Në një bisedë në misionin diplomatik të Kosovës, në Londër, në prag të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, historiani dhe studiuesi i njohur britanik, Sir Noel Malcolm deklaroi se, Ballkani ka ende probleme me tekstet shkollore të historisë, pasi ato e pasqyrojnë të kaluarën ashtu siç dëshiron politika nacionaliste, pro një gjë e këtillë nuk është e shëndetshme për të ardhmen e popujve të rajonit. Në takimin ku merrnin pjesë ish-diplomatë britanikë, deputetë shqiptarë dhe miq të Shqipërisë dhe Kosovës në Londër, Sir Malcolm, duke folur për politikën e jashtme britanike për Ballkanin deri në kohën e Milosheviçit, theksoi se duhej vërtetuar që përkrahja britanike për Serbinë ishte ndërtuar mbi gënjeshtrat, që kishin sajuar historianët serbë dhe politika serbe. Sir Noel Malcolm, hulumtues i lartë shkencor në Universitetin e Oxfordit dhe anëtar i Akademisë Shkencore Britanike, ka folur edhe për punën e tij të historianit, e cila në botë vlerësohet maksimalisht e për të cilën në vitin 2014, Mbretëresha Elisabeth II e ka dekoruar me titullin “Sir”. Si student dhe si gazetar në revistën e famshme politike “The Spectator”, e më vonë në “The Telegraph” të Londrës, Sir Malcolm kishte udhëtuar në disa vende të Ballkanit, përfshirë Turqinë, dhe kishte mësuar gjuhët e tyre, përfshi dhe shqipen. Në qershor të vitit 1989, – tha ai, – kishte ecur në këmbë nga Tetova deri në Prizren, duke i kaluar malet e Sharrit, ku kishte fjetur në shtëpitë e fshatarëve të kësaj ane. Pastaj, më 28 qershor kishte mbërritur në Gazimestan dhe ishte ulur ndër rreshtat e parë, për të dëgjuar “fjalimin historik” të Slobodan Milosheviçit. Pasi kishte dëgjuar fjalimin e Milosheviçit dhe pasi e kishte vërejtur disponimin e pjesëmarrësve në atë miting, historiani britanik kishte konkluduar se “diçka ishte shumë gabim në këtë mes”. Sipas tij, politika britanike përkrahte ndryshimet që kishin filluar në Jugosllavi nga Milosheviçi. Nga hulumtimi i tij shkencor për këtë çështje, dolën dy libra, “Historia e Bosnjës” dhe “Historia e Kosovës”, që ndryshuan jo vetëm shikimin në të kaluarën, por edhe kornizën e të menduarit politik për Ballkanin në Britaninë e Madhe. Duhet theksuar se, Sir Noel Malcolm është kryetar edhe i “Anglo-Albanian Association”, një shoqatë e vjetër e themeluar nga Edith Durham dhe Abrey Herbert, për forcimin e miqësisë mes shqiptarëve dhe britanikëve. Pa punën shkencore të Sir Noel Malcolmit dhe ndikimit të tij në qarqet e “Foreign Office”, – apo Ministrisë së Jashtme britanike, – mendimi politik në Britaninë e Madhe do të ishte në favor të Serbisë, siç ishte në shekullin e kaluar, kurse shqiptarët sot nuk do të ishin në këtë pozitë që janë sot në Ballkan. {SH.K}
PËRPARËSITË E POLITIKËS SË JASHTËME AMERIKANE NDAJ BALLKAN
NGA FRANK SHKRELI/
Administrata e Presidentit Obama i ka paraqitur Kongresit prioritetet dhe planet e politikës së jashtëme amerikane karshi Europës dhe Euroazisë, prëfshirë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, për vitin e ardhëshëm financiar. Kërkesa e Administratës së Presidentit Obama për buxhetin e vitit 2016 për këtë rajon është $953.3 millionë dollarë. Është ky një ritual që bëhet çdo vit, pasi Kongresi, sipas kushtetutës, duhet të miratojë buxhetin për financimin e shpenzimeve për realizimin e prioriteteve të politikës së jashtëme amerikane për zona të ndryshme gjeografike të botës. Ndonëse ky është vetëm fillimi i procesit dhe shumë gjëra mund të ndryshojnë si përfundim i ngjarjeve në rajon, dëshmia të martën e kësaj jave e Koordinatores së Departamentit të Shtetit për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski para Nën-Komisionit të Kongresit që merret me çështjet europiane dhe euro-aziatike –mund të shërbejë si një tregues i përparësive të politikës së jashtëme amerikane ndaj Europës dhe Euro-Azisë në përgjithësi dhe ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në veçanti, për vitin që vjen.
Përfaqsuesja e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) fillimisht falenderoi anëtarët e nën-komisionit të Kongresit për Punët e Europës dhe të Euro-Azisë për mbështetjen që ligjvensit e të dy partive — republikanë dhe demokratë – që sipas saj i kanë dhënë përpjekjeve të administratës për të zgjëruar dhe për të forcuar, “Një Europë të tërë, të lirë dhe në paqë”. Ajo u tha ligjvënsve se për arsye të agresionit të Rusisë në Ukrainë, ky vizion tani gjëndet përball një kërcënimi më të madh se çdo herë tjetër ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë. Ajo falënderoi gjithashtu kongresistët për interesimin dhe vizitat e tyre që bëjnë në Europë, përfshirë Ballkanin, gjë që tha ajo, “ka ndihmuar për të siguruar aleatët tanë atje për angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit, demokracisë, paqës dhe begatisë, si gurthemeli i interesit dhe sigurimit tonë kombëtar.”
Ajo vlerësoi ndihmat e SHBA për Europën Lindore ç’prej shëmbjes së komunizmit (me një vlerë prej $27.5 miliardë dollarësh) gjatë 25 viteve të kaluara, duke thënë se ato kanë provuar fuqinë transformuese të SHBA-ave, në forcimin e lirisë, sigurisë dhe të begatisë anë e mbanë një rajoni që ishte mbërthyer nga totalitarizmi, armiqësitë ideologjike dhe nga shkatërrimi ekonomik. Ajo vuri në dukje se ç’prej
vitit 1990, 12 prej vendeve ish-komuniste që merrnin ndihma gjatë asaj periudhe, tani janë anëtare të NATO-s dhe 11 prej tyre bëjnë pjesë në Bashkimin Europian. Për më tepër, shtoi Koordinatorja e DASH për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski, 11 prej vendeve të Europës Qëndrore që dikurë merrnin ndihma amerikane, tashti ato japin ndihmë në mbështetje të demokracisë, të tregjeve të lira dhe të dinjitetit njerëzor, vendeve në nevojë nga Ukraina e deri në Afganistan.
Por megjithë sukseset e dukshme të çerek shekullit të kaluar në Europë, zyrtarja e lartë e DASH i tha Kongresit se, harta e një Europe “të lirë, demokratike dhe e bazuar në tregje të lira”, nuk është ende e plotë. “Korrupcioni, papunësia e lartë, zmbrapsjet në zhvillimet demokratike, shtypja e medias, tensionet etnike dhe konfliktet e tejzgjatura prekin gjithnjë shumë shtete të këtij rajoni.” Ajo posaçërisht theksoi influencën e rrezikshme të Rusisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, si një prej faktorëve që po pengon antarësimin e këtyre vendeve në Bashkimin Europian dhe në NATO, duke sjellur si shembull krizën e fundit politike në Maqedoni.
Alina Romanowski përqëndroi një pjesë të madhe të kumtesës së saj para Kongresit, duke folur për ndihmat dhe politikën e SHBA-ve ndaj Ukrainës, ndërsa theksoi përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të shkelur dhe zhdukur vlerat mbi të cilat janë bazuar marrëdhënjet ndërkombëtare pas Luftës së Ftohtë, por ajo nuk mungoi të fliste edhe për prioritet e politikës së jashtëme amerikane me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.Ajo i tha Kongresit se ndërsa SHBA janë në krye të përpjekjeve për integrimin e këtij rajoni në organizmat Euro-Atlantike, “Ne duhet të vazhdojmë tu ofrojmë të gjithë atyre që aspirojnë zbatimin e standardeve Euro-Atlantike, ndihmën politike, ekonomike dhe morale në përpjekjet e tyre për t’ju bashkuar këtyre organizmave.” Ajo u tha ligjvënsve amerikanë, të cilët eventualisht duhet të miratojnë fondet ndihmesë për vendet e Ballkanit Perëndimor se, “Ndihmat e SHBA-ave do të përqëndrohen në bërjen e reformave që janë të nevojshme për të përshpejtuar antarësimin e tyre në Bashkimin Europian, dhe në zbatimin e marrveshjeve për normalizimin e marrëdhënjeve midis Serbisë dhe Kosovës”, ndër të tjera. Ajo theksoi gjithashtu se, “Në Kosovë, ndihmat tona janë një investim i vazhdueshëm për zhvillimin e një demokracie me të vërtetë multi-etnike, ku të gjithë qytetarët e saj kanë besim në qeverinë e vet dhe ku siguria e pajisjes me energji është e garantuar.”
Në buxhetin për ndihmat e jashëtme që po i kërkohet Kongresit për miratim për vitin e ardhëshëm, përfshihen edhe projektet në sektorin e drejtësisë, si dhe ndihmat për organizatat e shoqërisë civile në mbarë rajonin, si një mjet për të luftuar korrupcionin. Koordinatorja e DASH për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski, përmendi Shqipërinë si shembëll, ku ne tha ajo, “Jemi duke mbështetur një projekt në sektorin e drejtësisë i cili ka për qëllim të shtojë transparencën dhe përgjegjësinë në këtë fushë, me instalimin e mjeteve për inçizimin e procedimeve gjyqësore në gjykatat krahinore dhe në ato të apelit anë e mbanë vendit”, theksoi ajo. Por, zyrtarja e lartë e DASH u shpreh se ndihma të tilla nuk mund të kenë sukses pa mbështetjen politike në radhët e qeverive, të shoqërive civile dhe të qytetarëve të këtyre vendeve. Ne, vazhdoi ajo, jemi duke u përpjekur të pengojmë prirjet në rritje e sipër në rajon që synojnë për t’i, “mbyllur hapësirën pluralizmit politik, debateve publike dhe kundërshtarëve politikë”. Në një numër gjithnjë e më të madh vendesh në Europë dhe Euroazi, theksoi Alina Romanowski, udhëheqës të ndryshëm politikë kanë kufizuar hapësirën e veprimtarisë së organizatave të shoqërisë civile dhe të medias së pavarur, me qëllim për t’u mbyllur gojën kritikëve dhe në përpjekje për të këthyer mbështetjen publike në favor të tyre. Në përgjithësi, nënvijoi ajo, “Ndihmat tona kanë për qëllim të aftësojnë qytetarët që të angazhohen me qeveritë e tyre, qoftë nepërmjet organizatave të shoqërisë civile, qoftë nepërmjet medias së pavarur, sektorit të drejtësisë, ose nepërmjet aktiviteteve të partive politike demokratike”. Shtetet e Bashkuara, theksoi zyrtarja e DASH, mbështesin organizatat e shoqërisë civile dhe median e pavarur, ndërkohë që ato përpiqen të informojnë publikun dhe të hedhin pak dritë mbi sfidat me të cilat përballet demokracia dhe qeverisja e mirë në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Më në fund, ajo foli edhe për ndihmën ushtarake të SHBA-ave, “në fushën e sigurisë, të mbrojtjes, të modernizimit ushtarak, të doktrinës dhe taktikave ushtarake amerikane si edhe për bashkpunimin dhe bashkveprimin e forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.” Është interesant fakti se duke folur për ndihmat dhe bashkpunimin në fushën e mbrojtjes, Koordinatorja e DASH për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski, përmendi Kosovën ndër vendet ku, tha ajo, ” Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë investime strategjike në fushën e mbrojtjes me Aleatët dhe me partnerët tanë, kryesisht me Poloninë, Rumaninë, Bullgarinë, me Kosovën dhe shtetet Baltike”.
Ajo theksoi edhe kontributin e Bashkimit Europian për ndihmat që i akordon vendeve të këtij rajoni duke thënë se ndihmat amerikane dhe europiane përputhen
me njëra tjetrën dhe se të dy palët janë duke bashkpunuar për të sjellur përvojën dhe praktikat më të mira ekonomike të vendeve ish komuniste të Europës Qëndrore dhe Lindore, në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në hapësirën e vendeve post-sovjetike.
Koordinatorja e DASH për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski përfundoi dëshminë e saj para Nën-Komisionit të Kongresit për Punët Europiane dhe Euro-Aziatike, duke thënë se, “Ndihmat tona kanë përmirësuar jetën e miliona njerëzve dhe se buxheti i kërkuar për vitin që vjen për këtë rajon, është një vazhdim i këtij misioni” u angazhua ajo para Kongresit. “Ne”, përfundoi, zyrtarja e lartë e DASH, “megjithë kufizimet me të cilat përballet buxheti për ndihmat e jashtëme, zotohemi se do punojmë me zell, efektivisht dhe me imagjinatë, ashtuqë burimet financiare të dhëna nga populli amerikan, të përdoren në shërbim të forcimit të vlerave tona si dhe në mbështetje të interesit tonë kombëtar, për të forcuar demokracinë, stabilitetin dhe begatinë anë e mbanë rajonit”, të Europës dhe Euroazisë.
“Kurir” dhe “Informer”: ALEANCE SLLAVO ORTODOKSE NE BALLKAN?
Paralajmërohet Uashingtoni për një aleancë ortodokse kundër shqiptarëve në Ballkan/
“Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas sulmeve “terroriste” në Kumanovë, do të vazhdojnë me politikën e tyre të mbështetjes së pakushtëzuar për shqiptarët dhe nëse BE do të vazhdojë të heshtë mbi rigjallërimin e projektit të “Shqipërisë së Madhe, kjo situatë do të cojë në formimin e Aleancës Ortodokse të Serbisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe ndoshta edhe në Luftën e Tretë Ballkanike”. Kështu shkruajnë dy media pranë qeverisë serbe, “Kurir” dhe “Informer”.
Sipas tyre, ky është konkluzioni i raportit më të fundit të CIA –së për situatën në rajon. Gazetat theksojnë se janë shërbimet sekrete ato që po e paralajmërojnë administratën Obama se mbështetja e mëtejshme për shqiptarët mund t’i shtyjë vendet ortodokse të Ballkanit drejt krahëve të Rusisë.
Analistët e CIA –s propozojnë që SHBA të ketë një përqasje më të balancuar në Ballkan, pasi përndryshe rrezikohet formimi i një Unioni Ortodoks.
“Analistët amerikanë shkruajnë se shtetet e Ballkanit, territoret e të cilit preken nga Shqipëria e Madhe” nuk do të rrijnë duarkryq dhe të shohin se si shqiptarët u vjedhin territorin e tyre. Për më tepër ata janë të bindur se në rast emergjence, serbët, grekët, bullgarët dhe maqedonasit do të bashkojnë forcat në luftën kundër shqiptarëve. Në këtë rast, Ballkani mund të shndërrohet në një rajon si Lindja e Mesme dhe nuk në interesin e askujt, as të SHBA –ve”, thotë një burim diplomatik për “Informer”.
Askush nga qeveria serbe nuk ka pranuar të komentojë mbi këto informacione. Në krahun tjetër, ekspertët vlereësojnë se skenari i Aleancës Ortodokse është një variant i mundshëm, por kjo mund të jetë një tjetër gjemb në sytë e Perëndimit. Analisti Djordje Vukadinovic thotë se bashkimi është një reagim logjik i tentativës për të krijuar “Shqipërinë e Madhe”.
“Nëse aleanca krijohet, nuk besoj se SHBA do rrijë ta shohë me qetësi, sepse është e qartë që shqitparët janë të preferuarit e tyre. Serbia ka qenë pjesë e një aleance të tillë përpara Luftës së Parë Botërore kur u ndesh me Turqinë”, thotë Vukadinovic.
Cedomir Antic, i Progressive Club, thekson se ideja e bashkimit të Ballkanit ekziston prej më shumë se 1 dekade.
“Nëse ideja nuk do të zbatohet, do të thotë se SHBA e kanë parandaluar atë. Megjitahtë, një aleancë e tillë duhet të eksiztojë, pasi ajo do të mbijetojë edhe në BE dështon. Jam i surprizuar që Presidenti Nikolic nuk e nisi atë kur u ftua të merrte pjesë në festimet e betejës së Kumanovës” thotë Antic.