Nga Bekim Bislimi/
D itëve të fundit, mijëra qytetarë kanë protestuar me kërkesën ndaj kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa që të shkarkoj ministrin për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq, për shkak të, siç është vlerësuar, deklaratave fyese ndaj familjarëve të viktimave të luftës.
Poashtu, në protesta është kërkuar edhe shndërrimi i kombinatit “Trepça, në ndërmarrje publike.
Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se protestat e fundit, në të cilat kanë marrë pjesë mijëra qytetarë, dhe që janë vlerësuar të organizuara nga partitë opozitare, kanë nxjerrë në pah antagonizmat e thellë ndërmjet pushtetit dhe opozitës.
Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se duke marrë parasysh që në demokraci, opozita është pjesë e sovranitetit të popullit, për aq sa ka numra në Kuvend, pushteti nuk ka të drejtë ta shtypë opozitën, për shkak se shtyp sovranitetin e popullit.
Por, në anën tjetër, sipas tij, opozita parlamentare, të cilës aktualisht i prin Lëvizja Vetëvendosje, përmes mitingjeve partiake po thirret në emër të popullit.
Sipas Matoshit, opozita nuk e ka këtë të drejtë, sepse nuk është instanca legjitime për tu thirrur në emër të popullit.
“Së këndejmi, duke luajtur rolin e një ‘pakice profetike’, opozita po rrëshqet në parlament të rrugës, sepse shumë më lehtë është ta bindësh turmën që të të brohoras, se sa ta bindësh një auditor të vogël, përkatësisht ta bindësh shumicën parlamentare brenda institucionit, përkatësisht në Kuvendin e Kosovës, se ke të drejtë”.
Por, Dren Doli nga Instituti për Studime Juridike e Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se e drejta e qytetarëve por të protestuar është e pamohueshme dhe nëse partitë opozitare arrijnë të adresojnë përmes këtyre protestave pakënaqësitë e qytetarëve, ky do të jetë mesazh i qartë për Qeverinë e Kosovës dhe partitë në pushtet.
“Nuk besoj që është e udhës që në Kosovë të vendoset një kulturë e tillë e komunikimit me qytetarë, ku çdo qytetarë i cili proteston për një të drejtë të tij apo për një çështje të caktuar, të konsiderohet si kundër qeverisë dhe kundër institucioneve të Kosovës, si dhe në të njëjtën kohë , qeveria të filloj akuzat ndaj gjithë këtyre njerëzve,që po protestojnë për të shprehur pakënaqësitë e tyre, në kontekstin, siç është duke ndodhur në Kosovë”.
Megjithatë, analisti Matoshi, vlerëson se situata mund të përshkallëzohet jo për shkak të kërkesave që tash kanë partitë opozitare, por për shkak të pakënaqësive të qytetarëve për shkak të korrupsionit të madh, mos sundimit ligjit dhe për shkak të mjerimit ekonomik. Por, sipas tij, si pushteti, ashtu edhe opozita, po i keqpërdorin këto pakënaqësi..
“Opozita po i keqpërdor protestat e ashtuquajtura padrejtësisht ‘gjithë popullore’ për ta përmbysur pushtetin, përkatësisht për ta arritur pushtetin politik. Ndërkaq, pushteti po i përdorë disa segmente të protestave, për t’ua bërë me gisht se janë të dhunshëm, se po synojnë shkatërrimin e pronës, sidomos pronës private.”
“Do të thotë, që të dyja palët po mundohen që ta keqpërdorin protestën – qoftë ajo edhe me motive të mirëfillta qytetare- për qëndruar në pushtet, përkatësisht, për të ardhur në pushtet”.
Ndryshe, Doli ka theksuar se shfrytëzimi politik i protestave aktuale është më i paktë se sa në rastet tjera, të cilat mund të jenë tema të diskutueshme politike.
Lista e përbashkët, keqpërdorim dhe demagogji e Beogradit
Liderët serbët të Kosovës qendrore, pjesëmarrës në institucionet e Kosovës, janë të ndarë në mendime lidhur me rëndësinë dhe rolin që mund ta ketë pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale të nëntorit në Kosovë me një Listë të përbashkët./
Nga Bekim Bislimi/
Listën e përbashkët serbe e ka paralajmëruar Beogradi zyrtar, duke u bërë thirrje serbëve lokalë në Kosovë që të garojnë në zgjedhje përmes kësaj liste.
Petar Miletiq, aktualisht nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë së Pavarur Liberale, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se një Listë e përbashkët serbe në zgjedhjet lokale nuk ka shumë kuptim.
Sipas tij, nuk ka asnjë arsye që një gjë e tillë të ndodhë dhe se një listë e tillë është joreale të formohet.
“Në qoftë se në zgjedhjet, për shembull, për komunën e Leposaviqit do të paraqitej vetëm një listë, atëherë çfarë do të zgjedhin qytetarët dhe për kë do të vendosnin? Prandaj, unë nuk shoh asnjë arsye që të ngulfatet pluralizmi dhe vullneti i zgjedhësve. Le të paraqiten më shumë lista dhe kush i fiton zgjedhjet ai do ta formojë pushtetin”, vlerëson Miletiq.
Por, Rada Trajkoviq, deputete e Kuvendit të Kosovës nga Lista e përbashkët serbe, listë kjo që ishte formuar në zgjedhjet e kaluara, thotë për Radion Evropa e Lirë se serbët e Kosovës nuk kanë zgjidhje tjetër përveç Listës së përbashkët, për shkak se, sipas saj, kryeministri Thaçi në vazhdimësi po i ofron Partisë së Pavarur Liberale logjistikë, si një partnere e koalicionit qeverisës.
Trajkoviq thotë se kjo parti ka krijuar monopol në përfaqësimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
“Në anën tjetër, i kemi serbët që janë krejtësisht të shpartalluar, të cilët disa janë për, dhe disa kundër zgjedhjeve. Por, mendoj se për ne është tepër e rëndësishme që serbët të dalin në zgjedhje, ku logjistikën do ta jepte shteti i Serbisë, në kuptimin e mbështetjes financiare, në kuptimin e mbledhjes së njerëzve rreth një ideje. Por, edhe në kuptimin që ajo listë nuk do të jetë e vetmja”, shprehet Trajkoviq.
Por, cili do të jetë ndikimi i Beogradit mbi pjesëmarrësit në Listën e përbashkët dhe a dëshiron ai që ta mbajë kontrollin e plotë mbi serbët e Kosovës, duke i instrumentalizuar ata?
Petar Miletiq, konsideron se ideja e Beogradit për një bashkim të serbëve në një listë, më tepër ka të bëjë me demagogji se sa me qëllim të mirë.
x “Mendoj se kemi të bëjmë me demagogji dhe kinse nën një mantel të unitetit po dëshirohet t’iu dërgohet njerëzve porosia që të dalin në numër sa më të madh në zgjedhje. Do të thotë, uniteti në këtë rast është si një trik i marketingut parazgjedhor dhe jo si një gjë thelbësore. Mendoj se kjo është çështja”, thekson Miletiq.
Por, deputetja Trajkoviq vlerëson se ndikimi i Beogradit mbi serbët e Kosovës do të jetë i natyrshëm, sepse sipas saj, këta të fundit nuk mund të mbijetojnë pa ndihmën e Beogradit.
Ajo, gjithashtu, shpreh mendimin se në qoftë se Beogradi do t’i keqpërdorë serbët e Kosovës, kjo do të jetë një e drejtë legjitime e tij.
“Keqpërdorimi është e drejtë legjitime. Ju po e shihni që Thaçi po i keqpërdorë liberalët. Pse, pra, do të ishte aq e tmerrshme nëse Beogradi i përdorë serbët? Kjo është diçka normale për mua”, thotë Trajkoviq.
Sipas saj, serbët e Kosovës janë para dy zgjidhjeve të këqija dhe ata duhet ta zgjedhin më të voglën, e që në këtë rast është Lista e përbashkët serbe.
Seminari për Gjuhën, ambasadori më i mirë në botë
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të zgjasë deri më 30 gusht./
Nga Bekim Bislimi/
Edicioni i 32-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili ka nisur më 19 gusht në Prishtinë, ka sjellë deri më tash risi sa u përket rezultateve shkencore, të cilat u transmetuan dhe diskutuan në ligjëratat dhe referimet shkencore në kuadër të seminarit, vlerësojnë organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtij seminari.
Bardh Rugova, drejtor i seminarit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se disa nga ligjëratat e pjesëmarrësve të seminarit kanë qenë prurje mjaft të rëndësishme gjatë 5 ditëve të para të seminarit.
Ai përmend ligjëratën e akademik Rexhep Ismajlit për diskutimet rreth historisë dhe origjinës së shqipes, ligjëratën e Kujtim Shalës për Sami Frashërin, si autor shqiptar, si dhe një varg ligjëratash dhe referimesh të tjera nga albanologë të ndryshëm.
Rugova thekson se në ditët e ardhshme priten ligjëratat dhe referimet e mjaft autorëve të rëndësishëm.
“Në javën e dytë të seminarit do të kemi disa nga autorët e rëndësishëm. Në mesin e tyre, unë jam duke e përmendur tash e sa kohë Giusepina Turanon, një autore e një brezi më të ri, brezit të mesëm të autorëve, do ta quaja, e cila kohë më parë ka botuar edhe një sintaksë gjenerative të shqipes. Po ashtu, pas një pauze 10-vjeçare, paraqitet Giovanni Belluscio, ndër autorët më të njohur të brezit të mesëm të studiuesve arbëreshë dhe Leonardo Mario Savoia, po ashtu, është paraqitur për të marrë pjesë”, bën të ditur Rugova.
Ai, po ashtu, shton se si ligjëratë mjaftë e rëndësishme pritet të jetë ajo e profesorit Aleksandar Rusakov nga Shën Peterburgu, për korpusin linguistik të shqipes, që është duke u përgatitur në këtë qendër.
Megjithatë, sipas Rugovës, ditët më intensive të punës në seminar, do të jenë dy të fundit, në dy sesionet shkencore, të gjuhës dhe të letërsisë.
“Seminari do të zhvillojë punimet në disa forma pune dhe në dy ditët e fundit intensifikohet pjesa shkencore. Është një lloj përmbledhjeje dhe aty do të jenë sesionet shkencore në fushën e gjuhësisë dhe letërsisë. Temë bosht, në sesionin e letërsisë, do të jetë letërsia dhe identiteti. Ndërsa, në fushën e gjuhësisë, do të diskutohet për kontributin e albanologëve të huaj në fushën e shqipes, në pjesën e dytë të shekullit XX. Është një përpjekje e jona për ta nderuar dhe për ta vlerësuar punën e albanologëve në gjysmën e dytë të shekullit XX”, shpjegon Rugova.
Ndërkohë, në Seminarin e 32 Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, rreth 100 studentë të huaj po mësojnë gjuhën shqipe në kurset e organizuara në tri nivele.
Pjesëmarrës në seminar janë dhjetëra albanologë nga e gjithë bota, qoftë për të mësuar gjuhën shqipe, qoftë për të sjellë apo ndjekur rezultatet shkencore në fushën e albanologjisë.
Një nga ta është edhe Zef Chiaramonte, albanolog arbëresh nga Italia, i cili vjen në Prishtinë pas gjashtë vjetësh për të ndjekur edicionin e 32 të seminarit.
“E kam ndërprerë për 6 vjet, por gjithnjë kam pasur dëshirë që të kthehesha. Dëshira ishte të shikoja si shkon situata shoqërore, ekonomike dhe niveli i standardit në përgjithësi. Në të njëjtën kohë, vazhdimësia e interesave kulturore, të cilat janë përfaqësuar në nivelin më të madh në botën shqiptare dhe arbëreshe nga ky seminar”, shprehet Chiaramonte.
Albanologu Chiaramonte, vlerëson se Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, deri më tash ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm dhe, sipas tij, ka qenë ambasadori më i mirë në botë për kulturën shqiptare, në përgjithësi.
“Kam qenë i interesuar vetëm ta përvetësoj gjuhën letrare, sepse nuk merrem me gjuhësi. Unë jam i prirë për historinë. Jam bibliotekar me profesion. Megjithatë, mendoj se, sidomos në kohët e mëparshme, unë e përvetësova këtu gjuhën standarde dhe e shkruaj lirisht. Prandaj, mendoj se Seminari ka bërë punë të shkëlqyeshme dhe ka qenë ambasadori më i mirë në botë. Lufta e parë u bë me anë të seminarit. Një luftë pa armë, por ajo ka qenë më të vërtetë luftë e grushtit”, thekson Chiaramonte.
Ndryshe, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të zgjasë deri më 30 gusht.
Beogradi me lojë të dyfishtë në veri
Beogradi zyrtar ka kritikuar të ashtuquajturin Kuvend i përkohshëm i Kosovës, të cilin përfaqësuesit e serbëve të veriut e kanë themeluar ditën e enjte në Zveçan.
Por, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, kanë shprehur dyshimet dhe vlerësimet se Beogradi po bën lojë të dyfishtë dhe se themelimi i këtij kuvendi nuk ka mundur të ndodhë pa dijen dhe pëlqimin e Beogradit.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Serbia dhe serbët duhet të nxjerrin mësime nga historia e tyre dhe nuk duhet të punojnë në dëm të vetvetes.
Ai ka theksuar se themelimi i të ashtuquajturit “kuvend” në veri të Kosovës nuk do ta ndihmojë popullin serb atje.
Sipas tij, mjetet dhe mënyrat me të cilat populli serb sot lufton për interesat e veta janë të tjera nga ato që janë përdorur deri më tash.
“Neve nuk na ka informuar askush lidhur për këtë që ka ndodhur dhe kjo nuk është bërë në përputhje me ligjet aktuale, kushtetutën etj. Krejt çka mund të them në këtë moment është se kjo nuk shkon në favor as të Serbisë e as popullit serb në Kosovë”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se nuk do të ketë reagim në raport me diçka që nuk ekziston, duke aluduar në kuvendin e themeluar në veri.
Por, politologu Behlul Beqaj, vlerëson se është e sigurt që negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk kanë shkuar në formën e duhur, për faktin se ata që do të duhej të jenë zbatues të marrëveshjes, kanë dalë kundër saj.
“Unë besoj se situata do të komplikohet, në vend se të shtjellohet, në vend se të zgjidhen problemet, të cilat janë hapur, posaçërisht, në mënyrë dinake, pasi që Serbia e ka marrë datën e negociatave“.
“Në këtë kuptim, nuk e përjashtoj mundësinë që edhe kjo të jetë pjesë e lojës së dyfishtë që është nisur nga Beogradi, e kinse se nuk është bërë në lidhje me njohuritë që i ka pasur për veprimet në veri edhe pse atje, dihet mirëfilli se ata i kanë bazat e veta të informacionit dhe njerëzit që punojnë me vite të tëra”, ka thënë Beqaj.
Analisti i çështjeve politike, Ardian Arifaj ka theksuar se ajo që ka ndodhur ne veri ka ngritur shumë pikëpyetje.
Sipas tij, veprimi i përfaqësuesve serb të veriut të Kosovës mund të jetë në kundërshtim me interesat e Beogradit dhe, siç thotë ai, është normale të ketë fërkime ndërmjet Beogradit dhe liderëve politik të serbëve të veriut të Kosovë.
Por, sipas tij, ekziston edhe bazë e fortë për dyshime se kjo është një lojë e dyfishtë e Beogradit zyrtarë.
“Në anën tjetër, po e shohim se kryetari i kësaj organizate më të re që e shpallën serbët në veri të Kosovës, në fakt, është nga partitë të cilat sot janë në pushtet në Serbi. Pra, është i afërt me pushtetin politik që është në Serbi”.
“Po ashtu, pra, janë me të drejta edhe dyshimet se prapa kësaj ekziston edhe një lojë tjetër e Beogradit, për të vazhduar për ta cenuar shtetin e Kosovës, por edhe për më tepër, për të vazhduar ta ruaj prezencën e vet në pjesën veriore të Kosovës, e pse jo edhe në tërë Kosovën”, u shpreh Arifaj.
Arifaj shpreh mendimin se Serbia po përpiqet të gjejë arsye për ta zvarritur zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
E gjithë kjo situatë, sipas tij, siç kanë vlerësuar njohësit e zhvillimeve politike në vend, tregon se me nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit, Serbia nuk ka dëshiruar që t’i normalizoj marrëdhëniet me Kosovën dhe nuk shihen shenja që Serbia dëshiron ta ndryshojë në thelb qasjen e saj ndaj Kosovës.
Politologu Beqaj, ka theksuar se, marrëveshja e Brukselit, nuk do të jetë përfundimtare, dhe se koha do të dëshmoj se ajo është vetëm një zgjidhje e përkohshme.(Kortezi: Bekim Bislimi)