• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria e sloganeve politike

October 24, 2015 by dgreca

Nga Aurenc Bebja, Klara Buda Post (New York)/
Në zgjedhjet parlamentare të 2013 dhe ato lokale të 2015 janë përfshirë 63 parti politike, me apo pa koalicion. Kurioziteti më bëri që të mbledh sloganet e tyre, « ajkën e ajkës », dhe të shoh se çfarë kanë premtuar, propaganduar gjatë fushatave elektorale.
Pasi arrita të mbledh pothuajse gjysmat e « parrullave », në pamundësi për ti gjetur të gjitha, vendosa të « vesh » kostumin e një lideri politik shqiptar dhe të luaj rolin e tij. « Kompozova » po me këto slogane një fjalim « prekës dhe bindës » që me siguri në lidhje me « kandidaturën time » do më « sjellë » një numër të konsiderueshëm votash.
Me këtë fjalim të « sinqertë » bëhuni gati ti themi « lamtumirë » varfërisë, injorancës, korrupsionit, padrejtësisë e çdo gjëje besdisëse që dëshironi, se këtu do të bëj « premtime të bëra » që as edhe politikanët perëndimorë nuk janë të « aftë » t’i bëjnë.
Kuptohet që fjalimin do e mbaj direkt nga tribuna kryesore e sheshit përpara jush, domethënë përpara « qindra-mijëra » mbështetësve euforikë duke më pritur me padurim, me duartrokitje, brohorima dhe me fishkëllima dashamirëse ashtu siç na e ka tradita. Duke marrë parasysh fluksin e madh të simpatizantëve, nuk ju fsheh që jam pak i shqetësuar për faktin se nëse do të ketë vend të mjaftueshëm për të gjithë në shesh.
Nëpërmjet « fjalimit tim » të më poshtëm do të gjeni një përmbledhje të 30 sloganeve partiake që kanë për qëllim të « mirën » e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ja se çfarë na është shërbyer nga politika shqiptare që prej 2013 e deri më sot :
Zonja dhe zotërinj,
Përshëndetje,
Së pari, ju e dini fare mirë dhe nuk keni aspak dyshim se unë e dua Shqipërinë [1] dhe se kam ardhur këtu me një vizion të ri [2] për të sjellur një politikë njerëzore [3]. Së bashku do ti japim politikës identitet dhe moral [4], elementë të cilët do të shërbejnë si për shtetin dhe qytetarët [5].
Së dyti dhe me të drejtë absolute, për ju që e ndërtuat Shqipërinë [6], unë e di që jeni të pakënaqur dhe të zemëruar prej partive të pushtetit 25 vjeçar [7], por bësomëni…bashkë do sjellim ndryshimin [8]. Jam këtu për tu kushtuar vëmendje qytetarëve [9]. Jam tepër i bindur se shqiptarët meritojnë më shumë [10]. Nuk i harroj gjithashtu brezat e rinj, dhe përfitoj nga rasti tu them atyre se Shqipëria është e të rinjve [11].
Së treti, zëri juaj [12] është i rëndësishëm, dhe nëse nuk votojmë, nuk flasim [13], kjo na bën që të mos kemi standarte jetese, dinjitet njerëzor [14]. Për këtë arsye, bashkombasit e mi, afrojuni vlerave se koha nuk pret [15], më dëgjoni është koha për njëri-tjetrin [16], se vetëm kështu mund të fitojmë të ardhmen [17]. Ju garantoj se të bashkuar jemi më të fortë [18].
Së katërti, është mëse e qartë që vendi ynë ka nevojë të rilindë [19] dhe të çohet në drejtimin e duhur [19], por kjo arrihet vetëm me punë dhe dinjitet [20].
Se pesti, si forcë politike me themele të patundura, ne ju afrojmë punësim, mirëqenie dhe integrim [21], e theksoj me plot bindje dhe po e ripërsëris, se do të ketë më shumë shërbim dhe punësim[22]. Duke më votuar, ke votuar për të ardhmen e fëmijëve tuaj, ke votuar për drejtësi, ke votuar për prosperitetin e vendit [23]. Portat e Bashkimit Europian po na hapen, dhe le tu tregojmë të gjithëve se shqiptarët janë vetëm europianë [24], dhe së shpejti do bëhemi pjesë e tyre.
Së gjashti, motra dhe vëllezër, ju bëj thirrje solemne të zgjidhni njeriun, t’ju qeverisë më mirë [25]. Duke më votuar, voto veten [26], voto vetveten [27], voto për komunitetin tënd [28] ku unë bëj pjesë.
Së shtatti dhe së fundmi, po ju them se me besimin në zot, pronë dhe komb [29] do ecim përpara [30] sepse ne jemi ndryshimi [30]. Rroftë Shqipëria, rroftë liria, rroftë demokracia, rroftë populli shqiptar !

