Ballsor Hoxha/
Sami Milloshi ka filluar ‘aventurën’ e tij, siç e quan vetë, të pikturimit krejtësisht vonë në moshën e tij. Dhe, aq më shumë pa një përgatitje teknike apo edukative. Sidoqoftë, ai në pikturën e tij është një ‘mjeshtër’ dhe ‘zotërues’ i një shprehje të thellë, unike dhe të plotë figurative. Estetika e Milloshit, apo duke i dhënë hapësirë Heideggerianes (nga Origjina e veprës së artit) e që është, e bukura që dërgon në të vërtetën me hapjen/zbulesën e botës përbrenda qëniesimit të absorbuar në – vetë veten – është pikërisht një çarje përtej reales dhe ngjyrave të “zymta” të saj, diku në ndërmjetësinë e ëndrrës dhe tendencës e tensionit të lirisë infantile, vetë ekstatikes dhe ekstazës. (Punimi këtu merr për shembull disa piktura në opusin e pikturës së MIlloshit për të dhënë një pamje të këtij gjeniu të pikturës.) Piktura e Milloshit – Kulla – një ndër më të bukurat dhe më prëfaqësueset e veprës së tij në pikturë, është pikë së pari, shkëputje Chagalliane e objektit të vëzhgimit/projektimit, më pastaj është motiv ndërmjet përrallës dhe lirisë së ndërtimit të projektimt ëndërror, dhe më tutje është romantizëm i origjinares së kujtimit, idilë dhe simbolikë e gravitetit të shprehjes së tij subjektive.
“Kulla” është shumë shtresore, duke hapur dhe shpallur qartazi edhe mungesën (e vendlindjes) edhe idealizimin e vendlindjes dhe edhe inercinë e infantiles, si kujtim dhe peshë e shpirtërores brenda subjektit dhe unit krijues të Milloshit.
Në shtresën e radhës ajo është një hierarkizim ëndërror, i idesë brenda shprehjes dhe imazhit të ndërtuar, si udhëzim dhe inerci e kumtit të tij. Në këtë ajo ka të hapur në pafundësinë e pëlhurës dhe të pafundësisë së perspektivës projektuese të imazhit kullën, si asocim apo levitim i të përhershmes. Gjithnjë duke krijuar simbolikën e të përhershmes, të qëndrueshmërisë shpirtërore dhe të universales së saj. Por, në teknikën e ndërtimit të tërësisë të kësaj ‘hierarkie’ Milloshi krijon një ndërthurje të objekteve me bazë, si pusi brenda saj, e më tutje objekte të tjera me kullën në pafundësinë e – dëshirës -, aq më shumë kjo dëshirë duke qenë infantile e tensionuar me të bukurën e vetëdijshme/ideore. Dhe më tutje në ndërtimin e saj, “Kulla”, krijon Chagallianen (shprehjen si të piktorit Chagall) si shpërthim qoftë surreal dhe qoftë si ndërmjetësi e surreales dhe të semiotikës ëndërrore, kështu duke shkëputur me vetëdije/ide mesazhin e medituar.
Por, në të vërtetë, në pikturën e Milloshit në përgjithësi, dhe në këtë pikturë po ashtu, ngjyra/ngjyrat e Milloshit janë tipari dhe karakteri më i rëndësishëm i tij.
Në “Kulla” ngjyra/ngjyrat (përkundër të kaltrës të thellë Chagalliane në këtë lloj shkëputje dhe krisje të ëndërrores) janë tejet ekspresive, të gjalla, të ndezura dhe në zonën e infantiles, dhe aq më shumë në zonën e dëshirës infantile. Dhe kjo zonë tensionohet dhe kompozohet në tendencën për të krijuar një mekanizëm, një qarkim dhe një shtjellë të stinëve, të objekteve idilike të fshatit, të cilat e hapin, pikërisht sipas Heideggerianes, vetë botën në të bukurën e të vërtetës.
Po ashtu, piktura “Shtëpia ime” është nj komunikim me piktorët e mëdhenj botëror, në këtë rast kemi një dramatizimdhe tension të ‘qarkullimit’ kompozicional të pikturës në tendenca të pikturimit të njohur n pikturën e VanGhog.
Sigurisht Milloshi është i vetëdijshëm për ndikimin, dhe aq më shumë e shtjellon tutje tensionin dhe dramatizimin e VanGhog, në një tension më eksplicit dhe më të dukshëm, kështu duke i dhënë uniken këtij kompozicion dhe duke krijuar një shprehje rrënjësisht interesante dhe të bukur.
Është pikturë e cila të shtynë në spekulim asociativ, kreativ, të hamendësimit të një ‘mulliri’ të të dinamikës së “botës” e cila në përjetimin e saj të krijon iluzionin dhe qoftë edhe magjepsjen me rendin e brendshëm dhe të pavërejtshëm nga syri i “zymtësisë së reales” të vetë botës. Në të vërtetë Milloshi sikur i jep një tension Ghogianes dhe e tejpërçon idenë e këtij kompozicioni tutje në një dinamikë sa të thellë po aq edhe dramatike, që në të vërtetë hapë një ndjesi tejet të guximshme subjektive të vetë piktorit. Dhe, po e njëjta është edhe në pikturën “Pylli përballë shtëpisë sime”, pavarësisht ciklit të inspirimit dhe të frymës në të cilën ka punuar piktori, por si motiv dhe kumtim i këtij autori. Megjithëse në pikturën “Pylli përballë shtëpisë sime” mungon mekanizmi i “mullirit” të reales në dhe përbrenda saj, në të vërtetë piktura “Pylli përballë shtëpisë sime” ka të njëjtin guxim artistik, gjë që e çon piktorin në kërkim tejet interesant të fuqisë dhe aq më shumë të intensitetit të ngjyrës, dhe të përjetimit të saj, gjithnjë në prapavijë një emocion semantik/ideor i cili të bartë në një zonë të rrallë bukurie.
Piktura tjetër si përfaqësuese e veprës së Milloshit në këtë punim, është “Dallgët”. Në të vërtetë ajo është vazhdimësi e kësaj drame brenda kompozicionit të Milloshit, si në dy pikturat më lartë, por në një perspektivë tjetër të projektimit. Në të vërtetë, sipas këtij punimi, piktura “Dallgët” është një prej arritjeve më të rëndësishme në pikturën e Milloshit, duke qenë në të njëjtën kohë ri- përfaqësim i spektrit të hijezimit të objektit të pikturuar (qoftë në idenë sipas Chagall, e qoftë në idenë e dinamikës dhe dramës së pikturës së VanGhog), dhe dinamikë tejet tejettë gjallë, të tensionuar bukur, dhe tejshkuese në përjtetimin e saj.
Ngjyrat në kompozicionin e kësaj pikture krijojnë një paradoks të qëllimtë ideor të Milloshit duke kaluar nga dramatizimi dhe tensionimi në një zonë tejet tejet unike për pikturën e Milloshit me ngjyra (konotuese) infantile dhe ekstatike. Në të vërtetë tërë piktura e Samiut është një ndërmjetësi e shumëfisht e: imagjinares me ëndërroren, e surreales me ekstatiken, dhe e ideores në ndër-shkëmbim me pikturën dhe pikturimin global. Si përfundim, piktura e Sami MIlloshit, zë vendin e saj në bukurinë (duke refuzuar të quajmë – estetikë -) e mediumit të pikturës me infantilen dhe ekstatiken e saj. Gjë që në të shumtën e saj, ose është në tërësi, ose është shpërfaqje e masave ekstatike, ëndërrore, imagjinare të të gjallës dhe të të ndezurës së objektit. Gjë që në të vërtetë është kërkim përtej ndarjes arbitrare të ngjyrës në mashkullore, apo motiv mashkullor, dhe të asaj femërore,. Në të vërtetë Samiu kërkon pikërisht përbrenda dhe tej imagjinares së ndarë arbitrarisht të ngjyrave (kujto se deri shumë vonë ngjyra e femrës “ishte” e kaltra, derisa e kuqja ishte shprehje mashkullore etj), në një infantile përtej vetëdijesimit gjinor – sipas seksit, në një zonë dhe origjinë e cila në ne është e mishëruar me ylberin, magjepsjen prej tij; në burimin e imagjinares; dhe të burimit të përrallës. Në meditimin që thërret përjetimi i kësaj pikture shpërfaqet mungesa subjektive infantile, dëshira infantile dhe dyzimi i përrallores në dhe përbrenda, dhe përtej ‘zymtësisë’ së reales. Kjo në të vërtetë është gjeniu, apo delli i gjenisë brenda pikturës së Sami Milloshit, e që në shprehjen e tij rrëfen një fëmijë të brendshëm (CarlJung) si urtësi dhe si “djalosh i artë” (CarlJung). Vetë qëniesimi i masës infantile brenda nesh, formësuar në vetëdije përtej instinktives në shpirtëroren dhe psikën e subjektives e cila ruan dhe ndërton po të njëjtën “të artë” (CarlJung), dhe po të njëjtën imagjinare e cila nuk njeh arbitraren dhe me këtë pushtetin e qoftë të vetëdijes dhe qoftë të dijes. Është në të vërtetë dije në vete, e kompozuar pikërisht njëjtë si ngjyrat në vjeshtën e “Kullës” së Milloshit, në stinët e “Kullës” së Milloshit, si një shtjellë gjethesh e cila shkrepë dhe ndizet e zymtohet herë të tjera, e cila ruan tërë shpirtëroren e humbur, mbetur diku prapa pushtetit të dijes. Piktori Sami Milloshi është një artist i veçantë i cili gjithnjë kërkon në përmbysjen apo shpërfaqjen e të – ndezurës – dhe të ekstatikes infantile në dhe përtej reales të cilën e shohim të mbyllur, të kthyer shpinën e të distancuar nga ne. Gjë që gjithnjë evokon ‘fëmijën brenda nesh’ (CarlJung) dhe me këtë hapë dhe arrin te e vërteta shpirtërore pa një gravitet të zymtësisë së kësaj realeje.