Nga Bardhyl Mahmuti/
Që nga 9 maji 2015, dita kur pushteti terrorist i Maqedonisë bëri agresionin ushtarako-policor mbi pjesën shqiptare të Kumanovës, në opinionin publik shqiptar domonin pyetjet lidhur me
përgjegjësinë e BDI-së në këtë dhunë shtetërore dhe revoltën pse nuk tërhiqet nga ky koalicion antishqiptar.
Për të sqaruar këto çështje, udhëheqësi i BDI-së, Ali Ahmeti, zgjodhi dy intervista të gjata televizive: intervista e parë e zhvilluar më 14 maj me gazetarin e TV ALSAT M, Muhamet Zeqirin dhe intervista e dytë e zhvilluar më 19 maj me gazetarin e TV KLAN dhe publicistin e njohur shqiptar Blendi Fevziun.
Do të veçoj vetëm disa qëndrime nga këto dy intervista e që na ndihmojnë të kuptojmë përgjegjësinë reale të këtij pushtetari të shtetit maqedonas në terrorin e Kumanovës.
Fillimisht po ndalem në refuzimin e Ali Ahmetit që të ndërmjetësojë për t’u hapur rrugë ish- bashkëluftëtarëve të vet që të tërhiqeshin nga Kumanova.
Rreth kësaj çështjeje, që u përsërit në të dy intervistat, Ali Ahmeti nuk tregoi se ish-bashkëluftëtarët e tij kërkonin të tërhiqeshin jo për të shpëtuar kokat e tyre, por për të shmangur rrezikimin e civilëve që ishin vënë përballë një agresioni të paparë as gjatë luftës së vitit 2001. Përkundrazi. Ai nuk tha asnjë fjalë për barbarinë e forcave terroriste maqedonase ndaj popullsisë shqiptare por u përpoq që ish-bashkëluftëtarët e vet t’i paraqesë si njerëz që “kanë gabuar dhe që preokupoheshin të mos digjeshin të gjallë.”
Pas bisedës së parë që kishte pasur me Muhamet Krasniqin (njërin nga pjesëtarët e grupit të armatosur) dhe kohës që kishte kërkuar për të “menduar” Ali Ahmeti nuk iu përgjigj pyetjes nëse kishte komunikuar me autoritetet qeveritare dhe me partnerët e vet Nikolla Gruevskin, Sasha Mijallkovin dhe Gordana Jankullovskën.
Por, Ali Ahmeti si “burrë kanuni” u është përgjigjur se “nuk mund t’u hapë rrugë, nuk marr një përgjegjësi aq të madhe sepse edhe po të muj ta bëj, dikush me u vra në besën time faji më mbetet mua”.
Përderisa i referohet ndërmjetësimit kanunor (me hi dorzan) kur dikush kërkon besë nga ndonjëri që gëzon autoritetin e burrit të fjalës po i kujtoj lexuesit se «çështja e dorëzanisë» në të drejtën zakonore, e vlefshme për një periudhë kohore që nuk mund të lidhet me kontekstet historike aktuale, precizon qartë edhe punën e dorëzanisë. Të gjithë atyre që u interesojnë detaje rreth kësaj çështjeje mund të lexojnë në tërësi Kanunin e Lekë Dukagjint. Unë po shkoqis vetën një element: “Dorzânë e bestàr nuk hîn kush pa leje të zot’t të shpis” (citohet me transkriptimin e moçëm fonetik).
Ali Ahmeti në asnjërën intervistë nuk tregoi se ata që i konsideron për zot shpie (Nikolla Gruevski, Sasha Mijallkovi dhe Gordana Jankullovska) nuk i kishin dhënë leje t’u hapte rrugë ish-bashkëluftëtarëve të vet. Por, si partner i Nikolla Gruevskit, Sasha Mijallkovit dhe Gordana Jankullovskës dhe “me leje të zot’t të shpis” Ali Ahmeti “hîn dorzânë e bestàr” që të dorëzoheshin luftëtarët shqiptarë dhe garanton respektimin “ standardet ndërkombëtare”.
Të gjithë e kanë parë nga publikimet e pushtetit poshtërimin që janë munduar t’u bëjnë robërve të dorëzuar në besë të Ali Ahmetit. Të gjithë e dinë se ndaj të dorëzuarve dhe civilëve të arrestuar në Kumanovë janë përdorur standardet e pushtetit terrorist të Maqedonisë. Është bërë publike, madje edhe nga një “avokat i popullit” që deri dje ishte instrument i verbër i pushtetit, se ky pushtet ka përdorur tortura çnjerëzore ndaj të arrestuarve. Të gjithë e dinë se pas dorëzimit disa pjesëtarë të grupit të armatosur janë ekzekutuar pa gjyq.
Dy intervistat e lartpërmendura ishin rast i mirë që Ali Ahmeti të distancohej nga pushteti terrorist, të tërhiqej nga partneriteti terrorist antishqiptar dhe të kërkonte falje për tërë dëmin që u bë në Kumanovë. Por, ai nuk e bëri një gjë të tillë. Ai bëri edhe më keq se kaq. Jo vetëm që fshehu faktin se “marrëveshja gojore sipas kanunit” parashihte që grupi i armatosur t’i dorëzohej OSBE-së e jo forcave të pushtetit terrorist VMRO-BDI, Ali Ahmeti shkoi edhe më larg në fshehjen e së vërtetës. Pasi bëri publik “shqetësimin” e tij se dikush ka mundur të qëlloj në momentin e dorëzimit dhe vrasja eventuale e dikujt do t’i ngarkohej si vrasje në “besë të tij”, Ali Ahmeti pa iu dridhur qerpiku deklaroi se “gjatë momentit të dorëzimit është qëlluar me armë dhe se janë vrarë tre policë.” Kjo është forma më banale e fshehjes së gjurmëve të ekzekutimeve kriminale që ka bërë shteti ndaj robërve të luftës dhe fajësimi i viktimave si përgjegjës për vrasje në “pabesi”.
Është koha që Ali Ahmeti të ndërpresë këtë lojë të dëmshme për shqiptarët.
Ai duhet ta dijë se gjatë periudhës që ishte në pushtet (herë me LSDM-në e herë me VMRO-në) premtonte se ndaj shqiptarëve do të aplikoheshin standardet më të larta ndërkombëtare, përderisa realiteti dëshmonte të kundërtën.
E njëjta gjë u premtua e edhe në procesin e montuar të Sopotit I dhe II, dhe dihet se çka ndodhi. Njerëz të pafajshëm u torturuan çnjerëzisht me “standardet maqedonase” dhe u mbajtën padrejtësisht për më shumë se 7 vjet nëpër burgjet maqedonase. Përgjimet e partnerëve të tij dëshmuan se edhe Sasha Mijallkovi dhe Gordana Jankullovska ishin të bindur për pafajësinë e shqiptarëve të dënuar në këtë proces të montuar por nuk i lironin për shkak se shteti duhej të paguante dëmshpërblim. E njerëzit e BDI-së hyjnë “dorëzan te Sasha Mijallkovi se dëmshpërblimi nuk do të kërkohet”;
E njëjta gjë u premtua edhe në procesin e montuar të Brodecit dhe dihet se çka ndodhi: të vrarë, të plagosur, të torturuar, u dënuan me burg të përjetshëm ish-bashkëluftëtarë tij;
Pas këtij rasti pasoi procesi i montuar gjyqësor kundër tre ish-bashkëluftëtarëve tij: Ismail Etemi, Bashkim Bajrami dhe njërit nga udhëheqësit e luftës, z. Harun Aliu (në mungesë). Me “standardet maqedonase” u dënuan me burg të përjetshëm;
Pak kohë pas këtij procesi, pushteti terrorist i Maqedonisë në përputhje me “standardet maqedonase” ekzekutoi pa gjyq veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare: Harun Aliun, Shaban Zenunin, Qemajl Fejzullahun dhe Xhafer Shalën;
Pushteti terrorist i Maqedonisë montoi rastin e vrasjes së 5 qytetarëve maqedonas në fshatin Smillkovë të Shkupit dhe për këtë vepër të kurdisur pushteti gjyqësor i kontrolluar dhe dirigjuar nga pushteti terrorist dënoi me burg të përjetshëm gjashtë shqiptarë:Halil Demirin, Afrim e Agim Ismailin, Fejzi dhe Haki Hazirin dhe Sami Lutën…
Ekzekutimet pa gjyq, gjymtimet dhe krimet kundër njerëzimit që pushteti terrorist i Maqedonisë kreu në Kumanovë do të dalin në dritë shumë shpejt. Pa marrë parasysh shkallën e implikimit të qytetarëve të vet, institucionet shtetërore të Kosovës e kanë për obligim të krijojnë një komision të mjekësisë ligjore për të ndriçuar (pjesërisht) se a u ekzekutuan njerëzit që ishin dorëzuar pas ndërmjetësimit të Ali Ahmetit. Pjesa tjetër mbetet të ndriçohet nga të burgosurit që u torturuan me “standardet maqedonase”.
Besën kanunore dhe dorëzaninë do ta lëmë për debate odash. Këtu kemi të bëjmë me përgjegjësi institucionale.
Është koha që Ali Ahmeti të ndërpresë shfajësimin e Nikolla Gruevskit, Sasha Mijallkovit dhe Gordana Jankullovskës në implikimin e Masakrës së Kumanovës. Është koha të del publikisht dhe të tregojë se kush u implikua në kurdisjen e kësaj masakre. Në kohën kur edhe ndërkombëtarë (po përmend vetëm rastin e eurodeputetes Urlike Lunacek) deklarojnë publikisht se pushteti i Maqedonisë ka qenë i implikuar në kurdisjen e këtij krimi BDI-ja duhet të largohet nga pushteti terrorist i Maqedonisë. Në të kundërtën, përgjegjësia institucionale është e barabartë.
Bardhyl Mahmuti
22 maj 2015