Me këto slogane kaq inkurajuese është për tu çuditur kur dëgjojmë ende të flitet për ngerc ekonomik, për trazim social, dhe për papunësi në Shqipëri. « Besoj » se politikanët që bëjnë të tilla premtime, janë të vetëdijshëm dhe me « siguri » që do i mbajnë ato, të paktën ata që kanë fituar në zgjedhje. Në qoftë se premtimet e bëra nga politika shqiptare më sipër nuk mbahen, atëherë populli shqiptar me rrugë demokratike mund të reagojë dhe ta ndëshkojë atë me anë të votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2017.
Aurenc Bebja, Klara Buda Post (New York)

Burimi : Klara Buda Post (New York)
http://klarabudapost.com/shqiperia-e-sloganeve-politike/#.VioZZfnhDIU

REFERENCAT E SLOGANEVE :

[1] Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU)
[2] Parti Forca Rinia (FRA)
[3] Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet (ADS)
[4] Partia e Unitetit Kombëtar (PUK)
[5] Partia Fryma e Re Demokratike (FRD)
[6] Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve (PMDE)
[7] Partia Lëvizje për Drejtësi e Shqiptarëve (LDSH)
[8] Partia Ligj dhe Drejtësi (PLIDR)
[9] Partia Demokracia Sociale (PDS)
[10] Partia Republikane (PR)
[11] Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI)
[12] Partia Lëvizje për Drejtësi e Shqiptarëve (LDSH)
[13] Partia Socialiste e Moderuar (PSM)
[14] Partia Personat me Aftësi të Kufizuara (PPAK)
[15] Partia Shqiptare Atdheu (PSHA)
[16] Partia Demokristiane e Shqipërisë (PDK)
[17] Partia Demokracia Sociale (PDS)
[18] Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë (ADK)
[19] Partia Socialiste e Shqipërisë (PS)
[20] Partia Demokratike (PD)
[21] Partia Demokracia e Re Europiane (PDRE)
[22] Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI)
[23] Partia e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë (PDBMSH)
[24] Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ)
[25] Partia Bashkimi Demokrat (PBD)
[26] Aleanca Popullore (AP)
[27] Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL)
[28] Partia Lëvizja për Zhvillimin Kombëtar (LZHK)
[29] Partia Republikane (PR)
[30] Partia Demokratike (PD)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurenc Bebja, politike, Shqipëria e sloganeve

Lodhje nga llumi politik Shqiptar

October 4, 2015 by dgreca

Klasa politike shqiptare, me « metodat » e saja menaxhuese, apo më saktë me mungesën e tyre e ka lodhur popullin shqiptar, në planin ekonomik dhe moral. Me një « sy qorr » dhe një « vesh të shurdhër », kundrejt kritikave, fatkeqesisht sporadike ajo vazhdon të bëjë një gjë të tillë e pa tronditur. Gjithnje e me i madh eshte numri i njerezve që ndihen të neveritur nga llumi politik shqiptar./

Shkruan: Aurenc BEBJA/
Francë, 3 tetor/Një seri konstatimesh, edhe pse mund të mungojnë shumë të tjera, mjaftojnë për të bërë tabllonë e « keqtrajtimit » të popullit shqiptar dhe origjinën e lodhjes së tij…me premtimet politike të pambajtura [1] :- 300 000 vende të reja pune brenda mandatit të parë qeverisës 2013 – 2017

– 95 % e popullsisë do të përfitojë ulje taksash

– 5 fish rritje të financimit për bujqësinë

– Shëndetësia, falas për të gjithë

me gjuhë e degraduar në Parlament [2] :

– akuza nga më të rëndat për njëri-tjetrin, por çuditërisht nuk ka asnjë arrestim…asnjë dënim

– një gjuhë shkëmbimi tepër e degraduar : e ke fajin ti, e kam fajin unë (si fëmijë kopshti), ti je horr, ndërsa ti je sorrë [3], ti je legen, ti merresh më këtë, ti shkon me atë

me lojën politike të dyfishtë [4] :

– kaloj djathtas, pastaj majtas, dhe anasjelltas

– krijoj parti të re dhe pastaj e shkrij partinë pasi ribashkohem me një tjetër parti

– braktis filan parti edhe pse më kanë zgjedhur me votë (d.m.th kam premtuar shumër gjëra elektoratit) për një parti tjetër

me një pozitë që sillet sikur është gjithmonë në opozitë, dhe me një opozitë që s’po ndërgjegjësohet e të ribashkohet për të bërë opozitë :

me mbijetesën në fshat :

– punimin e tokës si në mesjetë

– prodhimet bujqësorë që nuk u gjejnë dot treg

– rrugët që nuk mund të quhen rrugë

– faturat e çmimit të lartë të energjisë elektrike që nuk mund të paguajnë

– mungesa e ujit te pishëm që nuk e kanë në shtëpi

– mungesën e shërbimit shëndetësor

me jetesën në qytet :

– trafikun e dendur

– ndotja dhe smogu [5]

– mbeturinat

– mungesën e hapsirave të gjelbërta dhe e kendeve te lojrave per femije

– taksat, faturat

me aksidentet rrugore [6], mua krimin [7] dhe dhunën [8] në familje

me pritjen nëpër kampet gjermane pa shpresa [9] :

– sigurisht nuk u larguan me dhunë nga Shqipëria por u larguan nga varfëria

– u larguan pa e ditur mirë se çfarë i priste

– u larguan se u lodhën duke pritur

me ëndërrën europiane [10] :

– sa herë që kemi një shans për tu afruar në BE e djegim

– sillemi me arrogancë ndaj autoriteteve të BE-së, dhe dihet që duke vëzhguar sjelljet tona, na e mbyllin derën çdo herë, apo më mirë na e plasin në surrat

me imazhin e keq që kemi në Botë për arsye të veprimeve apo lidhjeve politiko – kriminale. Populli perëndimor, kur janë në dijeni se nga bie Shqipëria, na quajnë popull mafioz (drogë, prostitucion, vjedhje).

Si përfundim, sa do të mund të durojë populli shqiptar lodhjen e shkaktuar nga klasa politike ? A ka limite durimi i tij ? A do te ndryshojë klasa politike përpara se populli të humbë durimin? Kjo eshte tanime nje domosdoshmeri.(Kortezi: K L A R A  B U D A  P O S T)

REFERENCAT :

 [1] Gazeta Shekulli, 23 shkurt 2013 : « Programi i plotë elektoral, premtimet e PS-së ».

http://www.shekulli.com.al/p.php?id=17270

[2] Syri.net, 17 shtator 2015 : « Debatet sot në Kuvend ».

http://syri.net/index.php/2015/09/17/perplasje-te-forta-ne-kuvend-per-dekriminalizimin-berisha-dhe-rama-kembejne-njeri-tjetrin/

[3] Mapo, 2 tetor 2015 : « PS tkurret akoma, Balla fyen Topallin: Sorrë ».

http://www.mapo.al/2015/10/ps-tkurret-akoma-balla-fyen-topallin-sorre

[4] Mapo, 26 shtator 2015 : « Merkato politike, kush janë deputetët që kanë ndryshuar parti ».

http://www.mapo.al/2015/09/merkato-politike-kush-jane-deputetet-qe-kane-ndryshuar-parti

[5] Telegrafi.com, 17 janar 2015 : « Tirana mbulohet nga mjegulla dhe smogu (Foto) ».

http://www.telegrafi.com/lajme/tirana-mbulohet-nga-mjegulla-dhe-smogu-foto-78-13366.html

[6] Syri.net, 5 shtator 2015 : « Shifrat e frikshme të aksidenteve. BB: Shkalla e vdekshmërisë 10 herë më shumë se në BE ».

http://syri.net/index.php/2015/09/05/shifrat-e-frikshme-te-aksidenteve-bb-shkalla-e-vdekshmerise-10-here-me-shume-se-ne-be/

[7] Respublica.al, 20 Mund 2014 : « Krimi në familje, burri vrau gruan se i ktheu dorë, më pas vetëvritet ».

http://www.respublica.al/arkiv-lajme-t%C3%AB-p%C3%ABrdit%C3%ABsuara/krimi-n%C3%AB-familje-burri-vrau-gruan-se-i-ktheu-dor%C3%AB-m%C3%AB-pas-vet%C3%ABvritet

[8] Koha Jonë, 14 shtator 2015 : « Dhuna në familje, në 48 orë 7 urdhërmbrojtje ».

http://www.kohajone.com/index.php/aktualitet/dhuna-ne-familje-ne-48-ore-7-urdhermbrojtje

[9] Java News, 8 shtator 2015 : « Shuhen shpresat për azil në Gjermani, Shqipëria vend i sigurt origjine ».

http://www.javanews.al/shuhen-shpresat-per-azil-ne-gjermani-shqiperia-vend-i-sigurt-origjine/

[10] Tema, 14 Shtator 2015 : « Rama : Kur do antarsohemi në BE ? Pyesni Merkelin. Ka shumë paragjykime për Shqipërinë ».

http://www.gazetatema.net/web/2015/09/14/rama-kur-do-te-anetaresohemi-ne-be-pyesni-merkelin-ka-shume-paragjykime-per-shqiperine/

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurenc Bebja, Lodhje, nga llumi, politik Shqiptar

« Miku me ryshfet », armiku i shoqërisë shqiptare

September 25, 2015 by dgreca

Nga Aurenc Bebja-France/

 Sipas fjalorit të gjuhës shqipe miku dhe ryshfeti përshkruhen si më poshtë :« Ai me të cilin kemi miqësi; ai që na do të mirën, na ndihmon me gjithë zemër e na gjendet në çdo nevojë; një i njohur, me të cilin kemi lidhje të ngushta, njeri i afërt ».

« Para ose diçka tjetër që i jepet falas nën dorë një nëpunësi ose punonjësi në detyrë që të bëjë një punë a një shërbim jashtë ligjit ».

Në qoftë se fjala mik është plot kuptim ashtu si në rastin e përshkrimit që i bëhet në fjalorin e gjuhës shqipe, ajo do të ketë një tjetër kuptim në rastin e këtij shkrimi. Ishte në shkëmbim me Julian Dedën në një rrjet social që më nxiti të shkruaj mbi këtë temë, shumë e përhapur në jetën e përditshme shqiptare, ku talentët, njerëz me potencial dije apo zanati, e kanë shumë të vështirë të rezistojnë përballë « talentëve ».

Cfarë do të thotë kjo ?

Një lloj specie « talentësh » duke e ditur fare mirë që s’kanë asnjë talent (aftësi), por kanë para (s’po hyjmë më thellë për origjinën e këtyre të ardhurave), e blejnë atë me « mik », dhe këtu fjala e vërtetë mik ndërmjet parasë apo njohjeve transformohet në një lloj virusi që arrin të deportojë në venat e shoqërisë shqiptare dhe ta infektojë fare lehtë atë.

Ju që jetoni në Shqipëri mund ta keni konstatuar akoma më mirë se unë që shumë aksione ose veprime realizohen me anë të « mikut ». Po marr disa shembuj për të diskutuar rreth kësaj teme. Në Shqipëri futet « mik » për :

  • të zënë një vend pune në administratën publike : Sa drejtorë janë emëruar në administratën publike pa dhënë provat e tyre ? Eshtë e domosdoshme që të futet patjetër konkurimi për të zënë një vend punë në administratë, sepse është e vetmja mënyrë për të bërë dallimin mes të aftëve dhe paaftëve, por kjo gjë s’po ndodh akoma. Në Francë kjo ekziston prej vitesh dhe që të zësh një post për një periudhë të gjatë duhet të konkurosh dhë patjetër të fitosh.
  • të hyrë në univerisitet dhe për të marrë një diplomë : Askush s’mund ta mohojë që një pjesë studentëve paguajnë « mikun » për të hyrë në filan universitet me emër, dhe spo flasim për ata që blejnë diplomat pa shkuar në leksione, ose kur shkojnë, prezantohen me duar në xhepa. Gjatë studimeve të mija në Francë nuk kam parë një student të vijë pa libra ose të mungojë më shumë se tri herë gjatë vitit shkollor. Universitetet franceze kanë rregulla të rrepta. Tri mungesa pa arsye dhe viti shkollor digjet. U kape duke kopjuar, pesë vjet i dënuar të mos pranohesh nga asnjë lloj universiteti. Kurse « mikun » harrojeni, vetëm aftësia inkurajohet. Të diplomohesh në Francë është një sfidë e vërtetë, kurse për « talentët » në Shqipëri është fare e lehtë, akoma më shumë për zyrtarët e lartë. Sa zyrtarë të lartë kemi në Shqipëri që kanë marrë nga dy – tre diploma këto vitet e fundit, e kuptoni ju diploma që të bëjnë njeri të « zgjuar», diploma « me emër » si juridik, shkenca politke, ekonomik.
  • për tu shëruar, mjekuar : Lutemi zotit të mos sëmuresh në Shqipëri, që një i afërt të mos na sëmuret, se të shkundin ekonomikisht. Duhet të njohësh kirurgun, apo të gjesh një « mik » ndërmjetës, pastaj të bësh pazar me të sikur të jemi kafshë (kushton kaq, nuk bëj dot ulje etj) dhe më në fund të lë të kuptosh që ke « shans – nder » që të operon. Nga kirurgu, zbret te infermieret që të rrjepin, s’të bëjnë një shërbim, një gjilpërë pa dhënë një bakshish. Në rregull, rrogat s’janë mbase në nivelin e duhur, por çfarë faji ka populli ! Po shteti pse nuk reagon, flas këtu për spitalet publike ? Dhe meqë po flasim për shëndetësi, e bëri Edi Rama falas ?! Ishte një premtim i tij para dy vitesh më duket.
  • të fituar një tendër në punimet publike : Eshtë e çuditshme dhe anormale kur dëgjon që një pushtetar i atribuon tenderin firmës së tij apo firmës së mikut. Kësaj i thonë vetë vendos e vetë vulos. A respektohet ligji ? Ka transparencë në vendimet që merren ? Kam punuar në administratën publike franceze dhe kam atribuar tendëra, por gjithçka analizohet : metoda e punës, ekipet, buxheti, programi etj, dhe vetëm pas kësaj analize zgjidhet më i afti, dhe u shpjegohet të gjithë konkurentëve të pazgjedhur arsyet përse nuk e fituan tenderin (mangësitë e tyre) dhe u dërgohet në të njëjtën kohë edhe dosja e fituesit për ti bindur. Ndodh kjo në administratën publike shqiptare ?

Kjo puna e « mikut me ryshfet » duhet marrë seriozisht sepse mbetet një problem tepër shqetësues dhe nevojitet të luftohet në mënyrë absolute. « Miku » dembelizon shoqërinë tonë (Mos e vrit mendjen vëlla se gjejmë një mik, dhe kjo çështje zgjidhet për dy sekonda) dhe dekurajon të aftët (Nuk ia vlen të merresh më këtë punë motër, është luftë e humbur). Ndërsa në të njëjtën kohë, të paaftët, « talentët » që administrojnë, drejtojnë vendin as nuk rilindin Shqipërinë dhe as nuk e çojnë atë në drejtimin e duhur. Me mikun në thonjza do të jetë shumë e vështirë të progresojmë dhe akoma shumë më e vështirë të futemi në Bashkimin Europian. Ky tip « miku » nuk është gjë tjetër veçse armiku i shoqërisë shqiptare.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: « Miku me ryshfet », armiku i shoqërisë shqiptare, Aurenc Bebja

VOTA E DIASPORËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, A ËSHTË E MUNDUR?

September 22, 2015 by dgreca

Shqipëria së bashku me Andorën, Armeninë, Maltën dhe San Marino janë të vetmet vende antare të Këshillit të Europës ku Diaspora ende nuk voton, sipas një raporti të botuar në dhjetor 2014 nga ky Institucion.*

Nga Aurenc BEBJA*/

Artikulli në vijim, me një stil pyetjesh, trajton çështjen e votës së diasporës të Republikës së Shqipërisë. Gjatë fushatave të ndryshme elektorale të viteve të fundit klasa politike shqiptare u ka premtuar imigrantëve se vota e tyre do të mundësohet në vendet ku jetojnë dhe punojnë, por ky premtim ende nuk është bërë realitet.

Numri i lartë i popullsisë në diasporë, 1.400.000 shtetas [1], të ardhurat e konsiderueshme, qindra miliona euro, që ajo dërgon në vendlindje, [2], eksperienca e demokracive të zhvilluara dhe studimet e ndryshme mbi ndikimin e kësaj vote në zhvillimin demokratik në vend, shtrojnë një pyetje thelbësore « A është e mundur vota e Diasporës Shqiptare? »

Në përpjekje për t’ju përgjigjur kësaj pyetje lindin një numër pyetjesh të tjera : a është e mundur :

– që tu premtosh shqiptarëve të diasporës mundësinë e votës kur ndodhesh në opozitë në zgjedhjet parlamentare të 2009[3], pastaj në pozitë në zgjedhjet parlamentare të 2013 [4], dhe kur ndodhesh në pozitë në zgjedhjet lokale të 2015 [5], kryeministri i vendit tu kërkojë shqiptarëve te diasporës të nxitin vendesit te votojne, me anë të një statuti të publikuar në profilin e tij në një rrjet social [6] ?

– që një koalicion politik[1] të parfaqësojë mazhorancën e pushtetit lokal, në një shtet të banuar nga 2.893.005 shqiptarë [7], por me 3.372.471 votues të regjistruar në listat elektorale [8], ku vetëm 1.613.054 morën pjesë në votime, dhe ku vetëm 840.180 votuan për këtë koalicion, ose ¼ e popullsisë të regjistruar në lista ?

– që abstenimi i lartë (52.15% sipas KQZ[2]-la) në zgjedhjet e fundit lokale të 2015 të jetë një formë pakënaqësie ndaj politikës shqiptare apo pamundësie e diasporës për tu rikthyer në vendlindje për të votuar ?

– që në listen e 1.759.417 shqiptarëve që nuk votuan të jenë dhe emrat e imigrantëve [9] ?

– që një opozitë (2013 – 2015), dikur në pozitë (2005 – 2013) të heshtë ndaj votës së diasporës ?

– që mungesa e votës së diasporës nuk vë aspak në dyshim demokracinë lokale, që nuk forcon pushtetin oligark të klasës politike, apo nuk influencon përhapjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të korrupsionit ?

– që vota e diasporës do të krijojë nevojën për rinovimin e politikanëve shqiptarë, gjë e cila do të mund të kontribuojë në ndryshimin e imazhit të politikës në shkallë lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare ?

– modifikimi i nenit 45, të pikës 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë [10] apo i nenit 3, të pikës 3 të Kodit Zgjedhor [11] për sigurimin e votës së diasporës ?

– mundësimi i votës së diasporës për shembull në shtetet perëndimore si Franca [12] apo Gjermania [13] ?

– votimi në ambasadat dhe konsullatat shqiptare në botë, ashtu siç ndodhi për zgjedhjet parlamentare të prill 2014 në Maqedoni [14], për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershor 2014 au Kosovo [15], për zgjedhjet prezidenciale të nëntorit 2014 në Rumani [16], apo për zgjedhjet legjislative të majit 2015 në Turqi [17].

– që shoqatat shqiptare në botë [18] (një pjesë e tyre të ndjekura nga mijëra e mijëra shqiptarë në rrjetet sociale) të luajnë një rol mediatori ndaj mërgatës shqiptare duke e informuar atë se si dhe ku mund të votohet në diasporë ?

Në përfundim, çështja e votës imigrante të shqiptarve të Shqipërisë, në shtetet ku jetojnë dhe punojnë, mbetet ende një dosje e hapur, dhe realisht e papërfunnuar. Ndërmjet bashkëpunimit të aktorëve të ndryshëm që numëruam më lart, imigrantëve shqiptarë mund tu realizohet mundësia e votimit në distancë që në zgjedhjet parlamentare të 2017, por kjo do të varet nga vullneti, i klasës politike shqiptare, ose edhe nga vetë reagimi i diasporës ndaj kësaj teme.(Klara Buda Post)

Filed Under: Mergata Tagged With: Aurenc Bebja, Vota e Diaspores

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37

Artikujt e fundit

  • Mesazh ngushëllimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë Z.Bajram Begaj për ndarjen nga jeta të At Arthur Liolin
  • KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN MBAN ZI – NDËRROI JETË KANCELARI I KISHËS ORTHODOKSE AUTOQEFALE SHQIPTARE, AT ARTHUR LIOLIN
  • SHKOLLA SHQIPE “CHILDREN OF THE EAGLE”, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË AMERIKË
  • SUKSES I MADH I SHAHUT SHQIPTAR
  • Fantazi e çuditshme
  • Kuvendi miratoi Rezolutën nëpërmjet së cilës dënon sulmin terrorist të organizuar nga Serbia në veri të Kosovës
  • Njohja njerëzore, ky proces që fillon nga vetja
  • Për të gjithë të interesuarit…(Reklamë)
  • Evropë apo Europë?
  • SHUHET ATË ARTHUR LIOLIN
  • SOT NE PERVJETORIN E VDEKJES
  • Lamtumirë At Arthur Liolin
  • Lamtumirë i Përndershmi At’Arthur Liolin
  • FJETI MË ZOTIN ATË ARTUR LIOLINI
  • Shuhet At Arthur Liolin, Vatra telegram ngushëllimi

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT