• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Eshtrat e Mid’hat Frashërit prehen në Atdhe

November 14, 2018 by dgreca

1 arkivoli supemithatiii-768x5541 ballore

Personaliteti i shquar i kulturës dhe letrave shqipe, Mid’hat Frashëri nga sot do të prehet në Atdhe. Pas mbërritjes së eshtrave nga SHBA si dhe homazheve në Akademinë e Shkencave, eshtrat e tij janë varrosur pranë vëllezërve Frashëri tek Liqeni Artificial, pasi ai ishte nip i frashërllinjve të mëdhenj, Samiut dhe Naimit.Për kthimin e eshtrave nga SHBA për në vendlindje të firmëtarit të pavarësisë dhe kryetarit të Kongresit të Manastirit, Këshilli i Ministrave akordoi fondin prej 3,239,400 lekë, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore.Në një prononcim për gazetarin Erjon Skëndaj,  Kryetari  i Partisë Balli Kombëtar Demokrat Artur Roshi tha se Mid’had Frashëri bashkoi kombin nga ana kulturore. Sipas tij sistemi diktatorial deformoi të vërteten për Mid’had Frashërin.

“ Ky veprim i qeverisë është një ndjesë nga të gjitha qeveritë. Njeriu nuk mund të jetë edhe bashkëpunëtor edhe ta luftojë kundërshtarin. Sistemi diktatorial deformoi jetën kulturore, historinë dhe deformoi edhe të vërteten për kundërshtarin e sistemit, siç ishte Midhad Frashëri. Ne do punojmë për të lancuar profilin e tij të lartë. Mid’hadi bashkoi Kombin nga ana kulturore.  Mid’had Frashëri dha firmën për njehsimin e gjuhës shqiptare. Jemi në një ditë që shpresojmë që shqiptarët do ta marrin vesh profilin e vërtetë të profilit të Mid’had Frashërit”- tha Roshi.

Rama: Të ulë kokën kush e sheh provokim

‘Një mishërim dhe një shërbestar i mëmëdheut sipas kokës së tij’- kështu e konsideroi kryeministri Edi Rama, Mid’hat Frashërin, në një fjalim të gjatë të mbajtur para ceremonisë së varrosjes së eshtrave te tij pranë Liqenit Artificial. Duke ndërthurur në fjalimin e tij, kujtime të ditarit të Frashërit, Rama u shpreh se ata që e baltosën për 7 dekada sot mbajnë buzët rrudhur.

“Farshëri ishte mishërimi i një shërbestari të mëmëdheut sipas kokës së tij. Ai shfaqej si armik natyral sa here tentohej përcarja. Të lë pa frymë pozicioni për dramën e popullsisë shqiptare të camërisë të zhveshura për shkak të etnisë dhe besimit të tyre. Një flamurmbajtës i shënuar i të drejtave të minoriteteve të lirive themelore, pa dallim etnie dhefeje.’ U shpreh Rama në fjalimin e tij,

“Shumë mund të kenë parë arrogancë, kokëfortësi, tërheqje, konservatorizëm apo besëthyerje virtytet e tij e bëjnë një personalitet pa të dytë në hisorinë e elitave të paqëndrueshme shqiptare.’-vijoi me tej kryeministri ndërsa u shpreh se kthimi i eshtrave të tij ishte një detyrim dhe borxh.

“Mid’Hat Frashëri i dha Shqipërisë gjithçka kishte e mundi. Gaboi por në tërë sa bëri nuk nxiti kurrë me penën e tij një krim. Kush e sheh si provokim, bën mirë të ulë kokën e të kujtohet se sa krime bënë ata që shkruan historinë e gjysmës tjeteër të Lumo Skëndos. Kush e sheh këtë arkmort dhe praninë time si kryeministër si revansh ndaj fitimarëve ndërsa përcjellim një figurë shumëdiemensionale, bën mirë të ulë kokën dhe të kujtohet se u rreshtuan edhe vetë kundër atij,   të cilit i shkruante se nuk mund të kemi njerëz që kanë lyer duart me gjak duke bashkëpunuar me pushtuesit.” – vijoi me tej kryeministri ndërsa theksoi se kthimi i eshtrave të tij, të shërbejë edhe si një reflektim.

“Mjaft kemi gjykuar në mungesë. Këtu janë eshtrat e një burri të dënuar në mungesë jo nga një gjykatë por nga gjyqi i historisë së shkruar nga fitimtarët për të poshtëruar të mundurit. Mjaft kemi shpifur, mjaft me shpërdorimin e atyre që nuk janë më. Kthimi i eshtrave nuk i merr askujt historinë, apo aftësinë e arsyetimit. Një varr nuk e mbulon një njeri të vdekur, nëse ideja rron e ngjall shpresa te të tjerët. Gjithë fatkeqësia jonë ka ardhur nga shpërndarja e këtyre fuqive.” -tha Rama ndërsa theksoi se  Mid’Hat Frashëri ishte e mbetet një shembull, ndërsa koha pastroftë baltën që nisëm t’ja pastrojmë sot.

Luzim Basha: Shembull për shumë të tjerë

Kryetari i PD, Lulzim Basha iu bashkua homazheve në nderim të patriotit shqiptar Mid’hat Frashëri, eshtrat e të cilit u kthyen sot në Atdhe.

“Është një nga ditët e rralla, që qëndrojmë para një arkmorti me një sens krenarie, nderimi por edhe kënaqësie. Kënaqësi që u përmbush amaneti i tij, detyrim i madh kombëtar i gjithë patriotëve shqiptarë. Kënaqësi që eshtrat e këtij burri të madh dhe shkencëtari të një dimensioni Europian do të prehen sipas amanetit të tij. Falenderoj deputetin Shehaj, Akademinë e Skencavem kjo ishte gjetja e duhur për ta patur këtu këtë burrë të jashtëzakonshëm. Një shembull që duhet të ndiqet edhe për shumë të tjerë. Eshtrat e cdo patrioti që padrejtësia e dikatuarës gjakatare të Enver Hoxhës i kanë lënë të dergjen jashtë vendit duhet të kthehen e të nderohen në Shqipëri.” – u shpreh Basha në një prononcim të shkurtër për mediat. Duke iu përgjigur interesat të medias, nëse e vlerëson rolin e qeverisë shqiptare në këtë proces, Basha u shpreh se qeveria nuk bëri asgjë përvecse detyrën.

“Vlerësoj iniciativën e historianit Uran Butka si edhe përkushtimin e deputetit Shehaj. Qeveria nuk ka asgjë më pak se detyrimin të kryejë procedurën për nderimin e këtij patrioti të madh”. – përfundoi Basha.

Kush ishte Mid’hat Frashëri, i njohur si Lumo Skëndo:

Mid’hat Frashëri i biri i rilindasit të shquar Abdyl Frashëri, lindi më 25 mars 1880 në Janinë. Ai njihet edhe me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka. Mid’hati e njohu shumë pak të atin e tij, ngaqë Abdyli vdiq i ri në burg. U rrit në kujdestarinë e xhaxhallarëve, rilindësve të shquar Sami dhe Naim Frashëri. Duke qëndruar pranë tyre, kreu edukimin e plotë akademik në Stamboll. Patriot, njeri i ditur, Mid’hat Frashëri ka mbajtur në zemër amanetin e të atit Abdyl Frashëri, i cili gjatë qëndrimit në burg, u vendos të ekzekutohej nga xhonturqit. Kur u pyetën Abdylin nëse dëshironte të thoshte diçka, ai është përgjigjur: “Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund dhe të sillet kështu siç po sillem unë”. Deri në vitin 1905, Mid’hati punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore, i emëruar drejtor për punë politike të vilajetit të Selanikut. Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX dhe u bë një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare. Mid’hat Frashëri ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut në Manastir, ku takoheshin patriotët shqiptarë. “Pati një rol të ndjeshëm në ruajtjen e kompaktësisë së klubit “Bashkimi” të Manastirit, pas mosmarrëveshjeve ndërmjet gegëve (në pjesën më të madhe dibranë) dhe toskëve, të cilën e ka zgjidhur duke shkuar në Manastir, më 20 shtator 1908, duke shkrirë kryesinë e mëparshme, të cilën e zëvendësoi me Rexhep Hoxhën prej Kallkandelene (Tetovë), zgjedhur kryetar, ish-kryetari Fehmi bej Zavalani kaloi zv/kryetar, ish-zv/kryetari Gjergj Qiriazi u zgjodh anëtar dhe kryesia u përbë nga pesë gegë e pesë toskë.”, rrëfen studiuesi Uran Butka. Gjithashtu ai nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte “Kalendarin Kombiar”, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Më 1901, botoi biografinë e parë kushtuar Naim Frashërit. Në botimet e ndryshme ai përdori edhe pseudonimin Ismail Malosmani.

Në korrik 1908 Mid’hat Frashëri themeloi gazetën “Liria” në Selanik, në vitet 1897-1928, botoi revistën “Kalendari Kombiar”, më 1909 themeloi revistën “Dituria”, në Selanik, pastaj në Kostancë dhe më vonë në Tiranë. Më 1908, mori pjesë dhe u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit. Më 1909, 2-8.09, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Përmetit, Elbasanit dhe Pejës dhe nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë.

Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua Ministër i Punëve Botore. Në kabinetet e Turhan Pashë Përmetit, në vitet 28.05.1914 – 03.09.1914, ishte Ministër i Punëve Botore dhe Post-Telegrafës, ndërsa në vitet 25.12.1918 – 29.01.1920, ishte Ministër pa Portofol. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919 – 1920.

Më 1920 përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, në vitet 1923-1925 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Në vitet 1926 – 1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skendo”. I përndjekur nga regjimi komunist me akuzën si themelues i organizatës së Ballit Kombëtar, Mid’hat Frahsëri në përfundim të luftës u vendos në Itali e më vonë në Londër, ku krijoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Mid’hati Frashëri nuk u martua. Varrimin e tij në SHBA e kanë organizuar përmes një ceremonie madhështore patriotët shqiptarë. Në gazetën “Flamuri” shkruhej: “Shqiptarët kanë ardhur nga të gjithë vendet nga ku banonin shqiptarët në mërgim, duke shprehur pikëllimin e madh,për ikjen e djalit të Abdylit njeriut të madh, Mithat Frashërit. Tek trupi i tij kanë bërë roje nderi Shefqet Isaraj,Muho Xhakja,Astrit Sako,Braho Husi,Sulo Male,Hysni Aliko,Hajredin Peshkëpia,Skënder Omari,Iliaz Guri,Luan Dosti. Arkivoli ishte i mbuluar me flamurin kombëtar dhe në sallë ishin 200 veta. Kortezhi për në varrezat “Fernchff”. Arkivoli merret në krahë dhe aty kanë folur Sejfi Protopapa,At Paul e V.Rado.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Atdhe, Midhat Frasheri, prehet

Dy botë…sa afër…sa larg!!!

July 17, 2018 by dgreca

1 alma Lico2

BRENGE – Vallë, a do të bëhet ndonjëherë Shqipëria, atdheu i të gjithë shqiptarëve?/

Nga Alma LIÇO/

Të ulur në sediljet e përparme të tramvajit, po ndiqnim qetësisht rrëshqitjen e njëtrajtshme mbi shinat mes platformave të mbuluara nga dëbora. Për shkak të mosnjohjes së gjuhës gjermane, prania e tim shoqi, më ofronte një relaks dhe siguri të veçantë.

Sapo kishim lënë pas stacionin Kirchheim – Rathaus. Flokët e bardhë preknin lehtas  xhamat  e dritareve, për t’u shformuar butësisht, e krijuar më pas bulëza të shëndritshme uji, të cilat rrëshqisnin ngadalë përgjatë tyre. Ato bulëza të kristalta, tentonin të krijonin gropëza të vogla në sipërfaqen e shkrifët të dëborës që shtrihej njëtrajtshmërisht përgjatë shinave.

Disi të përgjumura, para syve tanë dukej sikur fluturonin godina mbresëlënëse të stilit “Gotik”. Çatitë e tyre të pjerrta, ishin zbardhur pjesërisht nga dëbora. Dritaret e papafingove, fasadat dhe ballkonet e mahnitshëm, shpalosnin vlerat arkitektonike të ruajtura me aq kujdes e dashuri.

Dhjetë minuta më pas, tramvaji u ndal në stacionin  “Montpellierbrücke”, i cili ndodhej disa minuta larg qendrës së Heidelbergut. Zbritëm nxitimthi prej tij, për të mbërritur orarin e caktuar të takimit në njerën nga zyrat e rregjistrimit. Isha ndër banoret më të reja të atij qyteti.

Ndonëse kisha çadër me vete, preferova të mos e hapja. Dëshiroja të kisha kontakt të drejtpërdrejtë me qiellin e përhimtë, që ngjasonte i mbuluar nga një vello e bardhë që shtrihej mbi supet e tij gjigande. Doja të shijoja freskinë e kristaleve të dëborës, që si flutura të bardha më preknin e përkëdhelnin fytyrën. U mjaftova me kapuçin e xhupit që vendosa për të mbrojtur flokët, si dhe mbylljen e kujdesshme të zinxhirit të çantës së dorës.

Disa metra më tej, dalluam semaforin me llampë të kuqe. Ecëm drejt tij. Sakaq, dy vajza bjonde ishin ndalur e po prisnin sinjalin e blertë. Çantat shumëngjyrëshe që mbanin mbi supe, ishin nga ato që përdoren për të vendosur librat e shkollës. Spontaniteti dhe çiltërsia rinore dallohej lehtësisht në sjelljen e tyre. Me sa dukej ishin përfshirë në një bashkëbisedim të këndshëm, pasi herë pas here qeshnin hareshëm.

Drita e gjelbërt e semaforit na ftoi të kalonim në anën tjetër të rrugës. Buzë trotuarit ndodhej godina me zyrat e rregjistrimit. Fasada prej xhamash të errët i jepte asaj një hijeshi të veçantë, duke krijuar një kontrast të magjishëm me bardhësinë rreth e rrotull.

Disa minuta më pas, mbërritëm në hollin që ndodhej në pjesën e pasme të saj. Ajo ishte një sallë e ngrohtë, në të cilën ishin vendosur disa tavolina dhe karrike për personat që duhej paraprakisht të merrnin kontakt në sportelet e informacionit. Në krahun e djathtë të saj zhurmonin lehtësisht, në mënyrë ritmike dy aparate fotokopjimi. Aty pranë ndodheshin zarfa të madhësive të ndryshme, letra dhe një kuti postare, të gjitha këto në shërbim gratis të qytetarëve. Dallova katër-pesë persona të ulur qetësisht, teksa prisnin të pulsonte numri i tyre në monitorin që ndodhej përkarshi. Ishte mëse e dukshme se i përkisnin nacionaliteteve të ndryshme.

E rrethuar nga një ambient komod e mikpritës, mezi u kujtova të çvishja xhupin, i cili në atë sallë të ngrohtë ishte vërtet i tepërt. Nuk kaluan as dy minuta të ulur në ndenjëset pranë zyrës ku ishte planifikuar takimi ynë, kur një vajzë e këndshme, e veshur thjeshtë, na ftoi në zyrën e saj.

Pasi na uroi mirëseardhjen, u ul para kompjuterit dhe vijoi me proçedurën e rregjistrimit. Pyetjet që drejtonte, ishin të shprehura me një ton të kujdesshëm e miqësor.

Ishte kontakti i parë imi me një zyrë në shtetin gjerman. E mësuar me arrogancën fyese dhe sorollatjen denigruese të nëpunësve të institucioneve të vendit tim, isha befasuar nga ai trajtim aq njerëzor që po na ofrohej. Syve të saj të vëmendshem nuk i shpëtoi kjo gjë, dhe si për të qartësuar habinë time, u shpreh:

-Zonjë, unë ndodhem këtu për t’ju shërbyer, pikërisht për këtë paguhem.

Sado që dëshiroja të mos kujtoja trajtimin mizor, të shtrirë në vitet e mundimshme të një jete të mbushur me fshikullime dhe privacione, përballja me një model krejtësisht të ndryshëm, në një vend të huaj, që nuk më detyrohej aspak, ma bëri të pamundur këtë gjë. Në atë mozaik vuajtjesh e padrejtësish të pësuara, para syve të mi u çfaqën padronët e zinj të diktaturës dhe post diktaturës. Endërroja të ishte ndryshe, por më kot, hijenat ogurzeza të së kaluarës së largët, por dhe asaj të afërt,  ishin bashkëqytetarë të mi………….

……Ishte një ditë vere, kur drejtori më telefonoi se më priste urgjentisht në zyrën e tij. E parandjeva se diçka të keqe do të më komunikonte. Madje e prisja. Muajt e fundit ishin hedhur në rrugë shumë kolegë dhe miq të mi. Një furtunë e çmendur kundër gjithë atyre që nuk militonin për partinë e ardhur rishtas në pushtet, kishte përfshirë çdo qelizë të administratës shtetërore. Ndonëse puna që bëja nuk kishte aspak lidhje me politikën, kjo gjë nuk i pengonte ata, pinjollët e ricikluar të diktaturës, të shtypnin e përjashtonin nga e drejta dhe nevoja për të punuar e jetuar, të gjithë ata që nuk ishin shërbëtorë apo mbështetës të tyre. Në atë gjueti shtrigash që kishte nisur e nuk dinte të ndalej, në atë luftë të padrejtë përjashtuese, ashtu siç vetëm komunistët dijnë ta bëjnë, mbase më kishte ardhur rradha mua. Ndjehesha e pambrojtur, e angështuar, e fyer, ndërkohë që prisja ekzekutimin e dënimit tim të pa apelueshëm.

Hamendësimi nuk më “zhgënjeu”. Me një vetpërmbajtje vështirësisht të kontrolluar trokita në derën e zyrës së tij. Pa pritur të më përgjigjej, e hapa atë, dhe pasi shqiptova një “Mirëmëngjes” të thatë, u ula në njerën nga karriket që ishin vendosur përballë skrivanisë. Po prisja të më bënte të ditur përse më kishte thirrur. Disi nervoz, me sy gjysëm të ulur, të fiksuara pa asnjë kuptim mbi një stilolaps të vendosur mbi disa shkresurina të hedhura kuturu,  me një ton hipokrit, më tha:

-Motra! Nuk mund të vazhdosh më funksionin që kryen. Të tillë e kam urdhërin. Ti e di, kështu e kanë këto punë……….

Heshti për një çast. Dukej qartasi që nuk kishte mbaruar. Mezi po gëlltisja neverinë e asaj konfidence të pështirë  dhe tërësisht të pavend….Motra…..Unë motra e tij???… Cili vëlla do të sillej kësisoj??

I jargavitur, më tej vijoi……Ekziston një mënyrë që mund të vazhdosh punën, por duhet të paraqitesh një kërkesë transferimi prej këtu, në një funksion tjetër të një niveli  më të ulët…….kupton????……..Jam i bindur se do ta vlerësosh këtë sugjerim miqësor……po pres ta përgatisësh sa më parë këtë kërkesë dhe të ma sjellësh …..

Pasi shqiptoi këto fjalë,  mori një pamje disi triumfale. Mbase priste ta falenderoja për mundësinë “e artë” që po më ofronte. Duhej të ndjehesha e lumtur dhe mirënjohëse për propozimin fyes që më ofrohej si një lëmoshë mjerane. Ngriti sytë drejt meje, dhe po priste….. Çuditërisht, dukej mëse i sigurt se do pranoja pa hezitim propozimin e tij …….fundja, nuk isha e para që bëhesha viktimë e këtij  kalvari të turpshëm….kompromis për bukën e gojës….shumë e thjeshtë për të……e kishin pranuar përulësisht, shumë hallexhinj përpara meje. Kishin rënë të ngratët në këtë lloj gracke bllokuese, për t’u hedhur më pas pabesisht në rrugë,  por me një status e nivel shumë më të pafavorshëm nga ai që mbanin më parë. Dy herë të mashtruar e viktimizuar.

Ai burrë rreth të pesëdhjetave, në atë moment m’u duk i vogël, gati i padukshëm. Mjegulla e pabesisë e kishte shformuar tërësisht atë. Ishte shëmbëlltyra e skllavit mjeran të ideologjisë mizore të idhujve të tij, të cilët ideuan dhe zbatuan me zell në dhjetëra vite luftën përçarëse e vëllavrasëse të klasave. Ndjeva një pështjellim që po më merrte frymën. U ngrita nxitimthi nga karrikja, dhe prerazi i thashë se nuk kisha asnjë arsye të kërkoja me vullnetin tim “të lirë”, transferimin në një punë me status e pagë më të ulët.

– Bëni ç’të doni – i thashë, dhe tërhoqa derën pas vetes…………

Ashtu siç pritej, disa ditë më pas, më përjashtuan nga puna, duke më ndërprerë për rrjedhojë  edhe të ardhurat e përballimit të jetës modeste që bëja. Kësisoj, iu bashkova armatës së të papunëve që endeshin pa dobi me vite gjykatave, në kërkim të së drejtës së tyre të shkelur nga shteti dhunues neodiktatorial. Për gjithë ata të pashpresë, epilogu i kësaj lufte të pabarabartë mbyllej me një valixhe të mbushur me lot, zemërim e zhgënjim….majë një avioni apo trageti…..për t’ja mbathur  larg, larg.

…..Sakaq, nëpunësja gjermane kishte përfunduar detyrën e saj, dhe me të njejtën dashamirësi e mirësjellje, më ofroi një çantë me mbishkrimin “Willkommen”. Brenda saj ndodhej një katalog me pamjet më të bukura të qytetit. Me sa duket, këto dhurata simbolike, me mesazhe të vyera mbështetjeje dhe mikpritjeje njerëzore,  i rezervoheshin të gjithë banorëve të rinj të tij.  Kisha fatin të isha njera prej tyre dhe ta shijoja me emocion atë trajtim njerëzor të munguar.

Sakaq, dëbora e kishte ulur intensitetin e saj. Një diell që herë çfaqej e herë zhdukej pas reve të përhimta, i jepte asaj një vezullim të veçantë. Ndjehesha e ngazëllyer për eksperiencën emocionuese të asaj dite. Madje e mallëngjyer. Në mënyrë të pashmangshme, ajo ballafaqohej me padrejtësinë e vendit ku linda dhe kalova mes vuajtjeve dhe privacioneve gjithë jetën time.  Me një shtrëngim në zemër dhe vaj të kapërdirë, më mundonte dhe vijon të më trazojë pyetja e dhimbshme, për të cilën nuk arrij të formuloj dot një përgjigje:

-Vallë, do të bëhet ndonjëherë Shqipëria, atdheu i të gjithë shqiptarëve?????

 

Filed Under: Opinion Tagged With: a do te behet Shqiperia, Alma LIÇO, Atdhe, i gjithe shqiptareve

Komunitet-Nxënësit e Shkollave shqipe në Amerikë

October 18, 2015 by dgreca

Nxënësit e Shkollave shqipe në Amerikë janë një urë e artë shpirtërore midis Atdheut dhe Diasporës/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Është krenari dhe njëherazi detyrë kombëtare për të kontribuar në mësimin e Gjuhës Shqipe ndër fëmijët që lindin dhe rriten jashtë trungut amë.
Nxënësit e shkollës shqipe “Alba Life” në Staten Island dhe Brooklyn u ulën pranë bankave në mjediset e shkollave publike amerikane për të filluar vitin e ri akademik 2015-2016, ndërkohë po punohet për të gjetur mjedis për të vazhduar mësimin dhe në Manhattan, pasi kemi pasur vështirësi në gjetjen e klasave, për shkak të ndërrimit të administratës në shkollën ku bëmë mësim vjet.
Ndonëse kemi hyrë në vitin e tetë të hapjes së shkollave shqipe, mësuesit, nxënësit dhe prindërit e përjetojnë me të njejtat emocione fillimin e vitit të ri shkollor si në ditën e parë të hapjes.
Çuditërisht edhe natyra duket sikur merr pjesë në këto aktivitete patriotike, që mbartin një botë të tërë shqiptare, një histori që s’harrohet kurrë sa të ketë dhe një shqiptar përmbi dhé.Flladi i lehtë i oqeanit iu përkëdhelte flokët e bukura si kurorë malesh gjithë nxënësve që takoheshin me njeri-tjetrin sikur të jenë miqësuar ndër vite. Prindërit e rinj me ngazëllimin në shpirt iu urojnë gjithë mësueseve punë të mbarë për këtë mision fisnik dhe tejet atdhetar.
Sa emocione ju jep fëmijëve dhe prindërve dita e parë e shkollës! Të gjithë prej nesh e mbajnë mend mirë ditën e parë të shkollës dhe askush nuk e harron në jetë, por shkollat shqipe në Diasporë gjithmonë kanë veçantinë e tyre, sepse ndryshe nga shkollat e huaja ku ata janë integruar, në shkollat shqipe ata kanë mundësi të mësojnë dhe të flasin SHQIP, gjuhën e të parëve të tyre!
Bota e tyre të magjeps, të befason në përgjigjet dhe pyetjet e ndryshme, bota e tyre të rinon dhe ti ndihesh i sigurtë të ecësh në urën e artë që ata ndërtojnë midis Atdheut dhe Diasporës. Ja psh: A nuk të befasojnë përgjigjet e tyre kur pasi i përshëndeta në klasë për mirëseardhjen e tyre fillova t’i pyesja me radhë se çfarë kishin dëshirë të bëheshin kur të rriteshin?
-Shumë prej tyre më thanë këngëtare, balerin, pilot, aktor, doktor, mësues, ndërsa një fëmijë i vogël më befasoi kur më tha: “Unë do të bëhem president i Amerikës”!
-Uau! Shumë bukur i thashë! Po pse do të bëhesh president e pyeta unë?
-Sepse jam shqiptar u pergjigj Brendan 4 vjeçar!
Të gjitha këto m’i tha në anglisht me një buzëqeshje të çiltër fëminore dhe me sytë blu si qielli që i ndrisnin. Duke e përqafuar mendova: Ku i dihet, mundet që nga bankat e shkollës shqipe “Alba Life” të dalë një president i Amerikës dhe atëhere me siguri që do të ketë një shkollë institucionale shqiptare në Nju Jork.
Të gjitha mësueset si Dita Kacupaj, Dr.Valbona Watkins, Entela Muda, Entela Elezi, apo Raimonda Hysolli qe sapo i eshte bashkuar programit tone
më thonë se është nje përjetim i bukur, kur i shikon nxënësit më të vjetër se si përqafohen dhe bisedojnë herë shqip dhe herë anglisht, apo nxënësit më të rinj pasi prezantohen me njeri tjetrin përshëndeten: “Hej Shqipe!” është një kod i heshtur, i pashkruar, por që përdoret shpesh ndër shqiptarë të Diasporës në përshëndetje e sipër. Dhe më pëlqen më futet në palcë të shpirtit kjo lloj përshëndetje edhe pse mund të mos jesh takuar kurrë, por të takon Gjuha Shqipe me përshëndetjen e bukur: Tungjatjeta Shqipe! Kur i shikon dhe ndjen se me sa zell ata vinë të mësojnë Gjuhën Shqipe medoemos të kujtojnë Fishtën e madh kur thotë se: “Edhe shqyp na thanë se Zoti/ për shqyptarë Shqypninë e fali/ se sa t’enden stina e moti/ do ta gzojn kta djalë mbas djali”.
Është e natyrshme se shumë prej fëmijëve me prindër shqiptarë të parën fjalë që kanë dëgjuar në jetë ka qenë shqip, pavarësisht se shumë prej prindërve i mbyt rutina e jetës dhe u krijojnë vështirësi fëmijëve për të folur dhe shkruar bukur shqip. Por ne si prindër s’duhet të harrojmë agimet e para të jetes sonë, kur luanim dhe këndonim së bashku, kur kapnim xixëllonjat dhe i përkëdhelnim shqip në pëllëmbë të dorës me dritën e bukur që ato bënin që siç shkruan Fishta: “Shqyp na vete, po pik’ mâ para/ n’agim t’jetës kur kemi shkue/ tue ndjekë flutra nëpër ara/ shqyp ma s’pari kemi kndue”.
Edhe pse jam mësuar dhimbshëm gjer në asht me humbjen e Gjuhës Shqipe ndër shumë fëmijë të Diasporës dhe me humbjen e Gjuhës Shqipe ndër miliona shqiptarë nëpër botë, përsëri kam shpresë se do të lindin ata burra dhe gra shqiptare që ta marrin tejet seriozisht shërimin e kësaj sëmundje që metastazat e saj i ka nëpër shekuj.
Të parët shërues me siguri do të jenë këta nxënës që ulen në bankat e shkollës dhe që mësojnë me aq dashuri të flasin dhe të shkruajnë Gjuhen e ëmbël Shqipe.

Tetor, 2015
Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Atdhe, diaspore, Keze Zylo, nxenesit e shkollave shqipe, ure

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT