• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mustafa: Kosova, sukses i kosovarëve me aleatët

February 16, 2016 by dgreca

 -Kryeministri Isa Mustafa: Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. Populli ynë thotë: “Shtëpi me tym, pa idhnim nuk ka”. Në fakt është çuar shumë tym. Por, reja e atij tymi do të largohet shpejt/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Shkurt  2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në pritjen zyrtare me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë, të organizuar së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Para të pranishmëve të shumtë në këtë pritje solemne, kryeministri Mustafa tha se 17 shkurti i vitit 2008 është ditëlindja e shtetit tonë.
“Është kurorëzimi i aspiratës së kosovarëve të çliruar me sakrificë sublime të mijëra dëshmorëve e martirëve e i angazhimit të veprimtarëve të shumtë. Është kurorëzim i veprës së Ibrahim Rugovës, i Luftës së UÇK-së dhe i mbështetjes së NATO-s. Është shpagimi i kontributit të secilit qytetar të Kosovës”, tha kryeministri.Më tej, kryeministri Mustafa theksoi se Republika e Kosovës është rrëfim i përbashkët i suksesit të kosovarëve dhe aleatëve të tyre. “Secili qytetar i Republikës së Kosovës, do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë dhe të gjitha shteteve tjera të Bashkimit Evropian e vendeve tjera që e mbështetën dhe po e mbështesin Kosovën në rrugëtimin e saj. Kjo mbështetje është garanci se Kosova ka të ardhmen e saj”, tha kryeministri Isa Mustafa.  Ndëkohë që opozita ka paralajmëruar për nesër protestë në Prishtinë, lidhur me zhvillimet në skenën politike kryeministri kosovar tha se, ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. “Populli ynë thotë: ‘Shtëpi me tym, pa idhnim nuk ka’. Në fakt është çuar shumë tym. Por, reja e atij tymi do të largohet shpejt”, u shpreh Mustafa. Sepse, vijoi ai, shteti nuk do t’i dorëzohet dhunës dhe inateve të askujt. “Ne kemi vendosur rregullat demokratike, ligjet dhe Kushtetutën e shtetit tonë. Vetëm ato do të jenë udhërrëfyes për Kosovën. Sepse kështu ne e mbrojmë Republikën, e bëjmë atë partnere të denjë të aleatëve dhe aspirante për t’u bërë pjesë e familjes euro-atlantike”, theksoi kryeministri Mustafa.

 FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT ISA MUSTAFA, NË PRITJE: 

Ndjehem i nderuar t’u drejtohem sonte, në vigjilje të 8 vjetorit të shpalljes së Kosovës-shtet i pavarur dhe sovran.
17 shkurti i vitit 2008 është ditëlindja e shtetit tonë. Është kurorëzimi i aspiratës së kosovarëve të çliruar me sakrificë sublime të mijëra dëshmorëve e martirëve e i angazhimit të veprimtarëve të shumtë. Është kurorëzim i veprës së Ibrahim Rugovës, i Luftës së UÇK-së dhe i mbështetjes së NATO-s. Është shpagimi i kontributit të secilit qytetar të Kosovës.
Të dashur miq,
17 shkurti i vitit 2008 është, po ashtu, dëshmia më e freksët e ngadhnjimit të parimeve universale të drejtësisë. Duke e ndihmuar për çlirim, duke e mbështetur për rindërtim e pavarësim, Ju jeni shndërruar në miq të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Kosovarët janë të paktë në numër. Por, kanë zemër bujare dhe janë popull fisnik. Tek populli i Kosovës, Ju do të gjeni përgjithmonë aleatin besnik dhe partnerin mirënjohës e të përjetshëm.
Zonja dhe Zotërinj,
Republika e Kosovës është rrëfim i përbashkët i suksesit të kosovarëve dhe aleatëve të tyre. Secili qytetar i Republikës së Kosovës, do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë dhe të gjitha shteteve tjera të Bashkimit Evropian e vendeve tjera që e mbështetën dhe po e mbështesin Kosovën në rrugëtimin e saj. Kjo mbështetje është garanci se Kosova ka të ardhmen e saj.
Zonja dhe zotërinj,
Këto 8 vjet, ne kemi demonstruar përkushtim për ta bërë Kosovën një vend të denjë për të jetuar. Kemi dëshmuar përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe jemi përpjekur të njohim e zbatojmë obligimet tona ndaj fqinjëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Tashmë, Republika e Kosovës i ka bërë të vetat vlerat e lirisë dhe të demokracisë. Këto vlera nuk mund t’i rrënojë askush, sepse ato mbrohen nga qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ne do të kultivojmë fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet.
Ne i njohim edhe ngecjet e dëshmtimet që na kanë përcjellë në këto 8 vjet pavarësi dhe gati 17 vjet liri. Sonte dua t’u siguroj se kosovarët nuk e meritojnë dhe jam i bindur se nuk do ta tolerojnë mbisundimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ashtu sikurse, jam i bindur që qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës do t’i mundin tendencat e infiltrimit të rrymave radikaliste,  ekstremiste dhe terroriste, të cilat synojnë ta rrënojnë tolerancën dhe bashkëjetesën tonë tradicionale.
Të nderuar të pranishëm,
Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. Populli ynë thotë: “Shtëpi me tym, pa idhnim nuk ka”. Në fakt është çuar shumë tym. Por, reja e atij tymi do të largohet shpejt. Sepse shteti nuk do t’i dorëzohet dhunës dhe inateve të askujt. Ne kemi vendosur rregullat demokratike, ligjet dhe Kushtetutën e shtetit tonë. Vetëm ato do të jenë udhërrëfyes për Kosovën. Sepse kështu ne e mbrojmë Republikën, e bëjmë atë partnere të denjë të aleatëve dhe aspirante për t’u bërë pjesë e familjes euro-atlantike.
Të dashur miq,
Siç e dini, Ekonomia është shtylla kryesore e programit tonë qeverisës. Unë vij këtu para jush, vetëm një ditë pasi që së bashku me Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, lansuam Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, duke cilësuar kapitalin njerëzor, sundimin e ligjit, infrastrukturën dhe konkurrueshmërinë si shtylla të zhvillimit ekonomik të Kosovës në pesë vitet e ardhshme.
Kemi bërë reforma të qëndrueshme fiskale dhe jemi duke e zbatuar një strukturim buxhetor,  të bazuar në kursime, rritje të inkasimit dhe luftimit të ekonomisë joformale.
Të nderuar të pranishëm,
Në Qeveri jemi të vetëdijshëm se lufta kundër papunësisë nuk është e lehtë dhe e shpejt. Për këtë arsye ne kemi identifikuar sektorin e bujqësisë si potencial i madh për rritjen e prodhimit vendor dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Kemi nënshkruar marrëveshjen për investimin më të madh privat paslufte në Kosovë, ndërtimin e TC Kosova e Re me partner nga SHBA, ndodhemi në fazën finale të dhënies me koncesion të Brezovicës një konsorciumi francez dhe po punojmë për të ardhmen afatgjate të Trepçës. Kemi përgatitur bazën ligjore për tërheqje të investimeve të huaja direkte.
Të nderuar të pranishëm,
Viti që shkoi është historik sa i përket marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimit Evropian, pasi që kemi nënshkruar marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian- Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Por, po ashtu,  është vit në të cilin për herë të parë Kosova përfshihet për tu financuar nga Korporata e Sfidave të Mileniumit, të SHBA, duke përmbushur kriteret e kësaj organizate prestigjioze.
Kosova ka arritur që ta ulë gati në zero emigrimin ilegal dhe ne tani ndodhemi në fazën finale të marrjes së rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave.
Edhe nga ky përvjetor ju ftoj të vazhdojmë ta shohim Kosovën si projekt të suksesshëm të kosovarëve dhe miqve të tyre. Një shtet ku qytetarët e saj realizojnë nevojat dhe aspiratat e tyre, ku diversiteti kulturor, gjuhësor e etnik është pasuri dhe urë lidhëse e bashkëpunimit me vendet fqinje dhe e integrimit në familjen evropiane. Vend në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, me aleatët, Mustafa: Kosova, sukses i kosovarëve

Kosovë, në panair prezantohen mbi 500 vende të reja pune

February 15, 2016 by dgreca

– Duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë panair, kryeministri Mustafa shprehu nevojën e zhvillimit të Kosovës/
Prishtinë, 15 shkurt 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në hapjen e Panairit të Punës të organizuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare.
Në këtë panair u prezantuan mbi 500 vende të reja pune.
Pas vizitës së zhvilluar te kompanitë dhe bizneset pjesëmarrëse në panair, kryeministri Mustafa e ka quajtur shumë të vlefshme këtë ngjarje.
“Kemi një numër të konsiderueshëm të bizneseve sot, do të jenë ndërmjet 40-50 biznese nga Kosova dhe llogarisim që ofertat e punës të cilat sot do të bashkërenditen këtu me ata që kërkojnë punë, do të jenë mbi 500 të tilla në fusha të ndryshme, që është një mundësi e veçantë për të rinjtë tanë për punësim brenda. Por, natyrisht kemi edhe shansin e atyre që dëshirojnë që përkohësisht të punësohen jashtë, që të shprehin nevojat dhe kërkesat e tyre”, tha kryeministri Mustafa
Duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë panair, kryeministri Mustafa shprehu nevojën e zhvillimit të Kosovës.
“Kemi nevojë të hapim vende të reja të punës, të bëjmë progres në zhvillimin ekonomik, të kemi një bashkëpunim shumë më të afërt me odat ekonomike të cilat po tregohen shumë aktive dhe shumë të orientuara në këtë proces, dhe të arrijmë që të plotësojmë kërkesat e qytetarëve tanë, sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik dhe në hapjen e vendeve të reja të punës”, tha kryeministri Mustafa.
Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës ka ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë këtë mundësi nëse janë në kërkim të një vendi të punës.
“E tha edhe kryeministri mjaftë mirë, që ofrohen mbi 500 vende të punës vetëm brenda territorit të Kosovës , dhe një numër tjetër i vendeve të punës, qindra sosh, të cilat ofrohen nëpër shtetet e jashtme. Meqenëse ne gjithmonë e konsiderojmë rininë si njërin prej aseteve kryesore për zhvillimin ekonomik të këtij vendi, atëherë natyrisht që promovojmë punësimin brenda Kosovës. Është një moment i mirë që në përvjetorin e 8 të Pavarësisë së Kosovës të promovojmë edhe mundësi punësimi, edhe mundësi shprese në të njëjtën kohë”, tha Zeka./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, në panair prezantohen mbi 500, të reja pune, vende

Kosovë- Ja si si do të organizohen festimet e 8 vjetorit të Pavarësisë

February 15, 2016 by dgreca

-Prej sot, deri në 17 shkurt, në të gjitha ambasadat e Republikës së Kosovës organizohen pritje për korin diplomatik, zyrtarë shtetesh, si dhe personalitete të rëndësishme të shteteve përkatëse/
-Kosova këtë javë, pranverë në dimër/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Shkurt 2016/ Në Kosovë këtë javë ka shumë organizime aktivitetesh për festimet e 17 Shkurtit, ditës historike kur në vitin 2008 në Kuvendin e saj shpalli Pavarësinë. Këshilli Organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, i themeluar nga qeveria, ka bërë të ditur për Gazetën Dielli axhendën e manifestimeve.
Prej sot, deri në 17 shkurt, në të gjitha ambasadat e Republikës së Kosovës organizohen pritje për korin diplomatik, zyrtarë shtetesh, si dhe personalitete të rëndësishme të shteteve përkatëse.
Sot, 15 shkurt, nga ora 10:00 zhvillohet ceremonia e dhënies së çmimeve letrare në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në ora 11:00, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Amerikane në Kosovë dhe Odën Gjermano- Kosovare, organizon panairin e punës në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, në Prishtinë.
Po në këtë Pallat, nga ora 17:00, Federata e Futbollit të Kosovës, organizon turneun tradicional në Futsal.
Në ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, jepet shfaqja mysafire “Zemra e Huaj” nga Teatri i Sarajevës. Regjia, Dino Mustafiq.
Në 16 shkurt, ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat do t’i kushtohet Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Në orën 19:00, Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës organizojnë pritje për korin diplomatik dhe përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe mbahet koncert festiv i Filarmonisë së Kosovës.
Në ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, do të paraqitet Ansambli i Këngëve dhe Valleve TOBI nga Tirana.
Në 17 shkurt 2016, në ora 10.00, në Prishtinë, sipas vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës do të bëhet parakalimi i kuadrateve të FSK-së dhe njësive të Policisë së Kosovës. Parakalimi përcillet edhe me aktivitete të tjera akrobatike të kadetëve në shesh si dhe nga bendi muzikor i FSK-së.
Në ora 10:00, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” hap ekspozitën e librit “Kosova në Udhën e Pavarësisë”.
Homazhe, në orën 11:00, në Prishtinë, i bëhen Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova, ndërsa në orën 12:00 Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të rënëve të tjerë të familjes Jashari në Prekaz.
Në orën 12:00, Ansambli Shota do të defilojë në Prishtinë në sheshet Zahir Pajaziti, Nënë Tereza dhe Ibrahim Rugova.
Në ora 20:00, Baleti Kombëtar i Kosovës në Teatrin Kombëtar shfaq baletin “Dasma” me regji e koreografi të Mehmet Ballkan.
Në komunat e Kosovës:
Në orën 09:00 bëhen homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe tek shtatoret e heronjve të Kosovës;
Autoritetet komunale bëjnë vizita në familjet e dëshmorëve;
Komunat ndërmarrin aktivitete për dekorimin e rrugëve, parqeve dhe shesheve për datat 15-17 shkurt 2016 me flamuj. Bëjnë edhe dekorimin e shesheve dhe rrugëve me logo të 8 vjetorit të Pavarësisë;
Më 17 shkurt 2016, në ora 10:00, kuvendet komunale mbajnë mbledhje solemne me mysafirë të ftuar;
Nga 11 shkurti deri më 17 shkurt, shkollat organizojnë ekspozita me punimet e nxënësve lidhur me përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës;
Komunat ndajnë mirënjohje dhe dekorata për personalitete të vlerësuara komunale në shenjë të 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës;
Manifestime të ndryshme sportive dhe kulturore në varësi të mundësive të komunave.
Po në 17 shkurt, delegacionet e larta të institucioneve të Republikës së Kosovës: Presidenca, Kuvendi i Kosovës, Kabineti Qeveritar, do të bëjnë homazhe tek varrezat dhe përmendoret e dëshmorëve.
FSK do të angazhojë pjesëtarët e saj tek varrezat dhe komplekset e dëshmorëve.
Në 19 shkurt, në ora 13:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, do të dekorojë me medalje personalitete të shquara.
Protokolli i Shtetit është në dispozicion për të mbështetur të gjitha aktivitetet dhe ceremonitë shtetërore.
Këshilli Organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës thekson se axhenda mund të jetë subjekt i ndryshimeve.
Tradicionalisht, në çdo 17 shkurt ka edhe koncerte dhe njerëzi në festë mbushin sheshet dhe rrugët me defilime për Lirinë dhe Pavarësinë, për të shprehur edhe falënderimin e mirënjohjen e përjetëshme për të gjithë kontribuesit në botë.
Në këto ditë festimesh, sipas Institutit Hidrometeorologjik, në Kosovë do mbajë mot pranvere në dimër.

—

Koha- Kosova këtë javë, pranverë në dimër/
PRISHTINË, 15 Shkurt 2016/ Kosova këtë javë, gjatë pesë ditëve, do të jetë nën ndikimin e masave të ngrohta të ajrit me origjinë nga jugperendimi, me temperatura pranverore, minimalet 4 deri 7, kurse maksimalet 17 deri19 gradë celcius.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në njoftimin e dërguar thekson se, të hënë në pjesën e parë të ditës do të fryjë erë herë-herë me vrull nga drejtimi i jugperendimit me shpejtësi mbi 15 metra në sekondë, do të ketë reshje shiu vetëm në jug dhe jugperendim të vendit, kurse të martën dhe të mërkuren sipas imazheve satelitore dhe situatës sinoptike parashihet të mbajë mot kryesisht me diell.
Nga dita e enjëte do të ketë vranësira të dendura, pasdite vende-vende reshje shiu, të cilat do të vazhdojnë edhe të premten. Era do ta ndërroj kahun nga jugperendimi në drejtim të veriut dhe verilindjes dhe do ndikojë edhe në uljen e temperaturave./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, festimi i pavaresise, Ja si do te realizohet

Çmimi kombëtar “Azem Shkreli”, shkrimtarit Arif Demollit

February 15, 2016 by dgreca

– Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka ndarë Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” për shkrimtarin e mirënjohur Arif Demolli: Uroj që të shkruaj edhe gjatë, që edhe gjatë të kemi vepra të tij/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Shkurt 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka ndarë Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” për shkrimtarin e mirënjohur Arif Demolli, në një ceremoni të veçantë me rastin e ndarjes së çmimeve letrare për veprat më të mira, aktivitet ky i organizuar në kuadër të axhendës zyrtare të manifestimeve për shënimin e 8-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, kryeministri Mustafa shprehu kënaqësinë e tij që ndau shpërblime për veprat të cilat po e bëjnë historinë e letërsisë shqipe në Kosovë.
“Mund të jem pak subjektiv sepse ne kemi qenë shokw klase, kemi kryer tetë vite bashkë në shkollën ‘Emin Duraku’ në Prishtinë. Natyrisht që Arifi nuk ka qenë vetëm nxënës në shkollë, ka qenë shkrimtar, që nga viti i parë i shkollës fillore, ka qenë njeri prej të cilit kemi mësuar shumë. Është njeri i cili ka një krijimtari të mrekullueshme, që ka siguruar gëzimin e fëmijëve dhe ka krijuar gjuhën e fëmijëve që s’e kanë bërë tjerët, prandaj ka shumë merita. Ka shumë më shumë merita se sa që mund t’i japim ne sot përmes çmimit kombëtar për veprën e tij jetësore. Unë e uroj për këtë. Uroj që të shkruaj edhe gjatë, që edhe gjatë të kemi vepra të tij, dhe që të bashkëjetojmë në frymën që ai ka krijuar të një gjuhe të thjeshtë, shumë të kuptueshme, dhe të një veprimtarie tepër të çmueshme për ne në Kosovë por edhe jashtë Kosove”, tha kryeministri Mustafa.
Nga ana e tij, laureati i shpërblimit më të rëndësishëm në letërsi, Arif Demolli, shprehu dëshirën që ky çmim të jetë motivim për veprat e ardhshme.
“Vetë edhe formulimi për vepër jetësore, pak më tingëllon si trishtueshëm, sikur erdh tek një pikë, sikur ka marrë fund gjithçka. Mirëpo unë besoj, kam dëshirë, dhe uroj të gjithë ata që e kanë fituar këtë çmim dhe do ta marrin, që kjo pikë të bëhet presje, dhe jeta të na vazhdoj dhe të krijojmë diçka të re”, theksoi Demolli.
Çmimet letrare u vlerësuan nga një juri profesionale e kryesuar nga Anton Berisha dhe me anëtarë Musa Ramadani, Nerimane Kamberi, Xhevat Syla dhe Agron Y. Gashi.
Të njëjtët vendosën që çmimin për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku”, t’ia ndajnë sivjet autorit Rexhep Murtez Shala, për veprën “Anonim Profan Wor(l)d, Neokultura”, çmimin për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja”, poetes Ervina Halili për veprën “Amuletë”.
Për veprën “Lahuta…e Fishtës (Gjuhë dhe Stil)”, autori Xhavit Beqiri fitoi çmimin për kritikë letrare “Ibrahim Rugova”.
Për veprën “Danfante, heshtja e poetit është një akt terrorist”, Fadil Bajraj u nderua me çmimin për veprën e përkthyer në gjuhën shqipe ose anasjelltas “Pjetër Bogdani”.
Ndërsa, pos mortum krijuesi Abdullah Thaçi u nderuar me çmimin letrar për veprën më të mirë për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj” për librin “Kalaja e Fjalës”.

Filed Under: Kulture Tagged With: Arif Demollit, Behlul Jashari, Çmimi kombëtar “Azem Shkreli”, shkrimtarit

Kosovë-“Zemrat e huaja: traktati teatral i kufirit”

February 15, 2016 by dgreca

– Në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, shfaqja “Zemrat e huaja: traktati teatral i kufirit”, trajton çështjen e vizave. Theks i veçantë – marrëdhenieve në mes të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës/
PRISHTINË, 15 Shkurt 2016-B.Jashari Në Teatrin Kombëtar në Prishtinë sot në mbrëmje do jetë premiera e shfaqjes “Zemrat e huaja: traktati teatral i kufirit”, e cila është pjesë e axhendës së Këshillit Organizativ, të themeluar nga qeveria e Kosovës, për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Shfaqja është punuar nga regjisori i famshëm boshnjak Dino Mustafić, me iniciativë dhe përkrahje financiare nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS dhe Fondi për Shoqëri të Hapur – Bosnje e Hercegovinë.
Shfaqja “Zemrat e huaja: traktati teatral i kufirit”, trajton çështjen e vizave, që për shumë njerëz do të thotë liri dhe mundësi për tu njohur me kultura të ndryshme. Theks i veçantë i ipet marrëdhenieve në mes të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, pasi që ky shtet ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe procedura e marrjes së një vize është shumë e lodhshme, dhe në shumë raste edhe e pamundur. Shfaqja, me tekst të Biljana Srbljanović, është punuar në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe boshnjake me aktorët Alban Ukaj, Adriana Matoshi, Armend Smajli, Jusuf Brkić dhe Jelena Kordić Kuret.
Për më tepër se një vit, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS dhe Fondi për Shoqëri të Hapur – Bosnje e Hercegovinë kanë ndërmarrë disa iniciativa që për qëllim kanë liberalizimin e vizave në mes të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës. Përveç takimeve zyrtare, pjesë e projektit janë edhe takimet e avokimit me palët kyçe të interest, akterët vendimmarrës në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi, si dhe shfaqja “Zemrat e huaja: traktati teatral i kufirit”, e cila premierën do ta ketë sonte në Prishtinë. Ndërsa, në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjes e Hercegovinës, premiera e saj është dhënë në 6 janar 2016.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, kosova, teatri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 188
  • 189
  • 190
  • 191
  • 192
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT