….Në optikën e studiuesit Meçan Hoxha/
NGA KADRI TARELLI- Para pak kohësh e ftova Meçanin për kafe. U tregua i gatshëm. Me këtë rast këmbyem libra, si e vetmja mundësi për të nderuar dhe kënaqur njëri-tjetrin. Ai më dhuroi librin e tij të fundit “RIZA KISHTA. Emër që nuk harrohet”, ndërsa unë, “Koha në vargje”.
Që në fjalët e para, dua të shpreh falënderim dhe mirënjohje ndaj autorit, që ka shkruar e nxjerrë në dritë një libër me vlera lokale (për krahinën e Gramshit), po se po, por edhe me vlera kombëtare. Kam përshtypjen, se kur lexojmë fjalë të tilla të mëdha, na lind mosbesim ose dyshimi për vlerat e vërteta. Mos nxitoni dhe mos u trembni, bëni pak durim dhe më gjykoni kur të arrini në faqen e fundit. Sepse siç pohon Cornela Funke: “Disa libra shijohen ngadalë, të tjerë përpihen me një kafshatë dhe vetëm disa pak të tillë, përtypen për t’i tretur plotësisht”.
Nuk them se e lexova librin me një frymë, siç shprehen disa, por e kundrova me shumë kujdes dhe interes, duke bërë nën-vizime e duke mbajtur shënime, pasi bën fjalë për histori njerëzore, ku fati i tyre është i ndërthurur me historinë tonë kombëtare, gjatë luftës e më shumë edhe pas saj. Fatkeqësi, por shoqëria qëllimisht dhe pabesisht u nda në dy grupe në kundërshti me njëri-tjetrin, ku pati xhelatë dhe natyrisht edhe viktima. Vetiu më gris pyetja, që s’i jap dot përgjigje: Kujt i shërbeu ky konflikt shoqëror?”. Për të ardhur keq që edhe sot e kësaj dite, vazhdon kjo përçarje që nuk i sjell asnjë dobi kombit në tërësi, por edhe individëve në veçanti e që s’po gjejmë qetësi. Pengojmë njëri-tjetrin, në vend që ta duam, ta ndihmojmë apo ta nxisim për vepra të mira, kur, me apo pa dashje, mohohen vlerat e veprimtarëve të nderuar, në emër të absurdit politik.
Kush ka njohur krijimtarinë e studiuesit Meçan Hoxha, rreth 10 libra, ku pjesa dërmuese e tyre lidhet me studime të karakterit historik, më jep të drejtë në gjykimin tim, sepse ai jo vetëm është mjeshtër i fjalës së bukur, por më shumë i mendimit të pjekur e të lirë, për të thënë kurdoherë të vërtetën. Këtu ai nuk bën kompromis më askënd, kur bëhet fjalë për këtë parim të shenjtë sa jeta. Ai adhuron filozofin e lashtësisë Aristotelin, që thoshte: “Platonin e kam mik, por më mik kam të vërtetën”. Ky është karakteri i tij, që buron nga fisnikëria dhe tradita, nga kultura dhe qasja që i bën vetes me realitetin tonë të trazuar, pa u ndikuar nga miqësitë, nga bindjet apo qejf-mbetjet. “Më mirë të jesh i torturuar nga e vërteta, sesa i lumtur nga gënjeshtra”, thotë dijetari Seneka.
Të gjitha sa shpreha më lart burojnë nga “respekti për të vërtetën”, siç thotë autori që në hyrje, pasi Riza Kishta, heroi i librit: “Është personaliteti më i përfolur ndër gramshiotët, në Gramsh e më gjerë. Është folur aq shumë që nga viti 1918…….. Veçanërisht shumë është folur pas çlirimit të vendit deri 1990, dhe i është rënë vetëm një avazi të një kënge të pështirë…., e cila është bërë e lemerishme”.
Është e çuditshme, që edhe pas 30-vjetësh të përmbysjes së diktaturës dhe propagandës marramendëse të luftës së klasave, ende mbeten njerëz me po ato bindje, si receta mjeku, apo si thënie të Biblës dhe Kuranit, që vetëm duhen besuar. Është fatkeqësi që ende ka “skllevër” të atyre mendimeve, kur kanë dalë aq shumë libra dhe dokumente mbi shtrembërimet e historisë sonë, sidomos të luftës NÇL, duke e paraqitur dhe pranuar vetëm bardhë e zi: komunistët “atdhetarë” e ballistët “tradhtarë”, sikur ata nuk ishin nga një gjak e nga një truall.
Është vërtet e dhimbshme, kur bëhet fjalë për ngjarje dhe veçanërisht për personalitete, si Riza Kishta, që e jetuan kohën, që kanë dominuar kohën me vendimmarrjet dhe që, në një farë mënyre ndikuan mbi rrjedhën e ngjarjeve. Ndaj duhet lexuar dhe nxjerrë mësime për historinë tonë të çoroditur.
Këtu qëndron edhe merita e librit dhe autorit, që sjell para lexuesit dhe opinionit publik, birin e Gramshit Riza Kishta, një personalitet të nderuar, një burrë shteti, autoritet i pa cenuar në veprime dhe në fjalë, të dhënë e të mbajtur në besë burrash, pavarësisht pasojave. Aq e vërtetë është kjo, sa edhe kundërshtarët, mbase nuk e duan, por e nderojnë. Besoj se raste të tilla janë të rralla, por që nderojnë një familje, një fis, një krahinë dhe një popull. Nga shembuj të tillë mësohen, edukohen e udhëhiqen brezat në shekuj.
Një vlerë tjetër që duhet vënë në dukje, është puna e gjatë për rreth 30 vjetësh: “Ende lundroj në lumin ujëplot të Riza Kishtës”, thotë Meçani në bisedë mes shokësh. Një punë e pambarim dhe plot durim, për të grumbulluar material dokumentar e gojor të besuar dhe të ballafaquar, siç ndodh në monografitë, në mënyrë që të jenë sa të vërteta, aq edhe të besueshme. Ndaj unë i quaj kokëkrisur të gjithë ata që marrin përsipër të hartojnë një monografi, sepse veç vështirësive që has në emra personash, data, ngjarje e ndodhi, ku duhet t’i kthehesh disa herë, për të qenë i saktë, në përfundim do të ndeshesh edhe me opinionet dhe mendimet ndryshe, të cilave duhet t’u japësh përgjigje.
Megjithatë, unë dhe kushdo tjetër, kupton se autori i gjendur para kaq shumë të dhënash, është futur në lëkurën e kohës, aq sa na bën të besojmë se edhe ne si lexues po e jetojmë atë kohë, duke pyetur: Ç’ qëndrim do të mbaja unë, ti dhe të tjerët, para ngjarjeve dhe përplasjeve të mëdha të kohës? Si do t’i përballeshe me kurthet dhe të papriturat e luftës, të “miqve” dhe armiqve? Ç’anë do të mbaje para dilemave të mëdha ideologjike dhe politike që zienin dhe trazonin mjedisin shqiptar? Të bashkoheshe me sllavët armiqtë shekullor, apo të mbroje bashkimin me Kosovën, me administratë, arsim dhe kryeqytet Tirana, si fakt dhe frymë atdhetarizmi, që mbizotëronte te të gjithë nacionalistët, përfshi edhe njerëzit e thjeshtë?
Nuk ishte e lehtë të gjeje udhën edhe në oborrin tënd. Bashkimi trojeve nuk ishte “gozhdë” për të varur gunën apo xhaketën, por frymë atdhetarie e shqiptarie. Besoj se këtë mëdyshje e zgjidh përfundimisht një thënie të diplomatit Rauf Fico, biri i madh i Gjirokastrës, i vlerësuar aq lart edhe nga bota, që u thërret shqiptarëve si me profeci Dodone: “Dashtë Zoti me Flamurin Kombëtar në krye, të marrim dhe Kosovën e Çamërinë. E nëse nuk do t‘ia arrijmë kësaj, brezat e ardhmë do na gjejnë në varr, me gishtin drejtuar nga këto vise”.
Vlera më e madhe e këtij libri, por edhe e librave të këtij lloji të botuara së fundi, besoj se është mësimi i historisë pa hile dhe shtrembërime të sajuara apo të stisura qëllimisht. Kam përshtypjen se librat që kanë vetëm dokumentacion, kanë shumë vlerë, por janë të ftohtë. Dokumenti është pa lëng jete, nuk të ngjall ndjesi e përjetime. Thjesht të bind në të vërtetën historike dhe vetëm kaq. Ndërsa libri i Meçanit është shumë i ngrohtë, jo se ai e do dhe e përkëdhel “Heroin”, por e nderon atë, nuk i përbuz kundërshtarët, por i ve para provës, për t’u bindur e për t’i bindur, nga anon e vërteta dhe e drejta. Libri të tërheq ta çosh deri në faqen dhe fjalën e fundit, sepse ndërthuret me ngjarje të tabanit e të vatanit, në konferenca, parlament, fshat e qytet, në odat e miqve dhe në stane, kasolle dhe shpellat e krahinës, te miqtë dhe besnikë të besës, si zakon dhe betim shqiptari.
Në këtë hulli mendimi, cilindo e çudit një fakt i jashtëzakonshëm, kur e lexon: Rizai u arratis, duke kaluar në ilegalitet brenda krahinë së Gramshit, për një vit e gjysmë te miqtë dhe të njohurit e tij dhe nuk u kap nga forcat e ndjekjes, që kontrollonin çdo shteg, ditën dhe natën. Ky ishte nderimi që i bënte vendi, kësaj figure atdhetare dhe autoriteti që gëzonte ai. Cili nuk do e lakmonte këtë vlerësim deri në adhurim, nga populli i vet? Libri vazhdon më tej: Rizai kaloi rreth 14 muaj hetuesi, veç ai e di se ç’ hoqi. Aty provoi torturat e hetuesisë shqiptare, aq sa u mbeti në dorë, duke ndërruar jetë, por nuk u dëshmua asnjë faj që ta baltoste dhe ta damkoste, si armik apo tradhtar i atdheut.
Vetë libri është një dokument i plotë dhe i qëndrueshëm për historinë tonë kombëtare, pasi ashtu siç rrodhën ngjarjet në zonën e Gramshit, me pak dallime janë zhvilluar kudo nëpër Shqipëri. Nuk mund të hyj në hollësi, le t’i shijojë lexuesi të fshehtat që të mbajnë të mbërthyer deri në fjalën e fundit. Më duhet të nënvizoj një dukuri të asaj kohe: Fjala që përmendet shpesh nga Riza Kishta, si komandant i “Ballit” për krahinën e Gramshit, kur mund të kishte përplasje me armë, është: “Janë djemtë tanë dhe s’duhet të derdhim gjak shqiptarësh”. Ai e nderonte luftën për liri dhe luftëtarët që u ngritë, ndaj edhe shmangu çdo përplasje, kur në të njëjtën kohë, pas Konferencës së Mukjes, komunistët shpallën armik Ballin dhe ballistët, për t’u luftuar pa kompromis.
Në këtë shteg gjykimi, secili ka të drejtë të meditojë: Ç’ qëndrim do të mbaja unë, ndaj Shtabit të Përgjithshëm dhe Enver Hoxhës, kur u strehua në zonën e Gramshit, zonë që me forca të shumta e kontrollonte Balli? Rizai e dinte, por nuk veproi, e tëra në emër të luftës për çlirim dhe besës ndaj mikut, që vjen në shtëpi. Nuk e përtypte dot turpin, që do të mbante mbi shpinë. Një fisnikëri për t’u admiruar!
Vetë Rizai, ashtu edhe plot nacionalistë në mbarë vendin, ishin për pajtim kombëtar dhe jo vëllavrasje. Pas lufte, mendonin për një shtet demokratik, ku të sundonte ligji dhe drejtësia, jo për ndarje e luftë klasash, si murtaja më e egër që e sëmur dhe e prish një komb.
Kjo është edhe vlera e këtij libri, që të mëson dhe në të njëjtën kohë të bën të mendohesh e mundësisht të përjetosh ngjarjet. Sepse “E vërteta është e vetmja gjë që mund ta bëjë të madh një popull”, shprehet diku atdhetari i rilindjes kombëtare Koto Hoxhi.
Riza Kishta lindi, u rrit dhe u burrërua si luftëtar e atdhetar i fisëm, por vdiq si antikomunist i vendosur. Mund të thotë kush, se ku qëndron faji i tij?
Në fund të këtij shkrimi modest, dua të përshëndes autorin, pasi titullit të librit, “Riza Kishta. Emër që nuk harrohet”, i dha kuptimin e duhur, duke e bërë atë të mos harrohet në jetë të jetëve, nëpërmjet futjes tek “Arka e kujtesës”, përkatësisht në një libër monografi. Ky libër e ngjalli dhe e solli Rizain e vërtetë në jetën e vërtetë, si një monument që nuk ka piedestal dhe shesh, por qëndron në ballë të çdo oxhaku nëpër shtëpitë e çdo gramshioti dhe në raftet e librave në mbarë mjedisin ku jetojnë shqiptarë.
Urime autorit Meçan Hoxha, duke shpresuar për libra të tjerë po kaq të bukur letrarisht dhe me vlerë përdorimi shqiptarisht!
Kadri Tarelli
Durrës më: 07, vjeshta e parë, 2020.