• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në Kosovë Nëntori 2020 Muaji i Anton Çettës

October 31, 2020 by dgreca

-Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka shpallur Nëntorin 2020 Muaji i Anton Çettës dhe ka miratuar edhe Programin e aktiviteteve për këtë muaj/

-Gazeta DIELLI e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA në 1 Maj 2020 shkruante se, Aksionit për pajtimin e gjaqeve në Kosovë të filluar para 30 viteve i printe profesori Anton Çetta, i cili në 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit te Verrat e Llukës është dekoruar me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm Dr. Ibrahim Rugova”/

PRISHTINË, 30 Tetor 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Nëntori 2020 në Kosovë do jetë Muaji i Anton Çettës. Qeveria e Kosovës drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti në mbledhjen e sotme, me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka shpallur muajin Nëntor 2020 Muaji i Anton Çettës. Me vendim është miratuar edhe Programi i aktiviteteve për këtë muaj që do të jenë në përkujtim dhe nderim të jetës dhe veprës së Anton Çettës:

Përurimi i veprave të Anton Çettës;   Përurimi i Kullës se Fazli Buqollit në Raushiq, investim i Ministrisë se Kulturës, Rinisë dhe Sportit;   Këndi i Anton Çettës – ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës;  Emisione Televizive- RTK, shfaqja e emisioneve dhe dokumentareve te vjetra dhe punimi i një dokumentari te ri;  Simpozium shkencor në Prishtinë dhe Tiranë;   Ekspozitë e fotografive ne Prishtinë dhe Tiranë – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Muzeu Historik në Tiranë;  Themelimi i Çmimit “Anton Çetta”.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi duke e prezantuar propozimin, i cili u miratua, theksoi se viti 2020 shënon 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e vdekjes së Prof. Anton Çettës, intelektualit të ndritur, mbledhësit të shquar të folklorit, shkrimtarit të njohur e pajtuesit të palodhur të gjaqeve. Njëkohësisht, viti 2020 shënon 30 vjetorin e pajtimit të gjaqeve, kthesës historike mbarë popullore në Kosovë e jashtë saj, që i kontribuoi zhdukjes së hasmërive dhe shërimit  të shoqërisë shqiptare e pajtimit mes njerëzve, tha ajo.

 Nga Arkivi i Gazetës DIELLI – 1 Maj 2020: KOSOVË-30 VJET FALJE DHE PAJTIM MES SHQIPTARËVE

-Aksionit për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, filluar në 1 Maj 1990, i printe profesori Anton Çetta, i cili në 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit te Verrat e Llukës është dekoruar me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm  Dr. Ibrahim Rugova”

-Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe pata 21 viteve, në pranverën 1999/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 1 Maj  2020/ Para  30 viteve, në 1 Maj 1990,  te Verrat e Llukës në rrethinën e Deçanit gjysëm milioni  shqiptarë u tubuan në Kuvendin e Pajtimit drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Verrat e Llukës, ku u mbajtën Kuvendet e Besëlidhjes shqiptare dhe të pajtimit të gjaqeve, janë vendi i vlerave universale kombëtare, i cili në rrethanat më të vështira ka bashkuar shqiptarët në rrugëtim për lirinë dhe pavarësinë, është theksuar gjatë viteve në përkujtim të ngjarjes historike.

Aksionit për pajtimin e gjaqeve në Kosovë i printe profesori Anton Çetta, i cili në 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit te Verrat e Llukës është dekoruar nga Presidenti i Kosovës me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm  Dr. Ibrahim Rugova”  për kontribut të veçantë dhënë gjatë gjithë jetës së tij për paqen, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e vlerave humane.

Tubimi i njohur te Verrat e Llukës, në Deçan, i mbajtur më 1 Maj 1990, ku morën pjesë mbi 500 mijë njerëz, ishte nisma e parë e madhe për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave midis shqiptarëve…Kjo nismë më vonë u shndërrua në lëvizje të rëndësishmë mbarëkombëtare.

Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe para 21 viteve – në pranverën 1999.

 Në 4 Maj 2017 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, ka aprovuar kërkesën e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Pejës për përfshirjen e hapësirës Verrat e Llukës, në Fshatin Llukë të Epërme të Komunës së Deçanit, në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.

Me atë rast, Ministria deklaroi se, mbrojtja e përkohshme pranohet me arsye se Verrat e Llukës karakterizohen për vlerat historike, shoqërore dhe shpirtërore, si vendndodhje historike në kuadër të kategorisë Peizazhe Kulturore.

Në këtë vend janë zhvilluar shumë ngjarje historike, që nga viti 1900 deri në vitin 1910 aty u mblodhën shqiptarët për të luftuar kundër pushtuesit osman.

Po ashtu, ky vend njihet për Kuvendin e Verrave të Llukës, Besëlidhjen e Madhe Shqiptare të Verrave të Llukës, ndërsa historiku i Verrave të Llukës kulmoi në 1 Maj 1990, ku mbi 500 mijë shqiptarë, nga të gjitha hapësirat etnike, u tubuan aty për t’u jetësuar iniciativa e rinisë shqiptare, e pasuar nga intelektualët të prirë nga Anton Çetta dhe Zekrija Cana, për Pajtimin e Gjaqeve, lëvizje kjo e cila ndikoi në bashkimin e shqiptarëve dhe lëvizjen e mëvonshme për liri, pavarësi dhe demokraci.Me këtë akt institucionet e Kosovës shtet nga 17 Shkurti historik 2008 i shpalljes së Pavarësisë, tregojnë e vijojnë kujdesin e shtuar ndaj trashëgimisë kulturore të Kosovës, të cilën e marrin në mbrojtje, e promovojnë dhe ua përcjellin brezave si vlerë e shtetit të Kosovës. 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Muaji i Anton Çettës, Nentori

Kosova, Memorandum Bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

October 23, 2020 by dgreca

Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup  nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit për krijimin e Rrjeteve të pastra 5G ndërmjet Kryeministrit Kosovar Avdullah Hoti dhe Nën Sekretarit Amerikan të Shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin,  Keith Krach/

-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sot po zhvillon vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, me ftesë të Kryeministrit Zoran Zaev/

SHKUP, 23 Tetor 2020– Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, bashkë me Nën Sekretarin Amerikan të Shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, z. Keith Krach, ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit për krijimin e Rrjeteve të pastra 5G.
Me këtë rast, Kryeministri Hoti tha se është kënaqësi dhe nder i veçantë që në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup të nënshkruajmë Memorandumin e Bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me sigurinë për 5G.
“Jam i nderuar që bashkë me Nën Sekretarin për Çështje Ekonomike të nënshkruajmë këtë Memorandum. Unë e falënderoj atë dhe gjithë Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendosmërinë që shpejtë të qojmë përpara zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit”, tha Kryeministri Hoti.

Duke vlerësuar se ky është hap i madh drejt rritjes së sigurisë në këtë fushë, Kryeministri Hoti tha se përmes kësaj Kosova merr obligimet e veta shtetërore për të qenë krahë partnerëve strategjikë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në këtë fushë.

“Ne tanimë i kemi ndërmarrë veprimet e duhura në Prishtinë lidhur me këtë çështje, por besoj se kjo është shenjë e fuqishme e vendosmërisë së Presidentit Trump dhe Qeverisë së SHBA-ve, për të quar përpara zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit”, tha Kryeministri Hoti, duke falënderuar edhe Ambasadorin Kosnett për mbështetjen e vazhdueshme që jep në Prishtinë, në funksion të kësaj marrëveshje dhe proceseve të tjera.

Kryeministri Hoti, tha se pret që shpejt edhe vendet tjera në regjion të lëvizin drejt nënshkrimit të këtij Memorandumi, duke potencuar se vetëm së bashku kur t’i integrojmë sistemet tona mund të rrisim sigurinë në regjion dhe sigurinë globale në këtë fushë.

Ndërsa, Nën Sekretari i Shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, z. Keith Krach, pasi falënderoi Kryeministrin Hoti për vizionin dhe lidershipin e tij, tha se Kosova është një partner strategjik shumë i vlefshëm, dhe kjo ceremoni nënshkrimi është dëshmi e miqësisë së fuqishme në mes të dy shteteve tona.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, MEMORANDUM

Kryeministri Hoti pritet me ceremoni të lartë shtetërore në Maqedoninë e Veriut

October 23, 2020 by dgreca

Shkup, 23 tetor 2020– Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, është pritur sot me ceremoni të lartë shtetërore nga Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Në këtë takim, të dy kryeministrat konstatuan se vendet e tyre ndajnë interesa të përbashkëta në fushën politike, ekonomike dhe më tej, përfshirë këtu edhe aspiratat integruese në familjen evropiane, ndërsa fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe e konsideruan si alternativa e vetme dhe e duhur.

Duke i vlerësuar raportet e mira bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kryeministri Hoti vlerësoi se avancimi i bashkëpunimit në fusha konkrete ndërmjet dy vendeve do të forconte edhe më tej zhvillimin ekonomik, politik dhe tregtar.

Ndërsa, Kryeministri Zaev theksoi se i mbështet përpjekjet e Republikës së Kosovës në rrugën e saj integruese, dhe njëherit e vlerësoi lart bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Për më tepër, Kryeministri Zaev vlerësoi se Kosova është një ndër partnerët më të rëndësishëm tregtar për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Pas takimit kryeministri Hoti dhe kryeministri Zaev kanë mbajtur një konferencë të përbashkët me gazetarë.

Fjala e plotë e Kryeministrit Hoti në konferencë:

Faleminderit shumë i nderuar kryeministër Zaev për pritjen shumë miqësore në Shkup.

Kjo është vizita ime e parë në Shkup, dhe i uroj edhe kryeministrit punë të mbarë në mandatin e ri që e ka marrë dhe shfrytëzoj rastin që ta përgëzoj për veprimet e jashtëzakonshme që i ka ndërmarrë në mandatin e kaluar, veprime të rëndësishme, që nganjëherë në politikë edhe mund të kushtojnë, sa i përket perspektivës dhe karrierës politike të një kryeministri ose të një qeverie, por që hapin perspektivë për zhvillim dhe normalizim të marrëdhënieve.

Në këtë drejtim arritja e marrëveshjes me Greqinë, është një sukses i jashtëzakonshëm i juaji personalisht, me mbështetje të miqve, partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe besoj që  është hap i mirë se si duhet të normalizohen marrëdhëniet në mbarë regjionin.

Ju përgëzoj për avancimin e madh që keni bërë drejt integrimeve evropiane dhe në zhvillimin e nismave regjionale, për të cilat ne presim që t’iu bashkohemi dhe të punojmë bashkë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve në regjion.

Keni bërë një rrugëtim të gjatë, 30 vjeçar si shtet dhe ne, por edhe i gjithë regjioni ka shumë për të mësuar në reformat që keni ndërmarrë, në veçanti në fushën ekonomike, duke renditur vendin tuaj ndër reformatorët kryesor në nivel botëror.

Dëshiroj t’iu falënderoj në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës për koordinimin e ngushtë që kemi pasur si dy qeveri gjatë këtyre muajve, gjatë luftimit të pandemisë, ku qytetarët e të dyja vendeve, duke i tejkaluar të gjitha procedurat burokratike, kanë lëvizur shpejt për t’i kryer nevojat e tyre.

Më vjen mirë që edhe me bisedën që kishim në mbledhjen e përbashkët tani kemi një dakordim që të lëvizim përpara në disa ide, në disa projekte që janë në interes të dy ekonomive tona. E mirëpres shumë idenë që të shkojmë drejt ndërtimit të pikës së përbashkët të kalimit kufitar ONE STOP SHOP, pastaj lidhjen e Prishtinës me gazin këtu në Shkup, me mbështetje edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë që do ta transformojë komplet regjionin dhe më gjerë, sa i përket furnizimit me energji dhe stabilitetit të mbarë regjionit në furnizim me energji në këtë drejtim.

Më vjen mirë që dëgjoj që keni avancuar në procedura sa i përket ndërtimit të autostradës nga Shkupi deri në kufi. Ne kemi përfunduar pjesën tonë dhe besoj që  duke avancuar edhe me ndërtimin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar, ne e lidhim  Prishtinën me Shkupin në më pak se një orë të lëvizjes.

Gjithashtu më vjen mirë që ka gatishmëri të plotë nga ana juaj që të shqyrtojmë mundësinë e studimit të fizibilitetit për autostradën Tetovë- Prizren, sigurisht specifikat që ka regjioni atje, por duhet t’i marrim parasysh ato.

Odat tona ekonomike dhe asociacionet e biznesit do të jenë ngushtë në koordinim me odën ekonomike këtu, për të intensifikuar bashkëpunimin, por edhe për të identifikuar çfarëdo pengese që ne mund të kemi në mes të dy vendeve tona sa i përket intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik.

Bashkëpunimi ynë ekonomik nuk kufizohet vetëm me vlerën e eksporteve dhe importeve që kemi si dy vende, por tejkalon atë edhe në fushën e shërbimeve, por edhe në komplimentaritetin që kanë dy ekonomitë tona në plotë aspekte.

Unë pres që Samiti i Sofjes i cili organizohet në Bullgari, për të cilin ju përgëzoj, të jetë një sukses për regjionin me kontributin e juaj, duke i konkretizuar disa nga nismat regjionale të cilat ju i keni filluar në mandatin e kaluar, por tash mund t’i konkretizojmë dhe mund t’i çojmë përpara së bashku, si regjion mbi baza plotësisht të barabarta, si vende të Ballkanit Perëndimor.

Pres me padurim që të takohemi prapë në Samitin e Sofjes më 10 nëntor që t’i konkretizojmë këto nisma.

Është bërë një punë e mirë në përgatitjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive tona, kemi më se 40 marrëveshje të nënshkruara. Unë pres me padurim që sapo të krijohen kushtet të organizojmë një mbledhje të përbashkët, ku do të rishikojmë marrëveshjet që janë nënshkruar deri më tani për të parë zbatimin e tyre dhe të identifikojmë mundësitë e tjera të bashkëpunimit duke nënshkruar marrëveshje të reja.

Unë pres me padurim që t’ju mirëpres gjithashtu në Prishtinë.

***

Kryeministri Hoti: Kosova dhe Maqedonia e Veriut, partnerë

Shkup, 23 tetor 2020- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në Maqedoninë e Veriut u prit edhe nga Presidenti Stevo Pendarovski, me të cilin diskutoi për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe dhe fqinjësisë së mirë, bazuar në interesat e përbashkëta politike dhe ekonomike, të cilat e begatojnë stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e rajonit tonë.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri Hoti e potencoi faktin se Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut janë partnerë në shumë fusha.

“Ky është demonstrim praktik i principit të fqinjësisë së mirë dhe mund të thuhet se po japim kontributin tonë aktiv të ofrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në”, theksoi Kryeministri Hoti.

Në takim u konstatua se Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë duke lëvizur drejt të njëjtit cak, integrimeve euroatlantike, dhe këtë rrugë do ta bëjnë edhe më të lehtë, duke e përkrahur njëra – tjetrën.

Ndër të tjera, nga Kryeministri Hoti dhe Presidenti Pendarovski u specifikua se nuk ka çështje të hapura ndërmjet dy vendeve, gjersa konkluduan se ka rezultate të dukshme të cilat janë bazë e mirë për projektet e ardhshme në të gjitha ato fusha që janë me interes të qytetarëve dhe vendeve tona.

Sa i përket dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, Kryeministri Hoti rikonfirmoi qëndrimin  e  Qeverisë së Kosovës, ku tha se normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve duhet t’i paraprijë njohja reciproke.

Kryeministri Hoti ka falënderuar nikoqirin edhe për bashkëpunimin gjatë kohës së pandemisë dhe shkëmbimin e përvojave në luftimin e saj.

     ***

Kryeministri Hoti u prit nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi

 Shkup, 23 tetor 2020- Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, është pritur edhe nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ku biseduan për zhvillimet politike në vend dhe rajon, me theks të veçantë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy vendeve.
“Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut ndajnë interesa të përbashkëta në fushën politike, ekonomike, legjislative dhe më tej, përfshirë këtu edhe aspiratat integruese në familjen evropiane”,  ka theksuar Kryeministri Hoti, ndërsa bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve e cilësoi si shembull të mirë të bashkëpunimit fqinjësor.
Temë diskutimi në këtë takim ishte edhe procesi i dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, me ç’rast Kryeministri Hoti potencoi faktin se duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare, që nënkupton njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve, e cila do t’i kontribuonte paqes, stabilitetit dhe rrugës euroatlantike të rajonit.
Kryeministri Hoti dhe Kryetari Xhaferi biseduan edhe për sfidat që po përballet rajoni dhe bota, përkatësisht me luftën kundër pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike, ku i pari i Qeverisë së Kosovës precizoi përkushtimin maksimal dhe masat e ndërmarra për tejkalim të situatës së krijuar nga ky armik global dhe kthimit të gjendjes në normalitet.

   ***

Kryeministri Hoti takoi Kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti

Shkup, 23 tetor 2020- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ka zhvilluar takim me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e përgjithshme, forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe perspektiven euroatlantike të rajonit.

 “Roli konstruktiv i faktorit politik shqiptar në institucionet e Maqedonisë së Veriut, si dhe bashkëpunimi i mirë ndërmjet dy vendeve tona, konsideroj se janë kontribut direkt në forcimin e paqes, stabilitetit dhe qëndrueshmërisë sonë në rrugën euroatlantike”, tha Kryeministri Hoti.

Bashkëbiseduesit vlerësuan se krahas bashkëpunimit aktual në fushën politike dhe ekonomike,  do të rrisin përkushtimin edhe në fushën e arsimit, kulturës dhe mbrojtjes së investimeve, si dhe do të  iniciojnë  marrëveshje të reja në të gjitha ato fusha që janë në interes të qytetarëve dhe vendeve tona.

Kryeministri Hoti, para nikoqirit theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në luftën kundër pandemisë, masat e ndërmarra për tejkalimin e sfidave të krijuara nga ky armik global, bashkë me planin për rimëkëmbje ekonomike, me qëllim të kthimit të gjendjes në normalitet dhe zhvillimit të mëtejmë.
Ndër temat e diskutimit në këtë takim ishte edhe procesi i dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për të cilën Kryeministri Hoti tha se arritja e një marrëveshje përfundimtare, që do të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy vendeve do t’i forconte marrëdhëniet ndërfqinjësore.

***

Kryeministri Hoti takoi Kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi

Shkup, 23 tetor 2020- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Maqedoninë e Veriut, u takua edhe me Kryetarin e partisë Alternativa, Afrim Gashi.

Me këtë rast, Kryeministri Hoti vlerësoi rolin e spektrit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se kontributi i tyre në zhvillimin e vendit, veçanërisht në kultivimin e demokracisë dhe integrimit është tepër i rëndësishëm, pasi që shqiptarët me të drejtë konsiderohen si përcaktues në shtetndërtim.

Po ashtu, Kryeministri Hoti me nikoqirin diskutoi edhe për proceset dhe gjendjen politike në Kosovë dhe në rajon, ku specifikoi prioritetet dhe përkushtimin e Qeverisë në betejën kundër pandemisë COVID-19, si dhe planin për rimëkëmbje ekonomike.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, ceremoni shteterore, Maqedoni e Veriut

Lumturimi i Nënës Tereze, në ceremoni Presidenti historik Rugova

October 19, 2020 by dgreca

Para 17 viteve, 19 Tetorin 2003 të lumturimit të Nënës Terezes, në Vatikan, nga Papa Gjon Pali i dytë, -Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e vlerësonte ditë historike për shqiptarët dhe botën/

-Ishte viti 1995, kur në 7 Dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, Rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës takohet për hërë të parë e të vetme me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen në Aeroportin e Romës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 19 Tetor 2020/  Para 17 vitesh, më 19 Tetor 2003, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në Vatikan, mori pjesë në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, misionares shqiptare Gonxhe Bojaxhiu me origjinë nga Kosova, lindur në Shkup. Para më se gjysmë milioni njerëzve, në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, Papa Gjon Pali i dytë ka lumturuar Nënë Terezën.

Presidenti historik Rugova, pas kthimit nga pjesëmarrja në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, e vlerësoi këtë akt si ditë historike për Kosovën dhe popullin shqiptar.

 “Po kthehem nga Roma, ku ishim në ditën e beatifikimit të Nënës Tereze, që është një ditë e madhe për Kosovën, për popullin shqiptar.

 Mund të themi se është një ditë historike dhe një ditë e madhe për gjithë botën, sepse ajo është Nënë shqiptare dhe poashtu Nënë e gjithë botës”, theksoi Presidenti Rugova në një deklaratë para mediave në Aeroportin e Prishtinës, në 22 Tetor 2003.


Gjithashtu Presidentti Rugova shprehu kënaqësinë që në ceremoninë e lumturimit të Nënës Tereze morën pjesë me mijëra shqiptarë nga Kosova, viset shqiptare dhe nga bota.

Me këtë rast, Presidenti Rugova falenderonte Papa Gjon Pali II për lumturimin e Nënës Tereze dhe organizimin e ceremonisë madhështore që hapi rrugën për shenjtërimin e Nënës Tereze.

Në 17 Tetor 2003, para ceremonisë së lumturimit, Vatikani publikoi një biografi të Nënës Tereze. Teksti fillonte pikërisht me një deklarim të Nënë Tërezes në vitin 1995, ku ajo theksonte prejardhjen dhe besimin e saj me këto fjalë: “Me gjak jam shqiptare, me shtetësi jam indiane dhe me zemër i përkas Jezu Krishtit”.

 Rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka takuar tëLumen Nënë Tereza, nobelisten – nënën tipike shqiptare, që është edhe e gjithë botës, siç është shprehur ai.

Ishte viti 1995, kur në 7 DhjetorPresidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, takohet për hërë të parë e të vetme me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen.  “Do të lutem për popullin e Kosovës”, tha Nëna Tereze gjatë këtij takimi me Presidentin Rugova.  Takimi u zhvillua në Aeroportin e Romës, gjatë rrugës së Presidenti Rugova për në Uashington. “Unë e kam takuar vetëm një herë Nënën Tereze në Aeroportin e Romës, rastësisht, por veprën e saj e njoh shumë, shumë mirë…Ato pak çaste që kemi kaluar, kur iu prezantova si President i Kosovës i rodhën lotët, ishte në vitin 1995…dhe dëshiroi sukses dhe punë dhe e ndinte në zemër popullin e Kosovës dhe popullin shqiptar që e ka dëshmuar edhe me vepër”, ka treguar Presidenti Rugova…

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, Lumturimi i Nënës Tereze

Kosova zbaton Marrëveshjen në Uashington të 4 Shtatorit 2020

October 16, 2020 by dgreca

“Kosova do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku mund të ketë pajisje të tilla, institucionet përkatëse të vendit do të angazhohen për heqjen e tyre”, theksoi Kryeministri Hoti/


PRISHTINË, 16 Tetor 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kosova zbaton zotimet e Marrëveshjes historike të 4 Shtatorit 2020 në Uashington të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në prani  të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump,  nga Kryeministri Kosovar dhe Presidenti i Serbisë.Në një nga pikat e Marrëveshjes së Uashingtonit theksohet: “Të dyja palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku tashmë ka pajisje të tilla, të dyja palët angazhohen për heqjen e tyre dhe përpjekje tjera të ndërmjetësimit në kohën e duhur.”Sot nga Qeveria e Kosovës u paralajmërua se, në Kosovë nuk do të ketë më përdorim të pajisjeve 5G që sigurohen nga shitës të pabesueshëm.Në komunikatën e dërguar nga Zyra e Kryeministrit theksohet:Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), si organi më kompetent në fushën e komunikimeve elektronike.Në këtë takim, Kryeministri Hoti potencoi rëndësinë e sigurisë kombëtare, ruajtjes së rendit publik, ruajtjes së kufirit shtetëror për funksionim të qëndrueshëm e të besueshëm përmes institucioneve përkatëse shtetërore dhe bashkërendimit të veprimeve ndër-institucionale.“Kosova do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku mund të ketë pajisje të tilla, institucionet përkatëse të vendit do të angazhohen për heqjen e tyre”, theksoi Kryeministri Hoti.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, marrveshja e 4 shtatorit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT