Kryegjyshi boteror, Baba Mondi në malin e Tomorrit, Qëndroni larg të keqes dhe terrorizmit/
Mijëra besimtarë bektashinj kanë nisur pelegrinazhin drejt malit të Tomorrit, për t’u ndalur në vendin e shenjtë, në Majën e Kulmakut. Kryegjyshi botëror i bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj, u lut për më shumë begati për shqiptarët dhe ata të qëndrojnë larg të keqes dhe terrorizmit. “Me frymën e mirësisë, dashurisë, për paqe bëjmë apel për mospajtim me të keqen, terrorizmin dhe çdo të keqe që ka njerëzimi. Dhe njëherë më lejoni tu uroj të gjithëve nga zemra qofshit të bekuar. Zoti ju bekoftë!”, tha Haxhi Baba Edmond Brahimaj.
Cdo vit besimtarët ngjiten në malin mbi 2400 metra mbi nivelin e detit, për të hedhur para dhe sende të tjera në varret e klerikëve Iljaz Dervishi dhe Abaz Aliu, emrin e të cilit mban kjo festë shekullore. Bektashinjtë besojnë se qëndrimi në këtë mal për tre ditë dhe lutja në vendet e shenjta, por edhe kryerja e të gjitha riteve që përfshin edhe bërjen kurban të një qingji apo deleje, sjell më shumë mbarësi në shtëpitë e tyre.