• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Inauguohet Presidenti i ri Hashim Thaçi

April 8, 2016 by dgreca

-Presdenti Thaçi mori raportin e parë të FSK-së, komandant i përgjishëm i së cilës është. Ishte ky raporti për gatishmërinë e Gardës së Nderit për ceremoni, ku  më pastaj u intonua Himni i Shtetëror i Kosovës/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 8 Prill  2016/ Në Sheshin Skënderbej të Prishtinës, nisi para mesditës ceremonia shtetërore e inaugurimit të Presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi, ku marrin pjesë edhe Presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Ilir Meta  e përfaqësues tjerë të Shqipërisë dhe mëse 1000 të ftuar nga vendi dhe bota.Presidenti i ri Hashim Thaçi, i betuar dje në seancën solemne të Kuvendit ku është zgjedhur në seancë të jashtëzakonshme në 26 shkurt,  dhe Presidentja që ka përfunduar mandatin pesëvjeçar, Atifete Jahjaga, parakalojnë para Gardës së Nderit në shesh, ku është edhe Filharmonia e Kosovës. Simbolika dorëzimit të detyrës Presidentit të ri është një kopje solemne e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dokumentit themeltar të shtetit.

Presdenti Thaçi mori raportin e parë të FSK-së, komandant i përgjishëm i së cilës është. Ishte ky raporti për gatishmërinë e Gardës së Nderit për ceremoni, ku  më pastaj u intonua Himni i Shtetëror i Kosovës.

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, pas betimit Presidenti Thaçi  është shprehur se ky është një moment i krenarisë, i përgjegjësisë dhe i veçantë në jetën tij.

“Karriera ime politike dhe jetësore pasqyron zhvillimet nëpër të cilat ka kaluar Kosova në tre dekadat e fundit. Jam angazhuar në të gjitha proceset që kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Jam i nderuar që jam pjesë udhëheqëse e të gjitha vendimmarrjeve për lirinë, pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit modern të Kosovës. Kosovën bashkërisht e kemi ndryshuar”, ka thënë Thaçi.

Ai ka theksuar se edhe në detyrën e re si President i Republikës do të vazhdojë të angazhohet për një Kosovë të re, demokratike, evropiane dhe multietnike.

 “Të jesh President i Kosovës është nder dhe përgjegjësi e madhe politike, kombëtare dhe kushtetuese”, ka vijuar Thaçi.

Duke folur për pozitën ndërkombëtare të Kosovës, Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova do të punojë në mënyrë edhe më aktive, për t’u bërë anëtare në nismat rajonale, evropiane dhe ato botërore.

Ceremonia e inaugurimit të presidentit të Republikës së Kosovës zhvillohet në hapësirën e dedikuar vetëm për të ftuarit, siç thekson edhe njofimi i dërguar nga Policia, e cila bën të ditur se ka masa të shtuara të sigurisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Pas betimit në Kuvend, Hashim Thaçi ka zhvilluar aktivitetet e para si President i Republikës së Kosovës dhe në mbrëmjen e djeshme ka pritur në Presidencë drejtorët politikë dhe ambasadorët e vendeve të Kuintit, të cilët marrin pjesë edhe në ceremoninë e sotme të inaugurimit.

Përfaqësuesit e shteteve të Kuintit e uruan Presidentin Thaçi për marrjen e detyrës së re dhe i shprehën përkrahje në angazhimin e tij për të përshpejtuar integrimin e Kosovës në NATO dhe BE.

Shtetet e Kuintit u përfaqësuan nga ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee, nga drejtoresha për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë pranë BE-së, Angelina Eichhorst, pastaj nga drejtoresha për Ballkanin Perëndimor dhe për Zgjerim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mcilwham. Gjithashtu, pjesë e këtij takimi ishin edhe i dërguari i posaçëm i MPJ-së gjermane për Evropën Juglindore, Ernst Reichel, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, shefi i zyrës së Bashkimit Evropian për Kosovën, Samuel Zbogar, ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, ambasadorja franceze në Kosovë, Maryse Daviet, si dhe ambasadori italian në Kosovë, Andreas Ferrarese.

