• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Festohen e urohen Krishtlindjet ortodokse

January 7, 2019 by dgreca

-Urojnë liderë institucionalë, politikë e fetarë. Në Manastirin e Graçanicës, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës,  në kremte ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett/

1 a manastir-gracanice_31 manastir-gracanice_12 a Gracanice

-Krishtlindjet ortodokse, 7 janari, janë një nga festat zyrtare të përcaktuara me Ligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës miratuar në Kuvend në 21 maj 2008 – vitin e shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 7 Janar 2019/ Krishtlindjet ortodokse kremtohen edhe në Kosovë, i urojnë liderë institucionalë, politikë e fetarë.

“Të gjithë besimtarëve ortodoksë u shpreh urimet më të mira në ditën e Krishtlindjes së tyre. Le të ketë edhe më shumë paqe, lumturi dhe begati në familjet e tyre. Gëzuar kjo ditë e shenjtë”, është mesazhi i presidentit të Republikës, Hashim Thaçi.

Kryeministri Ramush Haradinaj  u ka uruar për shumë mot Krishtlindjet ortodokse të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtarë, të cilët shërbejnë në misione të ndryshme në vend, që festojnë sipas kalendarit julian.“Kjo festë është nxitje për promovimin e vlerave njerëzore, si mishërim i hyjnores. Realiteti shumëfetar i shoqërisë sonë duhet të na shërbejë si motiv shtesë që ta ndërtojmē një shtet, që garanton më shumë shpresë, mirëqënie ekonomike dhe siguri për qytetarët. Kremtofshi në paqe, me familjet Tuaja, me mirësi e begati”, është shprehur kryeministri i Kosovës.

Poashtu, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë më të madhe opozitare, Isa Mustafa, të gjithë qytetarëve të besimit ortodoks ua uron Krishtlindjen.“Në këtë ditë feste familjet e juaja të jenë të mbushura me shëndet, begati dhe shumë dashuri. Çdo festë, edhe kjo le ta gjejë popullin e Kosovës më të bashkuar prë një ardhme të përbashkët plot begati”, thekson ai në mesazhin e urimit.

 Mbrëmjen e djeshme në Manastirin e Graçanicës, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës,  në kremte ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett, i cili tha se kjo ishte Krishtlindja ortodokse e parë për të në Kosovë.”Është mrekulli të jesh këtu, këtu jam me bashkëshorten time. Kjo është Krishtlindja jonë e parë në Kosovë dhe është privilegj që jemi këtë mbrëmje në Graçanicë. Thjeshtë, u dëshiroj të gjithëve Krishtlindje të lumtur dhe paqe në vitin 2019”, citohet ambasadori.Në Kosovë pjesë e besimtarëve ortodoksë është komuniteti serb, i cili  përbën 1.47 % të banorëve sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, kur u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë, prej tyre  92.93 % shqiptarë, pa përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrimin e popullsisë të katër komunave veriore të Kosovës, ku serbët e kanë refuzuar.Në zgjedhjet lokale 2017 në Kosovë numri i votuesve në këto katër komuna veriore me shumicë serbe, sipas regjistrit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte: Mitrovicë e Veriut – 21.797,  Leposaviç – 17.747,  Zveçan – 9.069 e Zubin Potok – 8.400.

Krishtlindjet ortodokse, 7 janari, janë një nga festat zyrtare të përcaktuara me Ligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës miratuar në Kuvend në 21 maj 2008 – vitin e shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik.Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  para afër 11 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur deri tani nga 116 shtete anëtare të OKB-së.

Në Kosovë, që ka gjithësej 38 komuna, nga10 komunat me shumicë serbe 5  janë të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Paketës Ahtisaari. Po sipas kësaj Pakete, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Festohen e urohen, Krishtlindjet ortodokse

“20 vjet zëri i lirisë”

January 4, 2019 by dgreca

Radio-Kosova e Lirë, sot më 4 janar 2019 e shënon 20-vjetorin jubilar me një program artistik e kulturor/

  • KORRESPONDENTI I DIELLIT,- Behlul Jashari: Në këtë Jubile të 20-vjetorit të Radios Kosova e Lirë, shumë urime edhe për shumë suksese/

1 a 20 vjetori

Në 20-vjetorin e fillimit të transmetimit të Programit, drejtoria e  Radios-Kosova e lirë, sot më 4 janar 2019, ky institucion përkujton përvjetorin jubilar me një program artistik e kulturor. Fillimisht në orën 12:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë,  mbahet pjesa foljore e manifestimit dhe përurohet libri dokumentar: “20 vjet zëri i lirisë”.

Me këtë rast përurohet edhe kënga për Radion Kosova e Lirë  orkestruar nga Edmond Zhulali, kënduar nga këngëtarja e mirënjohur, Mrika Trumshi.

Në orën 13.00 shfaqet pjesa e parë e filmit dokumentar: “Zëri i fitores” prodhim i TV-Diellit.

Në këtë përvjetor jubilar janë ftuar të marrin pjesë, familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, ish gazetarë e operatorë, bashkëpunëtorë të Radios, dëgjues të saj dhe qytetarë liridashës

Radio-Kosova e Lirë mirëpret të gjithë ata që kanë interesim për ta përcjellë këtë aktivitet në përvjetorin e saj jubilar, në shënim të 20-vjetorit të fillimit të transmetimit të programit.

Me rastin e këtij shënimi jubilar, drejtori, Ahmet Qeriqi ka thënë se Radio Kosova e Lirë ka kryer një mision historik gjatë kohës së luftës, por edhe pas luftës ajo i mbeti besnike vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  por edhe vlerave  kombëtare përgjithësisht.

***

Behlul Jashari: Në këtë Jubile të 20-vjetorit të Radios Kosova e Lirë, shumë urime edhe për shumë suksese/

Behlul Jashari:  Në këtë Jubile të 20 vjetorit të Radios Kosova e Lirë,  shumë urime edhe për shumë suksese. Gjatë luftës ju dëgjoja edhe në Prishtinë Po ju dërgoi lajmin e para 20 viteve për  fillimin e transmetimeve tuaja që e kam raportuar si korrespondent në Kosovë i Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë (ATSH) që sot e gjej në anglisht

Punë të mbarë e gjithë të mirat

Behlul Jashari

Prishtinë, 4 Janar 2019

***

Selaudin Sela: Radio Kosova e Lirë, për mua si shqiptar, lindur e rritur në Amerikë ishte zëri i kushtrimit dhe i shpresës për liri

Në urimin e tij drejtuar Radios-Kosova e Lirë në këtë përvjetor jubilar, luftëtari i lirisë nga “ish-Batalioni Atlantiku”, Selaudin Sela ka shkruar: Për shkak të obligimeve që i kam këto ditë, nuk mundem të marr pjesë në festën e 20 vjetorit të Radios Kosova e lirë. Prandaj, po ua dërgoj këtë letër urimi.   Radio Kosova e Lirë, për mua si një shqiptar i lindur edhe I rritur në Amerikë ishte zëri i kushtrimit dhe i shpresës për liri. E vetmja radio që doli nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila përcillte mesazhin tek ne se lufta për liri po forcohet dhe shpërndahet anekënd Kosovës. Për ne ishte frymëmarrje e për armikun ishte helm. E vetmja radio që edhe sot 20 vite pas luftës nuk ka ndryshuar politikën redaktuese për një frymë të shqiptarizmës, për një frymë puro shqiptare enveriane , Adem-Jashariane dhe nuk pranoi të nënshtrohet nga asnjë sundues i huaj apo vendor. Radio Kosova e Lirë nuk bëri kurrë kompromis me politikën nënshtruese dhe vazhdoi në luftë rrugën e lirisë, e në liri eci në rrugën e mbrojtjes së vlerave të luftë.

U përkujtuan dëshmorët, iu dha hapësirë veprimtarëve antijugosllav, shtresës së ish të burgosurve politik dhe ishte gjithmonë krah i djathtë i simbolit të rezistencës Adem Demaçi.

Radio Kosova e Lirë u bë pjesë e familjeve të heronjve, dëshmorëve e martirëve të Kosovës. Vazhdoi të mbetet zëri i veteranëve të luftës dhe i gjithë atyre që ëndërr e kanë bashkimin kombëtar.

Puna e palodhëshme e stafit të Radios Kosova e Lirë është vështirë të përshkruhet me fjalë. Vetëmohimi i tyre dhe ndërgjegjja e profesionalizmi i tyre ka një emër, ata quhen Idealistë të kohës moderne.

Edhe unë në Amerikë si shumë shqiptarë që jetojnë këtu, bashkë me familjen time e dëgjojmë rregullisht këtë zë çlirimtar të idealistëve.

Jam shumë i lumtur që kontributi im herë pas here në Radion Kosova e Lirë po shkon në vendin e duhur dhe në frymën e duhur të shqiptarizmës.

Ju uroj ditëlindjen e 20’-të, Për gjithë çka këtu me keni, dhe ju dëshiroj suksese në punën tuaj të shenjtë!

Me Respekt

Selaudin Sela, New York

***

SHVL-UÇK: 20 vjet nga emërimi dhe zëri i bukur i kushtrimit që rrezatoi në etër, ai zë që ngohte zemrën e çdo atdhetari

Kryetari i Shoqatës Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Daim Hiseni,  me rastin e 20 vjetorit të themelimit të Radios Kosova e Lirë ka dërguar një telegram urimi me përshëndetje të përzemërta e vëllazërore për stafin e luftës  dhe gazetarët e Radios Kosova e Lirë në këtë vit jubilar, me rastin e 20 vjetorit nga koha kur zëri i kushtrimit rrezatoi në eter dhe ishte një që preku zemrën e çdo atdhetari me informimin e denjë të një politike redaktuese në frymën kombëtare dhe punën e ndershme të stafit profesional.  Sot ajo aspiratë  u bë realitet në  Kosovën e lirë dhe sovrane. Pa dyshim, se meritë për këtë të arritur, është edhe Radio- Kosova e Lirë ka shkruar kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Daim Hiseni.

 

***

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka uruar drejtuesit e Radios Kosova e Lirë me rastin e 20-vjetorit të themelimit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka uruar drejtuesit dhe punëtorët e radios ‘Kosova e Lirë’ dhe agjencisë ‘KosovaPress’ me rastin e 20-vjetorit të themelimit. Ai ka thënë se 20 vite më parë hapja e këtyre dy mediumeve ka ngrohur zemrat dhe mendjet e shqiptarëve. “Edhe minus 17 gradë celsius shkoi temperatura e ultë para 20 dimrave. Mirëpo, në datën 4 janar 1999 seç na i ngrohu zemrat e mendjet themelimi i Radios ‘Kosova e Lirë’ dhe i agjencisë së lajmeve ‘KosovaPress’. Në njërën anë, shqiptarët por edhe të huajt mund të merrnin informacion të dorës së parë nga zonat e luftimeve. Në anën tjetër, UÇK-ja po forcohej me një shtyllë të re përgjatë ngritjes së saj”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.

***

ARKIV

“Free Kosova” radio broadcasts in FM 100-104 MHz

PRISHTINE, Jan 5 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that Radio Free Kosova which started broadcasting on Monday on decision of the General Staff of the Kosova Liberation Army (KLA) from free territories can be listened every day at 15.55 p.m. at FM 100-104 MHz, “Kosova today” newspaper published in Prishtina reported.

Another daily “Koha Ditore” quoting a KLA source saying that “the frequencies cannot be made public but it is sure that it has 100 km wave- length.”

The same source said that this radio can be clearly listened in Prishtina, Mitrovica, Vushtri, Drenice, Malisheve and surroundings, Peje and central Kosova.

“The radio is broadcasting a few-hour daily program now,” Koha Ditore quoted the KLA source as saying. /dast/ak/

Albanian Telegraphic Agency

Edhe dy lajme tjera në kohë lufte në Kosovë, të 5 Janar 1999:

[21] US mediator meets Kosova leader

PRISHTINE, Jan 5 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that the US mediator on Kosova Christopher Hill met on Tuesday noon with President of Kosova Ibrahim Rugova.

The same source said that the talks focused on developments in Kosova and need to speed up the political process on a solution to Kosova issue.

President Rugova said to Ambassador Hill that the situation in Kosova was worse and urged intensification of efforts to stop Serb violence in Kosova. /dast/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[01] Two Albanians killed in vicinity of Vitia

PRISHTINE, Jan. 5 – ATA correspondent Behlul Jashari reports that two Albanians were killed on Monday midnight in the vicinity of the city of Vitise, Kosova.

The youths Bekim Miftari, aged 26, and Qerim Rrahmani, 33, were killed in their work place, in a service, the Council for the Human Rights in Vitia, announced. This source does not yet have information on the killing circumstances. /I.Pu/A.A/

Albanian Telegraphic Agency

Filed Under: Featured Tagged With: “20 vjet zëri i lirisë”, Behlul Jashari

KUFIRI I ËNDRRËS

January 3, 2019 by dgreca

“Sapo e paskam kaluar kufirin e hekurt që ishte dikur midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ishte mendimi i parë që i erdhi pas zgjimit nga dremitja në ulësen e kupesë. “Ishte si fundi i botës, kufiri fatkeq që i ndante shqiptarët…”/

1 Behlul RD

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 3 Janar 2019/ “Kufiri i ëndrrës” ishte reportazhi futuristik që kam shkruar para 21 viteve, në fundvitin 1997, botuar pikërisht në 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha. Në atë reportazh në kohë të rënda okupimi paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”.

Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.

I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.

Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.

Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur nga 17 Shkurti 2008.

Ky ishte reportazh futuristik i para 21 viteve:

KUFIRI I ËNDRRËS

(Reportazhi i Ardhmërisë – III)

Shkroi: Behlul JASHARI

1 Kufiri i Endrres

Një qiell i akullt hënor po mbushej me dritën e mëngjesit mbi Dukagjin. Ishte imazhi që po i fanitej prej dritares së trenit, që me rrugën nga Janina e kishte kaluar edhe natën. Vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, për herë të parë po udhëtonte në veri të atdheut, në kërkimet, për punim diplome, të kufijve të botës shqiptare nëpër shekuj. Nëpër pjesën e hekurudhës së sapondërtuar po hynte në Gjakovë.

“Sapo e paskam kaluar kufirin e hekurt që ishte dikur midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ishte mendimi i parë që i erdhi pas zgjimit nga dremitja në ulësen e kupesë. “Ishte si fundi i botës, kufiri fatkeq që i ndante shqiptarët…”

Tek po përpiqej ta maste me sy madhësinë e qytetit ku po ndalonte treni, më shumë e pëlqente një krahasim të përsëritur shumë vjet: “Kosova brenda vitit shtohet për një qytet, lind fëmijë aq sa ka banorë Gjakova”.

Zbriti vetëm për pak  sa t’i shkelin këmbët në tokën e Kosovës, që nga Çamëria e parafytyronte si një takim me legjendën… “Rekord i arit në Trepçë”, ishte titulli me shkronja të mëdha në ballë të faqes së parë të botimit të mëngjesit të njërës nga gazetat që i mori t’i lexojë në vazhdimin e rrugës për në Prishtinë, ku kishte paralajmëruar arritjen për atë ditë…

Nga qendra hekurudhore në Fushë-Kosovë nëpër metronë që çon në Prishtinë arriti në Qytetin Studenti. E gjeti lehtë Zyrën e Shërbimeve Studentore, që i kishin thënë se ndodhet pranë Fakultetit Filozofik, para të cilit nga larg shihet një përmendore e lartë e Naimit.

