• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

11 VJET PAVARESI- FESTA E KOSOVES NE “VATREN” E TAMPES

February 17, 2019 by dgreca

4 Kengetarja2 kengetarja5 salle e valle3 Tahsimi me valltaret6 Avdullai e keng13 Bebi11 Tasimi dyshe8 Kercejne me flamure15 Tasimi treshe14 Dritare11 me ushqim10 kengetarja e shoq

Nga Avdulla Kenaci/*

Te shtunen ne mbremje, ne nje nga lokalet e Cleawater,shqiptaret e deges se “Vatres” ne Tampa, ngriten me gezim e krenari flamujte e festes se pavaresise se Kosoves. Kishin dite qe kryetari i kesaj shoqate, zoti Tasim Ruko dhe kryesia e saj, po benin pergatitjet per ta festuar sa me me dinjitet dhe madheshti. Ata qe merren me organizimin e eventeve te tilla, i njohin pengesat dhe veshtiresite e realizimit final duke nisur qe nga piketimi i lokalit e gjer tek dekorimi i salles me simbole kombetare. Fale pervojes pesevjecare te kesaj dege, disa jave me pare ishin marre masat e duhura. Dihet se ka nje gare per te gjetur kengetaret me te mire midis shoqatave shqiptare, prandaj u piketuan dhe u pronotuan kengetarja e njohur, Alberije Hadergjonaj dhe muzikaniti i talentuar Edmond Nikolla. Ata jetojne ne shtete te tjera te Amerikes, jashte Florides dhe u desh te komunikohej disa here me ta ne telefon qe te garantohej pjesmarrja e tyre dhe dhe t’u pronotoheshin biletat ardhje dhe kthim. U zgjodh pikerisht kjo kengetare nga qe ajo jeton dhe punon midis Shqiperise, Kosoves dhe Shteteve te Bashkuara te Amerikes. Alberija eshte  lindur ne Gjakove, e njohur per interpretimin e kengeve patriotike, sidomos nga trevat e Kosoves. Ajo ka nje karriere te gjate ku debuton ne skena dhe ekranet televizive ne gjuhen shqip.

Ne javen e fundit, kryesia e shoqates u mblodh dhe i rishikoi edhe njehere detyrat per secilin. Nenkryetari i shoqates, Isuf Spahia ka nje pervoje katermbedhjete vjecare per oganizimine e aktiviteteve me shqiptaret e Kosoves. Ai raportoi per sigurimin e salles, dhe komunikimin me grupet e punes qe merreshin me njoftimet. Shefi i kultures i shoqates, zoti Ndue Gjekaj, hartoi programin e mbremjes dhe siguroi fonine. Zoti Endri Filipi, anetar i kryesise dhe aktivist i shquar i shoqates raportoi per bashkepunimin me shume bashkatdhetare te cilet kane konfirmuar pjesemarrjen ne feste, ndersa sekretari  i shoqates, Ari Avdi dhe Jason Sul Isufaj bene nje tablo sinoptike te gjendjes financiare. Ata  shprehen mendimin se gjendja ishte optimiste ne se do te realizohej pjesemarrja e konfirmuar me telefon. Aktiviste te tjere te shoqates si Mimoza Traga, Piro Poloska, Eva Keta dhe Anxhi Sharrexhi moren persiper se do te ishin ne kontakt me grupet e tyre gjer ne pjesemarrjen finale te kesaj mbremjeje muzikore. Kete radhe per sigurimine ushqimit u pronotua nje restorant shqiptar me pronar Frederik Ndreu i cili gatoi asortimente me kosto te ulet dhe cilesi sipas shijeve popullore shqiptare.

I permendem gjithe keta emra per te treguar se sa me shume aktiviste te marrin pjese ne nje event, duke realizuar secili detyen e vet e me ndergjegje, aq me shume eshte i garantuar suksesi. Dhe kjo ndodhi te shtunen ne mbremje kur salla u mbush plot e perplot ne Cliver Water, madje u sollen edhe tavolina shtese sepse kishin ardhur bashkatdhetare mbi parashikimin.

Pas ekzekutimit te hymneve kombetare te Shteteve te Bashkuara te Amerikes, Shqiperise dhe Kosoves, u bene pershendetje dhe u recituan poezi per 11-vjetorin e Pavaresise se Kosoves nga Ndue Gjetaj. Fjalen hyrese e mbajti nenkryetari i deges “Vatra”, drenicari Isuf Spahia i cili vuri ne dukje sakrificat dhe gjakun e derdhur ne shekuj per lirine e Kosoves. Grupi i valleve popullore te vajzave, i udhehequr nga mjeku i apasionuar pas artit dhe DJ, Ardian Kraja, drejtues fondacioni, korri shume ovacione dhe duartrokitje. Te gjitha vajzat ishin veshur me kostume popullore te ndezura. Ato i dhane zjarr e gjalleri festes duke ekzekutuar njera pas tjetres me shume elegance valle nga trevat shqiptare si nga Jugu ashtu edhe Veriu. Vallja me flamurin kombetar kuq e zi ne doren e drejteses se valles, ishte nga kulmet e ketij program qe u duartrokit me entusiazem. Bashkatdhetari, aktori dhe kengetari Thimi Filipi, i cili jeton e punon prej vitesh familjarisht ne Tampa, asnjehere nuk i ka  munguar shoqates, ne cdo event. Ai e nisi interpretimin e tij me kengen kuptimplote arbereshe “Moje bukura More”. Peseqind vjet dhe pa harruar asnje dite atdheun qe mbeti pas.Emocionuese, mbreslenese.

Zoti Tasim Ruko ngriti nje dolli per popullin heroik te Kosoves qe ka bere sakrifica shekullore, duke uruar qe te vije nje dite ku shqiptaret te ndjehen te bashkuar ashtu si ndjehen ketu ne Amerike, pa dallim feje, krahine dhe ideje. “Ata qe gezojne dhe perjetojne demokracine dhe lirine amerikane, mendojne dhe enderrojne edhe per trojet shqiptare nga kane rrenjet. Ata desherojne dhe enderrojne qe nje dite edhe Kosova e Shqiperia te behen keshtu si Amerika. Vetem keshtu do te jemi te plotesuar dhe gjumin do ta bejne te qete”, tha ai.

Pjesmarres te tjere qe kenduan, vallezuan, folen, ngriten dolli sugjeruan qe te mblidhen se bashku me shpesh, pa pritur festat e Pavaresise. Veprimtari te tilla i sherbejne njohjes, bashkimit dhe vellazerimit. Vetem te bashkuar do te kene mundesi me shume te ndihmojne njeri-tjetrin dhe te kontribuojne per Atdhe.

Tampa, Florida, 17 shkurt 2019

  • Na ndiqni ne Facebook (Dielli Gazeta Newspaper)

Filed Under: Featured Tagged With: Avdulla Kenaci, festa e Pavaresise, Tahsim Ruko, Vatra ne Tampa

ENTERPRISE

October 27, 2018 by dgreca

1 avdulla

Tregim/

Nga Avdulla Kënaçi/

Edhe atë ditë dielli e kishte kapërcyer Kodrën e Lëkurësit duke lëshuar rrezet e tij të arta tej e tej gjirit të qytetit të vogël të Sarandës duke e ngopur luginën me dritë. Deti, i qetë e i palëvizur, dukej si një pasqyrë e stërmadhe. Pulëbardhat herë pas here bënin rrotullime të shpejta mbi portin e vogël duke kërkuar ndonjë cironkë të harruar. Peshkatarët, veshur me mushama shiu, të lodhur nga gjuetia natën, kishin mbrritur në liman dhe me përtesë zbraznin nga varkat atë pak peshk që kishin kapur. E hidhnin nëpër ca kova plastike të bardha që kushedi përse ishin përdorur më parë.                                                                                                                                                    Oficeri Kreshnik Selmani, komandant i baterisë bregdetare, i ulur në verandë, karshi detit, për qejf të tij, ishte duke pirë kafenë e mëngjesit, domosdo allaturka. Duke rrufisur lëngun e zi, sytë i mbante mbërthyer nga moli. Ndiqte veprimet e peshkatarëve dhe mendonte punën e tyre të vështirë tutje në det. I njihte me emër të gjithë sepse secili ishte i skeduar në lejet vjetore që ata merrnin në komandën e kufirit. Nga çasti ne çast oficeri priste makinën e vogël të repartit, gazin sovjetik mbuluar me mushama të zezë. Ishte ky një ritual i përditshëm, sa herë në kufirin jugor nuk kishte ngjarje do ta merrnin nga shtëpia fiks në orën 7:30 minuta. Ai banonte në zemër të qytetit, nja pesëdhjetë shkallë mbi liman, pikërisht në katin e dytë të Vilës së Zigait, një ish tregtar çifut i shpronësuar prej njëzetë e dy vjetësh më parë. Në të njëjtën vilë, por në katin përdhes, banonte një ish i burgosur politik për agjitacion e propagandë. Kati ku ishte strehuar familja e tij ishte me sipërfaqe dy herë më të vogël se sa ajo e ushtarakut. Nga krahu i sipërm, gjysmë nën dhe, hyrja e tij ishte si mos më keq, binte erë myk e lagështirë dhe kur binte shi, muret djersisnin bulëza të vogla uji. Ky kat nuk kishte fushëpamje, kështuqë ish i burgosuri nuk dinte çfarë ndodhte në liman. Ishte i përqëndruar tek një prizë e vockël rrumbullake ku priste të ziente kafeja e tij e mëngjesit. Kafe i thënçin, lëng gështenjash. Edhe atë e merrnin me racion, një pako 100 gramshe për një muaj. Tafil Çanga, kështu quhej ai, u habit kur pa se aneksi i tij ku ziente kafenë, papritur u errësua. Ngriti kryet nga gjysmë dritarja dhe kuptoi se rrezet e diellit i pengonte gazi i ushtrisë i sapombrritur. Pastaj ndjeu dy hapa të shpejta që bënin zhurmë mbi zhavorin e hedhur në rrugë. Ishin çizmet ushtarake të Nikut i cili ndryshe nga herët e tjera hyri me shpejtësi në makinë duke përplasur derën fort. “Me siguri edhe sonte dikush ka tentuar të kalojë kufirin”, mendoi Tafil Çanga duke tundur kryet. Gazi u largua me shpejtësi duke lënë mbrapa shtëllunga tymi me erë benzine. Tafili priti edhe pak, pastaj tërhoqi mbrapa derën e shtëpisë përdhese dhe mori rrugën për në ofiçinën e parkut të autobusëve ku punonte si mekanik. E shoqja e tij ende nuk ishte kthyer nga radha e qumështit. Jashtë në rrugë, ku kishte aq shumë dritë e freski, ndjehej aroma e luleve të mimozës, aromë që mekanikut i kishte munguar katër vjet me radhë në burgjet rrethuar me beton në veri të Shqipërisë. Të shkuara të harruara. Kishte një vit i lëruar nga burgu. Po vinte pranvera e cila në Sarandë hyn e para së bashku me festën e Shën Valentinit të cilën shumë pak njerëz e dinin në atë qytet provincial me pesëmijë banorë. Tafili shtyu portën prej llamarine të ofiçinës dhe hodhi sytë rrotull; asnjë punëtor tjetër nuk kishte ardhur, megjithatë ai shpërveshi mëngët dhe rrëmbeu nga bankoprova çelësin anglez me të cilin duhej të hapte një motor difektoz gjashtëpistonësh. Për habi mendja i fluturoi tek fqinj Kreshniku dhe në kokë i trokiti pyetja: Pse iku me aq nxitim, iku pa përshëndetur si zakonisht. Kishte diçka ndryshe sot, gjithë ajo ngutje…

***

Bateria bregdetare ishte vendosur në gatishmëri numur një. Ushtarët ishin rreshtuar dhe ngjanin si buste të ngrirë, dukeshin gati si guakë, as frymëmarrja më e vogël nuk u dëgjohej. Në ajrin e mëngjesit, mbi kokat e ushtarëve ndjehej tension dhe panik. Prisnin çfarë do t’u komunikonte Komandanti. Ata kishin mësuar se diçka e frikshme, e panjohur, ishte shfaqur në Kanalin e Korfuzit, por asnjëri nuk jepte dot shpjegime. Thuajse të gjithë kishin hyrë në vitin e dytë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, por kurrë nuk kishin patur ngjarje si kjo e këtij mëngjesi. E respektonin komandantin për aftësitë dhe korrektesën e tij shembullore. Prisnin çfarë do t’u komunikonte në vazhdimësi, por atë mëngjes ai ishte shumë i ngrysur e serioz. Nuk bëri me ta asnjë nga ato ironitë e shpotitë e tij të zakonshme. Komunikoi vetëm me nënoficerët. Diçka u tha me zë të ulët, pastaj hyri në strehimin e skuadrës së ndërlidhjes. U ul në stolin e komandantit të skuadrës dhe me nervozizëm rrotulloi dorezën e telefonit kabllor. U lidh përsëri me patrullën vëzhguese në Kepin e Stillos nga ku kishte mbrritur lajmi i frikshëm:

  • Alo, ushtar Dhima, a ke fushëpamje, çfarë shikon në Kanalin e Korfuzit?
  • Shoku Komandant, ushtar Dhima ju dëgjon. Duket si një ishull në lëvizje, si një aerodrom fluturimesh. Mendoj se është më e madhe se sa dy fusha futbolli.
  • Ushtar Dhima, jepua binoklin dy ushtarëve të tjerë të skuadrës dhe më raporto; edhe ata të njëjtin objekt si ti shohin?
  • Si udhëron, shoku Komandant, – u përgjigj prerë ushtari dhe pastaj u bë heshtje. Oficer Kreshniku ndjeu mornica në trup, por nuk e dha veten para ushtarëve: “Duhet të njoftoj komandën eprore, nuk mund ta mbaj këtë përgjegjësi mbi vete, është peshë e rëndë, çfarë djallin është ky objekt i paindentifikueshëm që na u shfaq që në pikë të mëngjesit? Mos janë mirazhe?”, pyeti veten oficeri i karrierës pa e kuptuar se çfarë po ndodhte.
  • Shoku Komandant, të dy ushtarët e tjerë kanë të njëjtin mendim me mua, – u përgjigj kufitari Dhima.
  • M’i kalo në telefon secilin veç e veç, – dha urdhër Komandanti. Pastaj ai i dëgjoi përgjigjet një nga një. Saktësia e ushtarit të parë u konfirmua. Të tre patrulluesit jepnin të njëjtat të dhëna dhe të njëjtat argumente për “lubinë” që kishte hyrë pa pyetur në Kanalin e Korfuzit. Raportimet në telefonin kabllor vazhdonin:
  • Shoku Komandant, përsipër ka aeroplanë të vegjël.
  • Numuroni sa janë?
  • Janë fiks 28 aeroplanë në pjesën e parë.
  • Tjetër çfarë shikoni?
  • Ka gryka zjarri, sa nuk numurohen dot, janë të gjitha të drejtuara nga ne, nga bregdeti ynë.
  • Shokë ushtarë, bëni sytë katër, jini vigjilentë siçna mëson Partia dhe shikoni se mos kjo anije prek ujrat tona territoriale, – porositi Komandanti dhe dha urdhër që bateritë bregdetare dhe ato kundërajrore të ishin në gatishmëri numër një.

Iu kujtua incidenti me anijet angleze më 1946 ku mbetën të vrarë nga minat 44 ushtarë të destrojerit të Flotës ushtarake të Britanisë së Madhe. Ngjarja kishte ndodhur pikërisht këtu në Kanalin e Korfuzit. Shqipëria akoma ishte në gjyq ndërkombëtar edhe pse ato mina i kishin vënë jugosllavët. Anglia, për llogari të atij incidenti kishte sekuestruar tre mijë kilogram flori shqiptar. Por edhe sikur të prekeshin ujrat territorial si atëherë nuk mund të mbante përgjegjësi aq të madhe sa të hapte zjarr pa urdhër nga lart, megjithse rregullorja ia lejonte. Priti pak, nuk duhet të humbiste toruan, pastaj hyri në strehim dhe u lidh me Ministrin e Mbrojtjes. I raportoi gjithçka dinte, gjer edhe për kushtet e motit. Heshtje. Ato momente pritje ishin sa një shekull. Nuk duhet ta linin vetëm. Pastaj kërkëlliti zilja e telefonit. Nga ana tjetër e receptorit erdhi sqarimi së bashku me urdhërin:

  • Shoku oficer Selmani, nuk është anije, as nëndetëse, por aeroplanmbajtëse. Shihni si e ka emrin, çfarë flamuri ka dhe çfarë unforme kanë marinarët?
  • Si urdhëron shoku Ministër, – u përgjigj komandant Kreshniku me zë të dridhur. Aeroplanmbajtëse? U lidh përsëri me njësitin kufitar:
  • Shokë ushtarë, më dëgjoni me kujdes, situata është shumë delikate, keni në dorë fatet e Atdheut, qenka aeroplanmbajtëse. Shihni si e ka emrin, çfarë shkruhet në të? Çfarë flamuri ka? Duken marinarë dhe çfarë uniforme kanë veshur? – Nuk vonoi shumë dhe përgjigja erdhi e shpejtë:
  • Shoku Komandant, me gërma të mëdha shkruhet “USS Enterprise”.
  • Si? Prisni ta shkruaj, përsërite, shoku ushtar.
  • En ter prise, e shkrova, vazhdoni me përgjigjet e pyetjeve të tjera.
  • Ka flamur amerikan dhe marinarët venë e vijnë, por ne na duken të shkujdesur, – erdhi përgjigja e ushtarit matanë receptorit.

“USS Enterprise”. Komandantit iu mor fryma dhe receptori i telefonit gati i ngriu në dorë: “Bobo, kanë mbrritur amerikanët, superfuqia botërore, koka e imperializmit. Dhe më takon mua të merrem me ta. Po çfarë duan këtu tek ne, mor aman, ku m’u poftisën mua? Po sikur të qëllojnë? Derëziu, do më lënë fëmijët jetimë…”. Iu kujtuan dy djemtë e tij, dy dhe pesë vjeçqë i kishte lënë në gjumë qysh herët në mëngjes. Po sikur të hapej luftë? Para syve iu shfaq një perde zjarri, flakët e ferrit dhe Kodra e Lëkurësit e përfshirë nga llava e kuqe. Iu kujtua kënga e vjetër popullore: “Nëpër det si mal i zi/ Vjen vaporri zeherlli/ Ku bie Lëkurësi? …”. Ishin kryqëzorët të cilët kishin qëlluar pa mëshirë nga mezokanali. Ishte shkurt -mars i vitit 1878. Gjylet, njëra pas tjetrës e bënë shkrumb e hi Lëkurësin, një nga fshatrat më të bukur shqiptarë. Në Qafë Gjashtë, burrat lebër kositeshin një nga një sikur të ishin lastarë pemësh. Lëkursi, pas atij bombardimi nuk u ngrit më kurrë. Oficerit të ri i shkoi nëpërmend lufta dhe u lidh përsëri me Ministrin e Mbrojtjes. Ia raportoi të gjitha sa dëgjoi nga ushtarët e njësitit kufitar.

  • Kujdes se mos prekin ujrat tona territoriale, fotografoni dhe më raporto, qëndroni në gatishmëri numër një, – e urdhëroi Ministri.

Ndërkohë aeroplanmbajtësja “Enterprise” ishte afruar fare pranë brigjeve tek tre ishujt e Ksamilit. Dreq, ishin prekur ujrat territoriale. Komandant Kreshniku dha urdhërin e prerë: “Top mbush”. Do përballonin dot zjarrin e aeroplanmbajtëses? Iu kujtua se ata topat e baterisë së tij ishin dhuratë nga Bashkimi Sovjetik. Njëherë, duke i pastruar me leckë, njërit prej tyre i doli boja cifla-cifla dhe ai lexoi vitin e prodhimit, 1936. Qënkishin shumë të vjetër. Eh, gjithë të huajt me hile na e kanë pasur, mendoi. Do përballojmë dot ne breshëritë e amerikanëve nga deti dhe nga ajri?

  • Zoti Ministër, kanë prekur ujrat tona territoriale, kam dhënë urdhër të mbushen topat, – raportoi Komandant Niku. Dhe priste të dëgjonte urdhërin e kobshëm “Zjarr…”. Nuk vonoi shumë dhe nga receptori një zë tjetër bariton u dëgjua:
  • Komanda “Prapsohu”, mor gomar, mor idiot, luftë me amerikanët do na hapëç ti? Të paska marrë koka erë…. heshtje, pastaj zëri i njohur i Ministrit:
  • Ishte Komandanti i Përgjithshëm i Republikës Socialiste të Shqipërisë.
  • Si paskam folë me Udhëheqësin?
  • Po, mor shok, asnjë veprim pa marrë urdhër nga ne – i tha Ministri me zë të ulët dhe mbylli receptorin.

Dalngadalë oficer Kreshnikut po i vinte zemra në vend, pavarësisht nga ajo fjalë ofenduese që dëgjoi në telefon. Punë e madhe, vetëm Ministri e di këtë bisedë. Do t’i takonte përsëri dy fëmijët e tij që ishin si dy pëllumba. Lavdi zotit nuk paskishte luftë. Po pse i thanë “gomar”, në fund të fundit ai rregulloren zbatonte të cilën dora vetë Ministri i Mbrojtjes e kishte firmosur. Nga ana tjetër mendoi: ishte e natyrshme, gjithë ajo katana, gjithë ajo kështjellë çeliku mund të prekte shkëmbinjtë nënujorë prandaj cedoi fare pak në ujrat shqiptare territoriale. Nuk kishte rrugë tjetër se si të përshkonte Kanalin e Korfuzit. Po pse nuk lajmëruan ata nga lart? Me sa duket amerikanët kanë njoftuar Tiranën dhe komandant Selmanit nuk i kanë thënë asgjë. “Me sa duket kanë dashur të dijnë si do veproja unë në rast lufte”, i dha zemër vetes dhe justifikoi “ata aty lart”. “Ra shiu, dolli dielli e piu”, iu kujtua kjo thënie e gjyshes aty në Lumin e Vlorës. Doli i gëzuar nga strehimi, me sy të çelur. “Po pse më thanë gomar?” kjo fjalë i mbeti ndërmend e ngulur si një gozhdë. Ku kishte gabuar vallë? Mori dylbitë dhe po vëzhgonte i shpenguar aeroplanmbajtësen amerikane “Enterprise”. O zot i madh, me kë do matemi dhe ne? Një ishull ngjyrë gri në lundrim kishte mbyllur gjithë Kanalin e Korfuzit. Po pse nuk del tym nga oxhaku i saj, me çfarë lëviz i gjithë ky mal lundrues? Nga litaratura ushtarake në Akademi nuk i kujtohej të kishin mësuar për anije të tilla të stërmëdha, gjigande siçishte vetë Amerika. Sidoqoftë ushtarët i la brenda bunkerëve, pranë topave ende në gatishmëri numër një. Po ajo fjala “gomar” nuk e linte të gëzohej për surprizën, kishte folur me Komandantin e Përgjithshëm. Kjo mundësi të jepet vetëm njëherë në jetë.

 

***

Ndërkohë “Enterprise” vazhdonte udhëtimin e saj nëpër Kanalin e Korfuzit. Kishte kaluar ngushticën dhe po ecte në det të hapur. Nuk prekte më në ujrat tona territoriale. Në Gjirin e Sarandës, megjithse deti atë ditë ishte vaj, u ngritën dallgë. E habitëshme ishte si banorët nuk patën frikë. Atëherë qyteti nuk kishte as gazetë e as radio. Lajmi u përhap gojë më gojë e derë më derë: “Një objekt i çuditshëm ka dalë nga deti”. Njerëzit dolën nëpër ballkone, disa hipën majë pemëve, disa të tjerë se nga nxorën ca dylbi të mbetura që nga lufta e dytë botërore të fshehura në cepa sënduqesh. Për çudi asnjë nuk kishte frikë. Mekanik Tafili, sa mori vesh lajmin u vërsul i pari në rrugë.

  • Me kujdes Tafil, është anije luftarake e huaj dhe mund të qëllojë, mund të jetë e Flotës së Gjashtë në Mesdhe – e porosisnin shokët e ofiçinës jo pa njëfarë ironie.Ata qeshnin e bënin romuze, seçkishin një siguri se nuk do të kishte luftë.

Tafili nuk deshi të dinte se çfarë thoshnin ata, shokët e tij të punës. “Do zoti të qëllojnë, ta bëjnë shkrumb e hi këtë regjim që ka gati një çerek shekulli që po na zë frymën”, mendoi ai dhe u dha këmbëve me shpejtësi për nga Kodra e Diellit ku kishte më shumë fushëpamje. Ashtu, me kominoshe pune dhe duart gjithë graso e vaj makine, ecte me ngut pa kthyer kryet, nuk donte t’ia dinte se çfarë thoshnin të tjerët pas kahëve, as ua vuri veshin fjalëve. Ofiçinën dhe shokët i la pas, kishte ecur gati me vrap. Ktheu edhe njëherë kryet mbrapa se mos e ndiqte kush dhe ngjiti shkallët me shpejtësi në një pallat katër katësh i cili ishte në ndërtim e sipër, por sa më afër detit. Çfarë të shihte ashtu? Aeroplanmbajtësja “Enterprise” ecte triumfatore nëpër det. Kiçi i saj çante ujrat e Jonit dhe ajo kështjellë çeliku ngjyrë gri, madhështore, bënte gjithnjë e më përpara. Tafili e dinte se anijet e Flotës së Gjashtë nuk lëviznin të vetme. Pra, nuk ishte një nga ato. Grykat e zjarrit të “Enterprise” ishin drejtuar poshtë, në ujrat ngjyrë blu të Jonit: “Mor, aman të qëllojë, të bëhet tym e flakë, të zhduket ky regjim barbar pa le të vritem unë i pari” murmuriti ai. Ishte më shumë një dëshirë e tij se sa një realitet sepse gjigandi ngjyrë gri me flamurin amerikan sipër kiçit që çpalosej aq krenar prej erës, të jepte idenë se ajo aeroplanmbajtëse kishte dalë për një shëtitje mëngjesi se sa në një formacion luftarak. Ish të burgosurit iu mbushën sytë me lot. “Enterprise” as donte t’ia dinte se çfarë ndodhte në vendin e vogël të shqiponjave. Ajo shkoi aq afër, preku pak ujrat territeriale dhe vazhdoi rrugëtimin e saj të gjatë sikur Shqipëria nuk ekzistonte fare. Po përse kishte ardhur vallë, pse zgjodhi të kalojë në këto ujra kur shumë mirë mund të udhëtonte në perëndim të Kanalit të Korfuzit, në det të hapur? Tafili u ul në gjunjë, nuk u mor vesh, u ul nga lodhja apo për t’u lutur që “Enterprise” të hynte në portin e vogël të Sarandës. Mjafton të vinte, edhe pa shkrepur asnjë top, ajo e kishte të fituar luftën, mendoi ish i burgosuri. As topat as kundrajrorët tanë nuk mund t’i bënin gjë prej gjëje asaj kalaje prej çeliku. “Kur “Enterprise” nuk i bënë gjë japonezët në luftën e dytë botërore, çfarë mund t’i bëjë Niku me topat e tij të vjetër?”, iu duk ish të burgosurit sikur foli me zë. Pa me kujdes rreth e rrotull duke i bërë sytë katër. Mos e kishte dëgjuar njeri? Ishte gati të uluriste si një ujk i vetmuar pylli. Vetëm ca zallahi fëmijësh vinin që poshtë nga buza e detit. Gjithnjë e më tepër anija po zvogëlohej në horizont nga ana e perëndimit, gjithnjë e më tepër po largohej nga bregdeti shqiptar dhe ish të burgosurit Tafil Çanga vetvetiu i rrëshqitën dy pika lot të tjerë. “Na kanë harruar, nuk na llogarisin, do na lënë akoma të vuajmë, të leqendisemi, të çmendemi…Çfarë të kemi bërë, o i madhi zot?”, tha dhe ashtu, zemërplasur mori të zbresë shkallët e brendshme të pallatit katër katësh në ndërtim e sipër.

Pjesë-pjesë, punëtorët e ofiçinës po mbidheshin në repart duke biseduar me njëri-tjetrin për atë “mal çeliku” që lëvizte nëpër det mu përballë qytetit të tyre të vogël. Asnjëherë nuk kishin parë një gjë të tillë, as peshkatarët që gjuanin matanë ishullit të Korfuzit, nuk iu kujtohej një gjë e tillë. Por as traget nuk kishin parë në një madhësi sa kjo lubi. Të gjithëe dinin se Tafil Çanga dinte diçka më shumë, por nuk fliste, prandaj mekanikët, shokët e tij e rrethuan duke e bombarduar me pyetje. Ai kishte mbaruar shkollën e mesme amerikane “Harri Fullc” dhe dinte anglisht. Ishte dënuar se dëgjonte radion “Zeri i Amerikës” dhe disa shokëve që ai mendonte se ishin të besuar, u kishte treguar lajmet që jepte në shqip ai stacion. Dy prej tyre, bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, e denoncuan dhe ai u dënua me shtatë vjet burg. Nga këto, bëri vetëm katër. Qysh kur kishte dalë nga burgu, Amerikën as në gojë nuk e zinte.

  • Tafil, të lutemi, na thuaj çfarë ishte kjo anije me aeroplanë përsipër?
  • Çfarë patë ju, atë pashë edhe unë.
  • Po ti di angisht, çfarë domethënë “Enterprise”?
  • Ma do mëndja që është emri i pagëzimit të saj.
  • Përse shërben?
  • Ma do mëndja për transport aeroplanësh sepse pashë ca aeroplanë përsipër, por siçi vutë re edhe ju xhanëm, pse më pyesni kot mua? – u përgjigj ai i nervozuar duke i rrëshqitur pyetjes.

Me kaq, heshti dhe nuk deshi të merrej më me këtë temë. Vazhdoi të mbyllte motorin që kishte lënë hapur, ndoshta atë mbasdite do ta mbaronte, ndryshe do t’i thoshnin se mbeti duke bërë sehir aeroplanmbjtësen amerikane. Do t’i thoshnin se shpirtin dhe zemrën i kishte në Amerikë edhe pse hante bukën e mëmëdheut. Nga burgu nuk paskishte mësuar asgjë.

 

***

Komandanti i baterisë bregdetare Kreshnik Selmani ishte një oficer tepër i përpiktë, vinte nga një familjes e varfër nga Lumi i Vlorës me pesë fëmijë, tre prej tyre kishin dalë oficerë. Rast i rrallë. Niku ishte baba i dashur, familjar i rregullt dhe një oficer nga më të përgatiturit sipas shkollave ushtarake në Tiranë. Kishte lindur në një fshat malor që nuk i trembej luftës. Lexonte çdo lloj literature që kishte lidhje me strategjinë ushtarake dhe mundohej të njihte armatimet perëndimore, sidomos ato amerikane, por asnjëherë nuk kishte ndeshur literaturë për një aeroplanmbajtëse kaq të madhe, sa dy fusha sporti. Dhe më e bukura ishte se prej oxhakut të saj nuk dilte tym. Ku shkonte gjithë ai karburant që mund të digjte ajo? Për çdo të papritur atë natë ai nuk shkoi në shtëpi, as të nesërmen. Iu kthye edhe njëherë rregulloreve. Ajo fjala ofenduese që ai nuk guxonte as ta zinte në gojë, e kishte lënë pa gjumë. Pa me vëmendje se si duhej vepruar në rast se cenoheshin kufijtë e Atdheut: duke kujtuar fijë e për pe veprimet e tij, nuk gjeti asnjë gabim, atëherë pse e quajti Komandanti i Përgjithshëm “gomar”?

Natën e tretë, kur thuajse aeroplanmbajtësja ishte harruar, ai u kthye pranë familjes së tij. Ishte i zverdhur në fytyrë dhe i heshtur. Oreks nuk kishte dhe deshi të flinte me fëmijët, me dy djemtë e tij për të cilët tha se e kishte marrë malli.

  • U sëmuri “Enterprise”, si ty ashtu edhe Tafilin, – i tha e shoqja, ekonomiste në një ndërmarrje qylymash. Një grua e urtë dhe mjaft e sjellshme. Ajo kishte dy gërsheta të gjata që i kishte lidhur topuz në majë të kokës. Ishte me origjinë nga një fshat tjetër i Bregut të Poshtëm. Kreshniku e kishte njohur gjatë stërvitjeve ushtarake që bënte shkolla e saj e mesme në repartin e Lëkurësit.
  • Pse çfarë ka Tafili? – e pyeti ai gjithë kërshëri.
  • Ka dhimbje koke, i është prerë oreksi, as dje, as sot nuk ka shkuar në punë.
  • Grua, mirë që më the, po zbres për t’i bërë një vizitë, gjynah, pavarësisht se ka qenë në burg, është familje dëshmori, në fund të fundit burgu e ka riedukuar, do ta shoh, njeri është edhe ai – i tha asaj, pastaj pa marrë përgjigje, hapi dollapin dhe nxori një shishe qelqi me raki gjysmë litroshe që ia kishin sjellë ushtarët, ashtu siçbënte gjithnjë kur frekuentonte fqinjin një kat më poshtë.
  • Na piu e zeza, po e mori vesh Partia që hyn e del pa teklif tek një ish i burgosur, – i tha e friksuar seriozisht e shoqja, por ajo e dinte se ai kur thoshte një gjë, kur jepte një premtim, pavarësisht rrezikut, do ta bënte se s’bën. E pa me ca sy lutës, pastaj me zë të ulët e porositi:
  • Aman, veçpër politikë mos flisni….

Niku buzëqeshi, përqafoi gruan për ta qetësuar dhe hapi derën e jashtme pa kthyer përgjigje. Diçka bluante nëpër mend. Dera u hap dhe brenda hyri një vrushkull ajri i freskët. Niku doli duke parë me kujdes se mos kishte njerëz rrugës. Hodhi sytë nga pedonalja buzë detit, ajo ishte bosh. Elektricistët e komunales ca drita të mekta rruge ende nuk i kishin shuar. Kujtoi fjalët e Tafilit: “Njerëzit këtu shëtisnin sikur shkojnë në një funeral” dhe vuri buzën në gaz. Pa nga deti. I errët, i heshtur e memec. Iu duk se “Entërprise” ishte fshehur aty mbrapa ishujve të Ksamilit. Tafilin e gjeti duke lexuar faqen e katërt të “Zërit të Popullit”. Dukej pak i lodhur, por jo i sëmurë, megjithëse fytyrën e kishte në ngjyrën e pluhurt të çimentos. Kishte veshur një këmishë të zezë prej bezeje të trashë dhe akoma mbante në këmbë çizmet e punës. Dukej sikur e kishte humbur toruan. I ndritën sytë vetëm kur vuri re shishen e rakisë që u përplas mbi syprinën e tavolinës. “Gjynah që është veshur oficer ky alamet djali, ky nuk vret një zog e jo më njerëz, ky është shpirt njeriu”, mendoi ai për Nikun. I bëri vend në një karrike kashte afër tij. Ai e dinte se atë natë do të flitej për aeroplanmbajtësen “Enterprise” dhe iu lut të shoqes të ngjitej lart për t’i bërë shoqëri nuses së oficerit.

  • Kishit gatishmëri që nuk të kam parë këto ditë? – pyeti i pari Tafili.
  • Ishte gatishmëri e rreme, me sa duket ajo nuk ishte aeroplanmbajtëse luftarake, – provokoi oficer Niku. Tafili buzëqeshi.
  • Je djalë i zgjuar Nik, ajo aeroplanmbajtëse e ka mbaruar misionin dhe po bën udhëtimin e saj të fundit përpara se të hyjë në muze. Ka shërbyer me një heroizëm të pashoq dhe fituar 20 yje lufte, njëzet dekorata, është anije heroinë e Luftës së Dytë Botërore. Për mendimin tim, kur kaloi këtu nuk ka qenë e armatosur. Me sa duket për herë të fundit po viziton bazat amerikane në Mesdhe, përpara se sa të kthehet në muze.
  • Domethënë në vend se ushtarët të shkojnë në muze, po shkon “muzeu” tek ushtarët, – i tha Niku duke qeshur, me njëfarë shpotie. Pastaj, duke e parë ish të burgosurin drejt në sy, pyeti se me çfarë lloj karburanti lëvizte gjithë ai mal çeliku?
  • Këtë pyetje duhet të ta bëj unë ty dhe jo ti mua, – i tha ai – ne në burg nuk kemi mësuar për armatimin amerikan.
  • Ha, ha, më sfidove, as ne, por me që the se është heroinë e Luftës së Dytë Botërore.
  • Unë kam dëgjuar vërtetë dikur lajmet e radiove amerikane dhe kjo aeroplanmbajtëse është nga më populloret. Nuk ka amerikan të mos dijë sa luftime ka bërë ajo. Pyete se me çfarë punon dhe unë e kuptoj se kjo pyetje të mundon, kjo pyetje të ka sjellë sonte tek unë, të mundon xanxa e ushtarakut. Unë mendoj se ajo vihet në lëvizje nga një reaktor atomik. Nuk di çfarë mendon ti?

Ushtaraku Kreshnik Selmani buzëqeshi, por kuptoi më shumë se aq; ishte e sigurtë, Tafili ende dëgjonte “Zërin e Amerikës” nga ku kishte marrë gjithë atë informacion, por këtë nuk duhet t’ia pohonte as së shoqes. Ishte me rrezik. Po si? Ky kat ku ai banon, gati nën tokë, antenë nuk ka. Si mund të hyjnë valët gjer këtu? Niku ngjiti shkallët drejt shtëpisë së tij. Tafilit atë natë i kishte hapur “punë” me atë shishen e rakisë që i la mbi tavolinë. Si nuk i shkoi mendja për pak djathë apo turshi? Ndoshta kujtohej e shoqja. Megjithatë nga biseda me ish të burgosurin ai mësoi më shumë se sa nga komunikimi prej komandës së tij eprore. Si thoshte Napoleon Bonoparti: në se doni të vërtetën, pyetni të burgosurit.

Kreshnik Selmanit kurrë nuk i shkonte ndërmend, por as të tjerëve se Tafili, ish i burgosuri për agjitacion e propagandë nga Pushteti Popullor, kishte zëvendësuar ullukun prej llamarine që zbriste nga kati i sipërm me një tjetër ulluk bakri që përcillte për mrekulli valët e radios “Zëri i Amerikës”. Gjithçka e fshehur dhe e maskuar për mrekulli.

 

Fund

Toronto, 27 tetor 2018

Filed Under: LETERSI Tagged With: Avdulla Kenaci, ENTERPRISE, Tregim

Kumti perëndimor në prozën e Avdulla Kënaçit

September 18, 2018 by dgreca

1 avdulla KenaçiNga Çerçiz Loloçi/

Pas një përvoje tepër të gjatë si gazetar, skenarist, drejtues i emisioneve televizive, pikërisht në periudhën kur ka hequr dorë përfundimisht nga detyrimet punësore Avdulla Kënaçi vjen përpara lexuesve me përmbledhjen e parë në prozë “Enigma e një nate” ku përfshihen 19 tregime, nën siglën e botimeve ‘Barleti’.

Fillimisht duhet pohuar se ai të befason me mënyrën se si i shtjellon rrëfenjat e tij ku në qendër ka njerëz të zakonshëm që kanë përbrenda veti e cilësi të jashtëzakonshme. Tema e emigrimit është pothuaj e pranishme në shumicën e prozave të tij, por në secilën prej tyre ai mundohet të skalitë karaktere të pangjashëm që kanë së brendshmi mesazhin e së mirës, të bukurës, të dashurisë që nuk njeh moshë dhe të punës që sjell lumturi.

Tregimi i parë “Dita e parë përtej oqeanit” zbulon zigzaket e jetës së Gurien Strokës që ndahet tragjikisht nga gruaja e vet e bukur Nirvana, por sërish i buzëqesh fati teksa emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një jetë të re.

Tregimi pasues “Misteri i një nate në Frankfurt” fokusohet në një tjetër personazh interesant, arkeologen dhe profesoren e Fakultetit Histori-Filologji që shkon për një konferencë ndërkombëtare në Kanada, por që zbulon edhe një botë tjetër interesante si femër e hijshme dhe me integritet.

Tregimi i tretë “Tartufi modern” rrëfen krizën në një familje shqiptare në Kanada, që mes shumë peripecish ishin larguar nga Shqipëria, kishin ndërtuar një jetë tjetër dhe befas ishin goditur nga një akt tradhtie të gruas së Niko Vasilit me nxënësin e prapambetur që zhvillonte kurse jashtë mësimit me vajzën e tyre.

“Kushërira e gruas” përshkruan tjetërsimin e njeriut nga diktatura në demokraci, i cili zbulohet gjatë përgatitjes së një dokumentari televiziv në Itali. Ludmilla, që dikur mburrej për martesën e saj me sërën e lartë, tashmë kërkon të jetë sërish në plan të parë por me mënyra të tjera të shtirjes, hipokrizisë dhe mashtrimit.

Përballja e dy gazetarive, ajo nën diktaturë në Shqipëria dhe ajo në liri në Francë përshkruhet me pak penelata në tregimin emocionues “Një gazetare franceze në Sarandë”. Në këtë prozë të shkurtër autori duket sikur bën një mea cupla për atë çfarë shkroi ai në gazetën qëndrore dhe si e kërkonte të vërtetën dhe shkrimin realist kolegia franceze.

Analizë më vete kërkojnë tregimet “Portreti për Krishtlindje”, “Flautistja”, “Sekreti i Aidës”, “Mallkimi” etj ku për autorin nuk ka tema tabu, nuk përpiqet të fshehë problemet, dashuritë dhe humbjet që shoqërojnë jetën njerëzore.

Tema e dashurisë është gjithashtu e pranishme në prozën e Avdulla Kënaçit, por autori bën kujdes që të mos jetë përsëritës nga rrëfimi në rrëfim, të sjellë diçka të re në secilën prej tyre, të gjejë të veçantën, të bukurën, të papërsëritshmen.

Dashuria për viset shqiptare, admirimi për lashtësinë dhe të qënit shqiptar vjen natyrshëm në tregimet e kësaj përmbledhje, vokaconi perëndimor pulson në krejt vëllimin përkundër nostalgjive të shumë kolegëve të tij që, megjithëse kanë kohë që gjendet përgjithmonë në perëndim, jetojnë ende me marshet e parakalimeve, “me Shqipërinë-shkëmb graniti buzë Adriatikut të kaltër” dhe me marëzi e butafori të tjera të sistemit që lamë pas.

Avdulla Kënaçi ka një mënyrë të vetën në procedimin e tregimit, ai e bën lexuesin pjesë të ngjarjes, të rrëfimit, të aventurës, e fton të bashkohet me të dhe ai bëhet një me protagonistët që dashuron autori dhe përbuz karakteret e tjera që janë të pranishëm në mjediset tona, brenda dhe jashtë vendit.

Tregimet kanë freski, detaje, përshkrime të bukura dhe jo gjithmonë kanë fundin e pritur; madje autori i ka shpëtuar mjeshtërisht publicistikës e raportimit, çka është shpesh e mirëkuptueshme nga përvoja e gjatë në gazetari.

Fotografia e Unioni i Gazetareve Shqiptare

Filed Under: Analiza Tagged With: Avdulla Kenaci, Çerçin Loloçi, Enigma

PAPULI

May 20, 2018 by dgreca

Tregim Nga Avdulla Kënaçi/

Midis pasagjerëve që zbrazeshin papushim, si një lumë i rrëmbyer, në dalje të aeroportit të Torontos, binte në sy një burrë rreth të gjashtëdhjetave, shpatullgjerë, flokëzbardhur, i cili edhe pse i ngarkuar rëndë, ecte serbes sikur të kishte kaluar aty edhe herë tjetër.  Askujt nuk i shkonte ndërmend se ai dilte rishtas jashtë vendlindjes së tij. Ky ishte udhëtimi i tij i parë, domosdo edhe fluturimi i parë me avion. Ndyshe nga pasagjerët e tjerë, ai i besonte më shumë forcës, shpatullave të tij se sa rrotëzave të vogla të bagazheve. Njërën nga valixhet e kishte hedhur në sup dhe tjetrën e mbante varur në dorën e djathtë. Dy-tre zezakë të cilët tek dalja prisnin klientë me karroca njërrotëshe shtratngushta, të ngritura si pushkë, i ishin lutur ta mbartnin për dhjetë dollarë, por ai nuk u besoi. U përpoq të gjente një karrocë dore të lirë, ashtu siç e kishte këshilluar e bija në telefon: hodhi vështrimin nga të katër anët, por nuk vuri re asnjë. Gjatë gjithë rrugës nuk kishte ndeshur njeri tjetër të fliste shqip. Në çdo intervistë me policë apo stjuardesa, vend e pa vend, ai nxirrte vetëm ca letra të shkruara në anglisht ku prezantohej kush ishte dhe për ku shkonte. Ato ia kishte përgatitur e mbesa studente në Tiranë. Komunikimi me të huajt ishte pjesa më e sikletshme e atij udhëtimi. Në dalje të aeroportit nuk premtonte koha. Aaskush nuk ia kishte ngenë, të gjithë nxitonin. Djersët i pikonin çurg prej ballit, rrëshqisnin mbi qerpikët e gjatë duke ia turbulluar shikimin, por ai ngutej të dilte sa më parë nga kjo “furrë” që po ia zinte frymën. Ishte i gëzuar që askush nuk ia hapi e ia kontrolloi bagazhet. Ndryshe nga çfarë e këshilloi e bija që “të mos merrte asnjë lloj ushqimi veç kokës së tij”, ai i mbushi valixhet me djathë kaçkavall, vaj ulliri, mjaltë, madje edhe tarhana, të gjitha prodhime fshati bio. Fluturonte nga gëzimi që do të çmallej me të bijën, nipin e mbesën që i kishte parë vetëm para dy vjetësh. “Kushedi sa do të jenë rritur, a do më mbajnë mend?”, mendoi fëmijët dhe kur jashtë xhamave të asaj godine gjigande pa dritë dielli, u dha edhe më me nxitim këmbëve. Zilja e telefonit po i binte pandërprerë, por ai nuk e kishte dëgjuar. Uli valixhet në trotuar dhe nga mikrofoni i vockël dëgjoi zërin e ëmbël të së bijës, Gentës:

-Mirëseardhe në Kanada, baba, si të shkoi udhëtimi?

-Si nuk ka më mirë, bija ime, asnjë kontroll nuk më bënë.

-Po, pse, çfarë kishe ti për të kontrolluar?

-Ushqime, vetëm ushqime, ç’do të kisha tjetër?

-Ah, mor baba, gjithë jetën ke bërë siç të ka thënë koka jote. Neise, flasim. Tani shiko shtyllat prej betoni që ke përpara dhe më thuaj numrin ku ndodhesh?

-Jam tek 34-ta.

-Aty mos luaj, për pesë minuta ne të gjejmë atje.

Josif Koromania u mbush thellë me frymë, fshiu ballin e djersitur dhe sytë iu njomën nga lotët. Në vesh i buçiste ende zëri i dashur i së bijës. Qysh pas vdekjes së gruas, jeta e tij u fokusua tek Genta. U bë nënë e baba për atë. Në çastet e fundit, kur e shoqja po jepte shpirt, ai i kishte premtuar se do bëhej harbi që së bijës të mos i mungonte asgjë: do ta dërgonte në çdo shkollë që ajo do të dëshironte, do ta vishte më mirë se sa shoqet e saj, madje kishte ndërmend ta arsimonte jashtë shtetit. Genta, e sjellshme, e dashur, e bukur si një ëngjëll, ndryshe nga i vëllai, nuk u kishte hapur kurrë telashe në familje. Ia vlente të jetoje për të. Ishte e dhënë pas mësimeve si askush tjetër. Edhe në vitin e zi 1997, studente në vit të katërt, ajo u largua e fundit nga konvikti. Gjatë luftës së Kosovës u aktivizua si përkthyese me dy punonjës të OKB-së të cilët e ndihmuan për t’u vendosur në Kanada ku mund të regjistrohej në një univesitet. I theri në zemër largimi i saj, por realiteti dëshpërues në Shqipëri ia mbylli gojën. Vonë, ai mësoi se e bija punonte pastruese në ca zyra në Toronto dhe në të njëjtën kohë vazhdonte universitetin për ekonomi. “Zot i madh, bija ime pastruese dhe mua nuk më tregoi asgjë?”, tha i habitur kur e mori vesh. Por ajo ishte e lindur për shkollë, për mësime. Në Universitetin e Torontos Genta doli e para, me medalje ari, midis qindra studentëve të tjerë. Aty u njoh me një djalë me origjinë nga shqiptarët e Maqedonisë, i lindur në Kanada, student në arkitekturë. Përpara se sa t’i jepte fjalën për martesë, ajo e mori “boy frendin” në Tiranë dhe ia prezantoi babait duke i thenë: –Fol, bisedo me të, quhet Dardan, më thuaj mendimin tënd dhe së bashku vendosim në se ai është njeriu i përshtatshëm që unë të krijoj familje?

-Bijë e babait, xhani im, ku di unë më shumë se sa ti, vetëm i zi të mos jetë, unë njoh vetëm fshatrat çfarë përmban kjo lugina e lumit Osum, ndërsa ti ke parë e bredhur gjithë botën. Të ka pëlqyer ty, më ka pëlqyer mua, me sot e me nesër jam, jetën do ta gëzosh ti. Më thua duhan nuk pi, raki nuk pi, i zi nuk është, bixhos nuk luan, kaq më duhet mua. Aq më mirë se qenka edhe shqiptar.

Josif Koromania u dha bekimin për martesë dy të rinjve dhe përpara se sa të shkelnin shtëpinë e tij, u propozoi të shkonin në varrezat e fshatit që t’ia jepnin lajmin e mirë edhe së ndjerës grua. Ishte krenar që i kishte qëndruar besnik fjalës së dhënë në prag të vdekjes së saj. Genta ishte rregulluar si s’ka më mirë, mbeti në Kanada, ashtu siç ka edhe zemrën e saj behar, të kulluar si qelibari.

Dhe ja tani, nga mesi i muajit maj, kur i kishte mbyllur mbjelljet e pranverës në fshat dhe punët në vijim ia kishte besuar të birit, pas shumë lutjesh e kërkesash, po e vizitonte të bijën në vendin ku ajo kishte ngritur folenë. Nuk e mendoi se do të ishte kaq e thjeshtë të mbrrinte i vetëm nga Tirana në Toronto. Ishin dymbëdhejtë orë fluturim larg fshatit të tij. Gjendej në një kontinent tjetër, në Amerikën e Veriut. U rrotullua nga të katër anët e horizontit, asnjë mal nuk i zuri syri, vetëm fusha dhe pyje. “Vend i bekuar”, mendoi i kënaqur.

***

Në mbëmjen e ditës tjetër, pasi ishte shplodhur mirë, Josif Koromania ia kishte nisur bisedës për shtatë palë qejfe me dy vogëlushët, Zanën pesë vjeçe dhe Korabin nëntë vjeç. Ishte i lumtur që ata flisnin aq bukur shqip. Nuk ngopej së vështruari mbesën që i ngjante si dy pika uji gjyshes së saj të ndjerë. “Sikur të gëzonte edhe ajo kështu si unë”, mendoi, kur ja, në gjysëm errësirë i duk se pa përjashta dritares një njeri me maskë në fytyrë që po kalonte nga dera e kopshtit. “Hajduti”, i vetëtiu në tru dhe duke i habitur fëmijët, rrëmbeu qerin e mishit në aneksin e kuzhinës dhe ia dha vrapit përjashta, zbathur. Fëmijët menduan se ai po sajonte një lojë dhe u ngjitën lart, në katin e sipërm duke qeshur me zë të lartë. Njoftuan të atin i cili punonte në kompjutër nga që e ëma mbyllte bilacin tremujor dhe ende nuk ishte kthyer nga zyra:-Papu pa një monstër dhe doli ta vrasë…, – cicëriu Zana duke iu marrë fryma.

-Jo, pa një zombie, Papuli është hero, nuk ka frikë, –  tha Korabi. I ati buzëqeshi, priti pak, por kur gjyshi nuk po kthehej, u shqetësua. Doli në dritaren nga ana e kopshtit dhe vuri re se ai endej cep më cep me dërrasën e drurit në dorë sikur kishte humbur diçka.

-Çfarë po kërkon gjysh? – e pyeti ai që nga kati i dytë i shtëpisë.

-Nuk di se nga më humbi, nga porta e kopshtit hyri një njeri me maskë, – u përgjigj ai seriozisht.

-Eja brenda të ta shpjegoj unë si qëndron puna, o gjysh, mos u shqetëso, nuk ishte asgjë, – i tha dhëndërri duke qeshur.

Si një fëmijë i zënë në faj, kokëulur, hyri brenda. Përmbi çorape i ishin ngjitur fije bari jeshil, por ai nuk i vuri re. Priste shpjegime nga dhëndërri:-Dëgjo Papu, pas verandës, nga ana e kopshtit, shtëpia jonë ka një derë që komunikon me bodrumin. Aty banon një vajzë zezake. Ka gjashtë vjet që bodrumin ia kemi dhënë asaj me qira. Atëherë nuk ishim mirë ekonomikisht, por tani na vjen zor ta nxjerrim përjashta. I marrim një qira të vogël, simbolike dhe ajo është shumë e kënaqur. Pasi mbaroi shkollën dyvjeçare për shefe kuzhine, ka hyrë në zanat dhe në këtë orë kthehet nga puna. Vjen nga një vend i vogël e i varfër nga ishujt Karaibe, ështe emigrante. Të gjithë zezakët në errësirë nuk dallohen dhe duket sikur kanë vënë maska, por do të mësohesh, – e sqaroi ai. Josifit i erdhi për të qeshur me këtë marrëzi që bëri, por u përmbajt. Zana e vogël i kishte kapur një këmbë të pantallonave dhe po e pyste me insistim duke ia tërhequr pas vetes:

-E kape monstrën Papu?

-Më iku, ia mbathi vrapit sa pa në duart e mia dhogën e mishit.

-Papu, ti nuk ke frikë as nga monstrat as nga zombit?

-Kurrë, asnjëherë engjëlli im, mos kini frikë fare, tani e kanë marrë vesh që kam ardhur unë t’u mbroj juve dhe nuk do të guxojnë të afrohen në shtëpi, – i tha ai duke i shpupurisur me ëmbëlsi flokët e saj të butë si mëndafsh.

Aty nga mesnata u fut në shtrat, por gjumi nuk i afrohej mbi qepalla. Nuk qënkej aq e lehtë të mësohesh me jetën e Kandasë. E bija, kur dëgjoi ngjarjen, nuk qeshi fare. “Babi ka merak për shtëpinë, por ne duhet t’ia kishim thënë se kemi një qiraxhie, është faji ynë”, tha ajo. Josifit iu kujtuan tre zezakët e aeroportit që bënin punën e hamallit. Ndryshe nga ne në Shqipëri, këtu paska zezakë, madje e paskemi një në bodrum, mendoi. I janë dashur lekë vajzës për të paguar kredinë dhe mua nuk më ka thënë gjë fare, ndaj kanë lëshuar bodrumin me qira. Deri sa zezakët vijnë e punojnë këtu, duhet të jenë të varfër në vendin e tyre, si puna jonë. E po njerëz janë edhe ata. Qofshin mirë aty ku janë. Vallë ka shqiptarë që janë martuar me zezakë? – lëshoi këtë pyetje dyshuese në errësirë, por nuk mori përgjigje sepse nuk e dëgjoi askush.

***   

Më në fund, gjatë ditës, duke pastruar e sistemuar kopështin, e pa zezaken duke dalë nga dera “sekrete” e bodrumit. Ishte një vajzë e gjatë, me trup të drejtë dhe fytyrë të rrumbullakët, kacurrele. Ishte qamet e zezë, si fundi i kusisë. Gjithçka e zezë me përjashtim të dhëmbëve dhe retinës së syrit. Ishte si ata minatorët që dikur dilnin nga galeritë e qymyrgurit. Ajo iu afrua, i tha emrin e saj: Xhinella. I zgjati dorën duke shpërveshur një palë buzët të trasha, por ai dinte vetëm dy fjalë anglisht “hai dhe Papa”. Dhe vetëm ato tha. Kurrë nuk kishte takuar një zezake kaq afër. Ndjeu në pëllëmbën e tij kallot e duarve të saj. “Paska punë të rëndë”, mendoi. I erdhi keq. Vallë t’i kishte treguar dhëndërri se si ndaj të ngrysur ai e ndoqi pas me dhogën e prerjes së mishit në dorë?

Në mbrëmje u mblodhën të gjithë së bashku. Fëmijët kërkonin me domosdo vëmendjen e tij. Donin të dinin për qenin dhe pulat në fshat. Korabi i kishte fiksuar një më një të tetë pulat dhe këndezin pikalosh, madje i mbante mend me emra. “E ruajt zoti këtë djalë, edhe unë vetë që i kam rritur ato pula, ua kam harruar emrat, ky jo. Po rritet brez i zgjuar. Këta kanë lindur me shkollë, kanë mendjen e një të madhi”, i tha dhëndërrit. Ai pohoi me krye. Zanës së vogël nuk ia varte kush dhe nisi të përplasë këmbët në dysheme.

-Engjëlli i gjyshit, aty poshtë këmbëve të tua ështe një njeri dhe ti si vajzë e mirë nuk duhet ta besdisësh atë, – për herë të parë ai qortoi mbesën e bukur si kukull duke ngritur lart gishtin tregues.

Genta dhe i shoqi u panë në sy. Ata kurrë nuk i kishin qortuar fëmijët për zhurmën, madje kishin harruar se poshtë tyre jetonte një njeri tjetër. Xhinella nuk ishte ankuar në asnjë rast për gjullurdinë që mund t’i vinte nga sipër kokës. Këtë ua kujtoi i sapoardhuri nga Shqipëria. Fëmijët gati çdo ditë vraponin nëpër dhomë, përplasnin këmbët, kërcenin, festonin herë pas here me moshatarët, loznin me lojra elektronike, tërhiqnin zvarrë karriket, por askush nuk i kishte qortuar. Babai kishte të drejtë. Aty poshtë jetonte një njeri. Duhet të ishin më të vëmendshëm, kjo ishte sjellje njerëzore.

-I hodha një sy kopshtit, – vazhdoi Josifi – asnjë pemë frutore, të gjitha të egra. Pastaj çfarë ju duhet gjithë kjo lëndinë, vetëm bar jeshil, ju nuk keni as bagëti, as lepuj e as pula. Toka duket e majme e pjellore.

 E bija buzëqeshi dhe iu përgjigj aty për aty:-Baba, ti flet sipas mentalitetit shqiptar, madje atij të fshatit. Ky është një kopësht dekorativ, për relaks, si punë miniparku. Ato pemët e egra që thua ti, mbahen për bukuri, për lulet, ato shkurret rrëzë gardhit, kur vjen vjeshta, janë një mrekulli, gjethet u skuqen si zjarr. Shpesh, në kopësht, sidomos gjatë verës, ne me miqtë tanë organizojmë parti dhe të gjithë na e lëvdojnë kopshtin se si e mbajmë e kujdesemi për të. Në se do të kishim pemë frutore, kokrrat do piqeshin, do binin përdhe, do tërhiqnin kafshë të egra e ato që do të kalbeshin me siguri do grumbullonin miza. Na del më mirë t’i blejmë frutat e perimet se sa t’i prodhojmë vetë. 

-Po fakti që kini mbajtur e mbani qiraxhinj tregon se kini qenë ngushtë.

-Në fillim po, lindëm djalin dhe unë nuk shkoja në punë, me rrogën e burrit na duhej të përballonim edhe kredinë, edhe gazin edhe energjinë, edhe ushqimin, edhe benzinën, edhe siguracionet, – ia shkoqiti ajo.

-Baba, mos na e ki merakun, të ftojmë të vish të jetosh këtu me ne. Ke dhomën tënde, banjon tënde… nuk do të mungojë asgjë. Genta merr dyfishin e rrogës sime. Menaxhon llogarinë e dy kompanive të mëdha. Miliona dollarë shkojnë nëpër duart e saj. Nuk i ka shkuar kot shkolla dhe as sakrifica jote. Merr rrogën e një kryetari bashkie, – sqaroi me imtësi dhëndërri.

Josif Koromania u ndje krenar për të bijën, i erdhi mirë për atë fjalën “Nuk i ka shkuar kot shkolla dhe as sakrifica jote”. Ia vlente të jetoje për këtë vajzë. U mallëngjye, desh iu mbushën sytë me lot, por u përmbajt. Kroi zërin, duhej të fliste diçka, por çfarë?

-Unë mor bir, në duart e Gentës dua të vdes, por ky nuk është vend për mua. Puna më mban gjallë. Në fshat kam me çfarë të merrem. Në Greqi ka rënë kriza e djali im atje herë është me punë e herë pa punë. Atë po ndihmoj tani. Leverdinë unë e kam me prodhimin e vajit të ullirit, rrushin dhe domatet që rrit në sera. Domatet e mia dalin të parat dhe tregtarët m’i marrin tek dera e shtëpisë. I kam të gjitha prodhime pa hile, bio. Nuk di të bëj hile unë. Ta pjestoj fitimin për 12 muajt e vitit më del një rrogë më e madhe se sa ajo e drejtorit të shkollës 8-vjeçare. Unë pa punë vdes, marr fund. A do më jepni një mundësi për këto tre muaj që jam këtu?

-Po shplodhu, rehato kockat, o Babi, ke punuar tërë jetën. Në se të duhen lekë, unë ta lidh një rrogë vjetore aq sa merr drejtori i shkollës.

-Tani për tani mua më duhet të pres një rrip toke aty në fund të kopshtit tuaj. Mbase nuk ju prish punë. Di unë çfarë mbjell aty, – u lut ai. Genta pa të shoqin në sy, nuk dinte se si të përgjigjej, por i shoqi i ra shkurt:

-Hallall të qoftë, nesër shkojmë në Homdipo të zgjedhësh çfarë lloj veglash pune të duhen. Fruta, perime këtu ka në të katër stinët e vitit, nga nuk na vijnë, por me që ti mërzitesh të rrish duarlidhur, merre atë copë tokë dhe bën çfarë të duash me të. Në fund të fundit kopshti është për relaks dhe ti ashtu ndjehesh më mirë, duke punuar, ama jo për të na kursyer.

***    

Të nesërmen, dhëndërri sa u kthye nga puna, e thirri që jashtë dhe u nisën për të blerë veglat e punës. Ajo që ata e quanin “homdipo” ishte një magazinë e madhe sa një aeroport. Një korridor i gjatë me lloj-lloj veglash. Josifi zgjodhi një bel, një kazëm, lopatë dhe një sopatë të vogël.

-Po sopatën pse e do? – pyeti i habitur dhëndërri.

-Me siguri lëndina ka rrënjë peme, me këtë dua t’i pres. Më bën përshtypje si e kanë amballazhuar kështu presën e sopatës.

-Sepse nuk duhet ta prekin fëmijët, ajo pas punës pastrohet dhe varet lart, në murin e garazhit ku nuk mund ta arrijnë.

-Këta janë ustallarë, i kanë parashikuar të gjitha, hajde shtet hajde, a ke kohë t’i hedhim një sy e të shohim çfarë shitet këtu?

-Pse jo, por na duhen nja dy orë, prit t’i bëj një telefonatë Gentës.

U ranë kryq e tërthor tërë seksioneve. Josifi u ndal më shumë tek materialet e ndërtimit. Pa dhe preku me dorë lloj-lloj dërrasash, krahasoi çmimet me ato të Shqipërisë dhe i dilnin më të lira. Pyeste për llojet e gozhdëve, vidave, parketin, bojrat dhe më në fund tha:

  • Këtu mund të blesh materiale të gatshme për të ndërtuar një shtëpi të tërë, ah sikur të ishte kjo magazinë e madhe në Shqipëri. Ka të tjera si u thoni ju, homdipo?
  • Ky është një sistem amerikan dyqanesh në tërë Amerikën, ka vetëm një pronar, mund të ketë me mijra si kjo. Druri është i lirë sepse Kanadaja ka miliona hektarë me pyje. Është vendi i parë në botë për prodhimin e drurit, grurit e bitumit…, – i tha dhëndërri.
  • Shtet që ka menduar për hallet e njerëzve, shtet me rrënjë të thella, me rregulla e me ligje. Shiko sa lehtësira ka krijuar vetëm me këta artikuj që shet këtu. Shtëpia është themeli i çdo familje dhe shtëpinë e gjen këtu brenda. Kaq më duhet mua. Të marrësh vesh se si është vera, nuk ka nevojë të shkulloç një fuçi, mjafton të pish një gotë. Mua më del të shoh këtë magazinë të madhe ndërtimi që ju e quani “homdipo” e të mund të gjykoj se si është shteti, – i vuri kapak bisedës.

Të nesërmen ai u ngrit herët, me yllin e mëngjesit, ashtu siç bënte në fshat. Ia kishte filluar me vrull qilizmës në fund të kopshtit.  Toka nuk kishte gurë, por vetëm rrënjë pemësh. Kazma ishte e re dhe rrënjët e holla i priste me një të goditur, por atyre më të trasha u vinte hakut sopata e vogël që në fshat i thoshnin “cekure”. Fëmijët u shqetësuan kur në mëngjes nuk e gjetën gjyshin në kuzhinë, por e ëma ua tregoi se kui ndodhej, përtej derës së verandës prej xhami. Ata nuk e kuptonin pse Papuli “po prishte barin” dhe asaj iu desh një copë herë për t’ua shpjeguar se çfarë kërkonte të bënte ai me atë kazmë të madhe. Përpara se sa fëmijët të niseshin për në shkollë dhe të rriturit për në punë, pa e penguar, të gjithë e përshëndetën. Ai ua ktheu përshëndetjen me kazmën lart si në ato monumentet prej bronxi të klasës punëtore në komunizëm.

Dielli ishte ngritur lart në kupën e qiellit nja dy hostenë dhe ai vazhdonte të rrëmihte në fund të kopshtit. Xhinella hyri e doli disa herë në bodrum dhe i bëri përshtypje se si Papuli (emrin e kishte dëgjuar nga fëmijët) nuk kishte pushuar për asnjë minut. Nxorri nga frigoriferi një lëng portokalli dhe ia çoi për të shuar etjen. Ai e falënderoi në shqip. E rrëkëlleu gjithë shishen me një frymë. Zezakes iu kujtua babai i saj aty larg në ishull. Edhe ai punonte në fermë me mëditje, në pronat e një bosi amerikan. Kështu e kthente shishen me ujë apo lëng frutash, me një frymë. Ndërsa babai i saj, kur punonte, xhvishej nga mesi e lart, ky nuk e hiqte nga trupi një kanotierë prej leshi merinos. Ndoshta kjo ishte një veshje tradicionale në Shqipëri. Buzëqeshi duke zbuluar një radhë dhëmbësh fare të bardhë, si qelibar.

Mbasidite, kur gjithë pjestarët e shtëpisë u kthyen në shtëpi, e gjithë toka në fund të kopshtit nxinte dhe në cep të saj ishte bërë një pirg i madh me rrënjë pemësh.

  • Oh, baba, duhet të jesh lodhur shumë, si e mbarove sot të gjithën?
  • Veglat janë gjysma e punës, i bleva siç i desha dhe nuk më turpëruan. E di me sa oreks e kam ngrënë drekën, por buka nuk më mjaftoi. Kur punoj unë dua një bukë në ditë, – i tha ai i kënaqur.
  • Ua, kush ta kursen ty bukën, por ha gjellë sa të duash, në frigorifer ke tërë ato lëngje e fruta.
  • Genta, mos na hapet problem me fqinjin, ka prerë rrënjët e pemëve të tyre, mos vallë u thahen? Janë kinezë, Papul dhe shkojnë e ankohen drejt e në bashki, në sy nuk të thonë asgjë, – tha dhëndërri i merakosur kur vuri re gjithë atë tog të madh rrënjësh.– Dëgjo bir, e mendova edhe atë, por janë pemë të mëdha e nuk thahen, pastaj toka është e jotja, kush të kërkon llogari se çfarë bën me tokën tënde? Kam parë në televizion se kur një aeroplan hyn pa leje në qiellin e një shteti tjetër quhet “shkelje e hapësirës ajrore dhe ka sanksione, ka gjoba”. Ata nuk duhet të kishin lejuar pemët e tyre të hynin në territorin tonë, – tha ai shumë serioz, por të gjithë ia dhanë të qeshurit me atë justifikimin e hapësirës qiellore.

Josif Koromania ishte i lumtur që po bëhej i dobishëm. Pasi tokën e punuar e la “të piqej” në diell për një javë, i hyri për së dyti, por këtë radhë punoi me bel. Vegla zhytej poshtë e hynte thellë si në gjalpë. Mbushte grushtin me baltë, e thërrmonte me mollëzat e gishtrinjve dhe i këndonte këngë të tipit ninullë, pastaj thoshte i kënaqur; “Ku ka si kjo tokë?”. Dhëndërri e çoi tek një fermer italian i cili shiste fidanë me kubik. Ai zgjodhi domate zemërkau, kastravecë anglezë, barbunja italiane, sallatë dhe disa lloj erëzash. Bleu pleh pylli dhe brenda ditës i mbolli të gjithë fidanët. Plehun nuk e kurseu, për çdo rrënjë zbrasi gati gjysëm thesi. “Pak me vonesë jemi, por do t’ia dalim”, tha me vete.

Gjithë ditën e kalonte në kopësht, herë prashiste, herë plehëronte e herë ujiste. U gëzohej bimëve që zhvilloheshin aq të shëndetshme. “Kanadaja paska klimë të freskët, tamam si në Korçë, qenka vendi i domates, po ia kalojnë edhe lartësisë së gardhit.”, mendonte. Korabi, i nipi, pasi bënte mësimet, dilte me të në kopësht dhe pyste për çdo bimë. Nuk i mjaftonin shpjegimet e gjyshit dhe bënte kërkime të tjera në internet. Disa herë e kishte zënë ngushtë. Një ditë i tha: “Gjyshi, ke harruar t’u heqësh domateve gjethet parazite”. Kishte të drejtë i vogli. Ndërsa Zana me një ibrik të kuq plastik nuk lodhej “së ujituri”. “Le të dijnë, le të mësojnë fëmijët për bujqësinë, nuk u bën keq, nuk them të bëhen bujq, por le të dijnë”, u thoshte prindërve. Vapa e korrikut shtërngohej dhe kokrrat e domatave sapo vinin e zmadhoheshin. Edhe barbunjat po piqeshin, por kastravecët ishin më të shpejtë se të gjitha prodhimet e tjera.

***   

Sa kishte nisur vjeljen e dorës së parë të kastravecëve kur Arapka e thirri së largu. Kështu i thoshte zezakes: “Arapkë”. Ajo kishte dalë tek dera e bodrumit dhe bënte ca shenja të çuditshme me këmbë e duar. Nuk mund ta kuptonte, por kërkoi Korabin për ndihmë. “Papul, i është bllokuar lavamani dhe po i rrjedh ujët në dysheme, kërkon ta ndihmosh”, i përktheu i nipi. Ashtu siç ishte, me duar gjithë baltë (dorezat i kishte alergji dhe nuk i vishte kurrë) u gjend brenda në bodrum. Uji i pistë kishte vërshuar mbi tapet. Si mund t’ia dilte pa asnjë vegël ustai? Bashkoi dy pëllëmbët e duarve duke i bërë njësh dhe i përplasi me forcë mbi sipërfaqen e ujit në gropën e lavamanit. Xhinella dhe i nipi po e ndiqnin me kureshtje. Si mund ta hapte ai lavamanin pa përdorur asnjë vegël? Një herë, dy, tri, katër, pesë dhe lavamani për çudi u hap. “Sikur i bëri magji”, mendoi Xhinella. “Nuk ka punë që nuk bën gjyshi im, ah sikur të dinte të fiste anglisht”, i tha Korabi me mburrje duke rrudhur vetullat me një lloj pezmi.

Papuli lau duart pastaj pa e pyetur Arapkën, mblodhi me nxitim kutullaç tapetin dhe e nxorri në verandë ku e shpalosi tej e tej.

-I thuaj Arapkës se tapeti duhet larë, është gjithë baltë, kushedi sa ka kështu, dëgjove Korab? Po e shtroj këtu mbi dërrasat e verandës, ndihmoje me zorrën e ujit të kopshtit ta lajë duke e ndrysur me këmbë, pastaj ta hedhë mbi gardh që të thahet. Unë po kthehem të t’harr domatet.

Xhinella e ndoqi Korabin si një qingje manare. Të ishte për të, nuk do të guxonte t’u thoshte të zotërve të shtëpisë të përdorte dyshemenë e verandës dhe zorrën e ujit, por Papuli nuk pyet njeri. Ai është i prerë, jep urdhëra që vlejnë edhe për atë. Kshte veshur ca pantallona të shkurtëra dhe një bluzë të hollë që i mbulonte gjoksin përgjysëm. Përsëriti me mend çfarë përktheu Korabi: duhet të përplaste këmbët mbi tapet dhe vogëlushi të lëshonte ujët me presion mbi të. Ashtu bëri. Ujët zbrasej nga zorra me furi dhe sa më shumë Xhinella përplaste këmbët, aq më shumë ngjyra e tapetit kthehej në origjinë. Vajzës i erdhi turp që këtë gjë nuk e kishte bërë më parë. Pasi tapeti nuk nxirrte më ujë të ndotur, Korabi gjoja gabimisht ia derdhi ujët mbi pulpa. Ajo qeshi me të madhe, si në një gudulisje. Pastaj djaloshi guxoi ta ngrerë zorrën më sipër. Sa më lart ngjitej Korabi me çapkënllëkun e tij, aq më shumë shpërthente në të qeshura Xhinella, në fillim me zë të ulët, pastaj nuk u përmbajt më. Hiqej sikur i shmangej rrjedhës së ujit, por në të vërtetë i pëlqente loja që bënte djaloshi. I shkoi gjer në fund pas qejfit të tij. Ishte gusht, ditë e nxehtë dhe me vapë. Korabi e ngriti më lart zorrën e ujit.  Vajza zezake u qull e tëra, nga koka tek këmbët. Rrobat i kullonin ujë. Kaçurelat i binin mbi ballë dhe bluza e hollë i ishte ngjitur pas gjoksit duke i vizatuar qartë dy gjinj të bëshëm si dy kunguj. Papuli i ndiqte me bisht të syrit dy të rinjtë dhe u hoq sikur nuk e kishte mendjen tek ata. I vinte mirë që i nipi gjeti një lodër dhe ishte aq i gëzuar duke qeshur me gjithë shpirt. E qeshura e tyre mbushi kopshtin me hare. “I ka ardhur vakti për burrë Arapkës, shpirt njeriu ka edhe ajo, por Korabi im është i vogël”, mendoi plaku dhe buzëqeshi nën hundë. Pastaj gjeti një mënyrë origjinale për t’i ndaluar ta vazhdonin më tej lojën: U afrua me dorën e parë të prodhimit të vjelë. Kur e panë të vinte drejt tyre, si djali, ashtu edhe zezakja e pushuan të qeshurën. Ai veçoi dy kastravecë, ndër më të medhenjtë për t’ia dhënë dhuratë vajzës.

-Korab, jepja Arapkës këta dy kastravecë peshqesh nga unë dhe t’i hajë të gjallë, pa qëruar lëkurën se këta nuk janë si të dyqanit, jane të freskët, bio. Nesër do nxjerrim edhe domatet e para. Ua, çfarë tokë e mirë qënka kjo, por edhe unë ia kam bërë hyzmetin.

Në mbrëmje Korabi u tregoi prindërve gjithë ngjarjet e asaj dite. U tha se gjyshi është një “handman”, nuk ka punë që nuk bën, ai nuk di vetëm të rrëmihë dheun e të kultivojë perime, por edhe të çbllokojë lavamanë pa përdorur vegla. “Unë do bëhem si gjyshi, një “handman”, tha serbes. Kështu i vuri kapak tregimit.

-Paskeni bërë mirë që e keni ndihmuar Xhinellën, gjynah e shkreta, ajo nuk ka njeri tjetër më afër se sa ne, – tha Genta.

-Djathtas, tek hyrja, vura re një fuçi të madhe kartoni, e lartë sa unë më këmbë, çfarë ishte ajo? – pyeti me kërshëri Papuli.

-Ajo është një vend-grumbullim për veshje. Gati në çdo dy-tre muaj Xhinella e mbush me rroba të falura dhe e dërgon në vendlindjen e saj. Është besimtare e madhe dhe çdo të diel shkon në kishë, aty i falin lloj-lloj rrobash, pak të përdorura, por ka edhe të reja fare. Edhe ne i kemi dhuruar. I poston me rrugë detare, i bie shumë lirë. Fuçia mbyllet hermetikisht dhe futet në kontejnerë. Për dy-tre javë arrin në destinacion, – tha dhëndërri.

Plaku u prek nga çfarë mësoi rreth jetës së zezakes. Iu kujtua Shqipëria e viteve 1990 kur nga e gjithë bota vërshuan ndihma humanitare. Të parat që mbrritën ishin veshjet, pastaj mielli, makaronat dhe orizi. “Paska vende të tjera edhe më afër Amerikës që vuajnë sikundër kemi hequr edhe ne”, mendoi duke fërkuar mjekrën.

Sa më shumë shtërngonte vapa, aq më shumë piqeshin prodhimet e kopshtit; të lakmushme për syrin e kujtdo, shumë më të shijshme e të mira se sa ato të tregut. Fqinjët habiteshin me gjithë atë prodhim të mbarë. Papuli nuk harronte asnjë ditë t’i jepte “racionin” zezakes. Ai e konsideronte si pjestare të familjes. Xhinella e lexonte në sy respektin dhe përkujdesjen e tij (zezakët janë shumë të ndjeshmëm ndaj sjelljes së racës së bardhë) dhe nuk rrinte pa ia shpërblyer: herë i nxirrte lëng frutash të ftohtë e herë i çonte ëmbëlsira që i gatuante vetë. Ia shpinte drejt e në fund të kopshtit, atje ku ai me zell të tepruar u shërbente bimëve. Ajo e kishte turnin e punës mbasdite, kështu ata çdo paradite ishin vetëm në kopësht. Kur takoheshin, secili fliste gjuhën e vet. Xhinella për shembull i thoshte se ai i ngjante nga zelli për punë babait të vet, ndërsa ai, duke mos e kuptuar, ia kthente se vdes për ëmbëlsira, sidomos për bakllava dhe përsheshin me lëngun e mishit të gjelit të detit.

***   

Një mëngjes, aty nga fillimi i shtatorit, si e bija, ashtu edhe dhëndërri e porostitën Papulin të mos dilte nga shtëpia: po afrohej një tufan i rrezikshëm, shi dhe breshër. Era do të frynte me shpejtësi me mbi 100 kilometra në orë. Nuk duhej qëndruar as nën kurorën e pemëve e as në strehat e shtëpive. Ishte e rrezikshme. “Janë frikacakë dhe qeveria për të qenë brenda, i zmadhon gjërat”, mendoi fermeri Josif Koromania pa i besuar këshillat e tyre…

Aty nga ora njëmbëdhjetë paradite, papritur qielli u nxi nga ca re të zeza si tymi i oxhakut të furrave prej qymyrguri. Kurorat e pemëve lëkundeshin gati duke prekur dheun, shtyllat dridheshin sikur i kishe futur nën rrymë elektrike trefazore. Pastaj erdhi një shi i rrëmbyer, shi me gjyma që binte pjerrtas. Papuli i trembej vetëm breshërit e jo shiut, ai mund të rrafshonte perimoren, megjithëse në një fare mënyre ajo mbrohej nga gardhi me dërrasa, nga ana e kinezëve. Sytë nuk i shqiste për asnjë çast nga bimët të cilat ishin në kulmin e prodhimit. Era u shtua dhe ai vuri re se gardhi po lëkundej si një fletë kartoni. Doli jashtë, vrapoi në mes të erës e shiut, rrëmbeu një ele hekuri, shtyu me forcë gardhin dhe e mbështeti mbi hekur. Kaq ishte. Xhinella po e shihte me shqetësim nga pjesa e sipërme e derës së bodrumit, pikërisht nga katrorja prej xhami. “Gjithëçka bën është e rrezikshme, me sa duket andej nga vjen Papuli nuk e njeh rrezikun e stuhisë që vjen nga Gjiri i Meksikës”, mendoi. Nuk u gabua në parandjenja: një copë llamarine u shkëput nga ulluku i shtëpisë dhe i fluturoi sipër kokës duke e goditur me pabesi. Aq e fortë ishte shpejtësia e asaj cope metali sa e rrëzoi përtokë. Xhinella doli me vrap, e ngriti Papulin në duar dhe gati i ra të fikët kur pa se nga sipër kokës i rridhte një rrëke gjaku. E tërhoqi me shpejtësi për shpatullash drejt hyrjes së shtëpisë. Hoqi bluzën e saj dhe ia ngjeshi mbi plagë. Me dorën tjetër nxorri celularin dhe i ra numrit 911. “S’kam gjë, s’kam gjë, mos u shqetëso, ma njom me raki”, thoshte Papuli duke treguar një shishe mbi sergjen. Gjaku nuk i ndalej. Xhinella mendoi se ajo ishte një shishe uji dhe ia dha, por ai nuk e piu. Bëri pëllëmbën e dorës si gropë, e mbushi me atë lëng që kundërmonte dhe ia hodhi plagës. Era e alkolit u përhap në gjithë shtëpinë. Përjashta u dëgjuan sirenat e makinave të policisë, ambulancës dhe zjarrfikses, fiks 11 minuta pas telefonatës. Policët hynë me vrull, kërkuan identitetin e të plagosurit. Xhinella u tha se quhej Papul, ishte vizitor, babai i pronares së shtëpisë dhe ajo ishte qiraxheshë. Ndërkohë stuhia kishte kaluar dhe perimet kishin shpëtuar. Dy djem të fuqishëm e ngritën peshë të plagosurin duke e transportuar me shpejtësi drejt ambulancës, por Xhinellën nuk e lejuan ta shoqëronte. Ajo duhej t’u përgjigjej disa pyetjeve të policëve. Duke ndjerë erën e alkoolit që kishte mbytur ajrin e dhomës së pritjes, pyetja e parë e policëve ishte:

-Ka pirë alkool, është rrëzuar e pastaj është plagosur ky zotëria?

-Jo, asnjë pikë – u përgjigj e vendosur Xhinella – doli në kopësht në kulmin e thunderstorm (stuhisë) dhe e goditi një llamarinë në kokë.

-Çfarë bënte në kopësht gjatë atij moti të keq?

I vuri një mbështetje hekuri gardhit të mos binte mbi perime.

-Ku është sendi që e goditi, llamarina?

-Në mes të kopshtit, – u përgjigj Xhinella. Ata e fotografuan objektin.

-Ok, na jep kartën tënde të identitetit, –  i thanë.

Me duar të dridhura ajo u nxorri pasaportën me vizë të skaduar para tre vjetësh.

E gjithë familja, duke u marrë me Papulin, e harruan Xhinellën. Mjekët thanë se megjithëse plaga ishte e thellë, nuk kishte humbur shumë gjak, ndihma e parë ka qenë vendimtare dhe infeksioni ishte eliminuar. Për siguri i bënë vaksinën e tetanozit. Pas tre ditësh Papuli doli shëndoshë e mirë nga spitali, por Xhinellën nuk e gjeti. Në bodrum, mbi tavolinë ishte bluza e saj me gjak të ngrirë, pikërisht ajo bluzë me të cilën ajo ndali hemorragjinë nga plaga e tij, pas aksidentit. Ajo ishte larguar përgjithnjë nga bodrumi, pa dhënë asnjë shpjegim.

***   

Pas dy javësh tek dera e kopshtit u duk një burrë i sjellshëm, por civil. Ai u prezantua si oficer i policisë kufitare dhe tregoi në gjoks dinstiktivin. Papuli i tha me shenja se nuk dinte anglisht. Mirpo ai i zgjati telefonin dhe nga ana tjetër e receptorit u dëgjua një zë vajze që fliste shqip. Ajo i tha se ishte përkthyese dhe se aty kanë ardhur dy oficerë të policisë kufitare. Papuli rrotulloi kryet dhe në anë të rrugës pa një makinë dhe një grua brenda saj me një kompjuter përpara. Mendoi mos ishte Xhinella, por jo, ajo një grua brune. Përkthyesja vazhdoi: “Po të tregojnë një foto, po të pyesin në se e njeh dhe në se ajo vajzë është aty?”. Papuli e pa me vëmendje letrën e policisë stampuar në kënd të saj një portret me ngjyra. Njohu menjëherë foton e Xhinellës. Nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por u bëri një kundërpyetje:

-Çfarë, kjo është kriminele dhe ju po e kërkoni?

-Jo, në asnjë mënyrë. Jo, zotëri, ajo duhet të paraqitet për t’u deportuar sepse ka shkelur tre vjet vizën. A nuk banon këtu?–Unë nuk njoh asnjë vajzë të tillë. Jam mysafir tek ime bijë dhe pas një jave kthehem në vendin tim. Në shtëpi nuk banon askush tjetër veç familjarëve tanë. Po të dëshironi, hyni e kontrolloni.

-Të besojmë, – i tha polici i zonës kufitare dhe u largua i menduar.

Josif Koromania nuk e kishte zakon të gënjente, por kjo përgjigje që i dha policisë kufitare ishte më e pakta që mund të bënte për engjëllin e zi me emrin Xhinella. U lut që “skifterët” e kufirit të mos e gjenin dot…

Fund

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Avdulla Kenaci, PAPULI, Tregim

SPAK BROS

February 13, 2018 by dgreca

2 avdulla kenaci

Tregim Nga Avdulla Kënaçi/

 Ishte një ditë shumë vështirë dhe e gjatë për shqiptaro-amerikanin, Alfred Ahmeti. Ai më në fund e kishte marrë tapinë e truallit buzë detit. Vërtetë që nuk arriti të blejë pesëqind metra katrorë vend, aq sa kishte bërë ndërmend kur u nis nga Florida, por përsëri edhe me 300 metra mund të ndërtohej një shtëpi, ndoshta një vilë e vogël. Kishte harxhuar plot dyzeteshtatë ditë duke u marrë me atë aferë. Kishte bredhur nga një zyrë në tjetrën, nga një kadastër në një hipotekë, sorollatje pa kufi. Më në fund kishte siguruar atë dokument të bekuar, me dy vula përsipër, hipotekën me emrin e tij. Kishte harxhuar goxha para, aq sa nuk e merrni me mend. Ishte i detyruar. Ishin kursime të grumbulluara në më shumë se dhjetë vjet, sidomos nga të ardhurat prej kompanisë së picave “Spak Bros”. E shoqja, Miradia dhe disa miq, para se të merrte rrugën për në vendlindje, e kishin këshilluar të mos jepte asnjë kacidhe nën dorë, edhe sikur të kthehej duarbosh, mirëpo Alfredi është një tip i tillë që kur vendos të bëjë diçka, s’ka burrë nëne që e kthen mbrapsh. Atë lloj pune do ta mbarojë me çdo çmim. Disa herë ishte bërë gati të merrte avionin e nga sytë këmbët; të mos kthehej më kurrë këtu, por ishte diçka tjetër në mes që e mbante të mbërthyer fort; përpara kishte 20-vjetorin e të birit, student i shkëlqyer me mësime. Kishte vendosur t’i bënte një dhuratë të jashtëzakonshme, një vilë buzë detit, ekzakt tek “Gjiri i Rosave”. Një mbasdite, akoma pa emigruar, për herë të parë, në atë gji deti, i kishte propozuar Miradies për martesë. Ishin të dy mësues, ajo sa kishte mbaruar Institutin e Elbasanit dhe Fredi Fakultetin e Shkencave të Natyrës, më saktë degën e fizikës. Ai peisazh i mahnitshëm i asaj mbasdite nuk i shkulej nga kujtesa. Ishte një perëndim i paharruar kur lëmshi i zjarrtë i diellit rrokullisej tej në horizont, mbi syprinën e kaltër të detit. Bukuria e bregdetit dhe puhiza që vinte nga larg i kishte dehur që të dy. I kujtohej si tani. Ideja për t’u kthyer përsëri këtu, i lindi kur lexoi njoftimin në disa portale shqiptare se po shitej truall në “Gjirin e Rosave”. Me sa mbante mend, denbabaden ai vend nuk kishte pasur zot, por qënkej ndryshe, kishin dalë plot tridhjetë e një pronarë. Histori të fshehura që nuk diheshin. Çudi, ai e dinte hapësirë publike. Si ishte e mundur që për gjysëm shekulli nuk ishin ndjerë të zotët, por gjatë demokracisë një nga një nxorrën kokë. Ai mendonte se i gjithë ai bregdet, mbushur me shkurre dhe kum të hedhur midis, nuk i përkiste askujt nga që nuk vlente as për kullotë e as si tokë bujqësore, por ja që kishte pasur zot. Dhe shitej me 500 dollarë metri katror. Sikur të mos e kishin rënduar ryshfetet, mund të blinte dyfish, por Shqipëri hesapi, nuk bëhej ndryshe. Pikërisht kur ishte i dëshpëruar në kulm, i hidhëruar e pa shpresë, një ish shok fakulteti, Ajazi, iu afrua dhe i tha:

–         Po pse vjen vërdallë si kali në lëmë, o Fredi vëllai, shko në burim, merru vetëm me kryetarin e Bashkisë, e ka ca dorën e rëndë, por të mbaron punë.

–         Kam dëgjuar, djalë i ri, kam kërkuar takim dy-tre herë, por nuk më ka pritur, – iu përgjigj Fredi.

–         E di i biri i kujt është ai? I rojes së shkollës së mesme, është i biri i xha Fadilit. E mban mend? Tako një herë atë, të atin, – e këshilloi duke i hedhur miqësisht dorën mbi shpatull. U kujtua, ishte roja që kishte përcjellë disa breza nxënësish me të cilin kishte një histori jo fort të këndshme, por le ta provonte njëherë.

Ashtu bëri. I thanë se ish rojën e gjimnazit e gjen çdo mëngjes në kafen e madhe, përpara Bashkisë. I zuri pritë herët, por e kishte harruar si fytyrë, gati nuk e njohu. Xha Fadili ishte i plakur e i rëgjuar, por memorien e kishte top.

–         A pizeveng, më erdhe në dorë, – i tha gjysëm me shaka, – të kujtohet si ma dogje gazetën me shkrepse kur e lexoja ulur në stol tek dera e shkollës? Desh të futën në politikë atëherë dhe do ma kishe marrë të keqen, por unë këmbëngula tek sekretari i partisë se deshe të më ndizje cigaren e të shpëtoi dora. Nuk u ankova unë, por të spiunuan, mor djalë. A çamarrok, çamarrok i dreqit, po ç’kemi andej nga juve?

–         Nuk ta harroj, por kam ardhur për hall. Lëre që kam harxhuar një thes me para, por nuk kam mbaruar as punë. Të më zësh nga hunda, shafran kulloj.

–         E po kapitalizëm, këtë kërkuat, këtë morët. Njeriu për njeriun është ujk, apo lere se këtë e ka thënë ai qoftëlargu, – pastaj ndërroi ton, e bëri zërin më miqësor, –  hë mo, hë se keni para ju të Amerikës, ç’të bëjmë neve këtu, pa ju…., – dhe ngriti telefonin celular, i ra një numri, e vuri në vesh, priti pak, diçka dëgjoi matanë receptorit, por pasi e mbylli dhe e futi në xhep, tha:

–         Është i zënë, do më marrë vetë, sillu njëherë vërdallë, shiko çfarë ka bërë në tre vjet djali im. Ky qytet ishte i pari që ngriti dy gishtat lart, por për njëzetë vjet mbeti me gisht në gojë. Vetëm gishtat i mbetën…Të gjitha çfarë sheh janë bërë në vitet e fundit; kanalizimet, trotuarët, pemët, të gjitha u ngritën që kur Bashkinë e mori në dorë djali im.

Pavarësisht se Fred amerikani, siç i thoshin, për një muaj e kishte shëtitur pëllëmbë për për pëllëmbë qytezën, nuk e kundërshtoi xha Fadilin, tundi kokën në shenjë pohimi, u ngrit, bëri si drejt unazës së qytetit, por ndërroi mendje; shkoi dhe u ul në një kafe tjetër.  Aty priti rreth një orë, gjersa dikush nga Bashkia i telefonoi dhe i tha se e priste në takim Kryetari. U habit si ia gjetën numrin e telefonit. Ai nuk mbante mend t’ia kishte dhënë ndonjë punonjësi bashkie. U nis vetëtimthi. Tek dera e jashtme e godinës e priste një vajzë e re, topolake, flokëkuqe, veshur me minifund i cili ia bënte të vështirë ngjitjen nëpër shkallë. “Zotëri, kini parasysh të mos ndizni cigare, në asnjë mjedis të Bashkisë nuk lejohet duhani”, e porositi ajo shoqëruesin me një zë lutës. Hyri e para, pa trokitur tek zyra kryesore dhe tha me një frymë: “Zoti Kryetar, e solla Amerikanin”. Ai ia bëri me shenjë t’i linte vetëm, pastaj u ngrit nga tavolina, bëri dy hapa përpara, shpërveshi buzët duke nxjerrë një palë dhëmbë të rregullt dhe tha: “Më mori babai në telefon, kam kancelluar një sërë takimesh për t’ju pritur, na vjen së largu, urdhëro, rehatohu”. Dhe i tregoi me dorë një palë kolltuqe të zeza prej lëkure. U ulën përballë njeri-tjetrit. Kryetari i Bashkisë ishte ndër më të rinjtë e vendit, sa kishte kaluar të tridhjetat.  Kishte punuar fort në Itali, për një dekadë, biznesi i kishte ecur dhe në zgjedhjet e fundit bashkiake konkuroi duke sakrifikuar një pjesë të pasurisë. Fitoi me një diferencë të vogël votash. Disa thoshin se i kishte blerë zgjedhjet me para të pista. Fjalë, më sa ndalen dallgët e detit, ndalen edhe thashethemet në këto qyetetet e vogla, por le të kthehemi tek qëllimi i vizitës.

–         Zoti Kryetar, jam mërzitur sa nuk bëhet, kam një muaj që më sorollatin zyrtarët e arkivave, hipotekës, seksionit të bujqësisë e me radhë. Është fjala për atë tokën afër detit, por nuk po e marr vesh: është në shitje, s’është në shitje…. Nuk e kam hallin tek çmimi, por tek dokumentat, dua të jenë të rregullta. Unë dua t’i bëj veprimet sipas ligjit, sikundër në Amerikë.

–         Të kuptova, por kam dy pyetje, – tha Kryetari – për ku bëhet fjalë dhe për çfarë qëllimi e kërkon, për banim apo për biznes?

–         Për banim, dua që fëmijët e mi të mos shkëputen nga Shqipëria. Siç dihet, këtu kemi klimë të lakmuar, det të mrekullueshëm, Mesdhe hesapi. Le të këtë edhe im bir një copë truall, një kujtim nga i ati. Një shtëpizë buzë detit që do ta mbajë të lidhur me vendlindjen e prindërve të tij. Nuk është se e kërkoj falas, por nuk dua ta lë litarin zvarrë, dua veprime ligjore me bankë dhe me noter.

–         Punë e mbaruar, – i tha prerë Kryetari – nesër jam në mbledhje në kryeqytet, pasnesër do të merremi me hallin tënd. Rri pa merak.

–         Më çlirove, o zoti Kryetar, si nuk të takova dot që në fillim, – i tha i mallëngjyer thellë në shpirt. Vetë Kryetari, kur e pa ashtu të prekur, e përcolli deri në fund të korridorit me dorën në sup, një përjashtim që nuk e kishte bërë për asnjë tjetër. Kaq ishte biseda. Doli në rrugë, mori frymë thellë dhe iu kujtua shoku i Fakultetit. I duhej dhënë një drekë. “Nuk ka mësime falas”, mendoi. Gjeti një taksist, e pyeti se ku mund ta kërkonte profesorin e fizikës, Ajazin. “Rri këtu, për pesë minuta ta sjell”, i premtoi ai. Dhe ashtu ndodhi. Dy shokët e vjetër, pasi u përshëndetën, taksisti u tha: “Ma lini mua në dorë lokalin”, dhe i çoi në një restorant peshku buzë detit. Ishin bashkëmoshatarë, por profesori dukej si nja dhjetë vjet më i madh; me ata flokët e rënë, eshtrat e faqeve që i theksoheshin aq shumë dhe kurrizin e përkulur si shkronja e madhe S. Xhaketa i rrinte e gjatë tek mëngët. Mall i falur, mendoi Fredi dhe i tha me zë të ulët:

–         Kryetari m’u duk djalë i mirë, i shkathët, pa burokracira, veshur shik, krejt i lirshëm. Duhen djem të rinj nëpër zyrat e shtetit.

–         Po atë orën “Rolex” ia vure re, sahatin, pra, fusha e të cilit merr ngjyrë sipas kostumeve, daytone – iu kthye Profesori duke shkelur syrin me djallëzi. Dukej ashiqare që nuk e kishte qejf Kryetarin.

–         Jo, por vetëm i pashë në pëllëmbën e djathtë një si gjurmë, shenjë nga një e prerë thike. U habita.

–         Po, ai ka braktisur gjimnazin në vit të tretë dhe nuk ka qenë djalë i keq me mësime. Iku në Itali, por rob i zgjuar, punëtor dhe kurajoz. U kthye i kamur, shumë i pasur, më rruat profesorllëku mua.

Kaq ishte biseda rreth kryetarit, pastaj të dy miqtë e vjetër iu rikthyen kujtimeve nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës.

***   

Të pasnesërmen, aty afër drekës, po i njëjti zë nga Bashkia: “Zotëri Alfred? Tek restorant “Aragosta” ju pret Kryetari…”. E gjeti menjëherë lokalin, ishte nga më luksozët e qytetit. Binte në sy që atje tej me vetratat prej xhami dhe dritat shumëngjyrëshe, vezulluese në mbrëmje. I thanë se duhej të ngjitej në katin e tretë, aty ku u shërbehej vetëm vipave apo zyrtarëve të lartë që vinin nga kryeqyteti. Kryetari ishte ulur me një bashkëmoshatarin e vet, një rrondokop kokërruar, veshur sportiv. Fredi hezitoi të ulej, por Kryetari nuk vonoi ta prezantojë me mikun e vet: “Njihuni, ky është shoku im më i ngushtë, në të mirë e në të keq. Së bashku kemi qenë në Itali, këtu e kam krahun tim të djathtë, organizon fushatat elektorale. Quhet Idriz, mbaje mend, si Idriz Seferi…” dhe Kryetari qeshi me të madhe duke tundur supet. Pastaj ra qetësi në të gjithë sallën, dëgjoheshin vetëm përplasjet e filxhanëve që kamarierja shplante në lavaman. Heshtjen e prishi po zëri i Kryetarit i cili duke theksuar e rrokëzuar çdo fjalë, tha:

–         Idriz, e ke hartën e “Gjirit të Rosave”?  Na trego çfarë parcela kanë mbetur pa shitur.

Idrizi u ngrit pupthi, u zhduk pas një kthine dhe pas pak u kthye me një dosje të kuqe në duar. Prej andej shpalosi hartën e gjirit të detit dhe nisi të shpjegojë:

–         Ky trualli këtu, më afër detit, është 550 metra katrorë dhe shitet me 1200 euro metri, ky më lart, 400 metra katrorë, me 1000 euro metri katror, ky tjetri…, – Sa më shumë largohej nga deti aq më shumë ulej çmimi, pastaj e mori fjalën Kryetari:

–         Zgjidh miku im, ti e njeh terrenin dhe vur gishtin, vetëm duhet të dish se parcelat shiten në bllok, sipas përkatësisë që kanë pronarët.

–         Realisht janë çmime të kripura, por unë do të preferoja me 500 euro metri katror, – u përgjigj Fredi disi i lëkundur.

–         Idriz, ka me këtë çmim?

–         Ka, por është pas kodrës, është vetëm një, janë treqind metra.

–         Duket deti? – pyeti Fredi.

–         Po, duket po qe se vilën apo shtëpinë e bën dy apo tre kate, – shpjegoi Idrizi.

–         Në rregull, unë mund ta marr, – tha Fredi.

–         Pagesa duhet bërë menjëherë, sa të marrësh tapinë në dorë.

–         Sa mund të zgjatë si kohë?

–         Maksimumi një javë, – tha Kryetari – me këtë punë merret Idrizi. As mos e vra mendjen fare, o Amerikan, ke rënë në dorë ustai – dhe qeshi me të madhe.

Me rrondokopin që quhej Idriz këmbyen numrat e telefonave dhe të dy palët u ndanë të kënaqur. Që nga ai moment, shprehja e fytyrës së Fredit u çel, dukej se në fund të tunelit kishte dritë. Sa mbeti vetëm, në telefon i dha sihariqin të shoqes, Miradies. Por ajo nuk e besoi. Dhe kishte të drejtë. Nuk qënkej aq punë e lehtë për t’u mbaruar tak-fak. Pronari i asaj parcele për të cilën u ra dakort, me të mësuar se atë vend kërkonte ta blente “një amerikan”, ngriti çmimin, e bëri me 600 euro metrin katror. Fredi u vu në siklet. Duhej pyetur Ajazi, si mund të dilej nga kjo situatë?

–         Kam frikë se do të më nxjerrin fishek, Ajaz vëllai, – i tha me një zë të zvargur, – ata më siguruan se do ta mbaronin shumë shpejt këtë punë.

–         Çfarë bisede keni bërë tek “Aragosta”, u ke treguar se ç’punë bën?

–         Po, u kam thënë se punoj në një laborator bërthamor, më ndihmoi fizika, por m’u desh të bëj një kurs njëvjeçar dhe në fundjavë i vij në ndihmë time shoqeje, Miradies, ti e di që ajo ka një piceri? Unë merrem me furnizimin e saj të shtunën e të dielën. Nuk t’i fal njeri dollarët në Amerikë po nuk djersite. Të vërtetën u kam thënë.

–         Ky laboratori është ushtarak apo civil?

–         Është civil, por ka rregulla të forta, jo çdokush mund të punojë aty.

–         Unë mendoj se ky Idrizi “do kuar”, duhet t’i japësh diçka, – tha Ajazi duke hedhur nga njera anë në tjetrën ato pak flokë që i kishin mbetur mbi sheshin e tullës. Nuk ishte fort i sigurt në parashikime.

–         Po sa?

–         Dhjetë përqind të shumës që do të blesh truallin, kaq, me të dëgjuar e kam.

–         I bie 20 mijë dollarë…

–         Po, ndryshe nuk ke për ta marrë kurrë. Të rinj janë këta zyrtarët e sotëm, por ustallarë të regjur në këto punë, kanë mbaruar shkollën e shejtanit.

Këto fjalët e fundit të shokut të tij të besuar e trishtuan pa masë. Ta anullonte blerjen? Punë që nuk bëhej, kishte harxhuar shumë kohë, energji dhe para. Duhej takuar me pa tjetër Idrizi. E gjeti si gjithmonë në lokalin e tij “Aragosta”. Fillimisht, me lezet, ia solli rrotull bisedën, pastaj i propozoi:

–         Unë e di që këto punë këtu nuk bëhen aq lehtë, por pata besim tek ti qëkurse më prezantoi dhe më garantoi Kryetari. Veç blerjes kam në dispozicion edhe 15 mijë dollarë, a mjaftojnë për ta mbyllur këtë mesele?

–         Dëgjo, or mik, këtë nder unë e bëj për hatër të Kryetarit, nuk dua lekë për vete, sidoqoftë, ta provojmë.

Pas një jave gjithçka ishte gati, me kontratë shitblerje dhe hipotekë. Nuk thonë kot që paraja e kthen lumin përpjetë. Këto të gjitha mendonte i vetëm Fredi, i ulur në një stol të Gate 5 në aeroportin e Rinasit, pas 47 ditësh, i gatshëm të ngjitej në fluturim. E kishte marrë malli për familjen, sidomos për dy fëmijët. Tapinë e truallit e kishte siguruar në çantën e dorës. Për atë copë letër kishte hequr të zitë e ullirit. Por nuk ishte e thënë të mbaronte me kaq.

***

Ra zilja e telefonit. Njohu numrin e celularit të Kryetarit. Nuk i kishte telefonuar kurrë ai vetë. Si duket do t’i uronte udhëtim të mbarë, por jo: “Kancello urgjentisht fluturimin dhe kthehu këtu, është bërë një gabim në dokumente. Shyqyr që të kapa në kohën e duhur…”, i foli prerë, alarmues dhe nuk priti përgjigje. Kjo ishte si një rrufe në qiell të kthjellët. Të anullonte udhëtimin? E po si nuk kanë të sosur kurrë telashet në këtë vendin tonë të bekuar? Nuk kishte çfarë të bënte, tërhoqi valixhen dhe doli përgjatë parkingut të aeroportit. Kontrolloi portofolin për të ditur sa dollarë i kishin mbetur, as njëqind. Ndoshta me atë shumë do të pranonte ndonjë taksist ta kthente tek Kryetari. Duhet të shkonte drejt e në zyrën e e tij. Gjatë gjithë rrugës ndjehej si në kllapi, kushedi sa i kishte shkuar tensioni. Pas një ore, ja ku u gjend përpara Bashkisë. U kujtua që nuk kishte lajmëruar në shtëpi për anullimin e fluturimit. Duke ngjitur shkallët, i dridheshin gjunjët, gati po i binte të fikët. Edhe pse orari zyrtar kishte mbaruar, Kryetari po e priste. E qeshura i ishte larguar nga fytyra. Dukej i zymtë, serioz dhe shumë i shqetësuar.

–         Problem i vogël, qetësohu, zoti Fredi, ti ke blerë nga një pronar fals 300 metra katror truall. Ai është hapësirë publike, pa pronar, është i yni, i Bashkisë. E kapëm me vonesë, është gabim i Idrizit. Shitet me 15 euro metri katror, vendim qeverie. Ja ku i ke paratë e tua. Bëra çmos të t’i kthej mbrapsh. Idrizin e vura përpara përgjegjësisë. Jemi shtet ligjor, nuk lejojmë allishverishe, as vëllain tim nuk fal. Ne duam ta bëjmë Shqipërinë si Amerika. Tani merru me juristin e Bashkisë të bësh dokumentat e reja. Do ta firmos vetë. Më mirë kështu. Je miku im. Edhe ti do ta bëje për mua kaq gjë, apo jo?

Fredi nuk dinte si të sillej, të gëzonte apo të hidhërohej. Shqiptaro-amerikani ishte në siklet të madh, si kurrë ndonjëherë. Kishte nevojë për ajër të pastër. Doli përjashta, në oborr të Bashkisë dhe ktheu fytyrën në drejtim të horizontit, në perëndim, andej nga binte deti. Prej së largu po vinte një erë e freskët, e mbytur në jod.

***   

Fredi kishte pronotuar një dhomë hoteli ndër më të shtrenjtat. Kishte kaluar mesnata, por sytë nuk i mbylleshin, gjumi i ishte arratisur s’di se ku. Gjysma e së keqes, të paktën një pjesë e mirë e parave i ishte kthyer në dorë. Nuk po e kuptonte se çfarë loje po kurdisej. Shqipëria, vend i habirave. Dora vetë Kryetari i Bashkisë të të kthejë paratë? Çudi. Ashtu, turbull e mundi gjumi aty afër mëngjesit. Sa u zgjua, i pari mendim që i erdhi në kokë ishte të pyeste Ajazin, mikun e tij të vjetër. Profesori i fizikës, kur mori vesh se i ishin kthyer paratë, vuri duart mbi gjunjë dhe e qeshura e tij u ngrit në kupë të qiellit, pastaj si në një orë mësimi, tha:

–         Gjithë qyteti e di se të tridhjetë e një pronarët, farefis me njeri tjetrin, kanë marrë tapi falso. Ata kanë tre vjet që shesin e blejnë toka për llogari të Kryetarit të Bashkisë. Pseudopronarëve u mbetet edhe diçka për vete nga kjo aferë. Po çfarë ka ndodhur me ty, Fred, nuk e them me siguri. Mos vallë ta kanë vënë re atë dokumentin me foto “Spak Bros” që mban në portofol? Duhet të dish se pritet të mbërrijë një agjent nga FBI i cili do të ndihmojë Spakun shqiptar për të kapur peshqit e mëdhenj. E di ç’është Spaku, është Strukturë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, SPAK. Njësi e pavarur e cila do të hetojë pesëmbëdhjetë kategori zyrtarësh, natyrisht edhe bashkitë.

–         Aha, po Spaku im nuk ka fare lidhje me këtë njësi, është logo, si punë dinstiktivi, është baxha ime personale “Spak Brothers”, brothers (vëllezër), shkurt Bros, kompani picash në Florida….

Profesori drejtoi trupin, ndjeu se hoqi nga kurrizi një peshë të rëndë. I ndritën sytë dhe u çel në fytyrë. Ia dha përsëri të qeshurës me të madhe, pastaj sikur i falej zotit, tha: “Bekuar qofsh, Amerikë, minjtë nga frika po braktisin hambarët, na kthe buzëqeshjen…”

 

Fund

Filed Under: LETERSI Tagged With: Avdulla Kenaci, SPAK BROS, Tregim

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT