-Prof. dr. Ismet Salihu:Krimi i zhdukjes së personave është një ndër krimet më të rënda të parapara me të drejtën ndërkombëtare dhe me ligjet nacionale/
Nga Behlul Jashari/.-PRISHTINË, 7 Nëntor 2015/ Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat policore, ushtarake dhe paramilitare të Serbisë kanë kryer një numër të madh të krimeve ndaj popullatës civile, kanë vrarë rreth 12 mijë shqiptarë, mijëra i kanë zhdukur e rreth 1 milion i kanë dëbuar. Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në publikimet e tij dëshmon edhe se, në Kosovë janë ende 1229 të pagjetur nga 6027 personat që nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin të zhdukur, të lajmëruar nga familjarët, menjëherë pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999.
Në prezantimin e Monografisë – Personat e zhdukur, të autorëve prof. dr. Ismet Salihu dhe prof. dr. Pajazit Nushi, botimi i së cilës, në dy gjuhë shqip dhe anglisht, u përurua nga Instituti, u theksua se “krimi i zhdukjes së personave është një ndër krimet më të rënda të parapara me të drejtën ndërkombëtare dhe me ligjet nacionale”.
“Ky krim shtë shumë i rëndë jo vetëm për viktimën, por edhe për familjen e tij dhe për tërë komunitetin. Për më tepër, ky krim është dhe më i rëndë se vrasja, sepse humben, zhduken edhe mbetjet mortore”, tha profesor Salihu, drejtor i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. “Në Konventat Evropiane, për të zhdukurit thuhet se viktima të këtij lloj krimi shumë të rëndë nuk janë vetëm personat e zhdukur, por edhe familjarët e tyre”, theksoi ai.
Në Kosovë, sipas studimit që është bërë nga hulumtuesit e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, deri në fund të majit të vitit 2015 janë ende 1229 persona për fatin e të cilëve nuk duhet dhe konisderohen të zhdukur. Ndërsa, sipas bazës së të dhënave të Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, deri në fund të majit 2015 konsiderohen akoma të zhdukur edhe 1653 persona. Dallimi prej 424 personave të zhdukur është nga fakti se, sipas Statutit dhe rregulloreve të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, krime të luftës përfshirë zhdukjet konsiderohen ato që kanë ndodhur deri në 12 qershor 1999 – në ditën e përfundimit të luftës e çlirimit të Kosovës.
Nga 1229 përsonat e zhdukur, 173 janë femra, 1056 meshkuj, 104 janë nën moshën 18 vjeçare, të cilët konsiderohen fëmijë sipas konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit të Kosovës.
Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, i themeluar para katër viteve, këtë javë bëri promovimin e katër botimeve të tij: Sfidat e hulumtimit të krimeve të luftës në Kosovë 1998-1999 / Challenges of researching ëar crimes in Kosovo 1998/1999, Prishtinë, 2013; Prof. Dr. Ismet Salihu – Prof. Dr. Pajazit Nushi, Personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998/99 /Missing persons in Kosova during the ëar 1998/99, Prishtinë, 2015; Prof. Dr. Fejaz Drançolli, Monumentet e shkatërruara në Kosovë 1998/99 /Destroyed monuments in Kosova 1998/99, Prishtinë, 2015; Ilir Ulaj, Vrasjet në Kosovë 1998-1999 (Vëllimi i Parë) / Killings in Kosova 1998-1999” (First volume), Prishtinë, 2015.
Kosova, fokusim te zbatimi i MSA me BE
-Komisioneri i BE-së Hahn në Kosovë, drejt zbatimit të MSA-së: Duhet të fokusohemi te zbatimi i MSA-së. BE do vazhdojë të ketë rol të fuqishëm në përkrahjen e Kosovës.-Presim një raport pozitiv të progresit të Kosovës dhe së shpejti edhe rekomandim nga BE-ja për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.- Axhenda evropiane e Kosovës ka nevojë për një jetë parlamentare normale, sepse kjo është rruga e vetme që të shtyhen përpara aspiratat evropiane të Kosovës./
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Nëntor 2015/ Komisioneri i BE-së për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, sot në Kosovë zhvilloi takime duke nisur me presidenten Atifete Jahjaga dhe në vazhdim me kryeministrin Isa Mustafa, kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe zyrtarë të tjerë përkatës për të diskutuar zbatimin Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe BE-së, të nënshkruar në 27 tetor në Strasburg dhe të ratifikuar në Parlamentin kosovar të hënën e kësaj jave, në 2 nëntor. Pas takimit, Hahn dhe Mustafa mbajtën një konferencë shtypi, ku theksuanan angazhimet drejt zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Komisioneri Hahn paralajmëroi se “brenda dy javësh kryeministri Mustafa do të vijë në Bruksel ku do takohet me presidentin Junker për të forcuar më tutje marrëdhëniet e bashkëpënumit BE- Kosovë” .
“Duhet të fokusohemi te zbatimi i MSA-së. BE do vazhdojë të ketë rol të fuqishëm në përkrahjen e Kosovës. Të mos harrojmë që MSA i jep përkrahje zhvillimit ekonomik”, theksoi Hahn.
Ndërsa, kryeministri Mustafa tha se ne duhet të plotësojmë të gjitha kriteret dhe jemi zotuar që do ta bëjmë.
“Për ne është me rëndësi që në fund të këtij viti të jept rekomandimi për liberalizmin, pastaj është çështje e vendeve të BE kur do të hyjë në fuqi”, u shpreh Mustafa.
Në takimin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, me komisionarin e BE-së për Politikat evropiane të fqinjësisë dhe Negociatave për zgjerim, Johannes Hahn, u bisedua për shumë çështje që kanë të bëjnë më raportet aktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian. Hahn fillimisht përgëzoi institucionet e Kosovës për nënshkrimin e MSA-së, duke theksuar se “kjo marrëveshje gjeneron një potencial të madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës, zgjerimin e marrëdhënieve tregtare të Kosovës me vendet e BE-së dhe stimulim për zhvillimin e mëtutjeshëm të demokracisë në Kosovë”.
Më tutje, Hahn theksoi se presim një raport pozitiv të progresit të Kosovës dhe së shpejti edhe rekomandim nga BE-ja për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Ky është rezultat i përpjekjeve të vetë institucioneve të Kosovës në përmbushjen e standardeve teknike e politike”, theksoi ai.
Nga ana e tij, kryetari Veseli, potencoi faktin se Kosova është shumë e përkushtuar që të ecë më shpejt në proceset e integrimit evropian, për të shtuar se “MSA-ja është një e arritur e rëndësishme, ngase tashmë ne e kemi të qartësuar rrugën e integrimit, por ajo që na duhet është ecja më e shpejtë në të dy drejtimet: ne duhet të ecim më shpejt në rrugën evropiane, dhe kjo varet nga puna jonë”.
“Ne i kemi të qarta obligimet tona, por edhe Bashkimi Evropian duhet të ecë më shpejt në raport me Kosovën dhe qytetarët e saj”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Lidhur me gjendjen e krijuar në Kuvendin e Kosovës, pas veprimeve të partive opozitare, Hahn theksoi se axhenda evropiane e Kosovës ka nevojë për një jetë parlamentare normale, sepse kjo është rruga e vetme që të shtyhen përpara aspiratat evropiane të Kosovës.
“Deputetët janë zgjedhur të punojnë, të nxjerrin ligje, e jo të defunksionalizojnë parlamentin”, theksoi Hahn.
Kryetari Veseli nga ana e tij u shpreh se, “vështirësitë aktuale janë sfiduese por institucionet e vendit, si dhe vetë partitë politike do të gjejnë shtegdalje, sepse të gjithë kemi të njëjtin vizion politik dhe të njëjtat qëllime lidhur me të ardhmen e Republikës së Kosovës”.
Në takim u bisedua edhe për krizën e refugjatëve me të cilën është duke u ballafaquar aktualisht BE-ja dhe bashkëbiseduesit u pajtuan se kjo krizë nuk ka pasur ndikim negativ në proceset nëpër të cilat është duke kaluar Kosova në raport me BE-në.
Në vazhdim Kuvendi kosovar u mblodh në një seancë të veçantë për nder të Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili në ceremoninë e nënshkrimit ka thënë se vërtetë është një arritje e madhe në marrëdhëniet dypalëshe, në veçanti kur është fjala për aspiratat evropiane të Kosovës.
“Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tash është koha për zbatim”, theksonte Hahn.
Të dy seancat e Kuvendit kosovar, e të hënës dhe e sotmja, janë të rëndësishme për “procesin e evropianizimit kuptimplotë” dhe për këtë “përkushtimin e plotë shtetëror dhe institucional të Kosovës dhe me partneritet të plotë me Bashkimin Evropian”, të theksuar nga kryeministri kosovar Isa Mustafa me rastin e nënshkrimit të MSA-së, të vlerësuar ngjarje historike.
Në 27 tetor 2015 kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, kanë nënshkruar në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në ceremoninënë e zhvilluar, Marrëveshja është nënshkruar edhe nga ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku dhe Johannes Hahn, komisioner i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit.
Negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, kanë nisur para dy vitesh, në 28 tetor të vitit 2013.
Kosova dhe Komisioni Evropian kanë vënë inicialet në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit qysh në korrik të vitit 2014.
Procesi i nënshkrimit është ngadalësuar për shkak të mungesës së konsensusit brenda vetë Bashkimit Evropian, përkatësisht mosnjohjes së Kosovës si shtet nga pesë vende të BE-së.
Më vonë, megjithatë, është rënë dakord që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit të mos ratifikohet nga parlamentet e secilit shtet anëtar veç e veç, ashtu siç ka qenë praktika me vendet e tjera.
Në 22 tetor 2015 Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në 24 tetor, nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës u miratua nga qeveria kosovare.
Marrëveshja ka strukturë dhe përmbajtje të njëjtë sikur marrëveshjet e të gjitha vendeve të rajonit dhe përfshinë të gjitha elementet e një bashkëpunimi të plotë politik, ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. MSA, marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përmban 597 faqe, në X tituj, VII anekse dhe 5 protokolle.
Kosova, me pavarësinë e shpallur para 7 viteve, në 17 shkurtin historik 2008, është njohur deri tash nga mëse 110 shtete anëtare të OKB-së. Kosovën, nga shtetet fqinje, vetëm Serbia nuk e ka njohur ende, ndërkohë që nën kryesimin e BE-së e mbështetur nga SHBA, Prishtina e Beogardi kanë zhvilluar në Bruksel 29 raunde të dialogut në nivel të lartë kryeministror dhe kanë arritur disa marrëveshje të rëndësishme në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Komisioneri i BE-së, Hahn në pasditen e mbrëmjen e sotme do ketë një takim të veçantë me përfaaqësuesit e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, zëvendëskryeministrin Branimir Stojanoviç, zëvendëskryetarin e Kuvendit Sllobodan Petroviç, si dhe me liderin e Listës Serbe Sllavko Simiç, në Zyrën e BE-së. Në axhendën e njoftuar nga Zyra e BE-së në Kosovë është edhe vizita e Hahn në Fabrikën për Trajtimin e Ujit në Shipol – në Mitrovicë.
Kosovë, tash pritet interpretimi i Kushtetueses
-Mustafa: Gjykata Kushtetuese, vlerësimin më meritor për asociacionin/
-Tituj të shtypit kosovar: Asociacioni në Kushtetuese, reagon Beogradi. MSA-ja mund të pezullohet nëse nuk zbatohen marrëveshjet me Serbinë. Jemi të vendosur ta ndalim ‘Zajednicën’.A do t’ia dalin shqiptarët ta fitojnë betejën ndaj serbëve, kundër Asociacionit autonom!?/
PRISHTINË, 31 Tetor 2015/ Kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e qeverisë ka përshëndetur dorëzimin e kërkesës nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me dhënien e mendimit për marrëveshjen e asociacionit të komunave më shumicë serbe, të arritur në dialogun me Serbinë, në 25 gusht, në Bruksel.
Kryeministri Mustafa tha se ky hap është përshëndetur nga ai edhe nga zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, edhe në cilësinë e kryetarëve të subjekteve partnere të koalicionit qeveritar.
“Vlerësojmë se është një hap i mirë sepse është Gjykata Kushtetuese ajo që do ta jap vlerësimin më meritor lidhur me atë se a është kjo marrëveshje në harmoni të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës apo jo. Një gjë të tillë ne e kemi paraparë edhe me marrëveshje, që ajo, në të gjitha fazat, të shkojë për mendim në Gjykatën Kushtetuese. Prandaj, kjo nuk paraqet kurrfarë bllokimi ose suprimimi të marrëveshjes sonë që e kemi bërë në Bruksel, por është një prej procedurave në të cilat ne e verifikojmë përshtatshmërinë e kësaj marrëveshje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa dje pasdite në mbledhjen e qeverisë.
“Asociacioni në Kushtetuese, reagon Beogradi”, është një nga titujt e shtypit të sotëm në Prishtinë, pas zhvillimeve të djeshme rreth Asociacionit të komunave serbe në Kosovës – një nga katër marrëveshjet e 25 gushtit 2015 në Bruksel, të raundit të 28-të kryeministror të dialogut me Serbinë.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për interpretimin e përputhshmërinë së parimeve të Asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Presidentja Jahjaga e ka referuar këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke u bazuar në kompetencat e saj kushtetuese për të ngritur çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në komunikatën e Presidencës, citon Zëri.
Ndërkohë, ky vendimi i Jahjagës ka nxitur reagime në Beograd. Qeveria e Aleksandar Vuçiçit ka kërkuar menjëherë ndërhyrjen e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues në bisedimet e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kësisoj, Vuçiç është shprehur se prej Prishtinës gjithçka mund të pritet, dhe në këtë rast, sipas tij, bëhet fjalë për një lajm shumë të keq.
“Mendoj se bëhet fjalë për një sjellje të papritur dhe thënë me fjalët më të buta, sjellje të papërgjegjshme”, ka thënë ai.
Kryeministri serb ka thënë ndër të tjera së në Bruksel është negociuar me muaj dhe janë bërë shumë kompromise, ndërsa pjesa më e madhe e marrëveshjes ka të bëjë me Asociacionin e Komunave Serbe. “Nënshkrimi im në këtë marrëveshje nënkupton diçka. Nënshkrimet e kujtdo qofshin nga Serbia për mua nënkuptojnë diçka, kurse për ta, përfaqësuesit e Prishtinës, nënshkrimet nuk do të thonë asgjë. Ata e morën këtë vendim një ditë pasi që nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit”, është shprehur ai.
Kurse koordinatori i ekipit të Beogradit për AKS-në, Lubomir Mariç, ka deklaruar se duhet të sqarohet nëse është apo nuk është në fuqi marrëveshja për Asociacionin.
“Kjo është çështje e Bashkimit Evropian. Ne duhet të bisedojmë seriozisht me BE-në dhe se qeveria e Serbisë duhet të kërkojë nga Brukselit sqarime konkrete rreth afatit të formimit të Asociacionit dhe të marrë përgjigje se a është suspenduar marrëveshja për këtë Asociacion”, ka thënë ai.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka kërkuar mirëkuptim nga deputetët serbë, duke thënë se bëhet fjalë vetëm për një veprim kushtetues që është nën autoritetin e presidentes. “Shpresoj që Lista Serbe e cila është duke dhënë kontribut në institucionet tona e mirëkupton këtë iniciativë. Kjo është çështje e Kushtetutës të cilës të gjithë ne i bindemi dhe e respektojmë”, ka deklaruar Veseli.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se nëse Gjykata e interpreton këtë marrëveshje në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë ajo nuk do të zbatohet.
Për subjektet opozitare kjo iniciativë nuk do të ndikojë në kundërshtimin e tyre për AKS-në apo siç e quajnë ata “Zajednicës”, shkruan Zëri.
Me titullin, “MSA-ja mund të pezullohet nëse nuk zbatohen marrëveshjet me Serbinë”, Koha Ditore shkrun se, nëpërmjet ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), Kosova zotohet të zbatojë të gjitha marrëveshjet që i ka firmosur deri tash me Serbinë dhe të negociojë me këtë shtet të gjitha çështjet kontestuese.
Tërheqja nga secila marrëveshje ka për pasojë pezullimin e MSA-së nga ana e Bashkimit Evropian.
Këto aspekte trajtohen që në krye të këtij dokumenti 550-faqesh, i firmosur këtë javë në Strasbourg midis autoriteteve kosovare dhe atyre të BE-së.
Projektligji për ratifikimin e MSA-së është aprovuar të premten në mbledhjen e Qeverisë dhe është proceduar për votim në Kuvend. Kuvendi, ndërkaq, e ka vënë në agjendë votimi për të hënën, për kur ka thirrur seancë plenare.
Në nenin 5 të MSA-së theksohet se Kosova zotohet të vazhdojë angazhimin për përmirësimin e dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Serbinë dhe bashkëpunimin efektiv me misionin e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes derisa janë në fuqi, siç përcaktohet më tej në nenin 13, shkruan gazeta.
Ndërsa, “Jemi të vendosur ta ndalim ‘Zajednicën’”, është kryetitulli në ballinën e gazetës Epoka e Re.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se çelësi i stabilizimit politik dhe institucional në Kosovë është në dorën e kryeministrit Isa Mustafa.
Në këtë intervistë për gazetën, ai ka vlerësuar se zgjidhja më e mirë për të gjitha palët është pezullimi i marrëveshjes për ‘Zajednicën’. “E vetmja zgjidhje për kryeministrin, për qeverinë, për opozitën e, para së gjithash, për Kosovën, është pezullimi i marrëveshjes për ‘Zajednicën’, për shkak se kjo marrëveshje është antikushtetuese dhe është kundër interesave të shumicës së qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Selimi.
Ai ka thënë se marrëveshja për “Zajednicën” fare nuk do të duhej të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese meqë, sipas Selimit, kjo gjykatë është në duart e politikës si dhe kredibiliteti i saj nuk është i mjaftueshëm për ta bindur opozitën që t’i besojë.
“Kryeministri i Kosovës kërkon nga ne t’i besojmë një Gjykate Kushtetuese së cilës për një çështje të caktuar nuk i ka besuar ai vetë. Prandaj, Gjykata Kushtetuese është në duart e kryeministrit dhe të politikës. Duke qenë e tillë, fare nuk do të duhej të dërgohej marrëveshja për ‘Zajednicën’ në këtë gjykatë”, ka theksuar ai.
Selimi ka bërë me dije se pas ratifikimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim opozita do të vazhdojë ta bllokojë punën e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se sa më kryeneçe të jetë qeveria, aq më i madh do të jetë reagimi opozitar. “Sa më tepër që të ketë masa represive për ta mposhtur opozitën, aq më tepër do të ketë përshkallëzim. Nuk ka variant të kthimit prapa të opozitës si pasojë e trysnisë nga pozita”, ka deklaruar Selimi.
Po ashtu, ai i ka komentuar edhe reagimet e zyrtarëve serbë për mundësinë e pezullimit të marrëveshjes për “Zajednicën”. Selimi ka thënë se ky reagim do të duhej të ishte një argument shtesë për ta kundërshtuar edhe më shumë marrëveshjen për asociacionin e komunave serbe.
“A do t’ia dalin shqiptarët ta fitojnë betejën ndaj serbëve, kundër Asociacionit autonom!?”, është pyetja në titullin e gazetës Bota Sot, ku theksohet: “Jahjaga i drejtohet Kushtetueses, opozita shprehet skeptike”. /b.j/
Kosovë-BE, drejt ratifikimit të MSA-së
-Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi sot unanimisht Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të nënshkruar me Bashkimin Evropian në 27 tetor në Strasburg dhe e procedoi në Kuvend për seancën e të hënës së 2 nëntorit/
– Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn viziton Kosovën drejt zbatimit të MSA-së/
-Kosovës i hapet një treg prej më shumë se 500 milionë banorësh/
-MSA-ja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka bazë të njëjtë ligjore sikur e të gjitha vendeve të rajonit/
-Në tërësi, MSA-ja do të ndikojë në ristrukturimin e ekonomisë, rritjen ekonomike dhe zvogëlimin e papunësisë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 30 Tetor 2015/ Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike u miratua sot në mbledhjen e paraditës të qeverisë kosovare drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, e cila do mblidhet edhe pasdite.
“Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës në njërën anë dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, në anën tjetër”, ishte në axhendën e mbledhjes së sotme të 55-të të qeverisë së votur në Kuvend në 9 dhjetor, 6 muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare 8 qershorit 2014.
Unanimisht u vendos që Marrëveshja të procedohet në Kuvendin e Kosovës, për seancën e të hënës.
MSA, VULLNET I TË GJITHË QYTETARËVE TË KOSOVËS
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, duke folur për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit tha se kjo është një Marrëveshje tepër e rëndësishme për Kosovën.
“Konsiderojmë se kjo Marrëveshje është shprehje e vullnetit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim feje e etnie, sepse është me interes që të gjithë të përfitojnë nga integrimet evropiane, nga zhvillimi i demokracisë, nga forcimi i shtetit ligjor, nga forcimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve, edhe atyre që janë shumicë, edhe atyre që nuk janë shumicë, të drejtave fetare të tyre”, tha kryeministri kosovar.
Po ashtu, vijoi ai, përfitimet që do t’i kemi në aspektin e zhvillimit ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja, të marrëdhënieve tregtare me vendet e BE-së, sepse na hapet një treg prej më shumë se 500 milionë banorësh, që do të thotë se lypset që ekonomia jonë të jetë e gatshme të zhvillohet dhe të aplikojë në këtë treg”, theksoi kryeministri Mustafa.
Ai falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuuar me punën e tyre në përgatitjet e deritanishme, dhe punët që janë bërë deri në nënshkrimin e Marrëveshjes, përfshirë këtu edhe ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila në kohën sa ishte ministre ka punuar gjatë dhe me përkushtim të madh, pastaj ministrin Bekim Çollaku, si dhe pushtetin lokal i cili ka bërë punën e vet, dhe të gjitha institucionet e tjera të Kosovës.
“Kjo është një simbiozë e punës së përbashkët që e kemi arritur”, u shpreh kryeministri Mustafa, duke njoftuar kabinetin qeveritar se një ditë më parë, bashkë me zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi, ministrin e Integrimeve dhe me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, janë pajtuar që të hënën të mbahet seancë e Kuvendit.
“Ne sot i propozojmë Kuvendit që të hënën ta trajtojë këtë Marrëveshje që do të jetë pikë e vetme e seancës së Kuvendit, në mënyrë që të procedojmë më shpejt dhe të krijojmë kushte që Marrëveshja sa më shpejtë të hyjë në fuqi dhe t’i realizojmë objektiva tona”, tha kryeministri Mustafa.
RËNDËSI POLITIKE, LIGJORE DHE EKONOMIKE E MSA-së
Duke prezantuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian e Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka folur për rëndësinë politike, ligjore dhe ekonomike të MSA-së.
“Nga këndvështrimi politik, MSA-ja ka avancuar marrëdhëniet tona me BE-në nga një marrëdhënie deklarative politike dhe e vullnetit të mirë, në marrëdhënie kontraktuale me të drejta dhe obligime për të dy palët nënshkruese. Si e tillë, MSA-ja është bazament i procesit formal të anëtarësimit tonë në BE. Me nënshkrimin e MSA-së, Kosova ka filluar rrugëtimin e saj zyrtar drejt anëtarësimit në BE. Në kuadër të MSA-së, BE-ja ka marr obligim të realizojë perspektiven evropiane të Kosovës, duke integruar Kosovën në BE, në harmoni me kriteret e Kopenhagës të vitit 1993. Nga këndvështrimi ligjor, MSA-ja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka bazë të njëjtë ligjore sikur të gjitha MSA-të e vendeve të rajonit. MSA-ja është negociuar në bazë të nenit 218 të Traktatit të Funksionimit të Bashkimit Evropian”, tha ministri Çollaku.
Ai po ashtu theksoi se MSA-ja formalizon dialogun institucional me BE-në, do të përafrojë legjislacionin ekzistues dhe legjislacionin e ardhshëm në mënyrë graduale me tërë legjislacionin e BE-së dhe se MSA-ja gjithashtu parasheh thellimin e bashkëpunimit dhe reformat e nevojshme në më shumë se 40 fusha të ndryshme, etj.
Nga këndvështrimi ekonomik, sipas ministrit të Integrimit Evropian, MSA-ja do të këtë një varg të efektesh pozitive.
“Fillimisht, duhet nënvizuar që MSA-ja synon krijimin e zonës së tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe BE-së brenda 10 vite. Nga hyrja në fuqi e MSA-së, do të mundësohet nga një anë qasja e plotë e produkteve të Kosovës në BE dhe nga ana tjetër liberalizimi gradual i tregut të Kosovës për produktet e BE-së. Liberalizimi i tregut ndërmjet Kosovës dhe BE-së do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e konkurrueshmerisë së ekonomisë tonë që do të ofron shërbimet më kualitative, produkte më të mira dhe çmime më të lira për qytetarët”, tha ai.
MSA-ja, vijoi ministri i Integrimit Evropain të Kosovës, do të ofrojë më shumë stabilitet dhe parashikueshmëri për investitorët dhe rrjedhimisht do të kontribuojë në rritjen e investimeve të huaja direkte.
“Në tërësi, MSA-ja do të ndikojë në ristrukturimin e ekonomisë tonë, rritjen ekonomike dhe zvogëlimin e papunësisë”, tha ministri Çollaku në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, sot paradite.
Të hënën, më 2 nëntor, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare, në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Kështu vendosi dje Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetari Kadri Veseli. Ndërsa, seanca plenare e përcaktuar ditë më parë nga Kryesia, për të njëjtën ditë dhe orë, është shtyrë.
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës u zhvillua edhe sot në mesditë, e katërta në katër ditët e fundit.
KOMISIONERI PËR ZGJERIM I BASHKIMIT EVROPIAN, JOHANNES HAHN: TASH ËSHTË KOHA PËR ZBATIM TË MSA-së
Kryetari i Kuvendit Veseli ka njoftuar Kryesinë se më 6 nëntor Kosovën do të vizitojë Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili njëherësh pritet të mbajë një fjalë rasti në Kuvendin e Kosovës.
Në 27 tetor 2015 kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, kanë nënshkruar në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në ceremoninë që u zhvillua në Strasburg, Marrëveshja është nënshkruar edhe nga ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku dhe Johannes Hahn, komisioner i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit.
Kryeministri Isa Mustafa, me atë rast tha se procesi i evropianizimit kuptimplotë të Kosovës, që po fillon sot, do të përcillet me një përkushtim të plotë shtetëror dhe institucional të Kosovës dhe me partneritet të plotë me Bashkimin Evropian.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, tha se është bërë shumë punë nga të dyja anët, dhe është mirë që më në fund u nënshkrua MSA-ja. “Presim që kjo të hyj në fuqi sa më parë që është e mundur. Pas kësaj do të ketë shumë të mira për njerëzit e Kosovës dhe për Bashkimin Evropian, për stabilitetin dhe integrimin e rajonit. Është një moment i mirë”, theksoi ajo.
Komisioneri i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, tha se vërtetë është një arritje e madhe në marrëdhëniet dypalëshe, në veçanti kur është fjala për aspiratat evropiane të Kosovës . “Është një ditë e madhe për të gjithë ne, duke falënderuar ekipet tona, pa të cilat kjo gjë nuk do të ishte arritur. Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tash është koha për zbatim”, u shpreh komisioneri Hahn.
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kryetarët e grupeve parlamentare janë ftuar në një mbledhje të përbashkët edhe për dje në mesditë, të tretën në tre ditë, derisa pritjet ishin që Kuvendi në seancë plenare ta ketë së shpejti në axhendë ratifikimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, të nënshkruar mes Kosovës e Bashkimit Evropain në Strasbourg, dy ditë më parë.
Liderët e opozitës kanë pasur një takim ku megjithë rezervat e shprehura për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të qeverisë së Kosovës me BE-në, se “ajo nuk është e plotë, se ka mundur të negociohej më mirë dhe gjëra të tjera”, është konfirmuar se “opozita nuk do ta bllokojë procesin e votimit për ratifikimin e projektligjit për MSA-në”.
Deri dje, në Kuvendin e Kosovës nuk është renditur në axhendë ratifikimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim, e cila është nënshkruar ndonjë orë pas kohës së mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, ku u përcaktua rendi i ditës për seancën vijuese të hënën, në 2 nëntor, e cila dje u anulua.
Pardje, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen ku ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ndërsa munguan ata të grupeve opozitare, vendosi që dje Kuvendi të mbante mbledhje të veçantë për nder të presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë.
Kosova drejt BE-së, çështje thelbësore
-Kuvendi i Republikës së Kosovës zhvilloi seancë të veçantë për nder të presidentit të Austrisë, Heinz Fischer/
-Lidhjet e shumëfishta miqësore me Austrinë për Kosovën paraqesin një vlerë kombëtare-/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 29 Tetor 2015/ Kuvendi i Republikës së Kosovës zhvilloi sot seancë të veçantë solemne për nder të presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, i cili theksoi se, ndër shtetet e para kemi qenë si Austri që e kemi pranuar shtetin e Kosovës.
“Dhe, në një kohë të mëhershme kemi zhvilluar dhe kontribuar për studimet e ndryshme dhe njohjen e vendit të Kosovës si shtet por edhe për investime në fushën ekonomike, dhe për një zhvillim ekonomik i cili e jep mundësinë për zhvillimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe besoj shumë që kjo do të shërbejë edhe më tej në raportin e mirë dhe miqësor në mes Kosovës dhe Austrisë dhe e cila do të kontribuojë në rend të parë për Kosovën dhe ne si Austri jemi të angazhuar që marrëveshjet të cilat arrihen në fillim të këtij viti, që miku im Ahtisari nga Finlanda ka qenë aktiv në shtetndërtimin tuaj dhe këto marrëveshje të realizohen në mënyrë paqësore dhe të bëhen ashtu siç janë parashikuar”, u shpreh presidenti austriak Fischer.
“Ne do të mundohemi që edhe në vitet e ardhshme të kemi marrëdhënie të mëtejshme, t’i thellojmë dhe intensifikojmë bashkëpunimin ekonomik dhe kjo është një çështje për politikën e jashtme thelbësore si rrugë për të qenë pjesë e BE-së dhe integrimit të saj në Bashkimin Evropian. Pra, është i kuptim plotë se integrimi në Evropë nuk është asgjë tjetër veç se një mësim nga historia”, theksoi Fischer.
“Kisha paraparë 15 minuta të flas dhe të ju drejtohem juve për t’u përgjigjur ftesës tuaj që të shpalosë disa mendime për demokracinë, për pluralizmin dhe Evropën”, u shpreh presidenti austriak.
“Edhe një herë dua të falënderohem përzemërsisht për ftesën tuaj dhe e di që kjo nuk është përditshme dhe këtë e vlerësoj shumë dhe falënderoj shumë për vëmendjen tuaj dhe të Parlamentit në këtë vend, demokracisë së vendit, Qeverisë e po ashtu opozitës çdo të mirë dhe përshëndetemi nga ju me dëshirat më të mira për zonjën presidente dhe të ardhmen e vendit tuaj. Faleminderit!”, ka përfunduar presidenti Fisher, i përcjellë me duartrokitje, sikurse edhe në momentin e hyrjes në sallën e sencave të Kuvendit të Kosovës.
“Në emër të Kuvendit të Kosovës, dua t’i shpreh gjithë mirënjohjen shtetit dhe popullit austriak për ndihmën e vazhdueshme dhënë popullit tonë, në kohë të ndryshme, në rrethana të ndryshme, në ditët e vështira që ne kaluam nga koha e çlirimit deri tek pavarësia”, tha kryeparlamentari kosovar, Kadri veseli, duke iu drejtuar presidentit të Austrisë Heinz Fischer.
“Zotëri President, lidhjet e shumëfishta miqësore që vendi ynë ka me vendin tuaj për ne paraqesin një vlerë kombëtare. Ne do të vazhdojmë t’i kultivojmë këto lidhje në funksion të paqes, stabilitetit, zhvillimit ekonomik dhe demokratizimit të plotë të Ballkanit perëndimor, që tani është në rrugën e përbashkët të integrimit në familjen e madhe të demokracive evropiane”, ka theksuar Veseli, duke i uruar mirëseardhje presidentit Fischer edhe në gjermanisht dhe duke e ftuar që t’i drejtohet Parlamentit të Kosovës.
Ai theksoi se, fjalimi i presidentit austriak “shprehë më se miri frymën e bashkëpunimit në mes dy vendeve tona, shprehë përkushtimin e shtetit austriak për t’i qëndruar pranë vendit tonë, në rrugëtimin e tij të konsolidimit demokratik, zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian”.
Adresimi i Presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ishte pika e vetme e axhendës, ndërsa sot ishte seanca e parë e sesionit vjeshtor pa bllokatën e opozitës së bashkuar të tre partive, e cila është shprehur se adresimi i presidentit austriak është nder për Parlamentin.
Liderët e opozitës kanë pasur një takim ku megjithë rezervat e shprehura për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të qeverisë së Kosovës me BE-në, se “ajo nuk është e plotë, se ka mundur të negociohej më mirë dhe gjëra të tjera”, është konfirmuar se “opozita nuk do ta bllokojë procesin e votimit për ratifikimin e projektligjit për MSA-në”.
Presidenti austrik dje në takim me presidenten kosovare është shprehur se “ne po i vëzhgojmë me interes edhe ngritjen dhe forcimin e sistemit demokratik në Kosovë, bashkëpunimin midis qeverisë dhe opozitës, gjë që në të gjitha demokracitë është një problem, që mund të jetë problem i vështirë dhe në të cilin mund të ketë momente të vështira”.
“Mirëpo, me vullnet të mirë, këto vështirësi mund të tejkalohen. Këtë e kanë kaluar edhe shtete të tjera demokratike. Edhe për Kosovën do të ketë një sistem të mirë dhe solid demokratik dhe një bazë të mirë ligjore, e cila shërben edhe për zgjidhjen e problemeve”, theksoi presidenti Fischer.
Ndërsa, në takim me kryeparlamentarin Kadri Veseli, duke folur për gjendjen aktuale të krijuar në Kuvendin e Kosovës, presidenti Fischer theksoi se, “ne në Austri, sidomos në përvojën shumë të mirë të Republikës së Dytë, pas Luftës së Dytë Botërore, besojmë se problemet dhe çështjet, edhe kur janë të dhimbshme, duhet të trajtohen e zgjidhen në mënyrë paqësore dhe demokratike”.
Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer sot, ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kosovë e nisi me takimin në mëngjes me kryeministrin Isa Mustafa.
Në vazhdim të axhendës, sot, presidenti Fischer dhe presidentja Jahjaga marrin pjesë në Forumin Ekonomik Kosovar-Austriak në Prishtinë dhe vizitojnë Prizrenin, Kishën Katolike dhe Xhaminë e Sinan Pashës në qytetin më të madh jugor të Kosovës.
- « Previous Page
- 1
- …
- 210
- 211
- 212
- 213
- 214
- …
- 245
- Next Page »