Nga Ilir Levonja/
Edhe në zgjedhjet e fundit Maqedonia hyri në të zakonshim kolaps politik. Them në të zakonshim, pasi ka qënë shqiptarët ata që i kanë dhënë udhën e duhur vendit. I pari Ali Ahmeti dhe BDI. Kësaj herë ishin prapë ata, shqiptarët. Por disi ndryshe. Më të unifikuar dhe me një kërkesë legjitime. Njohjen e gjuhës shqipe në jetën e përditshme shtetërore. Dhe në fund të fundit, nuk ka asgjë të keqe. Përderisa jetojnë në trojet e tyre, janë shumicë shtetformuese. Në një republikë, e cila qysh pas vekjes së byroistit Kiro Glikorov. I cili qe i pari dhe i vetmi që besoi e pohoi publikisht. We are slavs…, ne jemi sllavë. Sllavë të ardhur këtu në shekullin e VI pas Krishtit. Të tjerët, krejt paturpësisht. Shumë qetësisht. Shumë të bindur. Kërkojnë të ngrejnë një shtet që përpiqet të përfitojë sa nga mitet greke, sa nga ato shqiptare. Po te keni parasysh këtu Aleksandrin e madh apo Nënë Terezën etj. Aq edhe nga kultura sllave. Ku quajnë të tyren edhe logjistikën gjuhësore të bullgarishtes. Një shtet që investon gati çmendurisht në resorset e historike të nëntokës dhe mbitokës. Duke cirilizuar çdo pllakë varri. Aq sa edhe ajo pak kulture e re e një shteti shumëkombësh. Vdiq e vdes pa u rritur mirë. Kjo është një politikë absurde, e cila i bën karshillëk gjithë arsenalit botëror të akademive dhe universiteteve.
Që ta ngrin buzëqeshjen prej vetëdijes anormale të një burri shteti, i cili thotë mendje mbushur se në venat e tij rrjedh gjaku i Aleksandrit.
Ky ishte Ljubçko Gjeorgjevski. Ish kryeministri i Maqedonisë nga viti 1998-2002.
Të gjitha këto vetëm nga strategjitë e frymës së radikalizmit. Nga ata që mendojnë dhe e gjykojnë njeriun, jetën, vendin etj. Në bazë të frymës mbi rracën e pastër, besimin fetar, patriotizmin e sëmurë. Dhe superioritetin.
Jo rastësisht sot, politikat e bijëve të ish byroistëve, janë të egra se ato etërve tyre. Kështu si ky. Edhe shokët e tjerë. Deri tek ty i fundit. Që me pahirin e tij prej mbetje federate. U dha shansin shqiptarëve të dëshmojnë faqe njerëzimit. Se nuk janë ata pengesa që Maqedonia të jetë një Zvicër e dytë e Ballkanit.
Madje shqiptarët, kanë lënë pas dore edhe kombin.
Megjithëse nga ana tjetër, qe pikërisht ky mëkat që mbajti në pushtet kët nevrik me emrin Gruevski. Apo këtë president që e konsideron shantazh marrëveshjen normale, qeveri formuese. Të një koalicioni shumicë.
Të gjithëve na vinte plasja, kur shikonim se partia e një mëndje të madhe. Ajo e Arbën Xhaferrit, pakësohej. Dhe kur një tjetër, ajo e luftës së Sharrit, BDI…, qeveriste.
Na vinte plasja për shkak të grindjeve brenda shqiptarëve.
Kur njëra palë këmbëngul në zbatimin e marëveshjes së Ohrit. Dhe tjetra lëshon për të qeverisur.
Një lloj oportuniteti që nuk i shkon gjaknxehtësisë shqiptare.
Por kështu është. Kemi heshtur. Kemi pjesën tonë të mëkatit në këtë Maqedoni sllave që thotë jam greke. Që flet për kryqe, racë të pastër. Ndërsa dominohet nga salepi, nargjilet. Nga ngërdhjesha e hekurt e uniformave. Gati për dëbime e reprezalje.
Ndofta kjo edhe për shkak të një Kosove të dobët. Që bërtet se është shqiptare, por që realiteti dëshmon se po turqizohet çdo ditë. Shkon e i jep dëshmorë radikalizmit në Mosul. Shikon Erdoganin si president të vendit. Jo Hashim Thaçin.
Një Shqipëri që pasi i shtrydh OJQ-të si Soros, Gylen etj. Kryqin e kuq. Apo gjysmë hënën e kuqe. Fondacione …
Grindet e vritet për mustaqet e Çelos. Pasi ka shitur edhe gëzhojën e fundit. Nga arsenali i saj i rëndë. Një atdhe më vete me tanke, kundërtanke. Kundërajrorë. Flote detare e qiellore. Me gazerma plot. Me logjistikë e platforma mbrojtje. Sot pa asgjë…, i shet pordhë një Greqie që ushqen e mban gjysmë milioni shtetas të saj.
Ndofta në kushte të tjera…, shqiptarët e Maqedonisë do ta kishin ngritur më shpejt. Do e kishin bërë më shpejt europiane Maqedoninë. Do i kishin dhënë me kohë një president bashkëkohor. Që i përket demokracisë. Dhe jo luftës në emër të rracës së pastër. Mos bashkëjetesës. Dhe dashurisë që lind e jeton mes shqiptarëve dhe maqedonasve.