“O, po, ju kemi pritur, e kemi marrë telegramin tuaj, ku keni paralajmëruar një qëndrim studimor. Ju kemi siguruar vend në konviktin e studentëve nr. 9”, i tha plot përzemërsi sekretarja e Zyrës Studentore.

Zyra, që e priste plot mirëpritje, po i bënte një përshtypje të veçantë me fotografitë e pikturat e varura nëpër mure, si në një ekspozitë.

“Është një pjesë e historisë”, i tha nikoqirja, duke i treguar në veçanti pamjet nga demonstratat studentore të viteve 1968, ‘81…  ’97…

Pikturën, që ishte aty e kishte parë origjinalin në Galerinë Kombëtare në Tiranë. Është “Molla e Kuqe”, një shenjë e paharrueshme e gjeografisë e historisë shqiptare.

“A do të hyjë edhe Molla e Kuqe në punimin tënd të diplomës, ajo ishte shenjë e kufirit me serbët?” – pyeti nikoqirja.

“Pikërisht edhe për Mollën e Kuqe jam nisur këndej”, tha studentja që kishte marrë udhën e largët, deri te “kufiri i ëndrrës”. Shprehja “Kufiri i ëndrrës” i erdhi nga titulli i një libri me motive të dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877-78…

Gjumi e kishte zënë derisa po shfletonte një atlas të gjeografisë shqiptare, dhe ishte zgjuar herët për të shkuar në Bibliotekën Kombëtare e Universitare. Rrugës u ndal në një klub studentësh, që me kafenë e mëngjesit të shfletojë gazetat e ditës. Më shumë u ndal në shkrimet që lidheshin me interesimet e saj. Gazeta “Rilindja” paralajmëronte se “së shpejti do të fillojnë bisedime shqiptaro-serbe për rirregullimin e kufirit”, ndërsa gazeta “Bota shqiptare” shkruante se “rritet përditë e më shumë numri i shqiptarëve në Turqi që kërkojnë të kthehen në tokat prej nga janë shpërngulur të parët e tyre”…

Gjithçka kërkoi në Bibliotekë ia sollën nga arkivat në tavolinë. Kishte kaluar shumë orë shfletimi e kërkimi të përgjigjes në pyetjen se kah do të ketë qenë vija e kufirit të natyrshëm shqiptar në veri para vitit 1877, para dëbimeve masive të mbi një milon a më shumë shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit?

Kronikat thoshin: “Elementi shqiptar më së shumti jetonte në Qarkun e Toplicës. Toplica shtrihej në mes të Jastrebovcit të Vogël, në veri të Kopaonikut, në perëndim të Sikobicës, maleve të Arbanasit, i afrohej Moravës Jugore”… Kronikat përmendnin Jabllanicën, Qarkun e Toplicës e të Nishit, të Pirotit… “Elementi shqiptar shtrihej edhe përtej Sanxhakut të Nishit”, thoshin disa kronika, e disa të tjera se “kalonte edhe  lumin Moravë”…

Gjithë ato vende që përmendnin kronikat i kishte vijëzuar në një hartë, dhe po kërkonte vendin për të vënë shenjën e Mollës së Kuqe.

Si nga një shetitje në histori po dilte nga Biblioteka, ku do të kthente edhe disa herë ditëve të ardhme. Kishin mbetur edhe vetëm pak minuta deri në orën e takimit me shoqen e shokët që sapo i kishte njohur në Prishtinë.

E pritnin në kafiterinë “Orëjeta”, ballë hotelit “Evropa”, prej nga do të shkonin në Teatrin e Operës e Baletit, për të parë një shfaqje të trupës së artistëve nga Shkodra…

Qielli i akullt sikur po shkrihej bardh në errësirën mbi dritat e neonit shesheve e rrugëve të qytetit. Po reshte një borë e butë. Mbi bredhin e madh plot ditëza në rrugën “Nëna Tereze” nga bora që e kishte mbuluar nuk mund të shiheshin më të gjithë numrat e fundit të urimit. Mund të lexohej vetëm: Gëzuar Vitin e Ri dymijë e…”

Mbishkrimi mbi bredh ia përkujtoi të shkojë në telekom t’ia urojë në telefon Krishtlindjet familjes në Luras, dhe t’u paralajmërojë mikpritësve në Prizren shkuarjen në festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut. Sa shumë vjet kishin kaluar…

(Botuar në Gazeta “Bujku” Prishtinë – e shtunë, 3 Janar 1998, faqe 6)

 

Attachments area

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, KUFIRI I ËNDRRËS

Gazeta Rilindja 31 Dhjetor 2018, Ribotimi si Protestë

December 31, 2018 by dgreca

31 Dhjetor 2018–RILINDJA-PROTESTË, ridalje simbolike pas 10 vitesh e gazetës historike të Kosovës/

RILINDJA -31-dhjetor-2018-BALLINAGazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në këtë ndërrim motesh, në pritje të 2019-tës, sot në mbrëmje (31 Dhjetor 2018) ridel  simbolikisht (botim digjital) për PROTESTË dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim.

Në 2019-tën, në 21 Shkurt, bëhen 17 vjet nga dëbimi i kundërligjshëm dhe i padrejtë i gazetës Rilindja – detyrimisht mbyllja e të përditshmes së parë shqiptare në Kosovë, e cila ka nisë të dalë para 74 viteve, në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

Gazeta historike Rilindja nuk u ndal edhe kur u mbyll, nuk është ndalur edhe kur ishte ndaluar në kohë paralufte e  tw luftws për liri e pavarësi të Kosovës.

 Pas luftës, pas mbylljes – dëbimit që i bëri administrata e UNMIK nga shtëpia e saj, në ngjarje historike të lirisë e pavarësisë Rilindja vazhdoi të jetë histori e Kosovës duke dalë me numra specialë e të jashtëzakonshëm, edhe protestues, të kohëpakohshëm.

Numri i parë i pas dëbimit –  i jashtëzakonshëm i gazetës Rilindja ka dalë në 5 Mars 2002 me raportime për zgjedhjen e presidentit e qeverisë në seancën e një dite më parë të Kuvendit të Kosovës të zgjedhjeve të para në liri.

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.
Kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja ishte i ëndërres dhe i të ardhmes: KOSOVA SHTET NË OKB. Dy nga titujt tjerë në ballinë: 53 SHTETE NJOHËN SHTETIN E KOSOVËS dhe VITI 2009 I SHQIPËRISË NË NATO.

 Kaluan plot 10 vjet nga numri i fundit i jashtëzakonshëm e protestues i 30 Dhjetorit 2008 i gazetës Rilindja e të drejtës së shkelur dhe pa sundim ligji në rastin e saj…

Rilindja duhet të ridalë e privatizuar, duke pasur edhe shembullin e gazetave tjera në rajon që kishin status të njejtë si ndërmarrje shoqërore, e që vazhdojnë të dalin të privatizuara…

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga Misioni  i OKB i pas luftës në Kosovë.

Një nga titujt e kësaj ridalje simbolike të gazetës Rilindja në 31 Dhjetor 2018 është: “23 Tetor 2018: Lajm i mirë nga Qeveria e Kosovës – Vendimi ­ për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore ‘Rilindja’”.

“Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë 20 përqindëshin, se tepër shumë gjatë presin të drejtën – 17 vjet nga dëbimi i dhunëshëm, i padrejtë e i kundërligjshëm nga adminisrata e UNMIK-ut në 21 shkurt 2002 nga Pallati Rilindja, ku pastaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka 10 vjet që janë vendosur disa ministri të Qeverisë së Shtetit të Kosovës”, theksohet në shkrimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja që ridel pas 10 vitesh.

“RILINDJA-PROTESTË, ridalje simbolike pas 10 vitesh”, është një nga titujt tjerë të gazetës, e cila riboton edhe disa shkrime të para një dekade – numrit të 30 dhjetorit 2008, me tema që edhe tani janë aktuale.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Ridoli Gazeta Rilindja, si proteste

Kosova 2018, rritje ekonomike 4.3 përqind

December 27, 2018 by dgreca

-Ministri  Bedri Hamza: 2018-ta, vit i suksesshëm për Ministrinë e Financave të Kosovës/

1 Ministri i financave Kos.jpg

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 27 Dhjetor 2018/ Vit të suksesshëm për Ministrinë e Financave të Qeverisë së Kosovës e ka vlerësuar 2018-tën ministri  Bedri Hamza sot në konferencën e fundit për shtyp për këtë vit fiskal.

“Duke ju falënderuar punës së madhe të stafit të Ministrisë së Financave, ne si Ministri po e përmbyllim një vit shumë të suksesshëm. Falë angazhimi të madh të stafit të MF-së dhe  një bashkëpunimi të shëndoshë me donatorët kemi arritur të nënshkruajmë 25 marrëveshje financiare, 17 prej tyre janë marrëveshje grant në vlerë prej 181 milionë euro”, u shpreh ai.

Ministri Hamza gjithashtu theksoi se gjatë vitit 2018 Ministria e Financave ka performuar lartë në fushën legjislative – janë proceduar në Kuvendin e Kosovës 14 ligje.

Ndërsa, sa i përket reformave fiskale, ministri Hamza bëri të ditur se gjatë vitit 2018  është bërë reforma më e madhe ekonomike që ka ndodhur ndonjëherë në vend, , duke filluar nga lirimet nga tatimin doganore për lëndën e parë, gjysmë produkti, linjat e prodhimit, pjesët rezerve dhe pajisjet e IT-së, si dhe lirimi nga tatimi i akcizës për lëndët ndihmëse në procesin e prodhimit.

Ministri Bedri Hamza bëri të ditur se performanca ekonomike mbetet solide, me tendencë përmirësimi. Sipas tij, Kosova do të ketë rritje ekonomike prej 4.3 %, ku investimet private dhe publike, si dhe eksportet janë kontribuuesit kryesorë të  kësaj rritje.

Ai gjithashtu theksoi performancën e lartë të Ministrisë së Financave në kryerjen e obligimeve ligjore dhe përgjegjësive që ka në menaxhimin e financave publike, ku sipas tij sot MF ka arritur të kryejë të gjitha transferet sociale dhe transferet e pagave, si në nivelin qendror ashtu edhe atë komunal.

Ndërsa, sa i përket të hyrave buxhetore, ministri Hamza bëri të ditur se ka pasur rritje prej 6 për qind, ku të hyrat tatimore kanë qenë 1.5 miliard euro, shumë e cila pritet të rritet për disa milionë euro deri në fund të vitit, respektivisht deri në 31 dhjetor 2018.

Ministri theksoi se në mospërmbushjen e planit të të hyrave  ka ndikuar performanca e dobët komunave. Ai bëri thirrje për një angazhim dhe përkushtim më të madh nga komunat sa i përket të hyrave komunale.

Ministri Hamza tha se sa i përket shpenzimeve buxhetore një ndër sukseset më të mëdha në këtë vit është që për herë të parë që nga 2013-ta  investimet kapitale kanë kaluar shumën  mbi 500 milionë euro.

“Bilanci bankar është në një nivel shumë të mirë dhe presim që këtë vit të jetë 385 milionë euro, krahasuar me vitin e kaluar kur ishte 358 milionë euro. Ndërsa, deficiti buxhetor ka qenë i projektuar për 2 për qind dhe sipas rezultateve shihet që deficiti primar është 0.9 për qind”, shtoi ministri Hamza.

Ai falënderoi gazetarët për bashkëpunimin dhe qasjen profesionale ndaj Ministrisë së Financave, si dhe shfrytëzoi rastin që të urojë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për festat e fundvitit dhe për një vit të mbarë në 2019-tën.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Kosova 2018, rritje ekonomike. 4.3 përqind

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT