• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AVOKATJA

March 4, 2017 by dgreca

Tregim Nga Pierre-Pandeli Simsia/
 
…Ajo erdhi nga Shqipëria si vizitore tek prindërit e saj në Nju Jork bashkë me vajzën e saj foshnjë 5 muajshe e pajisur me vizë turistike tre mujore nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë.
Garanci i kishin dalë prindërit e saj që banonin prej disa vitesh në Nju Jork.
Ishte grua e re në moshë, jo më shumë se 30-të vjeçe; tërheqëse në pamjen e saj të jashtëme, trupbukur për ta patur zili’.
Me kryeneçësi u prezantohej njerëzve të saponjohur, miqve të prindërve të saj, profesionin e juristes që kishte ushtruar në Shqipëri.
Pas diplomimit, pak vite e kishte ushtruar atë profesion, madje, thoshte se në Shqipëri kishte punuar juriste në një institucion të rëndësishëm shtetëror, por, për fatin e saj të keq, padrejtësisht, shefi i saj, e kishte larguar nga puna. 
     – Si ka mundësi! – Bisedonin me njëri tjetrin disa miq të familjes së prindërve të saj që ishin njohur në Nju Jork. – Duhet të jetë paaftësia e saj në ushtrimin e profesionit të juristes në atë institucion të rëndësishëm shtetëror, ose, ajo do jetë diplomuar në atë kursin e famshëm disa mujor, që, jo pak njerëz të moshave të ndryshme u diplomuan nga ai kurs, madje zunë edhe vende kyçe ne institucione të ndryshme shtetërore partiake!
Që në ditët e para të mbëritjes në Nju Jork filloi të zbatojë planin e qellimit të ardhjes, të fitonte azilin, pajisjen me dokumentin kryesor Green Card, për të qenë banore e përhershme e Amerikës.
Pa humbur kohë, iu drejtua zyrës së emigracionit, atje ku ishte edhe avokati i njohur amerikan, zoti Xhan (Mr John).
Unë kisha dy vjetë që punoja me kohë të pjesshme (part time) përkthyes në zyrën e avokatit Xhon meqenëse edhe flas disa gjuhë të huaja: gjuhët, angleze, spanjolle, portugeze, italiane.
Zyra ku isha punësuar unë ishte paradhomë me zyrën e avokatit Xhan.
Më të shumtët emigrantë që aplikonin dhe vinin në zyrën e avokatit Xhan për t’u pajisur me kartën e gjelbërt, ishin qytetarë nga Amerika Latine  spanjishtfolës dhe shqiptarë.
Sipas orarit të takimit me avokatin Xhan, ajo u paraqit në zyrën e tij rreth orës 11.
Sapo hyri, më përshëndeti me mirësjellje. Me të njëjtën mirësjellje ia ktheva edhe unë përshëndetjen.
Pasi shkëmbyem bisedat e zakonshme të njohjes me pyetjet refren për të mësuar prejardhjen tonë, i kërkova të më jepte dokumentacionin dhe të më spjegonte edhe njëherë të përmbledhur historikun e saj në Shqipëri, shkakun dhe arësyet e largimit nga puna si avokate në atë institucion të rëndësishëm shtetëror. Praktikë më se e zakonshme e punës sime kjo, që të isha në dijeni të çështjes për të cilën do ia përktheja avokatit.
Avokati Xhan ishte njohur edhe më parë me kërkesën e saj për azil dhe me dokumentat që ajo kishte paraqitur.
Ndërsa ajo fliste, e bindur në ato që më thoshte, në fytyrë i lexohej besimi për çështjen për të cilën edhe kishte ardhur; të fitonte azilin.
     – Ndjehem shumë e emocionuar, por, edhe seç kam një parandjenjë të brendshme se çdo gjë do shkojë mirë; përfundimi i kësaj çështje do jetë në favorin tim. Apo jo, zoti…
     – Majk – i ndërhyra unë menjëherë. – Më quajnë Majk (Mike) jemi bashkëkombas dhe më pëlqen që të më thërrasësh Majk pa e përdorur fjalën, zotëri, sepse kështu e bëjmë edhe më të afrueshëm komunikimin tonë.
Ajo buzëqeshi. – Majk, ti si mendon? Kam shumë shpresa tek ky avokati i njohur këtu.
     – Shpresoj që çdo gjë të jetë në favorin tuaj – i thash.
I lexova me kujdes të gjithë dokumentacionin që ajo më paraqiti    
    – Dokumenta të tjera, nuk ke? – e pyeta.
     – Jo! – m’u përgjigj ajo menjëherë. – Nuk kam, por, këto besoj se janë të mjaftueshme.
Unë nuk fola; i rilexova disa herë. U çova nga karrigia dhe eca drejt derës së zyrës së avokatit.
Ia lash sipër tavolinës dhe prisja kur ai të ishte gati e të na thërriste.
 
Që në takim bisedën e parë me avokatin, ajo shfreu gjithë mllefin e saj kundër ish shefit të saj në Shqipëri që, me pa të drejtë, sipas saj, e kishte larguar nga vendi i punës; madje provat e saja ishin të forta.
Sipas spjegimeve që ajo i paraqiti avokatit Xhan, ish shefi i saj në Shqipëri kur kishte punuar në atë institucion, ishte burrë imoral. Jo pak herë, kur hynte në zyrat e ndryshme ku punonjëset ishin femra, harronte, apo bënte sikur harronte të mbërthente pjesën e përparme të pantallonave.
     – Të lutem!  – më ndërpreu mua avokati Xhan, ndërsa unë vazhdoja t’i përktheja ato çfarë më thoshte juristja shqiptare.
     – Të lutem, Majk! Të lutem, mund të ma përsëritësh edhe njëherë çfarë po më thoshje?
Ajo nuk kuptonte shumë fjalë në gjuhën angleze, por fjalën, të lutem, kur avokati Xhan m’u drejtua mua, e kuptoi.
Më vështronte me sy të trembur dhe priste se çdo ti thoshja unë.
Pa e lënë që të më pyeste, i thash: avokati po më thotë që t’ia përsëris edhe njëherë ato që po më thua ti, pra, ish shefi yt në Shqipëri qenka burrë imoral dhe shpesh herë hynte në zyrat tuaja me pantallona të zbërrthyera në pjesën e përparme të tyre.
     – Po! – tha ajo menjëherë duke e ngritur pak tonin e të folurit – Është e vërtetë – dhe pa nga avokati si të kërkonte mbështetjen e tij.
Ia përktheva avokatit fjalë për fjalë ashtu siç edhe ia kisha përkthyer pak më parë.
     – Pyete, – m’u drejtua mua avokat Xhan-i. – Sa kohë i vazhdoi ato veprime ish shefi i saj, pra, që hynte dhe dilte në zyrat ku punonjëset ishin femra, ashtu siç po thot kjo?
Dhe përgjigjja e saj ishte: – Pothuajse që kur fillova unë punë atje, madje këtë ves të ish shefit tim ma thanë edhe ish koleget e mija që ishin punësuar më parë se unë. 
     – Domethënë, – m’u drejtua mua avokati, – që në ditët e para të fillimit të punës, kjo paska patur dijeni për veprimet e pahijshme të shefit të saj, madje edhe i paska parë vetë, por, atëhere nuk i bënë përshtypje, ndërsa tani, po i përdor si provë të fortë bindëse…!
Avokati tundi kokën majtas djathtas. Pastaj, pas një heshtjeje të shkurtër, e pyeti:
     – Sa kohë punove ti në atë zyrë me një shef të tillë imoral? 
     – Dy vjetë dhe katër muaj – u përgjigj ajo pasi unë ia përktheva. 
Fytyra i mori një çehre ngjyrë rozë; dukej se po i lulëzonte. Mendoi se, ndërhyrjet e avokatit me pyetjet e njëpasnjëshme ishin në favor të saj. 
     – Shumë faleminderit, – më foli mua me zë të ulët.
Unë nuk fola; po ndjehesha i paaftë ti përgjigjesha buzëqeshjes së fytyrës së saj.
     – Çfarë thot? – Pyeti avokati Xhan.
Unë bëra sikur nuk e dëgjova, shikimin e kisha hedhur mbi disa shkresa që kisha përpara.
     – Domethënë, paska punuar avokate në atë institucion shtetëror në Shqipëri nën mbikqyrjen e një shefi imoral që bënte edhe veprime të turpshme, foli avokati Xhan pas një heshtje të shkurtër dhe kokën e mbante ulur mbi shkresat që kishte përpara. U duk se po mendonte diçka, pastaj, pa folur, u çua nga karrigia dhe me hapa të ngadaltë shkoi pranë dritares. Shikimin e kishte hedhur diku jashtë.
     – Të lutem Majk, – më foli ajo me zë lutës. – Çfarë të tha avokati?
     – Nuk ka thënë asgjë të rëndësishme, përveç atyre pyetjeve që të thash edhe ty.
     – Pse u çua nga vendi? Çfarë po mendon? Oh, Zot! Sa me ankth që jam tani! Më ka hipur një sekëlldi e brendshme. Pse e ndërpreu intervistën me mua?
     – Janë në praktikën e tij këto veprime – u mundova unë ta qetësoja.
     – Po me të tjerët si unë kur vijnë këtu, kështu vepron ky? – vazhoi ajo me pyetjet duke folur me zë të ulët. Në fytyrën e saj po dalloja frikë.
     – Të thash, janë në praktikën e tij të punës këto veprime që po bën; madje ai edhe mund të dalë jashtë për disa minuta e të kthehet prap.
Avokati Xhan, u kthye nga ne dhe përsëri me hapa të ngadaltë erdhi dhe u ul në karrigen e tij të punës.
Pa folur, sytë i mbante ulur përdhe dhe me gishtat e pëllëmbës së dorës së majtë godiste lehtë tavolinën e tij të punës si të mbante ritmin e një muzike. (Avokati ishte mëngjarash, shkruante me dorën e majtë)
     – Kam edhe këto për t’ia treguar – më foli përsëri ajo me ngadalë dhe, pa pritur që unë ta pyesja, hapi çantën dhe nxorri një mbështjellëse në ngjyrë blu. E hapi; dallova një gazetë në gjuhën shqipe dhe disa fotografi.
     – Çfarë dokumentash të tjera ke? – e pyeta.
     – What’s happening? Çfarë po ndodh? – më pyeti avokati.
     – Ka edhe disa dokumenta të tjera për t’ju treguar, zoti avokat.
Ai u duk se nuk ishte i interesuar për të parë çfarë fakte të tjera kishte sjellë ajo.
Ajo zgjati dorën; – janë prova shumë të besueshme – foli duke m’i dhënë.
Unë mbaja përpara duarve gazetën dhe tre fotografi pothuajse të ngjashme me njëra tjetrën. Ato fotografi i pash të botuara edhe në gazetën që më dha ajo. Nuk po më dukeshin prova shumë të forta, siç u shpreh ajo për ta bindur avokatin në padrejtësinë që i ishte bërë.
     – Çfarë janë ato? – më pyeti avokati indiferent.
Pa folur, i zgjata dorën për t’ia dhënë.
Avokati i mori gazetën dhe fotografitë dhe po i mbante përpara duarve. Shikimi i tij u mbërthye mbi to. Ai po shikonte një burrë në shoqërinë e disa miqve apo shokëve të tij në një restorant, ulur në një tavolinë që po drekonin apo darkonin.
Dallohej shumë qartë; në pjatat përpara tyre, ushqimi që po hanin, ishin pasta, makarona spageti. 
Avokati, ngrysi ballin, i dha buzëve një shtrembërim të lehtë dhe pa e ngritur kokën, zgjati dorën drejt meje duke m’i dhënë. 
     – Ç’janë këto? – pyeti avokati hetueshëm, pa iu drejtuar askujt.
Makaronat ishin një nga ushqimet e tij të preferuar.
     – Janë ato palaçollëqet që bënte ai maskarai, ish shefi im, – shpejtoi ajo të spjegonte.
Shtypi i partisë kundërshtare të shefit të saj, nëpërmjet kamerës së fshehtë, e kishte regjistruar shefin duke ngrënë drekë apo darkë private në një nga restorantet e ndryshme me grup shokësh dhe ato fotografi i kishin botuar në shtypin e tyre si diskreditim ndaj shefit.
Në zyrën e avokatit kishte rënë heshtja. Unë nuk dija si të veproja. Herë herë shikimin e hidhja nga avokati dhe herë herë e hidhja nga ajo.
Avokati kishte mbështetur mjekrën mbi pëllëmbën e dorës me krahun gjysëm të përthyer dhe dukej se diç’ mendonte.
Fytyra e saj shprehte ankth. Por, heshtjen e theu vet avokati.
     – Përktheja – m’u drejtua mua. Pastaj duke folur, shikimin e hodhi nga ajo: – Meqenëse jeni edhe vetë avokate, siç po na prezantohesh, besoj se mirëkuptohemi. Pretendimet e tua, me ç’dëgjova nga përkthyesi, bashkëkombasi yt i nderuari Majk, nuk janë aq bindëse për të fituar statusin, qellimi i të cilit ti ndodhesh sot këtu. Nuk janë prova bindëse këto për mua dhe për cilindo avokat tjetër ku mund të shkosh ti këtu në Amerikë, të pajisesh me dokumentin kryesor për të qenë banore e përhershme e Sh. B. A-së.
Fotografitë, të cilat ti ne na i paraqite si provë kundra ish shefit tënd në Shqipëri atje ku edhe ke punuar, jo vetëm që nuk janë bindëse, por, si avokate që je, duhet ta dish shumë mirë, janë veprim i kundraligjshëm. Sepse, të investigosh, të fotografosh cilindo qoftë ai apo ajo në jetën private dhe ato t’i bësh publike, janë edhe të dënueshme ligjërisht.
Por, ajo që dua të të them, madje që në fillim kur ti ne na spjegove pretendimin tënd në lidhje me imoralitetin dhe sjelljet e pahijshme të ish shefit tënd në zyrat tuaja përpara grave ku njëra nga ato ke qenë edhe ti, dua të të pyes: Sigurisht, ato veprimet e tija të turpshme janë të dënueshme dhe të papranueshme për ty për të punuar me një shef të tillë, por, ti atë fakt e ke mësuar që në ditët e para të punësimit tënd nga ish koleget e tua të punës, apo jo? Gjithmonë, sipas dëshmisë tënde tani këtu, po të flas. Dhe, megjithatë, ti pranove të punoje më shumë se dy vjetë edhe pse i shihje veprimet e tij të pahijshme. Sigurisht, bashkëshorti dhe familjarët e tu, atë veprim të ish shefit tënd e kanë mësuar pasi ai ty të largoi nga vendi i punës. Vallë, ti e bisedove ndonjëherë me bashkëshortin tënd gjatë kohës që vazhdoje të punoje atje? I the ndonjëherë bashkëshortit tënd, nuk më vjen të shkoj në punë, madje as nuk dua të punoj me një shef të tillë, imoral? Dhe, sigurisht, përgjigja vetvetiu, është, jo, nuk i ke thënë, se, përndryshe, nuk do kishe vazhduar të punoje më shumë se dy vjetë. Bashkëshorti yt dhe gjithë familjarët e tu i kanë mësuar të gjitha ato fakte vetëm kur ty të larguan nga vendi i punës, praktikë kjo më se e njohur që, kur punonjës të ndryshëm privatë apo shtetërorë, kur pushohen apo largohen padrejtësisht, sipas pretendimit të tyre, nga vendi i punës, atëhere shfrejnë mllefin e tyre të mbajtur sekret brenda vetes, dalin përpara kamerave televizive, japin deklarata në shtyp, bëjnë lajm, mbushin faqet e ndryshme gazetash me bëmat që kanë ndodhur në institucionet ku ata kanë punuar.
Më vjen shumë keq zonjë, por, po ua përsëris edhe njëherë, faktet tuaja dhe provat që na paraqitët këtu, nuk janë bindëse – vazhdonte avokati të fliste me mirësjellje të stërholluar.
     – Dhe, për ta mbyllur këtë takim, ju rekomandoj se, për të qenë korrekte me ligjet e Shtetit Amerikan, sigurisht që ti i di vetë, meqenëse je edhe avokate, (avokati sajoi një qeshje të lehtë që u duk ironike) brenda afatit tre mujor, atëhere edhe kur ju mbaron edhe afati i dhënies së vizës për të qendruar në Amerikë, ju bashkë me vajzën tuaj duhet të ktheheni në vendin tuaj, në Shqipëri.
Avokati zgjati dorën nga ana e majtë e tavolinës së tij të punës. 
Ajo nuk e pa se ç’farë mori ai; syt i kishte ulur përdhe. Vetëm kur dëgjoi avokatin t’i flasë, e ngriti kokën.
     – Merre këtë – tha avokati dhe zgjati dorën për t’i dhënë diçka. – Këtu është e regjistruar e gjithë biseda jonë, pra edhe e përkthyesit tonë të nderuar Majk. Merre, mbaje, është e jotja, ndoshta do të duhet edhe si provë bindje e përkthimit të saktë nga përkthyesi Majk. Bashkë kemi mbaruar punë – dhe u çua nga karrigia.
Unë edhe pse isha i bindur në provat që ajo na solli që nuk do e fitonte kërkesën e saj për azil, e pash dhimbshëm në sy. U çova dhe unë nga karigia ime për ta shoqëruar jashtë.
M’u dhimbs shumë, shumë, për më tepër kur i pash syt e përlotur. Në fytyrë i dallova qartë një shprehje pikëllimi. 
Asaj në zemër i ishte mbledhur një lëmsh. Nuk u përmbajt dot, ia shkreu të qarit me ngashërim. Nuk po iu zinte besë fjalëve të avokatit që sapo dëgjoi.
     – Të lutem! Të lutem Majk! – më foli me zë të dridhur dhe të përvajshëm. – Më mundëso edhe një takim tjetër që të vij përsëri, ndoshta, ndoshta… – nuk mundi dot të vazhdonte të fliste. Në grykë i ishte bërë një nyje.
Po ndjeja keqardhje në zërin e saj; po më dhimbsej shumë. Duke e parë pikëllueshëm, i thash:
     – Edhe unë, të lutem shumë. Ju kuptoj shumë mirë juve dhe gjendjen tuaj shpirtërore, por, nuk është në dorën time. Avokati e studjoi kërkesën tënde, madje të dha përgjigjen e prerë përfundimtare.
Isha i bindur në veten time se ajo po ndjente një trishtim të thellë brenda qenies së saj. Syt i dukeshin të shuar.
Ajo, sikur nuk donte të largohej nga zyra jonë e punës.
Avokati Xhan, rrinte pranë dritares me shikimin hedhur jashtë, ndërsa unë me hapa të ngadaltë eca drejt derës.
Ndjeva se edhe ajo po vinte pas meje.

Filed Under: LETERSI Tagged With: avokatja, Pierr Pandeli Simsia, Tregim

Erifili Bezhani, avokatja shqiptare në Marsejë

October 1, 2016 by dgreca

Erifili Bezhani, avokatja e parë shqiptare, që ushtroi profesionin e vet në Marsejë, Francë/
 Nga Nini Haxhistasa Mano/*
2-eriflii
 Portreti i Erifili Bezhanit, vajza e tezes së tim eti, në vitet e fëmijërisë sime të hershme, në imazhin e përftuar ashtu, vjedhurazi bisedave të kujdesshme të të medhenjve, ishte thuajse i pakapshëm. Shkolluar në Greqi, e më pas në Francë, fotografitë e Erifilit  në albumet e familjes më ofrobin imazhin e personazhit magjepsës të tregimeve dhe novelave, treguar nga motra e saj, Evrinomi ne, të vegjëlve, mbremjeve të gushtit, buzë detit, në lagjen Skelë, në Vlorë në mes të viteve 60-të. Vizioni i kalorëses së shkëlqyer, që rrugën nga lagja Goricë, ku banonte gjyshja, deri në Kala tek tezja në Berat, e merrte me gallop të shpejtë, shumë ndryshe nga vajzat e tjera të së njejtës moshë, më afronin zanën e bukur të përrallave.
Me kalimin e viteve, kur e rritur, fillova të merrja pjesë në bisedat e më të mëdhenjve, portreti i Erifilit u paraqit ashtu, sic ishte në të vërtetë: plot vitalitet, endrra dhe ambicje profesionale, që u thyen në mes papritur, për një shkak shumë të pakuptimtë: kundërvënia e shtetit ndaj koncepteve, përpjekje intelektuale të saj për shoqëri demokratike të vërtetë në Shqipëri.
Me jetën e Erifili Bezhanit lidhen histori të spikatura karakteresh shqiptare, por shumë të dhimbshme dhe tragjike në  familje me prejardhje të hershme intelektuale. 
Të tilla janë jetët e fëmijëve të Pavllo Bezhanit nga Vlora dhe Amalia Kolea nga Berati. Pavllo ishte bir i familjes së njohur Bezhani, familje e pasur, me aktivitet tregtar eksport-import në Vlorë, Greqi, Itali deri në Egjyptin e largët.  Bezhanët njihen në historinë e zhvillimit të tregut financiar shqiptar, pasi që nga viti 1850 hapën të parën bankë private në Shqipëri, e njohur fillimisht si “Banka Pandeli & Lefter Bezhani”.
Ndërsa Amalia Kolea ishte vajza e vogël e avokatit nga Berati, Kristo Kolea, përfaqësues i Monopolit francez të duhaneve “La Regie Des Tabac” në perandorinë Otomane në teritorin Shqipëri, Greqi, Maqedoni. Amalia Bezhani ka qënë poete, e para vajzë shqiptare, e cila ka botuar  poezitë e saj në revistën “Bleta Shqiptare”, botim i komunitetit shqiptar të Misirit në Egjypt, në fund të shekullit XIX, kur jetonte me të vëllanë, patriotin Sotir Kolea.
E mbetur e ve shpejt, në vitin 1918, Amalia Bezhani me mëncuri të vecantë, jo vetëm që drejtoi dhe zhvilloi biznesin e familjes brenda dhe jashtë vendit, por u kujdes për shkollimin sa më të mirë të 3 fëmijëve. Ndërsa vajzat, Erifili dhe Evrinomi studjuan dhe u diplomuan në universitetet e Francës, djali Aleko studjoi për Ekonomi në Romë, Itali në mes të viteve 30-të. Për të tre, ushtrimi i profesionit në vendlindje, bashkë me idealin për të ndryshuar dhe përmirësuar bashkë me jetën, edhe konceptet e vjetra fanatike shqiptare, u ndërprenë në moshën më produktive me ardhjen e PKSH-së në fuqi.
Kush ishte Erifili Bezhani
 
Erifili Bezhani lindi në Vlorë në 16.11.1910. Pas mbarimit të shkollës fillore në vendlindje, e ëma, dërgohet për shkollim në Korfuz. Pas mbarimit të shkollës së mesme, shkon në  Francë me të motrën, ku studjon fillimisht për Letërsi Frenge dhe më pas kryen studimet në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e qytetit Alix-en-Provence, në 1939. Vazhdon me studime të mëtejshme deri sa merr edhe “Licenciee en Droit”. Ushtron 2 vjet profesionin e avokates në Marsejë, në vitet 1941-42, ku fejohet me një avokat të njohur aristokrat francez. Kur ishte në kulmin e lumturisë, nga një fakeqësi e së motrës Evrinomi, e diplomuar edhe kjo si “Profesore e D’Etudes Francaises “në të njejtin Universitet, Erifili Bezhani lë pas gjithcka dhe e shoqëron atë për në Shqipëri. Ishte kohë lufte, dimër i vitit 1943, kur dy motrat zbritën në Portin e Vlorës  për të mos u larguar më kurrë prej luftës, deri në vdekje.
Pas një qëndrimi në qytetin e lindjes, së bashku me nënën, dy motrat Bezhani largohen nga Vlora dhe në vitin 1944 vendosen në Tiranë. Gjenden shumë shpejt në qëndër të grupeve me intelektualë të dalluar shqiptarë, shkolluar në vende të ndryshme të Europës. Në vitet e para të clirimit, me fillimin e pushkatimeve të nacionalistëve, Erifili  kupton se ardhja e PKSH në krye të vendit, nuk ishte rruga që do të vendoste sistemin pluralist demokratik.
Ajo ishte si shumë intelektualë, që bashkë me shkollimin universitar jashtë atdheut, kishin përvetësuar, për fatin e tyre të keq e tragjik, bashkë me normat e edukimit perëndimor, edhe modelin e shoqërive të verteta  demokratike.
“Eshtë një raprezalje e frikshme, jashtë shembullit të vendeve europiane, ndaj duhet ndalur”, shprehej tek të afërmit e vet, Erifili Bezhani. Ajo aktivizohet në lëvizjen antikomuniste të grupimit “Bashkimi Demokrat”, ku bënin pjesë  anëtarë të grupit të  Deputetëve, Liberal-demokrateve, social-demokratët, etj.
Miqtë e saj të përhershëm me të cilët shoqërohej, ishin intelektualë të njohur të kohës si Gjergj Kokoshi, Thoma Orogollai, doctor Isuf Hysenbegasi, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), Qenan Dibra, Musine Kokalari, etj.
Andromaqi Nocka, kujtonte:”  Erifili ishte demokrate në shpirt, ashtu sic duhet të jenë sot politikanët. Unë vija nga zonat e lira, rreth vitit 1945, kur takova pas shumë vitesh Erifili Bezhanin, ishte me Dhimitër Paskon, u ulëm në një lokal dhe të dy, mbaj mënd që bisedonin për politikë, rreth rrugëve për vendosjen e demokracisë. Jo vetëm në atë rast, por  asnjëherë Erifili, nuk më tërhoqi vëmëndjen për bindjet e mia politike, sepse dinte të respektonte cdonjeri. I vetmi faj për të cilin u dënua Erifili, ishte se guxoi të fliste hapur, me zë të lartë vazhdimisht për vendosjen e demokracisë dhe për nevojën e pluralizimit politik në Shqipëri. Kishte një fjalor të pasur, që shoqëronte argumentat rreth këtyre ideve. Aty u kapën edhe në dënimin e saj”.
Për guximin dhe burrërinë që e kakrakterizonte Erifilin, ish-i dënuari plotik, Dr. Isuf Hysenbegasi ka lënë këtë kujtim:” Mes viteve 1945-46 një përfaqësues anglez bëri një takim me inteligjencën e Tiranës dhe mes të tjerave, tha :”Ne Shqipërinë nuk do ta lëmë në duart e komunistëve”. Në atë moment ndërhyri Erifili Bezhani duke thënë :”Shikoni Egjyptin që po ju rrëshqet nga duart, sa për fatin e Shqipërisë, ai është përcaktuar tashmë”. “Kush jeni ju zonjë ?”, e pyeti anglezi. “Jam një grua shqiptare”, ju përgjigj Erifili Bezhani”.
Në 16 Maj,1947, pas arrestimeve të  bujshme të grupit të Deputetëve, të liberal-demokratëve, etj, Erifili Bezhani arrestohet dhe nga fundi i vitit, dënohet me 20 vjet “heqje lirie” nga Gjykata Ushtarake e Tiranës. Dërgohet në burgun famëkeq të Burrelit, duke u rreshtuar në historinë e burgimeve antikomuniste në të 4 femrat e para shqiptare antikomunsite, që provuan bashkë me burgimin, edhe shijen e hidhur, torturat cnjerëzore. Ish i burgosuri politik, vlonjati Hysni Alimerko, shkruan në kujtimet e tij: ” Erifili u dënua pothuajse në të njetjën kohë me Musine Kokolarin, Shega Këlcyrën dhe Nurie Koculin, bijë e Qazim Koculit. Ishin 4 femrat e para që u futën në burgun ferr të Burrelit. Më vonë erdhën Drita Kosturi dhe Raile Luzi. Të gjitha ishin me karakter të fortë dhe të papërkulura”.
Drita Kosturi në kujtimet e saj rreth torturave që hiqnin të burgosurat gra në burrgun e Burrelit, përmënd qëndresën e Erifili Bezhanit dhe shoqeve të saj në burrgun e Burrelit:”Kam takuar shumë gra të burgosura me akuza politike, gra që përmbanin brenda vetes virtyte të larta të gruas shqiptare, të ushqyera nga tradita e brezave të tërë. Gra me karakter të fortë, me shpirt të gjerë demokratik, në të cilat krenaria mbyste dhimbjen për kushtet në të cilat ndodheshin. Janë nga ato gra, të cilave lotët u gëlltiteshin nga sytë pa mundur t’u rreshqisnin faqeve, mes tyre Musine Kokalari, Erifili Bezhani, Frida Sadedini e mjaft të tjera”. 
Në Nëntor, 1951, kur vuante burgimin në Burrel, emri i Erifili Bezhanit përfshihet në listat e amnistisë të Presidiumit të Kuvendit Popullor, falë ndërhyrjes së miqve të vjetër të familjes si Hysni Kapo, por edhe sepse familja e saj kishte mbështetur financiarisht luftën Nacional-Clirimtare.
Që nga kjo kohë dhe deri në vdekje, nis etapa e dytë e mundimeve të Erifili Bezhanit për mbijetesë, me shumë mundime poshtërime dhe privime. 
Në vitin 1952, pas shumë ndërhyrje miqsh, hyn në Kolektivin e Avokatëve të Tiranës ku nis punën si e para femër avokate. Im atë, Thoma Haxhistasa, avokat i diplomuar në Firence  në fundvitet 30-të, djalë teze me Erifili Bezhanin, kujtonte:”Erifili ishte ato vite e vetmja avokate femër në punë. Si femër, dallohej për qetësi, burrëri dhe elokuencë të shkëlqyer, ndërsa si profesioniste, ndiqte vijën e ashpër të logjikës juridike në argumentimin e fakteve dhe provave. Falë aftësive intelektuale të lindur dhe të kultivuar me finesë, të forcës së brendshme të vecantë, dinte të bënte mbrojtje të pakundershtueshme. Brenda 1 viti në punë, u bë ndër avokatet më të kërkuara në Kolegjin e Avokatëve në Tiranë nga klientët. Në atë kohë u shfaqën hapur xhelozitë profesionale tek pjesa më maskiliste e kolegëve burra, që nuk mund ta konkurronin as profesionalisht».  
 Punoi vetëm një vit si avokate, pasi e përjashtojnë nga puna me motivacionin “e pa denjë dhe e pa zonja”. Mban datën 13 Tetor,1953 Promemorja, që e para avokate femër,  tepër e fyer, por edhe me krenari të vecantë, i drejton Këshillit Mbikqyrës të Avokatisë, ku me argumente llogjikë, kundërshton vendimin për përjashtimin nga puna, duke kërkuar që të dëgjohet mbrojtja e saj:
” Unë nuk jam e paaftë! Aftësia dhe zotësia ime provohet prej sukseseve që kam pasur unë në punë, suksese morale dhe materiale. Kurrë nuk më është tërhequr vërejtja për  punën time, për studimin e dosjeve, për përgatitjen e mbrojtjes, paraqitjen e provave. …Prej punës sime, të gjitha paditë kanë ardhur në preferim nga njerëz të panjohur, të cilët nuk dinë as emrin tim, por vijnë e kërkojnë në Kolektivë “avokaten e trashë”… Përvec punës sime si avokate, kam punuar edhe për Ministrinë, pasi të gjitha përkthimet prej shqipes në frengjisht, i kam bërë unë jashtë orarit të punës dhe pa asnjë shpërblim. Gjithashtu jashtë orarit të punës, kam bërë edhe përkthime prej gjuhës ruse në shqip, prej nga ka përfituar e gjithë Kolektiva, si psh, Kodi Civil Sovjetik, që ka trajtë me të drejtën e trashëgimit. … Unë nuk jam e padenjë! Përsa i përket moralitetit, mua më njohin shumë dhe të gjithë e dinë se kam kaluar një jetë austere dhe monastike, një jetë të pastër dhe të qetë, kushtuar vetëm studimeve. Fama ime personale nuk ka as njollën më të vogël në këtë pikë. Përsa i përket cështjeve politike, unë vërtetë kam qënë në burg, por në kolektivat e avokatëve të Shqipërisë janë të shumtë ata që kanë qënë nëpër burgje për faje shumë më të mëdha se faji im, sepse unë me regjimet e së kaluarës nuk kam pasur asnjë lidhje dhe me okupatorët, jo vetëm që nuk kam punuar, por i kam luftuar duke ndihmuar me të gjitha fuqitë e mia moralisht dhe materialisht Lëvizjen Nacional-Clirimtare. Deri sa pushteti më rehabilitoi duke më kthyer të gjitha të drejtat, edhe të votës, nuk ka asnjë arsye që të më ndalohet e drejta e profesionit. Drejtonjësi i Kolektivës …u kishte thënë disa kolegëve se unë u përjashtova se nuk kam triskën e Frontit…”.        
Erifili Bezhanit nuk  j’u dha triska e Frontit, c’ka e shpallte në fakt “armike të popullit”, por e mbante edhe nën presionin e internimit, apo ridënimit. Që nga vitit 1953, Erifili Bezhani nuk mundi të punojë më asnjë ditë si avokate, profesion, të cilit i kishte kushtuar studimet, si dhe përvojën 2-vjecare si avokate në një nga qytetet më të mëdha të Francës, në Marsejë. Atë të drejtë që i dha shteti demokratik Francez, Erifili Bezhanit ja mohoi në vendlindje rregjimi komunist.    
Përpjekjet për t’u rifutur në Drejtësi, Erifili Bezhani nuk i rreshti deri në fund të jetës së vet. Në familjen Bezhani ruhet edhe një letër e saj e vitit 1956, drejtuar Hysni Kapos, mik i vjetër i familjes, ku i kërkon marrjen e triskave të Frontit për vete, mëmën dhe motrën dhe rifutjen në punë si avokate.
Pas përvojës së tmershme të burgjeve komuniste, aspak e frikësuar, por krenare, Erifili Bezhani nuk nguroi t’i drejtohet Hysni Kapos me krenari, duke i vënë në dukje të vërtetën e familjes Bezhani për ndihmën materiale për luftën Nacional-Clirimtare si dhe aftësinë e saj profesionale si avokatja, që nuk humbi asnjë proces gjyqësor gjatë ushtrimit të profesionit:”…Unë dua që ju ta dini cështjen mirë, se nuk vij tek ju si mik i familjes për të kërkuar një favor, por si udhëheqës për t’i kërkuar që të ushtrojë influencën e Tij me qëllim që të më jepen të drejtat që më takojnë në bazë të ligjeve të pushtetit popullor…”.  
 Nevoja për jetesë, kur dyert e drejtësisë ju mbyllën, e futën Erifili Bezhanin në botën e përkthimeve. Falë njohurive të shkëlqyera të disa gjuhëve, si Frengjisht, Anglisht, Italisht, Greqisht dhe Rusisht (të cilën e mësoi shkëlqyeshëm gjatë burgut), punon si përkthyese për disa institucione të ndryshme. Lidhi kontrata përkthimi me Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, me institucione të tjera shkencore, me Legata  të huaja në Tiranë. Botimi  “Terminologji e Drejtësisë”, “Metoda e gjuhës shqipe për të huajt”, “Kodi Civili i BRSS”, shumë të tjera që gjenden në ministrinë e Drejtësisë,  “Studime të Akademisë Shkencave të BRSS”; “Historia e teatrit “Balshoi”, “Historia e muzikës ruse”;  recensione filmash, artikuj shtypi për Legatën Hungareze; “Kodi penal i RPSH”, Ligje të ndryshme për Legatën e Polonisë; librin “Bota e atomit”, botime në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe në shumë organe të tjera të shtypit të kohës, mbajnë përkthimet e Erifili Bezhanit. Shumë miq dhe dashamirës, që vlerësonin vlerat dhe mëncurinë e saj, i hapën rrugën e kontratave.     
Por nuk ishte e thënë që të vazhdonte me përkthimet. Pas burgimit të saj, familjen e Erifilit, nënën dhe motrën, organet e pushtetit i larguan nga Rruga e Elbasanit, ku jetonin në një vilë dhe i cuan në bodrumet plot lagështirë të një shtëpie të vjetër në Lagjen 1 Maj, rruga “4 Dëshmorët”, Nr.36, në një dhomë të vetme, ku me komshinjtë e tjerë përdornin të njejtin korridor si vend për gatim dhe një cezme të vetme. Njëri prej tyre, Sh.Z, polic injorant, por që për militantizëm komunist dinte të bënte shumë mirë luftën e klasave, i shqetësonte vazhdimisht, deri sa në mes të vitit 1958, nuk i lejoi më të përdornin as cezmën, as vendin e gatimit. E ndjerë e privuar deri në poshtërim, Erifili Bezhani, pas shumë ankesash zyrtare në organet e pushtetit lokal, që ranë në vesh të shurdhët, nuk mundi ta përballojë atë dhe e hodhi në gjyq. Por mori vendimin vdekjeprurës më të fundit të pushtetit komunist: dënimin që të bënte punë të detyruar si fshesaxhije nëpër rrugët e Tiranës dhe vetëm në turnin e tretë! 
Pas 6 muajsh pune të tillë poshtëruese për nivelin e saj intelektual, sëmuret nga ulcera, shtrohet me urgjencë dhe në operim e sipër, vdes. Ishte data 15 Shkurt, 1959 kur mbylli sytë në në sallën e operacionit në spitalin e Tiranës. Erifili Bezhani. Ishte vetëm 49 vjec, avokate, e diplomuar për Drejtësi në francë, por jeta i rezervoi në vendlindje fat tragjik, si rrallë pak femra të shkolluara jashtë vendit.
Përvecse  kontributit si intelektuale në vendosjen e demokracisë pluraliste perëndimore në Shqipëri, apo dënimit politik dhe burgimit si shumë të tjerë, Erifili Bezhani vlen të kujtohet dhe njihet si shembull i rrallë emancipimi për brezin femëror shqiptar të viteve 30-të.
*E de

Filed Under: Featured, Interviste Tagged With: avokatja, Erifili Brzhani, Nini Mano

AVOKATJA SHQIPTARE JU INFORMON PER RREGULLAT E REJA TE EMIGRACIONIT

January 26, 2013 by dgreca

REFORMA TË REJA EMIGRACIONI PËR EMIGRANTË TË MARTUAR ME QYTETARE AMERIKANE/

 NGA DEA SHKUPI-Avokate/

Në 3 Janar 2013, Departamenti i Sigurimit të Shtetit publikoi rregulla të reja që duke filluar nga data 4 Mars 2013, do ti lejojnë njerëzit që kanë hyrë në SHBA pa inspektim (ose që nuk mund të rregullojnë status për arsye të tjera) të aplikojnë me formën I-601A “Waiver of Inadmissibility”. Ky aplikim është për faljen e prezencës ilegale në SHBA, e cila është një nga arsyet e refuzimit të green card. Kur këto aplikime do të aprovohen, këta emigrantë do kenë mundësi të marrin vizat (ose green cards) jashtë shtetit. Qeveria amerikane dhe Departamenti i Shtetit kanë pasur si qëllim të evitojnë ndarjet që do shkaktoheshin si rezultat i largimit të emigrantëve për muaj dhe ndoshta vite midis emigrantëve dhe të afërmve të tyre që janë qytetarë amerikanë.

Me anë të reformave të reja emigrantët do të kenë mundësi të sigurojnë se aplikimet i janë aprovuar përpara se të largohen nga SHBA. Ata do intervistohen jashtë shtetit nëpër ambasada në vendet e tyre, dhe do të kthehen tek familjet e tyre në Amerikë brenda disa ditësh.

Më poshtë janë disa pyetje dhe përgjigje që kanë të bëjnë me komplikacionet që mund të dalin si pasojë e këtyre  rregullave të reja:

 

Kush ka të drejtë të aplikojë më format I-601A?

 

Në mënyrë që të kualifikohet për këtë lloj aplikimi, personi duhet të jetë të paktën 17 vjeç, dhe të jetë përfituesi (beneficiary) i një aplikimi të aprovuar I-130 si i afërm i një qytetari amerikan.

Të afërmit që hyjnë në këtë kategori janë bashkëshortët, prindërit dhe fëmijët e qytetarëve Amerikanë. Në mënyrë që dikush të konsiderohet “prind”, djali ose vajza që e sponsorizon duhet të ketë mbushur 21 vjeç.

Ligji kërkon që aplikanti duhet të demonstrojë se i afërmi i tij do të kalojë vuajtje ekstreme “extreme hardship” në qoftë se aplikanti do të largohej nga Amerika. Të afërmit mund të jenë bashkëshortë ose prindër që janë qytetarë amerikanë ose rezidentë të përhershëm(me green card). Sidoqoftë, një person që ka vetëm një prind ose bashkëshort me green card, sado që mund të aplikojë për lejen I-601 jashtë Amerikës, nuk mund të aplikojë për I-601A nga brenda Amerikës.

Personat që janë në kategoritë e kufizuara fmailjare apo të bazuar në viza pune nuk kualifikohen për këto leje të përkohshme, megjithëse USCIS ka indikuar se ky program mund të zgjerohet në të ardhmen.

 

Për çfarë baze refuzimi të green card mund të përdoret aplikimi I-601A?

 

Aplikimi I-601A përdoret vetëm për të kërkuar falje për prezencën ilegale në SHBA. Aplikantët të cilëve u ndalohet hyrja në Amerikë për 3 ose 10 vjet nga moment i daljes, mund të aplikojnë. Personi që ka një ndalesë të përhershme nuk mund të aplikojë me këtë formë derisa të kenë kaluar 10 vjet jashtë Amerikës.

Personat që janë të papranueshëm nën një tjetër pikë të ligjit ( për shembull mashtrim ndaj oficerëve të emigracionit, dënim kriminal, etj.) gjithashtu nuk mund të aplikojnë për këtë leje.

Po në qoftë se një person është jashtë SHBA dhe ka një takim për një vizë në një ambasadë jashtë SHBA?

Këta persona nuk kanë të drejtë të aplikojnë me formën I-601A.

Po nëse një person ndodhet tani nën procedura të emigracionit ose ka një urdhër final për largimin nga SHBA?

Këta persona mund të aplikojnë me formën I-601A vetëm në qoftë se procesi gjyqesor i tyre mbyllet në mënyrë administrative dhe nuk hapet sërish brenda kohës që dorezohet aplikimi për lejen tek USCIS.

Personat që ndodhen në procedurat e largimit që kanë aplikuar për atë që quhet Deferred Action (DACA), mund të applikojnë me formën I-601A mbasi USCIS të ketë aprovuar aplikimin e tyre DACA, por vetëm nëse i plotësojnë kushtet e tjera dhe procedurat penale ndaj tyre janë mbyllur në mënyrë administrative.

Në qoftë se USCIS e aprovon I-601A për një person që ndodhet në procedura gjyqesore, atëherë ky person duhet të kërkojë mbylljen e çështjes nga gjykata e emigracionit. Çështja duhet mbyllur përpara se ky person të niset për në intervistën në ambasadën amerikane jashtë SHBA-së. Në qoftë se personi nuk e bën mbylljen e çështjes, atëherë kjo mund të krijojë një pengesë ndaj marrjes së vizës dhe kthimit në SHBA.

Personat që kanë urdhra finale për largim nga Amerika, nuk janë të kualifikuar të marrin pjesë në këtë program. Sidoqoftë në qoftë se ata arrijnë të rihapin çështjen e tyre, atëherë ata mund të aplikojnë.

A është e mundur që të falet taxa e qeverisë prej $585 për aplikimin I-601A ose për shenjat e gishtave $85.

Jo.

A ka mundësi të shpejtohet ky aplikim?

Zakonisht jo, por aplikantët mund të kërkojnë proces të përshpejtuar në qoftë se i mbushin kushtet e USCIS.

Në përgjithësi, USCIS merr rreth 4-6 muaj për të procesuar një aplikim I-601. Me reformat e reja pritet që numri i aplikimeve I-601A të jetë me mijëra, kështu që koha e procesimit do rritet.

Në qoftë se një aplikim I-601A nuk pranohet, a ka mundësi për ta apeluar vendimin?

Jo.

Sidoqoftë, megjithëse nuk ka apel të një mospranimi të I-601A, është e mundur të aplikosh sërish pas këtij refuzimi.

Departamenti i Sigurimit të Shtetit u shpreh si më poshtë:

“ Në qoftë se aplikimi I-601A i një personi nuk pranohet ose tërhiqet, ky person mund të aplikojë sërish me një formë të re I-601A sipas rregullave të kësaj procedure. Çështja e aplikantit duhet që të jetë akoma pezull me DOS, dhe aplikanti duhet të njoftojë DOS se ai ka ndërmend të aplikojë përsëri. Në rastin e tërheqjes së një aplikimi nga aplikanti, USCIS nuk ka për ti kthyer mbrapsht paratë sepse ka marre hapa tashmë për gjykimin e kësaj çështje.”

“Nga ana tjetër, një person që tërheq mbrapsht aplikimin e tij I-601A, ose të cilit ky aplikim nuk ju pranua, mund të aplikojë me një formë I-601 tek USCIS Lockbox, pasi ky person ka bërë një intervistë për vizë dhe DOS ka vendosur se ky person është i papranueshëm. Në qoftë se baza për papranueshmërinë e këtij personi është një bazë që mund të falet, atëherë ky person mund të aplikojë me formën I-601 bashkë me dokumentat mbështetëse dhe prova që ai kualifikohet për këtë leje dhe për vizë…”

“I kujtojmë aplikantëve dhe avokatëve të tyre se ata mund të korrigjojnë gabime që kanë bërë në një formë I-601A duke dërguar dokumenta të reja para se të jetë marrë një vendim në çështjen e tyre. USCIS do të konsiderojë të gjithë dokumentat para se të marrë vendim.”

A mundet një person që plotëson një aplikim I-601A të vihet në procedura largimi nga SHBA?

Megjithëse USCIS thotë se “nuk parashikon të fillojë procedura kthimi ndaj atyre aplikantëve të cilëve nuk u pranohen aplikimet”, rezervon të drejtën për ti hapur këto procedura në qoftë se personi në fjalë është një nga ata që konsiderohen prioritet – domethënë në qoftë se ky person ka një histori kriminale, është dënuar për mashtrim, ose përbën një rrezik ndaj sigurimit të shtetit ose atij publik.”

“DHS e kujton dhe njëherë publikun se aprovimi i një aplikimi I-601A se vetmi pa marrë green card, nuk i jep aplikantit një status të ligjshëm në Amerikë dhe nuk do ta mbrojë atë nga grumbullimi i kohës në prezencë ilegale. Gjithashtu aprovimi i këtij aplikimi nuk e autorizon alienin të hyjë në Amerikë pa vizë ose tjetër dokument të përshtatshëm; nuk i jep benefite të tjera si autorizim punë, etj; dhe nuk i ofron mbrojtje alienit ndaj procesit të largimit nga Amerika.”

  

 Cilat janë shanset që një aplikim I-601A të aprovohet?

 

Kjo sigurisht varet nga faktet e çështjes tuaj, dhe sa mirë e keni dokumentuar aplikimin I-601A në mënyrë që të tregoni se i afërmi juaj që është qytetar amerikan do të vuante jashtë mase në rast se emigranti do të largohej nga Amerika. Mos dorëzoni vetëm 5-6 dokumenta dhe prisni t’ju aprovohet çështja. Në këto lloj aplikimesh është e domosdoshme që avokati juaj të dijë bazat legale për të treguar se ekziston “extreme hardship”.

“Extreme hardship” mund të jetë vuajtje financiare, emocionale, mjekesore, etj. Ndoshta dhe një kombinim i këtyre faktorëve.

Vitin e kaluar, USCIS refuzoi 34% të rasteve, ose pak më shumë se një në tre aplikime I-601.

Personat që janë martuar tani shpejt, zakonisht nuk i këshillohet që të dërgojnë këtë aplikim. Sidoqoftë, shanset e tyre për aprovim rriten kur ata kanë fëmijë dhe blejnë shtëpi.

Gjithashtu, shumë persona të cilëve i është refuzuar aplikimi I-601, kanë aplikuar vetë ose kanë përdorur shërbimet e dikujt që nuk është i kualifikuar. Kjo nuk është ide e mirë.

Gjithsesi këto reforma pritet që të ndikojnë në jetën e mijëra emigrantëve që kanë vite që jetojnë në Amerikë dhe kanë frikë të bëjnë diçka për të rregulluar statusit ilegal. Këto reforma do t’i japin shansin mijëra çifteve që të vazhdojnë përpara me jetën e tyre pa frikë se do të ndahen për një kohë të gjatë.

JU MUND TE DERGONI EDHE PYETJE PER AVOKATEN SHQIPTARE DHEV AJO DO T’JU PERGJIGJET PERMES DIELLIT(gazetadielli@gmail.com)

PER HOLLESI I TELEFONONI DEA SHKUPIT. Tel (212) 729-4984

Adresa: 325 Broadway

Suite 503

New York, NY 10007

dshkupi@gmail.com

 

 

 

Filed Under: Sociale Tagged With: avokatja, Dea Shkupi, ju informon

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT