-Në 6 nëntor, Kosovën do të vizitojë Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili pritet të mbajë një fjalë rasti në Kuvendin e Kosovës/
-Kryesa e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e tretë në tre ditë, anulohet seanca e caktuar më parë/
-Shtypi: Plani i opozitës për bllokimin e Kuvendit/
-Sot opozita shpalosi dy pankarta gjatë seancës së veçantë për nder të presidentit të Austrisë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 29 Tetor 2015/ Të hënën, më 2 nëntor, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare, në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetari Kadri Veseli.
Ndërsa, seanca plenare e përcaktuar ditë më parë nga Kryesia, për të njëjtën ditë dhe orë, është shtyrë.
Në mbledhjen e sotme, kryetari Veseli e njoftoi Kryesinë se më 6 nëntor, Kosovën do të vizitojë Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili njëherësh pritet të mbajë një fjalë rasti në Kuvendin e Kosovës.
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kryetarët e grupeve parlamentare janë ftuar në një mbledhje të përbashkët edhe për sot në mesditë, të tretën në tre ditë, derisa pritjet ishin që Kuvendi në seancë plenare ta ketë së shpejti në axhendë ratifikimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, të nënshkruar mes Kosovës e Bashkimit Evropain në Strasbourg, dy ditë më parë.
Liderët e opozitës kanë pasur një takim ku megjithë rezervat e shprehura për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të qeverisë së Kosovës me BE-në, se “ajo nuk është e plotë, se ka mundur të negociohej më mirë dhe gjëra të tjera”, është konfirmuar se “opozita nuk do ta bllokojë procesin e votimit për ratifikimin e projektligjit për MSA-në”.
Deri sot, në Kuvendin e Kosovës nuk është renditur në axhendë ratifikimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim, e cila është nënshkruar ndonjë orë pas kohës së mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, ku u përcaktua rendi i ditës për seancën vijuese të hënën, në 2 nëntor, e cila sot u anulua.
Dje, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen ku ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ndërsa munguan ata të grupeve opozitare, vendosi që sot Kuvendi të mbante mbledhje të veçantë për nder të presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
“Plani i opozitës për bllokimin e Kuvendit”, është kryetitulli sot i gazetës Zëri, ku theksohet se fronti opozitar për të hënën ka një plan të ri operativ për t’i bllokuar dyert e Kuvendit nga jashtë, duke mos lejuar futjen e deputetëve dhe ministrave në objekt.
Gazeta shkruan se, kthimi i opozitës në seancën e sotme plenare nuk nënkupton se gjërat po vihen në binarë, pasi që tri partitë opozitare kanë hartuar një plan operativ edhe më të rrezikshëm se ai i gazit lotsjellës për paralizimin e Kuvendit. Opozita synon që të hënën t’i bllokojë hyrjet e Kuvendit të Kosovës me simpatizantët e tyre të zjarrtë, që t’ua pamundësojë deputetëve të koalicionit të futen brenda në Parlament. E nëse kjo praktikë nuk jep rezultatet konkrete, atëherë alternativa mbetet sërish “kallja” nga brenda e Kuvendit me gaz lotsjellës dhe gjësende të tjera, të konsideruara “demokratike”. Blloku opozitar shprehet i vendosur se do të përdorë të gjitha mjetet për ta stopuar punën e legjislativit, në shenjë kundërshtimi të marrëveshjeve të arritura për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi. Por edhe partitë në pushtet, PDK e LDK, nuk po qëndrojnë duarkryq në hartimin e planeve rreth veprimeve që do të ndërmerren në përpjekje për ta normalizuar punën e Parlamentit.
Në Kuvendin e Kosovës, gjatë seancës së sotme të veçantë për nder të presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, opozita shpalosën dy pankarta në pjesën e ulëseve të tyre, ku kishin shkruar: “Mjaft me heshjten e hegjemonisë serbe” dhe “Ruaje shpinën zotri president, rrencat dhe të korruptuart qëndrojnë pas jush”.
KOSOVA EVROPIANIZOHET
-MSA-ja, në thelb, shënon një fillim të fuqishëm të evropianizimit të gjithanshëm të Kosovës. Ky proces do të realizohet duke u bazuar në vullnetin e qytetarëve, përkushtimin maksimal të institucioneve të Kosovës dhe me mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së”, theksoi kryeministri Isa Mustafa./
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 28 Tetor 2015/ Kosova shënon një fillim të fuqishëm të evropianizimit të gjithanshëm, tha kryeministri Isa Mustafa, në një konferencë për shtyp sot pasdite në Prishtinë, pas kthimit nga Strasburgu, ku ka nënshkruar dje Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“MSA-ja për Kosovën, në thelb, shënon një fillim të fuqishëm të evropianizimit të gjithanshëm të Kosovës. Ky proces do të realizohet duke u bazuar në vullnetin e qytetarëve, përkushtimin maksimal të institucioneve të Kosovës dhe me mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së”, u shpreh kryeministri Mustafa.
Ai shtoi se elementet më të rëndësishme të MSA-së kanë të bëjnë me relacionet kontraktuale, relacionet tregtare, me asistencën financiare, me bashkëpunim rajonal dhe relacionet e mira fqinjësore.
“Të gjitha këto janë të përmbajtura në Marrëveshje dhe se në ditët në vijim do të shpjegohen dhe sqarohen para qytetarëve ku edhe do të shpalosen përfitimet që Kosova do t’i ketë me këtë Marrëveshje, në rrugën e saj të pandalshme të integrimit në BE”, u shpreh Mustafa.
Kryeministri Mustafa ritheksoi se nënshkrimi i MSA-së, të martën në Strasburg, është ndër ditët më të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë.
“Kjo Marrëveshje, është rezultat i punës dhe angazhimit të qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Kosovës. Por, më meritorët për këtë të arritur, janë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë dëshmuar përkushtim dhe mbështetje të pa rezervë për rrugën integruese evropiane, duke përqafuar dhe promovuar vlerat evropiane”, u shpreh ai.
Pra, vijoi Mustafa, kjo Marrëveshje është në përputhje të plotë me vullnetin dhe konsensusin gjithënacional dhe politik që e ka karakterizuar shoqërinë kosovare, sa i takon proceseve integruese euroatlantike.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, tha se kjo është Marrëveshja e parë e rëndësishme në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës. “Është kontrata e parë formale në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, por është edhe hapi më i rëndësishëm, krucial, mund të themi lirisht, në raportet e Bashkimit Evropian me Kosovën”, u shpreh ai.
Sot, vijoi Thaçi, “Kosova ka arritur në nivel, mund të them të barabartë, me vendet tjera të rajonit, qoftë me Shqipërinë, Bosnjën, Maqedoninë, me Malin e Zi, apo edhe me Serbinë, sepse jemi futur në rrugë zyrtare të integrimit në Bashkim Evropian dhe ajo që është më e rëndësishme është se edhe Bashkimi Evropian e mbështet Kosovën në mënyrë unike, pra, të gjitha vendet që janë pjesë e Bashkimit Evropian”.
Nënshkrimi i Marrëveshjes së djeshme, sipas zëvendëskryeministrit Thaçi, është në shërbim të perspektivës së sigurt evropiane të Republikës së Kosovës dhe është mesazhi më i mirë që Kosova po futet në familjen evropiane.
Zëvendëskryeministri Thaçi po ashtu u shpreh se, “në të njëjtën kohë, Kosova do të vazhdojë, që në kuadër të konsolidimit të shtetit, të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, të anëtarësohet edhe në organizata tjera ndërkombëtare, dhe se do të punohet maksimalisht në Kosovë,për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”.
Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, theksoi se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, është një e arritur e madhe historike. “Kjo Marrëveshje, ka një rëndësi të jashtëzakonshme sepse është nënshkruar në një moment delikat, në një moment të vështirë. Duke ditur se Kosova ende nuk është njohur nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, kemi arritur të nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, me ç’rast Kosova është futur në marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Mendoj se kjo është një gjë e madhe dhe askush nuk duhet as të mendoj që ta zhvlerësojë”, theksoi ai.
“Ne si qeveri, por edhe si Ministri e Integrimit Evropian, që kur kemi filluar këtë mandat, kemi vënë dy objektiva kryesore para vetes: arritjen e kësaj Marrëveshje dhe kjo ndodhi dje, dhe objektivi tjetër pritet të ndodhë shumë shpejt, dhe të jeni të sigurt, e kjo është liberalizimi i vizave”, tha Çollaku.
Kosova, një çështja e rëndësishme për tërë Evropën
-Deklaron në Prishtinë Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer/
Ne, tha Fischer, sot qëndrojmë aty ku realitet është ekzistenca e një shteti të pavarur me emrin Kosovë, është me kufij të sigurt dhe është një realitet evropian/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 28 Tetor 2015/ Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, sot në Prishtinë, në takim me Presidenten e Republikës Atifete Jahjaga e ka vlerësuar progresin e Kosovës shtet realitet evropian të rëndësishëm edhe për Evropën.
“Kosova ishte një çështja e rëndësishme për tërë Evropën dhe një çështje parimore se a do t’ia dalim që problemet që janë krijuar këtu në Kosovë t’i zgjidhim në mënyrë paqësore. Kjo ishte e vështirë, ka qenë e dhimbshme, mirëpo është bërë progres i madh në këtë drejtim”, theksoi presidenti austriak.
Ne, vijoi Fischer, sot qëndrojmë aty ku realitet është ekzistenca e një shteti të pavarur me emrin Kosovë, është me kufij të sigurt dhe është një realitet evropian. “Janë 111 shtete nga tërë bota që e kanë njohur Kosovën, mirëpo rruga të cilën Kosova duhet ta kalojë ende nuk ka mbërritur në fund. Ka edhe shumë hapa të tjerë, disa prej të cilëve do të jenë më të vështirë”, u shpreh presidenti i Austrisë.
Natyrisht, tha ai, edhe për Serbinë ka diçka që është shumë e vështirë. “Mirëpo, rruga në parim është e drejtë. Ne dëshirojmë që së bashku të ecim në këtë rrugë dhe ne dëshirojmë që në këtë rrugë të shkojmë në mënyrë paqësore”, theksoi Fischer.
Sot, vijoi ai, këtu mund t’ju uroj përzemërsisht për nënshkrimin dje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në.
“Në këtë projekt është punuar shumë, kjo nuk i është dhënë Kosovës si dhuratë, por janë kryer shumë punë paraprake. Mirëpo, tani ia keni dalë. Është një hap i rëndësishëm. Unë i kam thënë Presidentes, të cilën e çmoj shumë, për neve është një fakt dhe unë po flas për Austrinë, por kështu është edhe për shtetet e tjera të BE-së, për neve është e natyrshme që procesi i integrimit evropian nuk ka përfunduar, përderisa këto gjashtë shtete, të cilat ne i quajmë si Ballkani Perëndimor, nuk bëhen anëtare me të drejta të barabarta të Bashkimi Evropian. Pra, që të jenë pjesë e projekteve ta paqes së Evropës”, theksoi presidenti i Austrisë .
Ai tha se, sa i përket liberalizimit të vizave, ky është hapi i radhës, që është në provë.
“Kosova edhe në këtë drejtim ka kryer shumë punë paraprake dhe mendoj se një shumicë e shteteve të BE-së po punojnë dhe janë të interesuara për përfundimin e kësaj çështjeje. Ne sot duhet të punojmë që ky hap, në një të ardhme të afërt, të bëhet realitet”, tha presidenti austriak Fischer.
Ai vlerësoi se, bashkëpunimi ekonomik midis Kosovës dhe shteteve të Bashkimit Evropian është shumë i rëndësishëm. “Austria po mundohet që t’i qaset Kosovës në mënyrë aktive, që t’i aktivizojë institucionet, ndërmarrjet, që t’i inkurajojë që të jenë aktive dhe të investojnë në Kosovë”, tha Fischer.
Ai theksoi se, në kuadër të vizitës, në Prishtinë do të ketë edhe një forum ekonomik, ku do të marrin pjesë rreth 25 firma austriake, të cilat mundohen që t’i zgjerojnë aktivitetet e tyre në Kosovë.
“Ky zgjerim do të ndodhë kur edhe Kosova të ndërmarrë hapa, si rritja e sigurisë, funksionimi i drejtësisë, kur korrupsioni në proceset ekonomike nuk luan më rol të rëndësishëm. Të gjitha këto janë elemente të rëndësishme për zgjerimin e mëtutjeshëm bashkëpunimit ekonomik. Prandaj, të gjitha palët duhet të përpiqen”, theksoi presidenti i Austrisë.
Ne, vijoi Fischer, po i vëzhgojmë me interes edhe ngritjen dhe forcimin e sistemit demokratik në Kosovë, bashkëpunimin midis qeverisë dhe opozitës, gjë që në të gjitha demokracitë është një problem, që mund të jetë problem i vështirë dhe në të cilin mund të ketë momente të vështira.
“Mirëpo, me vullnet të mirë, këto vështirësi mund të tejkalohen. Këtë e kanë kaluar edhe shtete të tjera demokratike. Edhe për Kosovën do të ketë një sistem të mirë dhe solid demokratik dhe një bazë të mirë ligjore, e cila shërben edhe për zgjidhjen e problemeve”, tha Fischer.
Presidenti i Austrisë theksoi se, aktivitetet e KFOR-it i mbështesim shumë. “Unë do të vizitoj edhe kontingjentin e KFOR-it austriak këtu dhe mund t’ju them që unë që sot jam i bindur se nesër pasdite do të kthehem me përshtypje të mira nga vizita dhe nga bisedat e zhvilluara këtu”, u shpreh presidenti Fischer.
Presidenti i Republikës së Austrisë, Heinz Fischer, sot pas mesditës, u prit me ceremoni shtetërore në vizitën dyditore në Kosovë, me ftesë të presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga. Më pas, sipas axhendës, nisi takimi i presidentes Jahjaga me presidentin Fischer.
“Kam nderin që t’i uroj mirëseardhje në Kosovë presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, një përkrahës i fuqishëm i Republikës së Kosovës dhe përparimit të saj”, është shprehur Jahjaga.
Presidenti Fischer është presidenti i parë austriak që viziton Kosovën që nga shpallja e pavarësisë dhe ai erdhi sot bashkë me një delegacion të gjerë të përfaqësuesve të bizneseve austriake.
“Vizita e presidentit Fischer është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe mundësi për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar”, vlerësoi presidentja kosovare.
“Austria është pjesë e pandashme e bashkësisë ndërkombëtare, që ndan suksesin e Kosovës së re së bashku me popullin dhe institucionet e saj”, theksonte presidentja Jahjaga edhe në shënimin e 60 vjetorit të pavarësisë dhe të deklarimit të neutralitetit të përhershëm të Republikës së Austrisë, në mbrëmjen e 26 tetorit në Prishtinë.
Sipas axhendës zyrtare, në vazhdim të vizitës sot pasdite presidentin e Austrisë Fischer e pret në takim edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Të enjten, presidenti i Austrisë, Heinz Fischer takohet në mengjes me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.
Më pas, në axhendë është adresimi i presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës në një seancë të veçantë parlamentare.
Po nesër, në vazhdim të axhendës, presidentja Jahjaga dhe presidenti Fischer marrin pjesë në Forumin Ekonomik Kosovar-Austriak në Prishtinë dhe vizitojnë Prizrenin, Kishën Katolike dhe Xhamia e Sinan Pashës në qytetin më të madh jugor të Kosovës.
***
DEKLARATAT E PLOTA
-Presidentja Atifete Jahjaga priti Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer/
Me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga sot në Kosovë për vizitë zyrtare dyditore po qëndron Presidenti i Austrisë, zotëri Heinz Fischer. Presidenti Fischer është presidenti i parë austriak që po viziton Republikën e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.
Në vazhdim po përcjellim deklaratat e bëra nga dy presidentët në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit bilateral:
Presidentja Jahjaga: Kam nderin që sot të mirëpres në vizitë zyrtare Presidentin Fischer të Austrisë, mikun e Kosovës, njeriun që ka mbështetur vendin tonë në proceset e tij demokratike dhe në rrugën e integrimeve euroatlantike.
President Fischer, vizita e juaj në Kosovë është dëshmia më e mirë e vazhdimit të miqësisë ndërmjet dy vendeve tona, e ndërtuar me aq besim e dashuri dhe me aq mirëkuptim.
Me Presidentin Fischer patëm një takim jashtëzakonisht të mirë dhe të frytshëm. Biseduam për çështje të interesit të përbashkët të të dyja vendeve tona, në veçanti në fushën e zhvillimit ekonomik, por gjithsesi theksuam edhe rëndësinë e mbështetjes së proceseve nëpër të cilat po kalon i gjithë rajoni i Evropës Juglindore.
President Fischer, shpreh mirënjohjen e popullit të Kosovës për ndihmën që Austria i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat e rëndësishme; në një kohë të vështirë duke i dhënë fund një lufte që ka lënë pasoja të rënda për shoqërinë tonë, pastaj në rindërtimin e vendit dhe kthimin e shpresës tek qytetarët, përmes pranisë në forcat paqeruajtëse të NATO-s dhe në misionet e tjera ndërkombëtare. Ju e keni mbështetur Kosovën në hapjen e një kapitulli të ri të shtendërtimit – të krijimit të një vendi gjithëpërfshirës, demokratik, të zhvilluar dhe me rend e ligj. Austria është vendi ku i janë vënë bazat e shtetësisë së Kosovës, mikpritëse e bisedimeve për statusin, nën drejtimin e të dërguarit të OKB-së.
Austria është ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke ndihmuar edhe në konsolidimin e shtetësisë sonë. President Fischer, e ritheksoj kontributin e jashtëzakonshëm të gjithë atyre burrave e grave të KFOR-it austriak në Kosovë, që për më shumë se 16 vjet kanë ndihmuar popullin e Kosovës jo vetëm në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë, por edhe në vendosjen e urave të bashkëpunimit. Dhe ju – President Fischer – jeni njeriu që e keni mbështetur këtë mision pa asnjë hezitim.
Kjo histori e marrëdhënieve mes dy vendeve tona është dëshmi e përkushtimit të popujve tanë për liri dhe paqe dhe për mirëkuptim. Ne shprehëm gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe të investimeve, dhe jemi thellësisht të nderuar që, si pjesë e delegacionit të Presidentit Fischer, janë edhe 25 investitorë të mëdhenj austriakë. Kosova ka resurse të mëdha edhe natyrore edhe njerëzore dhe ne po krijojmë një klimë të mirë të biznesit, duke ofruar siguri për të gjithë investitorët. Ne duam ta zgjerojmë bashkëpunimin tonë dhe ta orientojmë tregun nga Bashkimi Evropian.
Republika e Kosovës, sikurse edhe të gjitha vendet e tjera të rajonit, ka perspektivë të qartë evropiane, dhe ne po punojmë me ngulm për të përmbushur standardet e kriteret e përcaktuara, që na përafrojnë me familjen e madhe evropiane. Vizita e Presidentit Fischer vjen vetëm një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, një hap historik për Kosovën në marrëdhëniet me Bashkimi Evropian, që e përgatit vendin tonë në rrugën drejt anëtarësimit. Ne presim që ta përmbyllim edhe procesin e liberalizimit të vizave, që do t’ju mundësojë qytetarëve tanë lëvizjen e lirë në vendet e Bashkimi Evropian.
Si një shtet i ri në Evropë po dëshmojmë përkushtimin për fqinjësi të mirë dhe për ruajtjen e stabilitetit dhe të paqes në rajon si dhe të zgjidhjes së çështjeve me dialog dhe marrëveshje. Ne kemi dëshmuar përkushtimin për të qenë pjesë e pandashme dhe aktive e arkitekturës globale të sigurisë, kontribuues të rëndësishëm në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit dhe mbështetës të përpjekjeve ndërkombëtarë për t’u dalë në ndihmë refugjatëve të përndjekur me dhunë nga vendi tyre.
Republika e Kosovës sot po kalon nëpër një periudhë të rëndësishme, kur po e teston edhe demokracinë e brendshme edhe pjekurinë politike. Zgjidhjet janë brenda sistemit dhe brenda institucioneve si dhe përmes dialogut të ndërsjellë në respektim të parimeve kushtetuese dhe ligjore. Debati në institucione shmang përplasjet e dhunshme dhe ndërton kulturën demokratike dhe parlamentare, të domosdoshme për të vazhduar proceset integruese.
Unë besoj fuqishëm se Kosova do të vazhdojë të ketë përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare e rrjedhimisht edhe të shtetit mik të Austrisë, në rrugën e saj përpara.
Dhe në fund, me Presidentin Fischer jemi pajtuar që të dy vendet tona të zgjerojnë bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët, në ekonomi, tregti, kulturë, në fushën e rendit dhe të sigurisë dhe në qarkullimin e lirë të qytetarëve midis të dyja vendeve tona.
Zotëri President, ju faleminderit për vizitën tuaj dhe për miqësinë ndërmjet dy popujve tanë dhe vendeve tona.
Presidenti Fischer: Jam i kënaqur që jam këtu, si mysafir i Presidentes Jahjaga. E kam pranuar ftesën me dëshirë. Ne kemi një bazë të mirë të bisedimeve. Jemi takuar në ngjarje të ndryshme dhe kemi pasur një pajtueshmëri ta madhe mes vete.
Kosova ishte një çështja e rëndësishme për tërë Evropën dhe një çështje parimore se a do t’ia dalim që problemet që janë krijuar këtu në Kosovë t’i zgjidhim në mënyrë paqësore. Kjo ishte e vështirë, ka qenë e dhimbshme, mirëpo është bërë progres i madh në këtë drejtim.
Ne sot qëndrojmë aty ku realitet është ekzistenca e një shteti të pavarur me emrin Kosovë, është me kufij të sigurt dhe është një realitet evropian. Janë 111 shtete nga tërë bota që e kanë njohur Kosovën, mirëpo rruga të cilën Kosova duhet ta kalojë ende nuk ka mbërritur në fund. Ka edhe shumë hapa të tjerë, disa prej të cilëve do të jenë më të vështirë. Natyrisht edhe për Serbinë ka diçka që është shumë e vështirë. Mirëpo, rruga në parim është e drejtë. Ne dëshirojmë që së bashku të ecim në këtë rrugë dhe ne dëshirojmë që në këtë rrugë të shkojmë në mënyrë paqësore.
Sot këtu mund t’ju uroj përzemërsisht për nënshkrimin dje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në. Në këtë projekt është punuar shumë, kjo nuk i është dhënë Kosovës si dhuratë, por janë kryer shumë punë paraprake. Mirëpo, tani ia keni dalë. Është një hap i rëndësishëm. Unë i kam thënë zonjës Presidente, të cilën e çmoj shumë, për neve është një fakt dhe unë po flas për Austrinë, por kështu është edhe për shtetet e tjera të BE-së – për neve është e natyrshme që procesi i integrimit evropian nuk ka përfunduar, përderisa këto gjashtë shtete, të cilat ne i quajmë si Ballkani Perëndimor, nuk bëhen anëtare me të drejta të barabarta të Bashkimi Evropian. Pra, që të jenë pjesë e projekteve ta paqes së Evropës.
Sa i përket liberalizimit të vizave, ky është hapi i radhës, që është në provë. Kosova edhe në këtë drejtim ka kryer shumë punë paraprake dhe mendoj se një shumicë e shteteve të BE-së po punojnë dhe janë të interesuara për përfundimin e kësaj çështjeje. Ne sot duhet të punojmë që ky hap, në një të ardhme të afërt, të bëhet realitet.
Bashkëpunimi ekonomik midis Kosovës dhe shteteve të Bashkimit Evropian është shumë i rëndësishëm. Austria po mundohet që t’i qaset Kosovës në mënyrë aktive, që t’i aktivizojë institucionet, ndërmarrjet, që t’i inkurajojë që të jenë aktive dhe të investojnë në Kosovë.
Në kuadër të vizitës sonë do ta kemi edhe një forum ekonomik, ku do të marrin pjesë rreth 25 firma austriake, të cilat mundohen që t’i zgjerojnë aktivitetet e tyre në Kosovë. Ky zgjerim do të ndodhë kur edhe Kosova të ndërmarrë hapa, si rritja e sigurisë, funksionimi i drejtësisë, kur korrupsioni në proceset ekonomike nuk luan më rol të rëndësishëm. Të gjitha këto janë elemente të rëndësishme për zgjerimin e mëtutjeshëm bashkëpunimit ekonomik. Prandaj, të gjitha palët duhet të përpiqen.
Ne po i vëzhgojmë me interes edhe ngritjen dhe forcimin e sistemit demokratik në Kosovë, bashkëpunimin midis qeverisë dhe opozitës, gjë që në të gjitha demokracitë është një problem, që mund të jetë problem i vështirë dhe në të cilin mund të ketë momente të vështira. Mirëpo, me vullnet të mirë, këto vështirësi mund të tejkalohen. Këtë e kanë kaluar edhe shtete të tjera demokratike. Edhe për Kosovën do të ketë një sistem të mirë dhe solid demokratik dhe një bazë të mirë ligjore, e cila shërben edhe për zgjidhjen e problemeve.
Aktivitetet e KFOR-it i mbështesim shumë. Unë do të vizitoj edhe kontingjentin e KFOR-it austriak këtu dhe mund t’ju them që unë që sot jam i bindur se nesër pasdite do të kthehem me përshtypje të mira nga vizita dhe nga bisedat e zhvilluara këtu.
Pyetjet:
RTK: Pyetje për dy presidentët. Zonja Presidente, kriza politike në vend sa vjen e thellohet, duke pasur parasysh qëndrimet diametralisht të kundërta të pozitës dhe opozitës. Në kuadër të angazhimit tuaj kushtetues, keni pasur takime me liderët e partive politike, më pas është diskutuar mundësia që marrëveshjet e Brukselit të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për interpretim dhe hapa të tjerë, por duket që këto angazhime ende nuk kanë sjellë rezultate. Edhe çfarë ju ka mbetur të bëni zonja Presidente dhe si e shihni rrugën për të tejkaluar këtë situatë të krijuar?
President Fischer, Kosova është duke e kaluar një moment i cili duket se nuk është aspak i lehtë dhe po përballet për herë të parë me të. Pozita dhe opozita vazhdojnë të ketë qëndrime të kundërta për marrëveshjet ndërkombëtare në Bruksel dhe për atë për demarkacionin. Si mendoni se mund të tejkalohet kjo situatë dhe si do të ndikojë kjo sipas jush kjo gjendje e krijuar në aspektin e integrimeve evropiane të Kosovës kur e kemi parasysh se është nënshkruar MSA-ja.
Presidentja Jahjaga: Siç e dini, javën e kaluar unë kam pasur takime të ndara me pozitën dhe opozitën, me përpjekjet për të tejkaluar gjendjen e krijuar në Kuvendin e Kosovës. Fatkeqësisht, ftesa ime për një takim të përbashkët me spektrin politik ende nuk është pranuar nga opozita, por natyrisht që ftesa ime mbetet e hapur dhe pres të shoh vullnet dhe mirëbesim nga subjektet politike në mënyrë që të tejkalojmë këtë situatë në të cilën gjendemi. Në takime të ndara, të cilat i kam pasur me kryeministrin e vendit dhe me zëvendëskryeministrin, edhe me liderët e opozitës, kam propozuar që në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar përputhshmërinë e parimeve të asociacionit me kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky propozim i imi është përshëndetur dhe unë do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti Fischer: Unë po i vëzhgoj këto tema me kujdes. Unë natyrisht jam president i Federatës, i cili në Austri nuk ngurron që t’i përgjigjet pyetjeve aktuale. Mirëpo, në shtetet e tjera që të shprehem lidhur me problemet e një shteti mikpritës, atëherë duhet të jem më i kujdesshëm dhe më ngurrues. Mund t’ju them se marrëveshja e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi është nënshkruar në Vjenë së bashku me një marrëveshje të dytë të demarkacionit me dy shtete të tjera.
Është mirë që problemet e deritanishme të pazgjidhura kufitare të zgjidhen në bazë të negociatave. Prandaj, pa u përzier në çështjet e brendshme të Kosovës, duhet të ketë një rezultat të synuar të negociatave pastaj edhe të zbatohen nga dy palët negociatore.
Ndërsa pika e dytë të cilën e përmendet ju, është natyrisht marrëveshja për asociacionin e komunave serbe. Mesa unë e kam studiuar këtë temë, atëherë këtu nuk bëhet fjalë që të ketë ndonjë rrafsh të ri kushtetues, mirëpo bëhet fjalë që ky asociacion, këto komuna ta kenë të drejtën të bashkohen dhe prandaj mendoj që kjo në praktikë do të funksionojë dhe mund të funksionojë mirë nëse të gjithë pjesëmarrësit e tregojnë vullnetin e mirë. Mirëpo, parlamenti në këtë shtet, institucionet e këtij shteti duhet ta marrin këtë vendim dhe unë kam besim të plotë në kapacitetet e zgjidhjes që i kanë institucionet e Kosovës.
Elisabeth Hilgarth, nga Agjencia Austriake e Lajmeve: Kosova po bën progres drejt Bashkimit Evropian. Është nënshkruar marrëveshja e MSA-së dhe ka pasur një tejkalim të gjendjes me Beogradin. Mirëpo, në Parlament ka ende gaz lotsjellës. A mendoni se në Kosovë procesi demokratik me sa po shihet është ashtu siç duhet të jetë ose a po i afrohet Bashkimit Evropian procesi demokratik i Kosovës?
Zotëri Fisher, unë po ju pyes për gazetarët ndërkombëtarë të cilët më pyetën për situatën në Austri tani, se ministri i Brendshëm ka thënë se dëshiron të vendos gardh për të parandaluar rrjedhën e refugjatëve. Një deklaratë për këtë?
Presidentja Jahjaga: Të gjitha obligimet ndërkombëtare të cilat Kosova i ka marrë jo vetëm në këtë rast, por edhe herëve të tjera i ka përmbushur me përgjegjësi dhe i ka përmbushur me përpikëri të plotë. Kjo ka të bëjë edhe me procesin, sepse ju iu referuat edhe hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Siç u tha edhe më herët, janë disa sfida nëpër të cilat Kosova po tejkalon. Edhe në mënyrë publike, edhe në takime të rregullta dhuna është dënuar, duke mos qenë formë e përçimit të mesazhit të duhur, por zgjidhjet janë brenda jetës institucionale, janë përbrenda institucioneve të Republikës së Kosovës.
Edhe veprimet e fundit edhe propozimet e mia të fundit që parimet e asociacionit të komunave serbe në Kosovë të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është veprim institucional dhe të gjitha zgjidhjet kanë qenë dhe do të jenë përbrenda institucioneve të Republikës së Kosovës.
Vet hapi i djeshëm i nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit në Strasburg nga kryeministri i Republikës së Kosovës, është mesazhi më i duhur që Kosova dhe populli i saj dhe të gjithë qytetarët e saj kanë marrë në momentin e duhur nga ana e BE-së për politikën e zgjerimit, jo vetëm për Kosovën por për të gjitha vendet e rajonit.
E ardhmja e Kosovës dhe e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është drejt proceseve të integrimeve euroatlantike dhe në asnjë moment do të rrëshqasim nga ky synim dhe nga kjo alternativë dhe nga ky vizion i vetëm i yni.
Presidenti Fischer: Austria është një shtet i cili ka shumë përvojë me refugjatë të cilët në dekadat e fundit vazhdimisht kanë ardhur pas revolucionit hungarez, pas pranverës së Pragës, pas luftës civile në Jugosllavi, posaçërisht pas luftës në Bosnje e kështu me radhë.
Aktualisht është një kuantitet i refugjatëve, të cilët kurrë nuk i kemi pasur më parë dhe prandaj këtë vit, në vitin 2015 parashihet që më shumë se 500 mijë njerëz kanë kaluar kufirin me Austrinë. Pjesa më e madhe e tyre po shkon më tutje për Gjermani, mirëpo edhe ata “vetëm po kalojnë nëpër Austri” po krijojnë natyrisht nevoja të mëdha të organizimit dhe probleme të mëdha të organizimit dhe të logjistikës të cilat duhet të zgjidhen. Prandaj, ne po llogarisim që këtë vit rreth 80 mijë kërkesa për azil do t’i kemi për të lejuar dhe për t’i mundësuar azil në Austri. E ne, këtë deri më tani jemi munduar që ta bëjmë me fuqitë më të mira, mirëpo po dëshmohet që ne kemi arritur në kufijtë e kapaciteteve tona, prandaj Qeveria Federale e Austrisë këtë mund ta them edhe me shtetet e tjera, po mendohemi dhe po bëjmë përgatitje se si mund të përgatitemi dhe t’i qasemi kësaj. Them që do të kemi shumë refugjatë, të cilët do të kalojnë nëpër Austri e disa të tjerë ndoshta do të qëndrojnë në Austri, se si mund ta përballojmë këtë problem në mënyrën më të mirë. Deri më tani askush nuk është përcaktuar për ndonjë detaj lidhur me këtë, lidhur me gardh ose mjete të tjera ndihmëse, mirëpo problemi i tillë ekziston dhe siç u tha më herët Qeveria Federale e Austrisë po përpiqet që t’i plotësojë kushtet teknike dhe organizative dhe t’i përmirësojë edhe më tutje për të mënjanuar problemet e mundshme. Mirëpo, vëmendje e veçantë ose vëmendje më e madhe do t’i kushtohet kufijve të jashtëm të BE-së që të kontrollohen në mënyrë më të mirë dhe që shpërndarja e refugjatëve të funksionojë më mirë brenda Evropës. Vetëm nëse këto ngarkesa do të shpërndahen në mënyrë të barabartë, atëherë edhe mund të barten nga të gjitha shtetet.
MSA vulos rrugën e Kosovës drejt BE-së
-Në Strasburg u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim Asocimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës/
-Mustafa: Ndër ditët më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës/
-Mogherini: Do të ketë shumë të mira për njerëzit e Kosovës dhe për Bashkimin Evropian, për stabilitetin dhe integrimin e rajonit. Është një moment i mirë/
-Hahn: Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tash është koha për zbatim/
Nga Behlul Jashari/ STRASBURG-PRISHTINË, 27 Tetor 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, kanë nënshkruar sot në Strasburg, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në ceremoninë që u zhvillua në Strasburg, Marrëveshja është nënshkruar edhe nga ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku dhe Johannes Hahn, komisioner i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit.
Njoftimi dërguar nga Strasburgu thekson se, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas nënshkrimit të Marrëveshjes, ka thënë se kjo ditë është ndër ditët më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Sot, vendi im, në mënyrë zyrtare ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian. Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje, konfirmuam vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës drejt perspektivës eurointegruese dhe hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën. Kjo Marrëveshje vulos rrugën e Kosovës drejt BE-së, rrugë e cila nuk ka kthim, por i hapë mundësi Kosovës drejt reformimit, përshtatjes dhe implementimit të reformave në të gjithë sektorët. Është rrugë e forcimit të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës, rrugë e stabilitetit politik dhe e perspektivës ekonomike, rrugë e përfundimit të tranzicionit drejt një ekonomie funksionale të tregut, e forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe e zgjidhjeve politike”, theksoi kryeministri Mustafa.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, tha se procesi i evropianizimit kuptimplotë të Kosovës, që po fillon sot, do të përcillet me një përkushtim të plotë shtetëror dhe institucional të Kosovës dhe me partneritet të plotë me Bashkimin Evropian.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, tha se është bërë shumë punë nga të dyja anët, dhe është mirë që më në fund u nënshkrua MSA-ja. “Presim që kjo të hyj në fuqi sa më parë që është e mundur. Pas kësaj do të ketë shumë të mira për njerëzit e Kosovës dhe për Bashkimin Evropian, për stabilitetin dhe integrimin e rajonit. Është një moment i mirë” theksoi ajo.
Komisioneri i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, tha se vërtetë është një arritje e madhe në marrëdhëniet dypalëshe, në veçanti kur është fjala për aspiratat evropiane të Kosovës . “Është një ditë e madhe për të gjithë ne, duke falënderuar ekipet tona, pa të cilat kjo gjë nuk do të ishte arritur. Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tash është koha për zbatim”, u shpreh komisioneri Hahn.
Ai, po ashtu, e falënderoi përfaqësuesen e Lartë, familjet, dhe të gjithë të tjerët, të cilët punuan në muajt e kaluar duke e vlerësuar si një arritje për të gjithë familjen evropiane. “Është një deklaratë e fuqishme e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, theksoi komisioneri Hahn.
Negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, kanë nisur para dy vitesh, në 28 tetor të vitit 2013.
Kosova dhe Komisioni Evropian kanë vënë inicialet në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit qysh në korrik të vitit 2014.
Procesi i nënshkrimit është ngadalësuar për shkak të mungesës së konsensusit brenda vetë Bashkimit Evropian, përkatësisht mosnjohjes së Kosovës si shtet nga pesë vende të BE-së.
Më vonë, megjithatë, është rënë dakord që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit të mos ratifikohet nga parlamentet e secilit shtet anëtar veç e veç, ashtu siç ka qenë praktika me vendet e tjera.
Në 22 tetor 2015 Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në 24 tetor, nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës u miratua nga qeveria kosovare.
Marrëveshja ka strukturë dhe përmbajtje të njëjtë sikur marrëveshjet e të gjitha vendeve të rajonit dhe përfshinë të gjitha elementet e një bashkëpunimi të plotë politik, ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. MSA, marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përmban 597 faqe, në X tituj, VII anekse dhe 5 protokolle.
Kosova, me pavarësinë e shpallur para 7 viteve, në 17 shkurtin historik 2008, është njohur deri tash nga mëse 110 shtete anëtare të OKB-së. Kosovën, nga shtetet fqinje, vetëm Serbia nuk e ka njohur ende, ndërkohë që nën kryesimin e BE-së e mbështetur nga SHBA, Prishtina e Beogardi kanë zhvilluar në Bruksel 29 raunde të dialogut në nivel të lartë kryeministror dhe kanë arritur disa marrëveshje të rëndësishme në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Austria, pjesë e suksesit të Kosovës së re
-“Ju keni qenë shembull jo vetëm i mikpritjes, në kohë paqeje, gjatë bisedimeve për statusin e Kosovës, të përpjekjeve për ta bërë Kosovën të mëvetësishme, demokratike dhe përgjegjëse për fuqizimin dhe avancimin e të drejtave për të gjithë qytetarët e saj”, tha Presidentja Jahjaga duke uruar ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Johann Brieger./
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Tetor 2015/ “Austria është pjesë e pandashme e bashkësisë ndërkombëtare, që ndan suksesin e Kosovës së re së bashku me popullin dhe institucionet e saj”, tha sonte në Prishtinë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.
“Një Kosove të përkushtuar për të qenë pjesë e arkitekturës globale të sigurisë, besnike e vlerave të përgjithshme për paqe dhe zhvillim dhe kontribuuese në nismat për ndihmë atyre që sot bredhin rrugëve të botës, të shpërngulur me dhunë nga vendet e tyre”, u shpreh Jahjaga.
Presidentja e Republikës së Kosovës mbajti një fjalë me rastin e Ditës Kombëtare të Austrisë.
“Jemi mbledhur së bashku sonte për të shënuar 60 vjetorin e pavarësisë dhe të deklarimit të neutralitetit të përhershëm të Republikës së Austrisë dhe njëkohësisht po vlerësojmë përkushtimin e saj për paqen, sigurinë dhe demokracinë si vlera të çmuara të shoqërive kudo në botë. Mbi të gjitha, në këtë përvjetor të neutralitetit të përhershëm të këtij vendi, çmojmë dedikimin e tij në ndihmë të ndërtimit të mirëkuptimit ndërmjet njerëzve dhe popujve”, theksoi Presidentja e Kosovës.
Ndërkohë, vijoi ajo, “sot kur po e testojmë demokracinë tonë, kur po e sfidojmë kushtetutën tonë e njëkohësisht po piqemi politikisht – ju na qëndroni sërish pranë, si miq dhe përkrahës, të bindur se problemet në tranzicionin tonë mund të tejkalohen me dialog dhe mirëkuptim, duke ndërtuar ura bashkëpunimi dhe duke punuar fort në ndërtimin e një shteti të së drejtës, që shmang rrugën si zgjidhje, por që ofron zgjidhjen brenda vetë institucionit”.
Në kufi me Ballkanin Perëndimor dhe e afërt me këtë pjesë të Evropës, tha Jahjaga, Austria e ka kuptuar më së miri jo vetëm historinë e dhimbshme të rajonit, por edhe përpjekjen për t’u bërë pjesë e pandashme e kombeve të lira në një familje evropiane.
“Austria ka qëndruar afër nesh për të na ndihmuar në rrugëtimin jo aq të lehtë të ndërtimit të paqes”, theksoi Presidentja e Kosovës.
Ju, shtoi ajo, keni qenë pjesë e pandashme e historisë më të re të Kosovës, të përfshirë në dhënien fund të dhunës dhe luftës, në ndërtimin e një Kosove më ndryshe, më gjithëpërfshirëse, më demokratike, më të përparuar – një shtet i ndërtuar mbi parimin e drejtësisë.
“Ju keni qenë shembull jo vetëm i mikpritjes, në kohë paqeje, gjatë bisedimeve për statusin e Kosovës, të përpjekjeve për ta bërë Kosovën të mëvetësishme, demokratike dhe përgjegjëse për fuqizimin dhe avancimin e të drejtave për të gjithë qytetarët e saj”, tha Jahjaga duke uruar ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Johann Brieger.
“I nderuar ambasador Brieger, puna dhe përkushtimi juaj në fuqizimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve tona ju ka bërë mikun më të mirë të qytetarëve të Kosovës. Ju do të ikni nga Kosova së shpejti, pak ditë pas vizitës zyrtare të mikut tim dhe të Kosovës, Presidentit Fischer të Austrisë, por besoj se do të mbani në kujtesë dhe në zemër këtë vend”, u shpreh Presidentja kosovare.
- « Previous Page
- 1
- …
- 211
- 212
- 213
- 214
- 215
- …
- 245
- Next Page »