Në takim me përfaqësuesit më të lartë të shteteve të Kuintit për rajonin tonë, Presidenti Thaçi theksoi se do të jetë garantues i respektimit të Kushtetutës, funksionimit të institucioneve të shtetit dhe promovues i dialogut ndërpartiak dhe ndëretnik.
“Do të jem garantues i funksionimit të institucioneve të shtetit të Kosovës, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Si president unifikues do të promovojë dialogun ndërpartiak dhe ndëretnik”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se i mirëpret liderët e të gjitha partive politike dhe se do të lehtësojë dialogun dhe komunikimin mes tyre. Presidenti Thaçi theksoi se do të përkrahë fuqizimin e drejtësisë dhe sundimit të së drejtës.

Ndërkohë, sot ka edhe axhenda të tjera takimesh të paralajmëruara. Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan përgjegjës për Çështjet Europiane, Hoyt Yee, në vizitën në Kosovë, pas  pjesëmarrjes nga ora 11:00 në ceremoninë e inaugurimit e pranim-dorëzimit të detyrës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, sipas axhendës së dërguar nga Ambasada e SHBA, do ketë takime të veçanta me kryeministrin Isa Mustafa (ora 13:40), me zëvendëskryeministrin Branimir Stojanoviç (14:30), kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli (15:15) dhe me Presidentin Hashim Thaçi (16:00).

Ndërsa njoftimi i dërguar nga Kuvendi i Kosovës bën të ditur se kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, gjatë ditës së sotme pret në takime të veçanta edhe drejtorin e Divizionit për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Italisë, Andrea Orizio; kryetarin e Kuvendit të Madh Kombëtar të Republikës së Turqisë, İsmail Kahraman; drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerim pranë Ministrisë së Jashtme britanike, Fiona Mcilwham. Takimet zhvillohen para dhe pas ceremonisë së inaugurimit të Presidentit të ri të Kosovës, ku do jenë të gjithë së bashku në Sheshin Skënderbe, në të cilin janë bërë të gjitha përgatitjet për t’i pritur rreth 1000 të ftuar.

***

KUSH ESHTE HASHIM THACI?

Hashim Thaçi – Biografi

Hashim Thaçi është President i Republikës së Kosovës, i zgjedhur më 26 shkurt 2016 në Kuvendin e Kosovës. Detyrën e presidentit e mori më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës.
Para se të bëhej president, Thaçi ka qenë një vit Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme (2014-2015), si dhe Kryeministër i Republikës së Kosovës në dy mandate (2007-2014).
Thaçi ka qenë kryetari i parë i Partisë Demokratike të Kosovës dhe është rizgjedhur vazhdimisht kryetar i partisë, deri më dorëheqjen e tij më 26 shkurt 2016, para se të votohej për President të Kosovës.
Hashim Thaçi ka shpallur Kosovën shtet të pavarur më 17 shkurt 2008, ka udhëhequr ekipin e Kosovës në bisedimet në Rambouillet në shkurt 1999 dhe ka qenë udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve të luftës 1997 – 1999.
Thaçi ishte lideri politik më i votuar në zgjedhjet e 8 qershorit 2014.
Si Kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëhequr dialogun politik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që më 19 prill 2013, rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Për angazhimin e tij për paqe dhe stabilitet, në vitin 2014, Hashim Thaçi është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe nga kongresmenë dhe senatorë amerikan, si dhe nga përfaqësues të Parlamentit Evropian.

Karriera politike
Karriera politike e Hashim Thaçit fillon me angazhimin e tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), lëvizje politike kjo që synonte emancipimin e pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
Si student në Universitetin e Prishtinës, Thaçi u bë lider i Lëvizjes Studentore në periudhën mes viteve 1990 dhe 1993, vite këto kur pushteti i Beogradit mbylli institucionet arsimore universitare në gjuhën shqipe, ndërsa Universiteti i Prishtinës filloi të vepronte jashtë sistemit institucional.
Më 1991, Thaçi zgjidhet prorektor-student i Universitetit të Prishtinës, ku jep kontribut në strukturimin dhe zhvillimin e procesit paralel mësimor universitar.
Hashim Thaçi është njëri ndër themeluesit e organizatës politiko-ushtarake, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Nga viti 1997, Hashim Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë cilësi, ai kryesoi delegacionin e Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambouillet të Francës, nga 6 deri më 22 shkurt 1999.
Pas luftës, Hashim Thaçi ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nga 1999 – 2000.
Hashim Thaçi ka qenë anëtar i Këshillit të Përkohshëm Administrativ (KPA), strukturë kjo e përbashkët qeverisëse e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe klasës politike kosovare, deri më 2001 kur u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pasluftës.
Në tetor të vitit 1999, Hashim Thaçi ishte ndër themeluesit e Partisë së Progresit Demokratik të Kosovës (PPDK). Në kuvendin e parë zgjedhor të partisë, në vitin 2000, partia e ndryshoi emrin në Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa Hashim Thaçi u zgjodh kryetar i saj, post të cilin e mbajti deri më 26 shkurt 2016.
Hashim Thaçi ishte anëtar i Ekipit të Unitetit që përfaqësoi Kosovën në procesin negociator të udhëhequr nga Emisari Special i OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, që negocioi statusin politik të Kosovës, 2005 – 2007.
Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës. Kurse, më 17 shkurt 2008, kryeministri Hashim Thaçi në Kuvendin e Kosovës shpalli Kosovën shtet të pavarur.
Thaçi është kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Përvoja akademike

Hashim Thaçi ka diplomuar në Degën e Historisë në Universitetin e Prishtinës. Studimet post-diplomike në fushën e Historisë së Evropës Juglindore dhe Shkencave Politike i ka bërë në Universitetin e Cyrihut në Zvicër (1996 – 1998).

Të dhëna personale

Thaçi flet gjuhën angleze dhe gjuhën gjermane.
Është i lindur më 24 prill 1968 në fshatin Burojë të Skenderajt.
Jeton në Prishtinë, Kosovë, me gruan Lumnijen dhe djalin Endritin.

 

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, Hashim Thaci, i ri, Inauguohet Presidenti

Kosova e Shqipëria drejt mbledhjes së tretë të përbashkët të dy qeverive

April 7, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në Prishtinë – 7 prill 2016/

-Axhenda e mbledhjes së përbashkët të qeverive të dy shteteve dhe bashkëpunimet Shqipëri-Kosovë, temë diskutimi në takimin sot në Prishtinë të kryeministrave Edi Rama e Isa Mustafa/

 -Kryeministri Rama takoi edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe uroi për përmbylljen e suksesshme të procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës, duke e konsideruar ditën e sotme si historike/

 Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 7 Prill 2016/ Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, mbërriti në Kosovën për të marrë pjesë nesër në ceremoninë shtetërore të inaugurimit të Presidentit të ri të Republikës, Hashim Thaçi, ndërsa në një takim sot me kryeministrin Isa Mustafa kanë biseduar për bashkëpunimet dhe axhendën e mbledhjes së tretë të dy qeverive, e cila do mbahet këtë vit, pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014 dhe të dytës në Tiranë në 23 mars 2015.Kryeministri Mustafa dhe kryeministri Rama vlerësuar rezultatet pozitive që janë arritur deri më tani në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve duke shprehur përkushtimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit.

“Ishte kënaqësi për këtë vizitë 24 orëshe në Prishtinë, e cila sigurisht lidhet me domosdoshmërinë për të nderuar Presidentin e ri, nesër në ceremoninë e inaugurimit, ta nisnim me këtë bashkëbisedim miqësor me kryeministrin, dhe të diskutonim mbi axhendën e mbledhjes së ardhshme të dy qeverive, bazuar në faktin që kemi një dakordësi të plotë, sepse këtë na e japin shifrat dhe provat, që ky proces i bashkëqeverisjes së problemeve dhe çështjeve të interesit të përbashkët na ka dhënë rezultate shumë të mira”, theksoi kryeministri Rama në konferencën për shtyp pas takimit, ku ishte edhe korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli.

Mjafton, vijoi kryeministri shqiptar, të shohim shifrat e shkëmbimeve tregtare dhe të eksportit në të dy anët e kufirit, për të kuptuar jo vetëm se sa shumë është bërë së bashku, por edhe se çfarë potenciali të madh ka, sepse ka ende probleme për t’u adresuar dhe çështje për t’u zgjidhur, në mënyrë që kjo hapësirë të jetë një hapësirë e lirë shkëmbimesh dhe një hapësirë ku përmes këtyre shkëmbimeve arrihet mirëqenia e popullit tonë në të dy anët.

“Nga ana tjetër, është me rëndësi të theksoj që ne përgatitemi për etapën e tretë të Procesit të Berlinit, që do të na çoj së bashku edhe me kryeministrat e rajonit këtë vit në Paris dhe jam shumë krenar që historia e suksesit në procesin e mbledhjeve të dy qeverive, është një arsye që ne të nxisim së bashku një proces më të gjerë rajonal për heqjen e barrierave jotarifore dhe për lehtësimin maksimal të shkëmbimeve mes njerëzve, mallrave, në mënyrë që të rrisim maksimalisht hapësirën e të gjitha sipërmarrjeve shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe në rajon”, tha kryeministri shqiptar Rama.

 Kryeministri kosovar Isa Mustafa tha se, kishte kënaqësi të veçantë që sot të takohej me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin biseduan lidhur me shumë çështje.

“Vlerësuam bashkëpunimin tonë vëllazëror, por edhe bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë si dhe bashkëpunimin ekonomik.

Vlerësuam, po ashtu, se kemi arritur mjaft në implementimin e marrëveshjeve të cilat i kemi nënshkruar vitin e kaluar dhe marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar edhe në takimin e parë në Prizren, pastaj në takimin në Tiranë në shumë fusha, në fushën e ekonomisë, në fushën e arsimit, në fushën e shkencës, në fushën e kulturës, në fushën e bashkëpunimit tregtar”, u shpreh kryeministri kosovar.

Mustafa theksoi se, do të vazhdojmë me takime të përbashkëta të dy qeverive dhe do të punojmë bashkërisht në përgatitjen e takimit të ardhshëm, në të cilin do të bëjmë një vlerësim të punëve të deritanishme, por edhe të aktiviteteve të cilat ne kemi interes t’i zhvillojmë si aktivitete të përbashkëta sepse vlerësojmë se bashkëpunimi me Shqipërinë është i interesit të veçantë për Republikën e Kosovës.

Edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Rama, vlerësuan lart marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë, duke i konsideruar ato model për shtetet e tjera në rajon dhe më gjerë. Megjithatë, të dy bashkëbiseduesit shtruan nevojën e një bashkëpunimi më të thellë në të gjithë lëmenjtë, si dhe në kapërcimin e sfidave të përbashkëta në rrugën e integrimeve euro-atlantike, thekson njoftimi dërguar nga Kuvendi.

Gjatë takimit u shkëmbyen informacione dhe ide për zhvillimet e përgjithshme politike e ekonomike në Shqipëri e Kosovë.

Në këtë funksion, kryeministri Rama uroi kryetarin Veseli për përmbylljen e suksesshme të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës së Kosovës nga ana e Kuvendit, duke e konsideruar ditën e sotme si historike.

Kryetari Veseli, nga ana e tij, falënderoi kreun e Qeverisë së Shqipërisë për mbështetjen e pakursyer të politikës shqiptare dhe në veçanti të qeverisë së drejtuar nga ai, ndaj Kosovës, si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në ofrimin e përvojave për konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe procesin e integrimit evropian.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, pritet të ketë edhe takimin e parë me Hashim Thaçin si President i Republikës së Kosovës, ndërsa priten edhe takime të tjera.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, dy qeverite, Shqiperi Kosove

Kosova me President të ri – Hashim Thaçi sot dha betimin, nesër inaugurohet

April 7, 2016 by dgreca

-Ligji për Presidentin e Republikës së Kosovës në “Neni 5 Mandati dhe Betimi” përcakton edhe tekstin e betimit:Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia/

Nga Behlul Jashari/PRISHTINË, 7 Prill 2016/ “Betimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, Hashim Thaçi”, ishte në axhendën e seancës soleme të Kuvendit kosovar, sot nga ora 11:00.

Ashtu siç është e paraparë me Ligjin për Presidentin dhe Kushtetutën e vendit, presidenti i zgjedhur i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, e cila u mbajt sot nën kryesimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka dhënë betimin para deputetëve.

Ligji për Presidentin e Republikës së Kosovës në “Neni 5 Mandati dhe Betimi” përcakton edhe tekstin e betimit.

“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia”, u shpreh Thaçi gjatë betimit në Kuvend.

Për të përcjellë nga afër këtë akt, pas të cilit presidenti i ri i vendit do të fillojë mandatin e tij, në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delaëie, si dhe shumë ambasadorë të tjerë të shteteve mike.

E pranishme gjatë zhvillimeve të kësaj mbledhjeje ishte edhe presidentja në largim, Atifete Jahjaga.

Nuk ishin të pranishëm deputetët opozitarë, VV, AAK dhe Nisma.

Mbledhja filloi me ceremoninë e betimit, e më pas është intonuar himni shtetëror.

Pas kësaj, presidenti i ri i vendit, Thaçi, të pranishmëve u është drejtuar me një fjalë përshëndetëse, për mes së cilës shpalosi objektivat dhe përqendrimin në punën e tij gjatë mandatit.

Me këtë rast, Presidenti Thaçi tha: “Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, sot është një moment i veçantë në jetën time. Moment i krenarisë dhe përgjegjësisë. Karriera ime politike dhe jetësore pasqyron zhvillimet nëpër të cilat ka kaluar Kosova në tri dekadat e fundit”.

 Jam angazhuar, tha ai në vijim, në të gjitha proceset që kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Duke shprehur konsideratën e tij për të gjithë ata që u flijuan për lirinë e vendit, Presidenti Thaçi, me këtë rast theksoi e vlerësoi sakrificën legjendare të komandantit Adem Jashari, si dhe kontributin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Presidenti i ri i Kosovës foli më pas edhe për aspiratat e vendit, duke nënvizuar përpjekjen për integrimin në strukturat evropiane dhe në NATO.

Ai foli po ashtu edhe për dialogun me Serbinë, të cilin e konsideroi si të pa alternativë, duke theksuar se, “të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, por, nuk do ta përsërisim”.

Presidenti Thaçi u zotua se do të luaj rol unifikues për arritjen e konsensusit të spektrit politik dhe të qytetarëve, ndërsa u shpreh i lumtur se Kosova është shndërruar në faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Ai vlerësoi lart edhe faktin se Kosova është rreshtuar në Bllokun Antiterrorist në botë.

Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti i ri i vendit Thaçi, tha:

“Në angazhimet e mia do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, traditën e mirë të qytetarisë, kriteret dhe vlerat euro-atlantike. Gjithmonë do të nisem nga oferta ime për dialog politik ndërpartiak, për komunikim me shoqërinë civile, me mediat, biznesin dhe me iniciativat e lira. Do të ruaj, kultivoj dhe përfaqësoj unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”.

Në fund, kreu i Kuvedit, Kadri Veseli, duke i uruar suksese dhe punë të mbarë Presidentit Thaçi, ai po ashtu, falënderoi Presidenten në largim, Atifete Jahjaga, për kontributin e deritanishëm në rolin e saj si Presidente.

Presidentja në fund të mandatit, Atifete Jahjaga, e zgjedhur në krye të shtetit në 7 prill 2011, e para Presidente Republike në Kosovë e në vendet fqinje,  detyrën ia dorëzon Presidentit të ri të zgjedhur, Hashim Thaçi, i cili do të inaugurohet me një ceremoni në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, në 8 prill, pas betimit sot në Kuvend, ku u votua nga deputetët në 26 shkurt 2016.

Sipas Ligjit për Presidentin, “Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës”.

 Poashtu  me Ligj përcaktohet: “Mandati i Presidentit është pesë (5) vjet. Ky mandat nuk ndërlidhet dhe nuk është i përputhshëm me mandatin e institucioneve të tjera” dhe “pas përfundimit të mandatit të parë, Presidenti mund të rizgjidhet vetëm edhe për një mandat”.

Hashim Thaçi merr detyrën si Presidenti i pestë i Kosovës së lirë nga qershori 1999 – afër 17 vite. Nga katër paraardhësit,  i pari ishte Presidenti historik Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiu, pastaj Behgjet Pacolli që qëndroi vetëm një muaj në këtë post, si dhe Presidentja në përfundim të mandatit Atifete Jahjaga.

Kuvendi i Kosovës, i përbërjes aktuale, është konstituuar plot gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014 – në 8 dhjetor, ndërsa të nesërmen ka zgjedhur qeverinë e Kosovës, të koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe komunitetet pakicë.

Në dokumentin e marrëveshjes së koalicionit, të 8 dhjetorit 2014,  sipas së cilës postin e kryeministrit e mori kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, theksohej se, “për pozitën e Presidentit të Republikës së Kosovës do të votohet kandidati i propozuar nga PDK-ja, pas përfundimit të mandatit aktual në përputhje me Kushtetutën – Hashim Thaçi”.

Marrëveshja përcaktonte edhe se, deri në zgjedhjen President Thaçi do ta udhëheqë politikën e jashtme për më shumë se një vit, duke qenë zv/kryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës.

Thaçi ka dhënë dorëheqje nga këto dy funksione në qeveri, si dhe nga kryetari i PDK-së, partisë që e themeloi në tetor të vitit të parë të lirisë 1999 dhe e udhëheqte deri në shkurt 2016,  pasi Kushtetuta prcakton se, “pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike”.

Në qeverinë e Kosovës, e cila zhvilloi dje mbledhjen e 83-të, të 16-tën në vitin 2016, së shpejti pritet të emërohen zëvendëskryeministri dhe ministri Punëve të Jashtme, të cilat poste i mbante presidenti i zgjedhur.

Më parë, gjatë karrierës politike, Hashim Thaçi ishte i zgjedhur tre herë kryeministër i Kosovës. Thaçi u zgjodh kryeministër i Kosovës në 9 janar 2008, pas fitores së PDK-së në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, dhe u rizgjodh pas fitores së dytë në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010, të cilat ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008, të njohur deri tani nga 111 shtete anëtare të OKB-së.
Nga marsi 1999 deri në janar të vitit 2000, Thaçi ishte kryeministër i qeverisë së përkohshme të Kosovës (Qeverisë së Unitetit).

Në 12 dhjetor 2014, kryeministri Hashim Thaçi i dorëzoi detyrën kryeministrit të sapozgjedhur, Isa Mustafa, me të cilin nënshkruan marrëveshjen për bashkëqeverisje të Kosovës, duke dhënë kështu edhe mesazhin si dy liderë të partive më të mëdha kosovare se, rivaliteti politik edhe kur është më i madhi i mundshëm nuk është armiqësi dhe përtej interesave partiake edhe mund t’i bëjë bashkë për interesat madhore të shtetit, kombit e të ardhmes zhvillimore dhe euroatlantike.

Edhe pse zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit 2014 ishin të parakohshme, kryeministri Hashim Thaçi përmbushi të plotë mandatin e dytë, që është katërvjeçar, pasi zgjedhjet e jashtëzakonshme ishin mbajtur pikërisht para katër viteve, në 12 dhjetor 2010.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, PDK, tre herë fituese e zgjedhjeve, para koalicionit të tanishëm me LDK ishte edhe dy herë të tjera në koalicion-bashkëqeverisje me këtë parti, si dhe me AKR-në, por asnjëherë deri tash nuk e kishte Presidentin në ndarjen e posteve.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Hashim Thaci, presidenti, sot dha betimin

Shqipëra në Eurovision, për gjithë shqiptarët

April 6, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli-Behlul Jashari: Përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovision Eneda Tarifa,  me drejtorin përgjishëm të Radio Televizionit Shqiptar, Martin Leka, e drejtorin e përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala, në konferencë shtypi, 6 prill 2016 -Prishtinë/

 -Eneda Tarifa me këngën “Përrallë” është fituesja e Festivalit të 54-ët të Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa në Eurovision do të performojë në natën e dytë, në 12 maj 2016. Sot në Prishtinë foli edhe për Gazetën DIELLI/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Prill 2016/ Kënga e Shqipërisë  në Eurovision do ketë zërin e përfaqësimit të gjithë shqiptarëve edhe në Kosovë e trojet tjera etnike, edhe në diasporë – në Evropë, SHBA dhe kudo në botë, tha sot Eneda  Tarifa, në një konferencë shtypi në Prishtinë, duke theksuar pritjet për mbështetjen e gjithë kombit.

“Të shpresojmë që ai tre minutëshi i artë që ka Shqipëria në Eurovision të jetë në favor dhe me shkëlqimin e suksesit”, u shpreh përfaqësuesje shqiptare në Eurovision në konferencën për shtyp, ku është përgjigjur edhe në interesimet e korrespondentit në Kosovë të Gazetës Dielli.

“Kësaj here do të na duhet shumë më tepër ndihma e bashkatdhetarëve tanë kudo që ndodhen dhe do e kemi besoj. Do të mundohem të japë maksimumin tim që përfaqësimi të jetë dinjitoz”, u shpreh Tarifa.

Para Festivalit Eurosong që do të mbahet në Stokholm, Suedi, përfaqësuesja e Shqipërisë Eneda  Tarifa,  si dhe  drejtori i përgjishëm i Radio Televizionit Shqiptar- RTSH, Martin Leka, e drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës – RTK, Mentor Shala, kanë folur në një konferencë shtypi në kryeqytetin kosovar.

 “Ne do të bëjmë më të mirën e mundëshme për të gjithë shqiptarët, të votojnë këngën tonë”, thekoi Lekaj. Ndërsa, Shala paralajmëroi se, “këtë vit do të vendoset se a do mund Kosova të jetë pjesëmarrëse vitin e ardhshëm në Eurovizion”.

 U bë e ditur se, këngëtarja Eneda Tarifa që paraqitet në festivalin më të madh të këngës në Evropë, Eurovision, do jetë së bashku në skenë me tre këngëtarë bekvokalistë, nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Eneda Tarifa me këngën “Përrallë” është fituesja e Festivalit të 54-ët të Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa në Eurovision do të performojë në natën e dytë të këtij festivali në 12 maj 2016.

 Bashkë me Shqipërinë në të njëjtën gjysëmfinale do të këndojnë edhe Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Maqedonia, Serbia, dhe për herë të parë do të jetë edhe Australia.

 37 shtete do të garojnë në dy gjysmëfinalet e datës 10 dhe 12 maj, dhe vetem 10 prej dy gjysëmfinaleve do të kalojnë në natën finale ku do t’i shtohen edhe 5 shtetet që automatikisht kalojnë në finale Gjermania, Spanja, Italia, Franca dhe Britania e Madhe si dhe mikpritësi i festivalit që këtë vit është Suedia.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, për gjithë shqiptarët, Shqipëra në Eurovision

Kosova me President të ri – Jahjaga përfundon mandatin, Thaçi betohet nesër

April 6, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: 6 Prill 2016-Sheshi Skënderbeu në Prishtinë bëhet gati për ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi/

 -Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në fund të mandatit, mesazhe për zhvillim ekonomik/

-Axhenda e seancës së nesërme solemne të Kuvendit ka vetëm një pikë: Betimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, Hashim Thaçi/

-Në qeverinë e Kosovës, e cila zhvilloi sot mbledhjen e 83-të, të 16-tën në vitin 2016, së shpejti pritet të emërohen zëvendëskryeministri dhe ministri Punëve të Jashtme/

Nga Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 6 Prill 2016/ Në Kosovë, zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm është i arritshëm vetëm nëpërmes një politikëbërjeje dhe planifikimi afatgjatë, tha sot presidentja e Republikës drejt përfundimit të mandatit, Atifete Jahjaga.“Strategjitë zhvillimore qeveritare duhet të konceptohen në bashkëpunim të ngushtë e të vazhdueshëm edhe me komunat, duke i inkurajuar ato që të jenë akterë të përhershëm edhe në zbatimin e këtyre strategjive. Një koordinim dhe bashkëpunim më i fuqishëm në mes të qeverisë dhe komunave është i domosdoshëm”, u shpreh Jahjaga duke theksuar mesazhet për zhvillimin ekonomik.

Në konferencën “Zhvillimi ekonomik lokal”, të organizuar në bashkëpunim me presidenten Atifete Jahjaga, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, tha se, qeveria e Kosovës do të mbështes fuqishëm komunat në sferën ekonomike dhe reformat lokale. Në takim ishin të pranishëm kryetarë të komunave dhe përfaqësues të odave ekonomike në Kosovë.

“Ky takim i organizuar me iniciativën e presidentes Jahjaga ka për synim pasqyrimin e vlerësimeve nga komunat dhe bizneset për realizimin e synimeve zhvillimore dhe për përmbushjen e pritjeve të qytetarëve”, theksoi kryeministri Mustafa.

Kreu i qeverisë kosovare ka falënderuar presidenten për angazhimin, punën pesëvjeçare, kontributin në stabilitetin e brendshëm dhe në afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe po ashtu për kontributin të cilin do ta jap në të ardhmen.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga axhendën zyrtare të ditës së sotme, të fundit të plotë të mandatit pesëvjeçar, e përmbyllë pasdite edhe me një fjalim para studentëve në vizitën Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku ka përfunduar studimet në vitin 2000. Ndërsa dje drejt përfundimit të mandatit nderoi me mirënjohje një numër institucionesh dhe individësh.

Presidentja Jahjaga, e zgjedhur në krye të shtetit në 7 prill 2011, e para Presidente Republike në Kosovë e në vendet fqinje,  detyrën ia dorëzon Presidentit të ri të zgjedhur, Hashim Thaçi, i cili do të inaugurohet me një ceremoni në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, në 8 prill, pas betimit nesër në Kuvend, ku u votua nga deputetët në 26 shkurt 2016.

Ligji për Presidentin e Republikës së Kosovës në “Neni 5 Mandati dhe Betimi” përcakton edhe cili do jetë teksti i betimit:

“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia”.

Sipas ligjit, “Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës”.

 Poashtu përcaktohet: “Mandati i Presidentit është pesë (5) vjet. Ky mandat nuk ndërlidhet dhe nuk është i përputhshëm me mandatin e institucioneve të tjera” dhe “pas përfundimit të mandatit të parë, Presidenti mund të rizgjidhet vetëm edhe për një mandat”.

Hashim Thaçi merr detyrën si Presidenti i pestë i Kosovës së lirë nga qershori 1999 – afër 17 vite. Nga katër paraardhësit,  i pari ishte Presidenti historik Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiu, pastaj Behgjet Pacolli që qëndroi vetëm një muaj në këtë post, si dhe Presidentja në përfundim të mandatit Atifete Jahjaga.

Betimi i Presidentit të Republikës, është pika e vetme në axhendën e seancës së Kuvendit të Kosovës, e cila do jetë solemne dhe do zhvillohet nesër në orën 11:00.

“Betimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, Hashim Thaçi“, është axhenda se seancës së nesërme solemne, bën të ditur njoftimi i dërguar sot nga Kuvendi.

Kuvendi i Kosovës, i përbërjes aktuale, është konstituuar plot gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014 – në 8 dhjetor, ndërsa të nesërmen ka zgjedhur qeverinë e Kosovës, të koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe komunitetet pakicë.

Në dokumentin e marrëveshjes së koalicionit, të 8 dhjetorit 2014,  sipas së cilës postin e kryeministrit e mori kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, theksohej se, “për pozitën e Presidentit të Republikës së Kosovës do të votohet kandidati i propozuar nga PDK-ja, pas përfundimit të mandatit aktual në përputhje me Kushtetutën – Hashim Thaçi”.

Marrëveshja përcaktonte edhe se, deri në zgjedhjen President Thaçi do ta udhëheqë politikën e jashtme për më shumë se një vit, duke qenë zv/kryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës.

Thaçi ka dhënë dorëheqje nga këto dy funksione në qeveri, si dhe nga kryetari i PDK-së, partisë që e themeloi në tetor të vitit të parë të lirisë 1999 dhe e udhëheqte deri në shkurt 2016,  pasi Kushtetuta prcakton edhe se, “pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike”.

Në qeverinë e Kosovës, e cila zhvilloi sot mbledhjen e 83-të, të 16-tën në vitin 2016, së shpejti pritet të emërohen zëvendëskryeministri dhe ministri Punëve të Jashtme.

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve për kompensimin e dëmeve nga vërshimet, propozimin për anëtarë të Komisionit Kosovarë të Konkurrencës dhe vendime për shpronësimin e pronave të paluajtshme për interes publik.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Kosova me President të ri - Jahjaga përfundon mandatin, Thaçi betohet nesër

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 180
  • 181
  • 182
  • 183
  • 184
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT