-Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi takon përfaqësuesit e ish-punëtorëve të Fabrikës së Gypave të Ferizajt/
PRISHTINË, 5 Shkurt 2016-B.Jashari/ Ish-punëtorët e Fabrikës së Gypave në Ferizaj sot janë në ditën e 620-të të grevës në një tendë në Sheshin Skenderbeu në Prishtinë, pranë ndërtesës së qeverisë së Kosovë
Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi dhe anëtari i Bordit, Ismail Januzaj, u takuan me përfaqësues të ish-punëtorëve të Fabrikës së Gypave IMK në Ferizaj.
Njoftimi i dërguar nga AKP bën të ditur se, në këtë takim përfaqësuesit e ish-punëtorëve të IMK-së e njoftuan Kryesuesin e Bordit me kërkesat e tyre.
“Kryesuesi i njoftoi përfaqësuesit e ish-punëtorëve që Bordi i Drejtorëve për shkak të kohës mjaft të shkurtër dhe axhendës së ngjeshur nuk ka arritë ende të trajtojë këtë çështje, mirëpo është në proces të njoftimit me rastin dhe se do ta trajtojë me prioritet”, thekson komunikata e AKP.
Ish-punëtorët e Fabrikës së Gypave në një njoftim për media kanë theksuar se kërkojnë zbatimin e vendimit të gjykatave, sipas të cilëve u njihet e drejta e kompensimit për vitet sa kanë qenë të dëbuar nga puna gjatë masave të dhunëshme në vitet e 90-ta të okupimit.
“Kërkesë e jona e vetme është që Bordi i AKP-së të marr vendimin për lejimin e mjeteve të nevojshme për pagesën e borxhit, sipas Udhëzimit të Dhomës së Posaçme të datës 30 maj 2014 dhe datës 13 qershor 2014”, thuhet në njoftimin e ish-punëtorëve .
Sipas ish-punëtorëve të Fabrikës së Gypave, pagat që duhet t’u kompensohen arrijnë vlerën më shumë se 25 milionë euro. 900 punëtorët e fabrikes janë dëbuar nga puna në vitin 1990 ashtu si janë dëbuar shqiptarët nga regjimi okupues serb edhe nga të gjitha ndërmarrjet e institucionet e Kosovës. Gjykata Komunale e Ferizajt në vitin 2002 vendosi që punëtorët kanë të drejtë të kompensohen, ndërsa në vitin 2010 Gjykata Kushtetuese e Kosovës obligoi qeverinë e AKP-në që për largim të padrejtë nga puna t’i dëmshpërblehen punëtorët.
Në procesin e privaizimit të ndërmarrjeve shoqërore, Fabrika e Gypave në Ferizaj është shitur për 3 milionë e 657 mijë euro në vitin 2007.
*Foto Gazeta Dielli: Tenda e greves
Parlamenti Evropian miraton Rezolutë për procesin e integrimit evropian të Kosovës
-Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, falënderon PE-në, për vlerësimin pozitiv për progresin në zbatimin e Udhërrëfyesit për Liberalizim të Vizave, si dhe për thirrjet që të gjitha palët e përfshira të bëjnë veprimet e nevojshme në mënyrë që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave gjatë vitit 2016/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 4 Shkurt 2016/ Parlamenti Evropian miraton Rezolutë për procesin e integrimit evropian të Kosovës. “Në sesionin plenar në Stasburg, sot u miratua rezoluta e Parlamentit Evropian për procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës me 403 vota për, 130 vota kundër dhe 104 abstenime”, deklaroi pak më parë Ministria kosovare e Integrimit.
Deklarata thekson se, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka mirëpritur miratimin e Rezolutës për Kosovën, e cila përmban kërkesa të qarta për përforcimin dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Republikës së Kosovës.
Ai falënderon PE-në, për vlerësimin pozitiv për progresin në zbatimin e Udhërrëfyesit për Liberalizim të Vizave, si dhe për thirrjet që të gjitha palët e përfshira të bëjnë veprimet e nevojshme në mënyrë që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave gjatë vitit 2016.
“Shpreh mirënjohjen time të lartë për Parlamentin Evropian i cili e ka shprehur qartë edhe një herë gatishmërinë e vet për t’i dhënë pëlqimin e vet propozimit eventual nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, si dhe ka ftuar Komisionin Evropian që të bëjë një gjë të tillë sa më shpejtë. Për më tepër, e çmoj shumë rëndësinë që ky institucion i jep nevojës për intensifikimin e kontakteve ndër-njerëzore ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe atyre të shteteve të BE-në”, vlerëson ministri Çollaku.
Parlamenti Evropian i ka dhënë vëmendje meritore nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA-së) si një hap i rëndësishëm i integrimit evropian të Kosovës dhe mekanizëm i fuqishëm në zbatimin reformave.
Ndërsa, edhe kësaj radhe sipas ministrit Çollaku, përmes kësaj Rezolute është dhënë porosi e qartë për njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e pesë shteteve të BE-së që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, duke thënë se kjo do të ndikojë në forcimin e stabilitetit në rajon dhe do të ngritë kredibilitetin e BE-së.
Kosovë – AKP me Bordin e ri, në axhendë edhe Trepçën
-Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i udhëhequr nga kryesuesi Petrit Gashi, mori vendim që të formojë Komisionin për analizën preliminare të kërkesave kreditore si dhe Komisionin për përgatitjen e termave të referencës për studimin e fizibilitetit për Trepçën me orientime strategjike për zhvillimin e kësaj ndërmarrje/
-Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja në 30 dhjetor 2008: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 3 Shkurt 2016/ Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i udhëhequr nga kryesuesi Petrit Gashi, në dinamikën e vazhdueshme të punës, diskutoi për një numër çështjesh të përcaktuara me axhendë. Sot bëhet e ditur se, me konsensus zgjodhi Bajram Zejnullahun zëvendës kryesues Bordi, ndërsa diskutoi lidhur me pozitat vakante në menaxhmentin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe me këtë rast aprovoi komisionin, rregulloren dhe procedurat e rekrutimit të menaxhmentit, si dhe përshkrimet e vendit të punës dhe mori vendim për shpalljen dhe publikimin e konkursit për pozitat vakante të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit menaxhues.
Bordi u informua edhe për zhvillimet lidhur me ndërmarrjen Trepça dhe kërkesat ligjore rreth riorganizimit dhe afatit ligjor për dorëzimin e Planit të riorganizimit. Bordi mori vendim që të formojë Komisionin për analizën preliminare të kërkesave kreditore si dhe Komisionin për përgatitjen e termave të referencës për studimin e fizibilitetit për Trepçën me orientime strategjike për zhvillimin e kësaj ndërmarrje.
Më tutje, në mbledhje, Bordi diskutoi për zhvillimet lidhur me punën e aktivitetet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe shqyrtoi Raportin Vjetor të Punës për vitin 2014. Vendosi që ky raport t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas kërkesave të Ligjit mbi Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Poashtu, Bordi shqyrtoi raportet e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për periudhën deri në 31 nëntor 2015.
Bordi diskutoi edhe për procesin e privatizimit dhe të likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, sfidat dhe nevojat e Agjencisë dhe me këtë rast emëroi disa komisionie. Bordi diskutoi dhe miratoi emërimin e anëtarëve të Komitetit të Auditimit dhe zgjati mandatin e Komisionit për Shitjen e Banesave në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore tek palët me të drejtë të shfrytëzimit.
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) nisi vitin 2016 me Bordin e Drejtorëve, të ri, të munguar në 2015-tën. Për Agjencinë Kosovare të Privatizimit emërimi i Bordit të Drejtorëve të saj në fundin e seancës përmbyllëse të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës dhe konstituimi i këtij Bordi në ditën e fundit të vitit 2015 është një ngjarje e rëndësishme dhe e pritur gjatë.
“Gjatë vitit 2015 Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka realizuar asnjë shitje të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore për shkak të mungesës së Bordit të Drejtorëve”, ka theksuar në konferencën vjetore për shtyp Avni Jashari, ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit menaxhues të kësaj Agjencie, e cila në mungesë Bordi kishte mbetur pa drejtor menaxhues.
Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në 31 dhjetor, pak orë para ardhjes së Vitit të Ri 2016, ka mbajtur mbledhjen e parë, konstituive, të udhëhequr nga Petrit Gashi, kryesues i Bordit, ku u diskutua për një varg çështjesh të përcaktuara me axhendë bazuar në mandatin ligjor të Agjencisë.
Për vitin 2016, menaxhmenti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka përcaktuar 20 objektiva kryesore të punës, të cilat ka paralajmëruar se do të bëhen të ditura pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve.
Në kuadër të procesit të ligjshëm të privatizimit pritet e kërkohet edhe ridalja e gazetës së përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në Prizren para 71 vitesh, në 12 shkurt 1945. Gazeta historike e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur detyrimisht me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK para 14 vitesh në 21 shkurt 2002. Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.
Prishtinë, përmbyllet konferenca ndërkombëtare “Germia Hill”
-Tema e konferencës ishte Siguria në Evropën Juglindore në kontekst të sfidave më të gjera rajonale. “Germia Hill” synon që të ndihmojë Kosovën në promovimin e axhendës së integrimit në NATO, duke e përfshirë në debatet e rëmdësishme të sigurisë rajonale/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 3 Shkurt 2016/ Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës,Skender Hyseni, mori pjesë në përmbylljen e konferencës ndërkombëtare “Germia Hill”, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, së bashku me institutin me renome botërore, Aspen Institute.
Konferenca e tretë ndërkombëtare “Germia Hill”, këtë vit është fokusuar në çështjet e sigurisë.
Me këtë rast, ministri Skender Hyseni tha se Ministria e Punëve të Brendshme është e përkushtuar për një ambient të qetë dhe të sigurt në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Ai tha se MPB është e fokusuar në luftimin, parandalimin e radikalizmit të shoqërisë kosovare, me synim parësor ndalimin dhe parandalimin e terrorizmit dhe ekstremizmin me premisa dhune, që në faza të caktuara të zhvillimit shndërrohet në veprime të dhunshme që marrin format e akteve makabre terroriste.
Gjatë fjalimit të tij në këtë konferencë ndërkombëtare, ministri Skënder Hyseni, është shprehur se krizat dhe konfliktet në Ukrainë dhe në Siri, kanë ndikuar edhe në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
“Është fakt që Kosova për kokë banori ka prodhuar shumë pjesëtarë për luftërat e huaja, mirëpo, tani ne e kemi situatën nën kontroll. Kemi identifikuar gati secilin qytetar që është vrarë në Siri apo që është kthyer nga atje. Do të bëjmë gjithçka që nevojitet që ta mbrojmë vendin nga kjo e keqe”, tha ministri Hyseni.
Ministri Hyseni tha se është detyrim esencial i shoqërive të të gjitha shtresave dhe organizimeve të ndryshme sociale e politike që të bëjnë më shumë në parandalimin e radikalizmit të pjesëtarëve të shoqërisë sonë.
Ndërsa, drejtor ekzekutiv i Institutit Aspen në Gjermani, Ruediger Lentz, tha se për vendin e tij kriza e refugjatëve është më e vështira.
“Kjo po e tregon fytyrën e vërtet të Gjermanisë”, tha Lentz, duke shtuar se Evropa është në rrezik si kurrë më parë.
Konferenca e tretë ndërkombëtare “Germia Hill”, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, së bashku me institutin me renome botërore, Aspen Institute, është hapur mbrëmë në Prishtinë. Konferencën që vazhdoi edhe sot e hapi kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ndëra mori pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli, si dhe përfaqësuesit nga vendet tjera të rajonit.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisë panelin e parë me temë “Sfidat globale dhe rolet e NATO-s dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor”.
Tema e konferencës ishte Siguria në Evropën Juglindore në kontekst të sfidave më të gjera rajonale. “Germia Hill” synon që të ndihmojë Kosovën në promovimin e axhendës së integrimit në NATO, duke e përfshirë në debatet e rëmdësishme të sigurisë rajonale.
Kosova për të ardhmen: Partneritet për Paqe dhe anëtarësim në NATO
Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Konferenca e tretë ndërkombëtare “Germia Hill” në Prishtinë, 2 shkurt 2016
-Në Prishtinë nisi konferenca e tretë ndërkombëtare “Germia Hill”. Konferencën që vazhdon edhe nesër e hapi kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ndëra po marrin pjesë edhe përfaqësuesit nga Shqipëria e vendet tjera të rajonit/
-Në këtë konferencë do të ketë edhe redaktorë dhe gazetarë të shumtë të medieve botërore, si “New York Times”, “The Economist”, “The Times”, “Franfkurter Allgemeine Zeitung”, dhe të shumë shtëpive të tjera mediatike/
– Ndër mediat e akredituara në konferencën e tretë ndërkombëtare “Germia Hill” në Prishtinë është edhe Gazeta DIELLI, me korrespondentin në Kosovë/
Nga Behlul JASHARI/ PRISHTINË, 2 Shkurt 2016/ Është hapur sonte në Prishtinë konferenca e tretë ndërkombëtare “Germia Hill”, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, së bashku me institutin me renome botërore, Aspen Institute. Konferencën që vazhdon edhe nesër e hapi kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ndëra po marrin pjesë edhe përfaqësuesit nga Shqipëria e vendet tjera të rajonit.
Duke iu dëshiruar mirëseardhje në Kosovë të pranishmëve të shumtë në këtë konferencë tradicionale të diplomacisë kosovare, kryeministri Mustafa tha se “Germia Hill” ka për qëllim që të jap kontribut thelbësor për temat që preokupojnë dhe angazhojnë diplomacinë dhe kancelaritë evropiane.
Ndërlidhur me faktin se sivjet më shumë se kurrë fokusi i opinionit ndërkombëtar kanë qenë çështjet e sigurisë, kryeministri Isa Mustafa tha se Kosova është një vend stabil, është vend i paqes, vend i komunikimit dhe bashkëpunimit të ngushtë mes komuniteteve tona, por edhe me fqinjët e saj.
“Kosova kurrë nuk ka qenë më shumë e ndërlidhur me familjen evropiane sesa që është tani. Ne kemi nënshkruar marrëveshjen tonë të parë kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe me këtë Kosova është bërë një faktor i zhvillimit, faktor stabiliteti, faktor i dialogut me fqinjët, kontribuues i sigurisë dhe paqes në Ballkanin Perëndimor”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Ai tha se, edhe kjo konferencë është një kontribut i yni, që nëpërmjet diplomacisë publike të ofrojmë Kosovën si pjesë të zgjidhjes.
“Sivjet presim të bëjmë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, dhe që të na hapen mundësitë që edhe ne të jemi pjesëmarrës në misionet humanitare dhe paqeruajtëse.
Si kryeministër i vendit e kam ftuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Stoltenberg, që të ndërtojmë modalitete edhe më të afërta të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.
Për më larg, për të ardhmen, synimi ynë mbetet Partneriteti për Paqe dhe anëtarësimi në NATO. Dëshiroj në përfundim të theksoj se sfidat tona janë sfida të përbashkëta, prandaj si të tilla ato mund të përballohen me një bashkërenditje dhe punë të përbashkët”, tha kryeministri kosovar Mustafa.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të nisë panelin e parë me temë “Sfidat globale dhe rolet e NATO-s dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor”.
Tema e konferencës është Siguria në Evropën Juglindore në kontekst të sfidave më të gjera rajonale. “Germia Hill” synon që të ndihmojë Kosovën në promovimin e axhendës së integrimit në NATO, duke e përfshirë vendin tonë në debatet e rëmdësishme të sigurisë rajonale.
MPJ kosovare thekson se, kjo është konferenca më e madhe që është organizuar viteve të fundit në Ballkan, ku do të marrin pjesë afro 200 mysafirë nga 40 shtete të ndryshme të botës. Në mesin e të pranishmëve do të jenë personalitete eminente të politikës së jashtme botërore, por edhe gjashtë ministra të jashtëm dhe të mbrojtjes, shumë përfaqësues politikë, redaktorë dhe ekspertë të sigurisë.
Në mesin e folësve kryesorë do të jetë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Maltës, George Vella, i cili do të flasë mbi “Migrimin e parregullt, gjendjen në Libi, si dhe për prioritetet e Maltës në prag të marrjes së kryesimit të presidencës së BE-së”.
Në këtë konferencë do të ketë edhe redaktorë dhe gazetarë të shumtë të medieve botërore, si “New York Times”, “The Economist”, “The Times”, “Franfkurter Allgemeine Zeitung”, dhe të shumë shtëpive të tjera mediatike.
Ndër mediat e akredituara në konferencën e tretë ndërkombëtare “Germia Hill” në Prishtinë është edhe Gazeta DIELLI, me korrespondentin në Kosovë.
Konferenca “Germia Hill” ofron një kornizë për të trajtuar dhe shtjelluar një peisazh të ndërlikuar gjeopolitik nga këndvështrimi i Evropës Juglindore. NATO vazhdon të mbetet aspiratë e vetme për siguri kolektive për Republikën e Kosovës por edhe për shumicën e shteteve të tjera në rajon. Megjithatë, të gjitha vendet e Evropës Juglindore ndajnë të njëjtat shqetësime me pjesën tjetër të Evropës dhe nuk janë imune ndaj sfidave në fushat e politikës së jashtme dhe të sigurisë. E ballafaquar me një konflikt të ri të armatosur në Ukrainë dhe një luftë të përshkallëzuar në Siri, si dhe imigrim dhe rritje të ekstremizmit fetar dhe politik, Evropa Juglindore vazhdon të përballet me sfida të shumta në kontekst të integrimit euroatlantik, veçanërisht për sa i përket implikimeve komplekse gjeopolitike.
***
FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS ISA MUSTAFA NË HAPJE TË KONFERENCËS SË TRETË NDËRKOMBËTARE “GERMIA HILL” NË PRISHTINË
Prishtinë, 2 shkurt 2016/
Të nderuar pjesëmarrës,
Të nderuar zëvendëskryeministra,
I nderuar zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, z. Thaçi, si organizator i këtij tubimi,
Të nderuar ambasadorë që jeni prezentë këtu,
Ekspertë, gazetarë nga mbi 30 shtete që keni ardhur këto ditë në Kosovë në këtë konferencë.
Më lejoni që t’ju dëshiroj mirëseardhjen në Republikën e Kosovës në konferencën tradicionale të diplomacisë tonë të quajtur “Germia Hill”.
Përndryshe, Germia është një pjesë e bukur e Prishtinës, është një frymëmarrje e këtij qytetit, një park rrëzë qytetit, i dashur dhe me shumë vlera për qytetarët e Prishtinës dhe të Kosovës.
Është ky emër identifikues i kësaj konference që e dallon nga shumë konferenca tjera që mbahen këtu dhe në kryeqytetet tjera evropiane.
“Germia Hill” nuk synon të dallohet vetëm nga emri, por është një qëllim i Kosovës që të jap kontribut thelbësor temave që preokupojnë dhe angazhojnë diplomacinë dhe kancelaritë evropiane.
Kemi parë edhe sivjet se më shumë se kurrë fokusi i opinionit ndërkombëtar kanë qenë çështjet e sigurisë.
Kosova është një vend stabil, është vend i paqes, vend i komunikimit dhe bashkëpunimit të ngushtë mes komuniteteve tona, por edhe me fqinjët tanë.
Kosova kurrë nuk ka qenë më shumë e ndërlidhur me familjen evropiane sesa që është tani. Ne kemi nënshkruar marrëveshjen tonë të parë kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe me këtë Kosova është bërë një faktor i zhvillimit, faktor stabiliteti, faktor i dialogut me fqinjët, kontribuues i sigurisë dhe paqes në Ballkanin Perëndimor.
Janë tri fusha ku ne jemi angazhuar në mënyrë specifike dhe po ashtu vërej se në agjendë edhe këto tri fusha janë mbuluar edhe nga panelet e konferencës. Fillimisht çështja e migrimit, është tema që prek në rrënjë debatin politik dhe medial evropian.
Publiku evropian është i brengosur me valën e refugjatëve. Nga takimet dhe bisedat që kam me homologët e mi në Evropë shoh që kjo dukuri ka mundësi të godet drejtpërsëdrejti vlerat tradicionale evropiane dhe të rrezikoj edhe politikat tradicionale mikpritëse evropiane.
Por çdo keqkuptim dhe paragjykim që Kosova të identifikohet me lumenjtë e emigrantëve nga Siria, Iraku e Afganistani është i tepërt dhe është i paqëndrueshëm.
Ne kemi punuar shumë që numri i azilkërkuesve tonë të bie dramatikisht. Edhe krerët e Bashkimit Evropian kanë vlerësuar se puna jonë është bërë me përgjegjësinë më të madhe dhe është vlerësuar lartë, sepse kemi arritur sukses që nga 13 mijë azilkërkues nga Kosova që kanë kërkuar azil përmes Hungarisë në shkurt të vitit të kaluar, numri në dhjetor të vitit që shkoi ka qenë 5 persona.
Pra, nga 13 mijë në vetëm 5 individ, është ky rezultat që mund të them se është i thellë që e kemi arritur duke thyer rrjetet e trafikantëve, duke informuar qytetarët tanë rreth pamundësisë që kosovarët të marrin azil në vendet e Bashkimit Evropian, duke punuar me shtetet anëtare që të bëjmë riatdhesimin e atyre që kishin migruar.
Dhe kështu arritëm që vitin e kaluar t’i riatdhesojmë rreth 20 mijë kosovarë.Ajo që neve na brengos është se vetëm qytetarët aktualisht janë të izoluar nga mundësia e qarkullimit të lirë në vendet e Bashkimit Evropian për shkak të regjimit të vizave.
Ndërkaq kemi punuar shumë që të përmbushim kriteret dhe besojmë se Bashkimi Evropian së shpejti do të merr vendim për të rekomanduar liberalizimin e vizave për vendin tonë, në mënyrë që qytetarët tanë të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen.
Aspekti i dytë ku Republika e Kosovës është angazhuar në mënyrë domethënëse, është luftimi i terrorizmit dhe radikalizmit. Sekretari i Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, theksoi se ne jemi liderë në rajon në ndërmarrjen e shumë masave për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit dhe terrorizmit. Sipas shërbimeve tona, numri i kosovarëve në konfliktet në Siri dhe Irak ka rënë nga rreth 300 sa do të kenë qarkulluar andej e këndej gjatë viteve të fundit, në më pak se 70 vetë, që mund të gjinden tani atje.
Janë arrestuar shumë avokues të ISIS-it, janë thyer rrjetet e rekrutimit, janë mbyllur shumë OJQ që e kanë keqpërdorur Kosovën për objektiva radikale, dhe janë marrë masa ligjore ndaj fondeve që dyshohet se janë përdorur për këto aktivitete. Qytetarët e Kosovës nuk e harrojnë për asnjë moment përkrahjen dhe solidarizimin e komunitetit ndërkombëtar në kohën kur ata ishin objekt i dhunës, krimit, terrorit dhe shpopullimit. Ne e vlerësojmë lartë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendeve demokratike dhe paqedashëse.
Sondazhet e kryera tregojnë se 98 për qind e kosovarë dëshirojnë të anëtarësimin e Kosovës në NATO. Ne kemi aplikuar edhe për anëtarësim në EUROPOL. Kosovarët kanë përqafuar vlerat evropiane dhe euroatlantike. Jemi shtet sekular, dhe nuk kemi ndërmend të lëshojmë pe në luftën e përditshme ndaj atyre që nuk respektojnë vlerat fundamentale njerëzore.
Kosova është një front evropian, i cili zhvillohet këtu në Prishtinë, dhe nuk mbron vetëm Prishtinën. Nga këtu mbrohet edhe Parisi, edhe Londra edhe Berlini, sepse ne përjetojmë, ndjejmë, kultivojmë dhe mbrojmë vlerat euroatlantike.
Fatmirësisht situata e sigurisë është e përmirësuar dukshëm dhe falë dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, kështu që sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë, gjatë vitit të kaluar ne kemi pasur vetëm 5 incidente ndëretnike, në tërë vitin, në veri të Kosovës.
Zvogëlimi i këtyre incidenteve ndëretnike është vullnet i shqiptarëve, i serbëve, por edhe i komuniteteve tjera, dhe të përfaqësuesve të tjerë.
Aspekti i tretë që po mbulohet në këtë konferencë është edhe ai i konflikteve në Ukrainë dhe në Siri, dhe implikimeve që ka Rusia në zhvillimet në këto zona.
Në pikëpamje të distancës, ne jemi larg këtyre konflikteve, por po ashtu duhet të them se bota nuk është ajo çfarë ka qenë përpara, dhe se çdo zhvillim larg ka implikime edhe në Ballkan.
Historikisht kemi parë që shumë sfida që kemi edhe në Kosovë, por edhe te fqinjët tanë, mund të kenë ndërlidhje me disa tendenca globale destabilizuese. Por ne do t’i rezistojmë këtyre tendencave, duke punuar që Kosova të jetë platformë e dialogut dhe e zgjidhjeve.
Edhe kjo konferencë është një kontribut i yni, që nëpërmjet diplomacisë publike të ofrojmë Kosovën si pjesë të zgjidhjes. Sivjet presim të bëjmë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, dhe që të na hapen mundësitë që edhe ne të jemi pjesëmarrës në misionet humanitare dhe paqeruajtëse.
Si kryeministër i vendit e kam ftuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Stoltenberg, që të ndërtojmë modalitete edhe më të afërta të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.
Për më larg, për të ardhmen, synimi ynë mbetet Partneriteti për Paqe dhe anëtarësimi në NATO. Dëshiroj në përfundim të theksoj se sfidat tona janë sfida të përbashkëta, prandaj si të tilla ato mund të përballohen me një bashkërenditje dhe punë të përbashkët.
Unë ju falënderoj edhe njëherë për pjesëmarrjen tuaj. E uroj Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe institutin prestigjioz Aspen nga Berlini për këtë konferencë të mirëpritur, dhe shfrytëzoj rastin që ta shpalli konferencën e hapur.
Faleminderit shumë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 191
- 192
- 193
- 194
- 195
- …
- 245
- Next Page »