• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Atë Shtjefën Gjeçovi, kolosi i Fesë e Atdheut

October 14, 2016 by dgreca

 

1-gjecoviMë 14 tetor, kujtojmë vrasjen mizore të fratin e studiuesin e madh, Atë Shtjefën Konstandin Gjeçovin, në vitin 1929 në fshatin Zym të Hasit. Atë Shtjefën Gjeçovi, françeskan shqiptar kosovar, është një nga figurat vigane që krishterimi i fali kulturës kombëtare shqiptare, i cili për kontributi e tij, radhitet përkrah gjenive të tjerë të krishterimit ndër shqiptarë, si imzot Pjetër Budi, imzot Pjetër Bogdani, imzot Gjon Kazazi, Atë Gjergj Fishta, Atë Anton Harapi e shumë e shumë të tjerë.

Sapo kujton emrin e Atë Shtjefën Gjeçovit (1874-1929), edhe më të fundmit të shqiptarëve që ka pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do t’i vejë menjëherë mendja te “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, mbledhur e kodifikuar nga frati i madh.

Po Atë Shtjefni ishte shumë më tepër se kaq. Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, ai pati etjen e pashuar të gërmonte nga pak në të gjitha fushat e diturisë. Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit gjatë diktaturës, i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit. Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë.

Atë Shtjefën Gjeçovi lindi më 12 korrik 1874, në Janjevë të Kosovës në një familje thellësisht katolike. Në pagëzim ia vunë emrin Mëhill e shkurtimisht e thirrën Hilë. Që i vogël shfaqi shenja jo të zakonshme zgjuarsie, prandaj famullitari françeskan, me leje të prindërve, e mori një ditë për dore dhe u nis bashkë me të për në Shkodër, në Kolegjin françeskan. Gjeçovi ishte vetëm 10 vjeç kur veshi zhgunin e murrmë, të lavdishëm, të fratit. Vijoi mësimet në Troshan, Fojnicë, Dërventë, Kreshevë, përgjithësisht në Bonjë-Hercegovinë, ku është përgatitur një pjesë e mirë e françeskanëve shqiptarë, ndërmjet të cilëve, Fishta. Më vonë françeskanët e rinj do të merrnin rrugët drejt Austrisë e Italisë.

Nisi të interesohej për gjithçka kishte të bënte me historinë e popullit të vet: për fillimet e krishterimit, për arkeologji, etnografi, gjuhësi, letërsi e natyrisht edhe të hidhte në letër shkrimet e para, pa harruar kurrë se detyra e tij kryesore do të ishte predikimi i Ungjillit të Krishtit.

U kthye në Troshan më 1896, 22 vjeçar, famullitar i ri me fe të gjallë e kulturë të thellë. Atë Shtjefën Gjeçovi predikoi Ungjillin në Rubik, Pejë, Laç-Sebaste, Zarë, Sapë, Theth, Prekal, Vlorë, Shkodër, Gjakovë e Zym, ku u ndal për pushimin e mbramë! Kulmin e krijimtarisë e arriti në vitet 1900, kur u bë i pranishëm në të gjitha fushat e kulturës e të arsimit.

Shkroi në të tria gjinitë letrare, mblodhi këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore e, mbi të gjitha, atë që do ta pavdekësonte, “Kanunin e Lekë Dukagjinit” monument i gjuhës e i kulturës së Kombit Shqiptar, për të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin “Doktor i shkencave in honoris causa”.

Po kujtojmë disa prej veprave të tij: “Dashnia e atdheut”, drama “Agimi i qytetnisë”, “Shqiptari ngadhënjyes”, “Përkrenarja e Skënderbeut”,  botimi i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, vepra “Trashëgime trako-ilire”, “Atil Reguli”. “Shna Ndou i Padues” mbas Dal-Gal );  përkthim i lire i dramës me 3 akte të Pjetër Metasatasit,“Vajza e Arleans-it a Joana d’Ark” mbas A.F. prej Bergamos dhe vepra e fundit teologjike “Shpërblesi i botes ase  Jeta e Jezu Krishtit”, të cilën e shkroi me qellim që të mësojë dhe edukojë popullin në frymën e gjuhës shqipe dhe në frymën e dashurisë së Jezusit.

Shumica e veprave i mbetën në dorëshkrim. Madje edhe “Kanuja” u botua pas asaj dite ogurzezë të vitit 1929, kur ra nën plumbat e tradhtarëve, duke shuguruar me gjakun e vet bucat e asaj toke, për të cilën kishte shkrirë jetën, të cilat nuk lageshin për herë të parë me gjak frati.

Ai vetë pati mbledhur, sipas të gjitha kritereve, të dhënat për të lartuar në altar një tjetër frat shqiptar, Atë Luigj Paliqin, martir i fesë e i atdheut. E ndërmjet shkrimeve të shumta kushtuar Atë Gjeçovit, po kujtojmë se për të është shkruar edhe një monografi me titull “Shtjefën Gjeçovi: Jeta, vepra” me autor Ruzhdi Matën. Gjithsesi shkrimet më të besueshme për të janë ata që mbajnë nënshkrimin e sivëllazënve të tij françeskanë, të cilët e njohën nga afër, sidomos Atë Pashkë Bardhit, historianit të fretërve.

Duke përkujtuar sot Atë Gjeçovin, bëmë vetëm një skicë të shpejtë të një figure që i ngriti vetvetes me vepra një monument të pashterueshëm nga koha, sepse françeskani Atë Shtjefën Gjeçovi ishte dhe mbeti pishtar i gjallë i ndriçimit të historisë dhe kulturës së kombit të tij, të cilat u bënë për të pajë shpirtërore dhe qëndrese deri kur dha edhe frymën e fundit.

****

“Takimet e Gjeçovit 2016″ më 15 tetor në Zym

Më 15 tetor, në Zym të Hasit, mbahen manifestimi i përvitshëm kulturor i njohur si”Takimet e Gjeçovit 2016”. Ja njoftimi i Nikollë Kërhanajt nga fshati Zym:

TË BASHKUAR NË KUJTIM TË GJEÇOVIT

Në muajin e përgatitjeve për shënimin e 45-vjetorit të manifestimit letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit 2016” që sivjet mbahet më 15 tetor (ditë e shtunë) kujtojmë 142-vjetorin e lindjes dhe 87-vjetorin e vrasjes së françeskanit të madh shqiptar, Atë Shtjefën Gjeçovit, nga dora katile, më 14 tetor 1929.

Të kujtojmë se françeskani e studiuesi i jashtëzakonshëm atë Gjeçovi ka lindur dhe është rritur në gjirin e popullit, me vegjëlinë e popullit, e, jo me qeveritë e pushteteve në kalim duke rrëshqitur si në akull, gjithnjë duke e ndjekur deri në vrasje në tradhti e pritë

Atë Shtjefën Gjeçovin e ka mbrojtur populli e jo pushtetarët që ndërroheshin si figurat në shah. Populli e ka ruajtur emrin dhe veprat e tij, duke i aplikuar e zbatuar në jetë. Kështu, Gjeçovi nga populli është rritur e ngritur në martir të kombit. Kanuni i mbledhur e kodifikuar nga françeskani atë Gjeçovi u ruajt dhe u zbatua në jetë nga populli. Andaj, tani në manifestim marrin pjesë qytetarë e pushtetarë, sepse kaluan kohët e katilave që ishin për Gjeçovin, Fishtën e të tjerë që ndiqeshin e anatemoheshin deri në fundshekullin XX-të.

Tani, të gjithë të bashkuar në kujtim të Gjeçovit në fshatin Zym të Hasit!

12 tetor 2016 – Nikollë Kërhanaj

 

Filed Under: Histori Tagged With: Atë Shtjefën Gjeçovi, kolosi i Fesë e Atdheut

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT