• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DUKE KUJTUAR DR. IBRAHIM RUGOVEN

December 3, 2018 by dgreca

-Që para afër tre dekadave, Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur/-“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator/

1 ok Ibrahim-Rugova

– “Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në 23 dhjetor 2005 – në takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme/

1 Ibrahim-Rugova-e-Behlul-Jashari-ne-60-vjetorin-e-gazetes-Rilindja-interviste-shkurt 2005- (2)

SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

1 Varri

PRISHTINË, 2 Dhjetor 2018/ Para 74 viteve,  në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, ka lindur Ibrahim Rugova, i cili kujtohet si Presidenti historik i Kosovës dhe arkitekti i pavarësisë.

Përfaqësues institucionalë e politikë dhe qytetarë i bëjnë homazhe Presidentit historik dhe vizitojnë familjen e tij.

Kryeministri i Republikës së Kosovës,  Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në vigjilje të ditëlindjes së Presidentit historik.

“Kemi ardhur për ta nderuar me një simbolikë dhe në kujtim të angazhimit të madh të Presidentit Rugova, për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, por edhe për Kosovën e pavarur, që e gëzojmë sot”, është shprehur kreu i qeverisë kosovare.

“Lavdi e përjetshme veprës dhe jetës së Presidentit historik!’, tha kryeministri Haradinaj

Sot, në homazhe, në emër të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënkryetari Agim Veliu ka vlerësuar lartë figurën e Rugovës duke theksuar se ishte arkitekt i pavarësisë së Kosovës.

“Rugova ishte Presidenti i parë i Kosovës, i cili ëndrrat shekullore të popullit për liri, pavarësi e demokaci i projektoi bukur dhe i udhëheqi ato deri në realizimin e tyre”, tha ai.

Në vizitën Familjes Rugova, më emër të kryesisë së LDK-së ka folur sekretari i përgjithshëm, Ismet Beqiri, i cili ka vlerësuar lartë punën, jetën dhe veprën e Presidentit historik të Kosovës. 

 Në veprimtaritë përkujtimore theksohet se  në lëvizjen për liri e pavarësi Rugova u bë simbol i rezistencës me përkrahjen e gjithë popullit të Kosovës, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.

Që para afër tre dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur. “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte ai.

Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, në 23 dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti politike lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, që shpallte Kosovën Republikë, si dhe Referendumit për Pavarësi të fundshtatorit 1991, në 24 maj 1992 Rugova në zgjedhjet e para pluraliste nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh Presdiednt i Republikës së Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Si gjithmonë, edhe në 4 mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës President i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës – në liri, Rugova shprehej: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Me Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, intervistën e parë ekskluzive e kam zhvilluar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare para më shumë se 24 viteve, derisa bisedonim gjatë ditën e enjëte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës. Ishte atëherë kohë e rëndë e okupimit dhe dhunës serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Në intervistë, Presidenti Rugova tek fliste atëherë si për ëndërra parashikonte ngjarjet që pasuan, theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”.
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova.
Ai besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte. 

“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej Presidenti Rugova.
Pyetjes se çfarë do të thotë politikë globale shqiptare dhe si mund të realizohet ajo në praktikë, në kushtet e ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij, Presidenti Rugova iu përgjigj: “Kjo politikë do të shembë muret mes shqiptarëve”.

“Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët po bashkëpunojmë në planin politik”, theksonte Presidenti historik i Kosovës.
“Në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Do të thotë se kemi një vizion se ç’duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se politika globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte”, shprehej ai.
Rugova vlerësonte se, “politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në planin ndërkombëtar”. “Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj, brenda dhe jashtë, e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje, që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët”, vijonte ai. 

Në 11 tetor 1991, në Prishtinë, ishte miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova.  Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Presidenti Rugova në intervistën që zhvilloja vlerësonte se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar” , se “opcioni i parë ishte një Kosovë e pavarur e neutrale”, dhe “që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale”.

Me Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova isha edhe në konferencat e shumëta për shtyp që mbante para, gjatë e pas luftës në Kosovë, ku bëja pyetje e merrja përgjigje, kam zhvilluar edhe intervista tjera ekskluzive për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, jam takuar edhe në raste të tjera…

Më pak se një muaj para se të kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, regjistrova fjalët-mesazhin e tij, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 dhjetor 2005.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme.

Ibrahim Rugova u shua në 21 janar 2006. Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit të Kosovës.

 

DR. IBRAHIM RUGOVA

Presidenti Historik i Kosovës

Shënime biografike: letrare dhe politike

 

Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën Fjala. Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Dr. Ibrahim Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe n zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet e fundit nacionale më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova vdiq më 21 kallnor 2006 në Prishtinë dhe u varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.

Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Ibrahim Rugova ka botuar këto vepra:

– Prekje lirike, Rilindja, Prishtinë, 1971,
– Kah teoria, Rilindja, Prishtinë, 1978,
– Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976 (së bashku me Isak Shemën),
– Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni), Rilindja, Prishtinë, 1979 (së bashku me Sabri Hamitin),
– Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980
– Vepra e Bogdanit 1675-1685, Rilindja, Prishtinë, 1982,
– Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986
– Refuzimi estetik, Rilindja, Prishtinë, 1987,
– Pavarësia dhe demokracia, Fjala, Prishtinë, 1991,
– Çështja e Kosovës, Dukagjini, Pejë, 1994,
– Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtinë, 2005

Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë të Ibrahim Rugovës:

– Më 1995, Dr. Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.
– Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë.
– Më 1998, Dr. Ibrahim Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
– Në vitin 1999, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe Breshia.
– Në vitin 2000, Dr. Ibrahim Rugova mori çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë.
– Në vitin 2004 Dr. Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës, Senator Nderi nga Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi.
– U nderua gjithashtu nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

– Më 2004, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Ditelindja e Dr. Ibrahim Rugoves

KOSOVË-SHQIPËRI, NË PEJË MBLEDHJA E 2 QEVERIVE ME 9 MARRËVESHJE

November 26, 2018 by dgreca

-Jemi në rrugë të mirë Kosovë-Shqipëri për unifikim të tregut ekonomik, por jo vetëm kaq, edhe rrugëtimi ynë më tutje ka qartësi më të madhe nga takimi i sotëm/

1 nderi2 kryeministri1 bashkeShqiponjaeranenshk 21 Majko

-U theksua nevoja e arritjes së marrëveshjeve të reja dhe intensifikimi i zbatimit të marrëveshjeve të arritura me herët të cilat do të jenë në funksion të lehtësirave të ndryshme për bizneset e të dy vendeve/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*(Me shume foto shihni ne Facebook dielli vatra)

PEJË, 26 Nëntor 2018/ Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë sot në qytetin e Pejës nënshkruan 9 marrëveshje në mbledhje të përbashkët, të 5-tën, pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 mars 2015 , të tretës në 3 qershor 2016 në Prishtinë dhe të katërtës të zhvilluar në 27 nëntor 2017 në Korçë.

Mbledhja e dy qeverive, Shqipërisë e Kosovës në Pejë, ishte paralajmëruar nga dy kryeministrat, Edi Rama e Ramush Haradinaj, në 27 gusht në konferencën për shtyp pas takimit informal të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të zhvilluar në Durrës, ndërkohë janë bërë të gjitha përgatitjet dhe ditën e djeshme ishin së bashku në Prizren  për përurimin e shtatoreve të tre liderëve historikë, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi, në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare në vitin e 140 vjetorit e në kuadër  të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

JEMI NË RRUGË TË MIRË KOSOVË-SHQIPËRI PËR UNIFIKIM TË TREGUT EKONOMIK, POR JO VETËM KAQ, EDHE RRUGËTIMI YNË MË TUTJE KA QARTËSI MË TË MADHE NGA TAKIMI I SOTËM

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë kanë zhvilluar në Pejë mbledhjen e pestë të përbashkët, në të cilën janë diskutuar tema të rëndësishme të marrëdhënieve mes të dy vendeve, dhe janë nënshkruar marrëveshje, protokolle dhe memorandume nga ministritë përkatëse me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror.

Në fillim të mbledhjes së përbashkët, e cila u hap me fjalët e kryeministrave, Ramush Haradinaj dhe Edi Rama, u theksua nevoja e arritjes së marrëveshjeve të reja dhe intensifikimi i zbatimit të marrëveshjeve të arritura me herët të cilat do të jenë në funksion të lehtësirave të ndryshme për bizneset e të dy vendeve.

Në vazhdim po japim fjalët e të dy kryeministrave:

Fjala e kryeministrit Ramush Haradinaj:

Zonja dhe zotërinj,

Kam nderin të shpall të hapur mbledhjen e dy qeverive, të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, e pesta me radhë, që po mbahet në Pejë.Jam i lumtur për të arriturat ë këtij takimi të përbashkët dhe jam i bindur se mundësia që të nënshkruajmë nëntë marrëveshje dhe protokolle, do të qojë në një të ardhme të afërt deri në unifikimin e ekonomive tona dhe jo vetëm kaq.E di që populli i Kosovës dhe ai i Shqipërisë presin më shumë nga ne dhe nga këtu do të vazhdojmë pandalshëm me punët që na presin, që janë të shumta dhe sfiduese.Me punë dhe zhvillim, ne e nderojmë sakrificën për liri të të gjithë brezave dhe vetëm me punë e zhvillim do të marrim respektin e të gjithëve. Peja, që diti t’i thotë jo ndarjes në ’99, Peja që diti t’i thotë po lëvizjeve kombëtare e patriotike, Peja e haxhi Zekës, Peja e qershorit ’99 shkrumb e hi e me shumë dhimbje, ashtu siç ishte Prekazi e Kosova, u ringrit, u ringrit për të mos u rrëzuar më kurrë dhe atë duke ndërtuar shtyllat kryesore të jetës shtetërore me shumë mund.

Sot, Kosova është palë kontaktuese me BE-në, MSA-në, zbaton prioritetet e reformës evropiane dhe njëkohësisht ka përmbushur me sukses 95 obligimet e veta, pra njëqind për qind, për liberalizimin e vizave Pra, ashtu si çdo vend tjetër e popull, edhe Kosova pret që e drejta e vet të respektohet, qytetarët e Kosovës, nga institucionet vendimmarrëse të BE-së.

Por, Kosova nuk ka mbetur vetëm duke pritur nga të tjerët, me sukses ka kryer punët e veta; në planin e sigurisë, Kosova përmbyll procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke i dhënë mandat mbrojtës në ditët në vijim; në planin ekonomik, reformat fiskale, reformat ekonomike, aktivizimi i resurseve; e deri te investimet e mëdha në energji që po ndodhin.

Në planin rajonal, iu kemi kushtuar bashkëpunimit të ndërsjellë me të gjitha vendet, mirëpo poashtu kemi qëndruar në të drejtën tonë

Por, ajo që e shquan Kosovën, është rreshtimi me ShBA-në, si një faktor prijës global dhe me aleatët tanë strategjik.

Shqipëria, çdoherë ka mundur të llogarisë në Kosovën dhe çdoherë ka të drejtë të llogarisë në të, por edhe Kosova çdoherë ka llogarit në Shqipërinë, e kjo është dëshmuar vitin ’99, në ditët më të vështira të jetës sonë si komb.

Kosova është dhe do të jetë e popullit të vet, Kosova është e kombit tonë dhe aleatëve.

Zoti e bekoftë Kosovën!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti i bekoftë aleatët tanë!

Zoti Kryeministër, fjala është e juaja.

Fjala e kryeministrit Edi Rama:

 I nderuar Kryeministër Haradinaj!

 Të nderuar anëtarë të Qeverive të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë!

 Dje përkujtuam në Prizren, për të dytën herë bre nda këtij viti, amanetet dhe urdhëresat e Lidhjes Shqiptare, të cilat koha nuk i ka zbehur aspak por i ka në rendin e ditës.Sot dua të sjell këtu pasazhet e një letre që shqiptari i madh prej Kosove, At Shtjefën Gjeçovi, i dërgonte prej Pejës Faik Konicës, 120 vjet më parë, më 1898:“Zemra e nji shqiptari t’vërtet do të lakmonte bashkimin nder vedi; Gegë, Toskë të jemi njimendjet e një zemret, mos të degatohemi (ndahemi) ndër erë për në dashtshnim këtë Shqypni, kaq të mirë e të hijshme”.

E pra, për Shqipërinë, Kosova është një shtet i pavarur, sovran, i barabartë me të ngjashmit e tij, nën një regjim kushtetues demokratik dhe liberal, garancia dhe qenësia e normalizuar e të cilit është çelësi i stabilizimit përfundimtar dhe i ndërlidhjes rajonale në një pikëpamje afatgjatë.

Për Kosovën, përveç së qenuri sentimentalisht shëmbëlltyra referencë e kombndërtimit të saj, Shqipëria është shteti natyralisht më i prirur për bashkëpunim dhe më i interesuar për suksesin e Kosovës, pas lindjes se saj si shprehje e një drejtësie të munguar.

Kjo drejtësi, është në të vërtetë, e drejta ndërkombëtare dhe sot është dita për ta thënë me forcë se ajo e drejtë, e drejta ndërkombëtare, nuk njeh gjysmë-shtete, apo shtete në letër të zhveshur nga prerogativat dhe tagret e vetëqeverimit të tyre.

Kjo drejtësi, e drejta ndërkombëtare, është ajo e të drejtave të njeriut, që nuk njeh gjysmë-njerëz dhe nuk i vlerëson të drejtat themelore të lëvizjeve dhe shkëmbimeve të individëve dhe të mallrave, me gjysmë çmimi.

Ne i kemi mirëpritur dhe i mirëpresim në çdo çast të gjitha dinamikat dypalëshe e shumëpalëshe që çojnë drejt plotësimit kuadrin ende artificialisht të gjymtuar të sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe dinjitetit të popullit dhe lëvizjes së tij të lirë. Ja pse kemi qenë dhe mbetemi të zhgënjye nga qasja e Bashkimit Evropian dhe e të gjithë atyre shteteve që janë në themel të Pavarësisë së Kosovës në raport me të drejtën për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj. Dhe ja pse themelimi i forcave të rregullta të armatosura të Republikës së Kosovës, ishte hapi i duhur, hapi domethënës dhe kuptimplotë ne drejtim të plotësimi të kuadrit të një shteti që nuk mund të jetë dhe nuk mund të konsiderohet nga askush një gjysmë shtet.

Por, nga ana tjetër, vonesat në procese si Interpoli, më së fundi janë shfaqje dekurajuese për qasjen e partnerëve potencialë në këtë rajon, që mjerisht ende gdhihen dhe ngrysen me mendësi dhe instrumente konfliktualiteti, por edhe me skema frikërash dhe makthesh të sforcuara, për tu viktimizuar në sytë e botës, ndërkohë që viktima, Kosova, ka shfaqur qysh në krye të herës vullnetin për ta kapërcyer të shkuarën përmes një dialogu të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë, dialog, i cili, hiri i të vërtetës e do të thuhet, nuk është gjithmonë i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë nga ana tjetër.

Republika e Shqipërisë, përmbushjen e kuadrit të sovranitetit të Republikës së Kosovës e sheh si një kusht që të reshtë përdorimi i Ballkanit Perëndimor si një zonë ku konfliktet janë gjithmonë kërcënim potencial. Ofiçinave të tyre, gjymtimi i këtij sovraniteti u jep dorë dhe gojë që të shpallin brishtësinë e Kosovës, si një vend që iu vjen për shtat ta mbajnë në kllapa, duke e shfaqur si kloakun e Ballkanit, herë si barkun e butë të krimit të organizuar, herë si mjekrën e fshehur të islamizmit radikal, herë si luftënxitësin e përhershëm ndëretnik. Ndërkohë që, Kosova është as më shumë e as më pak në të gjithë këto vite, shëmbëlltyra më kuptimplotë e dëshirës për paqe, shprehja më rrezatuese e respektit për minoritetet dhe nga ana tjetër, mishërimi më domethënës i vullnetit për bashkëpunim, dialog dhe ndërveprim të sinqertë.

Republika e Shqipërisë ka bindjen, që, fort e ndryshme nga ajo e aleatëve dhe shteteve më demokratike të rruzullit, nuk është se udha për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit kalon nga pranimi prej të gjithëve dhe pa kushte paralizuese dhe zvetënuese, të Kosovës, në besëlidhjen e shteteve të qytetëruara. Kjo është domosdoshmëri dhe jo një nga misionet.

Republika e Shqipërisë është tërësisht e angazhuar të ndihmojë në këtë proces, duke i qëndruar larg çdo veprimi që do të nënkuptonte një tutelë, apo një shoqërim të sforcuar.

 Kosova ka treguar se është absolutisht në gjendje të luajë rolin e saj ndërkombëtar, qoftë edhe në negociata, qoftë edhe me vende që dakordësitë drejt konsensusit i nënshkruajnë me dorën e djathtë, për t’i grisur më pas me të majtën, pa u tharë ende boja.

 Kosova ka bërë përparim thelbësor në rrafshin rajonal, duke marrë presidencën e radhës në Fondin e Ballkanit Perëndimor dhe në Procesin Bashkëpunimit për Evropën Juglindore (SEECP).Po ashtu, roli i saj është dëshmuar të jetë substancial edhe në angazhimet të tjera rajonale.

Sigurisht dhe këtu duhet thënë hapur dhe drejtpërdrejtë, ne nuk mund veç të konstatojmë se në dialogun me Serbinë, Republika e Kosovës ka përparuar, duke ditur të bëjë lëshimet që i gjykon të nevojshme, duke iu përmbajtur parimeve të reciprocitetit dhe sovranitetit, por duke mos e marrë mbrapsht atë që i takon.

Janë bërë përparime në shumë drejtime dhe një draft dakordësimi është në përgatitje e sipër nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian, për shembull. Ama, frenezia me të cilën Serbia po bllokon pranimin e Kosovës në instanca rajonale dhe ndërkombëtare, e deri tek kurajoja e pashpjegueshme për të kërkuar tërheqjet e njohjeve të Kosovës si Republikë, nuk është thjesht shqetësuese, është sfiduese deri ne dekurajimin e vete procesit të dialogut dhe është provokuese deri në nevojën për reagime proporcionale.

Asnjë presje nuk i hiqet përfundimeve të një ish ministri britanik, sipas të cilit, “bllokimi i njohjes së Kosovës, është inkurajimi më cinik ndaj enklavave kriminale, ku bashkëpunojnë mafie po aq multietnike sa vetë popullsia e Kosovës. Përpjekjet e Serbisë” – shkruan ish ministri britanik – “kanë cenuar ekonomikisht të gjithë komunitetet pa përjashtim. Fermerët kosovarë nuk shesin dot prodhimet e tyre në Serbinë e jugut. Konteinerët, apo vagonë të tërë me frutat dhe perimet dhe prodhime të një klime të favorshme, të kërkuara në tregjet e Evropës Veriore, duhet të dilnin përditë nga Kosova. Por edhe këtu, si kudo gjetkë, Serbia bllokon. Tatimet në Serbi pajisin me certifikata firmat serbe në Kosovë, gjë që i lejon, me përjashtim të atyre të kosovarëve shqiptarë, të shesin prodhime në Serbi. Sipas Bashkimit Evropian, sistemi paralel i dokumentacionit përkatës bie ndesh me konceptin e Kosovës si një zonë e vetme tregtare doganore në të cilin vetëm autoriteti kosovar ka të drejtë të lëshojë të tillë certifikata”.

 Janë fjalët e një ish ministri britanik.

Ka edhe më.

Spektri i bllokimit të marrëveshjes së Energjisë dhe ndërprerjes së linjës 400kv midis Shqipërisë dhe Kosovës për këtë shkak, dëshmon se ndërlidhja rajonal është peng, jo i paaftësisë së rajonit për ta konkretizuar, por i një filozofie të tërë, i një strategjie të tërë, i një qasjeje të tërë bllokuese, regresive të njërit prej vendeve rrugëtimi historik natyral i të cilit duhet ta bënte të ndihej lokomotivë e integrimit.

 Po Romingu dhe lënia e Kosovës jashtë tij?

 E pra, ja se si në këtë kontekst kaq te posaçëm goditjesh te vazhdueshme pas shpine ndaj Kosovës nga ana e fqinjit të madh, merr edhe shpjegimin tarifa 100% për produktet serbe. Një vendim irracional në kushte normale, por krejt normal në kushte irracionaliteti, si ato që përvijon vijimisht qasja e dyfytyrtë e Serbisë.Kush e sheh tarifën 100% si vendim ekonomik, gabon. Jo, tarifa 100% është reagim politik. Reagim politik ndaj ekseseve të vazhdueshme të një sjelljeje suprematiste të Serbisë ndaj Kosovës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale i qeverisë së Kosovës më tregonte mbrëmë se si në Beograd, deri në 2 të natës, me anë të të dërguarve të Europës i kërkonin të hiqte fjalën Republika e Kosovës nga fjalimi që do mbante të nesërmen në një mbledhje të përbashkët ku edhe Kosova ishte e pranishme me vullnetin  e mirë për të nënshkruar një deklaratë të përbashkët në rrugën e paqtimit dhe të bashkëpunimit rajonal.

“What the fuck!” – do thuhej në gjuhën e Parlamentit Europian.

 Ne nuk mund të mohojmë se marrëdhëniet dypalëshe nuk janë gjithmonë pa vështirësi. Mjafton dhe shembulli mes Shqipërisë dhe Kosovës për të kuptuar se në ecurinë e këtyre marrëdhënieve ka vështirësi dhe lëre më pastaj mes Kosovës dhe Serbisë, por ama këto vështirësi janë të kapërcyeshme kur ka vullnet të mirë për të shkuar drejt një horizonti të përbashkët dhe partneriteti Shqipëri – Kosovë, në shumë aspekte, në shumë prej mangësive apo potencialeve të tij e dëshmon këtë.

 Sot, ne jemi në fazën kur duhet të konkludojmë duke pasur parasysh edhe çfarë thashë më lartë.

Zero tarifa dhe zero barriera jotarifore brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse jemi këtu, jemi këtu për të bërë këtë e duhet ta bëjmë e nuk kemi nevojë të mblidhemi edhe njëherë. Jemi mbledhur 5 herë, sot është koha për të vënë tarifa 100% në veri dhe për të pasur tarifa zero në jug të Kosovës.

Së dyti, duhet të shkojmë drejt bashkimit doganor. Tranzit në 1 janar në Portin e Durrësit për Kosovën dhe hapa të tjerë brenda 6 mujorit të ardhshëm drejt bashkimit doganor. Kush e konsideron këtë si kërcënim, qoftë në Beograd, qoftë në Bruksel, është i mirëpritur të vijë, të ulet në tavolinë, t’i shpjegojmë që nuk është kërcënim, por është një ftesë që të gjithë të tjerët të marrin shembull nga ky bashkëpunim dhe Serbia e para të ndjekë shembullin e këtij bashkëpunimi.Njohje e plotë e gjithë dokumenteve brenda gjashtëmujorit. Boll u bënë vite të tëra pavarësi, u bënë vite të tëra mbledhje dhe shprehje qëllimesh të mira dhe sot vazdhojnë kërkohen dy palë dokumente për lopët, për viçat, për delet andej e këtej. Një palë dokumente dhe brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm, çfarë jepet në Kosovë si dokument, duhet të konsiderohet dokument i nxjerrë në Shqipëri. Çfarë jepet në Shqipëri si dokument duhet të konsiderohet dokument i nxjerrë në Kosovë dhe sipërmarrësit shqiptarë të Kosovës apo të Shqipërisë mjafton të shkojnë në një derë dhe jo të shkojnë në dy dyer. Ne nuk jemi shqiptarët dhe serbët, ne jemi shqiptarët dhe shqiptarët.Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të patentave. Patentat mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë patentat mes Shqipërisë dhe Greqisë që na janë dashur gati 30 vjet negociata për të arritur në një njohje reciproke. Patentat mes Kosovës dhe Shqipërisë janë patenta mes shqiptarëve dhe shqiptarëve.E tillë është edhe e gjithë lista e dokumenteve. Meqë ata nuk duan që ne të jemi pjesë e marrëveshjes së tyre të roaming, ne bëjmë marrëveshjen tonë të roaming dhe brenda 6 muajit të parë të vitit të ardhshëm, Shqipëria dhe Kosova kanë marrëveshjen e tyre dhe nuk ka më roaming mes nesh. Shëndet dhe mirupafshim!

Pika e unifikuar kufitare e Morinës dhe lehtësimi total i qarkullimit të njerëzve e mallrave mes dy shteteve është hapi që ne do ta hedhim. Unifikimi i gjithë të dhënave të sistemeve tona të përbashkëta për hyrjen në kufijtë e Kosovës dhe në kufijtë e Shqipërisë, në funksion të kufirit të Kosovës dhe të Shqipërisë, është detyra që duhet ta marrin dhe ta kryejnë të dy Ministritë e Brendshme. Të dhënat për të gjithë personat që hyjnë e dalin, duhet të jenë të dhëna në perimetrin e jashtëm të Kosovës dhe të Shqipërisë. Brenda perimetrit duhet të funksionojmë si një kufi pa kufi. Shëndet dhe jemi gati t’i presim të gjithë ata që janë të shqetësuar t’ua shpjegojmë si është kjo punë.

Të gjitha këto do t’i japin një impuls jo të neglizhueshëm shkëmbimeve tregtare, por do të jenë, mendoj unë, një mesazh domethënës për të gjithë partnerët, për Serbinë në radhë të parë. Unë e kam thënë dhe i qëndroj edhe sot. Marrëdhënia jonë me Serbinë eshët strategjike për afat të gjatë, por, nëse Serbia e shikon këtë si shprehje të një nevoje të njëanshme, gabon. Jo, është një nevojë e dyanshme dhe për këtë nevojë të dyanshme, Serbia duhet të jetë e gatshme të ulet në tavolinë me një fytyrë, jo me dy fytyra. Madje me tre në fakt, një fytyrë për Kosovën, një për Shqipërinë dhe një tjetër për komunitetin ndërkombëtar. Të zgjedhë cilën fytyrë do të përdori në marrëdhënie me shqiptarët dhe ne jemi të gatshëm t’i rrimë përballë me të njëjtën fytyrë që do të zgjedhë Serbia.

Dhe e fundit fare, unë ftoj Kryeministrin Haradinaj që të bashkohet me mua në nevojën që të vendosim një fond për dy Ministritë e Jashtme dhe dy Ministritë e Jashtme të fillojnë punën për të bërë një dokument analitik dhe strategjik; Shqipëria, Kosova dhe rruga e bashkimit të shqiptarëve në horizontin e vitit 2025.

Një dokument demografik, ekonomik, social i sistemeve politike dhe të gjitha këto sëbashku. Natyrisht, e di se çfarë do të thonë menjëherë në Beograd, apo kudo qoftë tjetër, por unë kam parasysh, bashkimin e shqiptarëve si një domosdoshmëri në rrugën e bashkimit evropian dhe Bashkimi Evropian duhet t’i japi fund qasjes së dyfytyrtë. Një fytyrë për Shqipërinë, një fytyrë për Kosovën. Shqipërisë i thotë do hapim negociatat sot, do hapim negociatat nesër. Kosovës i thotë do liberalizohemi sot, do liberalizohemi nesër dhe ndërkohë, ajo që ndodh, është që Serbia vazhdon hap kapituj dhe po ia del duke përdorur tre fytyra, ndërkohë ne kemi një fytyrë.

Fytyra jonë është kuq e zi dhe me fytyrën tonë kuq e zi, ne jemi gati t’i qëndrojmë përballë të gjitha sfidave kuqezi që janë sfida të përbashkëta për të rritur ekonominë, prosperitetin e për të garantuar ardhmërinë e kombit tonë, e kombit tonë shqiptar me dy shtete. Dy shtet që i duam të integruara në Bashkimin Evropian, dy shtete që i qëndrojnë të gjitha parimeve të të drejtës ndërkombëtare dhe i qëndrojnë të gjitha amaneteve të të parëve tanë. Të parët tanë i kemi të përbashkët, dy shtete që nuk kanë ndërmend të mbeten si vrima e fundit e kavallit në historinë e lodhshme të muzikës së këtij kontinenti, qoftë në Bruksel, qoftë në Beograd.

Shumë faleminderit!

Në mbledhjen e pestë të përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë janë dhënë dy informata dhe janë nënshkruar 6 Marrëveshje, dy Protokolle dhe një Memorandum, nga ministrat përkatës të dy qeverive.

Informata e parë ka të bëjë me të arriturat për vendosjen e Pikës Doganore të Republikës së Kosovës në Portin e Durrësit dhe informata e dytë ka të bëjë me Deklaratën e objektivave të përbashkëta për themelimin e Dhomës Ekonomike Bilaterale Shqipëri – Kosovë.

Pas përfundimit të mbledhjes, u zhvillua ceremonia solemne e nënshkrimit të marrëveshjeve në ndërmjet dy qeverive.

Marrëveshjet, protokollet dhe memorandumet e nënshkruara ndërmjet ministrive përkatëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, janë si më poshtë:

  1. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunimin, nxitjen e biznesit dhe të informimit të diasporës”.
  2. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për njohjen reciproke të patentë shoferëve”.
  3. Protokolli për Kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë” në mes të Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Republikës së Shqipërisë.
  4. Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e borxhit publik, financimeve të huaja dhe marrëdhëniet me institucionet Financiare Ndërkombëtare.
  5. Marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet ministrive përgjegjëse për fushën e komunikimeve elektronike të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
  6. Marrëveshja për “Bashkëpunim në fushën e Rinisë.”
  7. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim në fushën e shëndetësisë.
  8. Protokolli ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë  dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës,  për njohjen e bilaterale dhe unifikimin e modeleve të certifikatave  shëndetësore, veterinare dhe fito sanitare që do të shoqërojnë ngarkesat e kafshëve të gjalla, produkteve me origjinë shtazore dhe produktet bimore gjatë importit, eksportit dhe tranzitit midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës
  9. Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për pronësinë industriale të RKS dhe Drejtorisë së përgjithshme të pronësisë industriale të Republikës së Shqipërisë.

Pa takimit të dy qeverive, kryeministrat, Haradinaj e Rama, mbajtën një konferencë për media, me c ‘rast, kryeministri Haradinaj tha se atë që do të veçonte sot, është një studim analitik për shqiptarët në vitin 2025, që është një perspektivë për atë se si do të udhëtohet nga këtu e tutje.“Jemi në rrugë të mirë Kosovë – Shqipëri për unifikim të një tregu ekonomik, por jo vetëm kaq edhe rrugëtimi ynë më tutje ka qartësi më të madhe nga takimi i sotëm”, tha kryeministri Haradinaj.

Filed Under: Featured Tagged With: 9 marrveshje, Behlul Jashari, Mbledhja e dy qeverive, Peje

KOSOVA KRENARE ME AMERIKEN

November 24, 2018 by dgreca

-Kryeministri Ramush Haradinaj në pritjen e organizuar me rastin e Ditës së Falënderimeve për gjithë stafin amerikan që shërbejnë në misione diplomatike, ushtarake dhe të ndryshme në Kosovë: Kosova është krenare për dashurinë dhe admirimin që ka për Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

-E Ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Colleen  Hyland, tha se  sot amerikanët ndjehen mirë si në shtëpitë e tyre, duke shtuar se kosovarët janë miqtë e Amerikës.“/

 1 ramushi ne mes2 veseli2 Thanks1 Ramo me gote

 PRISHTINË, 23 Nëntor 2018-Gazeta DIELLI/ “Në emër të Qeverisë së Kosovës, ju falënderoj shumë që sot jemi së bashku, në shenjë të mirënjohjes, falënderimit, dhe asaj se sa pasionant jeni për vendin tonë, kombin tonë, gjatë gjithë kohës edhe në ato kohëra sfiduese, mirëpo ne jemi miqtë e juaj gjatë gjithë kohës”. Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në pritjen e organizuar nga vetë ai, me rastin e Ditës së Falënderimeve, për gjithë stafin amerikan që shërbejnë në misione diplomatike, ushtarake dhe të ndryshme në Kosovë.Kryeministri Haradinaj ndër tjerash, tha se, Kosova është krenare për atë se sa  shumë i  do Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  dhe ka admirim ndaj saj. “Kjo është një ditë e veçantë për të cilën ne gëzohemi që ju e keni këtë ditë dhe çfarë mesazhi apo porosie të mirë jepni në Ditën e Falënderimeve, sepse dje patët kohë disa prej jush me familje, disa prej fëmijëve tuaj janë larg, mirëpo shpresojmë se gjatë kohës tuaj këtu të ndiheni si në shtëpitë tuaja, si në familjet tuaja në Kosovë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shprehur mirënjohje të thellë për popullin amerikan, për rolin e tyre të madh ndaj Kosovës.

 Ndërkaq, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Colleen  Hyland, tha se  sot amerikanët ndjehen mirë si në shtëpitë e tyre, duke shtuar se kosovarët janë miqtë e Amerikës.“Është kënaqësi që jemi duke festuar sonte këtu me ju. Faleminderit shumë për mikpritjen tuaj, për ngrohtësinë tuaj, miqësinë dhe për çdo gjë që festojmë në Ditën e Falënderimeve.Një fjalë para të pranishmëve e pati edhe Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli.Në pritjen e organizuar me rastin e Ditës së Falënderimeve, përveç stafit amerikan që shërbejnë në misione diplomatike, ushtarake dhe të ndryshme në Kosovë, të pranishëm ishin edhe ministra, shefi i AKI-së, Shpend Maxhuni, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe përfaqësues të tjerë./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Krenare em SHBA

Kosova, taksë 100% për mallërat nga Serbia e Bosnja

November 21, 2018 by dgreca

-Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, Kryeministri Ramush Haradinaj e bëri të qartë se tash ky është realiteti dhe kjo masë e ndërmarrë sot duhet të zbatohet një qind për qind. Masa prej 100 për qind ndaj Serbisë, shkak i bllokimit të vendit për t’i gëzuar të drejtat e CEFTA-s/

1 a Voton qeveria

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/*

PRISHTINË, 21 Nëntor 2018/ Në mbledhjen e pasditës së sotme të Qeverisë së Kosovës, vendimi për vendosjen e masës mbrojtëse, që  nga 6 nëntori 2018 ishte 10 për qind, për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është ndryshuar dhe taksa do të ketë vlerën 100 % të mallrave të importuara nga këto vende. Gjithashtu do të ndalohet importimi i produkteve që në etiketa dhe deklarata përcjellëse të mallrave të importuara shkruajnë emërtimet “Kosovë dhe Metohi”, “Kosovë 1244”, “Kosovë UNMIK”. Në arsyetim të vendimit thuhet se, Marrëveshja e CEFT-as në raportet tregtare Kosovë-Serbi është shkelur në vazhdimësi nga pala serbe, që nga nënshkrimi i saj.

“Jemi dëshmitar që një kohë të gjatë se Kosova është bllokuar, nuk është lejuar që t’i gëzojë të drejtat e CEFTA-s, është penguar përmes origjinës së mallit pra duke mos e njohur origjinën e mallit, është penguar në transport, analiza dhe në çdo instrument tjetër. CEFTA, nuk ka funksionuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo është dëshmi. Serbia është duke e cenuar edhe sigurinë kombëtare, pra kjo është qasja që ka ardh nga Serbia në vazhdimësi në periudhat e fundit”.  Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në mbledhjen e 76-të të Qeverisë,  nga ku kjo e fundit mori vendim për vendosjen e masës prej 100% ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përjashtuar brendet ndërkombëtare të listuara në aneks.

Kryeministri Haradinaj, tha se, pasi është bërë një analizë e respektimit të marrëveshjes së CEFTA-s nga Serbia, shihet se në të gjitha vitet e kaluara, prej kur ekziston CEFTA, Serbia i ka vendosë Kosovës barriera jotarifore, jo taksë e ngjashme sikurse që e ka vendosë Kosova, por e ka kontestuar origjinën e mallit dhe vetvetiu malli i Kosovës ka pasur vështirësi të hyjë në Serbi.

“E ka vështirësuar dakordimin e analizave për çdo produkt që ka hyrë, ka vendosë procedurë të verifikimit të analizës dhe e ka bërë të pamundur të hyjë ose të transportohet. Ka penguar transportin, pra vulat e dyfishta. Ka përdorur plot masa, me të cilat Serbia nuk e ka respektuar CEFTA-n. Edhe pse Kosova është ankuar disa herë radhazi te CEFTA dhe institucione tjera të BE-së, prapë Serbia nuk e ka respektuar këtë masë, shtuar këtu edhe agresivitetin politik, pengesat që ia bënë vendit”, e bëri të qartë kryeministri Haradinaj duke thënë se Qeveria e vendit nga sot, obligon Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë dhe të gjitha institucionet relevante, që të largojnë dhe të ndalojnë importin dhe hyrjen potenciale në treg të të gjitha produkteve, të cilat nuk i referohen dhe janë në kundërshtim me emërtimin zyrtar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, vendimi ky që ka hyrë në fuqi menjëherë.

Ndër tjerash, duke i listuar shkeljet që ia kanë bërë në vazhdimësi Serbia dhe Bosnje Hercegovina Kosovës, siç janë mosrespektimi i rregullave të origjinës dhe bashkëpunimit në administrimin doganor, përdorimi i vulave paralele të cilat nuk i njihen Kosovës, Menaxhimi i Integruar i Kufijve, ku nuk kanë vendosur kontroll efektiv mbi qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, dëme materiale dhe siguria e ultë në brezin kufitar, pastaj Energjia nga ku 30 milionë euro humbje direkte në vit dhe rreth 300 milionë euro humbje si rezultat i mungesës së qasjes në energji, e po ashtu ndihma shtetërore që në çdo euro të shitur në Kosovë Serbia i stimulon kompanitë serbe me 30 cent, dhe shumë shkelje tjera, kryeministri Haradinaj, shtoi se kjo është një masë legjitime që kanë marrë institucionet e Kosovës, jo nga dëshira, por për shkak të sjelljes shqetësuese të Serbisë ndaj Kosovës.

Kryeministri Haradinaj, e bëri të qartë se tash ky është realiteti dhe kjo masë e ndërmarrë sot duhet të zbatohet një qind për qind.
 

6 NËNTOR 2018: QEVERIA E KOSOVËS VENDOSI MASË MBROJTËSE – TAKSËN 10% PËR PRODUKTET E IMPORTUARA NGA REPUBLIKA E SERBISË DHE NGA BOSNJA DHE HERCEGOVINA

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 74-të, në 6 nëntor 2018, ka miratuar vendimin për vendosjen e masës mbrojtëse për importin e të gjitha produkteve të prodhuara në Republikën e Serbisë dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Masa mbrojtëse nënkupton taksën prej 10 për qind të të gjitha produkteve që importohen në Kosovë dhe kanë për vend të origjinës Republikën e Serbisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinën. Përjashtim nga kjo masë do të bëjnë produktet e brendeve ndërkombëtare të prodhuara në këto dy vende.
* Me shume fotografi nag mbledhja e sotme e Qeverise i gjeni ne fb(dielli vatra)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Bosnja, kosova, mallrave nga Serbia, takse 100%

TAKIMI NË BRUKSEL-THACI & VUCIC, MOGHERINI NE MES

November 8, 2018 by dgreca

-Në Bruksel sot takimi i 8-të presidencial, i 6-ti Thaçi-Vuçiç, i 3-ti i fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi. Pritet të konfirmojnë gatishmërinë për të intensifikuar punën drejt arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin gjithëpërfshirës, i cili është vendimtar për rrugët e tyre evropiane/
1 mogherini thac e Vuco

-Fishë teknike-Datat e të gjitha takimeve të nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Bruksel/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 8 Nëntor 2018/ Është paralajmëruar të zhvillohet sot me fillim pasdite në  Bruksel një takim tjetër, i treti presidencial i fazës finale në dialogun Kosovë- Serbi, i presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian.

“Në takim, dy liderët pritet të konfirmojnë gatishmërinë e tyre për të intensifikuar punën drejt arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin gjithëpërfshirës, i cili është vendimtar për rrugët e tyre evropiane”, thekson njoftimi nga zyra e ndërmjetësueses, Shefes së  Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

I pari takim presidencial Thaçi-Vuçiç në Bruksel i fazës finale të dialogut  është mbajtur në 24 qershor, ndërsa i dyti në 18 korrik 2018. I treti takim ishte paralajmëruar për të premtën e 7 shtatorit 2018, por  sipas deklaratave nga delegacioni i Beogradit, presidenti i Serbisë, Vuçiç nuk ka pranuar të takojë presidentin e Kosovës, Thaçi. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Mogherini  ka takuar ndaras presidentët, të cilët i kishte ftuar për të vijuar dialogun.

Në këtë proces të dialogut Kosovë-Serbi, që ka hyrë në fazën finale, Prishtina angazhohet për një marrëveshje përfundimtare që do përfshinte edhe njohjen nga vendi i vetëm fqinj që ende nuk e ka njohur pavarësinë e shpallur para më shumë se 10 viteve, në 17 shkurt 2008.

Takimi i sotëm do jetë i teti  i presidentëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel.  Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi, të inauguruar në muajin prill 2016, dhe presidentin Vuçiç, të inauguruar në qershor 2017, takimi i  sotëm do jetë i gjashti, pas të pestit në 18 korrik e të katërtit në 24 qershor, të tretë të fazës finale, të vitit 2018.

Ndërsa takimi i 23 marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

 Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.

Para më shumë se pesë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,   të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. 

Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011, poashtu në Bruksel.

Fishë teknike-Datat e të gjitha takimeve të nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Bruksel:

30 RAUNDET KRYEMINISTRORE

Thaçi-Daçiç:

Viti 2012:

Raundi 1 – në 19 tetor
Raundi 2 – në 7 nëntor
Raundi 3 – në 4 dhjetor

Viti 2013:

Raundi 4 – në 17 janar
Raundi 5 – në 19-20 shkurt
Raundi 6 – në 4 mars
Raundi 7 – në 20 mars
Raundi 8 – në 2 prill
Raundi 9 – në 17 prill
Raundi 10 – në 19 prill
Raundi 11 – në 21 maj
Raundi 12 – në 20-21 qershor
Raundi 13 – në 8 korrik
Raundi 14 – në 24 korrik
Raundi 15 – në 27 gusht
Raundi 16 – në 8 shtator
Raundi 17 – në 7 tetor
Raundi 18 – në 6 nëntor
Raundi 19 – në 5 dhjetor

Raundi 20 – në 13 dhjetor

Viti 2014:

Raundi 21 – në 27 janar
Raundi 22 – në 12 shkurt
Raundi 23 – në 31 mars

Mustafa-Vuçiç:

Viti 2015:

Raundi 24 – në 9-10 shkurt

Raundi 25 – në 21 prill

Raundi 26 – në 23 qershor

Raundi 27 – në 29 qershor

Raundi 28 –  në 25 gusht

Raundi 29 – në 13 tetor 

Viti 2016:

Raundi 30 – në 27 janar

TAKIMET E PRESIDENTËVE

Viti 2017:

Thaçi – Nikoliç -2 takime

-1 shkurt

-24 janar

Thaçi – Vuçiç 

-3 korrik

-31 gusht

Viti 2018:

–23 mars

-24 qershor

-18 korrik 

-7 shtator  (vetëm takime të ndara me Mogherinin)

-8 nëntor (pritet takimi i 6-të Thaçi-Vuçiç)

Filed Under: Politike Tagged With: 8 nentor, Behlul Jashari, Mogherini ne mes, Takimi ne Buksel, Thaci, Vucic

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT