• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova nuk jep tokë për njohjen e Serbisë

February 25, 2019 by dgreca

Kryeministri Haradinaj: Kosova nuk jep tokë për njohjen e Serbisë/

1 Haradinaj1

 – Sot na duhet shembulli i heroit tonë Enver Hadri që të mos na përsëritet historia.

25 02 2019 KM (3)

 “Burrat si Enver Hadri e kanë sjellë Kosovën këtu ku është dhe ua kemi për borxh atyre dhe brezave që kurrë më të mos lejojmë tragjedi të tilla, pra të mos lejojmë t’u ndodhë shqiptarëve Toplica e dytë”, u shpreh Haradinaj/

PRISHTINË, 25 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ “Kosova nuk jep tokë për njohje dhe nëse ky është çmimi, Kosova nuk ka nevojë për njohjen e Serbisë”, deklaroi sot kryeministri Ramush Haradinaj, duke theksuar vendosmërinë për të qëndruar në të drejtën e pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008.

 Ai tha se, sot, 20 vjet pas çlirimit dhe kur po hyjmë në dekadën e dytë të pavarësisë, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u devijua nga disa qarqe në Kosovë e Bruksel, duke u shndërruar në dialog për territore.

“Vendosmëria për të qëndruar në të drejtën e Kosovës së 17 Shkurtit, është rreshtim në anën e drejtë të historisë. Edhe veprimi që kemi marrë për të bllokuar mallrat e Serbisë, pra taksa 100%, është po ashtu veprim që pengon formalizimin e një ndarje”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Ai foli në akademinë përkujtimore me rastin e 29 vjetorit të vrasjes së heroit Enver Hadri, që u organizua nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës.

“Burrat si Enver Hadri e kanë sjellë Kosovën këtu ku është dhe ua kemi për borxh atyre dhe brezave që kurrë më të mos lejojmë tragjedi të tilla, pra të mos lejojmë t’u ndodhë shqiptarëve Toplica e dytë”, u shpreh Haradinaj.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj tha se Enver Hadri është mishërim i fatit të shqiptarit përgjatë dy shekujve, duke shtuar se është nder të kujtohet intelektuali  dhe veprimtari i madh i lëvizjes për liri e shtet, ambasadori i parë joformal  i Kosovës në zemër të Europës politike.

Para të pranishmëve të shumtë, për jetën dhe veprën e Enver Hadrit foli bashkëpunëtori më i ngushtë Reshat Sahitaj, ndërsa të pranishmit i përshëndeti Nediha Grapci, motra e heroit./b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Kryeministri Haradinaj, nuk ka toka per te shitur

TREPÇA, MBROJTJE KOSOVËS

February 20, 2019 by dgreca

-Veprimtari në e Stanterg në 30 vjetorin e grevës së madhe të minatorëve të Trepçës në mbrojtje të Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj: Mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e atëhershme të minatorëve, luanëve të nëntokës tonë, është kthimi i Trepçës në burim jete/

1 Flet ramushi1 greva1 Mitrovica

-Greva  e urisë e 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  shkurt 1989, ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë, rezistencë e fuqishme kundër rrënimit të dhunëshëm dhe kundërkushtetues të autonomisë që me Kushtetutën e vitit 1974 kishte Kosova, e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët, u pasua me demonstratat gjithëpopullore/

-Sa Ari e Argjend prodhonte Trepça – gjiganti i ekonomisë së Kosovës/

-Si u arrestova pse botova në gazetën tradicionale e historike Rilindja shkrimet për grevën e minatorëve të Trepçës në mbrojtje të Kosovës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*

STANTËRG-MITROVICË, 20 Shkurt 2019/ Në minierën e Stantergut të Mitrovicës u mbajt sot manifestimi i 30 vjetorit të grevës së madhe të minatorëve të Trepçës të vitit 1989 në mbrojtje të Kosovës.

“Mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e atëhershme të minatorëve, luanëve të nëntokës tonë, është kthimi i Trepçës në burim jete”, u shpreh  kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në minierën e Stantërgut.

Ai shtoi se, ne sot nuk kemi ardhur këtu vetëm ta kujtojmë atë sakrificë të atëhershme, por kemi ardhë ta konfirmojmë se atëherë e kemi ditur se çfarë duam, e po ashtu e dimë edhe sot.

“Kemi pasur vështirësi e do të kemi, por më besoni se jemi në të drejtën tonë dhe nuk do të ndalemi të punojmë me secilin, qoftë pozitë apo opozitë, veri apo jug. Do të punojmë me secilin për rikthimin e Trepçës, pra sot minatorët i uroj për statutin e Trepçës dhe urime për Trepçën kompani sipas ligjit të Kosovës”,  tha Haradinaj.

Tani, shtoi ai, menaxhmenti dhe të gjithë që marrin vendime për Trepçën duhet ta diskutojnë një plan veprimi se si do të veprojnë dhe do t’i qasen asaj.

Kryeministrit Haradinaj iu nda një mirënjohje nga kryetari i Sindikatës së Trepçës, Shyqyri Sadiku.

Menaxheri i ndërmarrjes Trepça, Xhevdet Tahiri, duke kujtuar grevën e para 30 vitesh, tha se kjo ishte një rezistencë gjithëkombëtare, pasi aty u bashkua mbarë populli shqiptar duke apeluar që kjo sakrificë e bërë në të kaluarën sot duhet të shërbejë për unifikim në drejtim të arritjes së objektivave zhvillimore ne ndërmarrjen Trepça.

Në Trepçë, për tetë ditë me radhë, aq sa kishte zgjatur greva e urisë,  tradicionalisht zhvillohen veprimtari përkujtimi dhe vlerësimi të “Javës së Minatorëve”.

Greva  e urisë e 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  shkurt 1989, ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë, rezistencë e fuqishme kundër rrënimit të dhunëshëm dhe kundërkushtetues të autonomisë që me Kushtetutën e vitit 1974 kishte Kosova si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën shtatë shtete.

Greva minatorëve, e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët,  u pasua me demonstratat gjithëpopullore të po para 30 vjetëve, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Në këto rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

Trepça, pasuri e madhe shumëmiliardëshe e Kosovës, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna.

Përfundimi i luftës para gati 20 viteve, në qershorin 1999, Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial dhe në Kosovën e lirë nisën përpjekjet për rimëkëmbje.

Brenda 45 viteve, nga  viti 1945 deri në 1990, në Trepçë janë prodhuar gjithësej 10.710 kg ari i pastërtisë së lartë. Mesatarja ishte 238 kg ari për një vit, sipas të dhënave të ekspertëve, njohësve të gjigandit ekonomik të Kosovës. Edhe 113 tonë argjend të pastër brenda një viti është një nga të dhënat e prodhimit në Trepçë në atë kohë.

Gjiganti ekonomik Trepça në 2019-tën u bë me Statut të ri. Në 3 shkurt Propozim-Statuti i Shoqërisë Aksionare Trepça Sh.A. u procedua Kuvendin 120 anëtarësh dhe kaloi me 80 vota pro, pasi i propozuar nga Bordi Mbikëqyrës është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës në 25 janar. Versionin e ri të Projekt-Statutit Qeveria e dërgoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili në 8 tetor 2016 ka shqyrtuar edhe për herë të dytë dhe ka miratuar Ligjin për Trepçën.

 Statuti i Trepçës përcakton themeluesit e shoqërisë aksionare, aksionet e tyre, veprimtarinë, strukturën organizative, kapitalin themeltar, menaxhimin, afarizmin dhe të gjitha çështjet organizative që lidhen me kompaninë.

Emërtimi i shoqërisë aksionare është Trepça Sh.A dhe selia është në Parkun Industrial të Mitrovicës.

Miratimi Statusit të Shoqërisë Aksionare Trepça Sh.A. mundëson zbatimin e Ligjit për Trepçën dhe versioni i ri është në pajtueshmëri të plotë nga të gjithë akterët që ndikohen nga kjo kompani, është theksuar në mbledhjen e Qeverisë dhe në seancën e Kuvendit të Kosovës.

 ***

SHËNIM I SOTËM, 20 SHKURT 2019: SI U ARRESTOVA PSE BOTOVA NË GAZETËN TRADICIONALE E HISTORIKE RILINDJA SHKRIMET PËR GREVËN E MINATORËVE TË TREPÇËS NË MBROJTJE TË KOSOVËS

Në kohën e grevës së minatorëve të Trepçës në shkurt 1989, para 30 viteve, isha redaktor – shef i deskut (për ngjarjet e ditës) në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja. Thuaja gjithë gazetën e mbushnim me raportimet e gjera të ekipeve speciale të gazetarëve e të korrespondentëve për grevën e minatorëve e kërkesat e tyre në mbrojtje të Kosovës, për liri e demokraci, për përkrahjen gjithëpopullore.

Pas grevës kishte arrestime, së pari arrestuan gazetarin e redaktorin shumëvjeçar të Rilindjes, Zenun Çelaj, i cili gjatë gjithë kohës së grevës ka raporuar në krye të ekipit nga miniera e Trepçës në Stantërg…

Mua më arrestuan pse si redaktor i gazetës Rilindja kam botuar shkrimet për grevën, kërkesat e minatorëve e përkrahjen.

Ishte ditë e diel, 17 janar 1993. Shkova në Pallatin Rilindja në zyrat e gazetës, nuk bëja asnjë ditë pushim për raportimet për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë, nga telexi, e vetmja lidhje e mundëshme në atë kohë nga Kosova në Shqipëri…Kur sapo dola, derisa po ecja fill vetëm një rrugice të afërt nëpër lagjen e Pejton të Prishtinës, policët serbë që kishin dalë në pritë më rrëmbyen, arrestuan… “Kaherë të kërkojmë…”, më thanë. Kishte kohë të gjatë që nuk u përgjigjesha ftesave të gjykatës serbe.

Gazeta e rezistencës “Bujku”, e datës 19 janar 1993, me titullin “U arrestua gazetari i ‘Rilindjes’ Behlul Jashari”, ka shkruar  se veprimtari i njohur i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut “avokati Bajram Kelmendi kuptoi se klienti i tij u mor në polici lidhur me një proces gjyqësor që zgjat që nga viti 1989 e që ka të bëjë me shkrimet e ‘Rilindjes’ në shkurt të atij viti për grevën e njohur të minatorëve të ‘Trepçës’”.

Gazeta shkruante se pasi më kishin mbajtur “deri dje në orën 8 të mëngjesit në një qeli të ftohtë” më dërguan në Gjykatën Komunale, e cila më liroi pasi “gjyqi caktoi seancën gjyqësore për 29 janar”.

“Protestë e gazetarëve të ‘Rilindjes’” ishte titulli tjetër i gazetës, e ku theksohej se protestohej kundër arrestimit tim dhe “përgjithësisht kundër respresionit të pushtetit serb ndaj gazetarëve dhe informimit shqiptar” dhe shprehej zotimi se “edhe në këto kushte të rënda do të vazhdojnë misionin”…

Kujtoj sot se kur më dërguan me pranga policia serbe, në Gjykatë pash se në mbështetje për lirimin tim bashkë me avokatin e veprimtarin për të drejtat e liritë njerëzore Bajram Kelmendi, të cilin me dy bijtë e tij në mars 1999 në Prishtinë  forcat serbe i rrëmbyn në shtëpi dhe i ekzekutuan, ishte edhe shkrimtari i njohur shqiptar Azem Shkreli. I kujtoj edhe sot e gjithmonë me shumë vlerësim e respekt.

me shume fotografi gjeni ne faqen e re te Gazetes Dielli( Dielli Gazeta Newspaper

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, MBROJTJE KOSOVËS, Trepca

QYTETET SHQIPTARE NË FOTOGRAFITË E VJETRA 1863-1916

February 19, 2019 by dgreca

-Qytetet shqiptare në fotografitë e vjetra 1863-1916, ekspozitë në Prishtinë. Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj, tha se profesor Eqrem Zenelaj është një hulumtues i madh i arkivave, fama profesionale e shkencore e të cilit ka tejkaluar hapësirën kombëtare/

1 a ekspozita2 qytet3 qytet fot1 qytetet

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 18 Shkurt 2019/ Ekspozita “Qytetet shqiptare në fotografitë e vjetra,1863-1916” është një nga aktivitetet e festimeve të 17 Shkurtit – 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, e cila vijon të jetë e hapur në Muzeun Kombëtar në Prishtinë.

Ekspozitën e hapi Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës nën përkujdesjen e Zyrës së Kryeministrit dhe në bashkëpunim me Eqrem Zenelajn, i cili  “pamjet e kohës në fotografi” të qyteteve shqiptare i solli në Kosovë nga Vjena – Austria.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj, tha se profesor Zenelaj është një hulumtues i madh i arkivave, fama profesionale e shkencore e të cilit ka tejkaluar hapësirën kombëtare.

“Fotografitë janë pamje edhe të infrastrukturës edhe të urbanizmit të kohës, flasin shumë edhe për zhvillimin krahasuar me të sotmen”, u shpreh ai.

Mes shumë pjesëmarrësve në hapje të ekspozitës ishte edhe ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Fotografitë e qyteteve shqiptare të viteve 1863-1916 edhe pas mbylljes së ekspozitës do jenë në dispozicion për të interesuarit pasi i janë dhuruar Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.(me shume fotografi gjeni ne fb dielli vatra

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, qytetet shqiptare

KOSOVA, 11 VJET PAVARESI

February 17, 2019 by dgreca

-Ngjarjet më të rëndëishme nëpër vitet e Kosovës shtet i pavarur/
1 ngritha flam -Njohjet e para Kosovës shtet iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika/
1 Ushtria2
-Njohja e Kosovës shtet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu bë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë, kur e njohu edhe Shqipëria…/
1 Kur u shpall Pava

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 17 Shkurt 2019/  Ditë e diel dhe festë është përsëri 17 Shkurti 2019 i 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, si 17 Shkurti hitrorik 2008 i shpalljes së shtetit të ri,   pas Ditës së lirisë – 12 Qershorit 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s pasuar me vendosjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara.

 “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë kryeministri Hashim Thaçi, tash president i Republikës, të dielën e 17 Shkurtit të para 11 viteve, në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.

Pak para kësaj ore, para se 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu në zyrën e tij, në afmosferë feste e përzemërsie, në intervistën ekskluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare deklaronte se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja” dhe se “nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar”.

17 Shkurti 2008 i Pavarësisë së Kosovës, dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, e vlerësuar kështu në faqen e parë të botimit të jashtëzakonshëm festiv të gazetës historike Rilindja, në festën e madhe të gjithë shqiptarëve u përmbyll me fishekzjarret më të shumta e më të shkëlqyera që janë parë ndonjëherë mbi Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të ri evropian, të saposhpallur.

Kosova deri tani është njohur nga 116 shtete, ndërsa njohjet e para iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika.

Dy ditë para se të mbusheshin katër muaj pas 17 Shkurtit të shpalljes së Pavarësisë, në 15 Qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ishte miratuar në Kuvend në 9 Prill, dhe që në nenin 1 përcaktonte se,“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.

Flamuri shtetëror i Kosovës ishte shpalosur që në ditën e shpalljes së Pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, i cili në një seancë të veçantë në 11 Qershor 2008 miratoi edhe Himnin Shtetëror.

Gjatë 11 viteve, Republika e Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me mëse 90 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur mëse 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

Në këto 11 vite të pavarësisë Kosova ka mbajtur edhe gjashtë palë zgjedhje të lira e demokratike, tre parlamentare dhe tre lokale.

Ndërsa, vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë ishin 2010-ta, 2012-ta, së bashku 2015-ta e 2016-ta dhe 2018-ta.

Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e veçantë të datës 23 Korrik 2010 ka miratuar solemnisht një deklaratë ku shprehte kënaqësinë dhe aprovimin për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe zotohej për respektimin e tij.

 Në 2018-tën Kosova u bë me ushtri dhe kjo ishte edhe ngjarje viti dhe shumë e rëndëishme e shtetit të pavarur gjatë 11 viteve. Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës  Ushtri është miratuar me unanimitet në shqyrtim të dytë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018.  Në 28 Dhjetor 2018 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka dekretuar tre ligjet që e ndryshojnë mandatin dhe misionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“ I falënderoj mbështetësit ndërkombëtarë, SHBA-në dhe të gjitha shtetet e tjera aleate në këtë ditë të rëndësishme të zyrtarizimit të Ushtrisë së Kosovës”, është shprehur me këtë rast Presidenti Thaçi.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në qershorin 1999.

Parakalimi, nga ora 13:00 deri 14:00, në sheshet kryesore të Prishtinës  i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për herë të parë si ushtri, është një nga aktivitetet e festës ditën e sotme, të nisura me mbledhjen festive të Qeverisë në orën 08:30 e me ngritjen solemne të Flamurit të Republikës së Kosovës në orën 08:45, ndërsa seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës mbahet nga ora 12:20  deri 13:00, sipas axhendës shtetërore, ku janë paraparë edhe veprimtari të tjera.

PRESIDENTI THAÇI: SHPALLJA E PAVARËSISË SË KOSOVËS, AKTI HISTORIK MË SUBLIM

PRISHTINË, 17 Shkurt  2019-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dejklaroi sot se shpallja e Pavarësisë së Kosovës para njëmbëdhjetë vjetëve ishte akti historik më sublim që institucionalizoi përpjekjet tona për liri.Për këtë të arritur të gjithë qytetarët tanë janë meritorë.
“I falënderojmë të gjithë miqtë tanë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. U jemi mirënjohës përjetë!”, shprehet Presidenti Thaçi.

KOSOVË-HARADINAJ: PAVARËSIA JETON NË NE

PRISHTINË, 17 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Kosovës ka nisur aktivitetet në shënim të përvjetorit të njëmbëdhjetë të Pavarësisë së Kosovës me mbledhjen e saj solemne të drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.

“Pavarësia jeton në ne dhe me neve dhe për Pavarësinë të gjithë kemi rrëfimin tonë”, tha ai duke shprehur konsideratën dhe vlerësimin më të lartë për përvjetorin e shënimit të ngjarjes më të madhe të Kosovës dhe popullit të saj.

 “Në këtë ditë do të shprehim gjithë falënderimin tonë për të rënët për liri, për miqtë dhe të gjithë ata që ndihmuan rrugëtimin e Kosovës drejt realizimit të aspiratave për liri dhe pavarësi. Me kujdesin më të madh jemi përballur me të gjitha temat që i kanë dalë para Kosovës, para Qeverisë, dhe njëkohësisht me respektin më të madh për interesin e qytetarëve të vendit.  Ka shumë vendime, shumë ligje, reforma, vendime të mëdha sikurse ishte ushtria, vendimet që lidhen me Trepçën, me resurset tjera ekonomike”, tha kryeministri Haradinaj në fjalën e tij para kabinetit qeveritar.

Duke folur për fillimin e dekadës së dytë të Pavarësisë së Kosovës, kryeministri Haradinaj shtoi se janë edhe më të vendosur që të ecin rrugës së konsolidimit të shtetit dhe stabilitetit të tij dhe se synojnë që në këtë vit vendimtar ta përmbyllin edhe dialogun me Serbinë, me njohjen reciproke të vendeve tona, dhe të vazhdojnë në procesin e rrugëtimit drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkim Evropian.

“Gjatë rrugëtimin tonë kemi hasur në sfida, jemi në sfida, do të sfidohemi në të ardhmen, por  bindja ime është që Kosova nuk e ka luksin të bëjë hapa prapa, por vetëm hapa para dhe këtë do t’ua kërkojmë dhe do t’ua shpjegojmë miqve tanë se hapat prapa e dobësojnë Kosovën,  e dobësojnë besimin e qytetarëve në shtetin e tyre”, tha kryeministri Haradinaj.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri Ramush Haradinaj ka uruar të gjithë qytetarët e vendit për përvjetorin e njëmbëdhjetë të shpalljes së Pavarësisë. Gjithashtu, urimin e tij kryeministri e ka drejtuar edhe për të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës, të prirë nga SHBA-ja, me shprehje të falënderimit dhe përkushtimit për të vazhduar rrugëtimin drejt progresit, lirisë, dhe mirëqenies së qytetarëve.

Pas mbledhjes, kabineti qeveritar ka vazhduar me aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Pavarësisë, fillimisht me ngritjen e flamurit shtetëror në oborrin e Qeverisë, me nderimet të shtatorja e Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe me nderimin te pllaka përkujtimore për të zhdukurit.

Kryeministri Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga kabineti qeveritar ka vizituar kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe ka bërë nderime të varrezat e të rënëve, duke rikujtuar se sakrifica dhe lufta e shenjtë e UÇK-së ishin themeli i Pavarësisë dhe lirisë së Kosovës.

VESELI: KOSOVA ËSHTË E BEKUAR NGA ZOTI DHE MIQTË E SAJ

 

PRISHTINË, 17 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalimin e tij në seancën solemne për shënimin e 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, tha se shteti i Kosovës është histori e suksesit por edhe e sfidave.

Ai tha se të gjithë përfaqësuesit e institucioneve, kanë për detyrë ta ruajnë Republikën e Kosovës dhe ta bëjmë vend të begatë për qytetarët,  për të rinjtë, për punëtorët, minatorët, mjekët, arsimtarët, policët, ushtarët, shërbyesit civilë, për secilin që e ndjen Kosovën atdheun e tij.

 

“Në besimet fetare, thuhet se njeriu është i bekuar kur ka Zotin në anën e tij. Ndërkaq, në politikën globale, i bekuar është ai shtet që ka botën perëndimore në anën e tij, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E tillë është Kosova, vend i bekuar nga Zoti dhe miqtë”, tha ndër të tjera Kryeparlamentari Veseli.

  

Fjalimi i plotë i Kryeparlamentarit Kadri Veseli:

 

Të nderuar të pranishëm

Qytetarë të dashur

Sot është dita më e veçantë për popullin tonë. Është ditëlindja e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Ne, që sot jemi në këtë sallë, përfaqësojmë brezin më fatlum të historisë sonë mbi 100 vjeçare.

Ne njohëm e përjetuam dhimbjet e vuajtjet e paraardhëseve tanë.

Por, për dallim nga ta, ne ia dolëm ta bëjmë realitet ëndrrën e tyre më të madhe: lirinë e Kosovës.

Secili prej nesh, kush më shumë e kush më pak, kemi pasur fëmijëri të vështirë, duke ballafaquar ëndrrat për të ardhmen me traumat e robërisë në të cilën u rritëm.

Edhe shtetet, në kush e di sa raste që na i tregon historia, kalojnë nëpër traumat e rritjes së vështirë.

Rritja e tyre është e mbushur me sfida dhe dyshime, por edhe me ëndrra dhe shpresa të mëdha.

As shteti ynë nuk bën përjashtim prej këtyre rasteve.

11 vjet të shtetit tonë të ri – janë 11 vjet të rritjes me vështirësi, sfida dhe suksese të mëdha.

Jam i sigurt se këto suksese, e nesërmja ka për t’i gjykuar si punë të jashtëzakonshme të brezit tonë.

Për aq sa gjykimi do të bjerë edhe mbi lëshimet e qëllimshme.

Kur ne festojmë ditëlindjen, sipas zakonit, rreth nesh mblidhen miqtë tanë më të mirë. Ata na urojnë me fjalët më të zgjedhura, për të ardhmen që kemi përpara.

Kjo gjë ndodh edhe me shtetet.

Ne jemi shtet i vogël, por kemi pasur dhe kemi miq të mëdhenj.

Përkrah nesh kanë qëndruar dhe vazhdojnë të qëndrojnë shtetet më të fuqishme të botës demokratike – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet tjera perëndimore, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, Austria, Hungaria dhe shumë shtete të tjera.

E ne sot, të gjithë bashkë, në emër të kombit tonë, në ditëlindjen e 11-të të shtetit tonë të pavarur e sovran, u shprehim mirënjohjen më të thellë këtyre shteteve për mbështetjen e madhe që i dhanë kombit tonë, në arritjen e lirisë, pavarësisë, shtetndërtimit, dhe para dy muajsh – edhe në krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Në besimet fetare, thuhet se njeriu është i bekuar kur ka Zotin në anën e tij.

Ndërkaq, në politikën globale, i bekuar është ai shtet që ka botën perëndimore në anën e tij, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E tillë është Kosova, vend i bekuar nga Zoti dhe miqtë.

Ndërsa ne që jemi në këtë sallë, kemi për detyrë ta ruajmë këtë pasuri dhe ta bëjmë këtë vend të begatë për qytetarët tanë, për të rinjtë tanë, për punëtorët, minatorët, mjekët, arsimtarët, policët, ushtarët, shërbyesit civilë, për secilin që e ndjen Kosovën atdheun e tij.

Të dashur qytetarë të Kosovës

Të nderuar kolegë

Personalitete të nderuara të Kosovës, ambasadorë të vendeve mike dhe mysafirë që sot na keni nderuar me pjesëmarrjen tuaj

Historia e kombit tonë është histori e popujve që kanë vuajtur gjatë dhe me sakrifica kanë arritur lirinë.

Ne e dimë të kaluarën tonë. Nuk e harrojmë atë. Por, as nuk do të lejojmë të mbetemi vetë peng i saj, e as të na mbajë dikush peng.

Ne duam të ardhmen, zhvillimin, mirëqenien, integrimin në BE, NATO, OKB, fuqizimin e partneritetit me miqtë tanë, veçanërisht me ata që na u gjenden pranë dhe na rrinë afër në çdo sfidë.

Duam edhe ndërtim urash komunikimi me ata që nuk na duan, ose kanë gjykim të gabuar për ne.

Por, mbi të gjitha, duam trajtim të dinjitetshëm dhe respekt për ne, si vend europian dhe perëndimor.

Shteti ynë dhe kombi ynë kanë orientime të qarta europiane dhe perëndimore. Dhe, askush nuk ka të drejtë të na nëpërkëmbë vetëm pse sot mendon se mund ta bëjë një gjë të tillë, ose pse ashtu dëshiron të sillet me ne.

Si vend europian, nuk e meritojmë izolimin.

E dimë se kemi të meta, gabime. E dimë se kemi shumë sfida për t’ju bashkuar vendeve të zhvilluara europiane.

Por, askush nuk mund të na i mohojë sukseset si shtet 11-vjeçar.

Me të arriturat që kemi, edhe kështu si jemi sot, Kosova lë prapa shumë nga vendet me traditë qindravjeçare shtetërore.

Nuk u marrim lakmi për mirëqenie dhe infrastrukturë as vendeve përreth.

Ashtu siç nuk jemi aq larg standardit jetësor edhe të vetë disa vendeve brenda BE-së.

Jemi të vetëdijshëm që ende kemi nevojë të përmirësohemi në funksionimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit,që ende kemi shumë për të bërë për perspektiven ekonomike, inovacionin dhe ndërmarrësinë me konkurrencë të barabartë.

Askujt më shumë nuk i kushtojnë këto mangësi dhe deformime sesa shoqërisë sonë, fëmijëve tanë. Por, jemi të vendosur dhe nuk do të ndalemi derisa ta arrijmëqëllimin tonë perëndimor.

Të nderuar të pranishëm

Kosova nuk është dhe asnjëherë s’ka për të qenë strofull e krimit të organizuar, bandave dhe terrorizmit.

Për dy dekada lirie, Kosova ka dhënë shembullin e vet për këtë, duke qenë kampione e veprimit preventiv dhe neutralizues të çdo veprimi të tillë, në vend ose nga qytetarët tanë jashtë.

Kështu do të jetë edhe në të ardhmen.

Në reformat në sistemin e drejtësisë, së bashku me partnerët perëndimorë, jemi duke bërë veprimet më të duhura.

Më herët, në standardin e drejtësisë së kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare, Kosova, si vendi më i vogël, më i robëruar, me masakrat e tmerrshme të përjetuara në këtë pjesë të Europës, ka jetësuar edhe një Gjykatë Speciale – e cila do ta trajtojë çfarëdo krimi të pretenduar në luftën e fundit në baza një-etnike.

Historia mund të na gjykojë si të dojë për këtë dhe dashakëqijtë mund të flasin si të duan.

Por, po, ne e kemi bërë këtë Gjykatë. Edhe sot e them, është dashur ta bënim, sepse asnjëherë nuk do ta vinim fatin e cilitdo individ në Kosovë para interesit të shtetit.

Do ta kryejmë edhe këtë sfidë me dinjitet.

Mirëpo, një gjë duhet të mos tentohet as minimalisht të ngatërrohet: Agresori dhe krimi dihen. I dimë ne dhe gjithë bota. Ajo është veç Serbia dhe forcat e saj ushtarake.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet forca më e pastër çlirimtare në luftën e popujve për liri dhe drejtësi.

Duke pasur parasysh këtë, edhe sot thërras të gjithë bashkëluftëtarët që t’i përgjigjen me dinjitet kësaj Gjykate, sepse më i madh se fati i secilit prej nesh është fati i kombit dhe shtetit tonë.

  

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës

Të nderuar kolegë

Në muajt e fundit, keni parë iniciativat e SHBA-së dhe BE-së për një proces përfundimtar të Dialogut.

Serbia, deri më sot, nuk ka treguar racionalitet në këto përpjekje për normalizim raportesh me Kosovën.

Dialogu me Serbinë nuk është popullor dhe u kushton politikisht atyre që përfshihen në këtë proces.

Por, tani, me kërkesën e vendosur të SHBA-ve dhe BE-së, ne duhet të vendosim drejt – mes asaj që çfarë fitojmë si parti politike dhe asaj çfarë fiton kombi dhe shteti ynë.

Çdoherë kur kemi vënë përpara interesin e vendit dhe racionalitetin shtetëror, kemi pasur sukses.

E kaluara e dëshmon më së miri këtë.

Gati 100 vjet kemi derdhur gjak, por nuk ia kemi dalë ta heqim qafesh robërinë. Nuk ia kemi dalë, sepse ishim të vetmuar, nuk kishim miq dhe zëri ynë nuk dëgjohej aty ku merreshin vendimet e mëdha politike për ne.

Gati 100 vjet kemi luftuar që të afrohemi me botën perëndimore, të jemi pjesë e aleancave të saj.

Në luftën e fundit e kemi arritur këtë.

E arritëm në Rambuje, dhe e vazhduam edhe më mirë në Vjenë – kur kurorëzuam shtetin të cilin e gëzojmë dhe për të cilin festojmë sot.

Me të tjera sjellje, a do të mund t’i arrinim këto suksese?

Përgjigjen e dimë secili prej nesh.

Të dashur qytetarë

Në Dialog nuk shkojmë vetëm për marrëveshje me Serbinë.

Ne Dialog shkojmë, sepse rruga jonë, përcaktimi ynë,ështëqë çdo mosmarrëveshja ta zgjidhim në mënyrë paqësore.

Dhe, po ashtu, si shtet i pavarur dhe sovran, marrim mbi vete edhe obligimet që përmban për ne ky sovranitet karshi rajonit dhe partnerëve tanë strategjikë si SHBA-të dhe BE.

Ideja e paqes afatgjate dhe eliminimi i ndikimit rus në rajon – nuk është interes vetëm i partnerëve tanë perëndimorë, në krye me SHBA-të, por është edhe interes strategjik yni.

Ky është orientimi ynë.

Në këtë proces, kalkulimet elektorale, qasjet individuale, protagonizmat dhe inatet – nuk po i bëjnë mirë Kosovës.

Është koha t’i lëmë këto.

Mund të fitojë individi ose partia në një moment, mbase mund të fitohet edhe pushteti, por sjelljet e tilla nuk çojnë askund. Përkundrazi, ato  rrezikojnë një komb, një shtet; në këtë rast – kombin tonë, shtetin tonë.

Është koha për vendimmarrje me mençuri dhe urtësi.

Dialogu i brendshëm dhe konsensusi – janë ligj i shteteve parlamentare.

Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar përballë Serbisë.

Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar përballë Serbisë, sepse përtej dallimeve të ekzagjeruara për shkaqe elektorale, ne kemi një qëllim të njëjtë:

– Fuqizimin e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës.

– Përfundimin e mosmarrëveshjeve me Serbinë.

– Njohjen prej saj të shtetit të pavarur të Kosovës.

– Anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

– Hapjen e perspektivës konkrete për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Mbi të gjitha, ne duhet të jemi bashkë sot përballë Serbisë – për të mos ua lënë fëmijëve tanë nesër fatin tonë të rëndë të së kaluarës.

Disa fjalë edhe për taksën…

Serbia e ka merituar dhe e meriton taksën, për shkak të sjelljeve të saj karshi nesh.

Largimi i saj është i panegociueshëm, për shumë arsye.

Por, përmbi emocionet e taksës ndaj Serbisë, dua të flas për urgjencën e racionalitetit shtetëror.

Vendimmarrja shtetërore nuk duhet të jetë as përgjegjësi dhe as kritikë individuale.

Në  vendimmarrje shtetërore, asgjë nuk duhet të ketë personale. Pra, edhe ky vendim, si çdo vendim tjetër për Kosovën, duhet të jetë shtetëror, institucional.

Duhet t’i vëmë në peshojë interesat strategjike të shtetit tonë përballë Serbisë, duke marrë parasysh edhe reflektimet për faktorët determinues të botës që na rrethon; Rusisë me aleatë në njërën anë, dhe SHBA-së e BE-së në anën tjetër.

Me SHBA-të dhe BE-në në krah, Kosova është më mirë dhe më e sigurt.

Interesat strategjike dhe gjeopolitike perëndimore dhe amerikane në Ballkan përputhen plotësisht me interesat e Kosovës dhe kombit tonë. Andaj, Kuvendi dhe Qeveria duhet t’u qëndrojnë prapa zotimeve të përbashkëta Kosovë – SHBA dhe BE.

Në të kundërtën, Kosova nuk fiton.Ndërsa, Serbia rehabilitohet.

Sa i përket kësaj situate të ndjeshme dhe ndërlidhjes së saj me mandatin e Qeverisë, dua t’i siguroj qytetarët se, si lider i koalicionit qeverisës, nuk do të lejoj për asnjë moment që relacioni ynë me Serbinë ta përcaktojë stabilitetin dhe fatin e institucioneve tona, pra as të Qeverisë së Kosovës.

Pra, Qeveria e Kosovës nuk do të bjerë për shkak të taksës. Ky është qëndrimi im i vendosur.

Qeveria dhe Kuvendi mund të bien vetëm për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve të tyre strategjikë si SHBA-të dhe Bashkimi Europian.

Në fund, të dashur qytetarë, duke jua uruar Festën e Pavarësisë, dua t’ju them të gjithë juve, kudo që jetoni, në atdhe e diasporë:

Në këtë botë, shumë gjëra ndryshojnë. Ndryshojmë edhe ne njerëzit. Ndryshojnë edhe idetë dhe bindjet tona.

Por, në Kosovë një gjë kurrë s’ka për të ndryshuar: VERDIKTI I 17 SHKURTIT 2008.

SHTETI I KOSOVËS KA LINDUR, SI SOT 11 VJET MË PARË, PËR TË QËNDRUAR PËRGJITHMONË GARDIAN I LIRISË DHE PAVARËSISË SË KOSOVËS.

Urime Dita e Pavarësisë.

Lavdi atyre që ranë për këtë ditë të madhe: dëshmorëve të kombit!

 KRYESIA E LDK,  HOMAZHE PRESIDENTIT HISTORIK RUGOVA

 

 

PRISHTINË, 17 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ Me rastin e shënimit të 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, anëtarë të kryesisë së LDK-së i kanë bërë homazhe Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

 

LDK-ja shpreh falënderim ndaj prijësit të idealit për liri dhe pavarësi, Dr. Ibrahim Rugova dhe të gjithë atyre që ndihmuan në këtë rrugëtim drejt realizimit të ëndrrës shekullore për pavarësi.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka shprehur dhimbje për mungesën e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova.

 

“Vërehet mungesa e Presidentit Rugova në ruajtjen e miqve që ndihmuan Kosovën në shtetoformim”, ka thënë Beqiri.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kosova 11 vjet

USHTRIA E KOSOVËS PARAKALOI NË DITEN PAVARËSISË

February 17, 2019 by dgreca

1 UshtriaPRISHTINË, 17 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/

1 Ushtria2

Sot në përvjetorin e 11-të të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në sheshin „Skënderbeu“  parakaluan kuadratet e Ushtrisë së Kosovës para mijërave qytetarëve dhe udhëheqësve shtetëror.

a UshtriaCeremonia solemne e manifestimit filloi me intonimin e Himnit të Kosovës nga Orkestra frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

1 Parak

Komunikata dërguar nga Ministria e Mbrojtjes thekon se, në manifestimin qendror merrnin pjesë udhëheqësit shtetërorë të Kosovës; presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, kryeministri i Republikës Shqipërisë Edi Rama, ambasadori i SHBA-ve, Fhilip Kosnnet, vëllai i Komandanti legjendar Rifat Jashari, ministra dhe mysafirë të shumtë, ambasadorë, diplomatë, përfaqësues të KFOR-it, si dhe mijëra qytetarë të Kosovës dhe trojeve etnike.

Në kuadër të ceremonisë shtetërore ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, zyrtarë të lartë të ministrisë, gjeneralë dhe oficerë të FSK-së.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, gjatë fjalimit të tij, në përvjetorin e 11-të të Pavarësisë, pos tjerash tha se FSK-ja është krenaria e Kosovës.

„Para nesh kemi një ushtri profesionale, e cila është në shërbim dhe mbrojtje të shtetit më të ri në Evropë, e gatshme për të kontribuar për paqe në rajon dhe botë. Vendimi për themelimin e ushtrisë ishte i drejtë, legjitim dhe mesazh historik“ tha pos tjerash Presidenti Thaçi.

Pas fjalës së presidentit, komandanti i parakalimit gjeneral brigade Enver Cikaqi, raportoi para presidentit Hashim Thaçi, për gatishmërinë e kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për parakalim.
Kuadratet e FSK-së, parakaluan duke filluar nga Togu Ceremonial, Batalioni i Parë i BRSH-së,  Batalioni i Dytë i BRSH-së dhe Batalioni i Tretë i BRSH-së, Brigada e Mbështetjes Operacionale, Regjimenti i Mbrojtjes Civile, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, Qendra për Studime Universitare dhe Orkestra Frymore e FSK-së.

Kuadratet e FSK-së, gjatë parakalimit u shoqëruan me brohoritje dhe duartrokitje nga qytetarët e pranishëm në sheshin Skënderbeu. /b.j/

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Ushtria e Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT