• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SPECIALE GAZETA DIELLI: KOSOVA FESTON ME AMERIKËN

July 4, 2018 by dgreca

-Kosova tradicionalisht feston Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës/

1 Dita e Pava1 Klinton Rugove1 amb e pare1 Thaci DelwerHaradinaj SHBA1 Sheshi B Klint1 Gurthemeli a amer

-Presidenti historik i Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova vazhdimisht uronte dhe theksonte miqësinë e gjithëmonëshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Populli i Kosovës Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve e konsideron si festë të përbashkët, sepse gjithmonë ka ndjenja dashurie dhe miqësie permanente/

-Edhe në 242 vjetorin e Pavarësisë së SHBA e 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në urimet e drejtuesëve institucionalë e politikë theksohen partneriteti i veçantë e miqësa e përhershme/

-Presidenti Hashim Thaçi: Kosova është e bekuar që, njësoj sikur në çdo proces të rëndësishëm deri më tani, ka pasur mbështetjen e parezervë të SHBA-së/

-Kryeministri Ramush Haradinaj: Kosova me krenari është përcaktuar për aleancë dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

-Ambasadori i SHBA në Prishtinë, Greg Delawie: Përderisa shënojmë vitin e 242-të të pavarësisë sonë, po ashtu festojmë edhe partneritetin tonë të veçantë me Kosovën/

– NË 29 MAJ 1998, PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA NË UASHINGTON, NË TAKIM ME PRESIDENTIN AMERIKAN BILL CLINTON: DUHET TË NA NDIHMOSH…/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË,  4 Korrik 2018/ Në Kosovë si tradicionalisht po festohet 4 Korriku, Dita e Pavarësisë së vendit të miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të parat nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë dhe shtetin kosovar e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes para 10 viteve në 17 Shkurtin hiatorik 2008.

Presidenti historik i Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova vazhdimisht uronte dhe theksonte miqësinë e gjithëmonëshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Populli i Kosovës Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve e konsideron si festë të përbashkët, sepse gjithmonë ka ndjenja dashurie dhe miqësie permanente për vendin Tuaj të çmuar e të fuqishëm, simbol i lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në botë”, theksonte para15 viteve, në 4 Korrik 2003,  Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova  në mesazhin me rastin e 4 Korrikut  dërguar Presidentit të SHBA-ve Xhorxh Bush..

Në 4 korrik 2005, për të fundit herë, rreth 6 muaj e gjysmë para kalimit në amshim, Presidenti i Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit amerikan, Xhorxh Bush me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.

Në urimin e Presidentit Rugova dërguar Presidentit Bush thuhej:

“Me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA, 4 Korrikut, pranoni urimet e mia të përzemërta dhe të popullit të Kosovës.

Dita e Pavarësisë së SHBA, është simbol i pavarësisë dhe i lirisë për të gjithë popujt mbi tokë. Eshtë simbol i madh dhe udhërrëfyes për vendin tim Kosovën.
Për këto gjashtë vjet në liri, me përkrahjen Tuaj, Kosova ka pasur progres të madh në të gjitha fushat e jetës.

Tash presim njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës sa më shpejt nga vendi Juaj i bekuar.

Kjo do të qetësonte popullin e vendit tim dhe këtë pjesë të botës dhe do t’i hapej dera që t’i bashkohet bashkësisë së kombeve të lira të botës së lirë.

Në Ditën e Pavarësisë të vendit Tuaj të madh e të fuqishëm si gjithmonë, Ju shprehim një falënderim të madh dhe presim përkrahjen Tuaj miqësore për vendin tim”.

Me rastin e shënimit të përvjetorit të pavarësisë së SHBA-ve, ambasadori në Kosovë Greg Delawie në prag të  ditëfestës së 4 Korrikut ka organizuar një gosti, ku mes shumë pjesëmarrësve, drejtuesve institucionalë e poilitikë dhe personaliteteve që uronin, ishin edhe presidenti kosovar Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj.

“Përderisa shënojmë vitin e 242-të të pavarësisë sonë, po ashtu festojmë edhe partneritetin tonë të veçantë me Kosovën, i cili po thellohet vit pas viti”, theksoi ambasadori amerikan Delawie në pritje.

Ai tha se, festa e përvjetorit të dhjetë të pavarësisë së Kosovës më herët gjatë këtij viti ishte rast për të persiatur rreth përparimit mbresëlënës të arritur duke punuar përkrah partnerëve dhe miqve, ndërsa foli edhe për sfidat duke u shprehur se hap pas hapi, Kosova po ndërton një shoqëri përparimtare e shumetnike dhe ekonomi më të fortë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’ju qëndrojnë përkrah derisa përballeni me këto sfida. Sonte, përderisa festojmë Ditën tonë të pavarësisë, e festojmë edhe miqësinë tonë me Kosovën dhe përkushtimin tonë të përbashkët për të ndërtuar një botë ku demokracitë mund të lulëzojnë”, theksoi ambasadori i SHBA-ve, Delawie.

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi tha se, se në Kosovë, festimi i 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, është gjithmonë një ngjarje e veçantë dhe emocionale.

“Shumë bashkëqytetarë e kuptojnë dhe festojnë këtë ditë, sikur të ishte festë shtetërore e Kosovës. Kjo ndjenjë është e kuptueshme për kosovarët, për popullin dhe shtetin me pro-amerikan në Evropë dhe më gjerë”, theksoi presidenti Thaçi.

Ai  tha se Kosova është e bekuar që, njësoj sikur në çdo proces të rëndësishëm deri më tani, ka pasur mbështetjen e parezervë të SHBA-së, të BE-së, dhe të të gjithë partnerëve tanë, të cilët duan ta shohin Kosovën dhe rajonin në paqe të përhershme.

“Prandaj nuk ka mënyrë më të mirë për ne, që ndihmën e çmuar që në vazhdimësi e marrim nga miqtë tanë, ta respektojnë duke punuar për paqen, fqinjësinë e mirë si parakushte të domosdoshme për integrime euro-atlantike”, theksoi presidenti kosovar.

Presidenti Thaçi në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, uroi popullin amerikan për Ditën e Pavarësisë dhe rikonfirmoi zotimin për ruajtjen e marrëdhënieve speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miqësinë e përhershme dhe aleancën në vlerat dhe parimet që  bashkojnë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot, me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë, u përcjell urimet më të përzemërta Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, amerikanëve me mision në Kosovë dhe të gjithë paqeruajtësve në radhë të KFOR-it.

“Populli i Kosovës u është përjetësisht mirënjohës Qeverisë dhe Popullit të SHBA-ve, për ndihmën e pazëvendësueshme në realizimin e aspiratës historike për liri dhe pavarësi.

Kosova me krenari është përcaktuar për aleancë dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Besnikë të idealeve të lirisë dhe paqes, të cilave iu prin Amerika në botë, sot festojmë edhe ne, krah për krah me miqtë tanë!”, shprehet kryeministri i Kosoves Haradinaj në urim.

Në kryeqytet, Prishtinë, për nder të 4 korrikut, 242 vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve, Shoqata Miqtë e Amerikës ka organizuar sot aktivitete festive në Sheshin Bill Clinton, ku Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës ngritë solemnisht Flamurin Amerikan, i cili është gjithmonë i ngritur dhe në valim, ndërsa do performojë Kori i Grave Nexhmije Pagarusha.  Kartolina të punuara enkas për 4 Korrikun 2018 dhurohen për qytetarë,  si dhe për ushtarë amerikanë në Kampin Bondsteel.

Që prej 22 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Në vitin 1996, në 12 janar, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në një ditë historike – në 6 qershor 1996.

Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë.

Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në shtator të vitit 1999.

USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 10 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.

Pak diteë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanow solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 korrik 2008 atëherë nga presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Në 1 korrik 2009 Prishtina ndau 5 hektarë truall për ndërtimin e objektit të ri të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit që ende vazhdon.

NË 29 MAJ 1998, PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA NË UASHINGTON, NË TAKIM ME PRESIDENTIN AMERIKAN BILL CLINTON: DUHET TË NA NDIHMOSH…

Në mbrëmjen e 24 marsit 1999, kur ndodhi ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s me bombardimin e caqeve të forcave kriminale serbe, në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve të goditjeve nga qielli të aviacionit të forcës më të madhe planetare shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodhë në Kosovë është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s.

Më pak se një vit para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në 29 maj 1998 Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin amerikan Bill Clinton. Pas takimit Rugova deklaronte: “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”. Ndërsa, Clinton kishte theksuar se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.

Presidenti amerikan Bill Clinton, në 1 nëntor 2009, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, ka thënë Presidenti amerikan Clinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.

Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

 

Filed Under: Kronike Tagged With: 4 korrik, Behlul Jashari, Kosova feston, ME AMERIKËN

“Shota”, tre çmimet kryesore të festivalit

July 3, 2018 by dgreca

Kosovë-“Shota”, tre çmimet kryesore të festivalit/

1 shote

 -MINISTRI GASHI PRITI NË TAKIM ANSAMBLIN “SHOTA” PAS SUKSESIT TË TYRE NË FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR “VITOSHA FOLK FEST 2018”/

1 Ministri shotes

 PRISHTINË, 3 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim përfaqësues dhe vallëtarë të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, pas pjesëmarrjes së tyre të suksesshme në Festivalin Ndërkombëtar “Vitosha Folk Fest 2018”, në të cilin u shpërblyen me tre çmimet kryesore të festivalit.

Ministri Gashi uroi Ansamblin për çmimet e marra dhe i përgëzoi ata për punën që po bëjnë në promovim traditave muzikore shqipe.  “Për mua është një kënaqësi e veçantë kur ka rezultate të mira. Na keni bërë të ndihemi mirë si Ministri si pjesë e juaja në kuptimin institucional. Unë ju përgëzoj për arritjet dhe për çmimet që keni marr”.Ai po ashtu tha “rezultatet e arritura të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” na bëjnë të ndihemi krenarë e sidomos rezultatet e arritura në gara të mëdha jashtë vendit”.

Ministri i falënderoi për kontributin e dhënë dhe po ashtu bëri me dije se Ministria do të vazhdojë të mbështes Ansamblin “Shota”: “ne do të vazhdojmë të ju mbështesim si Ministri dhe ju falënderoj për angazhimin dhe kontributin që jepni”.Ushtruesi i detyrës së Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Nazmi Demaj, falënderoi ministrin për pritjen e tij. Ai tha se “Ansambli gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë në nivel. Ne çdo herë kemi sjellë nga jashtë çmime, në të gjitha garat në të cilat kemi marrë pjesë, jemi shpërblyer me çmime të para e të dyta”.Ndërsa, profesori nga Shqipëria, koreografi Fehmi Shaqiri, u shpreh po ashtu i kënaqur me pritjen e ministrit Gashi. Duke folur për sukseset dhe të arritura e ansamblit “Shota”, Shaqiri theksoi “Ne si Ansambël kemi folklor shumë të madh dhe nuk ka ambasador më të madh dhe më të fuqishëm se sa ansambli “Shota”./b.j/

Filed Under: Kulture Tagged With: 3 çmime, Behlul Jashari, Shote

SPECIALE E GAZETES”DIELLI” -KOSOVA PARA 28 VITEVE DEKLARATË PËR PAVARËSI

July 2, 2018 by dgreca

Kosova para 28 viteve shpallte Pavarësinë me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990/

1 2 korriku2 korrik 90Haradinaj Delegatet1 Veseli pret2 korrik '90

Ishte “Fillim i së nesërmes”, e cila tani është e sotmja. Redaksionali që kam shkruar për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, botuar në faqen e parë në 3 Korrik 1990/

-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova paralajmëronte dhe përshëndeste Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës të 2 korrikut 1990/

Haradinaj-RamajliVeseli delegatet1 Qeveria Deleg1 ramushi Ramajli

  -Kryetari i Kuvendit të Kosovës në kohën e viteve të 90-ta, Ilaz Ramajli, dhe tash Kryeministri Ramush Haradinaj, u janë përgjigjur sot pyetjeve të korrespondenit në Kosovë të Gazetës DIELLI/

 SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

1 Behluli tregonRILINDJADeklarata arkiv1 nenshkrimi

 PRISHTINË, 2 Korrik 2018/ Kosova para 28 viteve me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

“Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike…”, theksohej në vendimin historik, që merrej në seancën para dyerve të mbyllura e snajperëve në rrethana të shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi i Beogradit, pasi me “kushtetutën e tankeve” në marsin 1989 kishte suprimuar autonominë që kishte Kosova element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje me Kushtetutën e vitit 1974.

“Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, që u ndërtua me Lëvizjen paqësore për çlirim, ndërsa kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u realizuar e plotë në 17 shkurt 2008”, shprehet nënkryetari në kohën e 2 Korrikut 1990 e pastaj edhe kryetari i Kuvendit, Ilaz Ramajli.  Ai udhëheqte Kuvendin e Kosovës kur miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990, edhe kur u mbajt Referendumi për pavarësi i shtatorit 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990 janë dy aktet kushtetuese juridike të rëndësishme që i kanë paraprirë mbajtjes së Referendumit të shtatorit 1991. Jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, është shprehur Ramajli në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar vite më parë.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut,  të cilën e përcollën në mënyrë të natyrshme nxjerrja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës  në 7 Shtator 1990,  amendamentet e saj dhe më vonë referendumi gjithëpopullor për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, për kohën kur u nxorën,  besoj se shprehin kontinuitetin e vullnetit politik të shqiptarëve që nga luftërat për pavarësi, për çlirim kombëtar dhe për krijim të shtetit sovran, të mishëruara në përpjekjet e pareshtura që të jemi zot të vetvetes, të jetojmë të lirë, të pavarur, e të respektuar”, ka theksuar Ramajli.

Ai kujton se, Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, u miratuan dhe u shpallën nga Kuvendi pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se ish-Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pakthim të shpërbërjes.

“Deklarata Kushtetuese ishte dhënie e formës kushtetuese juridike vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë dhe ishte një vlerësim dhe akt i drejtë, që në kushtet e krijuara të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Kosova si njësi e pavarur, vet e në mënyrë të pavarur duhet të vendosë për fatin e sajë”, ka theksuar Ilaz Ramajli.

Skenari i delegatëve të Kuvendit të Kosovës për aktin historik të 2 Korrikut të para 28 viteve ishte: Seancën do ta udhëheqë Bujar Gjurgjealo nga Prizreni, Deklaratën do ta lexojë Muharrem Shabani nga Vushtrria…dhe nëse ata do arrestoheshinin, ishin caktuar edhe zëvendësit e tyre.

Delegati që e lexoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, Muharrem Shabani, po ashtu në një bisedë ekskluzive që kam zhvilluar kujtonte:
“Mëngjesi i 2 Korrikut më çeli në një shtëpi, e cila nuk ishte e imja në Vushtrri, as e të afërmëve të mi në Prishtinë, ku një ditë më herët erdha pasi u përshëndeta me familjen…Fjeta tjetërkund, që t’i shmangem arrestimit, meqë kishin filluar ndjekjet penale kundër meje e delegatëve të tjerë…Ishte marrë qëndrimi që unë ta lexoj Deklaratën. Më thanë kolegët delegatë të ulem afër një shtylle te hyrja e poshtme e ndërtesës së Kuvendit, që të mos më rrokte ndonjë plumb, sepse snajperistët shiheshin mbi ndërtesën Bankës së Kosovës, që tash është kjo ku jemi e Qeverisë së Republikës së Kosovës…Snajperistë kishte edhe në ndërtesa tjera përreth. Por, kishim vendosur që me çdo kusht ta shpallnim Deklaratën Kushtetuese, dhe qëndruam pa u ulur. Lexuam, miratuam dhe nënshkruam Deklaratën. Rreth nesh ishin edhe qytetarët, kishim përkrahjen e madhe të popullit…”

Një nga protagonistet, delegatet e Kuvendit të Deklaratës së 2 Korrikut 1990, Feride Hyseni, në një deklaratë gjatë një bisede që kam zhvilluar ka vlerësuar se, “është një datë e rëndësishme historike për Kosovën, për tërë kombin”.

 “Unë jam shumë krenare që jam aktore e asaj ngjarje”, ka theksuar ajo duke shprehur edhe gjithë gëzimin se Kosova arriti të jetë ajo e ëndërrave dhe idealeve të  shumë brezeve, edhe të 2 Korrikut 1990, shtet i lirë dhe i pavarur.

Deklarata Kushtetuese, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të  ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tash mëse 19 vjet nga qershori 1999, Kosovës shtet  10 vjet – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës, anëtare të OKB-së.

Delegatët kosovarë të 2 Korrikut 1990 kujtojnë edhe mbështetjen e fuqishme që u dhanë në atë kohë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, me të cilën në duar u panë edhe në seancën për pavarësi, dhe Radio Televizioni i Prishtinës.

 “Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit që kam shkruar në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në ngjarjen historike, të botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, ku theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

 Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 i kishin paraparirë unifikimi i plotë i faktorit shqiptar në Kosovë, kërkesat gjithëpopullore për Kosovën Republikë, për liri e pavarësi, konfrontimi i hapur i institucioneve të Kosovës me ato të Serbisë, Deklarata e Akademisë së Shkenacave dhe të Arteve të Kosovës për pozitën e re kushtetuese të Kosovës, si dhe qëndrimet e Këshillit ndërpartiak të Kosovës, të cilat ishin në të njëjtën frymë, me vizionin e Kosovës së pavarur.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990, e cila më është dhënë në Kuvendin historik,  ishte e shkruar me makinë shkrimi vetëm në një faqe, në një letër, kopjen e të cilës para shumë vitesh e kam dërguar në ATSH, ku është botuar, e këtë vit, në 30 prill 2018, në Arkivin e Kosovës, bashkangjitur me këtë shënim:

“Kjo është kopja e Deklaratës Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës e 2 Korrikut 1990, e ekzemplarit që sapo u lexua e mora dhe e ruaj prej atëherë, kur edhe e kam cituar në redaksionalin që shkruajta për gazetën Rilindja me titull “Fillim i së nesërmes” botuar në faqen e parë në numrin e 3 Korrikut 1990”.

Ku të dërgohet ekzemplari i Deklaratës Kushtetuese që ishte në duart e delegatit Mahrrem Shabani që e lexoi në Kuvendin e Kosovës në 2 Korrik 1990 kemi biseduar edhe sot me të dhe me udhëhëheqësin e Kuvendit në atë kohë, Ilaz Ramajlin, dhe do jetë në Arkivin Shtetëror…

 TEKSTI I PLOTË I DEKLARATËS KUSHTETUESE TË 2 KORRIKUT 1990 ISHTE:

“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpallë:

DEKLARATEN KUSHTETUESE MBI KOSOVEN SI NJESI Të PAVARUR DHE TE BARABARTE NE KUADER TE FEDERATES (KONFEDERATES) TE JUGOSLLAVISE SI SUBJEKT I BARABARTE ME NJESITE E TJERA NE FEDERATE (KONFEDERATE)

  1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
  2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
  3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
  4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
  5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim,

duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

Prishtinë, më 2 korrik 1990.               

Delegatët nënshkrues të  Deklaratës:

PRESIDENTI HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA PARALAJMËRONTE DHE PËRSHËNDESTE DEKLARATËN PËR PAVARËSINË E KOSOVËS TË 2 KORRIKUT 199

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në një intervistë të botuar në 15 prill 1990 në revistën “Fjala” në Prishtinë, duke komentuar debatet që zhvillohen në atë kohë thotë: “Ne si LDK pak më vonë do të dalim me një deklaratë kushtetuese që do të inkuadrohemi në këto debate për Kushtetutën e re”, duke paralajmëruar në këtë mënyrë Deklaratën e njohur Kushtetuese apo të Pavarësisë, siç do të quhet më vonë, të 2 Korrikut 1990, të Kuvendit të Kosovës.
Pak më vonë Presidenti historik Rugova do të deklarojë se, “pa shqiptarët si subjekt i barabartë politik nuk mund të ekzistojë as federata dhe as konfederata jugosllave” (“Hrvatski rubikon”, qershor Zagreb-Kroaci).
Në 2 Korrik 1990 në Prishtinë deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallin Deklaratën Kushtetuese. Rugova si kryetar i LDK-së, e cila tashmë tubonte rreth 700 mijë anëtarë, përshëndet dhe mbështet i pari këtë Deklaratë, duke e quajtur një dokument historik dhe Deklaratë për Pavarësinë.

 KRYEMINISTRI HARADINAJ: DELEGATËT E 2 KORRIKUT 1990, HISTORIA E GJALLË E KOSOVËS

 “Është nder i madh bashkimi ynë sot, për të tashmen tonë si Kosovë, për rrugën tonë deri këtu dhe për atë që vjen. Ju jeni historia e gjallë, e vërteta e rrugëtimit tonë. Deklarata e 2 Korrikut, shpallja e vizionit tonë për mëvetësi të asaj kohe ka qenë akt i çmuar, akt themel, nga i cili ka pasuar konfirmimi me Kushtetutën e Kaçanikut dhe përpjekjet e vazhdueshme të rezistencës të mëtejme politike e paqësore, deri te ajo luftarake për të ardhur te 17 shkurti 2008”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit që zhvilloi me një grup të delegatëve që miratuan Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik 1990.Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se në kohë mjaft të vështira, delegatët e atëhershëm të Kuvendit treguan guximin dhe vendosmërinë e tyre për shpalljen e Deklaratës Kushtetuese, duke theksuar se delegatët e asaj kohe janë nderi i Kosovës, janë historia e gjallë.

“Në nder të 2 Korrikut, Deklaratës që i vuri bazë veprimeve të mëtejshme, Kushtetutës së Kaçanikut dhe vendimeve për të qenë Kosova e pavarur, pata nderin të pres delegatët e gjallë, historinë e gjallë të Kosovës dhe të bashkëbisedojë me ta për temat që na preokupojnë sot në vend”, tha kryeministri Haradinaj, në prononcimin para medieve.

 Nga ana e tyre, delegatët e 2 Korrikut vlerësuan përkrahjen e Qeverisë së Kosovës dhe të kryeministrit Haradinaj për të qenë gjithmonë afër delegatëve të asaj kohe. 

 Kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Ilaz Ramajli, falënderoi kryeministrin Haradinaj për kujdesin e treguar dhe ftesën për të shënuar 28 vjetorin e 2 Korrikut, datës kur është nxjerrë Deklarata Kushtetuese.“Ju keni treguar kujdes të veçantë edhe në kohën kur nuk keni qenë kryeministër për këtë përbërje dhe kjo që ju sot na ftuat është një nder i veçantë për ne”, tha ish kryetari Ramajli.

Ai tha se në këtë takim kanë parashtruar disa çështje që janë me interes për delegatët, e që ka të bëjë me mbështetjen materiale të tyre.

“Kryeministri pati mirësinë që të na njoftoi për disa çështje kyçe të cilat janë në zhvillim e sipër në Republikën e Kosovës, çështje politike, por edhe ato që janë me rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Ramajli, duke falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritje.

Kryeministri Haradinaj foli edhe për statusin e delegatëve, duke thënë se ka një iniciativë ligjore në Kuvend dhe mund të procedohet në seancë si Ligj, i cili do të rregullonte statusin e deputetëve të vitit 1990, e që do ta ketë përkrahjen edhe të Qeverisë.

 RAMAJLI E HARADINAJ PËRGJIGJEN NË PYETJET E KORRESPONDENTIT TË GAZETËS DIELLI

Kryetari i Kuvendit të Kosovës në kohën e viteve të 90-ta të zhvillimeve historike, Ilaz Ramajli, dhe tash Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit, në konferencën për shtyp u janë përgjigjur pyetjeve të korrespondenit në Kosovë të Gazetës DIELLI.

PYETJA: Po prezantohem pak më ndryshe se tjera here, si gazetari që kam qenë bashkë me delegatët në atë kohë para Kuvendit.

Prandaj, një pyetje kam për zotin Ramajli: Nuk ishte vetëm 2 Korriku, ishte edhe Kushtetuta e Kaçanikut e 7 Shtatorit po në 1990, pastaj Referendumi ku thuaja qind për qind e atyre që morën pjesë në votim votuan për Shtet Sovran e të Pavarur të Kosovës në atë kohë. Si i vlerësoni nga kjo distancë 28 vitesh ato tre ngjarje të mëdha historike?

Ndërsa për Kryeministrin e kam pyetjen: Cili është statusi i delegatëve të 2 Korrikut e 7 Shtatorit 1990 sot në shtetin e Kosovës?

PËRGJIGJIET:

 Kryeministri Haradinaj: Faleminderit. Së pari Kryetari Ramajli.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës në vitin 1990, Ilaz Ramajli: Behluli ëahtë gjithmonë i interesuar për 2 Korrikun e 7 Shtatorin, duke pasur parasysh që ka marrë pjesë në  Mbledhjen e 2 Korrikut dhe është gazetari që e ka ruajtur tekstin origjinal të Deklaratës Kushtetuese.

Dhe, t’iu them, këto tre akte, sot ashtu i përmendëm, përbëjnë bazën kushtetuese-juridike të rregullimit të shtetit të ri -Republikës së Kosovës.

 Unë po shfrytëzoj rastin të përmendi që kemi mund t’i kryejme këto tre akte duke iu falënderuar një uniteti apsolut të faktorëve shqiptarë në Kosovë, 

të cilët pa asnjë hezitim dhe pa asnjë ekuivok e kanë përkrah punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Edhe me përkrahjen unanime të popullit ne i kemi kryer krejt këto punë.

Unë këte e potencova për shkak se besoj që Kosova në këtë kohë është në një situatë shumë delikate, siç na njoftoi Kryeministri janë në përgatitje edhe zhvillimi i diskutimitmeve për përmbylljen e raporteve, kontratës përfundimtare me Serbinë dhe disa çështje tjera.

Unë besoj duke u mbështetë në përvojën e viteve 90-ta edhe sot është i nevojshëm një unifikim apsolut i faktorit politik në Kosovë, edhe faktorit të institucioneve, ta quaj ashtu, për ta arritë qëllimin përfundimtar.

 Kryeministri Ramush Haradinaj: Faleminderit Kryetar.

 Sa i përket Statusit ka një iniciativë ligjore, ajo ndodhet tani në Parlament, është në fazën e një propozimi, pra koncept-dokumenti.

Mund të ndodhë që do të procedohet më tutje në seancë plenare si Ligj për statusin e delegatëve-deputetëve të vitit 1990.

Nëse kalon nga Parlamenti ne do ta përkrahim si Qeveri, ka një kosto që është modeste, kosto modeste vjetore.

Nëse jo, atëherë mund ta hartojmë ne një ligj, koncept-dokument për Statusin e delegatëve të atëhershëm edhe t’ia kalojmë Parlamentit.

Por, mendoj që është me rëndësi që kjo të ndodhë.

Qeveria e Kosovës, në këtë rast Qeveria që udhëheqi, në vitin që shkoi ka ndërmarrë një veprim të njëherëshëm, po ato nuk janë zgjidhje – këto të njëhershmet, ka qenë një urgjencë ashtu që me e mbulu, ta quajë ashtu, një vakuum të madh kohor pa përkujdesje.

Po shpresoj që do të kalojmë në ligj dhe nuk është ndonjë ngarkesë, po e përsëris është një ngakesë krejt modeste financiare për Kosovën, është më shumë një nderë që ju bëhet kësaj kategorie, që është shumë me rëndësi nderimi i atyre që në momentet kyçe kanë kryer detyrat e tyre në shërbim të vendit. Ju faleminderit! 

VESELI TAKOI DELEGATËT E 2 KORRIKUT

Sot, me rastin e 28-vjetorit të Deklaratës së 2 Korrikut 1990, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti në takim delegatët e Kuvendit të Kosovës, nëshkrues të kësaj deklarate.Kryeparlamentari Veseli uroi delegatët për këtë ditë të rëndësishme, ndërsa çmoi lart kontributin e tyre në kohë dhe rrethana të vështira.

“Akti juaj madhor i parapriu proceseve të tjera të rëndësishme në vitet në vijim: rezistencës paqësore dhe luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kulmoi me çlirimin e Kosovës dhe vite më vonë me shpalljen e pavarësisë së saj”, theksoi kryeparlamentari Veseli.Udhëheqësi i delegacionit të delegatëve, Iljaz Ramajli, falënderoi kryeparlamentarin Veseli për pritjen tashmë tradicionale për ish-ligjvënësit e Kosovës, duke dhënë kështu mesazhin e përkujdesjes dhe vlerësimit të kontributit të brezave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: 28 Vjet, Behlul Jashari, Deklarata e 2 korrikut

Kosovë-Festohet 242-vjetori i Pavarësisë së SHBA

June 30, 2018 by dgreca

-Në Kosovë festohet 242-vjetori i Pavarësisë së SHBA, theksohen partneriteti i veçantë e miqësa e përhershme/

1 flet ambasad ok-Ambasadori amerikan Greg Delawie: Përderisa shënojmë vitin e 242-të të pavarësisë sonë, po ashtu festojmë edhe partneritetin tonë të veçantë me Kosovën, i cili po thellohet vit pas viti”/

Klinon-Presidenti Hashim Thaçi: Kosova është e bekuar me mbështetjen e parezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/

 

4 Korriku

Që prej 22 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari- PRISHTINË, 30 Qershor 2018/ Me rastin e shënimit të ditës së pavarësisë së SHBA-ve, ambasadori në Kosovë Greg Delawie organizoi një gosti, ku mes shumë pjesëmarrësve ishin edhe presidenti kosovar Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

“Përderisa shënojmë vitin e 242-të të pavarësisë sonë, po ashtu festojmë edhe partneritetin tonë të veçantë me Kosovën, i cili po thellohet vit pas viti”, theksoi ambasadori amerikan Delawie në pritjen mbrëmjen e djeshme.

Ai tha se, festa e përvjetorit të dhjetë të pavarësisë së Kosovës më herët gjatë këtij viti ishte rast për të persiatur rreth përparimit mbresëlënës të arritur duke punuar përkrah partnerëve dhe miqve, ndërsa foli edhe për sfidat duke u shprehur se hap pas hapi, Kosova po ndërton një shoqëri përparimtare e shumetnike dhe ekonomi më të fortë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’ju qëndrojnë përkrah derisa përballeni me këto sfida. Sonte, përderisa festojmë Ditën tonë të pavarësisë, e festojmë edhe miqësinë tonë me Kosovën dhe përkushtimin tonë të përbashkët për të ndërtuar një botë ku demokracitë mund të lulëzojnë”, theksoi ambasadori i SHBA-ve, Delawie.

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi tha se, se në Kosovë, festimi i 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, është gjithmonë një ngjarje e veçantë dhe emocionale.

“Shumë bashkëqytetarë e kuptojnë dhe festojnë këtë ditë, sikur të ishte festë shtetërore e Kosovës. Kjo ndjenjë është e kuptueshme për kosovarët, për popullin dhe shtetin me pro-amerikan në Evropë dhe më gjerë”, theksoi presidenti Thaçi. Ai  tha se Kosova është e bekuar që, njësoj sikur në çdo proces të rëndësishëm deri më tani, ka pasur mbështetjen e parezervë të SHBA-së, të BE-së, dhe të të gjithë partnerëve tanë, të cilët duan ta shohin Kosovën dhe rajonin në paqe të përhershme.

“Prandaj nuk ka mënyrë më të mirë për ne, që ndihmën e çmuar që në vazhdimësi e marrim nga miqtë tanë, ta respektojnë duke punuar për paqen, fqinjësinë e mirë si parakushte të domosdoshme për integrime euro-atlantike”, theksoi presidenti kosovar.

Presidenti Thaçi në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, uroi popullin amerikan për Ditën e Pavarësisë dhe rikonfirmoi zotimin për ruajtjen e marrëdhënieve speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miqësinë e përhershme dhe aleancën në vlerat dhe parimet që  bashkojnë.

Që prej 22 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Në vitin 1996, në 12 janar, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në një ditë historike – në 6 qershor 1996.Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë.Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në shtator të vitit 1999.USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 10 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 korrik, Tina Kaidanow është betuar si Ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.Në 1 korrik 2009 Prishtina ndau 5 hektarë truall për ndërtimin e objektit të ri të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit që ende vazhdon.Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes.

*Fjala e Ambasadorit Amerikan në  Kosovë Greg Delawie me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, 29 qershor 2018

 

Mirëmbrëma! Dobro veče! Good evening!

President Thaçi, Kryeministër Haradinaj, nënadmiral Kilrain, Gjeneral-major Orr, Gjeneral-major Cuoci, miq, partnerë dhe pjesëtarë të bendit të hatashëm muzikor të Forcave detare amerikane, mirë se vini në festimin tonë të Ditës së Pavarësisë së Amerikës!

Tema e festës këtë vit është tradita e mrekullueshme amerikane e panairit shtetëror dhe në veçanti, Panairi i famshëm shtetëror i Ajovës për nder të partneritetit të Kosovës me shtetin simotër të Ajovës dhe me Gardën Kombëtare të Ajovës. Panairi shtetëror i Ajovës për herë të parë është mbajtur në tetor të vitit 1854. Panairet shtetërore kremtojnë si ekonominë bujqësore bashkëkohore të teknologjisë së lartë të Amerikës, po ashtu edhe nostalgjinë për traditat tona të vjetra, si dhe garat shoqërore, muzikën dhe zbavitjen. Panairet shtetërore janë vende ku çdo segment i shoqërisë qëndron krah për krah si i barabartë. Ato janë vende ku qytetarët dhe politikanët takohen ballë për ballë dhe flasin sinqerisht për çështjet me rëndësi. Shpresojmë që atë ndjenjë ta përcjellim deri në një masë edhe sonte këtu.

E në atë frymë, dëshiroj t’i falënderoj gjithë ata njerëz që na kanë ndihmuar për ta organizuar festimin e Ditës së Pavarësisë, veçanërisht sponzorët tanë. Me të vërtetë shpresoj se do të kënaqeni sonte!

Përderisa shënojmë vitin e 242-të të pavarësisë sonë, po ashtu festojmë edhe partneritetin tonë të veçantë me Kosovën, i cili po thellohet vit pas viti. Festa e përvjetorit të dhjetë të pavarësisë së Kosovës më herët gjatë këtij viti ishte rast për të përsiatur rreth përparimit mbresëlënës që e keni arritur në dhjetëvjeçarin e parë të shtetësisë suaj, duke punuar përkrah partnerëve dhe miqve, shumë prej të cilëve janë këtu sonte.Hap pas hapi, Kosova po ndërton një shoqëri përparimtare e shumetnike dhe ekonomi më të fortë. Si në çdo demokraci, puna duhet të vazhdojë. Nelson Mandela ka thënë: “Kur ngjitet në maje të një kodre të lartë, njeriu e sheh se janë shumë më shumë kodra për tu ngjitur”. Kjo është sfida dhe privilegji i çdo vendi të ri. E pikërisht në këtë çast, në Kosovë janë disa kodra të larta për tu ngjitur.

Më lejoni t’i shtjelloj dy prej tyre: dialogun dhe besimin e publikut. Festimi ynë sonte po bëhet në një çast urgjent. Ky është viti kur Kosova duhet t’i tejkalojë dallimet me Serbinë dhe të negociojë marrëveshjen përfundimtare në dialog.

E dimë se kjo kodër është e thepisur, por nuk ka mënyrë tjetër për Kosovën për ta çelur shtegun për anëtarësi të plotë në komunitetin perëndimor. Më lejoni të jem shumë i sinqertë se pse kjo është e rëndësishme. Republika e Kosovës shumë kohë të gjatë e ka bartur barrën e fusnotës.

Kosova paguan çmim çdo ditë, çdo muaj, çdo vit për faktin thellësisht zhgënjyes se sovraniteti dhe pavarësia juaj ende nuk pranohen nga të gjithë. Ky çmim është ekonomik, komercial, politik dhe shoqëror. Edhe unë jam po aq i pakënaqur sa ju nga ky realitet i hidhur, por fakti qëndron se ju po e paguani këtë çmim.

Ju e paguani këtë çmim sa herë që ndërmarrjet e huaja anashkalojnë investimin në një vend, ligjshmëria e të cilit vihet në dyshim. Ju e bartni barrën e asaj që bizneset ndërkombëtare e quajnë “rrezik politik”. Ju paguani çmimin pse Kosova nuk ka zë në shumë organe dhe agjenci ndërkombëtare që e rregullojnë sistemin botëror ose në shumë institucione kyçe evropiane. Shumë vende, ndërmarrje e institucione ndërkombëtare kqyrin kah Kosova dhe krejt çka shohin janë pyetjet rreth ndarjes suaj nga Serbia dhe rreziqet politike, ekonomike dhe të sigurisë që vijnë me të.

Ky çmim është barrë e rëndë që ngadalëson zhvillimin ekonomik të Kosovës. E kjo madje para se ta përmendim faktin se Kosova nuk do të mund të anëtarësohet në BE dhe NATO pa arritur normalizimin me Serbinë. Çmimi afatgjatë i kësaj pengese njëmend është i pallogaritshëm. Kjo është barra e rëndë e fusnotës, që Kosova ende e bart.

Pra, ku ju lë kjo juve? Për mua, kjo do të thotë se nuk keni zgjidhje tjetër të vërtetë përveç negociimit të zgjidhjes përfundimtare të marrëdhënies suaj me Serbinë dhe sa më herët ta bëni këtë, aq më mirë. Pikërisht tani, në 2018-tën. Diskutimi duhet të ecë përtej a duhet të ketë marrëveshje dhe përtej arsyeve “përse të mos” negociohet. Udhëheqja e njëmendtë nënkupton të përqendroheni se si të gjendet mënyra për t’i përmbushur qëllimet tuaja. Ekziston momentum në rritje dhe seriozitet i njëmendtë që më në fund të arrihet normalizimi Kosovë-Serbi. BE-ja e ka theksuar se për të hyrë në Bashkimin Evropian, të dyja vendet duhet të arrijnë një ujdi. Kjo është karta më e fuqishme negociuese që Kosova do ta ketë ndonjëherë. Por, Bashkimi Evropian ka zgjedhje në vitin 2019 dhe askush nuk mund të thotë se çka do të bëjë gjenerata e ardhshme e prijësve të BE-së. Ka ardhur koha që Kosova të bashkohet nën ndjenjën e unitetit dhe qëllimit kombëtar për shtytje të fundit në dialog.

Njëkohësisht, Kosova e ka edhe një kodër tjetër për tu ngjitur. Luftimi i korrupsionit dhe përmirësimi i besimit të opinionit publik. Zyrtarët publikë në një demokraci e kanë detyrim që t’i japin llogari popullit, i cili ua paguan pagat dhe që ta vënë shtetin në vend të parë, mbi interesat personalë ose politikë. Kjo vlen për të gjithë zyrtarët publikë, komunalë e shtetërorë, nga zyrtarët e policisë e te prokurorët, gjyqtarët, zyrtarët qeveritarë e deputetët. Një kulturë që vë interesat e vendit mbi përfitimin personal dhe lufta sistematike e e vazhdueshme kundër korrupsionit janë thelbësore për gjithçka që Kosova shpreson të përmbushë. Në çështjet jetike si papunësia, edukimi, siguria energjetike dhe shumë çështje të tjera, Kosova duhet të jetë shtet ku meritat vlejnë më së shumti, ku një mjedis transparent dhe stabil afarist tërheq dhe shpërblen investimet dhe ku të rinjtë besojnë se kanë gjasa të barabarta për të arritur diçka dhe edukimin për të pasur sukses.

Unë besoj që kjo gjë është e mundshme sepse pas tri viteve këtu, e di që Kosova është vend i qëndrueshmërisë, kreativitetit dhe guximit. E shoh këtë çdo ditë, në takimet me studentë, bujq e ndërmarrës të ri, duke qenë dëshmitar i talentit dhe potencialit të hatashëm të një kombi të ri, i gatshëm për të shpërthyer.

Përballuni me sfidat para jush dhe Kosova mund t’i arrijë qëllimet për të ndërtuar një ekonomi të larmishme dhe dinamike; për të zhvilluar marrëdhënie produktive e paqësore me fqinjtë e saj; dhe siç thuhet në Kushtetutën e saj “për të ndërtuar të ardhmen e Kosovës si vend i lirë, demokratik e paqedashës që do të jetë atdheu i të gjithë qytetarëve të vet”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’ju qëndrojnë përkrah derisa përballeni me këto sfida. Sonte, përderisa festojmë Ditën tonë të pavarësisë, e festojmë edhe miqësinë tonë me Kosovën dhe përkushtimin tonë të përbashkët për të ndërtuar një botë ku demokracitë mund të lulëzojnë.

Urime! Čestitke svima! Urime Dita e Pavarësisë së Amerikës!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, i Pavarësisë së SHBA, Kosovë-Festohet 242-vjetori

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në Kosovë

June 29, 2018 by dgreca

NATO-Kosova, lidhje të fortë prej shumë vitesh/

1 ok Presidenti1 Thaci NATO1 Biseda 1

-Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Alli: NATO-ja dhe Kosova kanë një lidhje të fortë prej shumë vitesh/

-Presidenti Thaçi: NATO është në Kosovë, por tani është koha që edhe Kosova të jetë në NATO/

-Kryeministri Haradinaj: Kosova në NATO e sheh sigurinë dhe paqen e përjetshme/

-Në vizitën sot në Prishtinë, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s zhvilloi takime fillimisht në Kuvendin e Kosovës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 29 Qershor 2018/ NATO-ja dhe Kosova kanë një lidhje të fortë prej shumë vitesh, tha sot në Prishtinë Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Alli, dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të përparimit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.
“Jam këtu sot si President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, për të demonstruar edhe njëherë se Asambleja Parlamentare është shumë e afërt me Kosovën, është shumë e lidhur dhe e përkushtuar me Ballkanin Perëndimor, sepse ne mendojmë se Ballkani Perëndimor është pjesë esenciale e Evropës”, theksoi Presidenti Alli.Ai tha se janë duke bërë më të mirën për të mbështetur përpjekjet që Kosova është dukë bërë në procesin e reformës, që është e nevojshme për anëtarësim në NATO.“Ne shohim progres real, ne shohim gjithashtu se ka punë për t’u bërë, veçanërisht në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por ne jemi të sigurt se udhëheqja e juaj është shumë e fuqishme dhe ju do të keni sukses në rrugëtimin tuaj për integrim euroatlantik”, tha Alli, duke theksuar se prezenca e misionit të KFOR-it, përpjekja që NATO ka bërë në vitet e kaluara për të kontribuar në stabilitet, në siguri dhe paqe, është dëshmi se Kosova dhe Ballkani Perëndimor duhet të jenë më afër Evropës.Në pyetjet e gazetarëve për takimet e zhvilluara me zyrtarët e NATO-s, Kryeministri Ramush Haradinaj tha se në këto takime është biseduar për perspektivën e Kosovës, tranzicionit dhe anëtarësimit në NATO.“E gjithë perspektiva  e rajonit tonë është një fjalë. Ashtu sikurse vendet tjera edhe Kosova në NATO e sheh sigurinë dhe paqen e përjetshme”, tha Kryeministri Haradinaj, pas takimit me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Alli.

Duke theksuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me NATO-n, Kryeministri Haradinaj tha se Kosova i gëzohet ardhjes së presidentit të Asamblesë Parlamentare, ku edhe Kosova ka statusin e vëzhguesit.
Në takim, Kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova dhe populli i saj do t’i jetë përjetë mirënjohës dhe asnjëherë nuk do ta harrojë ndihmën që NATO ka dhënë në të gjitha fazat e shtetndërtimit.Kryeministri Haradinaj theksoi rolin e rëndësishëm të NATO-s në garantimin e paqes dhe të sigurisë dhe e vlerësoi forcën paqeruajtëse të KFOR-it si një partner të rëndësishëm në Kosovë.Po ashtu, Kryeministri Haradinaj tha se Forca e Sigurisë së Kosovës, e mbështetur nga NATO  në çdo periudhë të ndërtimit të saj, ka përmbushur kapacitet operative drejt transformimit në Forcën e Armatosur, në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë.Në vizitën sot në Kosovë, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s – Presidenti Paolo Alli dhe drejtori i Komisionit për Dimensionin Civil dhe Siguri, Andrius Avizius, zhvilloi takime fillimisht në Kuvendin e Kosovës, me Kryesinë, e pastaj edhe  me delegacionin e Kuvendit Kosovar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.Edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti në takim të veçantë Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Alli dhe delegacionin.

 PRESIDENTI THAÇI PRITI NJË DELEGACION TË ASAMBLESË PARLAMENTARE TË NATO-s

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i kryesuar nga Paolo Alli, President i Asamblesë.Presidenti Thaçi ka shprehur falënderimin e tij për vizitën, bashkëpunimin dhe përkrahjen që i ka dhënë Kosovës Asambleja Parlamentare e NATO-s.“Kosova është faktor stabiliteti në rajon, e përkushtuar për dialog me Serbinë që do të sjell paqe të qëndrueshme në tërë rajonin”, ka shtuar ai.Kosova, sipas Presidentit, e mirëpret rikthimin e vëmendjes së BE-së në rajonin e Evropës Juglindore, me strategjinë dhe Samitin e Sofjes.“Rezultate konkrete të menjëhershme janë zgjidhja e kontestit të emrit në mes Greqisë e Maqedonisë si dhe fillimi i fazës përfundimtare të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.Duke folur për kërcënimin global nga terrorizmi, Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova është lider në rajon në luftimin e ekstremizmit e radikalizmit.Nga tjetër, Paolo Alli, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës. Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se NATO është në Kosovë, por tani është koha që edhe Kosova të jetë në NATO. Sipas tij, FSK-ja është e gatshme për transformim në një forcë profesionale.

ANËTARËT E KRYESISË SË KUVENDIT PRITËN NË TAKIM DELEGACIONIN E LARTË TË ASAMBLESË PARLAMENTARE TË NATO-s.

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, pritën sot në takim Delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Zhvillimet politike në Kosovë, me fokus integrimi evropian, liberalizimi i vizave si dhe anëtarësimi i FSK-së në NATO, ishte temë qendrore gjatë këtij takimi.
Nënkryetari Haliti, fillimisht shprehu falënderim për takimin e përbashkët me udhëheqësit e lartë të delegacionit të NATO-s duke e vlerësuar si ditë të veçantë jo vetëm për Kuvendin, por për të gjitha institucionet e vendit.
Haliti i informoi përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për zhvillimet politike në Kosovë, për reformat që institucionet kanë bërë në rrugën drejt integrimeve evropiane, si dhe për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, përfshirë këtu edhe aftësimin e FSK-së për t’iu bashkëngjitur NATO-s në misionet e saj.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Haliti, nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të NATO-s me këtë rast kërkoi që ta mbështesin FSK-në si forcë të armatosur të NATO-s, dhe përkrahje për heqjen e vizave për Kosovën.
Kryetarja e komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, njoftoi për zhvillimet në zbatimin e procesit të MSA-së, ndërkaq, deputetët Fatmir Xhelili dhe Haxhi Shala, kërkuan mbështetje nga Asambleja e NATO-s dhe aleatëve të tjerë që FSK-ja të transformohet në ushtri të NATOS-s
Paolo Alli, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, deklaroi se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është kusht esencial për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm. Po ashtu, ai bëri të ditur se edhe luftimi i korrupsionit dhe sundimi i ligjit janë tepër të rëndësishme për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO.
“Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet kushti më i rëndësishëm për këto procese. Po ashtu edhe luftimi i korrupsionit dhe sundimi i ligjit janë bazike drejtë rrugëtimit në vendet euro atlantike. Lufta kundër terrorizmit mbetet ende sfidë për të gjithë, prandaj mbetet edhe shumë punë për tu bërë”, tha Alli.
Alli, bëri të ditur se Ballkani Perëndimor është rajon i rëndësishëm për Evropën, duke u zotuar se edhe integrimi është i garantuar, por, me kusht që secili shtet të përmbushë obligimet e veta.
” Ne jemi duke vështruar progresin në rajon, dhe e kuptojmë që qytetarët e Kosovës dëshirojnë t’i bashkohen NATO-s, natyrisht që ka ende punë për tu bërë, por, ju siguroj që Kosova është në rrugë të mirë duke i plotësuar objektivat që të bëhet pjesë e NATO-s”, tha Paolo Alli, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Në fund të takimit, Alli, theksoi: “Evropa nuk do të jetë e kompletuar pa i pasur në familje edhe vendet e Ballkanit Perëndimor”.

PRANVERA E VITIT 1999: NË KOSOVË LIRIA VINTE ME NATO-n

Në Kosovë në pranverën e para 19 viteve nisi të ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 Qershorin historik 1999, kur tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë.Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes shpëtimtare të aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, NATO, Paolo Alli, Presidenti i Asamblese

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT