• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDIKIMI I VENDIMEVE TË KONFERENCËS SË AMBASADORËVE NË PROCESIN E NDËRTIMIT TË SHTETIT SHQIPTAR

December 2, 2023 by s p

Akademik Beqir Meta/

               Shpesh historianët, duke dashur t’i referohen shtetit shqiptar, për ta veçuar atë nga nocioni më i gjerë – Shqipëri, e quajnë ndoshta jo me aq saktësi Shqipëria Londineze. Ata kanë parasysh se krijimi i këtij shteti ishte kryekëput produkt i vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913.

           Në këtë kumtesë do të përpiqemi të analizojmë pikërisht rolin e kësaj konference në shtet-formimin shqiptar gjatë shekullit XX. Dhe këtë analizë do ta fillojmë pikërisht me këtë pyetje: A ishte Konferenca e Londrës e vitit 1913 krijuesja definitive e shtetit shqiptar? Ne mund të themi me siguri se ajo ishte krijuesja e parë e këtij shteti, pa nënvleftësuar këtu aktin e madh të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Kuvendin Kombëtar të Vlorës që shpalli Pavarësinë dhe themeloi shtetin e pavarur shqiptar. Por nga ana tjetër, koha provoi se vendimi ndërkombëtar i Londrës 1913, nuk ishte definitiv dhe as i pacenueshëm. Ndonëse ishte një vendim ndërkombëtar i nënshkruar nga të gjithë Fuqitë e Mëdha evropiane, si dhe i pranuar nga shtetet fqinje, ndonëse pavarësia shqiptare ishte një kompromis midis dy Blloqeve më të mëdha politike të kohës: Antantës dhe Aleancës Trepalëshe, kompromis i cili ishte në vetvete shumë i dhimbshëm për kombin shqiptar, pasi u dha fqinjëve gjysmën e territoreve dhe popullsisë shqiptare, ai ishte i brishtë, dhe koha do të provonte se do të sfidohej ashpër pikësëpari nga vetë nënshkruesit e kësaj marrëveshje – Fuqitë e Mëdha.

           Fatkeqësisht të dy Blloqet kundërshtare e konceptuan krijimin e shtetit shqiptar jo si një e drejtë e pamohueshme  e shqiptarëve, jo si një element afatgjatë dhe stabiliteti në hartën dhe skemën politike ballkanike dhe evropiane, por si një krijesë artificiale dhe të përkohshme që do t’u shërbente atyre vetëm për të shtyrë konfliktin e armatosur evropian i cili po afrohej me shpejtësi. Pikërisht ky konceptim me gjithë implikimet e shumta që solli do të kishte pasoja të shumta në procesin e shtet-ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar. 

           Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar shërbeu për të formësuar një ekuilibër të ri forcash në Ballkan dhe Adriatik, duke ruajtur interesat imediate të Fuqive të Mëdha dhe vetë sistemin e Koncertit Evropian në momentet kritike para fundit të tij. Faktin që ky kompromis ishte i përkohshëm dhe si rrjedhojë edhe krijesa e tij, shteti i pavarur shqiptar konsiderohej i tillë, e pohonte vetë kryetari i Konferencës, E. Grey, por për më tepër atë e vërtetoi koha që pasoi, pikësëpari Traktati i Fshehtë i Londrës 1915 dhe diskutimet e marrëveshjet që u arritën në Konferencën e Paqes në Paris në vitet 1919-1920.

            Kur qeveria shqiptare i paraqiti memorandumet e para me 22 dhe 30 nëntor 1920 Lidhjes së Kombeve, ku argumentoi ekzistencën e shtetit të pavarur shqiptar qysh më 1913 me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve, Komisioni i V i LK i hodhi poshtë argumentet shqiptare.

Konceptimi i shtetit shqiptar si një entitet i paqëndrueshëm dhe jo definitiv ka pasur pasoja të rënda negative për afrimin dhe konsolidimin e tij në gjysmën e parë të shekullit XX. Pasojat kanë qenë afatshkurtra dhe afatgjata.

Po fillojmë më pasojat afatshkurtra që nënkuptojnë periudhën deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore. Pengesat ndërkombëtare për ndërtimin e shtetit të ri u shfaqën qysh në fillim:

  • Fuqitë toleruan Beogradin, Athinën dhe Cetinën, që të mbanin të pushtuara për një kohë të gjatë disa territore që i ishin njohur shtetit të ri shqiptar.
  • Pas arritjes së marrëveshjes për kufijtë në parim në Konferencën e Londrës, kundërshtitë midis Fuqive nuk u shuan dhe shkaktuan zvarritjen e punës së komisionit të caktimit të kufijve në terren e cila, siç vërente E. Durham, pati një pasojë kriminale, që u dha serbëve kohën e nevojshme për të ndryshuar përbërjen etnike të rajonit, nëpërmjet spastrimit të krahinave prej banorëve autoktonë shqiptarë. Qeveria ruse ishte penguesja kryesore e punimeve të këtij komisioni. Përcaktimi i kufijve u zvarrit, dhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 1913 e gjysmës së parë të vitit 1914 pati një debat të ashpër midis dy blloqeve: Diplomacia austro-hungareze u përpoq të mbronte kufijtë shqiptar të vendosur në Londër dhe të hidhte poshtë me vendosmëri çdo përpjekje që vinte në dyshim mundësinë e krijimit të një shteti shqiptar të pavarur e të qëndrueshëm, kurse krijimi i këtyre pengesave ishte qëllimi kryesor i kundërshtarëve të saj, në radhë të parë i Rusisë dhe Francës. Kuptohet që të gjitha këto ballafaqime ndikonin negativisht në procesin e ngritjes së shtetit shqiptar qysh në fillesat e tij. Nga ana tjetër, kjo nxiste politikat agresive të fqinjëve. Këto vonesa e pengesa që lidheshin me formatin, natyrën dhe kohën kur u zhvillua Konferenca e Londrës si dhe shpërthimi i luftës botërore ishin faktor madhorë që penguan stabilizimin e shtetit të ri.

        Kur shpërtheu Lufta e Madhe, Komisioni i kufijve ndërpreu punën më 29 korrik, dhe bilanci i tij ishte jo pozitiv. Vetëm një pjesë e vogël e kufirit midis Serbisë e Shqipërisë kishte marrë formë përfundimtare. Popullsia shqiptare do t’i paguante një çmim të shtrenjtë këtij dështimi, duke iu nënshtruar arbitrariteteve të panumërta dhe mizorive të kryera nga trupat serbe, të cilat nuk u tërhoqën nga territoret që Konferenca e Londrës ia kishte caktuar Shqipërisë. 

Kjo do të ndikonte edhe në destabilizimin dhe kërcënimin e shtetit shqiptar në vitet 1914 dhe 1920-1921. Caktimi i kufirit në terren do të kryhej shumë vjet më vonë, dhe do të përfundonte më 26 korrik 1926, pas peripecish të shumta të shoqëruara me përplasje, konflikte e tensione shumëvjeçare midis Shqipërisë dhe shtetit serbo-kroato-slloven. Një situatë e ngjashme ishte edhe në Komisionin Jugor, ku Greqia u përpoq ta keq orientojë atë, duke shfrytëzuar mbështetjen këmbëngulëse të delegatëve francezë dhe rusë, që vepruan si protektorë të zellshëm të saj.

          Një element tjetër që pati ndikim negativ, ishte fakti se Konferenca e Londrës nuk e njohu Pavarësinë e Shqipërisë të shpallur nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës, dhe Qeverinë e Përkohshme të zgjedhur prej tij nuk e konsideroi qeveri kombëtare, por lokale. Veçanërisht Franca dhe Rusia kundërshtuan edhe propozimin austro-italian që Qeveria e Vlorës të shërbente si bërthamë për organizimin e shtetit shqiptar, duke këmbëngulur që ky organizim të bëhej tërësisht prej fuqive, pa marrë parasysh vullnetin e shqiptarëve të shprehur në Kuvendin e Vlorës. Ky ishte një atentat ndaj vullnetit të shqiptarëve dhe përpjekjeve për të ndërtuar një shtet gjenuin kombëtar që do të kishte pasoja në procesin e shtet-formimit. Fuqitë e Antantës, arritën të zhvleftësonin autoritetin dhe legjitimitetin e Kuvendit të Vlorës, dhe të qeverisë së parë kombëtare shqiptare të dalë prej këtij institucioni përfaqësues mbarëkombëtar. Fuqitë e Antantës kontribuan në minimin e përpjekjeve të qeverisë së Vlorës për krijimin e Bankës Kombëtare, për formimin e disa institucioneve me profil kombëtar si për shembull për kombëtarizimin e arsimit dhe në disa drejtime e çështje të tjera. Qeveria e Vlorës u gjend midis dy zjarreve, politikave sabotuese të Antantës dhe presionit të dy Fuqive Adriatike, të cilat rivalizonin për supremaci në Shqipëri. Kështu ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha ishin një faktor qenësor që ndikuan negativisht në minimin e përpjekjeve të Qeverisë së Vlorës, për të hedhur hapa të rëndësishëm në procesin e shtet-formimit, si në krijimin e organeve të larta përfaqësuese legjislative, në ndërtimin e raporteve normale midis tyre, në ndërmarrjen e politikave kombëtarizuese në sfera të ndryshme, etj.

            Vjena u përpoq të përdorte autoritetin e KNK i cili ishte organizimi kryesor i Konferencës së Ambasadorëve, që të pengonte tendencat e diferencimit të grupeve politike shqiptare në këto momente të para tepër kritike të formimit të shtetit shqiptar. Ndërsa përfaqësuesit e Antantës u përpoqën ta sabotonin dhe kundërshtonin me forcë këtë politikë. Dhe ata patën mjaft sukses në sabotimin e saj. Kështu KNK nuk pranoi që oficerët holandezë të viheshin nën kontrollin e Qeverisë së Vlorës, por të ishin nën kontrollin e tij; hodhi poshtë kërkesën e qeverisë së Vlorës për të marrë nën kontroll Shkodrën. KNK ndikoi drejtpërdrejt në dobësimin e autoritetit të qeverisë kombëtare të Vlorës dhe në thellimin e copëzimit politik të vendit, duke pohuar se do të hynte në marrëdhënie me “qeveritë” e Vlorës, Durrësit, të Mirditës dhe më tej, edhe me Shkodrën dhe Malësinë, të cilat duhej të krijonin qeveritë e tyre lokale. KNK kundërshtoi zgjedhjen e Preng Bib Dodës nga I. Qemali si nënkryetar i Qeverisë së Vlorës. Lëvizja e I. Qemalit kishte synime unifikuese e stabilizuese. KNK kundërshtoi kategorikisht përpjekjet e Qeverisë së Vlorës për të marrë në administrimin e saj Korçën dhe Gjirokastrën pas zbrazjes së tyre nga trupat greke, pasi Fuqitë e Antantës nuk donin t’i akordonin asaj njohje dhe atribute kombëtare. Vargu i këtyre ndërhyrjeve është i gjatë, duke përfshirë edhe ndërhyrjen për anulimin e vendimit të Qeverisë së Vlorës për mbylljen e disa shkollave greke në Vlorë dhe hapjen e shkollave shqipe.

Diskutimet e gjata të Fuqive dhe mosmarrëveshjet midis tyre vonuan caktimin dhe ardhjen e Princ Vidit në fronin shqiptar dhe kjo ishte një pengesë tjetër në formimin dhe konsolidimin e shtetit të ri. Gjithashtu, skepticizmi i theksuar me të cilin e pritën caktimin e Vidit shumica e Fuqive ndikoi negativisht për shtetin shqiptar. (Skeptikë ishin qeveria gjermane, italiane, etj.) Huaja ndërkombëtare e premtuar në Konferencën e Londrës se do t’i jepej shtetit të ri nga Fuqitë, nuk u dha kurrë dhe ky ishte një minim i shtetit të ri. Nuk vonoi dhe njëra nga Fuqitë e Mëdha që kishte qenë kontribuese për themelimin e Shqipërisë në Londër, (Italia) komplotoi, duke nxitur çarje brenda qeverisë dhe vendit (rasti i Esat Pashës). Për brishtësinë dhe sfidat që i vinin vendimit të Londrës 1913 dhe shtetit shqiptar flet edhe fakti se njëra prej këtyre Fuqive, që kishte qenë edhe në pozitën e protektores së këtij shteti, konkretisht Italia, kishte një rol nxitës në kryengritjen antishtetërore të Shqipërisë së Mesme, e cila shembi nga themelet shtetin e ri e të brishtë shqiptar. Ky qëndrim i saj ishte rezultat i rivalitetit me Austro-Hungarinë për dominimin e shtetit të ri.

          Në gjykimin e veprimtarisë së Princ Vidit dhe të dështimit të tij, i duhet dhënë vend kryesor rolit që luajtën Italia, Franca, Rusia dhe satelitët e tyre, prishjes së solidaritetit austro-italian për mbështetjen e shtetit shqiptar, etj. Pra arkitektët e Londrës ishin njëkohësisht edhe shkatërrimtarët e saj, duke sabotuar plotësisht shtetin e ri shqiptar.

          Vetëm pak muaj pasi u themelua shteti shqiptar ndodhi një kthesë e madhe në politikën evropiane. U përhap frika e luftës që po bëhej e pashmangshme. Meqenëse ngritja e shtetit shqiptar ishte e lidhur me politikën e mëparshme të paqes së Fuqive të Mëdha, shndërrimi i saj gradual një politikë të luftës, domosdoshmërisht preku shumë thellë të gjithë bazën e këtij shteti. Në këtë mënyrë koha kur përfundoi Konferenca e Ambasadorëve, vetëm një vit para fillimit të Luftës së Madhe, ishte një tjetër faktor që ndikoi negativisht. Politika e Rusisë dhe Francës kur lufta po afronte u bë edhe më inkurajuese ndaj fqinjëve armiqësorë të Shqipërisë, si dhe ndaj elementeve egoistë, turbullues, antishtetëror, antikombëtar apo të zhgënjyer brenda saj. Rivalitetet midis Fuqive të Mëdha sundonin në KNK e për pasojë e minuan shtetin e ri.

Kështu Athina gëzonte një farë imuniteti në realizimin e makinacioneve të saj, prej të cilit ajo përfitoi plotësisht për të sfiduar fuqishëm shtetin e ri. Madje në pranverën e vitit 1914 edhe qëndrimi i Gjermanisë u bë indiferent që lidhej me shqetësimet e saj për grindjet austro-italiane por edhe me interesat dhe pozicionin e Greqisë në luftën që po afrohej. Ndërkohë KNK ishte shndërruar në një pushtet paralel të Fuqive të Mëdha, përkrah Vidit duke e minuar autoritetin e tij në disa aspekte, si për shembull: e drejta e KNK për të nënshkruar marrëveshje bilaterale në emër të Shqipërisë me subjekte të tjera, etj. Kështu, Vidi u pengua nga KNK të dërgonte forca për të shtypur ndërhyrjen greke në Jug, të maskuar si lëvizja “vorioepirote” që kishte filluar pak ditë pas ardhjes së tij. Kjo ishte shenja më ogurzezë për shtetin e ri shqiptar. Më tej anëtarët e KNK bënë propozime gjatë diskutimeve në Korfuz me krerët “vorioepirote”, të cilat i tejkaluan garancitë që u kishte dhënë qeveria shqiptare. Protokolli i Korfuzit ishte rezultat i përpjekjeve të Fuqive të Mëdha për të gjetur një zgjidhje kompromisi që do të stabilizonte gjendjen në Shqipërinë e Jugut dhe do të kënaqte Greqinë. Por ai ishte dhe cenim flagrant i vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, nga vetë institucioni i krijuar prej saj, nga KNK. Dispozitat e këtij Protokolli u dhanë territoreve jugore të shtetit autonominë territoriale, dhe legalizuan konceptin e popullsisë “vorioepirote”. Ky do të ishte një element destabilizues, gati konstant, për shtetin shqiptar në dekadat që do pasonin. Madje kjo nuk do të zvenitej edhe pse konferenca e vitit 1921 do ta hidhte poshtë këtë protokoll.

         Kur qeveria shqiptare nuk e ratifikoi menjëherë Protokollin e Korfuzit, me shpresën se situata në Shqipërinë e Jugut do të përmirësohej, Fuqitë e Mëdha nënshkruese  të vendimit të Londrës 1913, ushtruan presion ndaj saj për nënshkrimin dhe për t’i lënë në kompetencë  të KNK çështjet e mbetura pezull në Korfuz, siç ishte ajo e Himarës. Më 1 korrik 1914 Fuqitë miratuan Protokollin e Korfuzit, duke shkelur vetë vendimet e Konferencës së vitit 1913.

        Midis majit dhe korrikut 1914, Vidi, në mënyrë të përsëritur, u bëri thirrje Fuqive të Mëdha për ndihmë financiare dhe ushtarake, por kjo nuk erdhi asnjëherë.

Me fillimin e Luftës së Madhe KNK do të shpërbëhej, dhe bashkë me të do të treteshin edhe shpresat e fundit të regjimit të Princ Vidit. Koncerti Evropian u shpërbë, ambiciet dhe rivalitetet e armiqve të Shqipërisë ishin jashtë çdo kontrolli. Sapo çështja shqiptare nuk u interesonte më Fuqive si një element ekuilibri i interesave të tyre, i cili ishte vendosur në Konferencën e Londrës, shteti shqiptar i posa lindur u braktis dhe siç shprehej E. Durham “do t’u hidhej ujqërve, për të shpëtuar mëkonjësit e tij.

            Por Konferenca e Londrës mori edhe vendime të vlefshme e të qëlluara që, nëse nuk do të vepronin faktorët e lartpërmendur negativë, do të kishin shërbyer pozitivisht në procesin e shtet-ndërtimit në Shqipëri. Më i rëndësishëm ishte hartimi dhe miratimi i Statutit Organik të Principatës së Shqipërisë nga KNK më 10 prill 1914, i cili bazohej në vendimet kryesore të marra nga Konferenca e Londrës më 29 korrik 1913. Statuti sanksiononte regjimin mbretëror ku kreu i regjimit, sovrani Princ Vidi kishte pushtet të gjerë (ishte kryetar i administratës civile e ushtarake, emëronte Këshillin e Ministrave dhe nxirrte dekrete, duke marrë prerogativa ligjvënëse, shpallte zgjedhjet për Asamblenë Kombëtare dhe e shpërndante atë). Këto përcaktime do të kishin rëndësi themelore për shtet-formimin sepse ndikonin fuqimisht në centralizimin e shtetit të ri, i cili kërcënohej para së gjithash nga tendencat separatiste e decentralizuese. Ky element i statutit pati rëndësi se mbeti një trashëgimi e vlefshme historike e cila, në një formë apo tjetër, u trashëgua dhe u aplikua edhe në tre dekadat e para të jetës së shtetit shqiptar.

    Asambleja Kombëtare ishte një organ tjetër centralizues dhe efektiv që i përgjigjej në mënyrë adekuate nevojave të stabilizimit të shtetit të ri, ndonëse  ajo nuk kishte cilësi demokratike e inkluzive. Anëtarët e saj zgjidheshin nëpërmjet zgjedhjeve të tërthorta nga tre përfaqësues për çdo prefekturë, anëtarë të saj ishin gjithashtu përfaqësuesit e komuniteteve fetare, komisari i lartë shqiptar në “Bankën Kombëtare të Shqipërisë” dhe dhjetë anëtarë të caktuar nga Princi. Një përcaktim me ndikim pozitiv që u trashëgua gjatë gjithë ekzistencës së shtetit shqiptar ishte edhe ai se Shqipëria nuk kishte fe shtetërore, i cili gjithashtu ishte një dispozitë kushtetuese shumë përparimtare për kohën.

Por edhe Statuti nuk i shpëtoi ndikimeve negative për shtetin shqiptar, të cilat lidheshin me interesat e Fuqive. Një element i tillë ishte sanksionimi në nenin 4, i konservimit të sistemit të kapitulacioneve, të trashëguara nga Perandoria Osmane, çka përbënte një pengesë juridike për shtetin e sapo krijuar. Fuqitë nuk morën parasysh kundërshtimin e përfaqësuesit shqiptar në KNK, i cili argumentoi se shteti shqiptar do të adaptonte një legjislacion “i cili do të ishte i frymëzuar plotësisht nga parimet e qytetërimit perëndimor dhe modern”, prandaj sistemi i kapitulacioneve ishte i panevojshëm. Përfaqësuesi tjetër shqiptar Mehdi Frashëri që zëvendësoi M. Libohovën, i cilësoi kapitulacionet si një cenim të rëndë të pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit shqiptar. Më vonë koha  provoi se kapitulacionet ishin një burim destabiliteti, pasi çdo shtetas i huaj që u arratis nuk u lejua të gjykohej nga autoritetet vendase.

Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913 do të kishin edhe një impakt negativ afatgjatë në procesin e stabilizimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar. Ndër pasojat afatgjata mund të përmendim:

         Brishtësia e kompromisit të arritur në Konferencën e Londrës 1913 do ta vinte në pikëpyetje ekzistencën e shtetit shqiptar menjëherë pas saj por edhe pas shumë vitesh. Ekzistenca e shtetit shqiptar u vu seriozisht me pikëpyetje gjatë dhe pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, për shkakun themelor se Lufta e Madhe i ndryshoi në mënyrë radikale balancat dhe interesat e Fuqive që kishin ekzistuar para saj. Fqinjët u inkurajuan për ta zhbërë këtë krijesë që nuk gëzonte mbrojtje ndërkombëtare, dhe shqiptarët u detyruan të bënin përpjekje e sakrifica të mëdha për krijimin e shtetit të pavarur dhe riafirmimin e tij ndërkombëtar. Vitet 1920-1921 ishin periudha më e vështirë dhe njëkohësisht më e dhimbshme e këtij procesi. U desh një konferencë tjetër ambasadorësh ajo e vitit 1921, e cila më 9 nëntor rikonfirmoi njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri, duke i hequr atij pak territore të reja, duke i njohur një privilegj politik Italisë në Shqipëri, dhe duke lënë sërish hapur disa çështje kufitare. Kjo do të provonte se vendimet e vitit 1913, jo vetëm që u rishqyrtuan, por edhe u rimodeluan.

        Të gjitha këto patën pasoja të ndjeshme në procesin e shtet-formimit, i cili njëkohësisht përballej edhe me sfida të brendshme që nuk janë objekt i kësaj analize, por vetëm duhet të theksojmë se cenet në pozitën ndërkombëtare i nxitën dhe i amplifikuan më tej vështirësitë e brendshme në procesin e stabilizimit të shtetit shqiptar. Kështu vepruan këta faktorë në vitet 1920-1921, duke nxitur separatizmin krahinor ose fetar brenda vendit. Por edhe pas vendimit të 9 nëntorit 1921, Fqinjët nuk u pajtuan me ekzistencën e Shqipërisë së pavarur, duke shpresuar në përkohshmërinë e pozitës së saj ndërkombëtare. Kështu veproi Greqia me nxitjen e lëvizjes vorio-epirote në Jug, Mbretëria serbo-kroato-sllovene (Jugosllavia) me nxitjen e separatizmit në fiset katolike të Veriut, etj. Ndërsa Italia, e inkurajuar edhe nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve më 1921, u përpoq të siguronte monopolin politik dhe ekonomik mbi shtetin shqiptar në vitet 1922-1924, duke komplotuar kundër tij dhe duke nxitur përçarjet politike, grushtet e shtetit dhe kryengritjet antiqeveritare. Ndërsa më tej, ajo e sfidoi hapur pavarësinë e Shqipërisë në aspektin ekonomik, politik e në fund edhe ushtarak.

                Paqëndrueshmëria e vendimit të dy Konferencave të Ambasadorëve më 1913 dhe 1921 u shfaq edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore e në fund të saj, kur Fuqia më e madhe evropiane, antifashiste, Britania e Madhe dhe pas saj edhe Franca, nuk e denoncuan agresionin italian. Kurse në vitin 1942, Londra sërish hodhi hije dyshimi mbi pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë pas Luftës, madje në vitin 1945 propozoi diskutimin për herë të tretë të kufijve të saj.

Por pasoja më e rëndë dhe afatgjatë e vendimeve të Konferencës së Londrës në procesin e shtet-formimit lidhej me copëtimin e thellë të territoreve shqiptare. Qysh para marrjes së vendimit final për kufijtë, qeveria e  Vlorës dhe Kongresi Shqiptar i Triestes (1-4 mars 1913), u argumentuan Fuqive të Mëdha se: “një Shqipëri e reduktuar në rajone pa vlerë ekonomike dhe e privuar nga qytetet e mëdha që mund të bëheshin për kombin shqiptar qendra të mëdha qytetërimi”, do të ishte një shtet “që do ta kishte të pamundur të zhvillohej normalisht dhe, në të njëjtën kohë, do të ishte për vetë Fuqitë burim i vështirësive të mëdha”. Në Shqipërinë politike u përfshinë 28 000 km2 ose 36 % e sipërfaqes së viseve shqiptare dhe një popullsi prej 700 000 shqiptarësh e 37 000 pjesëtarësh të pakicave të huaja kombëtare. Në viset shqiptare prej 75-76 mijë km2  llogaritej se jetonin 2 milionë banorë. Ky ishte copëtimi më i thellë në Ballkan dhe Evropë. Shumë kombe kishin humbur popullsi të tyre, por asnjëri në këto dimensione. Kjo pikësëpari theu balancat natyrale në fuqinë numerike, politike, ushtarake e ekonomike midis kombit shqiptar dhe kombeve të tjera ballkanike. Para copëtimit, shqiptarët nuk kishin diferenca të dukshme numerike me kombet fqinje. Në fund të shekullit XIX, Bullgaria kishte 96 000 km2 dhe 3.3 milionë banorë (bullgarë e jo bullgarë), Serbia 48 000 km2 dhe 2.37 milionë banorë, Greqia 64 600 km2 dhe 2.6 milionë banorë (prej tyre së paku 1/3 ishin arvanitë). Kjo do të ndikonte fuqishëm negativisht në konsolidimin e shtetit shqiptar, në ç‘balancimin e fuqive të tij me fqinjët, duke i nxitur ata të ndërtonin politika konstante agresive ndaj tij. Ky ndikim do të ishte afatgjatë për gjatë gjithë shekullit XX dhe konsistent. 

         Shteti i ri humbi pozitën gjeografike që kishin pasur më parë viset shqiptare, si ndërlidhëse me rajonet ballkanike dhe më gjerë. U ndërprenë të tria korridoret e tij tregtare; brenda Shqipërisë së pavarur mbetën 350 mijë ha tokë bujqësore, kurse jashtë saj mbetën 2 herë më tepër dhe kjo ishte toka më pjellore; Shqipëria humbi qytetet e saj kryesore si dhe fuqinë ekonomike që gjeneronin ato; u thye tregu i përbashkët kombëtar, Shqipëria humbi shumicën e njësive zejtare –tregtare dhe të ndërmarrjeve industriale, humbi shumicën e pasurive minerale, si dhe pjesën më të vlefshme të tyre. Këto do të kishin pasoja të rënda në procesin e shtet-ndërtimit dhe konsolidimit të tij. Shteti shqiptar kishte kapacitete të dobëta politike, ekonomike dhe ushtarake, qenia e tij ishte gjithmonë në kufijtë e mbijetesës, ritmet e zhvillimit ekonomik të ulëta dhe jo konkurruese në rajon,  atij iu desh të konsumonte shumë energji dhe mjete për të siguruar ekzistencën e vet; shteti shqiptar u izolua ekonomikisht, nuk kishte më mundësitë e mëparshme të akumulimit të kapitalit, të thithjes së teknologjisë, përvojës, etj., të zhvillonte në parametrat normalë të kohës degët prioritare të ekonomisë me rentabilitet; u pakësua ndjeshëm fondi blegtoral, u përball si kurrë më parë me mungesën e drithërave dhe me zinë e bukës.

Fqinjët, që kishin marrë territore dhe popullsi të konsiderueshme shqiptare, do të përpiqeshin pandërprerë për ta sfiduar, dobësuar, për ta vënë nën kontroll dhe madje për ta asgjësuar shtetin e ri. Njëri prej qëllimeve të këtyre politikave mbytëse ishte pikërisht pengimi i këtij shteti për t’u shndërruar në një piemont apo mbështetje sado modeste  për mbrojtjen e popullsisë shqiptare nën sundimin e tyre. Ky faktor destabilizues që buronte nga vendimet e Konferencës së Londrës ka vepruar për dekada të tëra, dhe ndikoi fuqimisht në dështimin e shumë përpjekjeve të shqiptarëve për ta stabilizuar shtetin e tyre.

Copëtimi i thellë i territoreve shqiptare, veçanërisht aneksimi i viseve shqiptare nga Serbia e Mali i Zi, do të krijonte natyrshëm një rrymë politike irredentiste, e cila do të vepronte brenda shtetit të ri kombëtar. Në mjaft raste ajo ndihmoi në konsolidimin e shtetit (mbështetja e Qeverisë së Vlorës, e Vidit dhe roli në Kongresin e Lushnjes). Por në vitet 1920-1924, një segment i fuqishëm i kësaj rryme, pati divergjenca të thella me qeveritë e kohës, kryesisht lidhur me nivelin e mbështetjes dhe mënyrën se si ato duhet të ndihmonin këtë lëvizje irredentiste, duke kërkuar një angazhim më aktiv, politik e ushtarak, veçanërisht kundër politikave shtypëse të mbretërisë SKS ndaj shqiptarëve. Këto divergjenca u nxitën më tej e u shfrytëzuan edhe nga qeveria italiane dhe degjeneruan në një konflikt të ashpër politik, që u karakterizua nga grushte shteti dhe kryengritje antiqeveritare. Ky ballafaqim ishte një faktor me rëndësi për destabilizimin e shtetit shqiptar dhe pengesë serioze për stabilizimin e tij.

Filed Under: Politike Tagged With: Beqir Meta

FEDERATA PANSHQIPTARE “VATRA” DHE ISMAIL QEMAL VLORA

November 28, 2021 by s p

AKADEMIK BEQIR META/

“Vatra” ka mbajtur një qëndrim herë-herë kritik dhe herë-herë mbështetës ndaj Ismail Qemalit dhe qeverisë që ai kryesonte. Mendojmë se përgjithësisht ky qëndrim buronte nga vizioni dhe dëshirat e nacionalistëve shqiptarë që drejtonin “Vatrën” për të parë Shqipërinë me një vetëqeverim të sigurt, me një shtet modern dhe të fuqishëm. Por ky vizion dhe këto dëshira në shumë drejtime binin ndesh me mundësitë dhe me realitetin e kohës. Gjithashtu kanë ndikuar edhe raportet personale të drejtuesve të “Vatrës” ndaj I. Qemalit, si dhe interesat e ngushta të tyre.Ndërsa shprehte falënderimet dhe miratimin e saj për aktin e Shpalljes së Pavarësisë, gazeta “Dielli” nuk linte pa kritikuar mënyrën se si shkoi në Vlorë I. Qemali, “me qerre, me çiliminj si nomadët e Azisë”, duke theksuar se ai duhej të shkonte atje si politikanët e Evropës, për të mos u lënë shteg armiqve të përfjalosnin kombin.

VATRA NË PËRKRAHJE TË QEVERISË SË PARË KOMBËTARE

Sidoqoftë, predispozicioni i “Vatrës” ishte që të përkrahte me sa mundej qeverinë e parë kombëtare dhe të ndikonte në zhvillimin e ngjarjeve në përputhje me projektet e saj. Për këtë arsye, ajo dërgoi kryetarin e saj në Evropë dhe në Shqipëri, i cili u ngarkua të parashtronte “përpara mbledhjes së kombit dhe njerëzve politikë ca mendime për të zgjedhurit e një dere mbretërore për fronin e Shqipërisë dhe për të themeluarit e konstitucjes” , me fjalë të tjera të parashtronte platformën politike të “Vatrës” për zhvillimet e mëtejshme politike në Shqipëri. Kjo u vendos në një mbledhje të të gjitha degëve të Federatës më 8 dhjetor të vitit 1912. Por Faik Konica nuk kontribuoi siç duhej në bashkëpunimin e dëshiruar midis emigracionit shqiptar në Amerikë dhe Qeverisë së I. Qemalit, që ishte i mundur dhe i domosdoshëm për interesat e kombit. Një ofertë për të bashkëpunuar me Qeverinë e Përkohshme ia bëri edhe Noli I. Qemalit, por ajo mbeti pa përgjigje . Ndoshta kritikat e mëparshme të Nolit ndaj I. Qemalit kanë ndikuar në mos afrimin e tij në administratën e Vlorës.Në fillim “Vatra” përshëndeti afrimin e Qeverisë së Vlorës me Esat Toptanin në korrik të vitit 1913 dhe “gjestin fisnik” të Ismail Qemalit që thirri në përbërje të qeverisë së tij Esat Toptanin dhe Azis Vrionin. Këtë qëndrim ajo e vlerësonte si një akt që hidhte poshtë pretendimet e armiqve të Shqipërisë, se gjoja Qeveria e Përkohshme nuk përfaqëson gjithë Shqipërinë . Veçanërisht u vlerësua lart gjesti patriotik i Mithat Frashërit që la postin e tij për t’i hapur rrugë këtij kompromisi. Qëndrimi mospërfillës i Konferencës së Ambasadorëve ndaj Qeverisë së Vlorës, të cilën nuk pranoi ta njihte si një administratë shtetërore në shkallë kombëtare, ishte sinjali që disa elementë karrieristë të fillonin aktivitetin e tyre përçarës kundrejt saj. Ndër ta shquheshin Esat Toptani, Myfit Libohova dhe Faik Konica, i cili u gjend në krye të përpjekjeve për formimin e një partie antiqeveritare dhe për rrëzimin e Qeverisë së Vlorës. Këtë e pohonte dhe zëvendëskonsulli austro-hungarez, Pollanc, i cili theksonte se kishte mësuar prej F. Konicës, se ai dhe Toptanasit do ta rrëzojnë Ismail Qemalin dhe duan të bindin Esat Pashën për formimin e një qeverie të re .Madje F. Konica ishte në krye të grupit të caktuar nga Esati, i cili më 1-2 gusht 1913, i parashtroi I. Qemalit një program reformash administrative dhe kërkoi ndryshime në kabinetin e tij. Ai së bashku me Dervish Himën e kritikonin I. Qemalin kryesisht për nepotizëm, e konsideronin një veprim ilegal të tij dhënien e koncesioneve dhe sidomos qëllimin për të shitur pasuritë vakëfnore në Myzeqe. Ndërsa më 12 tetor, kur u krijua Pleqësia e Shqipërisë së Mesme, tashmë kundërshtare dhe rivale e hapur e qeverisë së I. Qemalit, Faik Konica ishte hartuesi i programit të saj. Është i dyshimtë shkaku i këtij qëndrimi të Faik Konicës. Nuk na duket i argumentuar pohimi që është shprehur më parë, se ky qëndrim ishte i shtyrë nga motive klasore, nga pozicioni kundër bejlerëve që po merrte qeveria e Vlorës . Lidhur me arsyet e këtij qëndrimi të F. Konicës, Sejfi Vllamasi në kujtimet e tij thotë se, ai ishte një austrofil dhe nuk i pëlqente politika e ekuilibruar që ndiqte I. Qemali ndaj Austro-Hungarisë dhe Italisë, madje ai e nxiti më tepër pakënaqësinë e Vjenës ndaj I. Qemalit .

QËNDRIMI I FAIK KONICËS NDAJ QEVERISË SË ISMAIL QEMALIT

Ne mendojmë se F. Konica u shty në këto veprime nga këto arsye kryesore: 1 – Nga njëfarë pakënaqësie që ishte krijuar ndaj I. Qemalit, për arsye të disa veprimeve politike të tij, si çështja e Bankës Kombëtare etj. 2 – Në atë kohë nuk ishin shpalosur ende hapur qëllimet dhe veprimtaria e E. Toptanit. Madje, ai njihej si mbrojtësi misterioz i Shkodrës. 3 – F. Konica bashkë me Nolin ushqenin pakënaqësi të vjetra nga qëndrimet e mëparshme politike të I. Qemalit, të cilat ishin shfaqur edhe gjatë Kryengritjes Shqiptare të verës së vitit 1912 etj. 4- Ka ndikuar edhe qëndrimi kundërshtues i vëllait të tij Mehmet Konicës, anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve, i cili kundërshtonte linjën e politikës së jashtme dhe mënyrën autoritare të qeverisjes së I. Qemalit .Sido që të jetë, ky qëndrim i Konicës ishte një goditje për Qeverinë e Përkohshme dhe I. Qemalin dhe komprometoi mjaft orvatjet për ta forcuar pozitën e Qeverisë së Vlorës. Ky veprim ishte i dëmshëm, pasi shembullin e Konicës e ndoqën edhe patriotë të tjerë, të cilët të mashtruar edhe nga demagogjia e Esat Pashës u larguan nga Vlora për në Durrës. Gabimi i F. Konicës u pasua më tej nga “Dielli”, i cili arriti deri atje sa për një çast të përshëndeste krijimin e Qeverisë së E. Toptanit në Durrës dhe të vlerësonte pozitivisht deklaratat e saj se “nuk do të njihte aktivitetin e Qeverisë Provizore të Vlorës”. Megjithëse shfaqte rezerva për kryesimin e kësaj qeverie prej Esatit, i cili e bënte të dyshimtë qëndrimin e saj, organi zyrtar i “Vatrës” nuk ngurronte të shprehej se: “duhej përkrahur kjo qeveri qendrore që t’u bëjë ballë atyre që duan ta përdorin atdheun si çiflig të tyre” . Në gusht 1913 kur vazhdonte jehona e pajtimit midis I. Qemalit dhe E. Toptanit dhe kur tashmë ky i fundit ishte bërë anëtar i Qeverisë së Vlorës, “Vatra” propagandonte se e dëshironte së tepërmi suksesin e Qeverisë së I. Qemalit dhe e vlerësonte atë si një premisë jetike për të ardhmen e Shqipërisë. Një qeveri të suksesshme të Shqipërisë ajo e vlerësonte si një mundësi për të zbatuar planin austro-italian, d.m.th. të zgjidhej Princi i Shqipërisë dhe ajo të mbetej krejt e lirë. Në rast të kundërt, do të zbatohej projekti i Francës që Shqipëria të qeverisej për 10-15 vjet nga një Komision Evropian, gjersa shqiptarëve t’u jepeshin në dorë punët e drejtimit të shtetit. Projekti i fundit konsiderohej shumë i disfavorshëm për të ardhmen e Shqipërisë, sepse jo vetëm që e shtynte për një kohë të gjatë formimin e një shteti kombëtar shqiptar, por në kushtet e mbizotërimit të feudalëve në Shqipëri, ai cilësohej i rrezikshëm , pasi në qeverisjen e vendit do të vinin kryesisht feudalët kozmopolitë dhe egoistë e do të mënjanoheshin intelektualët nacionalistë që ishin aktivistët më të shquar të çështjes kombëtare.

QËNDRIMI I VATRËS NDAJ ESAT PASHË TOPTANIT

Në fillim të tetorit 1913, ndërsa konflikti midis I. Qemalit dhe E. Toptanit po thellohej, qëndrimi i “Vatrës” ndryshoi lidhur me këtë çështje. Ajo i sugjeronte Qeverisë së Vlorës të mbante një “qëndrim më të ashpër kundrejt këtij tradhtari (E. Toptanit), që të ndërpriste një orë e më parë këto lodra që bëhen në kurriz të Shqipërisë” . Më tej, në nëntor të vitit 1913, edhe Faik Konica u nda nga Esat Toptani, pasi e kuptoi nga afër rrezikun që paraqiste politika e tij për interesat e vendit . Nga kjo kohë “Dielli” filloi t’i bënte jehonë ndjekjes së një “politike të re”, e cila në ndryshim nga qëndrimet e mëparshme të subjekteve të ndryshme në Lëvizjen Kombëtare që orientoheshin drejt fuqive të caktuara, të cilat kishin interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri, duhej të kishte një orientim të pavarur. Një ndër përkrahësit kryesorë të këtij qëndrimi të ri ishte Fan Noli, i cili në fund të vitit 1913, shprehej kundër praktikës së partive (tarafeve) që ishin lidhur me të huajt dhe përkrahte propozimin e tij për krijimin e një partie kombëtare, e cila të mobilizonte gjithë atdhetarët e vërtetë. “Dielli” u bënte thirrje patriotëve të mos merrnin pjesë në asnjërin nga grupimet politike që ishin krijuar në Shqipëri. Udhëheqësit e “Vatrës” këtu kishin parasysh dy grupet kundërshtare që ishin krijuar në Shqipëri: Qeverinë e I. Qemalit dhe përkrahësit e saj nga njëra anë, dhe Esat Toptanin e pasuesit e tij, nga ana tjetër. Por me këtë ai nuk nënkuptonte qëndrimin pasiv ndaj tyre. Organizimin e Partisë Kombëtare, “Vatra” e konsideronte si një domosdoshmëri “për të thyer fuqinë e hipokritëve dhe aventurierëve, e cila bashkë me popullin të dilte përpara si një shkëmb që qëndron në mes të valëve të detit . Pra, ajo kërkonte të dilte si një forcë e tretë në arenën politike shqiptare. Këtë luftë ajo e konsideronte si mjetin më efikas për të përballuar efektet negative të politikës së fuqive të huaja në Shqipëri.“Vatra” e vlerësoi përgjithësisht pozitivisht politikën e jashtme të Qeverisë së I. Qemalit dhe në shumë drejtime e mbështeti atë. Në mënyrë të veçantë, ajo përshëndeti politikën e tij ndaj Serbisë, duke e vlerësuar atë “si një politikë të hollë që përshkohej nga një atdhesi e patreguar”. “Dielli” i bëri jehonë qëndrimit të I. Qemalit ndaj kryengritjes së shqiptarëve kundër serbëve në viset e pushtuara dhe mospërfshirjen e saj në konfliktin me serbët. “Në këto çaste, – shkruante “Dielli” – I. Qemali u tregua burrë i madh shteti kur përballoi këtë ngjarje nga njëra anë dhe tradhtinë e E. Toptanit nga ana tjetër” .

“VATRA” MBËSHTETI PIKËPAMJEN E ISMAIL QEMALIT QË SHQIPËRIA TË KISHTE NJË MBRET ANGLEZ PROTESTANT

“Vatra” mbështeti edhe pikëpamjen e I. Qemalit që Shqipëria të kishte një mbret anglez protestant . Por disa aspekte të politikës së jashtme të I. Qemalit u bënë objekt i kritikave të ashpra nga ana e “Vatrës”, madje jo vetëm gjatë viteve 1913-1914, por edhe shumë vite më pas. Në fokusin e këtyre kritikave qëndron, në radhë të parë, vizita që filloi I. Qemali më 30 mars 1913 në Romë, Vjenë, Paris dhe në Londër, sidomos deklaratat e tij në lidhje me kufijtë jugorë të Shqipërisë. Ndoshta si bazë e këtyre kritikave kanë shërbyer divergjencat e I. Qemalit me Mit’hat Frashërin, i cili në ditarin e tij të botuar në “Kalendarin e Vatrës”, thekson se I. Qemali kishte për mision të përpiqej për rektifikimin e kufijve veriorë që ishin vendosur përfundimisht prej Konferencës së Londrës dhe jo për kufijtë jugorë, të cilët ishin akoma në diskutim . “Vatra” ishte e shqetësuar ngaqë ky qëndrim i I. Qemalit u shfrytëzua nga shtypi grek, i cili botoi edhe një “marrëveshje” të mëparshme të qeverisë greke me I. Qemalin, sipas së cilës “tërë Toskëria njihej si vend grek” .E vërteta është se I. Qemali u përpoq për mbrojtjen e Shqipërisë së Jugut nga synimet aneksioniste greke, duke organizuar dhe qëndresën e armatosur, por me sa duket, udhëheqësve të “Vatrës” nuk u pëlqeu tërheqja e I. Qemalit gjatë vizitës në Itali, nga kërkesa për të përfshirë brenda kufijve shqiptarë Janinën .Një nga problemet që shkaktoi reagimin e ashpër të “Vatrës” ishte çështja e komplotit të Beqir Grebenesë. I. Qemali u kritikua se bashkëpunoi me të për të sjellë Izet Pashën si mbret të Shqipërisë për t’iu kundërvënë Esatit . Të dëshpëruar nga pasojat që pati kjo ngjarje, drejtuesit e “Vatrës” i shtuan kritikat ndaj I. Qemalit ,dhe dorëheqjen e tij ata e konsideruan si një provë të përzierjes së tij në komplotin e B. Grebenesë .Udhëheqësit e “Vatrës” pretendonin nga Qeveria e Vlorës që të bënte një politikë krejt të pavarur, por në kushtet e asaj kohe, kjo ishte e pamundur, prandaj politika e jashtme e Ismail Qemalit është konsideruar e zgjuar dhe në dobi të interesave kombëtare. Ajo bazohej në shfrytëzimin e rivalitetit të Fuqive të Mëdha në Shqipëri, kryesisht të rivalitetit të papajtueshëm austro-italian për t’i siguruar njëherazi mbështetje dhe asnjanësi shtetit të ri shqiptar. Mirëpo “Vatra” e shikonte me dyshim Qeverinë e Ismail Qemalit dhe shpresonte se Shqipërinë do ta vendoste në rrugën e rregullit dhe të zhvillimit Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit dhe oficerët holandezë , të cilët madje shiheshin si një faktor që do të realizonte bashkimin e shqiptarëve. Shpejt edhe në këtë drejtim ata do të deziluzionoheshin. Ngjarjet që rrodhën më pas, anarkia dhe kaosi që mbuluan Shqipërinë në vitet e qeverisjes së KNK dhe të princ Vidit dëshmuan se çfarë rezultati jepte, në atë kohë, ndërhyrja e një ose disa fuqive të huaja në jetën e një kombi.“Vatra” kritikoi sidomos politikën ekonomike të Qeverisë së Vlorës. Reagimi i saj u bë më i dukshëm aty nga vjeshta e vitit 1913. Lajmet për dhënien e koncesionit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë një sindikati austro-italian shkaktuan shqetësim të madh, ashtu si në shumë qarqe patriotike, edhe në emigracionin shqiptar të Amerikës. “Vatra” e dënoi menjëherë këtë projekt, duke e vlerësuar atë si një rrezik të madh për Shqipërinë. Shprehej shqetësimi se kjo bankë, që do të zotërohej nga të huajt, do të blinte tokat e Shqipërisë .

VATRA DHE ÇËSHTJA E BANKËS NACIONALE

Duke marrë për shembull negativ Bankën Otomane që dominohej nga kapitali i huaj, “Vatra” kërkonte një bankë me aksione shqiptare, të cilën ta drejtonin specialistë të huaj . Përveç kësaj, ajo e konsideronte Qeverinë e Vlorës jokompetente nga pikëpamja ligjore për të vendosur përfundimisht për një çështje të tillë. “Dielli” shprehej se “Çështja e Bankës Nacionale është një nga pikat më me rëndësi për jetën dhe gjallësinë e një kombi dhe për këtë kombi lipset të mendohet shumë” . Për këtë arsye, në rrethet patriotike shqiptare të Amerikës mbizotëronte mendimi se vendimin mbi këtë çështje kishte të drejtë ta merrte Parlamenti Shqiptar dhe Princi.Në janar të vitit 1914 si zgjidhja më oportune dhe “më pak e dëmshme” paraqitej ndërkombëtarizimi i Bankës së Shqipërisë, me të cilin nënkuptohej krijimi i kapitalit të saj themelor prej kapitaleve të Fuqive të Mëdha në mënyrë proporcionale .Pikëpamjet e “Vatrës” përshkoheshin nga fryma e mbrojtjes së interesave kombëtare. Por, duhet pasur parasysh edhe realiteti i asaj kohe, kushtet ekonomike, politike dhe shoqërore të Shqipërisë, pozita e vështirë në të cilën gjendej Qeveria e Vlorës, situata e pastabilizuar në Shqipëri, tensioni i madh në marrëdhëniet e atëhershme ndërkombëtare. Këtë e provuan ngjarjet e mëvonshme të vitit 1914, kur Fuqitë e Mëdha iu shmangën obligimit për t’i dhënë qeverisë shqiptare fondet e premtuara, kur doli qartë se marrëveshja e tyre në Londër shikohej më tepër si e përkohshme, vetëm për të shtyrë stuhinë që po afrohej. Madje, ky qe dhe shkaku kryesor që nuk mori jetë as projekti i I. Qemalit për Bankën.Nga ana tjetër, duhet pohuar se projekti i I. Qemalit, ndonëse mbështetej në logjikën e përvojës së deriatëhershme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, mbartte në vetvete shumë rreziqe, të cilat me të drejtë i analizonte “Vatra”. Duke e ditur se fuqitë e tjera nuk do të ishin të interesuara t’i jepnin një ndihmë Shqipërisë, Ismail Qemali u përpoq të mbështetej në dy Fuqitë e Adriatikut, të cilat kishin interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri, çka përbënte një mundësi reale që ato të pranonin të vinin në jetë projektin e Qeverisë së Vlorës. Përveç kësaj, Italia dhe Austro-Hungaria deri atëherë përpiqeshin me vendosmëri të ruanin ekuilibrin e interesave të tyre në këtë vend. Ky fakt me siguri është peshuar mirë nga I. Qemali dhe është vlerësuar me guxim prej tij, si një faktor që nuk do të lejonte mbizotërimin absolut të asnjërës palë në ekonominë, në financat dhe në pavarësinë e shtetit shqiptar.

“VATRA” U RRESHTUA NË KRAHUN E NACIONALISTËVE RADIKALË

“Vatra” u rreshtua në krahun e nacionalistëve radikalë, të cilët e konsideruan Qeverinë e I. Qemalit si një qeveri konservatore. Udhëheqësit e “Vatrës” nuk arritën të kuptonin se shteti dhe vetë Shqipëria nuk mund të reformoheshin brenda një dite. Shumë kritika kishte në artikujt e “Diellit” për mbajtjen e nëpunësve të vjetër nga administrata e re e shtetit shqiptar dhe për përdorimin e gjuhës turke në administratën shqiptare. “Vatra” ishte tepër e ndjeshme dhe e shqetësuar nga përpjekjet e disa nëpunësve të ish-administratës turke për të infiltruar në administratën e re kombëtare dhe ata, në disa raste, kishin arritur t’i imponoheshin Qeverisë së Vlorës. Këtë fakt e pranonte edhe organi zyrtar i Qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqypnies” . Por, duke mos e njohur mirë situatën, shtypi i “Vatrës” bëri kritika të ekzagjeruara. Pozicioni i gabuar i saj duket edhe më tepër në kritikat lidhur me mospërdorimin me konsekuencë të shqipes si gjuhë zyrtare nga administrata e Vlorës. Qeveria e Përkohshme e Vlorës e shpalli njohjen dhe përdorimin e gjuhës amtare me shkrim e këndim , si një kusht të domosdoshëm për emërimin e nëpunësve në çdo degë të administratës. Por edhe ky kriter kishte vështirësitë e veta të zbatimit, të cilat buronin nga arsye objektive dhe ajo u detyrua të bënte lëshime në disa raste gjatë zbatimit të këtij vendimi. “Vatra” nuk arrinte të dallonte këtu perspektivën nga vështirësitë e fillimit.Në disa aspekte të tjera “Dielli” e përkrahu politikën e brendshme të Qeverisë së Vlorës, si p.sh. përpjekjet e saj për të ndërtuar një shtet modern dhe për ta afruar Shqipërinë me qytetërimin evropian. U lavdërua puna e Kristo Floqit, i cili përktheu në shqip kodin penal dhe procedurën penale civile të Italisë, duke e vlerësuar këtë si një hap drejt largimit nga kodet turke dhe futjen e metodave moderne në qeverisjen e vendit .

“VATRA” U SHPREH KUNDËR KLASËS SË VJETËR POLITIKE TË SHQIPËRISË

Përgjithësisht “Vatra” u shpreh si një kundërshtare e fortë e klasës së vjetër politike të Shqipërisë dhe e metodave të saj të qeverisjes. Ajo e grishi vazhdimisht Qeverinë e Ismail Qemalit të hiqte dorë nga kjo klasë dhe të mbështetej në forcat e reja që po afirmoheshin, në intelektualët nacionalistë dhe në popull . “Vatra” i kërkonte Qeverisë të mos njihte privilegjet e bejlerëve dhe pashallarëve, por t’i konsideronte ata si gjithë qytetarët e tjerë të shtetit shqiptar. Ajo insistonte që Qeveria të përdorte forcën kundër tendencave separatiste të disa krerëve bejlerë e çifligarë dhe t’i detyronte të respektonin vendimet e saj. Vetëm kështu ajo do të fitonte mbështetjen e gjithë popullit shqiptar dhe të nacionalistëve, të cilët dëshironin një Shqipëri evropiane të bashkuar. Intelektualët shqiptarë në Amerikë i ofruan ndihmën e tyre I. Qemalit, për të zbatuar një program efektiv në eliminimin e dasive krahinore e fetare, të cilin e shihnin si një nga drejtimet kryesore të politikës së brendshme, pasi këtë fenomen ata me të drejtë e vlerësonin si një rrezik për përparimin e vendit dhe unitetin kombëtar. Ata kishin një koncept të avancuar për marrëdhëniet e fesë me shtetin, i cili veçanërisht në kushtet e Shqipërisë, ku ekzistonin tri besime fetare, ishte shumë i përshtatshëm. “Dielli” propagandonte ndarjen e fesë nga shteti, madje e avanconte më tej këtë pikëpamje, duke kërkuar ndarjen e fesë nga sistemi shkollor shtetëror. Heqja e mësimit të fesë nga shkollat shtetërore vlerësohej si një akt që do ta shpëtonte Shqipërinë nga shumë ngatërresa të mëdha . Ky koncept nuk frymëzohej aq nga motivet sociale se sa nga interesat kombëtare, nga nevojat e krijimit dhe të konsolidimit të bashkëjetesës së qetë e koherente kombëtare midis popullsisë së besimeve të ndryshme.

IDETË E “VATRËS” PËR NJË SHTET MODERN

Idetë e “Vatrës” për një shtet modern shtjellohen në thirrjet e vazhdueshme që ajo i bënte I. Qemalit për domosdoshmërinë e rekrutimit të organizatorëve evropianë në administratën shqiptare , për të vendosur në Shqipëri respektin e plotë për ligjin dhe për të zhdukur normat e vjetra të qeverisjes. Më të rëndësishme ajo konsideronte eliminimin e gjakmarrjes, zbatimin e një sistemi tatimor kombëtar dhe çarmatosjen e popullsisë . Menjëherë, sapo të botohej harta e Shqipërisë së re, “Vatra” kërkonte prej qeverisë të organizonte zgjedhjet për parlamentin e parë shqiptar që do të themelonte kushtetutën, e cila shihej si një instrument për afrimin, bashkimin dhe njësimin e kombit.“Vatra” me të drejtë reagoi ashpër ndaj disa mendimeve të I. Qemalit për ndarjen e Shqipërisë në tri kantone. “Dielli” botoi shumë artikuj, të cilët e kundërshtonin me argumente këtë pikëpamje. Ajo paralajmëronte për pasojat negative që do të kishte zbatimi i këtij projekti. Ndër to, ajo nënvizonte thellimin e dasive krahinore, forcimin e tendencave fetare mbi përkatësinë kombëtare, fuqizimin e pozitave të krerëve reaksionarë turkomanë e grekomanë, thellimin e destabilizimit të vendit, i cili do ta bënte më të lehtë copëtimin e Shqipërisë prej shteteve fqinje. “Vatra” argumentoi se në Shqipëri, sistemi i kantoneve nuk mund të kishte suksesin e Zvicrës, pasi Shqipëria ndodhej në rrethana të tjera gjeopolitike e historike. Kombi shqiptar ishte një dhe i pandarë, ndonëse kishte një tjetër shkallë zhvillimi të ndërgjegjes politike e kulturore dhe nuk kishte ende përvojën e duhur të një shteti kombëtar, ai sapo zgjohej nga tirania shekullore . Për këto arsye, në rrethanat e atëhershme, si zgjidhje e përshtatshme konsiderohej krijimi i Mbretërisë Shqiptare dhe bashkimi i të gjitha forcave patriotike rreth mbretit. Çdo zgjidhje tjetër mendohej se mbartte me vete rrezikun e shkatërrimit të kombit shqiptar nga fqinjët që i rrinin si çekan mbi kokë.Nga sa parashtruam më lart, mund të konkludojmë se “Vatra” nuk i dha mbështetjen e duhur politike Qeverisë së Vlorës, nuk e propagandoi siç duhej atë dhe politikën e saj kombëtare. Kryesisht, për shkak të qëndrimit të gabuar të udhëheqësve të saj, ajo nuk arriti të vendoste lidhje të ngushta me Qeverinë e Vlorës dhe nuk bëri sa duhej për të organizuar emigracionin shqiptar të Amerikës, për të ndihmuar qoftë dhe ekonomikisht qeverinë e re, e cila i kishte shumë të kufizuara burimet financiare. “Vatra” është kritikuar për këto të meta edhe në shtypin e kohës.Ndonëse disa kritika ishin të drejta, pjesa më e madhe e tyre ishin jo të sakta dhe pa sens realist. Një pjesë të këtyre qëndrimeve të gabuara i kanë pranuar më vonë edhe vetë drejtuesit e “Vatrës”. Kritikat që iu bënë Ismail Qemalit, sidoqoftë nuk mundën të errësonin figurën e tij në opinionin shqiptar të Amerikës. Më vonë “Dielli” ka vënë në pah gjeninë e këtij njeriu liberal me pikëpamje reformatore të qytetërimit evropian dhe e ka cilësuar atë një demokrat të flaktë, i cili fitoi simpati të thellë në popull. Ai vlerësohej për qëndresën e tij ndaj disa feudalëve të pasur, për qëndrimin e tij në parlamentin turk pas shpalljes së Kushtetutës së vitit 1908, dhe mbi të gjitha për meritën e tij në ngritjen e flamurit kombëtar dhe Shpalljen e Pavarësisë, veprim që, siç shprehej “Dielli”, e bëri Ismail Qemalin “të pavdekshëm në historinë tonë kombëtare” .

Filed Under: Opinion Tagged With: Beqir Meta

Historianët: Cenimi i autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare,i rrezikshëm

April 15, 2014 by dgreca

* Beqir Meta: Hierarkia kishtare duhet të jetë e gjitha shqiptare
*Ndikimi i Kishës greke apo ai islamik është më i rrezikshëm? Historianët bashkohen në një pikë: çdo institucion fetar që del nga linja kombëtare, përbën rrezik për një komb qoftë ortodoks, mysliman, bektashi apo katolik.

Ka shkaktuar shqetësim të madh në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, debati i ditëve të fundit për cenimin e pavarësisë së saj nga Kisha greke, debat që u risoll në vëmendje nga ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi, në një intervistë të tij, ku ai e konsideronte ndikimin e Kishës greke në Shqipëri edhe më problematik se ai islamik. Deklaratat e Klosit u mbështetën dhe nga kleriku i anatemuar nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, At Nikolla Marku dhe nga politologu Koço Danaj.
Si rrallëherë këto vitet e fundit, reagoi Sinodi i Shenjtë i KOASH me një deklaratë zyrtare, dukshëm qartë me nota nervozizmi. (Hera e fundit që Sinodi i Shenjtë kishte dalë në një deklaratë zyrtare ishte në vitin 2011, kur diskutohej projektligji për arsimin pasuniversitar dhe Sinodi shprehte shqetësimin në lidhje me çështjet fetare që trajtoheshin në të)
Duke iu referuar vetëm intervistës së ish-kreut të SHISH-it e duke injoruar ato që pasuan, Sinodi i Shenjtë në përgjigjen zyrtare të një dite më parë i quante komentet e Klosit si të papërgjegjshme, fyese dhe çorientuese me qëllim helmimin e opinionit publik. Vetë Klosi i kontaktuar me telefon refuzoi t’i përgjigjej gjuhës së ashpër të përdorur nga Sinodi i Shenjtë ndaj deklaratave të tij “politikisht korrekte”, siç i cilësoi ai. Por tashmë debati është ndezur dhe është shtrirë edhe në rrjetet sociale. Të gjithë e kanë thënë fjalën e tyre në debatin aktual, përveç historianëve. Këta të fundit bashkohen fort në një pikë: çdo institucion fetar që del nga linja kombëtare përbën rrezik për një komb. Beqir Meta e sheh qartazi rrezikun te cenimi i pavarësisë dhe karakteri kombëtar i një institucioni fetar, qoftë ky ortodoks, mysliman apo katolik. Mariglen Verli ndan të njëjtin qëndrim, megjithëse për të, ky nuk është një problem që lindi sot, por që ka ekzistuar në 100 vjet të shtetit shqiptar.
Beqir Meta: Hierarkia kishtare duhet të jetë e gjitha shqiptare
Zoti Meta, a bini dakord me tezën që po debatohet së fundmi se, ndikimi i Kishës greke është më i rrezikshëm se ndikimi islam në Shqipëri?
Së pari duhet të sqarojmë diçka shumë thelbësore në këtë diskutim. Qoftë Kisha Ortodokse e Shqipërisë, qoftë institucionet fetare islame si xhamitë apo komuniteti bektashi, kisha katolike etj., duhen konceptuar në radhë të parë si institucione kombëtare, si institucione të kombit. Këto të fundit dihet që ndahen në grupe të ndryshme; politike, ekonomike, sociale, shpirtërore dhe religjioze, siç janë këto institucione për të cilat po debatohet. Problemi është se në Shqipërinë tonë nuk ka patur një koncept të qartë se këto janë institucione kombëtare fetare, por ato janë konceptuar si institucione vetëm të pjesëve parciale të popullsisë shqiptare. Kjo qasje është e gabuar, dhe ka të bëjë me konceptimin e gabuar të procesit të shtetformimit dhe ndërtimit të shtetit kombëtar. Këto institucione janë aq të rëndësishme për shtetformimin, kombformimin dhe identitetin e kombit shqiptar sa edhe institucionet politike. Pra janë të rëndësishme për gjithë shqiptarët, pavarësisht se nga pamja shpirtërore dhe religjioze ato janë institucione të një pjese të besimtarëve. Elementë që duan ta tjetërsojnë karakterin autoqefal të Kishës Ortodokse Shqiptare apo dhe të institucioneve të tjera me karakterin e tyre kombëtar, kanë luajtur me këtë koncept duke e shkelur atë çka është shumë thelbësore. Tani vijmë tek pyetja?
Pasi kemi kuptuar këtë, kuptojmë se cenimi i autoqefalisë dhe karakterit kombëtar të një institucioni religjioz, qoftë ky ortodoks, mysliman apo katolik, është i dëmshëm për gjithë kombin shqiptar dhe për shtetin shqiptar, sepse cenon jo vetëm institucionet e tjera, por mbi të gjitha paqen dhe sigurinë e vendit.
A mendoni se duhej ky debat dhe, a e konsideroni të drejtë?
Debati për mua është shumë i drejtë. Unë quaj të gabuar perceptimin dhe pretendimet që kanë patur disa herë përfaqësues të minoritetit, si Vangjel Dule apo vetë Janullatosi.
Personalisht e konsideroj të drejtë debatin, ndonëse do korrigjoja diçka në deklaratat e ish-kreut të SHISH-it, Fatos Klosi.
Dhe çfarë është ajo që do korrigjoje?
Nuk mendoj se është më pak i rrezikshëm ekstremizmi islamik. Ai është po aq i rrezikshëm sa dhe deformimi i këtyre institucioneve, i karakterit të tyre kombëtar. Por herë mund të paraqesë më shumë rrezik njëri e herë tjetri, sipas kushteve specifike të situatës brenda dhe jashtë vendit, pra të marrëdhënieve ndërkombëtare. Pra, nëse rrezikohet prishja e karakterit kombëtar të këtyre institucioneve, çka në shtetin shqiptar është një çështje shumë specifike dhe shumë delikate, atëherë Shqipëria është në rrezik. Të parët tanë na e kanë lënë një eksperiencë të mrekullueshme, të ndërtimit të këtyre institucioneve si institucione dhe vlera kombëtare dhe këto vlera kombëtare dhe shpirtërore kanë kontribuar në paqen sociale dhe formatimin e këtij kombi, në formatimin e shpirtit të tij, ndërgjegjes së tij kombëtare dhe të gjitha institucioneve të tjera. Ndaj mendoj se kjo është një çështje shumë e rëndësishme dhe debati është me shumë vend.
Ju u shprehët më lart për perceptim të gabuar dhe për pretendimet që kanë patur disa herë përfaqësues të minoritetit, si Vangjel Dule apo vetë Janullatosi. Çfarë keni parasysh?
Formimin e statusit të autoqefalisë së Kishës Ortodokse. Hierarkia kishtare duhet të jetë e gjitha shqiptare dhe ky është një element themelor. Ky është kusht themelor për ekzistencën e shteteve kombëtare. Në momentin që është cenuar kjo, sigurisht që përbën një rrezik shumë të madh. Hasan Dosti, një nga juristët e shquar shqiptarë që ka njohur dhe shtetin dhe institucionet, ka thënë: ‘Pavarësia e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe institucioneve fetare në përgjithësi ishin plotësimi logjik dhe shpirtëror i pavarësisë kombëtare’.
Ju jeni i mendimit se Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare nuk ka pavarësi ndaj Kishës greke?
Më saktë, mendoj se është cenuar statusi i pavarësisë së saj. Ky cenim është i rrezikshëm dhe mund të sjellë shumë pasoja. Madje ka një rrezik të madh në institucionet fetare, sepse fenomenet që cenojnë institucione kombëtare të një kategorie në aspektin e tyre kombëtar dhe të pavarur, mund të prodhojnë prishjen e balancave dhe të formimit të këtyre institucioneve edhe në besime të tjera. Kjo gjë mund të shërbejë si model negativ.

Maringlen Verli: Gjithçka që del nga linjat kombëtare është e rrezikshme
“Duke parë historikisht problemin gjatë një shekulli, fakti që më 1914, ai vit i mbrapshtë, ai viti i Vidit, quajeni si të doni, kemi dy lëvizje rebelimi; i ashtuquajturi vorio-epiriot dhe ai islamik i Shqipërisë së Mesme, tregon se secila ka patur ndikim, kush më shumë apo më pak, aty nuk ka kandar. Unë mendoj se gjithçka që del nga linjat kombëtare është e rrezikshme. Pastaj, për shkak të konjukturave ndërkombëtare; njëra peshon pak e tjetra më shumë, pozicionet ndërrohen ashtu siç ndërron edhe politika globale. Për mua, të dyja mbeten probleme që duhen trajtuar. Debati i momentit është vetëm një kapje e çastit. Po të hedhësh një vështrim në 100 vjet të shtetit shqiptar andej dhe këndej kufirit, në Kosovë dhe më gjerë këto janë probleme që vazhdimisht kanë qenë prezente dhe vazhdimisht na kanë rrezikuar, për shkak të ndonjë konjukture të caktuar, një herë ka qenë njëra një hap përpara e një herë tjera, ndaj teza se cila aktualisht përbën më shumë rrezik më duket ndonjëherë vështrim fëminor që i bëhet çështjes, në mos qoftë pastaj, për fat të keq, një vështrim nga kënde të caktuara”, – shprehet Verli.
At Nikolla Marku: Sinodi i Shenjtë, i paligjshëm
Kleriku i anatemuar, At Nikolla Marku vazhdon “luftën” e tij me kreun e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Në këtë deklaratë të tij, prifti shqiptar ortodoks në dioqezën e “Shën Mërisë” në Elbasan, shprehet se Sinodi i Shenjtë është një gardë e krijuar nga Janullatosi, që i shërben interesave personale të tij.
Si e shihni reagimin e Sinodit të Shenjtë?
Ky Sinod i Shenjtë është i paligjshëm. Ai është ndërtuar sipas udhëheqësit, Janullatosit dhe jo sipas ligjit. Janullatosi i ka zgjedhur vetë këta njerëz dhe i ka vënë në detyra të rëndësishme si në Gjirokastër, Berat e Korçë, që të zbatojnë planin e helenizmit grek në Shqipëri. Që të krijosh një Sinod të Shenjtë, duhet që kryepeshkopi i cili e drejton, të jetë i aprovuar nga Patriarkana dhe nga shteti. Janullatosi me Sinodin e Shenjtë ka krijuar një gardë, që i shërben interesave personale të kryepeshkopit.
Ku e bazoni paligjshmërinë e Sinodit të Shenjtë?
Neni 16 i Statusit të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë thotë se, kryepeshkopi, peshkopi, prifti dhe të gjithë që vijnë pas tyre e që shërbejnë në territorin e Kishës, duhet të jenë prej gjaku, gjuhe, kombësi dhe nënshtetësi shqiptare, ku ligjërojnë fjalën e Zotit. Këta njerëz nuk i përmbushin këto kritere. Kryepeshkopin e kemi grek. Peshkopët e tjerë të dioqezave, siç është ai i Gjirokastrës dhe Beratit, janë grekë.
Po pse sipas jush vjen ky reagim tani?
E para herë që Sinodi i Shenjtë ndjen goditjen e ndërgjegjes se ata nuk janë të pranueshëm në Shqipëri. Ky Sinod i Shenjtë është gjysmë grek e gjysmë shqiptar, i paaprovuar nga kongreset ortodokse të besimtarëve ortodoksë shqiptarë. Me këtë deklaratë ata po hedhin gurin, për të parë nëse do të gjejnë mbështetje dhe mbrojtje nga qeveria dhe se sa besim kanë në popull.
Po ndërhyrjet me komente politike si i shihni?
E vërteta se Shqipërisë i vjen një rrezik i madh nga shteti grek nuk vihet në diskutim. Kisha kur sheh që kjo e vërtetë po qartësohet çdo ditë e më shumë, tronditet dhe fut politikën në mes dhe ata njerëzit që e përkrahin në sektorin e politikës, e i nxit që ata ta mbështesin.
Janullatosi asnjëherë nuk ka qenë ekuilibrator në Shqipëri, asnjëherë nuk ka qenë balancues për të ndalur gjakrat e për të dhënë mesazhe paqeje në momente kyçe të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në rastin e vrasjes se të riut Aristotel Guma, ai ngriti gjithë njerëzit në këmbë, ngriti meshë për shpirt të tij dhe mirë bëri, se dhe ai ishte një djalë i ri. Po tani shtrohet pyetje: Pse nuk ka asnjë reagim nga ana e tij për masakrimin e tmerrshëm që i bënë në burgjet greke të ndjerit Kudret Kume ose siç e njihnin në Greqi, Ilia Kareli. Unë mendoj se ata që e komandojnë nga Greqia nuk e lejojnë Janullatosin të reagojë. E pra, ai duhet të dilte dhe të përcillte mesazhe paqeje.(Kortezi Aida Tuci-MAPO)

Filed Under: Interviste Tagged With: autoqefale, Beqir Meta, Hirarkia e Kishes

“Vatra” dhe themelet e shtetit 100-vjeçar shqiptar

September 16, 2013 by dgreca

SHKRUAN: Akademik Beqir Meta/

            Federata Panshqiptare “Vatra” ka hyrë në histori si organizata më e fuqishme dhe më jetëgjatë e diasporës shqiptare. Ajo ka gati një ditëlindje dhe të njëjtën moshë me shtetin shqiptar. Por për më tepër, që pas themelimit të saj, ajo u shndërrua në një aktor të fuqishëm dhe të pazëvendësueshëm për sendërtimin e shtetit shqiptar dhe për mbrojtjen e tij. Shërbimet që ajo i ka bërë kombit dhe shtetit shqiptar janë të panumërta dhe të jashtëzakonshme. Për këtë arsye, ajo përbën një nga pjesët më të çmuara të trashëgimisë sonë historike.

“Vatra” u themelua vetëm disa ditë pas shpërthimit të Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare të pranverë-verës së vitit 1912. Qysh në këto momente, njëri nga drejtuesit kryesor të saj, Faik Konica, duke vepruar me përgjegjshmërinë dhe mendjemprehtësinë e një shtetari të vërtetë, paralajmëronte udhëheqësit e Kryengritjes se duhej të llogarisnin mirë disa rrethana që mund të sillnin ndërlikime të rrezikshme për Shqipërinë, duke ju referuar në radhë të parë mundësisë së shpërthimit të konfliktit midis shteteve ballkanike dhe Turqisë, të cilat i shihte si rrezikun kryesor për Shqipërinë. “Vatra” bëri vazhdimisht thirrje që Kryengritja të kishte shtrirje mbarëkombëtare dhe unitet e organizim të fuqishëm, të cilin ajo e shihte si kyçin e suksesit dhe të aftësive të shqiptarëve për t’i bërë ballë situatave të vështira që priteshin në të ardhmen.

Qysh në vitin 1911, Faik Konica dhe Fan Noli, të cilët një vit më vonë do të bëheshin drejtuesit kryesorë të “Vatrës”, projektonin themelimin e një shteti shqiptar. Ata u përpoqën të arrinin një marrëveshje me Greqinë, të cilën e shihnin si një shans për të siguruar mbështetje në procesin e vështirë të ndërtimit dhe afirmimit të këtij shteti, në atë fazë të situatës ballkanike. Por, ashtu si dhe disa nacionalistë të tjerë, ata u refuzuan nga pala greke. Pas kësaj, duke e ndjerë thellë rrezikun e fqinjëve ballkanikë, “Vatra” do të mbështetej shumë tek autonomia. Megjithëkëtë në momentin më kritik, kur ushtria osmane po dëbohej nga Ballkani, ajo e kapërceu dilemën rreth autonomisë dhe iu rikthye me forcë mbështetjes së pavarësisë së Shqipërisë. Madje, ajo i shtoi përpjekjet për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare për krijimin e shtetit shqiptar. Më 17 nëntor 1912, njëmbëdhjetë ditë para se Ismail Qemali të ngrinte flamurin në Vlorë, “Vatra” organizoi një miting të madh në Boston kundër planeve të Fuqive të Mëdha për një ndarje të mundshme të Shqipërisë midis fqinjëve të saj. Ajo i kërkoi Presidentit amerikan Taft, që të mbante një qëndrim të favorshëm për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar.[1]

“Vatra” përpiqej për krijimin e një shteti kombëtar duke respektuar parimin e shenjtë të kombësisë. Qysh nga Konferenca e Ambasadorëve e vitit 1912-1913 e deri në ditët tona “Vatra” mbrojti dhe argumentoi të drejtën dhe domosdoshmërinë që kombi shqiptar të ndërtonte një shtet kombëtar në territoret e banuara në shumicë nga shqiptarët. Por, ajo e konceptonte këtë shtet ndryshe nga shtetet ballkanike të atëhershme, të cilat dominoheshin nga nacionalizmi shoven, agresiv dhe intolerant ndaj fqinjëve dhe pakicave. Në shtypin e saj, në memorandumet e shumta drejtuar Fuqive “Vatra” e konceptoi shtetin shqiptar si një shtet që nuk do të përfshinte territore të huaja dhe tolerant ndaj pakicave. Në këtë kuadër, ajo bënte thirrje që Shqipërisë t’i jepeshin viset rrotull Manastirit, Janinës dhe Malit të Pindit, të cilat banoheshin nga vllehtë.[2]  Këtë zgjidhje ajo e vlerësonte se ishte me interes të dyanshëm. Ajo u interesonte shqiptarëve sepse forcohej shteti shqiptar, por edhe vllehve, të cilët ishin të bindur se, vetëm me një bashkim politik me Shqipërinë, do të mund të ruanin kombësinë e tyre dhe të gëzonin një liri të plotë. “Vatra”, më se njëherë, u shpreh për njohjen e të gjitha të drejtave kombëtare kësaj pakice në shtetin shqiptar si  të drejtën për të mësuar gjuhën dhe për të pasur kishat e saj.[3] Ndonëse ky ishte një vizion i avancuar për ndërtimin e një shteti liberal e tolerant, “Vatra” diti të ruante masën dhe balancën në këtë drejtim. Ajo denoncoi pikëpamjet që u shfaqën në atë kohë për autonominë territoriale të vllehve të Pindit e Gramozit, nëse ata futeshin në përbërjen e shtetit shqiptar. Prandaj ajo kritikoi si diplomacinë austro-hungareze që e mbështeste këtë pikëpamje ashtu dhe përfaqësuesin e vetë “Vatrës” në Kongresin e Triestes, Faik Konica që bëri lëshime në këtë drejtim.[4]

Qysh në momentet e para “Vatra” ishte shumë e vendosur dhe aktive që shtetit të ri shqiptar t’i jepej qartësisht forma e një shteti modern të ndërtuar me fizionomi e tipare perëndimore dhe i lidhur politikisht e shpirtërisht me Evropën Perëndimore. Ideali i saj ishte një Shqipëri si Danimarka, Belgjika, ose Holanda. Për këtë arsye “Vatra” denoncoi përpjekjet e xhonturqve për të orientuar politikisht shtetin e ri shqiptar drejt Turqisë. Këto reagime qenë më të ashpra veçanërisht pas zbulimit të misionit të Beqir Grebenesë, të cilin “Vatra” e denoncoi si hapin e parë të propagandës xhonturke në Shqipëri dhe gjatë rebelimit antikombëtar në Shqipërinë e Mesme.[5] “Vatra” e denoncoi përpjekjen ruse në Konferencën e Ambasadorëve që Shqipëria të bëhej një shtet nën hijen e Turqisë, duke pohuar se kjo ishte një politikë me qëllime të largëta që parashikonte krijimin e mundësive të tjera për të destabilizuar shtetin shqiptar, duke nxitur fanatizmin fetar dhe për të krijuar terrenin që të ndërhynin shtetet ballkanike.[6] “Vatra” kritikoi thellësisht pikëpamjen franko-ruse për t’i dhënë Shqipërisë një princ mysliman, duke vënë në dukje se ato synonin copëtimin e Shqipërisë dhe zmadhimin territorial të sllavëve dhe grekëve.[7]

Ky profil i spikatur properëndimor i “Vatrës” lidhej me prirjen e përgjithshme të nacionalizmit shqiptar për të ndërtuar një shtet modern me profil evropian. Por, ligjërimi properëndimor i “Vatrës” ishte më i spikaturi në skenën e atëhershme shqiptare. Kjo veçori lidhet pikësëpari me ambientin social-politik ku veproi kjo shoqëri. Demokracia dhe qytetërimi amerikan, të cilat emigrantët shqiptarë i përvetësuan shpejt, shkrirja e edukatës demokratike perëndimore me idealet kombëtare përbënin bazën dhe frymëzimin themelor të kontributit që dha “Vatra” për themelimin dhe konsolidimin e një shteti me fizionomi perëndimore.

“Vatra” dha një kontribut të pallogaritshëm për forcimin e karakterit kombëtar të shtetit shqiptar dhe të institucioneve politike, arsimore, fetare e kulturore të Shqipërisë. Themeluesi i “Vatrës”, Fan Noli ishte babai i Kishës Autoqefale Shqiptare në Amerikë, e cila u themelua katër vjet para “Vatrës”. Ajo u rrit dhe u fuqizua më tej si një institucion shumë i rëndësishëm kombëtar bashkë me “Vatrën”. Qysh në ditët e para të shtetit shqiptar “Vatra”  u angazhua në një betejë të drejtpërdrejtë, të gjatë dhe të vështirë për eliminimin e privilegjeve të Patrikanës greke, të cilat ajo i konsideroi si të rrezikshme që çonin në shpërbërjen e Shqipërisë.[8] Në fillimin e viteve 20’ Noli dhe vatranët u bënë luftëtarët më të vendosur të kombëtarizimit dhe autoqefalisë së Kishës Ortodokse në Shqipëri, duke i bërë një shërbim të madh procesit të sendërtimit të shtetit kombëtar. Vatranët vlerësoheshin prej diplomatëve të huaj në Shqipëri si një grup pararojë në krijimin e Kishës Autoqefale, në këto momente të vështira kur një pjesë e mirë e ortodoksisë shqiptare, e gjendur nën presionin e fortë të Patrikanës dhe të qeverisë greke si dhe për shkak të propagandës shekullore fanariote, ishte e trembur ose apatike ndaj këtij procesi jetik për harmoninë, unitetin kombëtar dhe për konsolidimin e shtetit.

Drejtuesit e “Vatrës” në fillim diskutuan edhe për orientimin politik të shtetit shqiptar. Ata ishin të orientuar midis një neutraliteti të kushtëzuar dhe ndërtimit të aleancave që i shërbenin mbrojtjes së shtetit dhe të shqiptarëve të mbetur jashtë tij, nën sundimin e huaj. Faik Konica e vlerësoi vendimin e Konferencës së Ambasadorëve për neutralitetin e shtetit shqiptar pasi pengonte fqinjët që të cenonin shtetin e ri shqiptar, por ai nuk e quante shpalljen e neutralitetit si një garanci të plotë dhe bënte thirrje që shqiptarët duhej të përgatiteshin ushtarakisht për mbrojtjen e tij.[9]  Por, neutraliteti u kundërshtua në mënyrë kategorike nga patriotë të tjerë. Njëri prej tyre, Loni P. Naumi theksonte se Shqipëria e gjymtuar nuk mund të qëndronte neutrale, pasi që të ruhej neutraliteti i Shqipërisë dhe të mos tronditej paqja në Ballkan, duhej që shteti shqiptar të përmblidhte katër vilajetet, pa lënë jashtë shtetit shqiptar as më të voglin fshat shqiptar. Nacionalistët shqiptarë nuk mund të pranonin një Shqipëri neutrale të përgjysmuar sepse kështu do të duhej të mohonin përgjithnjë vëllezërit e tyre të mbetur nën sundimin e huaj.[10]

“Vatra” ka pasur gjithmonë në themel të qëndrimeve të saj stabilitetin politik dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Ajo ishte e ndërgjegjshme se ky proces do të ishte i vështirë dhe do të duhej kohë që ai të arrihej plotësisht. Si rrezik të brendshëm që kërcënonte pavarësinë dhe mëkëmbjen e shtetit shqiptar, udhëheqësit e “Vatrës” konsideronin fillimisht bejlerët separatistë, të cilët do të ishin në Shqipëri “shtet përmbi shtet”[11]; faktor tjetër negativ prapambetja e popullit shqiptar, i cili kishte qenë i shtypur për pesë shekuj me radhë nga pushtuesit e huaj. Ajo parashikonte se kjo gjendje do t’u krijonte terren të favorshëm Fuqive të huaja që edhe për disa kohë të ndërhynin në punët e brendshme të Shqipërisë. “Vatra” i ofroi shtetit shqiptar mbështetjen e saj për të ndihmuar në eliminimin e dasive krahinore të cilin e shihnin si njërin nga objektivat kryesore të politikës së brendshme, pasi këtë fenomen ata e vlerësonin si një rrezik për progresin e vendit dhe unitetit kombëtar. “Vatra” ofroi një koncept shumë realist dhe të avancuar për marrëdhëniet e fesë me shtetin, i cili ishte shumë i drejtë dhe i përshtatshëm në kushtet e Shqipërisë, ku ekzistonin tri besime fetare. Ajo kërkonte ndarjen e fesë nga shteti madje e avanconte më tej këtë pikëpamje duke kërkuar ndarjen e fesë nga sistemi shkollor shtetëror, pasi kështu Shqipëria do të shpëtonte nga ngatërresa shumë të mëdha.[12]  Ky koncept frymëzohej nga nevojat e krijimit dhe konsolidimit të bashkëjetesës së qetë e koherente kombëtare midis popullsisë së besimeve të ndryshme dhe të forcimit të unitetit shtetëror e kombëtar.

“Vatra” që në fillim kërkoi me forcë krijimin e një shteti të centralizuar dhe unik kombëtar dhe dënoi çdo propozim apo përpjekje për decentralizimin e tij. Në këtë kuadër ajo kritikoi edhe propozimin për ndarjen e Shqipërisë në kantone duke paralajmëruar se kjo do të thellonte dasitë krahinore, mbizotërimin e tendencave fetare mbi ato të kombësive dhe fuqizimin e pozitave të krerëve turkomanë e grekomanë, thellimin e destabilizimit të vendit, i cili do ta bënte më të lehtë copëtimin e Shqipërisë prej shteteve fqinje. [13] Ajo kërkonte medoemos krijimin e një shteti të centralizuar me një mbret në krye, rreth të cilit të mblidheshin të gjitha forcat apo grupet politike të vendit. “Vatra” organizoi protesta të fuqishme dhe një aktivitet intensiv diplomatik për të kundërshtuar të ashtuquajturën autonomi “vorio-epirote” dhe krimet që kryen grekët në emër të saj në Shqipërinë e Jugut. Madje ajo organizoi edhe një lëvizje të gjerë në kolonitë e Amerikës për krijimin e trupave vullnetare, të cilat do të përbënin bërthamën e Milicisë Kombëtare në Shqipëri. Kjo forcë do t’i shërbente qeverisë së Vidit për të vendosur rregullin në vend dhe për të shtypur lëvizjet anarkiste që nxiteshin nga të huajt. Kontingjenti i parë i këtyre forcave u dërgua në Shqipëri në maj të vitit 1914.[14] Edhe në vitin 1921, “Vatra” ishte në pararojë të luftës kundër tendencave separatiste e autonomiste që u shfaqën në këtë rajon. Ajo kundërshtoi me forcë një lëvizje të rrezikshme për një autonomi të brendshme të Shqipërisë së Jugut të nxitur nga një grup politikanësh korçarë për interesat e tyre egoiste politike, duke nënvizuar me forcë rrezikun e çdo lloj separatizmi dhe domosdoshmërinë e ndërtimit të një shteti kombëtar të centralizuar dhe unik.

Problemi i fronit të Shqipërisë ka qenë një nga shqetësimet kryesore të “Vatrës”. Ajo ndaj kësaj çështjeje mbajti një qëndrim kategorik duke mbështetur caktimin e një princi evropiano-perëndimor kundër kandidaturës së ndonjë princi mysliman. Që në telegramin e urimit drejtuar Kuvendit të Vlorës, ajo theksonte se Kuvendi duhej të zgjidhte në Fronin e Shqipërisë një princ nga një derë mbretërore evropiane, i cili do të ndikonte fuqishëm që vendi të orientohej drejt qytetërimit evropiano-perëndimor. “Vatra” mbështeti princ Vidin duke besuar se ai do të arrinte të stabilizonte gjendjen në Shqipëri, si një shpresë që do të pengonte ndërhyrjen e fqinjëve në punët e brendshme të Shqipërisë në gjyqet, në administratë, në hartimin e legjislacionit etj., dhe se ai do të mbronte më mirë interesat e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ajo e ndihmoi konkretisht shtetin shqiptar në këtë fazë të vështirë. Dhjetëra vatranë të ardhur nga Amerika u futën në administratën e re shtetërore[15]. Gjithashtu shumë vullnetarë, të cilët luftonin kundër rebelimit në Jug dhe në Shqipërinë e Mesme ishin një forcë stabilizuese me rëndësi të madhe jo aq për nga numri dhe forca ushtarake por për shkak të ndërgjegjes së avancuar kombëtare e shtet-formuese dhe të rrezatimit që kishin këta në Shqipëri, veçanërisht në Shqipërinë e Jugut, e cila ishte edhe më e rrezikuara nga separatizmi dhe ndërhyrja greke[16]. Por, nga ana tjetër “Vatra” kërkoi me forcë vendosjen e qeverisë në duart e nacionalistëve shqiptarë dhe bëri kritika ndaj qeverisë së atëhershme në të cilën bënin pjesë edhe “elementë çifligarë pa të kaluar patriotike madje edhe antipatriotë”. Ajo kritikoi hapur veçanërisht përfshirjen e Esat Toptanit në këtë qeveri.

Gradualisht “Vatra” i thelloi kritikat ndaj qëndrimit të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Në mitingun e madh të 17 majit 1914 të organizuar prej saj, mijëra shqiptarë miratuan një rezolutë me të cilën dënuan marrëveshjen e KNK me të ashtuquajturën qeveri vorio-epirote, dhe kundërshtuan me forcë kërkesat e Zografos. Rezoluta i cilësonte venomet si një faktor që do të nxiste intrigat dhe përçarjen në Shqipëri.[17] “Dielli” shkruante se këtu po luhej karta e Shqipërisë. “Po qe se Shqipëria i pranon kërkesat e Zografos atëherë është për të qarë hall, po qe se nuk i pranon atëherë do të kemi një Shqipëri të vërtetë”.[18]

Qëndrimi i “Vatrës” ndaj rebelimit në Shqipërinë e Mesme dëshmon qartë konceptin e drejtë të saj për shtetin dhe shtetësinë në Shqipëri. “Vatra” arriti në përfundimin se karakteri i kësaj lëvizjeje ishte antikombëtar, se në faza të ndryshme ajo u manipulua nga fuqitë e huaja, të cilat në çdo rast e drejtuan atë kundër shtetit shqiptar, pavarësisë dhe stabilizimit të Shqipërisë.[19]

“Vatra” mund të konsiderohet pa mëdyshje si një aktore kryesore e rithemelimit të shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore. Jo vetëm që ajo zhvilloi një aktivitet të fuqishëm diplomatik e propagandistik në favor të rikonfirmimit të pavarësisë së Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore, por në fund të saj ishte aktor kyç në kompromisin që u arrit me qeverinë italiane për mbledhjen e Kongresit të Durrësit dhe krijimin e një qeverie shqiptare. Përfaqësuesi i “Vatrës”, Mehmet Konica ishte kryetar i Kongresit të Durrësit dhe luajti një rol të rëndësishëm në përpunimin e programit të qeverisë së re. Aftësia e “Vatrës” për të negociuar këtë kompromis të vështirë, madje do të nënvizonim tepër të vështirë, për ta udhëhequr Lëvizjen Kombëtare Shqiptare drejt shtigjeve tepër të ngushta e të thepisura, dëshmon për forcën, pjekurinë dhe aftësinë politikbërëse e shtetformuese të saj. Po kaq i rëndësishëm dhe me rëndësi historike ishte kalimi i “Vatrës” në pozita më të avancuara në fund të vitit 1919 dhe fillim të vitit 1920 duke hedhur tej tutelën italiane dhe duke u bërë mbështetje e krijimit të një shteti shqiptar me kufijtë e vitit 1913 dhe pa asnjë varësi të huaj. Ajo mbështeti fort vendimet e Kongresit të Lushnjes dhe qeverinë e dalë prej tij. Kryetari i delegacionit të saj në Evropë, Mehmet Konica u bë Ministër i Jashtëm i qeverisë së re dhe kolegu i tij, delegati tjetër i “Vatrës”, Dr. Turtulli u zgjodh anëtar i Këshillit të Naltë (regjencës). Të dy këta personalitete të “Vatrës” shërbyen për të realizuar kalimin paqësor dhe pa konflikt nga qeveria e Durrësit drejt asaj të Tiranës, duke dëshmuar vizion të shkëlqyer shtetformues, mençuri dhe urtësi politike, e cila i forcoi shumë pozitat e Shqipërisë në ato momente tepër kritike kur po luhej fati i saj.

Qysh në vitet 1913-1914 e më vonë në vitet ’20, “Vatra” ishte kampione e propagandimit të reformave politike dhe ekonomike, për t’i hapur rrugën progresit kapitalist në vend. Por, ajo e konceptonte reformimin e vendit si një proces evolutiv, paqësor, gradual, pa tensione e tronditje të mëdha sociale, të cilat mund të vinin në pikëpyetje vetë ekzistencën e shtetit shqiptar. “Vatra” mbështeste qysh në fillim të themelimit të shtetit shqiptar një formë qeverisje demokratike me pozitë dhe opozitë, ndonëse ajo propozonte që opozita e vërtetë politike të lejohej të vepronte pas konsolidimit të shtetit shqiptar dhe njohjes ndërkombëtare të kufijve të tij. Në vitet 1921-1924, “Vatra” dhe vatranët luajtën vetë rolin e një opozite politike në Shqipëri. Ndonëse ishte sprova e parë dhe kjo veprimtari ka mjaft për të kritikuar, vatranët ishin grupi më iluminist dhe më parimor i opozitës së asaj kohe, të cilët aspironin në mënyrë iluzive ta reformonin vendin në mënyrë radikale dhe brenda një periudhe të shkurtër, gjë që ishte e pamundur për kushtet e asaj kohe.

Kontributi i çmuar i “Vatrës” në momentet kur po hidheshin themelet e shtetit shqiptar shërbeu si një përvojë dhe trashëgimi për orientimin  e nacionalizmit shqiptar në vitet dhe dekadat që pasuan, kur ky shtet do të rritej përmes vështirësive dhe sfidave të shumta. Në të gjitha rastet “Vatra” u rendit në anën e Shqipërisë, mbrojti ekzistencën, tërësinë territoriale,  stabilitetin, unitetin, modernizimin dhe demokratizimin e shtetit shqiptar. Prandaj, ajo qëndron sot në piedestalin e historisë, si njëra nga shtyllat themelore të shtetësisë dhe nacionalizmit shqiptar.

 

 



[1] S. Peters, Karakteristikat, kontributet dhe përgjegjësitë e shqiptaro-amerikanëve, New York, 1969, f.90

[2] Loni P.Naumi, “Trazirat politike në Ballkan”, Dielli, 12 gusht 1913

[3] “Rumunët në Shqipëri”, Dielli, 11 mars 1913

[4] A. Puto, Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, 1912-1914, Tiranë 1978, f. 234-235

[5] “Puna e xhonturqve”, Dielli, 28 dhjetor 1914

[6] Dielli, 15 prill 1913

[7] “Do të zbrazet a nukë Shqipëria Jugore”, Dielli, 23 janar 1914

[8] Dielli, 29 gusht 1913; 4 nëntor 1913

[9] Dielli, 16 janar 1913

[10] Loni P.Naumi, artikull në gazetën Dielli, 21 mars 1913

[11] “Dielli për kohën e pritme”, Dielli, 22 korrik 1913

[12] Dielli, 8 gusht 1913

[13] “Me kantone apo me mbret?”,  Dielli, 24 korrik 1914

[14] Dielli, 19 maj 1914

[15] The Albanian Struggle in the Old World and New, Boston 1939, f.54

[16] “Rrofshin mbretërit e Shqipërisë”, Dielli, 9 janar 1914

[17] Dielli, 26 maj 1914

[18] “Shqipëria dhe venomet e kërkuara prej Zografos”, Dielli, 19 maj 1914

[19] “Gjendja e Shqipërisë”, Dielli, 24 korrik 1914

Filed Under: Histori Tagged With: Akademik, Beqir Meta, themelet e shtetit, Vatra

PAVARËSIA DHE IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR

November 2, 2012 by dgreca

Nga prof. dr. Beqir Meta/

Dhjetvjeçari i dytë i shekullit XX përbën kulmin e përpjekjeve për afirmimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve, të cilat u kurorëzuan me krijimin e shtetit kombëtar pas 450 vjet robëri. Shqipëria u rishfaq në skenën ballkanike dhe evropiane si një faktor real, ajo ofronte shanse të mëdha për vendosjen e ekuilibrit politik të qëndrueshëm në Ballkan dhe për zhvillimin paqësor të rajonit tonë.

Në vitin 1912 pavarësia e Shqipërisë ishte pjekur për zgjidhje si nga pikëpamja e zhvillimeve të brendshme të Perandorisë Otomane, ashtu edhe nga faktorët e rinj, që po shfaqeshin në politikën evropiane dhe ballkanike. Por në radhë të parë tashmë këtë e diktonte zhvillimi i forcave politike shpirtërore brenda territoreve shqiptare. Sundimit të Turqisë në Ballkan i kishte ardhur fundi. Hovi i ri i lëvizjes kombëtare shqiptare kishte vënë në rend të ditës çështjen e së ardhmes së këtij kombi të vjetër evropian. Lëvizja kombëtare shqiptare në periudhën e mëparshme, veçanërisht prej Lidhjes së  Prizrenit (1878) e këtej ndonëse nuk kishte arritur objektivin e saj kryesor, kishte patur përveç të tjerash një rezultat të madh historik, kishte afirmuar identitetin e kombit  shqiptar në arenën ndërkombëtare. Rezultatet e saj do të kishin qenë shumë më pozitive, nëqoftëse ajo, s’do të ishte ndodhur në pozita të disfavorshme ndërkombëtare.

Lëvizja shqiptare kishte kundër gjithë shtetet fqinjë, dhe pas tyre një pjesë të mirë të diplomacisë evropiane, që ishte influencuar kryesisht nga Rusia Cariste. Fatkeqësia e shqiptarëve në radhë të parë, por edhe e popujve të tjerë ballkanikë, ishte se lëvizjet çlirimtare të gadishullit nuk bënë kurrë një front të përbashkët lufte kundër sundimit të huaj. Krijimi i Aleancës Ballkanike, në vitin 1912, nuk mund të konsiderohet si instrument i këtij fronti. Rrjedha historike e ngjarjeve dëshmoi se ajo ishte një koalicion i përkohshëm, i brishtë, i paprinciptë dhe i pasinqertë.  Në krijimin e Aleancës Ballkanike, Lëvizja Kombëtare Shqiptare kishte vendin e saj. Madje, shkakun imediat për fillimin e sulmit kundër Turqisë do ta jepnin kryengritjet shqiptare e në mënyrë të veçantë kryengritja e madhe e pranverës së vitit 1912, që u përhap sidomos në Shqipërinë Veriore. Këtë rol të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e ka pranuar deri diku edhe literatura e huaj historike. As qarqet drejtuese të shteteve fqinje, nuk e injoruan në atë kohë faktorin shqiptar, përkundrazi u vendosën kontakte, u zhvilluan bisedime për bashkëveprim, disa here midis kryengritësve shqiptarë dhe përfaqësuesve të shteteve fqinje, por megjithatë Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk u njoh prej tyre zyrtarisht, nuk u trajtua si palë zyrtare. Kështu, në fund të fundit, shpërthimi i Luftës Ballkanike në vjeshtë të vitit 1912, i gjeti shqiptarët jashtë radhëve të Aleancës Ballkanike. Dihet gjithashtu se shtetet fqinje ia vunë për këtë fajin shqiptarëve, duke i akuzuar për besnikëri ndaj Portës dhe për papjekurinë e tyre për vetëqeverisje. Këto koncepte i ka  mbrojtur dhe për shumë kohë historiografia Ballkanike1.

Shumë historianë kanë bërë përpjekje për të nxjerrë konluzione nga kjo ngjarje historike, por unë mendoj se refleksionet rreth saj nuk janë asnjëherë të tepërta. Ajo pati rëndësi, sepse ndikoi pozitivisht në kapërcimin e atij pozicioni tepër të rrezikshëm politik, për të cilin nuk do ta tepronim  po të shpreheshim se ishte vetëm një hap drejt shpërbërjes fatale të kombit shqiptar duke e çuar pozitën e tij drejt një ekuilibri të ri, i cili po lëvizte në një drejtim përtej greminës. Edhe pse shteti, që u krijua pas saj qe i brishtë, dhe kaloi përmes krizash e vështirësish të jashtëzakonshme, ai deri në vitin 1920 shërbeu për të krijuar eksperiencën e parë pozitive dhe hodhi hapat e para për fuqizimin e identitetit të ri si komb – shtet.

Në dekadën e dytë të shekullit të kaluar, kombi shqiptar kaloi provën më të rëndë të historisë së tij. Ai arriti të shpallte pavarësinë në gjysmën e territoreve të tij etnike, ndërtoi një administratë kombëtare, por fatkeqësisht koha ishte kundër tij. I ndodhur nën presionin e fuqishëm të fqinjëve me aspirata shoviniste të forta  dhe të Fuqive të Mëdha, që ishin në prag të shpërthimit të konfliktit botëror dhe që më tej e filluan atë, në një moment kritik kur ndërgjegjja kombëtare nuk ishte e konsoliduar në të gjitha shtresat e popullsisë, kur elita politike kombëtare ende ishte e paformuar, Shqipëria u përfshi në një sërë lëvizjesh separatiste dhe me frymëzim antikombëtar. Për ironi të fatit, pikërisht në Vlorën e flamurit të pavarësisë, rebelët fanatikë të Haxhi Qamilit e ulën dhe dhunuan flamurin tonë kombëtar. Dëshpërimi kaploi shtresa të shumta shqiptarësh. Por Kongresi i Lushnjës në aspektin politik dhe Lufta e Vlorës në atë ushtarak i dhanë fund këtij procesi regresiv. Ato mposhtën dëshpërimin, pesimizmin dhe skepticizmin se shteti shqiptar nuk mund të bëhej. Ato i thanë stop asaj krize kombëtare, që u shfaq në momentet e para të vështira të lindjes së shtetit shqiptar dhe i hapën rrugën një etape të re të konsolidimit të ndërgjegjes kombëtare dhe të institucioneve kombëtare. Pra, këto ngjarje, jo vetëm që ishim një dëshmi e qartë e një faze të re të pjekurisë politike dhe e formimit të indentitetit kombëtar shqiptar, por edhe një premisë për ta çuar atë më tej.

Në vitet ’20 – ’30 Shqipëria hyri në rrugën e stabilizimit të saj kombëtar. Institucionet kombëtare u bënë më efektive, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve ndërsa Konferenca e Ambasadorëve rinjohu pavarësinë dhe integritetin e saj territorial. Një sërë shtetesh vendosën marrëdhënie diplomatike me të. Sigurisht një faktor i rëndësishëm nxitës i këtyre proceseve afirmuese pozitive ishte demonstrim i qartë dhe i vendosur i vullnetit të shqiptarëve për të ndërtuar dhe mbrojtur shtetin e tyre kombëtar dhe integritetin territorial.

Sigurisht rruga e afirmimit kombëtar dhe e stabilizimit të shtetit nuk qe e lehtë dhe nuk eci në një vijë të drejtë. Shqipëria provoi kriza e vështirësi të reja në sendërtimin e institucioneve të saj kombëtare. Por tashmë ishin tejkaluar fenomenet e viteve 1913 – 1915 dhe problematika kishte ndryshuar. Akti i I. Qemalit dhe ngritja e flamurit në Vlorë në të gjitha këto ngjarje, shërbeu si një shembull frymëzimi për unitet kombëtar, për ta nxitur faktorin shqiptar të merrte në dorë fatet e vendit të tij. Ato gjithmonë qenë një model për elitën politike shqiptare dhe një pikë reference për të zhvilluar një politikë kombëtare, që bazohej në interesat dhe në moralin kombëtar.

Edhe paskësaj shteti shqiptar dhe institucionet e tij u ndeshën me një sërë vështirësish. Ata u ballafaquan pikësëpari me presionin politik, diplomatik e ushtarak të shteteve fqinje, Greqisë dhe Jugosllavisë, të cilat u përpoqën jo vetëm të aneksonin territore të reja, jo vetëm të fusnin atë nën influencën dhe ndikimin e tyre, por edhe të zbehnin karakterin unik dhe kombëtar të tyre, të nxisnin lëvizjen separatiste brenda tij etj.

Përpjekjet e Greqisë për rigjallërimin e lëvizjes vorioepirote, për krijimin e një statusi autonom për Jugun e Shqipërisë, për mohimin e autoqefalisë së kishës ortodokse shqiptare, përpjekjet e Jugosllavisë për të aneksuar territore në veri të vendit për te nxitur një lëvizje separatiste në Mirditë apo për të rigjallëruar lëvizjen esatiste në Shqipërinë e Mesme ndeshën në vullnetin dhe qëndresën e fortë të forcave atdhetare shqiptare, të cilat duke iu referuar dhe duke u frymëziar nga Flamuri i ngritur në Vlorë ishin të bindura dhe plot entuziazëm se uniteti kombëtar, stabiliteti i shtetit shqiptar dhe e ardhmja mund të ndërtoheshin vetëm duke luftuar me forcë dhe të bashkuar çdo lloj presioni dhe politike antishqiptare.

Afirmimi dhe plotësimi i identitetit kombëtar shqiptar në Himarë dhe në disa treva të tjera të Shqipërisë së Jugut ishte një proces që erdhi duke u rritur. Entuziazmi që krijoi Pavarësia si dhe rrjedhojat politike të saj ishin vazhdimisht faktorë nxitës në gjithë këtë proces jetik për kombin shqiptar dhe ky nuk është thjesht një deduksion logjik, por një fakt që përmendet në një sërë dokumentash historike të kohës.

Madje edhe disa dekada më vonë, siç ishte periudha e Luftës II Botërore, kur përfaqësues të ndryshëm të shtetit shqiptar u ndodhën edhe njëherë përpara detyrës së vështirë që të mbronin të drejtën historike të kombit shqiptar për të jetuar i lirë në shtetin e tij, akti i I. Qemalit u paraqit si një argument historik dhe si një provë e vullnetit dhe e ndërgjegjes kombëtare të këtij kombi për të mbrojtur integritetin dhe pavarësinë e tij.

Përballë argumentave false të diplomacisë greke e jugosllave dhe të disa qarqeve politike britanike etj. se populli shqiptar nuk ishte pjekur politikisht për shtetin kombëtar, se pavarësia e Shqipërisë kishte qenë thjesht një eksperiment i dështuar dhe produkt e krijesë e politikës italiane e Austro-Hungareze dhe se një popull raja i gadishullit ballkanik ishte ngritur në pozitën e një kombi të pavarur jashtë dëshirës dhe vullnetit të tij etj., diplomatët, politikanët dhe intelektualët e shquar shqiptarë i kundërvunë, përveç të tjerash edhe shembullin brilant të kryengritjeve shqiptare në prag të pavarësisë dhe Aktin e Madh të Kuvendit të Vlorës,  më 1912. Këto fakte historike kanë qenë vështirë të kundërshtohen si nga miqtë ashtu dhe nga armiqtë e lirisë shqiptare.

Kështu, Kuvendi i Vlorës dhe pavarësia e shpallur prej tij krijoi premisat, modelin dhe frymëzimin për të çuar përpara procesin e konsolidimit të identitetit kombëtar shqiptar. Ato kanë lënë gjurmë të thella pozitive për forcimin e shqiptarizmit.(Dielli –arkiv)

 

1 P.N.Pipinelis “Europe and the Albanian question” Chicago, 1963 p.27-28.

Filed Under: Histori Tagged With: Beqir Meta, dhe identiteti, Kombetar, pavaresia

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT