Banka Qendrore e Kosovës shton bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë/
PRISHTINË, 24 Shkurt 2015/ Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza ka pritur sot në një takim Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Njoftimi i dërguar bën të ditur se, të dy guvernatorët kanë shkëmbyer informacione lidhur me zhvillimet në përgjithësi, si dhe për sfidat në të cilat po kalojnë sektorët financiarë të të dyja vendeve.
Guvernatori Hamza ka falënderuar Guvernatorin Sejko për kontributin e deritashëm të Bankës së Shqipërisë dhënë Bankës Qendrore të Kosovës dhe theksoi vullnetin për të avancuar më tutje frymën e bashkëpunimit konform marrëveshjeve të mëhershme të arritura mes dy institucioneve.Guvernatori Sejko ka theksuar se takimet dhe bashkëpunimi profesional do të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe do të jetë efikas duke rikonfirmuar gatishmërinë e institucionit që drejton për mbështetje të mëtejmë dhe për bashkëpunim të ngushtë me Bankën Qendrore të Kosovës, në adresimin e çështjeve të cilat konsiderohen me interes të përbashkët.Guvernatori Sejko i shoqëruar nga Guvernatori Hamza bëri një vizitë homazh në Memorialin e familjes Jashari në Prekaz. Dy guvernatorët vizituan edhe qytetin e Prizrenit. Kjo ishte vizita e parë në Kosovë e Guvernatorit Sejko që nga marrja e postit./b.j/