-Qeveria e Republikës së Kosovës ka paraqitur sot pranë Bashkimit Evropian raportin periodik mbi gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit mes Prishtinws e Beogradit: Qeveria e Kosovës ka qenë dhe mbetet një palë konstruktive dhe serioze në dialog. Ne kemi bërë çdo përpjekje të mundshme në arritjen e marrëveshjeve dhe qëndrimin konsistent duke realizuar ato për çka jemi pajtuar. Parimi kryesor që na udhëheq është bindja se dialogu mund të ndihmoj për të transformuar marrëdhëniet armiqësore në marrëdhënie paqësore fqinjësore, për të cilën faktor qenësor është njohja e ndërsjellë mes dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë/
Prishtinë, 25 nëntor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/
Qeveria e Republikës së Kosovës ka paraqitur sot pranë Bashkimit Evropian raportin periodik mbi gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit, i cili përfshinë periudhën nga 16 qershori deri më 25 nëntor të vitit 2016. Ky raport paraqet vlerësimin zyrtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi progresin dhe sfidat në procesin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Dialogun e Brukselit. Raporti është i nënshkruar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, njëherësh Kryenegociatore në Dialogun e Brukselit.
Në përmbledhjen ekzekutive të këtij raporti ndër të tjerash thuhet:Qeveria e Republikës së Kosovës ka paraqitur rregullisht raportet e vlerësimit mbi zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nga viti 2011 kur ka filluar ky dialog. Ky është raport i dytë me radhë për këtë vit kalendarik. Qëllimi ynë është që të ofrojmë pikëpamjet dhe rekomandimet tona se si të bëhet ky dialog më i suksesshëm. Ne gjithmonë besojmë se ‘fjalët duhet të përcillen me veprime’. Për këtë arsye ne konsiderojmë se zbatimi konsekuent dhe efektiv i marrëveshjeve nga të gjitha palët është me rëndësi për të pasur sukses.Qeveria e Republikës së Kosovës i jep rëndësi të madhe dialogut të lehtësuar nga BE, sepse kjo kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian. Po ashtu, me rëndësi të njëjtë është edhe ndihma që po i ofrohet ri-integrimit të komunitetit serb në sistemin e Kosovës, duke i dhënë fund strukturave paralele të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës.
Performanca konstruktive e Kosovës në Dialogun e Brukselit ka kontribuar në integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Në tetor të vitit 2015, është nënshkruar Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në e cila ka hyrë në fuqi në muajin prill, dhe Kosova filloi zyrtarisht rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE. Kjo është një arritje e madhe e cila konfirmon suksesin e Kosovës në përmbushjen e standardeve të kërkuara evropiane përderisa pranojmë më shumë përgjegjësi dhe motiv më të lartë për të shtyrë përpara reformat evropiane në vendin tonë.Qeveria e Kosovës konsideron se dialogu ka sjell arritje të konsiderueshme duke pasur parasysh se janë arritur dhe zbatuar shumë marrëveshje nga të dyja palët që nga viti 2011 kur filloi ky dialog. Pa dyshim, faktor kyç për të ndihmuar këtë sukses është përfshirja dhe lehtësimi i Bashkimit Evropian/Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm si dhe mbështetja e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe vende tjera të BE-së.Qeveria e Kosovës ka qenë dhe mbetet një palë konstruktive dhe serioze në dialog. Ne kemi bërë çdo përpjekje të mundshme në arritjen e marrëveshjeve dhe qëndrimin konsistent duke realizuar ato për çka jemi pajtuar. Parimi kryesor që na udhëheq është bindja se dialogu mund të ndihmoj për të transformuar marrëdhëniet armiqësore në marrëdhënie paqësore fqinjësore, për të cilën faktor qenësor është njohja e ndërsjellë mes dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë.Megjithatë, procesi i zbatimit të marrëveshjeve të arritura është përballur me vonesa, evazione apo shkelje nga ana e Serbisë. Fenomeni më shqetësues është dualizmi i Serbisë në zbatim që do të thotë se në njërën anë ajo zbaton marrëveshjet dhe në anën tjetër vazhdon të mbështesë strukturat e saj paralele në Kosovë.Kohëve të fundit, pas një viti të bllokadës nga ana e Serbisë, gjendja aktuale sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit është më tepër inkurajuese në këtë periudhë, në krahasim me periudhën e kaluar, e cila tingëllon pesimiste për shkak të ndalimit të zbatimit të marrëveshjeve të rëndësishme që rrjedhin nga pakoja e marrëveshjeve e datës 25 gusht 2015.Pakoja e marrëveshjeve e 25 gushtit 2015 trajtoi katër çështje: telekomin/kodin shtetëror të Kosovës, energjinë/funksionimin e pavarur të KOSTT-it, heqjen e barrikadës nga Ura e Mitrovicës dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.Pas më shumë se një viti, përfundimisht më 14 gusht të vitit 2016 filloi zbatimi me largimin e barrikadës nga ura përderisa rivitalizimi i saj është në progres e sipër dhe pritet të finalizohet më 20 janar 2017. Kjo urë ka qenë një urë e ndarjes që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999 dhe tani më do të jetë si çdo urë tjetër në botë duke shërbyer në lidhjen e njerëzve dhe sigurimin e lëvizjes së plotë të lirë për njerëzit dhe automjetet.Një tjetër marrëveshje që është në proces të zbatimit është marrëveshja për kodin shtetëror të Kosovës. Bazuar në marrëveshjet e rëndësishme, konkluzionet e pajtuara më 13 nëntor 2016 dhe 18 nëntor 2016, Kosovës do t’i ndahet kodi telefonik nga ITU-ja më 15 dhjetor 2016. Kjo gjithashtu do të thotë se Kosova në të njëjtën kohë do të sigurojë një licencë për operim të përkohshëm dhe të kufizuar për telefoninë mobile dhe licencë të plotë për telefoninë fikse për një kompani të re të regjistruar në Kosovë, në pajtim me ligjin e Kosovës. Në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 mbi telekomin dhe me planin e veprimit të vitit 2015, më 3 dhjetor 2016, Serbia do të dërgojë letër tek ITU duke u dakorduar për kodin e thirrjes për Kosovën. Bazuar në këtë marrëveshje, Austria ka aplikuar në ITU për të kërkuar ndarjen e kodit për Kosovën, në janar të këtij viti. Vlen të theksohet se negociatat mbi marrëveshjen e telekomit/kodit shtetëror të Kosovës kanë zgjatur rreth gjashtë vite me shpresë që 15 dhjetori i vitit 2016 do t’i sjellë Kosovës kodin e vet ndërkombëtar të thirrjes.
Nga ana tjetër, Marrëveshja për energjinë e vitit 2013 dhe Plani i Veprimit i vitit 2014, i cili parasheh që sistemi i transmisionit të energjisë së Kosovës (KOSTT) të operojë në mënyrë të pavarur në përputhje me ENTSO-E, mbetet i bllokuar nga Serbia. Marrëveshja e rëndësishme për këtë çështje, si pjesë e pakos së marrëveshjeve të datës 25 gusht 2015, ka bërë të qartë edhe një herë se KOSTT do të veprojë në mënyrë të pavarur. Marrëveshja në mes të KOSTT dhe ENTSO-E (Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit) është arritur më 1 tetor 2015, por zbatimi nuk ka mundur të filloj për shkak të bllokadës nga ana e Serbisë. Ne shpresojmë se progresi i mirë në dy marrëveshjet e përmendura më lartë sinjalizon gatishmërinë e mundshme të palës serbe për zbatimin e kësaj marrëveshje, e cila do t’i japë fund negociatave gjashtë vjeçare për këtë çështje.Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për zbatimin e marrëveshjes mbi Asociacionin, siç kemi treguar në të gjitha marrëveshjet tjera. Procesi i hartimit të statutit do të filloj në Prishtinë menjëherë pasi që Kosova të fitojë kodin e saj telefonik nga ITU, më 15 dhjetor 2016. Ky proces do shkojë paralelisht me heqjen e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë, për të cilat në Bruksel do të filloj punën grupi trepalësh.Marrëveshja për Asociacionin e arritur më 25 gusht 2015 është në përputhje me Ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës ,prandaj Asociacioni nuk do të ketë ndonjë kompetencë ekzekutive dhe nuk do të jetë një shtresë e tretë e qeverisjes në Kosovë. Siç parashihet në pikën 2 të kësaj Marrëveshjeje, kjo marrëveshje është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, kështu që statuti i Asociacionit do të jetë në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 26 dhjetor 2016. Në mënyrë që të shfaq seriozitetin për zbatimin e Asociacionit, në qershor të këtij viti, Kosova ka bërë një hap përpara duke ndryshuar përbërjen e Ekipit Menaxhues të themeluar në vitin 2013, me emërimin e dy anëtarëve të rinj, meqë ish anëtarët kanë kaluar në detyra tjera.Më 14 shtator 2016, u arrit një marrëveshje e rëndësishme për reciprocitetin në targa mes Kosovës dhe Serbisë, duke i dhënë fund targave “të përkohshme – prova” që pala serbe ka aplikuar në mënyrë të njëanshme për targat RKS të Kosovës që nga viti 2011. Kjo marrëveshje e njohur si “Marrëveshjet për kompletimin e zbatimit të Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë të vitit 2011” ka vendosur reciprocitet në targa mes dy shteteve, duke filluar më 15 nëntor 2016 parasheh përfundimin e targave ilegale në 12 muaj, duke filluar nga 17 janari i vitit 2017 dhe zgjat periudhën e targave KS për 5 vjet. Afati i zbatimit është shtyrë për shkak të vonesave të natyrës administrative nga ana e Kosovës.
Në ndërkohë, Kosova ka bërë përparim të dukshëm në zbatimin e marrëveshjeve tjera në fushat e mëposhtme:Në fushën e drejtësisë, Kosova është duke përmbyllur procesin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit për drejtësi. Në pajtim me ligjin e Kosovës, ne po themelojmë një gjykatë themelore dhe një zyrë prokuroriale në rajonin e Mitrovicës, që mbulon shtatë komunat. Ne kemi përfunduar integrimin/rekrutimin e stafit serb gjyqësor, 44 gjyqtarë, 34 prokurorë dhe 148 persona në stafin administrativ. Ka përfunduar provimi i jurisprudencës për 6 kandidatët. Nënshkrimi i deklaratave dhe betimi para Presidentit të Republikës së Kosovë nga ana e stafit të integruar gjyqësor do të realizohet së shpejti. Ndërkohë, pala serbe duhet të ndërpresë mandatin dhe pagat për këta persona si dhe të shfuqizojë strukturat paralele të drejtësisë, duke ndryshuar ligjet e saj përkatëse.
Lidhur me Marrëveshjen për shuarjen e të ashtuquajturës mbrojtje civile (MC), zbatimi është pothuajse i përfunduar. Tashmë është shuar “Mbrojtja Civile”, ndërsa ish pjesëtarët e sajë (483 persona) janë integruar/punësuar në institucionet qendrore të Kosovës (22 institucione dhe agjenci). Aktualisht jemi duke bërë përgatitjet e fundit teknike të zyrave për këto institucione në katër komunat veriore të Kosovës, që do të përfundojnë gjatë këtij dhjetori. Serbia ka ndërprerë pagat për këta persona, ndërsa dorëzimi i hapësirave të MC-së në institucionet e Kosovës po vonon.Kosova ka shënuar progres në krijimin e zyrave të Agjencisë Kosovare të Regjistrimit Civil (ARCK) dhe Gjendjes Civile në katër komunat veriore. Këto zyra do të fillojnë funksionimin në së shpejti për dhënien e dokumenteve të shtetësisë dhe të gjendjes civile për qytetarët në veri, për të cilat kërkesat janë në rritje. Ish stafi administrativ i policisë është duke u integruar/rekrutuar në këto zyra. Trajnimi i stafit të integruar është kryer nga ARCK, ndërsa trajnimi i stafit për zyrat e gjendjes civile do të realizohet. Kosova do të zgjidh çështjen e vlefshmërisë së dokumenteve të vjetra, që do t’i mundësonin qytetarëve të marrin dokumentet e shtetit të Kosovës. Të dyja palët rikonfirmuan zotimet për zbatimin e marrëveshjeve për përfundimin e zbatimit të Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë të vitit 2011, të arritur në Bruksel, më 14 shtator 2016.
Sa i takon Marrëveshjes së IBM (MIK), përkatësisht për ndërtimin e objekteve të përhershme të MIK , Kosova ka bërë përparim të dukshëm në përfundimin e dizajnit final të projekteve në bashkëpunim me BE-në dhe UNOPS-in si partner implementues. Më 14 shtator të vitit 2016, Qeveria e Kosovës aprovoi dizajnët finale të projekteve për vendkalimet kufitare në Merdarë, Bërnjak dhe Mutivodë, për të cilat shteti ynë është pala mikpritëse. Afati i pajtuar për fillimin e punëve ndërtimore në të tri vendkalimet kufitare është paraparë për janar 2017. Ministria për dialog së bashku me institucionet përkatëse qeveritare, zyrën e PSBE-së në Kosovë dhe UNOPS-in janë duke punuar intensivisht në këto projekte, të cilat janë të financuara nga BE-ja.Konstatojmë me shqetësim, se ekzistojnë dy marrëveshje të vitit 2011 të cilat ende janë në pritje të zbatimit. Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave e cila ka ngecur nga Serbia deri në janar të vitit 2016, kur u arrit një marrëveshje me një fushëveprim më të gjerë duke përfshirë diplomat e të gjitha niveleve arsimore, dhe përgatitjet për zbatimin e saj janë në proces e sipër. Marrëveshja për kthimin e dokumenteve kadastrale nga Serbia në Kosovë, ka ngecur nga ana e Kosovës për shkak të vonesave në miratimin e Ligjit për agjencinë teknike për krahasimin dhe verifikimin e dokumenteve kadastrale të kthyera nga Serbia. Kosova ka miratuar Ligjin në prill të këtij viti dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konfirmuar kushtetutshmërinë e saj. Procesi i zbatimit do të filloj së shpejti.
Qeveria e Kosovës vlerëson zhvillimet inkurajuese në procesin e zbatimit gjatë kësaj periudhe, ndërsa bën thirrje për më shumë përparim në të ardhmen. Dëshirojmë të theksojmë se për procesin e zbatimit efektiv, BE-ja mbetet një faktor qenësor për të ndihmuar përshpejtimin dhe sigurimin e një konsistence në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit.
Raporti është publikuar në faqen e internetit të Qeverisë së Kosovës në këtë link: http://www.kryeministri-ks.net/repository/docs/Kosovo_Report_on_State_of_Play_in_implementation_of_the_Brussels_Agreements__25_November_2016.pdf
Me respekt,
Edita Tahiri
Ministre për dialog
Kryenegociatore në dialogun e Brukselit