malcorit:/
Malcori asht thye; e, i dbuem ai me trathti,/
Pa Atme sot ka mbetë, pa plang, pa shpi!/
2. N’ shpi t’ tij, po, djepat asht tu’ i lkundun shkina;/
Arën e tij asht shkjau tu’ e lavrue,
E ushtari i Malit t’ Zi ‘dhè, kualt stervina
Per ata Kryqa t’ bekuem i ka pengue,
Nen t’ cillët pushojn, heu! Njata trima – rrfé
Qi bindën shekllin tue luftue p’r Atdhé.
3. O natë e kobshme! Natë tri herë mizore,
Natë e mnershme, si nata e fundit t’ ferrit,
Pse ti shtekun ia çile ushtris gjaksore,
Qi, strukë nen t’ zezen mblojë trathtare t’ territ,
Burrat e dheut do t’ xêtê n’ gjumë pështetun,
Porsi n’ strofull luani xêhêt fjetun?!…
4. E ju, ‘dhè hyj t’ shkelzyeshem, qi pre’ Empirit
Përmallshem tue fërfllue me dritë t’ kullueme,
Porsi sy Zotit, vreni m’ sharte t’ nirit,
Ju, edhe ketë kob e ketë dhuni t’ shemtueme
E kini pa tu’ ndodhë n’ mjedis t’ njerzimit,
E me gjith kta nuk jeni shkimë mjerimit?…
5. Po a kjo asht e Drejta, qi n’ ketë shekull fiset
E popujt rregullon e i mban ndër caqe?
Anmikut t’ njimijë vjetve me i lshue viset
Sa herë t’ perligjuna me luftë e gjaqe….
Mallkue kjoftë hera, n’ t’ cillen shkjau pik’ s’ parit
Vuni kambën dhunuese m’ tokë t’ Shqyptarit,
6..E mallkue kjoftë Evropa! Até e vraftë Zoti,
E e shoftë me fise, popuj e qytete;
Edhè premtoftë qi, dersa t’ endet moti,
Kurr lufta mos iu daftë per tokë e dete;
Selit e saja grimë me grimë u theshin;
Me gjak t’ popujvet t’ vet sunduest iu ushqeshin.
7. Pse krahët pa dhimbë Shqypnis kshtu me ia thye
E prej Lirijet me ia ndalun hovin?
Gopsija e kùj n’ Malci ka mujtë m’ u ushqye?
Po a Hoti e Gruda mund t’ a mbajn Moskovin?
Nuk duhet, jo, qi t’ mkambet Shqyptarija:
Qé pse po i lshohet Malit t’ Zi Malcija.
8. O gjak i atyne burrave fatosa,
Qi per Liri t’ Malcis kullove rrkajë,
Vlo, vlo, ti sot qi maleve u erdh sosa,
E para fronit t’ Perendis me vajë
Lyp gjyq mbi do Kaina t’ kunoruem,
T’ cillët kombin t’ onë po duen me e pa t’ sharruem!
9..Me parsme tona n’ ata t’ hershmet mota
Mburojë iu bam Evropës, pa dijtë shk’ asht tuta,
Atëbotë, kur pallen Skanderbeg Kastriota
Siellte si rrfeja, e permbi shtroje t’ buta
U dridhte nji Sulltan, qi njaso here
Bante m’u dridhë boten mbarë prej mnere.
10. Po, na tue dredhun si dragoj çelikun,
Shtekun me kurma Shqyptarësh ia xume
Tartarit, e pre’ Evropet larg rrezikun
Per disa kohë e mbajtëm: e poshtnume
Por kurr Evropa n’ ndihmë nji ushtar s’ na nisi;
Kurr punët mbas fjalvet, qi na dha, s’ ujdisi.
11. E kur per pesqind vjet na nder veriga
Ngelem t’ robnis, nen themer t’ huej tue kja,
E ‘i mijë dhuni mbi né e ‘i mijë punë t’ liga
Na reshte anmiku, tue na nxitë pa da,
N’ harresë Evropa edhe m’ atëherë na qiti
E doren kurr ajo n’ kob t’onë s’ na ngjiti.
12. Por, ani, jeta pse sa u nis me u endun,
Ndera mbi shekull dhunë gjithmonë asht kthye,
E t’ miren nieri kurr s’ t’ a ka permendun,
Sa t’ keqen punë me t’ cillen t’a keshë fye;
Si edhè ma t ’shumen, miq s’ gjen nieri i shkretë,
Kur skami e kobi t’a ket mblue n’ ketë jetë.
13. Veç sot pse Evropa, sot qi asht t’ gjith uzdaja
Se Shqyptarija e Lirë del zojë n’ vetveti,
Pse sot Evropa, – do Mbretni të Mdhaja –
Duen me e ngushtue kah toka edhe kah deti,
E m’ vende t’ ona duen qi shkjau të shklasë
E fisi i Shqypëtarit n’ dhé t’ humbasë?
14. O Zot i lum, qi vetem n’ dorë Ti i kè
Shartet e popujve e mbretnive t’ tana,
E gja pa hiri kurr Ty s’ t’ ndodhë mbi dhé,
As nalt mbi qiellë, ku shndrisin dielli e hana,
Deh! Ti, i Pushtetshëm heret si né e vona,
Shih e gjyko mbi gjith kto kobet t’ona.
Shkoder 1914.
Komenti u përgatitë nga At Viktor Volaj, në vitin 1941, botue me titull“Lirikat”.
Me 16 Prill 1914, natën pa hanë, Mali i Zi sulmon Hotin e Grudën, tue djegë, plaçkitë e tue krye gjithfarë përdhunimesh. Zana e idhtë e Poetit shpërthen atëherë furishëm kundër anmikut jetik dhe kundër Evropës së padrejtë. Asht nji ndër ma të fuqishmet lirika të Fishtës.
U botue herën e parë në “Hylli i Dritës”, Maji 1914.
1.Mbaroi Malcija!…: Malësia e Madhe, e cilla shpesh përdoret edhe pa mbiemën.
Megjithse Malazezët nuk pushtuen tjetër zonë veç Hotin e Grudën, me të drejtë Poeti thotë se humbi Malësia, pse Hoti e Gruda janë bajrakët e parë në Malësi e Hoti prini ndër lufta. – Lekë: Kështu thirrën malësorët e Malësisë së Madhe. – me drrasë t’krahnorit: me parzëm; Drrasa e krahnorit asht pjesa e krahnorit ku lidhen brinjtë. – Anmiku shkja…s’ka pse dron: Malësorët ishin kurdoherë nji pritë e fortë kundër sllavëve qi donin të pushtonin Shqipninë. – i dbuem: i karmuem, i qitun jashtë; – pa plang pa shtëpi: pa truell pa strehë banimi. Në këte rasë 575 shtëpi të Hotit e Grudës ikën e lanë vendet e veta, për mos me jetue nën sllavë. Këto dyndje janë kenë të vazhdueshme edhe ma vonë.
2. lkundun: përkundun. – tue lavrue: tue e thye, tue e punue tokën. – pengue: lidhë. – Qi bindën shekullin…: Të cillët çuditën mbarë botën tue luftue në vitët 1911-1912 kundër Turqve të Rinjë.
3. strukë nen t’zezen mblojë trathtare t’territ: Me 16 prill natën, Mali i Zi rrethoi Malësinë me 12 bataljone, tue i gjetë Malësorët në befasi. Poeti i krahason me luanin e xanun në strofull fjetë.
4. t’shkelzyeshem: t’shkelqyeshëm, vezulluesa. – pre’ Empirit: pjesa ma e naltë e qiellit. – permallshem: mallëngjyeshem. – tue ferfllue: tue vezullue, tue shndritë. – vreni m’sharte t’nierit: kundroni fatet, punët e njerzimit.
5. viset: krahina; t’perligjuna me luftë e gjak: të shperblyeme, të mbrojtuna me luftë të përgjakun.
6. E mallkue kjoftë Evropa…: “Kjo namë ngjiti me të vërtetë! Mbas tre muejsh, me 28 Korrik 1914, shpertheu ajo luftë e tmershme, e quejtun Lufta e Parë Botnore, e cilla zgjati deri në Nandor të vitit 1918. Në ketë luftë mbetën dhetë miljon të vdekun. Kjenë shkretnue vise, vorfnue shtete, rrxue dinasti të vjetra, as nuk muejt me i prue botës nji paqë të qendrueshme, por shqetësoi zemrat e popujve me traktate të dhunëshme, tue kallë luftën e sotme.” (1941).
7. E prej Lirijet …: Me ia ndalue vrapin qi don me marrë kah Liria. – gobsija e kuj në Malësi…: Me kenëse nuk janë vende të frutëshme as Hoti as Gruda për me mëkambë Malin e Zi, asht politika shoveniste ruse e Moskovit qi çon peshë klysht e sajë, me pushtue e me shue Shqypninë. Poeti zbulon haptë politikat pansllaviste kundër Shqipnisë.
8. sosë: mbarim. – Kaina të kunorzuem: Gjaksorë të kunorzuem; kryetarët e mbretnive, me ketë emen Poeti përmbledhë shtetet qi kundërshtojnë Lirinë e Shqipnisë. – t’ sharruem: të humbun.
9. pallen: shpatën. – shtroje të buta: Poeti paraqet luksin e ambjentit oriental.
10. tue dredhun: tue vringllue. – Tartarit: Me ketë emen quen në përbuzje Turqit e Azisë.
– e poshtnueme: e poshter, për mos mirënjohjen ndaj Shqyptarve, qi kjenë pararojë e sajë.
Tue u bazue ç’prej fakteve historike të luftave të Skenderbeut, asnjëherë Evropa nuk ka mbajë asnjë premtim në lidhje me Shqipninë.
11. ngelëm: mbetëm. – reshte: bante, shkaktonte tue na nxitë, tue na mundue.
12. sa u nis me u endun: porsa xu fiell, porsa filloi. – skami e kobi: vorfnija e mjerimi.
13. Qyshë nji strofë ma përpara Poeti vé në dukje se shpesh ndera kthehet me dhunë në ketë botë dhe e mira harrohet. Megjithkëte nuk i mbushet mendja pse Evropa, pra: do Mbretni të Mëdhaja, tash qi të gjitha shtetet e Ballkanit kanë dalë me vete dhe Shqypnisë i asht dhanë Pamvarsija, kërkojnë me e cungue.
14.O Zot i lum….Kjo lutje shpërthen krejt e natyrshme prej zemrës së Poetit. Kundër dhunës e padrejtësisë së bame Shqypnisë thërret Hyjin Gjyqtar, qi të gjykojë mjerimet e kombit.
– pa hiri: pa dije, pa pritë e pa kujtue, pa pritmas, pa dashje. – heret si n’e vona: gjithmonë i Pushtetshëm, në të gjitha kohët i Pushtetshëm.
***
Shenim FR: Botohet në 100 vjetorin e padrejtësive ndaj Popullit Shqiptar.
Përgatiti: Fritz RADOVANI/Melbourne, Janar 2014.
“PËRKRENARJA” E AT GJERGJ FISHTËS OFM…30 Dhjetor 1940
Nga Fritz RADOVANI/
Ndoshta, ishte nder rastet e rralla që Populli i Shkodres shihte At Gjergj Fishten,me “përkrenarën” e Françeskanit Shqiptar… Sa kjé gjallë nuk pat nevojë per té!
Askujt nuk i shkonte mendja në Botë se Frati i Gjuhadolit të Shkodres, që pat vue Flamurin e Gjergj Kastriotit në kompanjelin e Kishës me 13 Qershor 1913…Bash me 30 Dhjetor 1940, do të armatosej dhe mbasi vuni edhe “përkrenarën”… do të fillonte atë betejë aq të rrebtë, sa nder pak vende të Botës ka ngja me kenë ndeshja e një Kolosi, që luften e bani me “shpatën” e pakrahasueshme të veten “Hylli i Dritës”… E mbas fitoreve të pasosuna të veta, ulej pranë një blini n’oborr… e këndonte në “Lahutë të Malcis”…
Një Europë “mrrutë”… pat kenë shtangue prej zanit Tij…
E kur e pau me “përkrenare”… nuk iu dha me besue se At Gjergji…u tha: “Paqë”!
Mejtën armët e të gjithë atyne që mateshin me Tarabosh…Ajo “përkrenare” ua nxori kllapinë e sa shekujve perpara, kur nga të kater anët barbarët donin me shue me kenë e mujtun edhe Kështjellat që vazhdonin me i pa nder andrra të hoteleve ma luksoze të kryeqyteteve Europjane…pikrisht, atëherë, kur Gjaku i Shqiptarëve pat ngallnjye!
Dy duer të Shugurueme ngjeshë per parzëm, askujt nuk iu besonte se ishin lidhë per mos me prekë ma me dorë as “heshten” e Tij, me të cilen nuk la anmik pa gjuejtë e rrëzue nder lamije e bregore të lumejve që gjarpnonin nder male e fushat tona!
Heshta e Tij nuk la tradhëtar pa rrëzue perdhé, besa dhe mbasi nuk e perdori ma!
Fëtyra e pashme e gjithmonë e qeshun dukej, sikur ra nder mendime. A thue parandjente doren e hasmit që me thikë i ndej mbas shpine? – Nuk besoj! E cila, nga veprat e Tij nuk ishte kunorë lavdije per Alpet tona e deri poshtë kah Tepelena ynë?
Deri vonë fëmijët e Manastirit, Atij Prijsit Madh mbi kalë, mbasi dielli u zhytej nder strofullat e ujqëve, rrinin tue rravizue mbi dheun e robnuem shkrojlat e Gjergjit…
E bash në Prillin e bukur të Dedë Gjo’ Lulit, Hotnjanët ia thonin Lahutës edhe dy fjalë para se me mbyllë portaret e veta… Edhe pse qejt’ e vazhdonin ulurimen e tyne.
Në pragun e një stuhije të pashoqe që filloi me perkulë edhe kompanjelat, e kur gurtë e tyne filluen me luejtë vendit, një dhimbje ia “këputi Shpirtin”…E Toka, u ça!
Kur të gjithë Shkodranët pritnin me shperthye një ujë i zi si futa që po mbulonte Rozafen, Taraboshin e deri nalt nder Bjeshkët e Nêmuna, veçse, u ndigjue prap një za i mekun që merrte me vete edhe ushtimen e Përkrenarës:
“E n’kjoftë se lypet prej s’ hyjnueshmes Mëni,
Që flijë t’ bahet ndo’i Shqiptar n’ therore,
Qé, mue tèk m’ keni, merrni e m’ bani flij
Për Shqiptari, me shue çdo mëni mizore. –
Oh! Edhe pa mue Shqipnia kjoftë e rrnoftë,
E nami i saj përjetë u trashigoftë!…”
***
Kush ishte Ky flij’ i Meshtarisë ?!..
Ky ishte Frati i Sapës së Shqipnisë…
Ky ishte Frati i Flamurit të Lirisë…
Ky ishte Frati i Shkodres së zharitun…
Ky ishte Frati i Kryqit t’ skalitun…
Ky ishte Frati i Derës plot Dashni…
Ky ishte Frati që bekoi çdo shtëpi…
Ky ishte Frati i pajtimit gjaqeve…
Ky ishte Frati i pafundsisë oxhaqeve…
Ky ishte Frati që s’ njohu kurr frikë…
Ky ishte Frati i “Hyllit” plot Dritë…
Ky ishte Frati që s’ iu tremb as shkaut…
Ky ishte Frati i Bukës së Shna Ndout…
Ky ishte Frati i “Lahutës së Malcis”…
Ky ishte Frati i shpatës ‘e i trimnisë…
Ky ishte Frati që i tregoi Parisit…
Ky ishte Frati që daltoi në trung të lisit…
Ky ishte Frati edhe i pikturës…
Ky ishte Frati i arkitekturës…
Ky ishte Frati i kullave të barotit…
Ky ishte Frati i Burrave të Hotit…
Ky ishte Frati i Plav’s e Gucisë…
Ky ishte Frati edhe i Dardanisë…
Ky ishte Frati i lotëve t’ Çamrisë…
Ky ishte Frati i Vorio Epirit…
Ky ishte Frati edhe i Manastirit…
Ky ishte Frati i shpellave t’ Malsisë…
Ky ishte Frati Flam’rit Pavarsisë…
Ky ishte Frati edhe i kangve t’ motit…
Ky ishte Frati i Trojeve t’ Kastriotit…
Ky ishte Frati i një Abetares…
Ky ishte Frati edhe i Përkrenarës…
(Fragment nga dorshkrimi F.R, “Arkivi i Harresës” 2013).
Melbourne, Dhjetor 2013.
- « Previous Page
- 1
- …
- 4
- 5
- 6
- 7
- Next Page »