-Kryeqyteti Prishtina dhe qytetet tjera tradicionalisht në 17 vitet e lirisë e 8 vitet e pavarësisë së Kosovës mbushen plot valime flamujsh kuqezi dhe njerëz në festën e madhe në sheshe edhe me koncerte, me buçitje daullash si në dasma/
-Në Prishtinë sot u hap panairi “Blej Shqip”, ku gjatë tre ditëve ekspozojnë mallra mbi 100 biznese nga të gjitha trevat shqiptare/
-Forca e Sigurisë së Kosovës festoi “Ditën e Forcës” – 27 Nëntorin/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 27 Nëntor 2016/ Kosova po feston 28 Nëntorin – Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar Shqiptar, e cila është ditë pushimi me vendim të veçantë të Qeverisë.Kryeqyteti Prishtina dhe qytetet tjera tradicionalisht në 17 vitet e lirisë e 8 vitet e pavarësisë së Kosovës mbushen plot valime flamujsh kuqezi dhe njerëz në festën e madhe në sheshe edhe me koncerte, me buçitje daullash si në dasma.Në Prishtinë sot u hap panairi “Blej Shqip”, ku gjatë tre ditëve ekspozojnë mallra mbi 100 biznese nga të gjitha trevat shqiptare.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e Republikës së Shqipërisë është bashkëorganizatore me komunën e Prishtinës dhe hapjen zyrtare e bënë ministrja shqiptare Milva Ekonomi dhe drejtori i Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Komunën e kryeqytetit të Kosovës, Genc Bashota.Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, Hykmete Bajrami, priti sot në takim Ministren e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë, Milva Ekonomi. Pjesëmarrës në takim ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi. Ministrja Bajrami i uroj ministres Ekonomi dhe ambasadorit Minxhozi 104 vjetorin e Pavarsisë së Shqipërisë duke theksuar se kjo është festë e jona e përbashkët.Ndërsa, ministrja e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Mimi Kodheli, në Prishtinë vizitoi Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila festoi edhe “Ditën e Forcës” – 27 Nëntorin.Shqipëria do të angazhohet konkretisht të ndihmojë Forcën e Sigurisë së Kosovës në procesin e transformimit në Forcë të Armatosur të Kosovës, theksoi ministrja Kodheli.E pritur nga ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ajo tha se Shqipëria do të ndihmojë FSK-në dhe Kosovën për integrime euroatlantike si dhe në axhendat dhe procedurat aplikuese që edhe Kosova të jetë pjesë e Kartës së Adriatikut A-5.Po ashtu, ministrja Kodheli shprehi mundësinë e trajnimeve të pjesëtarëve të FSK-së në Qendrën e Trajnuese të Ekselencës së NATO-s që do të ngritet në Shqipëri.
Në qytetin më të madh lindor, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur të premten pasdite një seancë solemne për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, ku ka marrë pjesë edhe Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, e shoqëruar nga ambasadori shqiptar në Kosovë, Minxhozi.Ministrja Kodheli, e pritur nga kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, pas seancës solemne ka vizituar ekspozitën tematike për nder të Ditës së Flamurit, në Galerinë e Arteve Pamore si dhe ka ndjekur shfaqjen e Trupës së Baletit Kombëtar “Xhulieta pa Romeon”, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, pjesë e axhendës së festimeve treditëshe.
Qyteti i Pejës, më i madhi perëndimor, është i pari në Kosovë që hapi festimet e 104 vjetorit të pavaresisë së Shqipërisë. Komuna e Pejës në bashkëpunim me Ambasaden e Shqipërisë në Kosovë dhe Universitetin “Haxhi Zeka” kanë organizuar aktivitetet “Java e Nëntorit” për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.Në sheshin e Heronjve në qendër të Pejës në prani të shumë qytetarëve pejanë, ambasadori shqiptar Minxhozi dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, kanë bënë ngritjen simbolike të Flamurit Kombëtar.
Në qytetin më të madh verior të Kosovës, Mitrovicë, Ambasada e Shqipërisë në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës organizuan veprimtari në kuadrin e 104 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në aktivitetet festive mori pjesë edhe ambasadori shqiptar Minxhozi, i cili vizitoi edhe Kullën e heroit kombëtar, Isa Boletini. Me këtë rast u theksua se, Mitrovica gjithmonë ka qenë e njohur për figura të shquara që kanë bërë shumë për kombin. Në komunën e Hanit të Elezit, në rajonin më jugor, po ashtu në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë u festua 28 Nёntori me pjesëmarrje edhe të ambasadorit shqiptar Minxhozi dhe kryetarit të komunёs, Rufki Suma.
Edhe në qytetet e lokalitetet e tjera të Kosovës me ngritje të mijëra flamujëve kombëtarë shqiptarë dhe shumë veprimtari festohet 28 Nëntori.
Në Kosovë 28 Nëntori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditë e Flamurit Kombëtar është festuar tradicionalisht edhe kur ishte e ndaluar, e tash festohet edhe për Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 – plotësim i Pavarësisë Shqiptare të shpallur në Vlorë në 12 Nëntor 1912.
Në Kosovë, pjesë e festimeve të 28 Nëntorit sot është edhe përkujtimi i demonstratave shqiptare të para 48 viteve. Në 27 Nëntor 1968, në prag të Festës së Ditës së Flamurit e të Pavarësisë së Shqipërisë, në Prishtinë marshi i fillimtarëve të demonstratës (ndër të cilët ishte edhe korrespondenti juaj – i Gazetës DIELLI, atëherë nxënës i vitit të tretë të Shkollës Normale, e cila zgjaste pesë vite) nisi në orët e pasditës nga Fakulteti Filozofik (tash Fakulteti Filologjik), dhe më pas deri natën vonë u mbushën përplot demonstrues rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të Kosovës. Aty ku nisi marshimi tash është një nga sheshet e Prishtinës -Sheshi i Demonstratave.
Kronistët kanë shënuar në faqe historie se, në vitin 1968, pas demonstratave të organizuara në 6 Tetor në Prizren, në 8 Tetor në Suharekë dhe në 19 Tetor në Pejë, në 27 Nëntor rinia, studentët dhe nxënësit, shqiptarët, demonstruan në Prishtinë, Gjilan, Podujevë e Ferizaj dhe në 22 e 23 Dhjetor në Tetovë. Parulla qendrore të këtyre demonstratave ishin: “Republikë-Kushtetutë”, “Vetëvendosje”, “Kosovë-Shqipni, jemi nji”…
Në demonstratën në Prishtinë pati një të ri demonstrues të vrarë, ra nxënësi Murat Mehmeti, u plagosën shumë demonstrues, u dënuan mbi 100 veta.
Një nga kërkesat e demonstratës studentore e gjithëpopullore të zhvilluar në kryeqytetin e Kosovës ishte ajo për Universitetin e Prishtinës, i cili më pas është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 nëntor 1969. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë, në 15 shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës, i cili tash është një nga universitetet publike të shtetit të Kosovës.
“Demonstratat e 1968-s u ideuan në ‘Universitet’ dhe e bënë Universitetin”, përkujton në këtë përvjetor në shtypin kosovar Prof. Dr. Murat Blaku, i cili ishte profesor në Degën e Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.
“Demonstratat shqiptare të 27 nëntorit të vitit 1968 në Kosovë, s’kishin asnjë lidhje me demonstratat e Evropës e të Beogradit, as ideore e as konceptuale. Ato ishin krejt autoktone, origjinale dhe me karakter të theksuar kombëtar”, vlerëson ai.Përkujton edhe se, prijësit e demonstratave morën shumë vjet burg, ndërsa disa nga mësimdhënësit universitarë hynë, për të mos dalë asnjëherë, në listat e zeza të Partisë-shtet e të policisë sekrete. Qeveria e Kosovës në mbledhjen e kësaj jave ka marrë vendim që dita e festës së 28 Nëntorit të jetë ditë pushimi, pasi ende nuk është me ligj.Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 maj 2008, ditën e 28 Nëntorit e përcakton si “Dita e shqiptarëve”- një nga “ditët memoriale” e jo si një nga festat zyrtare, kur pushohet. Dekretimi i këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi para 8 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.












PRISHTINË, 25 Nëntor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Këshilli për Stabilizim Asociim në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës mbajti takimin e tij të parë më 25 nëntor 2016. “Ky takim inaugurues shënon një fazë të rë të rëndësishme të marrëdhënieve BE-Kosovë”, thekson komunikata nga Brukseli, dërguar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.Bëhet e ditur se, Këshilli për Stabilizim Asociim mirëpriti hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) më 1 prill 2016. Bashkimi Evropian bëri me dije se MSA-ja është në thelbin e marrëdhënieve mes BE-së dhe Kosovës. Ajo ofron kornizën kontraktuale në kuadër të së cilës BE-ja dhe Kosova do të intensifikojnë bashkëpunimin dhe do të kontrollojnë zhvillimet e marrëdhënieve të tyre.“Të dyja palët mirëpritën përzemërsisht nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e Bashkimit, e cila do të ofrojë mundësi të reja për popullsinë e Kosovës, duke filluar nga hulumtimi deri te shkëmbimi i studentëve”, thekson komunikata nga BE.Gjatë takimit, pati diskutime mbi zhvillimet e fundit kryesore në lidhje me përmbushjen e kritereve politike, si dhe gjendjen aktuale të kritereve ekonomike, bashkëpunimit financiar dhe zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.Këshilli për Stabilizim Asociim mirëpriti lançimin e Axhendës për Reforma Evropiane në 11 nëntor, e cila do të luaj një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e përpjekjeve të Kosovës për reforma, në fushat siç është qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, konkurrenca dhe klima e investimeve, si dhe punësimi dhe edukimi. “Kjo do t’a ndihmojë Kosovën në zbatimin e obligimeve në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim”, vlerësohet në komunikatë.Gjatë takimit u diskutuan prioritetet e reformave në fusha të ndryshme duke përfshirë sundimin e ligjit dhe reformat ligjore, respektimin e të drejtave themelore, reformën e administratës publike dhe reformat ekonomike.“Këshilli për Stabilizim Asociim mirëpriti progresin e dukshëm të Kosovës të arritur në përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. BE-ja nxit Kosovën për intensifikimin e punës në ratifikimin e marrëveshjes së kufirit më Malin e Zi dhe të vazhdojë të forcojë të dhënat mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thekson komunikata.Gjatë takimit u theksua rëndësia e progresit në dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit të lehtësuar nga BE-ja dhe të zbatimit të të gjitha marrëveshjeve tanimë të arritura pa vonesë.Takimi u kryesua nga Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, në emër të Bashkimit Evropian. Komisioneri Johannes Hahn përfaqësoi Komisionin Evropian. Delegacioni i Kosovës është udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, përfundon komunikata.
-Qeveria e Republikës së Kosovës ka paraqitur sot pranë Bashkimit Evropian raportin periodik mbi gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit mes Prishtinws e Beogradit: Qeveria e Kosovës ka qenë dhe mbetet një palë konstruktive dhe serioze në dialog. Ne kemi bërë çdo përpjekje të mundshme në arritjen e marrëveshjeve dhe qëndrimin konsistent duke realizuar ato për çka jemi pajtuar. Parimi kryesor që na udhëheq është bindja se dialogu mund të ndihmoj për të transformuar marrëdhëniet armiqësore në marrëdhënie paqësore fqinjësore, për të cilën faktor qenësor është njohja e ndërsjellë mes dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë/