• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Naum Veqilharxhi dëshmor i Atdheut

January 10, 2024 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/

Fjalorët shqiptar për Naum Veqilharxhin

Naum Panajot Bredhi, Veqilharxhi, sipas Fjalorit të Pedagogjisë (1983), Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1985) dhe Fjalorit Enciklopedik Shqiptar vëll. 3 (2009) është një nga përfaqësuesit më të hershëm të Rilindjes Kombëtare, autor i abetares së parë shqiptare dhe i një varianti orgjinal të alfabetit shqip, avokat dhe studiues shqiptar, një ndër figurat më të shquara të viteve të para të Rilindjes Kombëtare dhe çmohet si njëri prej ideologëve të saj të parë.

Fjalori i Pedagogjisë me autor Shefki Osmani thekson fjalën “dëshmor i arsimit’ tonë kombëtar. Në fakt, me akt juridik, Naum Veqilharxhi është shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 141, datë 7.9.1985, të Komiteit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Korçës. Në të dy fjalorët e Enciklopedisë të botuar nga Akademia e Shkencave nuk përmendet që është dëshmor i atdheut, po kështu dhe në konferenca dhe sesione shkencore, në shkrimet e vijueshme në shtypin e përditshëm, në raste të përvjetorëve të tij.

Është kjo një harresë, një pakujdesi e atyre që bëjnë zërin në fjalor, apo dhe e autorëve të tjerë, apo nuk dinë si është vlerësuar dhe nderuar ky përfaqësues i madh i hershëm i Rilindjes tonë Kombëtare Shqiptare. Dhe më tej akoma, në fjalorin e Pedagogjisë (1983) dhe Enciklopedik (1985), shkruhet se ka ndërruar jetë rreth vitit 1846, ndërsa në Enciklopedinë e vitit 2009, del se ka ndërruar jetë në vitin 1854. Ne Republikën e Shqipërisë ka një rregullator shkencor që është Akademia e Shkencave e që duhet t’i ketë të qarta standardet, vlerësimet e nderimet që i bëhen në jetë një atdhetari dhe përfaqësuesi të hershëm të arsimit tonë kombëtar…

Nderime për dëshmorin e arsimit kombëtar

Në sistemet që ka kaluar Shqipëria, institucionet dhe rrethet shkencore janë munduar ta shquajnë figurën e Naum Veqilharxhit dhe ta vlerësojnë me shkrime, me konferenca shkencore dhe me studime për të gjithë veprën e tij, të botuar dhe të shkruar që ka arritur deri më sot.

Më 6 dhjetor 1957 figura e Naum Veqilharxhit është vendosur në një pullë shqiptare. Në Korçë, në një nga lulishtet më të bukura është vendosur një bust i Naum Veqilharxhit, si dhe një bust i tij gjendet dhe në shtetin e Rumanisë.

Në Shqipëri një shkollë 9 vjeçare në Korçë mban emrin e tij, si dhe një shkollë fillore po me emrin e “Naum Veqilharxhi” në fshatin Mohlan të Suharekës, në Kosovë.

Në Tiranë në Njësia Bashkiake nr. 3, tek Varri i Bamit, është një rrugë me emrin e tij, si dhe një rrugë në Bashkinë Kamzë. Rrugë me emrin “Naum Veqilharxhi” gjenden dhe në Gjakovë e Prishtinë të shtetit të Kosovës.

Familja Veqilharxhi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, në Shqipëri dhe në Rumani. Konstandin Veqilharxhi ishte i pari president i gjyqtarëve për qytetin e Brailes. Shqipëria dhe Rumania e kanë vlerësuar njeriun që lidhi urën e miqësisë mes tyre, duke i dhanë mirënjohjen e kujdesin e merituar. Shtëpia e Naum Veqilharxhit në qytetin e Brailas, është muze dhe ruhet nga shteti rumun. Shteti shqiptar dhe akademikë e tij konsiderojnë Naum Veqilharxhi figurë të spikatur të diasporës shqiptare në gjysmën e parë të shek. XIX.

Për Naum Veqilharxhi, jetën dhe veprën e tij janë organizuar tryeza shkencore, si në Prishtinë me 24 maj 2007, nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Ndërsa në Tiranë më 13 dhjetor 2022 nga Akademia e Shkencave është organizuar një tryezë shkencore për nder të Naum Veqilharxhit, në 225-vjetorin e lindjes së tij.

Akademik Emil Lafe, në kumtesën e tij “Parime kulturore dhe gjuhësore të Naum Veqilharxhit”, u shpreh se Naum Veqilharxhi ka qenë pa dyshim një fenomen në historinë politike dhe kulturore të Shqipërisë në mesin e shek. XIX dhe se ky qe burizani e përçuesi i vetëm i zgjimit të ndërgjegjes kombëtare në atë kohë, titan ndërlidhës mes territ tokësor e qiellit të ndritun. Kushtrimi i tij nuk ra në vesh të shurdhët”.

Prof. dr. Fedhon Meksi ka theksuar se Naum Bredhi-Veqilharxhi meriton një vend nderi në altarin e nacionalizmit shqiptar. Naumi i takonte një familjeje me tradita në fushën e kulturës në përgjithësi dhe të shqiptarisë në veçanti. Gjyshi i tij Llazar Bredhi, ishte një nga veprimtarët e shquar për futjen e shqipes në kisha dhe shkolla. Meksi rendit rrethanat e bashkëpunëtorët me të cilët Veqilharxhi luftoi për “zgjimin e vetëdijes” së shqiptarëve, e njëri prej tyre ishte Vangjel Zhapa, i cili financoi hapjen e shkollave shqipe dhe botimet e abetareve të para.

Në këto tryeza shkencore është theksuar porosa dhe modeli i Naum Veqilharxhit për besimet fetare në vend, të praktikoheshin në një mënyrë të veçantë, në mënyrën shqiptare, me tone të ulura, ku nuk ka vend ideja e përçmimit të bashkëkombësve të feve të tjera, duke i lënë vendin respektit të ndërsjellë. Ai vuri gurin e parë për rilindjen e kombit shqiptar, që do të përfshinte të gjithë shqiptarët, myslimanë dhe të krishterë.

Përkushtimi për arsimin shqiptar

U lind në Vithkuq më 6 dhjetor 1797. Familja e tij e trashëgoi mbiemrin Veqilharxhi nga pozita që i ati, Panajoti, kishte në oborrin e Ali pashë Tepelenës në Janinë, tregtar që furnizonte me ushqime ushtrinë angleze kur kjo kishte pushtuar ishujt jonianë më 1811. Naumi mësimet e para i ka marrë në shkollat angleze në ishujt jonianë.

Para vitit 1806 mërgoi me familjen në Moldavi (Kishinjev). Më 1821 mori pjesë në kryengritjen e eteristëve në Rumani kundër robërisë osmane, si një nga udhëheqësit e saj, bashkë me Shqiptarë të kolonisë së atjeshme. Iu kushtua çështjes së Çlirimit të Shqipërisë, duke u udhëhequr nga ideja themelore iluministe se një popull mund të dalë nga prapambetja vetëm po të shkruajë gjuhën amtare dhe po të përhapen arsimi dhe kultura kombëtare.

Me shkatërrimin e Vithkuqit më 1819, u shpërngulën si familje në Rumani. Naumi student mori pjesë në revoltat e 1821 të Vllahisë e Moldavisë. Pak vite më pas nisi të punonte avokat, vuri prokopi dhe kontribuoi në jehimin e ideve të Rilindjes Kombëtare. Aty u bashkua me një shoqëri intelektualësh shqiptarë, që çmonin të domosdoshëm kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare për Rilindjen Kombëtare Shqiptare.

Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë, për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, “Evëtarin”. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat Jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e shumta që pati, e ribotoi më 1845 me titullin “Fare i ri Evëtar shqip”, të shoqëruar me një “E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë”.

Ëvetar shqip i Naum Veqilharxhit, botim i vitit të hershëm 1844 është Abetarja e Parë Shqipe, e njohur gjer më sot. Shkronjëtorja e tij shërbeu si nismëtarja e teksteve të abetareve shqipe, që përveç misionit didaktik, patën rol historik dhe shtrirje e përdorim të gjerë në shkollat shqipe. Naum Veqilharxhi me “Ëvetarin shqip” e renditi Shqipërinë në radhët e kombeve të qytetëruara dhe të ndriçuara të Europës. Në hyrje të librit na fton për lexim të mbarë “për çdo si cilë që do të mësonjë të kënduarit e të shkruarit bukur shqip”.

Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një “Letër qarkore” (enciklikë) greqisht, drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri. Largpamësia e Naum Veqilharxhit qëndron, jo vetëm në shtytjen që i dha lëvizjes së popullit shqiptar kundër robërisë shekullore osmane, por edhe në faktin se është i pari që dalloi e paralajmëroi rrezikun që do t’i vinte kombit nga qarqet shoviniste greke e nga politika e Patrikanës.

Shqiptarët i shihte si komb me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar. Kishte besim tek aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve. Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkombëtarizimit që vinte nga shkollat e huaja dhe punoi për një shkollë shqipe me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes. Naum Veqilharxhi u përpoq gjithashtu të krijonte një shoqëri kulturore që të bashkonte atdhetarët e tjerë. Për të gjtihë këtë veprimtari patriotike dhe kulturore u helmua nga Patrikana dhe vdiq në Stamboll. Me veprën e tij, Naum Veqilharxhi, dëshmor i atdhut u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e kombit shqiptar.

foto: wikipedia.org

Filed Under: Histori Tagged With: Bernard Zotaj

BAZAT DHE PËRGATITJA E LUFTËTARËVE TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS NË SHQIPËRI

December 20, 2022 by s p

Prof. asoc. dr. Bernard ZOTAJ

Instituti i Studimit të Historisë Ushtarake Shqiptare, Tiranë/

Në kuadrin e përgatitjes dhe zhvillimit të luftës së Kosovës, pas përmbysjes së sistemit në ish-Jugosllavi, populli shqiptar dhe kosovar shfaqën dhe afirmuan mjaft përvoja dhe dukuri të reja si dhe konfirmuan angazhim për ndihmesë, organizim dhe përgatitje të luftëtarëve të lirisë.

Shpërthimi i luftës në Jugosllavi nuk ishte i paparashikuar nga politika zyrtare e Shqipërisë moniste. Por shpërbërja dhe lufta në Jugosllavi ndodhën njëkohësisht me rënien e sistemit socialist në Shqipëri.

Rënia e sistemit në Shqipëri u shoqërua me tronditje e dëme të mëdha: me djegie e shkatërrime barbare dhe eksode masive. Fuqia e shtetit shqiptar po shteronte, rinia që përbënte forcën e ushtrisë po braktiste atdheun. Kështu, në kohën kur ne duhej të ishim më të fuqishëm se kurrë për t’i dhënë Kosovës ndihmë konkrete maksimale, u gjendem më të dobët se kurrë.

Presidenti shqiptar i atëhershëm, Ramiz Alia, me sa duket kishte arritur në përfundim se Kosova duhej ndihmuar me çdo kusht, sepse kishte ardhur momenti më i volitshëm dhe i papërsëritshëm, që edhe ajo të ngrihej e të kërkonte të drejtat e veta, njëlloj si kombet e tjerë të Jugosllavisë. Në cilësinë e kryetarit të Shtetit, në një fjalim që mbajti në OKB në shtator 1990, paralajmëroi Bashkësinë Ndërkombëtare për padrejtësitë që i ishin bërë kombit shqiptar, duke shtruar problemin e rishikimit të këtyre padrejtësive historike. Ai paralajmëroi se shqiptarët e Kosovës “nuk kërkojnë asnjë të drejtë më shumë nga ç’kërkojnë serbët, sllovenët, kroatët, apo maqedonasit. Ata nuk kanë pranuar e nuk do të pranojnë të kenë më pak të drejta se ata”. Ndërsa në vitin 1991, në funksionin e komandantit të përgjithshëm, mori mbi vete përgjegjësinë dhe urdhëroi dikasterin përkatës, që të ndihmoheshin djemtë e Kosovës me gjithçka të mundshme për t’u stërvitur ushtarakisht e për t’u armatosur me qëllim që ta fillonin luftën çlirimtare në Kosovë në një kohë me republikat e tjera veriore të Jugosllavisë.

Dy grupet themeluese të luftëtarëve të UÇK-së në Shqipëri erdhën nga tremujori i katërt i vitit 1991. Grupi i parë ishte grupi i Zahir Pajazitit, i cili u përgatit në Elbasan dhe përbëhej nga rreth 54 veta. Ndërsa grupi i dytë kryesohej nga Adem Jashari dhe u përgatit në Tiranë, përkatësisht në Surrel, në malin e Dajtit. Grupi i Adem Jasharit përbëhej nga 34 veta. Të dy këta grupe u përgatitën rreth një muaj secili, përkatësisht në tetor dhe dhjetor të vitit 1991.

Grupi i Adem Jasharit është përgatitur dhe stërvitur nga ushtarakët shqiptarë Hysen Ymeri, Agron Dhimarko, Ylli Mici dhe Kastriot Hoxha, i cili ishte dhe komandant i repartit. Këta përgatitën në mënyrë të organizuar prej shtetit shqiptar djemtë e parë të Kosovës, nga pikëpamja ushtarake. Oficerët e ngarkuar e mirëpritën detyrën. E konsideruan dhe e vlerësuan si një nder të madh, që u bëhej duke u besuar të stërvitin kontingjentet e para që do ta nisnin luftën çlirimtare në Kosovën e pushtuar nga Serbia. Këta e kryen me nder misionin, nuk ndien lodhje, duke zhvilluar stërvitje nga 16 orë në ditë.

Trajnimi i këtyre grupeve konsistonte në përgatitjen e zjarrit, në përgatitjen fizike, në elementë të luftës guerile dhe elementë të tjerë të luftimit në terrenit etj. Secili inspektor ushtarak shqiptar jepte lëndën e tij ushtarake. Serioziteti i tyre në përgatitje zjarri e në qitje ishte shumë i madh. Këta ushtarakë shqiptarë ua mësuan të gjitha armët e lehta të këmbësorisë që nga pistoleta, pushka, automatiku, mitralozi i lehtë dhe i rëndë, granatahedhësi dhe mortaja 60 mm dhe 120 mm. Grupet gjithë ditën bënim qitje me armët e zjarrit. Ata zhvillonin dhe qitje kolektive si nga pozicione zjarri taktike, me të gjitha llojet e armëve dhe me granata. Instruktorët shqiptarë kishin si qëllim t’i çlironim nga emocionet e luftës, t’i mësonim me krismat e luftës, por dhe me disiplinën e zjarrit kolektiv.

Në vitin 1993, duke qenë ilegal, Adem Jashari vjen përsëri në Shqipëri për ta takuar vëllanë e tij, Rifatin, që vinte nga Gjermania. Ndërkohë, mori pjesë dhe në ceremoninë e diplomimit të anëtarit të celulave të UÇK-së, Kadri Veselit, që studionte në Tiranë. Megjithëse e kishin të ndaluar të lëviznin në vende të pakontrolluara, Adem Jashari dhe shokët e tij, gjatë kohës që përgatiteshin në Tiranë, zhvillonin dhe një aktivitet të gjerë në interes të objektivit për të cilin përgatiteshin. Ademi Jashari edhe kohë më parë kishte kontakte me njerëz që vinin ilegalisht nga Perëndimi për probleme të çështjes kosovare. Takimet bëheshin në Tiranë dhe në Durrës. Në Durrës bazën e kishin në shtëpinë e Ramë Sylmetës, nga Kërçina e Gjakovës, dhe që ishte me banim në Zvicër. Kjo shtëpi u kthye në një bazë të rëndësishme UÇK-së si para ashtu dhe gjatë luftës në Kosovë.

Kryesisht nga viti 1993 e në vazhdim, aktiviteti i aktivistëve (luftëtarëve) kosovarë erdhi në rritje në Shqipëri. Në këtë kohë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Manfred Vërneri, gjatë një vizite që bëri në Shqipëri në vitin 1993, më 19 mars, mbajti një fjalim para Kuvendit të Shqipërisë ku, mes të tjerash, tha: “Ministrat e jashtëm të NATO-s kanë deklaruar se një shpërthim i dhunës në Kosovë, që mund të ndodhë nga përhapja e konfliktit, do të përbëjë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”. “Përhapja e konfliktit në Kosovë… do të kishte konsekuenca të tmerrshme”. “Aleanca jonë do t’i mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për të parandaluar që të mos ndodhë kjo dhe që të gjithë ne, në Aleancë, mbështetemi shumë te Shqipëria…”.

Një urdhër i tillë nuk pritej nga Verneri, që shqiptarët e konsideronin mik dhe e respektuan me të gjitha nderimet dhe komplimentet. Natyrisht, ai foli në emër të Evropës, si udhëheqësi politik kryesor i NATO-s. Ky urdhër theksonte hapur që të mos përkrahej Shqipëria dhe asnjë formë qëndrese e armatosur e shqiptarëve të Kosovës kundër dhunës dhe gjenocidit serb, asnjë formë qëndrese e shqiptarëve të Kosovës për liri sepse, sipas tij, kjo do të kishte “konsekuenca të tmerrshme”. Dhe Qeveria Shqiptare, që kërkonte të anëtarësohej në Aleancë, nuk kishte si të mos zbatonte urdhrat e tij.

Megjithëse ndihma e shtetit shqiptar u bllokua, luftëtarët e Kosovës të cilët ishin të përkushtuar në çështjen e lirisë, gjetën mbështetje në Shqipëri te patriotët e vërtetë, krijuan baza të sigurta, qendra ilegale stërvitjeje dhe bënë furnizimin me armë. Shpirti patriotik shqiptar u ngrit mbi politikën. Shqipëria, edhe pa dëshirën e shtetit të vet, mbeti bazë kryesore e UÇK-së dhe e luftës së Kosovës.

Adem Shehu nga Farka e Tiranës, oficer kundërajror i Ushtrisë Shqiptare, diplomuar në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, në vitin 1980, shërbyer në reparte e njësi të Mbrojtjes Kundërajrore të Kryeqytetit, do të bëhej një nga komandantët më në zë të UÇK-së. Në vitin 1996 u lidh me ilegalët e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, me Sejdi Veselin, Nazmi Zukën, Fatmir Humollin e të tjerë.

Në vendlindjen e tij, në Farkë, në periferi të qytetit të Tiranës, organizoi stërvitjen luftarake të luftëtarëve të cilët vinin nga Kosova, trojet etnike dhe nga vendet perëndimore për t’u stërvitur. Grupet përbëheshin nga 25-30 veta dhe Adem Shehu i stërviste ata ilegalisht. Banesa e tij u shndërrua në një qendër stërvitore, pra në një “Akademi” të Farkës. Stërvitja e çdo grupi vazhdonte rreth tri javë. Në stërvitje zhvillohej njohje armatimi, përgatitje zjarri dhe veprime të thjeshta taktike. Stërvitja përfundonte me qitje reale. Pas përfundimit të stërvitjes së grupit vinte grupi tjetër.

Pas marsit 1998, kur UÇK-ja kaloi në veprime luftarake në shkallë të gjerë, Adem Shehu mbante lidhje të vazhdueshme me luftëtarët që kishte përgatitur vetë. Atyre u kërkonte t’i sillnin skicat e veprimeve luftarake dhe aktin e rënies së luftëtarëve në ndeshje me armikun. E shqetësonte së tepërmi rënia e luftëtarëve, të cilët ishte përpjekur t’i mësonte se si ta vrisnin armikun e të mos vriteshin prej tij. Duke analizuar skemat e luftimit, ai arriti në përfundim për të pasqyruar në stërvitjet me grupet pasardhëse mangësitë e organizimit të luftimit në terrenin konkret.

Vendimi i Qeverisë Shqiptare me datë 12 tetor 1998 për ta vënë në dispozicion të NATO-s të gjitha bazat ajrore e detare, si dhe gjithë hapësirën ajrore dhe rrjetin rrugor, ishte një vendim tepër i rëndësishëm historik. Ky vendim, i marrë për Kosovën, e shndërronte Shqipërinë në bazë ushtarake të NATO-s, për një sulm të mundshëm kundër Serbisë. Ky vendim tepër i guximshëm, që mori qeveria e kryeministrit të ri, Pandeli Majko, ishte një akt që e angazhonte Shqipërinë drejtpërdrejt në luftë me Serbinë, përkrah NATO-s. Lidhur me këtë vendim, komandanti suprem i NATO-s, gjenerali Uesli Klark, ka shkruar: “Kryeministri i ri, Pandeli Majko, me një anglishte perfekte, miratoi çdo kërkesë timen: – A mund të përdornim edhe aeroporte shtesë? – Natyrisht përdor të gjitha aeroportet. – A mund ta riparonim rrugën për në Kukës? – Të lutem, riparojeni. – Po rrugën për në Shkup? – I ke të gjitha rrugët dhe mjetet në dispozicion. Merrni çfarë të doni”.

Ushtria Shqiptare praktikisht u angazhua në luftë të pashpallur me Serbinë. Divizioni i Kukësit gjendej në skalion të parë dhe në drejtimin kryesor të mbrojtjes së Shqipërisë. Ndërkohë, ky divizion u bë mbështetje e sigurt e shpinës së luftëtarëve të UÇK-së. Në territorin ku vepronte divizioni, UÇK-ja kishte bazat kryesore të saj. Fshatrat Padesh, Papaj, Gegaj, Kamenicë, Tropojë e Vjetër, Vlahen, Cahan etj., kanë qenë krejtësisht rajone veprimi e përqendrimi të UÇK-së. Ndërsa qendrat stërvitore në thellësi të zonës së mbrojtjes së Divizionit dhe në thellësinë strategjike të vendit u përdorën gjerësisht për përgatitje nga luftëtarët e UÇK-së. Prej territoreve të divizionit drejtoheshin për në Kosovë luftëtarët e UÇK-së, tashmë të stërvitur, të përgatitur dhe të armatosur prej Shqipërisë. Kishte dhe raste që sapo kalonin kufirin, binin në përpjekje me forcat serbe dhe zhvillonin luftime të ashpra, duke pasur të siguruar shpinën nga forcat e divizionit.

Në pranverën e vitit 1999 mjaft kuadro të ushtrisë shqiptare morën detyrë t’i përgatisnin luftëtarët e UÇK-së që vinin nga Perëndimi. Kuadrot dhe ushtarët shqiptarë e ndien përgjegjësinë dhe u mobilizuan për përgatitjen e kushteve për jetesë dhe stërvitjen e tyre, kur erdhën dhe luftëtarë të “Atlantikut” nga ShBA-ja, por dhe prej vendeve perëndimore si Kanada, Franca, Gjermani, Zvicra e kudo. Mosha e luftëtarëve varionte nga 15-74 vjeç.

Luftëtarët e lirisë kishin një respekt shumë të madh për eprorët e tyre. Kur vinin eprorët në qendrën stërvitore vazhdimisht ishin të shoqëruar me roje, si në luftë. I ruanin djemtë e UÇK-së eprorët e tyre me një besnikëri vetëmohuese. Organizimin e kishin të përsosur dhe konspirativ, kërkonin rregull e disiplinë, ishin me kulturë dhe edukatë, edhe në mes të pyllit kërkonin koshin e mbeturinave për të hedhur bishtin e cigares. Por, mbi të gjitha, gjënë më të shtrenjte në botë kishin Flamurin.

Luftëtarët e batalionit të “Atlantikut” kishin një vullnet të jashtëzakonshëm për të mësuar për luftën dhe dinamikën e saj. Pasioni më i madh i tyre ishte arma. Gjatë mësimit teorik dhe stërvitjes në terren, si dhe në çdo veprim kishin frymën e kritikës. Batalioni “Atlantiku” u stërvit në Mollas të Burrelit. Për stërvitjen e Batalionit “Atlantik” angazhuan ushtarakët më të përgatitur dhe atdhetarë të përkushtuar. Stërvitja zhvillohej në kazermat dhe poligonet e njësisë së Burrelit, në një terren mjaft të përshtatshëm.

Qyteza e Mollzave dhe poligonet përreth saj, në prill-majin e vitit 1999 ishin mbuluar nga gjelbërimi natyror dhe nga uniformat e kamuflazhit të një ushtrie të madhe. Në Mollza ishin përqendruar forca të shumta luftëtare, çka i habiti gjeneralët dhe atashetë ushtarakë të vendeve të NATO-s, kur bënë një inspektim në terren.

Luftëtarët ishin prej të gjitha moshave, por dominonte mosha e re, 18-25-vjeçare, djem dhe vajza. Ishin të gjithë të shëndetshëm, me trupa të hedhur, elegantë, me fytyra të bukura, që ishin rritur midis të gjitha të mirave në vendet perëndimore, që armët i kishin parë vetëm nëpër filma, tani kishin ardhur në Mollza, në këtë vend të fshehtë, për t’u përgatitur për luftë.

Ishin mbi 40 oficerë shqiptarë shumë të aftë që u ishte ngarkuar të zhvillonin stërvitje me luftëtarët e rinj të “Atlantikut”, por dhe kosovarë të ardhur nga Evropa e Kosova.

Oficerët shqiptarë e kishin kuptuar detyrën e tyre. Ata hartuan një program stërvitor tepër të ngjeshur. Për një muaj duhej t’u mësonin luftëtarëve që nuk kishin prekur ndonjëherë pushkë me dorë, të gjitha llojet e armëve të këmbësorisë, si dhe të zhvillonin qitje luftarake. Do t’u mësonin veprimet e ushtarit në fushën e luftimit. Të gjitha këto, ushtari i kohës së paqes, i mëson gjatë një viti stërvitor. Ndjenja e përgjegjësisë së këtyre oficerëve do të shtohej gjithnjë e më tepër, në procesin e zhvillimit të stërvitjes, kur shikonin etjen e atyre të rinjve për të mësuar gjithçka në një ditë. Por edhe më tepër shpirtin e këtyre oficerëve të talentuar, që ishin të zgjedhur me “kokrra”, e prekte fakti se djemtë dhe vajzat që po stërvitnin, do t’i nisnin për luftë. Këta nuk duhej të vriteshin kot. Këta duhej ta vrisnin armikun e të mos vriteshin prej tij. Këtu qëndronte thelbi i misionit të tyre të lartë. Prandaj oficerët e Shqipërisë Mëmë u kërkonin shumë në stërvitje. Nuk lejonin asnjë gabim në përdorimin e armëve. Nuk falnin asnjë gabim gjatë lëvizjeve në fushën e stërvitjes, që e konsideronin si fushë luftimi. Ata jepnin shembullin personal në çdo veprim, duke mos treguar lodhje në asnjë moment.

Disiplina e lartë në stërvitje, gatishmëria dhe mobilizimi i jashtëzakonshëm i vullnetarëve të lirisë për ta zbatuar pa hezitimin më të vogël çdo mësim, çdo sugjerim e korrigjim të oficerëve, ishte një shembull tepër i rrallë. Në marrëdhëniet me ushtarakët shqiptarë luftëtarët kishin shuar çdo ndjenjë kundërshtimi. Fjala e tyre ishte ligj. Disiplina e lartë, e ndërgjegjshme, bëri që të zhvilloheshin të gjitha stërvitjet, të gjitha qitjet (3-4) me pushkë, me automatikë, me mitraloz të lehtë e të rëndë, me mitraloz kundërajror 12,7 milimetër, me granatahedhës e me mortajë në mënyrë shembullore. Zhvillonin qitje me rreth dy mijë veta në ditë dhe asnjë incident nuk ndodhi në saje të zbatimit të përpiktë të rregullave të sigurimit teknik.

Djemtë e vajzat e Kosovës të ardhur nga Perëndimi si luftëtarë të UÇK-së jo vetëm morën mësimet e nevojshme për luftë, por dhe lanë tek ushtarakët shqiptarë mirësjellje dhe, veçanërisht disiplinë pune, disiplinë mësimi dhe disiplinë lufte.

Shumica e luftëtarëve ishin studentë që kishin ndërprerë studimet dhe me vetëdije të lartë atdhetare e kombëtare kishin ardhur të mësonin e të futeshin në luftë për ta çliruar Kosovën. Ata nuk mendonin fare se çdo të thotë të vritesh, të vdesësh pasi atë e kishin për krenari, sikur shkonin në dasmë. Atyre u mësonim edhe mortajën 82 mm. Ishin tepër kureshtarë dhe kërkonin të mësonin me hollësi çdo detaj. Kishte dhe luftëtarë që kishin kryer shërbimin ushtarak në ushtrinë jugosllave dhe tregonte se serbi nuk ua mësonte armët shqiptarëve, por i ngarkonte me punë të rëndomta.

Në qendrën stërvitore të UÇK-së në Mollas të Burrelit u trajnuan për një muaj e ca nga 1 800 – 2 500 luftëtarë. Ushtarakët shqiptarë hartuan një program stërvitor njëmujor të ngjeshur me elementët më të domosdoshëm për t’u përgatitur për luftë. Ai përmbante edhe zhvillimin e dy qitjeve duke pasur parasysh që mbi 90 % e luftëtarëve nuk kishin parë armë me sy. Ushtarakët shqiptarë çdo mëngjes herët merrnin togat e tyre dhe fillonin stërvitjen e cila zgjaste gjatë gjithë ditës. Luftëtarët kishin një nderim të veçantë për oficerët shqiptarë.

Qyteza e Mollzave çdo mëngjes zgjohej me Himnin Kombëtar të Flamurit. Të gjitha forcat rreshtoheshin në sheshin e nisjes për stërvitje. Të gjithë luftëtarët dilnin në rreshtimin ceremonial të ngritjes së Flamurit. Flamuri ngrihej me komandë dhe të gjithë qëndronin gatitu, si të ngrirë. Himnin e Flamurit e këndonte një togë. Populli i Burrelit u mahnit me disiplinën e kësaj ushtrie dhe me shenjtërinë që ajo tregonte për Flamurin, kryesimbolin e kombit.

Repartet e UÇK-së, në Mollza të Burrelit, por ai i Fekenit, treguan se ishin pjesë e një ushtrie të rregullt, e një ushtrie me ideale të shenjta çlirimtare dhe kombëtare. Ato ishin pjesë e një ushtrie me simbole, me flamurin e vet kombëtar.

Përfundim

Shqipëria në vitet ’90 të shek. XX u përballua me rënien e sistemit socialist, por vëmendja e saj ishte se Kosova duhej ndihmuar me çdo kusht. Kishte ardhur momenti më i volitshëm dhe i papërsëritshëm, që edhe ajo të ngrihej e të kërkonte të drejtat e veta, njëlloj si kombet e tjerë. Djemtë e Kosovës duheshin ndihmuar me gjithçka të mundshme për t’u stërvitur ushtarakisht e për t’u armatosur me qëllim që ta fillonin luftën çlirimtare në Kosovë. Grupet themeluese të luftëtarëve të UÇK-së në Shqipëri kanë ardhur nga tremujori i katërt i vitit 1991. Ushtarakët shqiptarë u mësuan luftëtarëve të gjitha armët e lehta të këmbësorisë, bënë përgatitje për qitje me armët e zjarrit, si dhe zhvilluan përgatitje taktike.

Luftëtarët e Kosovës të cilët ishin të përkushtuar në çështjen e lirisë, gjetën mbështetje në Shqipëri te patriotët e vërtetë, krijuan baza të sigurta, qendra ilegale stërvitjeje dhe bënë furnizimin me armë. Shpirti patriotik shqiptar u ngrit mbi politikën. Shqipëria, edhe pa dëshirën e shtetit të vet, mbeti bazë kryesore e UÇK-së dhe e luftës së Kosovës.

Ushtria Shqiptare praktikisht u angazhua në luftë dhe Divizioni i Kukësit u gjend në skalion të parë dhe në drejtimin kryesor të mbrojtjes shqiptare. Ky divizion u bë mbështetje e sigurt e shpinës së luftëtarëve të UÇK-së dhe në territorin ku vepronte divizioni, UÇK-ja kishte bazat kryesore të saj.

Djemtë e vajzat e Kosovës të ardhur nga Perëndimi si luftëtarë të UÇK-së jo vetëm morën mësimet e nevojshme për luftë, por dhe lanë tek ushtarakët shqiptarë mirësjellje, veçanërisht disiplinë pune, disiplinë mësimi dhe disiplinë lufte.

Marrë nga libri: “UÇK – vlerë kombëtare”, botim i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Filed Under: Politike Tagged With: Bernard Zotaj

Sulejman Vokshi, prijës dhe drejtues ushtarak

December 5, 2022 by s p

(Në kuadrin e 110 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë)

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Udhëheqësi ushtarak i Forcave të Armatosura të Lidhjes

Sulejman Vokshi lindi më 20 shkurt 1815 në qytetin e Gjakovës në një familje me tradita të shquara patriotike dhe luftarake. Ai është veprimtar, atdhetar dhe figurë e shquar e Lidhjes së Prizrenit. Në rrugën luftarake për 50 vjet, Sulejmani ka shpalosur në të gjithë veprimtarinë e tij të gjatë dhe të pasur luftarake, edhe një dimension, atë prej prijësi dhe drejtuesi ushtarak. Veprimtarinë patriotike e filloi që në moshën djaloshare. Në vitet 40 të shek. XIX mori pjesë me armë në dorë kundër Reformave të Tanzimatit dhe për këtë Porta e Lartë e kishte arrestuar, burgosur dhe internuar mbi 15 herë. Vet Sulejmani, nuk kishte ndjekur studimet e nuk kishte diplomë të ndonjë shkolle apo akademie ushtarake klasike, por ai me zgjuarsinë dhe intutën e tij natyrale njihnte dhe kishte përvehtësuar në arsenalin e tij një numër të madh elementësh të artit ushtarak të zbatuar në mënyrë krijuese, të mpleksur mirë me artin tradicional popullor dhe me taktikën e luftës popullore të trashëguara nga paraardhësit.

Kur u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, më 10 qershor 1878, ai ishte një udhëheqës popullor, me autoritet dhe i njohur në të gjithë Kosovën e në trojet shqiptare. Lidhja gjeti tek Sulejman Vokshi organizatorin dhe udhëheqësin e talentuar ushtarak. Këto aftësi të tij dolën më në pah në aksionin e Gjakovës dhe në luftimet kundër ushtrive malazeze për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë, në dimrin e vitit 1879-1980.

Lidhja Shqiptare Prizrenit e gjeti Sulejman Vokshin e përgatitur në të gjitha drejtimet si luftëtar e udhëheqës të shquar popullor dhe me koncepte të qarta politike e ushtarake. Ai ishte një nga nismëtarët e themelimit të saj dhe gjatë veprimtarisë së Lidhjes, një ndër udhëheqësit kryesorë, politikë e ushtarakë, anëtar i Komitetit Qendror dhe përfaqësues konsekuent i krahut revolucionar të saj. Ai qëndroi jo vetëm në ballë të luftës për mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare, por edhe të luftës për realizimin me forcën e armëve të autonomisë së mbarë trojeve shqiptare, e kushtëzuar nga rrethanat e brendshme dhe të jashtme, e luftës për fitoren e pavarësisë së plotë.

Qeveria e përkohshme e Lidhjes shqiptare e ngarkoi me detyrën e udhëheqësit ushtarak të Forcave të Armatosura të ushtrisë kombëtare të saj, ishte kryetar i komisionit të të ardhurave dhe i financave. Ishte drejtues i Degës së Lidhjes për Gjakovën dhe një nga organizatorët e ngjarjeve të saj që shpunë në vrasjen e marshallit osman, Mehmet Ali Pashë Maxhari. Si anëtar i Shtabit ushtarak të Lidhjes, Sulejman Vokshi ishte një nga udhëheqësit e luftëtarëve shqiptarë në betejat për mbrojtjen e Plavës e Gucisë, që shpunë në shpartallimin e forcave të Malit të Zi. Me shpalljen e autonomisë dhe krijimin e Kuvernës së Përdorme, ishte, krahas Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit e të tjerëve, në krye të kësaj me cilësinë e komandantit të Forcave për mbrojtjen. Forcat e Lidhjes nën komandën e tij brenda një kohe fare të shkurtër e shtrinë pushtetin popullor administrativ e ushtarak të Lidhjes në Shkup, në Prishtinë, në Mitrovicë, në Lumë, në Guci, në Vuçiternë e në Preshevë etj. Nën drejtimin e tij, si kryetar i shtabit të forcave shqiptare dhe me pjesëmarrjen e tij direkte, u zhvillua edhe lufta heroike për mbrojtjen e Lidhjes në Shtimje e Slivovë kundër forcave osmane të Dervish Pashës.

Lidhja organizoi një ushtrinë e rregullt shqiptare

Kulmi i veprimtarisë politike e ushtarake të të tij lidhet me luftën dhe përpjekjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për të realizuar me forcën e armëve autonominë e Shqipërisë. Në Qeverinë e Përkohëshme të Lidhjes, ai u caktua shef i seksionit ushtarak të saj me atributet e ministrit të Mbrojtjes dhe të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosuara. Brenda një kohe të shkurtër dhe nën drejtimin e Tij, Lidhja organizoi një ushtrinë e rregullt shqiptare.

Duke qenë në krye të kësaj ushtrie, filloi dhe realizoi çlirimin e tokave shqiptare nga administrata osmane. Ushtria e Lidhjes fillimisht në mënyrë të organizuar ndërpreu linjat telegrafike, rrethoi dhe detyroi administratën osmane që me sulm nga jashtë qendrës së banuar dhe me kryengritje nga brenda, i detyroi garnizonet ushtarake osmane të mbylleshin në kazerma dhe të respektonin autoritetin e urdhërat e Lidhjes. Administratën osmane, kudo, e shpërndau dhe komitetet vendore të Lidhjes merrnin drejtimin vendor, me punonjës shqiptarë. Në dhjetor të vitit 1880 ishin çliruar plotësisht dhe kishin administratën e tyre në Prizren, në Gjakovë, në Lumë dhe në Guci. Ndërsa në janar dhe në shkurtit të vitit 1881, ushtria e Lidhjes çliroi Prishtinën, Shkupin dhe Mitrovicën duke marrë nën kontroll dhe linjat hekurudhore. Autoriteti i saj shumë shpejt u instalua dhe në Tetovë, në Gostivar e në Dibër.

Në këtë periudhë të shkurtër kohorë Qeveria e Përkohëshme e Lidhjes, nuk pati kohë të organizonte si duhej, si pushtetin dhe forcat ushtarake në të gjitha vilajetet e Shqipërisë. Porta e Lartë vendosi ta shtypte Lidhjen e Prizrenit. Ajo dërgoi Dervish Pashën me disa gjeneralë dhe me një ushtri me mbi 30 batalione, të pajisura me teknikën më moderne të kohës, me topa, me bateri malore dhe me municione të bollshme. Trupat osmane fillimisht morën Shkupin dhe Ferizaj. Misioni kryesor i tyre ishte qendra e Lidhjes, qyteti i Prizrenit. Lidhja dha kushtrimin. Shqiptarët sipas traditës nxorrën burrë për shtëpi dhe rrokën armët. Mjaft luftëtarë iu përgjigjën thirrjes së Lidhjes.

Sulejman Vokshi gjatë mobilizimit të forcave dhe organizimit të qëndresës, kujdes i kushtoi informacionit. Ai mori të dhëna dhe informoi shtabin e ushtrisë shqiptare dhe dha dizinformacion për të mashtruar armikun. Kështu, mori masa dhe vendosi roja të përhershme, të cilat mbanin nën kontroll veprimet e nëpunësve të telegrafës së Prizrenit dhe të qyteteve të tjera. Telegramet e Dervish Pashës i lexonte Sulejman Vokshi dhe asnjë telegram i autoriteteve osmane nuk shkonte në destinacion. Sipas porosisë së Vokshit Stambolli edhe vet, Dervish Pasha u dizinformoheshin nga nëpunësit e telegrafës. Numri i luftëtarëve të Lidhjes në këtë kohë arriti deri në 45.000 veta. Informata ku të rreme, e ku tronditëse, futën panik e frikë në shtabin e Dervish Pashës. Siç do të shprehej dhe konsulli austro-hungarez, Krenvill, në raportin që i dërgonte Vjenës, se komandantët e ushtrisë osmane në përgjithësi ndjejnë një frikë të madhe nga forcat e Lidhjes. Kështu, komandant Vokshi, po përpiqej të fitonte kohë për vazhdimin e punës dhe për mobilizimin e forcave.

Disa dukuri të veprimeve luftarake të Lidhjes

Sulejman Vokshi me Shtabin ushtarak të Lidhjes përcaktoi në kohë dhe drejt rajonet e mbrojtjes, pozicionet, në të gjithë gjërësinë dhe thellësinë e saj. Brezi i mbrojtjes të forcave të Lidhjes shkonte deri në 10 km gjerësi dhe nga 18 deri në 25-30 km thellësi. Formacioni luftimit sipas detyrës së vendosur nga shtabi i luftës u ndërtua në dy skalione. Në skalionin e parë që përshkuante vijën Zaskok-Nerodime-Slivovë u përqëndruan repartet pararojë që shkonin deri në 2.000 luftëtarë dhe në skalionin e dytë Shtimlje-Topican u përqëndruan forcat kryesore me rreth 4.000 luftëtarë.

Komandant Vokshi i mbajti forcat kryesore në skalion të dytë. Këtë ai e bëri për të pasur mundësi manovrimi dhe goditjeje të befasishme nga një drejtim në tjetrin, sipas situatës që do të merrte luftimi. Ndërsa vendkomandën dhe Shtabin e vendosi në Shtmlje që të mbante lidhje telegrafike dhe me korierë me qeverinë e Lidhjes. Forcat osmane sulmuan më 16 prill në drejtim të Slivovës, por forcat shqiptare, me qëndresë dhe të mirë organizuara e të fortifikuara, e përballuan sulmin osman. Për katër ditë e netë i mbrojtën pozicionet para kodrave të Silovës. Ndërsa me 20 prill, në mëngjes Dervish Pasha, sulmoi në shkallë të gjërë në të gjithë vijën e skalionit të parë në Slivovë, në Shtimlje dhe në Grykën e Caralevës, me synim pushtimin e Prizrenin. Mbi 15.000 ushtarë osmanë sulmuan në tri drejtime: në drejtim kryesor, me 7 batalione kundër Shtimljes, në të majtë, kundër Slivovës, me 6 batalione dhe në të djathtë, kundër Grykës së Caralevës. Ndërsa Dervish Pasha, me dy bateri topash e dy batalione sulmoi Slivovën, ku zuri një kodër të vogël, prej nga drejtonte zjarrin e artilerisë. Pas luftimeve të ashpra në Slivovë, luftëtarët e Lidhjes u tërhoqën në mënyrë të organizuar. Ata organizuan qëndresë në Shtimlje e në Grykë të Caralevës. Në këto beteja madhore u shfaq heroizmi masiv i luftëtarëve shqiptarë, ku ranë duke luftuar rreth 1200 luftëtarë.

Në luftimet e zhvilluara nga Forcat e Lidhjes u zbatua me mjeshtëri taktika tradicionale e luftës popullore. Komandanti ushtarak i ndau forcat në grupe të vogla, nga 80-200 luftëtarë, të cilat me sulme e kundërsulme, nga lart poshtë, në kodrat e Slivovës, i rrëmbyen në fillim armikut inisiativën në shkallë taktike. Kronisti i kohës do të shkruante, se prita dhe presioni i shqiptarëve u bënë aq të papritura sa, në çastin e parë ushtria osmane u detyrua të tërhiqej. Sulmi i shqiptarëve u përsërit disa herë. Dervish Pasha pruri në kodrën përbri Slivovës dhe 6 topa, të cilët hapën zjarr… më shumë se një orë e gjysëm. Mic Sokoli nga Malësia e Gjakovës, duke parë dëmin që shkaktonte bateria osmane, me disa luftëtarë sulmuan drejt kodrës për ta asgjësuar baterinë, por ranë heroikisht, aty, para grykave të topave. Zjarri i artilerisë solli pasoja të rënda për forcat e skalionit të parë, të cilat u detyruan të tërhiqen drejt Shtimljes, nga pozicioni në pozicion.

Luftëtarët shqiptarë në këto beteja ndërmorën veprime të ndryshme taktike, të studiuara me zgjuarësi e trimëri. Veprimet kryheshin si ditën, ashtu dhe natën, duke ruajtur fshehtësinë e siguruar befasinë mbi armikun. Komandant Sulejman Vokshi kishte bërë plan dhe u përpoq të asgjësonte shtabin e forcave osmane me Dervish Pashën në krye. Një vend të veçantë në sigurimin e goditjeve të befasishme zuri dhe kalorësia shqiptare. Në Shtimlje shqiptarët vunë në pozicionet e tyre kësulat e bardha, manovruan e goditën në mënyrë të befasishme osmanët.

Në krye të betejave në Slivovë, në Shtimlje e në Caralevë

Forcat e Lidhjes me taktikën e tyre arritën të kompensionin mangësitë që kishin në armatim. Ushtria e Lidhjes ishte e pajisur me pushkë me çark që mbusheshin nga gryka, duke i humbur shumë kohë luftëtarit dhe nuk e hidhnin plumbin më shumë se 100-120 metra, ndërsa ushtria osmane ishte e pajisur me pushkë dhe me shumë fishekë të bollshëm, me pushkë të prodhimit amerikan dhe anglez, me topa gjerman dhe mitralozë amerikan, që kishin nga 6 deri në 12 gryka. Pushkët martin që kishte ushtria e Lidhjes ishin të pakta dhe kishin shumë pak fishekë për të luftuar. Në këto kushte luftëtarët shqiptarët përdorën me sukses luftimin e afërt, pritën, e deri luftimin trup me trup që zgjati disa orë në Shtimlje. Armiku goditej me thika, me jataganë, me kosë, me sfurk, me drapër, me sopatë, me dajak, si dhe përdorej bari i thatë dhe vajguri etj. Në sajë të përdorimit të luftimit të afërt, shqiptarët mundën të ulnin në një shkallë të madhe efektin e pushkëve, dhe sidomos të artilerisë dhe i shkaktuan armikut humbje.

Kodrat e Slivovës e të Shtimljes, të cilat ngrihen në një lartësi nga 40-170 metra, ishin të zhveshura përballë artilerisë osmane. Dhe pse ishin ndërtuar transhe e pozicione, nuk ishin të përshtatshme për mbrojtje. Dokumenta gjermane, theksojnë se Dervish Pasha e priste rezistencën e shqiptarëve në Grykën e Caralevës. Në fakt, në Grykën e Caralevës u organizua një betejë e fuqishme dhe u bë një qëndresë titanike. Sulejman Vokshi dhe drejtuesit ushtarak të Lidhjes prisnin të vinin nga Prizreni, forca të tjera të Lidhjes. Ato erdhën, por me vonesë dhe ushtria osmane e kishte kaluar Grykën e Caralevës. Këto forca ishin të pakta. Bashkë me këto, shtabi i Sulejman Vokshit organizoi një qëndresë më 21 prill në Qafën e Duhlës. Këtu u zhvilluan luftime të ashpra. Luftëtarët shqiptarë u detyruan të tërhiqen. Dervish Pasha, e theu qëndresën në portat e Prizrenit, në Suharekë dhe hyri me mjaft batalione në Prizren më 23 prill.

Epërsia e madhe në njerëz dhe në teknikë ishte i vetmi faktor që i detyroi forcat e Lidhjes të tërhiqeshin. Ata u tërhoqën me mjeshtëri dhe luftuan ditë të tëra me heroizëm. Në këto luftime e beteja, forcat e Lidhjes organizuan dhe luftë frontale. Që nuk u përballuan forcat osmane si duhet, kjo lidhet më armatimin e tyre të pakët në numër, të vjetëruar, me mungesa në municion, si dhe me numër të pakët të luftëtarëve.

Sulejman Vokshi, pas betejave në Slivovë, në Shtimlje e në Caralevë, i riorganizoi forcat në grupe të vogla dhe me shpejtësi i kaloi nga lufta frontale, në luftën e çetave. Kjo ishte një tërheqje operative-strategjike, e domosdoshme për të ruajtur forcat e për të vazhduar luftën në të ardhmen. Në thelb ky veprim taktik ishte një operacion kalimi, i cili për rëndësinë që ka e vështërsitë që paraqet, tregon për përvojën e madhe luftarake të Sulejman Vokshit dhe të luftëtarëve të Lidhjes. Ky kalim tepër i vështirë u realizua pa ndërprerje të veprimeve luftarake, në tërheqje e sipër, duke i ndarë repartet në grupe të vogla, e duke shfrytëzuar mirë e me mjeshtëri terrenin malor.

Sulejman Vokshi përfaqëson figurën madhështore të atdhetarit

Lidhja Shqiptare e Prizerenit u shtyp. Sulejman Vokshi me shumë luftëtarë u tërhoqën në Malësi të Gjakovës. Në këtë krahinë, me male të larta, e me një popullsi, që pati përkrahur aktivisht Lidhjen, ai organizoi qëndresë të pakapërcyeshme për forcat e ushtrisë osmane. Malësia e Gjakovës e mbrojtur nga 3.000 luftëtarë, me Sulejman Vokshin, mbeti zonë e lirë, bazë e luftëtarëve, ku, herë pas here, u ndërmorën sulme kundër garnizoneve osmane në Gjakovë, në Pejë e në Prizren. Në shkurt 1885, përsëri nën udhëheqjen e Sulejman Vokshit shpërthye një kryengritje tjetër e fuqishme. Por Stambolli dërgoi forca të mëdha ushtarake. E shtypi kryengritjen dhe në pabesi e zuri Sulejman Vokshin. Gjykata ushtarake në Prizren e dënoi me vdekje, kurse familjen e tij me internim të përjetshëm në Fezan të Tripolit. Në vendimin e gjykatës osmane thuhej se fama që ka fituar Sulejman Vokshi për veprimtarinë e efektshme e të fuqishme antishtetërore… dihet nga e gjithë bota. Ai ka qenë organizator, frymëzues dhe pjesëmarrës i të gjitha akteve e veprimeve të kryengritësve që kanë ndodhur gjer tani në këto anë, si dhe kreu i krerëve të të gjithë kryengritësve. Ky ishte vlerësimi më i saktë që i bënte kundërshati i tij. Por, për shkak të popullaritetit të Tij dhe të presionit të lëvizjes kombëtare shqiptare, shteti osman u detyrua ta kthente dënimin me vdekje, në dënim me burg, e më pas, ta lironte komandantin e Lidhjes.

Për shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë dhe kudo që ata janë, Sulejman Vokshi përfaqëson figurën madhështore të atdhetarit dhe luftëtarit të rrallë në luftërat për liri dhe autonomi të Shqipërisë. Por, veç këtyre cilësive të rralla, ai ishte dhe u shqua midis bashkëluftëtarëve si: një prijës dhe drejtues me veçori natyrale, i përmasave të mëdha në organizimin e forcave të rregullta dhe në drejtimin e veprimeve të shumta luftarake. Për këto, për kontributin e tij të veçantë në çlirimin dhe pavarësinë e trojeve shqiptare, ai çmohet dhe nderohet shumë nga shqiptarët, por jo vetëm. Ai është bërë pjesë e kahershme dhe e padiskutueshme e historisë sonë kombëtare. Por ai është edhe pjesë e historisë ushtarake shqiptare, për ato dukuri dhe të veçanta që solli në fushën e artit dhe të mendimit ushtarak shqiptar.

Populli shqiptar e ka përjetësuar birin besnik të tij, komandantin e shquar në këngët e në vepra letrare, në piktura dhe skulptura etj. Në kuadrin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shteti shqiptar i dha Sulejman Vokshit titullin, Hero i Popullit.

Filed Under: Histori Tagged With: Bernard Zotaj

Parësia dhe Ismail Qemali

November 26, 2022 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/

Në këngët e Labërisë

Për fisnikët shqiptarë na vjen në ndihmë një këngë e Labërisë, e krijuar në shek. XVIII-XIX, e gjetur në fshatin Brataj.
“Gjemit e turkut errin,/ Të mbledhin parësinë,/ Selim Agon në Vlorë,/ Me Meçanin dorë për dorë,/ Byzylykët i hodhnë./ Beqir Velon në Kaninë,/ Laton e Dalan Seinë,/ Me Fejzo bej Risilinë,/ Mahmut Hoxhë Tragjasinë,/ Kamber Delo bukurinë,/ Në Dukatë Dervshi Alinë,/ Në Kropisht Zybo Tahirë./ Në Mavrovë Xhafer Salinë,/ Në Shkozë Imer Alinë,/ Mustafa Begë birbilë./ Në Raçaj Fegë Mahilë,/ Rustemaj Tozo Beqirë,/ Selfo Liço derëzinë,/ Dhe në Vajzë dy nishanë,/ Meten e Sadik Çobanë,/ Gumenicë Haxhi Rrapnë,/ Në Gjormë dy spahillarë:/ Habiti me të vëllanë,/ Në Velç Selam Hasanë,/ Në Tërbaç Lulo Abazë,/ Në Vranisht Sefer Miftarë,/ Në Brataj Matan Haxhinë,/ Lilo Qendro Nishanllinë,/ Dule Zoton në Smokthinë,/ Në Armen muarr Sadiknë,/ Dhe në Mekat Ismailnë./ Zeqo Xhafë Karbunari,/ Sadiden Ahmet Vasjari,/ Kalivaç trimat e mirë:/ Dule Maton me Xhelilë,/ Të gjithë krerët i lidhë,/ I nisën për në Janinë,/ Në Stamboll na i pyetnë, Edhe në Alep i tretnë”.
Pushtuesit osman, si gjithë pushtuesit, i shkatërruan arkivat e Skënderbeut dhe nuk lejuan krijimin e arkivave, por populli i mbajti në kujtesë, u këndoi brez pas brezi, shekull pas shekulli. Kënga tregon se parësia punoi dhe luftoi në krye të popullit për Shqipërinë. Kënga vërteton se, lufta për çlirimin e Shqipërisë nga perandoria osmane nuk ishte projektuar nga Ismail Qemali, por shekuj më parë, madje, menjëherë pas pushtimit dhe në vazhdimësi, ndërsa Ismail Qemali arriti ta realizonte ëndrrën shekullore. Emrat e këtyre trimave, të cilët luftuan dhe dhanë jetën, u përjetësuan, në këngët popullore, në kujtesën e kombit. Këngët e popullit mjaft studiues, me shumë të drejtë, i quajnë “arkiv të gjallë i historisë së popullit shqiptar”.
Zjarrin e luftës për liri e mbajti të gjallë i gjithë populli, që u organizua, u drejtuan dhe u udhëhoq nga parësia e krahinave. Emrat që përmend kënga labe tregon se të gjithë ishin të pasur, se parësia e vendit, që këngëtari popullor i ka quajtur bejlerët dhe agallarët, e që luftuan kundër pushtimit osman ishin patriot e luftëtar. Parësia luftoi së bashku me popullin e thjeshtë. Por puna ishte se për të shuar idenë e çlirimit nga pushtuesi, osmanët internonin dhe vrisnin parësinë, që të bindej popullit të thjeshtë.

Fisnikët e Shqipërisë

Ata që krijuan Shqipërinë nga Ismail Qemali e deri tek ai më pak i vlerësuari, ishin fisnikë e të pasur. Më tej në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në kryengritjet shqiptare të viteve 1011-1912, ata që drejtuan lidhje dhe kuvende si Abdyl Frashëri, Ali Pashë Gucia, Sulejman Vokshi, Isa Boletinin etj., ishin të pasur. Ishin familjet e mëdha ato që mbajtën të ndezur zjarrin e patriotizmit. Në mesjetë u ngrit Skënderbeu, së bashku me familjet më të mëdha fisnike, për çlirimin e Shqipërinë dhe e mbajti për 25 vjet të lirë nga pushtuesi osman. Edhe Gjergj Arianitasi, i ati i Donikës, kishin shfaqur patriotizëm. Ishin fisnikët e mëdhenj shqiptarë që mbanin ndezur zjarrin e atdhetarisë.
E rëndësishme është të dihet edhe se kur shkoi Ismail Qemali, në vitin 1908 në Vlorë dhe krijoi shoqatën “Labëria”, rreth tij u mblodhën stërnipërit e atyre, që këndohen në atë këngë, të cilët turku, pasi i kapi në befasi, i gjykoi në Stamboll dhe “i treti,” i internoi dhe ata vdiqën në Alep të Sirisë së sotme. Veprimtarinë Ismail Qemali në Shqipëri e zhvilloi, duke pasur mbështetjen e pasardhësve të patriotëve të harruar në varre pa emër në Siri.
Qeveria turke, mbas ardhjes së Ismail Qemalit, i cili këshilloi për hapjen fshehtas të shkollave shqipe, bëri të njëjtën veprim, si atë që përmend kënga më sipër, duke kapur fshehtas një pjesë të parisë së Vlorës dhe të Labërisë, të cilët i vari në rrepet e Janinës.
Këta stërnipër të atyre që, një shekull më parë, i kishin internuar në Alep të Sirisë, luftonin për çlirimin e Shqipërisë, u kapën befasisht nga osmanët dhe i varën. Të tjerë më vonë do të udhëhiqnin luftën për të mos lejuar grekët të pushtonin Janinën në 1913. Të tjerë stërnipër organizuan dhe drejtuan Luftën për çlirimin e Vlorës në 1920 nga pushtuesit italianë. Fakt është se luftën kundër pushtuesit italian në vitin 1920 e nisën fisnikët. Populli i varfër i ndoqi këta fisnikë sepse vet nuk ishte në gjendje të kuptonte dhe të ngrihej për luftë kundër pushtuesit osman për të krijuar Shqipërin.

Vegjëlinë shqiptare e udhëhoqën fisnikët

Të gjithë firmëtarët e shpalljes së Pavarësisë ishin “bejlerë” dhe “agallarë”. Familjet e mëdha i edukuan fëmijët e tyre me ndjenjën e nderimit ndaj ligjit. Gjyshët i edukuan nipat e tyre me shprehjen “o bëhu i mirë, o mos u bëfsh!”. Që në fëmijëri merret edukata e nderimit të ligjit së bashku me qumështin e nënës. Të tilla ishin thuajse pa përjashtim familjet fisnike. Ndërsa tani janë bërë “udhëheqës” shteti mjaft që nuk përulen para ligjit. Ata pasurohen duke e shkelur ligjin dhe siç ka shkruar Ali Asllani, se “në drekë janë pa brekë, në darkë milionerë…”.
Duhet pranuar se regjimi monist i shkatërroi familjet fisnike. Ai zhduku fisnikëritë. Edhe ndokush, që arriti të bëjë diçka nuk e kanë lënë të ecë përpara, sepse tërë jetën mbeti i izoluar nga jeta shoqërore. Edhe ata që, kanë arritur të bëhen njerëz të mëdhenj, kanë mbetur përjetësisht të harruar, edhe se i kanë dhënë shumë se kushdo tjetër Shqipërisë…
Zhdukja e fisnikërisë edhe në sistemin e demokracisë është fatkeqësia më e madhe e kombit shqiptarë. Në se në Shqipëri do të drejtonin fisnikët, ne do të ishim vendi i parë ish komunist, që do të bashkohej me Europën dhe jo i fundit. Edhe Kosova do të ishte e bashkuar me Shqipërinë. Dhe ne sot do të ishim vend me ligje të forta dhe ekonomi të zhvilluar. Këtë nuk mund ta bëjnë ata, që nuk e njohin shenjtërinë e ligjit dhe thonë ndryshe nga sa veprojnë.
Intelektualët sot kanë mbetur fisnikëria e vetme e kombit. Këtyre u kërkohet më shumë se kurrë që të punojmë së bashku, për t’u hapur sytë shqiptarëve, të ecim më shpejt përpara. Është, në radhë të parë, detyra e njerëzve më të kulturuar të kombit, me ndjenja fisnike në shenjtërimin e ligjit, ta çojmë kombin shqiptar atje ku e ka vendin, në ballin e vendeve më të kulturuara të Evropës.
Në librin “Vëllai i pengut” Reshat Agaj do të theksonte se “…në rininë e vet Ismail Qemali vizitonte shpesh Smokthinën, vendlindjen e Agajt, dhe kishte rënë në dashuri me bukuritë e fushës së Mesaplikut, që përshkohej si gjarpri nga Shushica e bardhë dhe e kulluar, rrethohet nga malet e Vetëtimës (Akroqeraunët e vjetër të Ilirëve) nga një anë dhe nga ana tjetër prej maleve të Çipinit, Këndrevicës dhe Tartarit, duke pasur mbi krye grykën strategjike të Kuçit. Agallarët e Smokthinës, duke parë këtë bir të Vlorës që shprehte kaq dashuri për këtë vend, u mblodhën dhe ia caktuan një pjesë të fushës, aty anës së lumit të mbushur me rrepe shekullorë, si pronë të tij dhe sot e kësaj dite, që është përdorur që në kohë të lashta si vend mbledhjeje, si kuvend, quhet “Rrapet e Ismail beut”. Kjo copë tokë në kohën që ne ishim në Shqipëri, dhe besoj edhe sot, nderohet si një vend i shenjtë dhe asnjëri nuk guxonte atëherë të priste një copë dru në rrapet, sepse besohej nga fshatarët se kush vë dorë mbi të prish një vakëf të Perëndisë dhe pëson një të keqe”.
Tek Rrepet e Ismail Qemalit në Mesaplik është ngritur nga djalëria labe një memorial i bukur ku në qendër ka Ismail beun dhe në të dy anët e tij burrat e shquar dhe fisnikët e Lumit të Vlorë, të Rrëzës dhe të Shullërit.
Foto: wikipedia

Filed Under: Komente Tagged With: Bernard Zotaj

KUJTOJMË AGRESIONIN, 2 GUSHT ‘49

August 2, 2022 by s p

Prof.As.Dr. Bernard Zotaj (Mjeshtër i Madh)/

Më 2 gusht 1949 në zonën kufitare në Juglindje të Shqipërisë me bazë në rajonet e Korçës, të Leskovikut dhe deri në Konispol të Sarandës e në Likojan, u kryen veprime ushtarake në shkallë të gjerë nga shteti i Greqisë. Këto veprime të armatosura ushtarake nuk ishin thjesht provokacion apo provokacion ushtarak (i armatosur) siç është cilësuar nga shteti shqiptar në vitin 1949, e që vazhdon të trajtohet nga historia zyrtare shqiptare, si dhe nga studiues civil dhe ushtarak, por agresion ushtarak.

Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe thuhet se provokacioni është goditje e ndeshje me armë, e organizuar qëllimisht nga një shtet… kundër një vendi të pavarur, për të krijuar shkak për ndërhyrje të armatosur e për të sjellë trazira. Shteti grek dhe Forcat e tij të Armatosura kishin vite që provokonin, kryesisht në të gjithë vijën kufitare, nga Prespa deri në kanalin e Korfuzit e që ndërmerrnin, akte të tilla, por në vitin 1949, duke filluar që nga janari ato do të përshkallëzoheshin pak nga pak, duke ardhur tek 2 gushti 1949 që në mënyrë masive nisi sulmi i armatosur kundër vendit tonë.

Po në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe theksohet se agresion i armatosur është “Sulm i armatosur i një shteti kundër një shteti tjetër për t’i pushtuar tokat e për ta nënshtruar, për të shtypur lëvizjet demokratike, revolucionare ose nacionalçlirimtare dhe për të vendosur regjime reaksionare; luftë e ashpër që bën një shtet për të depërtuar me mënyra të ndryshme në një shtet tjetër e për ta dëmtuar nga ana ekonomike, politike, ideologjike e kulturore”.

Në rezultat të ballafaqimeve të dy forcave ushtarake, por dhe të shpjegimit të fjalorit të gjuhës shqipe del se nuk ka qenë provokacion, por agresion ushtarak. Këtu kemi parasysh qëllimin, objektivat politikë, forcat pjesëmarrëse (ku pala greke i kishte të organizuara Forcat e Armatosura në të tre llojet e tyre), grupimi i forcave dhe mjeteve, pjesëmarrëse në agresion, kohështrirja, që është jo tipike për incidentet dhe provokacionet, por për një agresion, në rastin konkret me synime dhe objektiva të kufizuara (jo e përfshirë në të gjithë territorin e vendit), por të një pjese të tij dhe posaçërisht në atë që gjithmonë pala greke e quan “Epiri i Veriut”.

Agresioni ushtarak i ndërmarrë nga forcat monarko-fashiste (m-f) greke ishte një agresion ushtarak me objektiva të pjesshme dhe në përfundim edhe agresion ushtarak me objektiva vendimtar.

Analiza e veprimeve luftarake të FA greke të gushtit 1949, tregon qartë se nuk kemi të bëjnë me një incident, as provokacion, por me një luftë të armatosur me të gjitha format, metodat, qëllimet, karakteristikat dhe elementet e një agresioni ushtarak për pushtim, ku vihen përballë dy shtete dhe Forcat e tyre të Armatosura. Nuk ka rëndësi se u zhvillua në një pjesë të kufirit e territorit të vendit, por qëllimet ishin të plota, kapja dhe mbajtja e territorit të përcaktuar prej tyre. Veprimi ushtarak i armatosur grek i 2 gushtit 1949, ishte vazhdim i idesë së kahershme aneksioniste për pushtimin e të ashtuquajturit “Vorio-Epiri”. Greqia nuk kishte dhe madje nuk ka abroguar edhe sot e kësaj dite ligjin e luftës, nuk ka hequr dorë prej synimit të saj.

Forca m-f të Greqisë sulmuan Shqipërinë me mbi 70 mijë ushtarë, 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 gryka zjarri, kryesisht topa. Ushtria Kombëtare Shqiptare mobilizoi dhe futi në luftimet aktive mbrojtëse rreth 10 mijë ushtarë, ndërkohë kryen rigrupim e përqëndrim pranë rajonit të veprimeve luftarake rreth 30 mijë trupa të tjerë, në gatishmëri për të vepruar në fushën e betejës.

Veprimet luftarake edhe pse të shkëputura e si provokacion kryheshin prej shumë kohësh më përpara vazhduan me intesitet më të lartë nga 2 gushti deri në 5 shtator 1949. Me ndërprerje ato u shtrinë në zonat e Bilishtit, Kapshticës, Leskovikut dhe Konispolit. Shqipëria pësoi dëme në njerëz, ushtarakë dhe civilë të vrarë, si dhe dëme materiale në fshatrat pranë kufirit. Forcat m-f greke, lanë mjaft ushtarë të vrarë në territorin shqiptar, si dhe rob lufte.

Studimi i provokacione apo agresionit ushtarak të gushtit të vitit 1949 përbën një pjesë të rëndësishme të historisë së Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe të popullit shqiptar. Trajtimi i këtij provokacioni apo agresioni është një detyrë e rëndësishme e historiografisë shqiptare në përgjithësi dhe të asaj ushtarake në veçanti. Edhe pse provokacionet apo agresioni ushtarak i gushtit të vitit 1949 nuk ka mbetur jashtë vëmendjes të historiografisë shqiptare, studimet për të, sidomos të karakterit monografiko-ushtarake kanë qenë tepër të kufizuara.

Me këtë libër është bërë një përpjekje pozitive, një kontribut i shkëputur nga mozaiku i veprës heroike të Ushtrisë Shqiptare për mbrojtjen territoriale të Shqipërisë tonë të dashur. Kështu, besojmë se do të ndihmojmë për të edukuar brezat dhe njerëzit me kulturën e domosdoshme të përkujtimit dhe vlerësimit të luftës së tyre. Detyrë që dëshirojmë ta plotësojmë me monografinë “Agresioni ushtarak-Gusht ‘49”.

Në këtë agresion ranë 87 kufitarë dhe oficerë të cilët janë Dëshmorë të Atdheut, midis tyre dhe Heroi i Popullit Memo Nexhipi, u plagosën mbi 100 ushtarë, kuadro dhe civilë, u dekoruan me “Urdhërin e Trinërisë” mbi 180 ushtarë, oficerë dhe civilë dhe Postës Kufitare të Vidohovës ju dha titulli “Hero i Popullit”. 

Filed Under: Histori Tagged With: Bernard Zotaj

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT