• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AZGAN HAKLAJ DHE ORA E KURDISUR E SHQIPTARISË

August 28, 2014 by dgreca

– “Burrat e fortë lëvizin vetë zembrekun e kohës” /
Nga Vasil BOZO/
Sa herë takoj Azgan Haklajn, emri i të cilit përkon aq shumë me pamjen e tij të jashtme dhe cilësitë vetjake të karakterit të tij, kujtoj një thënie të hershme të Niçes, kur thoshte në mënyrë figurative se burrat e fortë lëvizin vetë zembrekun e kohës. Duket se në një farë mënyre kjo ka ndodhur dhe me birin e shquar të Tropojës së bukur, Azgan Haklajn, i cili duke ndjekur gjurmët historike të të parëve të tij atdhetarë fisnikë e luftëtarë të sprovuar në kalvarin e qëndresës sonë kolektive, ka lëvizur me ritmin e vetë ëndrrës së tij për një Shqipëri Natyrale, kryeçështja e tij, qoftë në veprimtarinë si publicist, analist e kulturolog, qoftë si politikan e veprimtar shoqëror e atdhetar.
Prania e tij e përhershme në shtyp dhe media, është pjesë e lëvizjes së tij në drejtim të vetëdijësimit të atyre për të cilët shkruan, për misionin e pambaruar kombëtar, për devizën e mbetur në mes, e cila nuk mund të jetë e plotë, pa bashkimin e të gjithë vektorëve të hapësirës sonë mbarëkombëtare. Haklaj ka ndjekur me kurajë dhe guxim të pashembullt rrugën e korifejve të shtypit të lirë, Konicës, Fishtës, Gramenos, Merxhanit, Kadaresë, rrugën e atyre gazetarëve që rilindin si Feniksi pas çdo shkrimi e ideje, në një rrugë të vështirë, që ndonjëherë shkon drejt sprovave të kalvarit. Haklaj ka shkuar gjithmonë drejt këtyre sprovave, aq sa për fjalën e lirë në shtyp dhe në podiumet politike, është sulmuar me tritol duke synuar eleminimin e tij, por ai ka mbijetuar dhe deviza e tij e lirisë vazhdon, më e fortë dhe më kuptimplote se kurrë.
Përveç angazhimit të tij si deputet në periudhën e ndezur 2001 – 2005, Azgani ka krijuar dhe drejton Unionin Artistik të Kombit Shqiptar, të cilin sikurse shprehet, synon ta shndërrojë “në një Parlament shpirtëror ku flitet me gjuhën universale të artit për hallet dhe plagët e kombit.” Dhe pa drojë mund të pohojmë se ai e ka realizuar më së miri këtë me një sërë veprimtarish brenda dhe jashtë vendit, duke na bindur se Seferisi nuk e kishte fjalën vetëm për grekët kur thoshte: “Ngado që shkoj atdheun e marr me vete”. Haklaj e merr atdheun në çdo ritëm e lëvizje të valles, në çdo shkronjë e fjalë të derdhur në libra e gazeta, në çdo lëvizje kulturologjike, që synon t’i bëjë të papërfillshëm dhe inekzistues kufijt midis shqiptarëve.
Autori Haklaj, pa u përkujdesur për ekuilibrat e brishtë dhe atrificet që ta hapin shpejt dhe me lehtësi rrugën drejt karrierës dhe suksesit fiktiv, me vrullin që e karakterizon në jetë, u vërsul shpatëzhveshur në logun e dueleve kalorsiake, ndërkohë që rivalët dhe kundërshtarët e tij përdornin mjete të dyshimta, të fshehur pas strukturave të dyshimta të një shteti të brishtë dhe të ndërtuar jo dhe aq mbi principe morale e jurdike se sa mbi konjukturat e çastit. Këto përballje të drejtëpërdrejta dhe kurajoze vijnë në katër librat e Haklajt me gjuhën e ftohtë të dokumentit të shkruar, të stivosur në raftet e arkivit të Kuvendit të Shqipërisë ose të mbetur si dëshmi e shkruar e zeza mbi të bardhë në shtypin e përditshëm të asaj kohe. Janë përballje dinjitoze, të denja për një politikan të kalibrit të lartë, i cili nuk di ta ndajë fjalën me veprimin dhe e konsideron aksionin politik në dobi të atyre që e kanë votëbesuar, të përkrahësve por dhe të kundërshtarëve të tij, si e vetmja rrugë për të ndërtuar realitete progresive politike dhe njerëzore.
Për Haklajn si veprimtar i shquar shoqëror e kombëtar, si politikan, si publicist dhe njeri i aksionit atdhetar, i cili pas gjashtë atentateve të dështuar dhe sulmit me tritol në banesë, jo vetëm nuk është dekurajuar, por e ka ngritur aksionin gjithëpërfshirës intelektual e njerëzor në kuota të reja, kanë shkruar figura të tilla të artit e kulturës shqiptare si Dritëror Agolli, Preç Zogaj, politikanë të njohur, shkrimtarë e analistë si Shpend Topullaj, Ramiz Lushaj, Dukagjin Hata, Qazim Shehu etj.
Ai është bërë objekt i kancelarive të larta ruse dhe amerikane, me letrat e tij të forta, drejtuar këtyre kancelarive, ku kërkon vënien përfundimisht në tryezën e zgjidhjes së plotë të çështjes shqiptare.
Artisti tek Azgani është një tjetër dimension i figurës së tij, ndoshta ajo pjesë e personalitetit që bën sa të fortë e stoik, aq të ndjeshëm para halleve të të tjerëve, para dhimbjeve të njerëzve të thjeshtë, të cilët e duan dhe e respektojnë.
Kur kërcen, ai duket sikur flet njëherësh me tokën e qiellin, sikur flet me zanat e Eposit të Kreshnikëve e thërret në ndihmë fuqinë magjike të Mujit e Halilit, sikur dehet me rrjedhën e ujëvarave të Valbonës e rilind tek çdo gjethe ahu e shushurimë pranvere në bjeshkë.
Për njerëz si Azgan Haklaj vjen ora e veprimit dhe evidentimit të vlerave vetëm kur vjen dhe Ora e Shqiptarisë, kur kjo orë kurdiset dhe punon normalisht, në drejtimin e duhur, në kohën e duhur dhe për kombin e duhur, siç po ndodh tash disa kohë me orën e fatit mbarëshqiptar.
Haklaj si parlamentar i fjalës, mendimit e besimit të lirë, si artist i shquar, si korife i aksionit kombëtar, është gjithmnonë në ballë; si politikan e kulturolog i veprimit ecën shqiptarisht, duke lënë pas gjurmë të bukura, nga Presheva në Gostivar, nga Shkodra në Tiranë, nga Prishtina në Artë e Filat, me Flamur Kombëtar Shqiptar, drejt kryeqëndres së tij të kahershme, Shqipërisë Natyrale.

Filed Under: ESSE Tagged With: Azgan haklaj, DHE ORA E KURDISUR, E SHQIPTARISË, Vasil Bozo

UNIONI ARTISTIK I KOMBIT SHQIPTAR MBESHTET RAMUSH HARADINAJN

May 28, 2014 by dgreca

DEKLARATË/
Ramush Haradinaj ka autoritetin moral dhe politik për të udhëhequr Kosovën drejt progresit, demokracisë dhe integrimit europian./
Zgjedhjet parlamentare të 8 Qershorit janë të një rëndësie historike, jo vetëm për Kosovën dhe për të ardhmen e saj, por edhe për Shqipërinë dhe faktorizimin e kombit tonë në Ballkan dhe në Europë. Kosova u krijua si shtet pas një robërie gjashtë shekullore. Ajo fitoi lirinë pas betejës finale të UÇK-së të mbështetur nga NATO-ja. Sot pas 15 vitesh të çlirimit nga Serbia ideali i lirisë dhe i demokracisë është binomi që udhëheq ëndrrën europiane të popullit të Kosovës, dhe qytetarëve të saj , në mënyrë të veçantë rinisë.
Ramush Haradinaj, udhëheqësi e komandanti i shquar i luftës për liri është i vetmi politikan e burrë shteti që plotëson natyrshëm vazhdimsinë e veprës së Ibrahim Rugovës, emblemës së politikës shqiptare dhe presidentit historik të Kosovës.
Para 2300 vjetësh kur Aleksandri i Madh po kalonte minutat e fundit të jetës së tij e pyetën : Kujt do t’ja lesh perndorinë ? – Ai u përgjigj: Më të fortit. Historia na mëson se burrat e shquar të shtetit edhe në momentet e fundit kanë menduar që të ardhmen e kombeve të tyre ta garantojnë përmes delegimit të pushtetit tek liderët me të vendosur, më të fortë e vizionarë. Kështu ka ndodhur me Jul Çezarin që ja besojë perandorinë Oktavianit. Gjergj Kastrioti zgjodhi Lek Dukagjinin si udhëheqës të luftës dhe të shtetit pas tij.
Ibrahim Rugova, gjeniu i politikës, me kualicionin që ndërtoj me Ramush Haradinajn dhe emërimin e tij kryeministër të Kosovës i dha në fakt staturën e një lideri të ri dhe kredencialet politike e morale për të vazhduar veprën e tij në kushte të reja historike.
Ramush Haradinaj, familja dhe bashkëluftëtarët e tij kanë bërë sakrifica mbi njerëzore, përtej fantazisë zhylvernjane, për lirinë e trojeve shqiptare. Këto beteja të ngjasojnë me legjendat e mbretit Artur për çlirimin e Anglisë nga romakët.
Ashtu si në antikitet kalorësit dardanë nuk e lejonin kurrë trupin e shokit të tyre të vrarë të binte në duart e armikut. Ramush Haradinaj duke vazhduar këtë kod nderi të lashtë shqiptarë edhe pse i plagosur ka marshuar për 6 orë duke mbajtur në shpinë vëllain e tij Luanin të rënë në betejë.
Haradinaj është i vetmi kryeministër në historinë e Europës që ka shkuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës. Ai ka bërë një betejë të gjatë në emër të lirisë e të kauzës kombëtare dhe ka fituar duke vërtetuar se është një lider e burrë shteti i kalibrit europian.
Pritja madhështorë që ju bë atij në Prishtinë dhe në Tiranë pas kthimit nga Haga, tregon se misjoni i tij jo vetëm nuk ka përfunduar por historia e thërret në skenë si lider përbashkues dhe udhëheqës i aspiratave kombëtare të Kosovës.
Ai është figura politike e patriotike më e pranuar sot në rrafshin kombëtar.
Ramush Haradinaj meriton përtej çdo ndarje politike e interesi meskin një mbështetje plebishitare në votimet e 8 Qershorit për t’i dhënë Atij besimin të drejtojë qeverinë e re.
Është kjo arsyeja që Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, duke shprehur edhe vullnetin e mijëra artistëve dhe simpantizantëve tanë në Kosovë, gjen rastin t’ju bëj thirrje shqiptarisht e tepër vllaznisht qytetarëve të Kosovës : Besojani Kosovën Ramush Haredinajit.
Ne i kërkojmë çdo burri dhe gruaje, të riu e të reje, veteranëve të luftës çlirimtare, pakicave etnike, të votojnë Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës , e cila përmes liderit të saj është garante e të drejtave e lirive të çdo qytetari të saj.

Bonoparti i madh thotë: Trashëgimnia e gjakut mund të gabojë por jo vija e gjakut të derdhur për liri. Ajo gjithmonë e gjen shembëlltyrën e saj ideale dhe askujt nuk i shkon përshtat dhe nuk mund të identifikohet më mirë se sa me Ramush Haradinajin, kësaj embleme të qëndresës të Kosovës.

Haradinaj ka mundur triumfalisht armikun e tij dhe të kombit shqiptar në të gjitha betejat, ballë-përballë dhe me logun e drejtësisë.

Fitimtari dinë të falë e të krijojë modele të një sjellje politike që ka në themel bashkëjetesën qytetare, në një Ballkan të ri, në një erë të re globale.

Vëllezër dhe motra të Kosovës.
Votoni Kalorësin e Lirisë!
Kosovës i duhet një August që të vazhdojë veprën e Çezarit.

Vëllezër dhe motra të Kosovës !
Votoni Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidatët e saj!
Votoni ekipin për një drejtim të ri me korife Ramush Haradinajn!
Votoni Arturin e kohërave moderne!
Votoni Kamelotin Shqiptar që shembi Murin e Berlinit mes Shqiptarëve!

Në emër të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar

President
Azgan Haklaj

Filed Under: Opinion Tagged With: Azgan haklaj, Ramush Haradinaj, Unioni Artistik shqiptar

UNË JAM ARBËR: 800 VJET SHTET !

April 14, 2014 by dgreca

Shkruan:Azgan HAKLAJ/
Të nderuar bashkëkombas, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar në bashkëpunim me Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar, Qëndren e Studimeve Albanologjike të Akademisë së Shkencave, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, organizon më datën 18 prill 2014, në Hotel Tirana Internacional (Salla Balshaj) Sesionin Akademiko-Shkencor , me rastin e 800 vjetorit të Shtetit të Arbërit, shek. XI-XII.
Në orën 18.00 në qytetin e Krujës, (Kryeqytet i Shtetit të Arbërit) Unioni Artistik i Kombit Shqiptar në bashkëpunim me Bashkinë e Qytetit të Krujës, organizon koncertin tematiko-patriotik me artistë nga të gjitha trojet shqiptare, të titulluar “Unë jam Arbër: 800 vjet Shtet” .
800 vjetori i Shtetit të Arbërit është ngjarje madhore në historinë e Kombit Shqiptar. Me dhjetra libra memorandume e takime në kancelatitë më të rëndësishmë të Perëndimit, ku shpesh është përcaktuar fati i popujve të Ballkanit, qarqet shoviniste serbe e greke janë munduar të argumentojnë para fuqive të mëdha oreksin e tyre për të zhbërë etninë e Shqiptarëve e më vonë shtetin e sapoformuar në vitin 1912 me tezën se Shqiptarët nuk kanë aftësi shtetformuese, se ata janë një popull baritor, shtegtar, pa gjuhë e kulturë të tyren dhe se ata më në fund duke qënë një popullsi e egër (sipas tyre) përbëjnë rrezik për Ballkanin dhe civilizimin evropian. Kanë patur mjaf sukses në këtë sipërmarrje në dëm të trojeve etnike shqiptare. Mjafton të theksojmë faktin se Shteti Shqiptar, njohur nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës, nuk përfshin në gjirin e vet, as gjysmën e teritorit që banohej në shekuj e mijëravjeçarë nga shqiptarët.
Është kjo arsyeja që Shteti i Arbërit, i themeluar 800 vjet më parë nga Progoni e i udhëhequr pas vdekjes së tij nga djemtë, Gjini e Dhimitri, shkëlqen sot në dritën e historisë si një yll i shëndritshëm në organizimin Politiko-Shtetëror dhe në orientimin e Popullit Shqiptar drejt vlerave të Qytetërimit Perëndimor Latin dhe besimit të tij katolik-roman si një nga tre kombet bashkëthemeluese të Krishtërimit të hershëm.
Është fakt historik se në preludin e formimit të Shtetit të Arbërit edhe pse pjesa më e madhe e trojeve shqiptare administrohej nga Perandoria Bizantine, e cila impononte organizimin shoqëror, jetën ekonomike, kulturën e besimin, familjet me të fuqishme të fisnikërisë vëndase rivalizonin me këtë perandori dhe prisnin rastin e volitshëm për t’u çliruar nga pushtuesi.
Në fundin e shekullit të 12-të , sundimtari më i fuqishëm ishte Progoni, i cili arriti në kushte shumë të vështira historike mes dallgëve të ashpra Lindje-Perëndim, rivalitet ky që përfshinte jo vetëm atë ushtarak por edhe atë fetar; të krijonte të parin shtet në Mesjetën e Hershme, i cili është praktikisht Shteti i parë Kombëtar me atributet që ka sot ky nocion. Edhe pse nuk arriti të shtrihej në të gjitha teritoret ku banonte popullsia arbërore, ky shtet do të kishte konseguenca themelore për fatet e popullit shqiptar në kohën e tij dhe në shekujt që erdhën pas.
Lulëzimin më të madh Shteti i Arbërit e pati nën udhëheqjen e Dhimitrit në vitet 1208-1216.
Dhimitri krijoi një shtet të fuqishëm me qendër Mirditën (Gëziqin). Ai organizoi një ushtri e administratë të aftë dhe u tregua një diplomat i zoti.
Akti i parë politik i Dhimitrit ishte konvertimi i tij (e më vonë i nënshtetasve të tij) në besim katolik. Me këtë akt vizionar ai arriti të siguronte një aleat të fuqishëm si Vatikani, të fuqizonte pozitat e Arbërit drejt kulturës, gjuhës e besimit latin.
Dhimitri zmbrapsi inkursionet e Bizantinëve nga lindja e të Venedikut nga perëndimi dhe lidhi aleanca të fuqishme përveç Papës Irrokenti i III-të ; edhe me sundimtarin e Rashës Stefanin, me despotin e Epirit, Mihal Angjel Komenin, etj.
Egziston një dokument me vlera të jashtëzakonshme historike i firmosur nga kryetari i Shtetit të Arbërit, Dhimitri. Bëhet fjalë për një marrëveshje tregëtare me Republikën e Raguzës, ku ai, si kryetar i shtetit, zotohet të lejoi të bëjnë tregëti të lirë “në detet e tokën e tij” tregëtarët e Raguzës pa i ngarkuar ata me asnjë taksë e madje duke i marrë në mbrojtjen e tij.
Si kryetar i Shtetit të Arbërit, Dhimitri, mbante titujt e lartë : “Arkond i Madh” , “Panhyperzvast” (Gjykatës), “Sundimtar i Madh”, etj. dhe la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Shqipërisë. Ai i dha jetë ndërgjegjies nacionale dhe ëndrrës për krijimin e një shteti komb.
Pas tij dolën në skenën historike dinasti të fuqishme të feudalëve shqiptar si Balshajt, Blinishti, Kastriotët, Dukagjinët, Topiasit, Aranitët, Muzakajt, Spanët, etj., të cilët në zjarrin e luftës së shekullit të XV-të, prirë nga Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, krijuan shtetin e përqëndruar arbëresh duke triumfuar 25 vjet kundër Perandorisë Otomane.
Fillimet e të Drejtës Zakonore Shqiptare duhen kërkuar pikërisht në kohën e Shtetit të Arbërit, tek Progoni e Dhimitri, të cilët zëvëndësuan legjislacionin e shtetit bizantin me normat vetëqeverisëse Iliro-Arbënore.
Këtë fakt e përforcon e vërteta historike se Mirdita, Kryeqendra e Shtetit të Arbërit, mbeti në shekuj e lirë dhe e vetëqeverisur, dhe është epiqendra jo vetëm e qëndresës për liri, por edhe e Kanunit të Lekë Dukagjinit.
Nderimi e mirënjohja për burrat korifej që krijuan e udhëhoqën Shtetin e Arbërit tetë shekuj më parë është borxh ndaj atdheut e historisë së tij.
Ky Jubile i 800 vjetorit të Shtetit të Arbërit, do të kremtohet ashtu siç e meriton, si një eveniment i madh historik që është një ogur i mbarë për rikthimin e kujtesës sonë historike dhe të ndërgjegjies kombëtare..
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar u bën thirrje të gjitha shoqatave e shoqërive kulturore, që janë antarë të Unionit dhe shoqatave partnere të Kombit Shqiptar, që aktivitetet kulturore të këtij viti të zhvillohen nën emblemën e Shtetit të Arbërit.

Filed Under: Editorial Tagged With: Azgan haklaj, UNË JAM ARBËR: 800 VJET SHTET !

NË TUZIN E FLAMURIT TË DEDË GJO’ LULIT “ASHTI I KOMBIT” I AZGAN HAKLAJT

April 9, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

Sot m’u duk sikur palët e Flamurit të Dedë Gjo’ Lulit m’u banë shqiponjë mbi Drin për me ardhë në Tuzin e historisë kombëtare shqiptare. Në pikëkalimin kufitar Hani i Hotit m’u duk sikur po kaloja nën Harkun e Triumfit Euro-Atlantik të Europës së Bashkuar. Erdhëm me e takue Gentin e Teutën, dinastët tanë ilir.

Erdhëm me e takue Dedë Gjo’ Lulin tek kulla e vet piedestal. Erdhëm me ju takue ju vllazën e motra të fiseve epokale  Hoti e Grudë, Triepshi e Koja në Tuzin e Malësisë së Madhe “Nderi i Kombit”, pasi dikur, në trevën e këtushme të Shipshanikut, lagje e Tuzit, n’afri të detit, i kam pasë paraardhësit e mi të Shipshanit alpin të Malësisë së Gjakovës.Jo veç nga nostalgjia për këto troje etnike shqiptare qyshse para Krishtit e Muhamedit, po edhe nga krenaria për këto majemale të historisë tonë, them se vepra e Azgan Haklajt “Ashti i Kombit” është brumue bash edhe tek ky vend ashtnor i Kombit, nga kjo tokë e bekuar e Zotit, prej Flamurit të 6 prillit 1911 në Deçiç, nga kulla istikam e Dedë Gjo’ Lulit.

1.Para së gjithash, Tuzi i Flamurit është një stacion historik në udhëtimin genetik të brezave. Prej se kur nga kjo tokë e Zotit lindën hyjnisht Pellazgët. Prej se kur Toka e Pellazgët u jetëlidhën me Diellin. Prej se kur Pellazgët, Toka e Dielli i krijuan trevat e veta etno-historike nga detet tek Alpet, ku në brigje të liqenit të Shkodrës e lumenjve të Moraçës e Zetës, në trevën e Tuzit ishin Hoti, Gruda, Triepshi e Koja e Kuçit, ndër “flamurtarët e Historisë”, male të larta të Malësisë së Madhe e të Kombit Shqiptar.

Mitologjia pellazge fjalaflet se dinasti Kadmi, ky vllai i Europës, nga martesa me Hyjneshën Harmoni, të ikun prej prej Ohrit, pasi e këshilluan “zotat” (për shkak të veprimit të vajzës së tij), në këto vise të bekueme, ndoshta diku skej brigjeve të liqenit të Shkodrës apo në Ultinën e Podgoricës, e lindën djalin e tyre Ilirin, Illyrin (I Lirë Jam), emërdhanësi i fisit lavdiplotë të Ilirëve.

E, si për ta ba ma të besueshme kit’ mitologji pellazge-ilire, helene, mesdhetare, na përcjell’ dëshmi topografia e vendosjes të disa prej fëmijëve të Ilirit në hapësira etno-gjeografike-politike duke krijue fiset e veta:

Enkeli, ma i madhi ndër djemtë, është i pari i fisit të Enkelejve, i cili shkoi kah Boka e Kotorrit,  po rrema genetik të tyre ikën edhe tek dajët në Ohër sëbashku me vllain tjetër Taulantin. E ban me e ditë se bash nga Enkelejtë e historisë, nga pasardhës të mbretit Bardhyl, vjen fisi i Gashit të Azgan Haklaj, një fis biblik që vet emni i tij ka domethanien sakrificë në udhën e vet bohemike.

Autariati, djali i dytë i Ilirit, u vendos përtej Limit të Plavës, përgjatë luginës të lumit Tara, të cilët krijuan një shtet të madh ilir me fuqi mesdhetare. Gurra dokumentare thonë se pasaardhës i fisit të Autariatëve ishte edhe Dedë Gjo Luli i Flamurit, Dedë Gjo’ Luli i fisit të Hotit. Djali i Autariatit, Paioni (paionët) shkoi në brigje të Vardarit, kah Shkupi i sotëm, deri në grykderdhjen e Egjeut.

Çika e Ilirit, Daorta, u vendos në lumin Neretva në jug të Bosnje-Hercegovinës të sotme, dikur viset e saj ishin vetëm me fise ilire të Autariatëve, Ardianëve, Labeatëve, etj., bile vet emri i Bosnjes rrjedh nga ilirishtja, domethanë “lumë”.

Dardani shkoi në Rrafshin e Dukagjinit e Fushë-Dardani, në Sanxhakun e sotëm shqiptar (Tregu i Ri), në Nish e luginën e Preshevës, etj. Dardania (dardha – ilirisht) e ka kuptim të njëjtë sikurse emri i fisit të pirustëve.

Perebi, djali tjetër i Ilirit, u degëzue në Plerejetët e Rizonit e në Perribej në grykderdhjen e Vardarit.

Ma i vogli ndër djemtë e Ilirit ishte Medini, i cili ndejti në Medunin e Kuçit, të trungut fisnor të Kuçit i ndarë tevona në degë genetike: të kontit Ndrekali, përndryshe Berisha (emër ilir) që patën fisnikët e vet edhe përkrah Skënderbeut si Nikolla e Dhimitri, që në historinë moderne nxorën edhe Hasan Prishtinën, Azem Galicën, Adem Jasharin e Sali Berishën, e këta dy të fundit lidhen ndërveti në brezni tek Preka (Preka i Zi – Prekazi).

Pra, kjo treva e Tuzit, krejt hapësira etno-historike e Malësisë, Shqiptaria nën Malin e Zi nga bregdeti i Ulqinit e Tivarit deri në alpet e Plavë-Gucisë e Rozhajës, etj. janë fise rrënjase, të prejardhun nga ilirët e lashtë, nga ardianët, autariatët, labeatët, etj. Edhe Qielli mbi këto fusha e male është Shqiptar, e kjo Tokë është Shqiptari, është vetëm Shqiptari, e ju o lisa të hershëm e të rinj të këtyre fushave e maleve legjendare shqiptare jeni “Ashti i Kombit”.

 

3.

Sot, kena ardhë në këtë aks të Malësisë së Madhe “Nderi i Kombit”, në Tuzi, tek kulla e Dedë Gjo’ Lulit, me e përurue veprën “Ashti i Kombit” të studiuesit, publicistit, kulturologut, ish deputetit të Parlamentit të Shqipërisë e, tashti, president i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj.

Prolog e epilog kanë një fjalë të vetme: Kjo vepër i ban nder kohës dhe autorit të saj.

Në shtizën dhe palët e Flamurit të Deçiçit po rrinë “Meshari” i Gjon Buzukut, i pari libër në gjuhën e shenjtë Shqipe, vepër të cilën e shkroi në këto troje diku ndërmjet Ulqinit, Shasit, Shestanit apo Tivarit,

Në shtizën dhe palët e Flamurit të Deçiçit ende rrinë dora e alltia e Dedë Gjo’ Lulit.

Me Flamurin e 6 prillit 1911 të Deçiçit u mbështoll arkivoli i Gjergj Fishtës në përcjelljen e tij të fundme, se ky “Homer Shqiptar” ka shërbye në këto anë të Hotit e Grudës, të fiseve të Malësisë së Madhe, dhe i ka lartnue në vargjet e tij veprat historike të kësaj treve etnike shqiptare në shekuj.

4

Skënderbeu e ngriti më 28 nëntor 1443 Flamurin Kuqezi në Krujë, në kryeqëndren e shtetit 800 vjeçar të Arbrit. Në udhën e historisë me besë e shpatë, ende pa kalue katër muaj, në Kuvendin e Beslidhjes së Lezhës, më 2 mars 1444, Flamuri i dinastisë së Kastriotëve do të mbetej në shekuj si Flamurit i Shtetit të Skënderbeut; si Flamuri i Shtetit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me prijëtar Ymer Haxhi Prizrenin që e ka varrin në Ulqinin portual e të Abdyl Bej Frashërit të Toskërisë e Shqiptarisë si Flamuri i  Lidhjes Shqiptare “Besa-Besë” të Pejës me  Haxhi Zekë Byberajt e Shoshanit të Malësisë së Gjakovës.Njësoj edhe Flamuri i Dedë Gjo’ Lulit, që u ngrit madhërishëm e magjishëm në Deçiç në pranverën e 6 prillit 1911, i cili çoi tek Kuvendi e Memorandumi i Gërçës dhe deri tek 28 Nëntori i Dytë i Shqiptarëve, në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorën e Ismail Qemalit.

Ky Flamur Kombëtar Shqiptar është edhe në ballinën e veprës të katërt “Ashti i Kombit” i Azgan Haklajt. Shtizën e tij ashtnore e mbajnë disa nga apostujt e Kombit e të Flamurit Shqiptar: Skënderbeu, Ibrahim Rugova, Nanë Tereza.

Ky Flamur po valvitet edhe sot në kullën e Dedë Gjo Lulit, do valvitet edhe në një manifestim të shqiptaro-amerikanëve në Uashington… Do të valëvitet dhe në vepra e veprimtari të tjera të Azgan Haklajt.

5.

Në mitologji pellazgo-ilire, Zeusit shqiptar, kryeperëndi pagane, Shqiponja i  simbolizonte lajmëtaren e tij, ishte shërbestare e tij, e cila nga drita e diellit ia sillte kokrrën e rrufesë për t’i goditë me zjarr e flakë kundërshtarët…

Këtë simbolikë Shqiponje edhe flamuri i një shteti fqinjë po don prej kohësh  ta bajnë “pronë historike” të vetën, sepse nuk ka histori të lashtë si Shqiptarët, nuk ka Shqiponjë si Flamuri Shqiptar që fluturon me flatra të hapura, sikurse Shqiponja e Flamurit të Serbisë me kthetra të mbyllura, të gatshme me grabitë toka shqiptare, jetë shqiptare, historinë shqiptare.

Në fakt edhe Azgan Haklaj i veprës “Ashti i Kombit” në veprimtarinë e tij kombëtare si President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, si kulturolog, si analist e publicist panshqiptar, më ngjan me një Zeus modern, që Shqiponja i vjen si lajmëtare e me kokrren e rrufesë.

Si Shqiponja lajmëtare ngjajnë dukshëm librat e tij me frymë e imazh kombatër që në tituj: “Nga Dodona tek Dardanët” (Dodona ishte e Zeusit), “Për Kombin, Për Demokracinë”, “Edhe Zoti po Flet Shqip” dhe, i pesti, në pritje “Në emër të Atdheut”. Si “Shqiponjë me kokrrën e rrufesë” janë veprimtaritë e tij mbarëkombëtare me qindra artistë interpetues e ekzekutues, me mijëra shikues si në Tuzi e Mitrovicë, në Dibër të Madhe e Sarandë, në Tropojë e Strugë dhe Shkup, në Plavë-Guci e Preshevë, në Bylis e Deçan. Kudo në trevat shqiptare në Ballkan “shqiponja” e tij me “kokrrën e rrufesë” i ndez me atdhetari e kulturë skenat e malet, lumenjtë e horizontet. Nganjëherë i xhindos edhe sllavët apo helenët aqsa të lëshojnë deklarata kundër Azgan Haklajt edhe Rusia e Putinit, që don ta futin nën kthetrat e tij jo vetëm Krimenë në Ukrainë, po edhe treva shqiptare në Ballkan.

Në skenën e politikës e të artit, në foltore të Parlamentit e në mitingje popullore, në librat e tij, në lartësi të tij, e kanë gjuajt Azgan Haklajn edhe me “rrufe” sikurse Prometeun, tue i lanë plagë plumbash në trup, tue ia shkatrrue pallatin me ekzploziv e marrë jetën e kushërirës së tij gazetare, tue e prangos e torturue me urrejtje bio-politike në burg, tue u mundue me ia ngushtue hapësirat shumëdimensionale.

Po Azgani nuk është as Zeusi klasik e as Prometeu modern, pavarësisht se i simbolizon këto dy figura hyjnore, pasi Azgan Haklaj tashma është kthye në një Simbol Kombëtar, në një “dekan” të kulturës shqiptare.Mbi të gjitha e jo për të gjithë: Azgan Haklaj është vet Azgan Haklaj.

6.Shpesh kam fjalashkrue shumanshmërisht për Azgan Haklajn panshqiptar, për veprat e veprimtarinë e tij kombëtare, ndaj po due me e përmbyll kit’ diskutim timin publik tue iu faleminderue që na pruni me veprën e tij të katërt, ma të fundit, me veprën “Ashti i Kombit” në kit’  sofër të historisë pellazgo-ilire ardiane, tek Deçiçi i Flamurit, tek kjo kullë e Dedë Gjo Lulit.

Ky vend i lashtë sa Toka, ku vllai i Europës e begatoi me Ilirin, dëshmon se qyshse në mitologjinë pellazgo-ilire, ishim në Europën kontinentale e ishujt e saj, para se të vinte kjo “Europë e Bashkuar” në gjirin federal të së cilës po i pranon me vështirësi e ngadalësi Shqipërinë, Kosovën e Malin e Zi në Ballkanin Perëndimor.

Kësaj fjale po ia lidhnoj një episod nga kremtimi i 100 vjetorit të Kryengritjes të Shqiptarëve të Vilajetit të Kosovës, të prirë nga ideologu e strategu Hasan Prishtina të cilët në mesgushtin 1912 hynë triumfalisht në kryeqendrën e Shkupit. Ndër këta kryengritës që udhëtonin edhe me tren drejt Shkupit ishin edhe paraardhësit genetik të vllaznisë të Azgan Haklaj, po me një ndryshim: Ata vinin me pushkë e Azgani me libra, me librin “Për Kombin, Për Demokracinë”.

Kur lideri historik i Shqiptarëve në Maqedoni, strategu i luftës e i paqes në brigjet e Ohrit, Drinit e Vardarit, Ali Ahmeti, kryetari i partisë shqiptare BDI, nga një tribunë në afri të kalasë së Shkupit, tue iu drejtue Azgan Haklajt, lëshoi istikamin kombëtar e politik që ta dëgjonte edhe kryeministri maqedonas Gruevski e krejt shovinizmi sllavo-maqedonas: “…Të mos na zemërojnë shumë se edhe rrufetë i zbresim nga Qielli…”.

E vërtetë lideri faktorial Ali Ahmeti i dialogut, unitetit, progresit e integrimit, e kishte “kokrrën e rrufesë” të cilën e lëshoi në nëntor 2012, në 100 vjetorin e Pavarësisë në stadiumin e Shkupit ku merrte pjesë edhe lideri historik i Shqiptarëve, kryeministri Sali Berisha; e lëshoi edhe kësaj here me bojkotin presidencial e me çuarjen e Maqedonisë në zgjedhje parlamentare të parakohshme, sepse maqedonasit nuk pranuan të jetë shqiptar Presidenti i Republikës së Maqedonisë, etj.

E dijeni Toka e Qielli, Hana e Dielli, varret e malet, se kemi liderë kombëtar shqiptar e fuqi kombëtare për me e lëshue “kokrrën e rrufesë” bash aty e atje ku shovinizmi i fqinjëve kufitarë ka me na i cënue identitetin nacional, ka me na i ndalue Flamurin Shqiptar, Gjuhën Shqipe, kulturën shqiptare, don me na e tjetërsue “ADN-në” kombëtare shqiptare.

Faleminderit Tuzi që na dhe Dedë Gjo’ Lulin kombëtar flamurtar!

Mirënjohje Tuzi, që e ngrite lart Flamurin Kombëtar!

Tuzi, 6 prill 2014

*-Fjalë në promovimin e librit “Ashti i Kombit” i Azgan Haklajt

në Tuzi të Malësisë, tek kulla e Dedë Gjo’ Lulit –

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ashti i Kombit, Azgan haklaj, Ramiz Lushaj

NË EMËR TË ATDHEUT

March 2, 2014 by dgreca

Nga Azgan HAKLAJ /
Një orë para vendimit historik të BDI-së dhe z. Ali Ahmeti isha në zyrën e tij. Me qetësi Kristiane, meditim Budist, i gatshëm për t’u ndeshur si Davidi me Goliatin,  lideri i shqiptarëve në Maqedoni, me këtë vendim  synon të jetë një hap i ri në axhendën e tyre kombëtare për t’u ridimensionuar si faktor kryesor shtet-formues në Maqedoni. Zoti Ahmeti ka më se njëzet vjet që po ecën me hapa të matur dhe të sigurtë për të ardhmen e shqiptarëve në një Maqedoni tjetër, të ridimensionuar, ku shqiptaret të kenë peshën reale  të shtetformimit.
Gjatë gjithë këtyre viteve të ngjeshura me nisma dhe aksione kombëtare, Ahmeti ka lëvizur në një terren të sigurtë për shqiptarët, por përballues dhe të vështirë për veten dhe lidershipin e partisë së tij, që iu është dashur të ngrihen mbi çdo interes individi e grupi, në emër të asaj që është e shenjtë dhe e patjetërsueshme, çështja jonë nacionale.
Një maksimë franceze na mëson: “E vërteta qëndron në fund të pusit”. Aristoteli thoshte dikur: “Do ta them të vërtetën troç, edhe sikur të gjithë të jenë kundër saj, sepse vetëm e vërteta të bën të lirë”. Prej vitesh Ali Ahmeti flet me gjuhën e së vërtetës, larg kulisave të utilitetit personal. Ndonëse i dënuar me vdekje nga gjykatat serbe, si lideri kryesor i lëvizjes së vitit ’81 në Kosovë, ndonëse ballëpërballë në Kosovë e Maqedoni me serbët dhe maqedonasit, Ahmeti kurrë s’e humbi qetësinë dhe kthjelltësinë e kauzës.
E gjej me vend tek po shkruaj këto rreshta të perifrazoj Volterin : “Unë nuk jam në një mendje me ty, por në momentin që mendimi yt fiton mbështetjen e shumicës, unë bëhem pjesë e mendimit tënd”.
Fitues i të gjitha sondazhave për performancën e politikanit shqiptar në Maqedoni me mbi 20 përqind, Ali Ahmeti tashmë është profilizuar plotësisht si një politikan i majave më të larta të vetëdijes sonë kombëtare dhe duhet mbështetur në axhendën  e tij të fortë e të palëkundur për asnjë çast për çështjen shqiptare.
Fitimtar në beteja ushtarake, politike, diplomatike, vizionar i palëkundur i çështjes kombëtare, pa asnjë kompromis në kurriz të kombit, tani ka përballë një skenar të shërbimeve sekrete të qarqeve antishqiptare, që të kujtojnë kohën e Kserksit Persian, simbol ky i kulisave dhe dredhive, ashtu edhe  Gruevski me nipin e vet, me deyrë  kryetar i shërbimeve sekrete në Maqedoni, po synojnë për të tërhequr në kurthin e tyre shqiptarët, për të çertifikuar zgjedhjet e ardhshme për president.
Në këtë moment të rëndsishëm të BDI-së dhe Ahmetit me idenë për President konsensual, dëshiroj t’i kujtoj Gruevskit përcaktimin e Lamartinit për shqiptarët: “Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë; kjo është toka e heronjve të të gjitha kohërave. Aty Homeri gjeti Akilin, grekët Aleksandrin e madh, turqit Skënderbeun. Të tre të një gjaku, të një race”.
Ali Ahmeti, që çoi shtatoren e Skënderbeut dhe të Nënë Terezës në Shkup, që arriti të ngrejë e të zyrtarizojë flamurin shqiptar dhe gjuhën shqipe nëpër institucione, do ta ndalë skenarin ogurzi të Ukrainës në Maqedoni: -Lindja me Lindjen –Perëndimi me Perëndimin, për të shkërmoqur Maqedoninë.
Në këto momente të BDI-së dhe të gjithë faktorit shqiptar në këtë vend të Ballkanit, më vjen ndërmend thirrja e Fishtës: “Lësho kushtrimin në toskë e në gegë / mblidhuni tok si kokrrat në shegë”.  Kumbojnë aktuale fjalët e Lord Bajronit: “Shqiptarët me veshjet e tyre karakteristike krijojnë një peizazh të mrekullueshëm në botë, ata janë raca njerëzore më e bukur që ekziston, Trima, më të fortë se kështjellat e tyre”.
Maqedonia është për shumë arsye nyja gardiane e Ballkanit. E krijuar si shtet artificial në kohën e Jugosllavisë Federative, asaj i mungonin tre elementë thelbësorë për të qenë republikë e Federates Jugosllave e më vonë, pas viti ‘90 shtet i pavarur.
Elemeti i parë, që përbën dhe arsyen numër një, qëndron në faktin se mazhoranca e banorëve bullgarë të Maqedonisë  së sotme nuk lidhet  me asnjë gjë tjetër, përveç emrit me Maqedoninë antike dhe me emrin e ndritshëm të Aleksadrit të Madh , strategut gjenial të betejave dhe arkitektit të parë të Rendit të Ri Botëror pa mbretër, princa, tiranë dhe despotë. Është njohur botërisht nga historia që nga Plutarku i lashtësisë e deri në ditët tona që Aleksadri ose Leka i Madh, siç e quanin shqiptarët, ka qenë nga gjuha, gjaku ilir, djali i Olimbisë së Molosëve të Epirit. Kaq e vërtetë është kjo sa kur ai pushtoi Indinë e largët ngriti një monument madhështor në 12 kollona të larta mermeri, në përkujtim të perëndive të tij pellazgo-ilire.
Arsyeja e dytë paradoksale  është se maqedonasit e quajnë veten shtet-komb kur dihet se Shkupi, kryeqyteti i sotëm, historikisht ka qenë kryeqendra e Mbretërisë së famshme Dardane  dhe ky qytet deri në tërmetin e vitit 1967 ishte qyteti ku  shumica e banorëve ishin shqiptarë etnikë, duke kaluar madje edhe Tiranën, dhe Prishtinën. Për të vërtetuar këtë pohim na vijnë në ndihmë akademistët, citoi: Pr. Barbaro Jelevic: Rrënjet etnike të maqedonasve të lashtë janë ilire. Dr. Murico Druan, sekretar i Akademisë Frange: “Shqiptarët i përkasin popujve më të vjetër se vet historia dhe se gjyshërit e tyre bënin pjesë në luftën e Trojës të udhëhequr nga Akili në njërën anë dhe Hektori në anën tjetër”. Nikolla Jorgo deklaron: “Populli shqiptar së bashku me baskët janë më të vjetrit në botë”. Pr. Dimitor Gordonov:“Skirtonët ilirë e kanë themeluar Heraklenë e Manastirit para 2500 vjetësh. Ata kanë themeluar edhe Resnjan e Prespës”. Dr. Dushko Hr. Kostandinov:”Shqiptarët janë banorët më të vjetër të Gadishullit të Ballkanit”. Pr. Braisllav Nushiq: “Shqiptarët  janë autoktonë, të cilët gjatë  gjithë dynjeve të popujve  e ruajtën tipin dhe karakterin e vet në mënyrë të theksuar.Ata u bënë ballë sulmeve të romakëve, mësymjeve të dendura të sllavëve”.
Shqiptarët në 500 vjetët e sundimit osman kanë bërë 57 kryengitje të fuqishme për lirinë e tyre e të popujve të Ballkanit. Në shekullin e 18, kur Evropa po shkundej nga Revolucioni i vitit 1848 dhe në skenë dolën Neçartania e Ilia Garashaninit dhe Megalidea e Koletit për copëtimin e trojeve shqiptare, Dervish Cara udhëhoqi kryengritjen kundër Perandorise Osmane, çliroi Shkupin e pjesën më të madhe të trojeve shqiptare. Në gusht të vitit 1912 prijësit  shqiptarë Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Riza Beg Gjakova, Bedri Pojani, Naxhip Draga në krye  të 60 000 mijë luftëtarë shqiptarë e çliruan Shkupin nga turqit dhe ngritën në kala flamurin e Gjergj Kastriotit. Në mbretërinë serbo-kroato-sllovene dhe në Jugosllavinë e Titos shqiptarët e asaj që sot quhet Maqedoni përjetuan dhunë genocide, shpërngulje masive, tjetërsim të identitetit kombëtar e mohim të kombësisë, gjuhës amë e simboleve kombëtare. Shpërbërja e Federatës Jugosllave pas vitit ’90,  lufta e shqiptarëve për liri e të drejta në Maqedoni nxorri në skenën historike liderin me reputacion  e vizion të jashtëzakonshëm Ali Ahmetin, veteranin e lëvizjes kombëtare, udhëheqës i demonstratave të Kosovës në vitin 1981, prijës i luftës së shqiptarëve të Maqedonisë për liri e të drejta njerëzore  dhe flamur. Shumë pak liderë shqiptarë, aleatë ndërkombetar e analistë besuan se ky strateg i luftërave do t’i imponohej Maqedonisë e faktorit ndërkombetar dhe do të shndërrohej në një politikan kalibri e faktor politik determinues në Maqedoni. Ali Ahmeti, ky Moisi i kombit shiptar, ka marrë  përsipër një mision hyjnor, ashtu  si Moisiu biblik do ta nxjerrë popullin e tij nga skllavëria.
Z. Ahmeti e partia e tij kanë vite që qeverisin me mazhorancën Maqedonase për hir të integrimit të Maqedonisë, për hir të moszhbërjes e ndryshimit të kufijve politik. Z.Ahmeti dhe BDI-ja në një mbledhje të jashtëzakonshme kanë marrë një vendim historik politik, me të vetmen pikë të rendit të ditës, shqyrtimin e situatës aktuale politike pas mospranimit të ofertës së BDI që vendi të ketë Presidentin e parë konsensual, pas analizave të gjithanshme të situatës dhe pas elaborimit të gjerë në opinion në lidhje me mundësinë e pasjes së kandidatit konsensual, veçanërisht pas mosgadishmërisë për pranimin e ofertës së saj, BDI vendosi:
1. Të mos garojë me kandidat të saj në zgjedhjet Presidenciale, t`i ftojë shqiptarët të mos përkrahin asnjërin nga kandidatët me çfarë do t’i jepnin legjitimitet të rrejshëm Kryetarit të ardhshëm të vendit, njëkohësisht BDI vendosi që të bëjë fushatë aktive, ku do të promovojë idenë dhe konceptin për Presidentin konsensual deri në realizimin përfundimtar të saj.
2. Grupi parlamentar i BDI-së të dorëzojë në Kuvend iniciativë për shpërndarjen e kësaj legjislature
3. Të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare.
BDI vlerëson se Maqedonisë si vend me demokraci në zhvillim i nevojitet vendimmarrje me konsultime më të gjëra dhe gjithëpërfshirëse, dialog më thelbësor për temat me rëndësi të veçantë, por edhe konsensus politik dhe etnik. Këto parime janë edhe pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, dhe sistemit politiko-juridik që doli pas implementimit të kësaj Marrëveshjeje. Andaj konsiderojmë se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme Parlamentare do të krijonte hapësirë për marrëveshje të re për bashkëqeverisje në të cilën do të hapen tema në interes të qytetarëve dhe vendit.
Bashkimi Demokratik për Integrim fton të gjithë Grupet Parlamentare që t`i bashkëngjiten kësaj iniciative dhe të përkrahin propozimin tonë për miratimin e vendimit për shpërndarjen e kësaj legjislature.
Gjithashtu BDI u bën thirrje të gjithë faktorëve politik, shtetëror dhe qytetarëve që të japin kontributin e tyre për të organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike, për të dëshmuar që jemi të aftë dhe kemi kapacitete për organizimin e tyre.
Shekspiri ka thënë: “Bota është e guximtarëve”. BDI-a dhe Ahmeti vendosën që t’iu bëjnë thirrje shqiptarëve për një plebishit bojkotimi për të ndalur çertefikimin e këtij skenari turpi jo për pushtet personal por për kauzë, dinjitet, partneritet, luajalitet e për faktorizim të shqiptarëve. Memoria historike ka apostrofuar se fara, rrënja, palca, ashti i trungut Maqedon janë shqiptare, ndaj Ali Ahmeti ka zgjedhur momentin e duhur për të dëshmuar forcën e faktorit shqiptar dhe për t’i dhënë statusin që meriton .
Në emër të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, si shok e vëlla i Robin Hudit shqiptar,  i Tahir Sinanit, luftëtarit të luftës së Kosovës, Preshevës, që u vra në  luftë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, u bëj thirrje shqiptarëve, miqve dhe përkrahësve të mi në të gjitha trojet etnike, që të mbështesin Ali Ahmetin në betejën kruciale të shqiptarëve për të mos marrë pjesë në votime, që të mos legjitimojnë skenaret e qarqeve antishqiptare. Çdo shqiptar para se ta marrë vendimin duhet t’i bëjë thirrje ndërgjegjes së lashtë historike, të mbrojë nderin e të parëve të tij, atdheun, gjuhën shqipe dhe të ardhmen e shqiptarëve.
Në krizën botërore  të viteve ’30, presidenti i madh Teodor Ruzvelt ju drejtua me një fjalim kombit te tij: “Të dashur bashkëkombas, e vetmja gjë që duhet të kemi frikë është vetë frika”. Ali Ahmeti dhe BDI e dalë nga lufta ua vrau frikën shqiptarëve; tashmë frika është e Gruevskit. Dy mijë vjet më parë, Jezu Krishti  i ringajllur ju thotë apostujve të tij: “Mos kini frikë”. Këtë shprehje hyjnore dhe politike e përsërit pas 2000 vjetësh lideri i shqiptarëve Ali Ahmeti. Kjo thirrje duhet të mbështetet jo vetem nga shqiptarët e Maqedonisë, por nga  mbarë kombi shqiptar në trojet e veta etnike në Ballkan.
Në vitin 1962 presidenti Kenedi vizitoi Berlinin e bllokuar nga rusët: “Unë jam Berlinez”, -iu drejtua ai gjermanëve. Ali Ahmeti është një Kenedi i ri që do të shemb muret ndarëse të shqiptarëve, prandaj shqiptarët e Maqedonisë  duhet ta kenë parasysh thirrjen e Xhon Kenedit drejtuar amerikanëve: “Mos mendoni se ç’bëri Amerika për ju, po ç’bëtë ju për Amerikën”.
Refuzimi plebeshitar i zgjedhjeve presidenciale është një monument madhështor i identitetit të shqiptarëve në Ballkan. Çdo shqiptar i Maqedonisë këto ditë në formë peligrinazhi duhet të shkojë te kompleksi i varrezave “Nënë Tereza” të Kërçovës dhe me besa-besë si dikur Haxhi Zeka në Pejë, apo Hasan Prishtina, shpëtim a vdekje në Shkup, të betohen mbi flamurin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, nipit të Pollogut dhe Ali Ahmetit. Mbi gjakun e atyre që dhanë jetën për liri, për të mbetur materie e gjallë e ndërgjegjes kombëtare.
Vendimi i shqiptarëve për të mos marrë pjesë në votime është shërbimi më i madh që i bëhet Flamurit Kombëtar dhe Çështjes Kombëtare Shqiptare në Ballkan.
Hazreti Aliu, i cili u vra në Qerbela në mbrojtje  të doktrines së profetit Muhamet, na ka lënë një postulatë: “Mendjemëdhenjtë nuk i do as Zoti”. Gruevski nuk hoqi dorë nga arroganca e mendjemadhësia. Projekti shkupi 1 (një) miliardë euro zhvlerësohet para shtëpisë ku lindi shenjtorja shqiptare NëNë TEREZA,  gjurmët e së cilës i fshiu. Ajo edhe në ditët e fundit të jetës së saj ju lut Bill Klintonit: “Bëni diçka për kombin tim”. Edhe babai i saj, Kol Bojaxhiu u ekzekutua vetëm se kërkoi që përkrah gjuhës maqedonse të jetë zyrtare edhe gjuha shqipe, gjuhë e folur nga Niket Dardani e Shën Jeremini të krahasuar me Shën Ambrozin e Shën Agustinin.
Po e mbyll këtë opinion timin me një apel shqiptarisht: “Bëhuni pjesë e këtij aksioni të gjithë ata që flasin shqip, mendojnë shqip, frymojnë shqip dhe zemra e tyre rreh shqip, për të mbështetur këtë platformë politike që ridimensionon shqiptarët në Maqedoni”.(ne foto:Autori i shkrimit, Azgan Haklaj ne zyren e Ali Ahmetit)

Filed Under: Featured Tagged With: Azgan haklaj, NË EMËR TË ATDHEUT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT