• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Besa është kodi i nderit për kombin shqiptar…

February 12, 2018 by dgreca

…hebrenjtë në Çikago duartrokitje për Shqipërinë dhe Kosovën/

NGA SKENDER KARAÇICA/

1 Holokaust

Filmi dokumentar,,Besa,,-(The Promise)me regji të Rachel Goshins është një projekt disavjeqar i drejtuar nga fotografi amerikano-hebroik Norman H.Greshman,që në vete përthekon orët e kujtesës historike në kohën e pranisë dhe të shpëtimit të refugjatëve hebrenjë në Shqipëri dhe Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Muzeumi Holokaust në (Skokie)të Çikagos sot kishte hapur dyert për të pritur filmin dokumentar,,Besa,,-(The Promise)dhe për të parë nga afër kujtesën historike se si shqiptarët e tre besimeve fetare(muslimanë,katalokë dhe ortodoksë)kishin dhënë besën për të pranuar dhe shpëtuar refugjatët hebrenjë që kishin ardhur në Shqipëri dhe Kosovë nga vendet e Evropës në flakët e luftës nga Nazi-fashizimi dhe aleatët në kërkim të shfarosjes së tyre deri në substancë.

Për të parë filmin ,,Besa,,-(The Promise)kishin ardhur një numër i madh i qytetarëve hebrenjë,

amerikanë dhe shqiptarë si dhe përfaqësuesit e SHSHA-së Mahmut Skenderi,Skënder Karaçica dhe Nazim Alimi që për bibliotekën e këtij muzeu dorëzuan dy publikime shkencore të përkthyera në gjuhën angleze,,Shqiptarët dhe Hebrejtë,,(Studim Monografik)të prof.dr.Shaban Sinani të botuar në Tiranë si dhe Librin e Arkivit të Shtetit të Kosovës

,,Krimet serbe në Kosovë (1998-1999)të prof.dr.

Jusuf Osmani të botuar në Prishtinë.Këto botime i mirëpriti Drejtoresha e Programit Publik Lilliana  Polus Gerstner.

Ndërkaq, në këtë manifestim kulturor për orët e kujtesës historike për dy popujt shqiptaro-hebrejë 

morën pjesë udhëheqja e OGSHA-së Lirie Mehmeti,Ria Ismajli dhe Arjana Jaupi që të dyja këto organizata shqiptaro-amerikane në Çikago 

ishin pjesë e organizimit të këtij programi për kohën kur shqiptarët shpëtuan hebrenjtë nga dora vrastare Nazi-fashiste të kohës.

Kur filloi shfaqja e filmit,,Besa,,-(The Promise)në sallë u krijua një heshtje e thellë dhe të gjithë me vëmendje përcillnin personazhet shqiptare në Tiranë dhe ato hebreje në Amerikë dhe Izrael.

Filmit i kishte dhënë dritën për të afruar të dhënat historike për shqiptarët dhe hebrejtë bashkë në Tiranë dhe Shkodër,fotografi amerikano-hebroeik Norman H.Greshman,i cili edhe vetë kishte përjetuar orët e Holokaustit ai përmes aparatit të tij dhe xhirimeve me syrin e kamerës,përthekoj kohën kur hebrenjtë erdhën në Shqipëri dhe përmes kodit të besës shqiptare ata u strehuan dhe u bënë anëtarë të familjeve shqiptare,duke mos rënë në duart vrastare të ushtrisë Nazi-fashiste.Në këtë kohë shpëtuan 2.000 hebrejë gjatë orëve të Holokaustit.

Besa është një prej virtyteve të kombit shqiptar,

kishte veneruar në rrugëtimin e tij në Amerikë,

Shqipëri dhe Izrael,fotografi amerikano-hebreik Norman Greshman.Ky fotograf me temën e tij bosht ,,Code of Honor,,kishte nisur mesazhin e tij për kombin shqiptar si i vetmi komb në botë që u dolën në mbrojtje hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.Fotografitë e tij me personazhe shqiptaro-hebroike kishin udhëtuar në Kongresin Amerikan në Uashington,Shqipëri,Bruksel dhe Prishtinë.

Për 90 minuta sa zgjati filmi,,Besa,,-(The Promise)pika më kulmore ishte rrëfimi i Rexhep Hoxhës nga Tirana,ku babai i tij para se vdiste i pati lënë amanet tre librat e shkruara në gjuhën hebreike të dërgonte Aronit në Tel Aviv pas gjashtëdhjetë vjetësh të ruajtura mirë nga regjimi komunist.Kulmi i ngjarjes historike ishte se si u takuan dy familjet në Tel Aviv dhe kthimi i kujtesës në kohën kur nëna shqiptare e kishte rritur Aronin tashti burrë i moshuar dhe,saherë që niste rrëfimin e tij për kohën e jetës e të rritës në Shqipëri,lotët ia ndalnin bisedën e tij.

Tre librat amanet nga Tirana dorëzohen në Tel Aviv dhe Rexhep Hoxha dhe Aroni pas kaq vitesh e bëjnë kulmin e ngjarjes për flmin,,Besa,,-(The Premise)që u përcoll me vëmendje dhe lot nga të pranishmit në sallë.Pas shfaqjes së filmit në sallë u organizua debat i lirë për mesazhin e filmit dokumentar dhe për shpirtin human me kodin e traditës shekullore të besës për kombin shqiptar,ata i duartrokitën Shqipërisë dhe Kosovës.

Në fund po theksojmë se SHSHA në bashkëpunim me bordin udhëheqës të Muzeut Holokaust në (Skokie)në Çikago,së shpejti do të vendoset Pllaka Përkujtimore me mbishkrimin:Prania dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore Shqipëri-Kosovë.

 

Filed Under: Politike Tagged With: besa Shqiptare, Kodi i nedrigt, shqiptaret e Hebrejte, Skender Karacica

CNN:Kjo është Besa shqiptare në një film hebre

October 9, 2014 by dgreca

Shqiptarët që Shpëtuan Hebrejtë u shfaq në Nju Jork/
Ne Foto: Shqiptaro-amerikanet gjate Festivalit te Filmit ne New York/
Nga Beqir SINA/
CHELSEA NEW YORK: Në Festivalin e 3-të, të Filimit Shqiptarë, në kinemanë “SVA” në Nju Jork, të hënën në mbrëmje krahas filmave konkurrues, është shfaqur edhe premiera e filmit dokumentar “Besa – Premtimi”, me një shfaqje speciale, ku tregohet një histori e jashtëzakonshme dhe të papërsëritshme. Shqiptarët, renditen ndër të vetmit komb në botë, që u dolën në mbrojtje hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke mos dorzuar as edhe një hebre, i cili kërkojë mbrotjen në Shqipëri.
Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm një numër i madh personalitetesh nga politika dhe fusha të ndryshme, duke filluar nga ambasadoria Vlora Çitaku – Konsulle e Përgjithëshme e Kosovës, përfaqësues të Misionit të Përshershëm të Shqipërisë në OKB, Rabbi Marc Schneier, Imam Ali Shamsi, David Pollock, një mbështetës i madh i vendit tonë, Paul Bernstein, Jeffrey Wiesenfeld, Councilwomen Lisa Milicaj, veprimtari i dalluar i komunitetit Harry Bajraktari, biznesmeni i suksesshem Georgio Kolaj, aktor e artistë, njerëz të shoubiznesit, politikës, lider fetar dhe studentë .
Si dhe familjarë të shqiptarëve që kanë mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si familja Myrtaj – Arjan dhe Majlinda Myrtaj.
Ndërkaq hapjen e ceremonisë së filmit e ka bërë një mbështetës i madh i filmit dokumentar Besa – Premtimi, i cili ka marr pjes në realizimin e kësaj premiere – Laert T. Pasko, i diplomuar për regjizurë në Florida, dhe që ushtron profesionin e aktorit dhe modelit në New York.
Pasko, i cili gjithëmon mundohet të kontriboj dhe loboj për komunitetin e filmit Shqiptarë, kudo tha se “sonte, këtu në Albanian Film Festival – kemi kënaqësinë të ndjekim dokumentarin Besa -The Promise, të prodhuar me kujdes nga JWM PRODUCTION. Ngjarjet, e të cilit, shtoi ai do të përcjellin me emocion tek ju – ndodhi nga vitet e egra të së kaluarës. Pra, atë se si Shqipëtarët mbrojten me dinjitet një popull të shpallur armik nga regjimi Nazist. Se si Shqiptarët treguan vlerat e tyre njerëzore për të strehuar e mbrojtur këta njerëz. Një histori e pa thën, e pa dëgjuar nga shumë popuj në botë” u shpreh regjizori Laert Pasko.
Në skenë janë më pas Pasko ka ftuar për të përshëndetur ceremoninë e shfaqjes së premirës së filmit dokumentar “Besa -The Promise”, edhe Ambasadoren Vlora Çitaku – Konsullja e Përgjithshme të Kosoves, Rabbi David Pollock – Drejtor Ekzekutiv dhe Drejtor i Marrëdhënieve me Qeverinë dhe Sigurisë në Këshillin për Marrëdhënie të Komunitetit hebre, në SHBA, Rabbi Marc Schneier – President i Fondacionit për Mirëkuptim Etnik, Imam Shamsi Ali – I cili ishte një nga ata lider fetar musliman që ka qenë i ftuar nga ish Presidenti George W. Bush për ta shoqëruar atë në Ground Zero një ditë pas 11 Shtatorit, 2001. Paul Bernstein – Bashkë-themeluesi i Sanford C. Bernstein & Company një kompani e madhe e fokusuar ne financë, një nga donatorët kryesorë të filmit dokumentar Besa -The Promise.
Premiera e filmit dokumentar “Besa” (The Promise) me regji të Rachel Goslins, që u shfaq mbrëmë në edicionin e 3-të të Festivalit të Filmit Shqiptarë, në Nju Jork, është një projekt disavjeçar i drejtuar nga fotografi amerikan Norman Gershman, për të dokumentuar dhe bërë të njohur shpëtimin që shqiptarët iu bënë hebrejve gjatë Luftës II Botërore.
Gershman, është një nga producentët hebraik, i cili ka qenë i pari duke mbledhur fotografitë dhe ka inetrvistuar anëtarët e familjeve shqiptare, që shpëtuan hebrejët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai ka çelur disa ekspozita me të njëjtin titull – më parë në SHBA, dhe më pasë në Shqipëri dhe në Bruksel. Premiera e filmit dokumentar “Besa” gjatë shfaqjes në qendrën SVA në Nju Jork, kishte të pranishëm edhe disa pjestarë të stafit të filmit.
Filmi dokumentar “Besa” (The Promise) me regji të Rachel Goslins, shifet në ditët e sotme si një film i cili sfidon klishetë ndaj myslimanëve, duke ekranizuar shqiptarët që në mënyrë heroike i mbrojtën 2,000 çifutë gjatë holokaustit.
Atëbotë, diktatori stalinist Enver Hoxha, e kishte shpallur veten shtetin e parë ateist në botë. Komunistët e Hoxhës ndaluan të gjitha format e shprehjes publike të fesë dhe dogjën librat dhe objektet e shenjta. Mijëra xhami e kisha u shkatërruan apo u shndërruan në qendra të kulturës, stalla, palestra dhe depo.
CNN : Kjo është Besa shqiptare në një film hebre
Sa njerëz do të jepnin jetën e tyre për një të huaj? Pyetja universale, përgjigjia shumë e thjeshtë: Shqiptaret do ta bënin!
Ky është boshti i një dokumentari i “Besa- The Promise”, Besa si Kod, por dhe si virtyt, ne formen e një zemre të mirë shqiptare që sakrifikohet për tjetrin.
“Besa” u shndërrua në misionin e fotografit hebreo-amerikan Norman Gershman. Fotot e mbledhura në Shqipëri, ai i përdori në librin ku mbështet filmi; “Besa, Muslimanët që shpëtuan Hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”.
Filmi nisi në 2007 dhe është rrugëtimi i dy burrave, Gershmanit dhe Rexhep Hoxhës, një muslimani shqiptar. Rexhepi, me ndihmën e Normanit çon deri në fund besën që i dha i ati familjes hebreje, të cilën e shpëtoi gjatë Holokaustit; t’i kthejë asaj librat e shenjtë të lutjeve të lëna në shtëpinë e tyre. Nga Bullgaria mbërrijnë në Izrael. Megjithëse i besimit musliman, Rexhep Hoxha ndjehej pjesë e kësaj familje hebreje.
Gershman bisedoi edhe me Leka Zogun e Parë, për vendimin e mbreti të vetëm musliman në Europë, siç shkruan ai, për t’i hapur kufijtë hebrenjve në vitin 1938, kur kjo mund të ndizte zemëratën e nazistëve kundër Shqipërisë.
Leka Zogu i Pare ishte përgjigjur; sepse e ndjente që nuk ishte njerëzore ajo që bënë gjermanët dhe e ndjeu t’i hapte një rrugë. Sipas Yad Vashem, muzeut izraelit, apo siç njihet ndryshe arkiva më e madhe e Holokaustit në botë, nuk ka asnjë rast të vetëm të shqiptarëve, që i tradhëtuan familjet hebreje për t’ia dorëzuar nazistëve.
Johana Neuman e mbijetuar e Holokaustit, një prej personazheve të filmit, tregon për CNN se mbërriti në Shqipëri nga Gjermania, bashkë me familjen dhe asokohe ishte vetëm 8 vjeç.
“Unë dua të nënvizoj faktin se çdo shqiptar, apo çdokush që ndiqej nga gjermanët nëse fshihte një hebre, jeta e tij dhe ajo e familjes së tij ishte në rrezik. Ata e bënë dhe ishte e pabesueshme. Nuk mund të theksohet mjaftueshëm se çfarë bënë shqiptarët. Besa ishte pa dyshim pjesë e kulturës që vjen nga Kanuni, udhërrëfyesi i tyre moral”, thotë Johanna Neumann.
Misioni i tanishëm i fotografit, Norman Gershman është t’ua rrëfejë të rinjve amerikanë në shkollat e mesme konceptin e besës. “Besa është një mesazh për botën, thotë ai, për vëllazëri dhe dhembshuri për të gjithë ata njerëz në nevoje dhe që u përket vetëm shqiptarëve”.

Filed Under: Komunitet, Kulture Tagged With: Beqir Sina, besa Shqiptare, CNN:Kjo është, në një film hebre

BESA

August 26, 2014 by dgreca

Motto: “Me shti kryet ngushtë, e nxjerr me fjalë;me shti fjalën ngushtë, e lan me krye”/
Fjalë e urtë shqiptare/
Të gjitha shkrimet e shenjta nisin me lavdimin e Fjalës, e Cila pat qenë në fillim të fillimeve, pat qenë në Zot dhe vetë Zot. Kjo Fjalë mori trup dhe jetoi mes njerëzve: “Të gjitha u krijuan me anë të Tij; asgjë
nuk u bë pa veprimin e Tij. Ai ishte burimi i jetës…” Vetvetiu zbulohet se Fjala zbriti në tokë dhe ishte në vend të Zotit. Ishte njëherazi një shenjë e Zotit për njerëzit, dhe një mundësi tashmë e përkryer e
njerëzve për të hyrë në dialog me Të.
Më pas Fjalën e kryqëzuan, e përqeshën, nuk e besuan, por Fjala nuk kaloi. Përkundrazi: të gjitha kaluan e po kalojnë nën shenjën drithëruese të përjetësisë së Saj. Kësisoj, me shumë martirë, gjak e keqkuptime, u vendos krishtërimi i vërtetë, shpirtëror e mendor, kurse për shqiptarët e periudhës së paganizmit Fjala u shfaq në trajtën e Besës. Pararendës i natyrshëm i Besës ishte premtimi, pra dëshira për të bërë mirë, për të shpëtuar, mbijetuar etj. Premtimi nuk është veçse zhvendosja në kohë dhe në hapësirë e shpirtrave të atyre që marrin pjesë në aktin përkatës, shpirti i premtuesit dhe shpirti i atij, të cilit i
premtohet; është një katapultim në të tashmen që ende nuk ka mbërritur, por që pritet të vijë ashtu siç e duan premtuesit dhe pritësit e përmbushjes së premtimit. Kjo zhvendosje në të ardhme, ose paraprirje,
joshje, tërheqje e së ardhmes në të tashme përmes Fjalës, paraprihet nga një flijim – zakonisht gojor, nga një betim, përbetim: njëfarë vulosjeje e padukshme e premtimit. Kjo është Besa: një gjendje shpirtërore, tashmë edhe strukturë genetike, e shqiptarit të gjithëkohshëm (arketipal). Mund të thuhet se Besa ishte për shqiptarët në vend të Zotit, ose, më saktë, ishte Zoti shqiptar.
Zoti shqiptar mbeti i pandryshuar edhe pasi Apostulli Pavël solli në Ilirikum krishtërimin. Besa me krishtërimin, sipas logjikës moderne, duhej ta kish zbritur Besën shqiptare në një plan më pak të rëndësishëm,
me karakter gjysmë-muzeal, sepse shqpirti i një populli me tipare kaq të veçanta nuk mund të ndjekë njëheresh dy trajta shpirtërore, të cilat,etnologjikisht, madje edhe nga ana antropologjike, e përjashtojnë
njëra-tjetrën; më vonë ndërthurrja e krishtërimit me Besën çoi në njësimin më të natyrshëm të tyre (për t’u shënuar ngjashmëria befasuese e Ligjeve të Moisiut me filozofinë e Pavlit dhe me Kanunin e Lek Dukagjinit). Teksa krishtërimi realizonte hyrjen e shpirtit shqiptar në hapësirën e Homo Religiosus, Besa ndalonte përdaljen e genit shqiptar, shmangte shprishjen e tipareve të shpirtit shqiptar, rrjedhimisht:
shkombëtarizimin. Prandaj “Besa është më e fortë se vdekja”, prandaj besa nuk duhej humbur, se përndryshe të humbte varri etj. Për të zbuluar rolin e kësaj bese dhe rolin e saj në qëndresën e shqiptarit ndaj
tundimeve të ashtuquajtura përparimtare të epokës moderne, mjafton të përmendim shprehjen e famshme se “Shqiptari, kur jep fjalën, therr djalën”. Pra, është gati të shterë jetën e një brezi, për të cilin është
robtuar e flijuar me gjithë shpirt, vetëm e vetëm që brezi pasues të mos hyjë në jetë nga dyert e mbrapshta.
Folklori shqiptar është ndjeshëm i orientuar ndaj Besës dhe bëmave të saj: në disa balada Besa ngre nga varri, në të tjera muros, në të tjera rimarton bashkëshortë apo çliron të burgosur, por gjithmonë duke bërë
ligjin mbi kohën e hapësirën, mbi kufijtë mes botëve e shqisave. Në të gjitha rastet drama është e pranishme dhe e përshkruar mrekullisht, siç mund ta kryejnë vetëm popujt që kanë një marrëdhënie të veçantë e aspak dogmatike me Zotin, pa lënë vend për komente të stërholluara e ripunime.
Ideja qëndrore e kësaj zone të folklorit tonë, si një shtyllë e gurtë,mban të vërtetën se gjithçka do të kalojë, përveç Fjalës. Edhe personazhet që murosen nga besa e shkelur, edhe ata që ngrihen nga varri
për të mbajtur Fjalën e dhënë, udhëtojnë në kohë dhe në hapësirë, për t’u gjendur atje ku kanë dhënë besën të jenë. Dhe atje arrijnë: nusja e kështjellës Rozafat mbetet e vdekur-e gjallë, me gjysmën e trupit të
murosur, me tjetrën jashtë mureve, që kështjella të mbahet më këmbë;Ymer Agai e rimerr të shoqen vetëm pak çaste para se pritja e saj të mbarojë; Konstandini i vogëlith ngjallet pak, mban fjalën, kthehet
rishtas në varr. I parë nga ky kënd, shqiptari ndodhet në ardhmëri qysh kur ndeshet me kthetrat e së tashmes; për rrjedhojë, çdo shkelje e Besës, apo çdo vonesë, kushton më shtrenjtë nga ç’mund të pandehet.
Logjika është e thjeshtë dhe përgjakëse: sa më pak Besë, aq më pak Zot, aq më pak Shqiptar. Në Kanunin e Lek Dukagjinit, në Librin e Shtatë, Nye Tetëdhetetet, nr.532, thuhet: “Beja e Shqyptarit ka dy punë para sysh:
a) thrret Perëndin në dishmit të së vërtetës; b) i nënshtrohet randimit të ndëshkimevet të përjetshme e giobës së kohëshme kah kanuja”.Etimologjia e fjalës “Besë” është ende e paqartë. Dikush e ka lidhur me
emrin e fisit të bessëve, shqyrtuesit dhe përkthyesit e Orakullit të Delfit – dhe mjeshtëria e tyre në përkthimin e hieroglifeve dhe të shenjave hyjnore lidhet drejtpërdrejt me lashtësinë e shqipes, por jo aq
sa një fis i tërë të shndrrohet në një fjalë të vetme; fjala është e papërkthyeshme (popujt e tjerë e përdorin siç e dëgjojnë, dhe meqenëse kjo fjalë shpreh e mishëron një fenomen rrënjësisht shqiptar, ka tashmë
kodin e vet në qëniet e atyre që e hasin); të përpiqesh ta përkthesh në plotni dhe njëheresh në të gjitha thellësitë, është njëlloj sikur të përpiqesh të përkthesh një fytyrë apo një gur.
Besa ka qenë Zoti i shqiptarëve të mërguar, ka qenë toka e tyre e humbur, toka e tyre e premtuar, e rigjetur; ka qenë vetë jeta dhe mbijeta e tyre. Edhe nëse nuk e kanë ditur, shumë shqiptarë e kanë
ndjerë në eshtër metaforën mahnitëse e rrënqethëse të yllit që, pasi u bë bisht, filloi të pritet, apo filluan ta prisnin. /Dielli arkiv-Janar-Prill 2001

Filed Under: ESSE Tagged With: besa Shqiptare, Gazeta Dielli

Ditët e Memories: në Londër nderohet Besa shqiptare

January 21, 2014 by dgreca

Në mbrëmjen e 16 janarit 2014 në Pinner Sinagogë, në një nga zonat me numrin më të madh të banorëve hebrej në Londër, u organizua shfaqja e filmit BESA – THE PROMISE – vepër e regjisorit Jason Williams me kontribut të veçantë të fotografit Norman Gershman.Tanimë është bërë një traditë shumë e mirë që Ambasada Shqiptare në Londër në bashkëpunim me bashkësitë hebraike të organizojnë veprimtari të ndryshme në nderim të veprës së shqiptarëve në mbrojtje të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më shumë se katërqind pjesmarrës, prej të cilëve edhe një numër i mirë shqiptarësh me banim në këtë qytet, ndoqën me vemëndje, respekt dhe emocion këtë veprimtari e cila u hap me fjalën e zonjës Gaby Glassman, Kryetare e Këshillit Organizativ të Sinagogës Pinner. Ajo  nëvizoi fisnikërinë dhe virtytet e larta të shqiptarëve të cilat bënë që asnjë hebre në atë vend të mos dorëzohej tek nazistët.Më pas ajo i dha fjalën ambasadorit të RSH në Mbretërinë e Bashkuar z. Mal Berisha.

Në fjalën e tij ambasadori foli me krenari për këtë episod të historisë së lavdishme të shqiptarëve duke u ndalur tek BESA si një fenomen shqiptar që nuk është atribut i feve por një vlerë morale e popullit shqiptar.

Pas shfaqjes së filmit zonja Glassman, në emër të bashkësisë hebraike të Pinner Sinagoge i dorëzoi Ambasadorit shqiptar një çertifikatë në të cilën thuhej:

“Një pemë e mbjellur në Jeruzalem simbolizon mirënjohjen e jashtëzakonshme ndaj veprës trimërore të popullit shqiptar për strehimin dhe shpëtimin e refugjatëve hebrej nga Hollokausti”.

Në lutjet e Sabathit të së djelës, 19 janar 2014, Rabini Bergson i kushtoi tërë psallmet e Sabathit një diskutimi mbi BESËN shqiptare si një mesazh i rëndësishëm për antarët e kongrecacionit të tij në jetën e përditshme.

Veprimtari të tilla do të vazhdojnë të organizohen edhe në të ardhmen. Më poshtë fjala e rastit e ambasadorit shqiptar:

Mirëmbrëma!

Të nderuar zonja dhe zotërinj pjesëmarrës!

Është një nder dhe privilegj i madh për mua të marr pjesë në këtë ngjarje të shënuar që flet për një histori ende të pathënë plotësisht të marrëdhënieve Shqiptaro – Hebraike gjatë kohës më të vështirë, kohën e Hollokaustit.

Fatkeqësisht historia që do të shohim në këtë film ka qenë e mbyllur në sirtar për thuajse pesëdhjetë vjet të izolimit komunist të Shqipërisë. Kjo histori doli në dritën e diellit kur një hebre i famshëm hungarez, një politikan amerikan, antar i Kongresit, i ndjeri Tom Lantosh dhe miku i tij, Jozef DioGuardi, një tjetër anëtar i Kongresit me rrënjë shqiptare, vizituan Shqipërinë për herë të parë në vitin 1990.

Vetëm pak vite më vonë u botua një libër me titull “Shpëtimi në Shqipëri” i shkruar nga një hebre tjetër i quajtur Harvey Sarner i cili i hoqi perden përpara botës një historie të jashtëzakonshme të mardhënieve të veçanta midis shqiptarëve dhe hebrejve në rrjedhë të historisë dhe veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sot, ne do të shohim filmin BESA – THE PROMISE. Filmi pasqyron një histori të rrallë të solidaritetit të jashtëzakonshëm ndaj hebrejve gjatë Hollokaustit. Ne mund të flasim për këtë histori pa mbarim. Megjithatë, në pikpamjen time, gjëja më e rëndësishme dhe ajo që e bën atë të tillë është:

Qoftë edhe një jetë e vetme hebre nuk ka humbur në Shqipëri përkundër faktit që vendi ishte vetë i pushtuar prej Italisë Fashiste dhe Gjermanisë Naziste. Kjo nuk ka ndodhur as më parë në tërë historinë tonë. Në Shqipëri nuk gjendet qoftë edhe shenja më e vogël e anti – semitizmit dhe asnjëherë shqiptarët nuk kanë kryer pogrome në shekujt e bashkë-ekzistencës së tyre.

Ia vlen të përmendim këtë mbrëmje se gjatë kohës së Hollokaustit, si Mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu, ashtu edhe autoritetet vendore, misioinet konsullore të Shqipërisë jashtë vendit dhe më pas kur Shqipëria u pushtua prej fashistëve dhe nazistëve njerëzit e zakonshëm, banorë të qyteteve dhe të fshatrave, vetë qeveria kukull shqiptare, të gjithë njësoj, e nderuan Kodin Moral të Shqiptarëve, Besën e tyre.

BESA është fjalëkalimi që na jep çelësin e spjegimit se përse kur hebrejtë po vriteshin anë e mbanë Europës, një komb i vogël u kujdes për ta; pse njerëz të zakonshëm të një vendi të pushtuar morën tërë atë rrezik mbi vete duke strehuar hebrejtë të cilët vinin nga Europa, falë vizave të lëshuara nga misionet konsullore shqiptare, duke e trefishuar praninë e tyre në vend? Përse familjet më të zakonshme anë e mbanë vendit i mbrojtën jo vetëm hebrejtë shqiptarë të cilët ishin me qindra në atë kohë në qytetet shqiptare por edhe mijëra të tjerë të cilët zgjodhën Shqipërinë si një vend shpëtimi, si vend mbrojtjeje?

Ka vetëm një spjegim dhe kjo është BESA SHQIPTARE.

Këtë më mirë se kushdo do ta spjegonte Profesor Scarlett Epstein e përzënë nga Vjena nga nazistët e me pas nga Jugosllavia bashkë me familjen, e paisur me vizë nga misioni shqiptar konsullor në Zagreb e cila u strehua dhe jetoi në Durrës deri sa arriti të udhëtonte e sigurtë në Mbretërinë e Bashkuar.

Me lejoni të spjegoj shkurtimisht se çfarë është ky virtyt i quajtur BESA.

Është e vështirë ta përkthejmë këtë fjalë në mënyrë të drejpërdrejtë. BESA është një vityt i fortë shqiptar me një origjinë të lashtë i cili shkon përtej kohërave të mesjetës  kur rregullonte jetën në shoqërinë shqiptare. Këto norma janë transmetuar në mënyrë gojore brez pas brezi deri në shekullin e XV kur ato u kodifikuan prej Lek Dukagjinit në të quajturin Kanuni i Lekës. Është interesante të theksojmë se BESA është gjithashtu e lidhur nga ana semantike me fjalën “Fe” në gjuhën shqipe BESIMI.

Në Shqipëri, bashkëjetojnë tre fe të ndryshme, – Feja Katolike, Ortodokse dhe ajo Muslimane. Ekziston gjithashtu edhe një formë e islamit e quajtur Bektashi. Në historinë tonë të hershme dhe as të vonë nuk kemi përjetuar kurrë ndonjë konflikt fetar. Urrejtja në këtë aspekt nuk ekziston. Dhe kjo është arsyeja se përse hebrejtë nuk përbëjnë ndonjë përjashtim në këtë drejtim.

BESA në fakt tek shqiptarët ekzistonte përpara feve dhe është konceptualisht e ndarë nga ato deri në atë pikë sa të përbëjë bazën morale të tolerancës fetare në shoqërinë tonë. Duke qenë një normë e fortë etike ajo është një “fe” në vetvete që mbizotëron mbi çdo gjë tjetër në kohërat e krizave të rënda morale siç ishte ajo e Hollokaustit.

Si shqiptar jam krenar për atë që kombi im ka bërë për hebrejtë. Në pozitën e ambasadorit jam i nderuar që kam mundësinë të jem bashkë me ju dhe të shohim të skenuar këtë histori të treguar në këtë film.

Ndjehem gjithashtu i lumtur që një histori e tillë e patreguar nuk është më e tillë. Dua të shpreh respektin tim të thellë për fotografin Norman Gershman, të cilin e kam njohur personalisht, për punën e mrekullueshme që ka bërë. Ai i ka frymëzuar artistët dhe personazhet jetësore ta zbulojnë, ta bëjnë publike këtë histori. E kam takuar atë në Long Island, në New York, në familjen kavajase Myrtaj, një ndër 69 shqiptarët fisnikë midis kombeve të gdhendur në pllakën e Yad Vashemit. Po ashtu dua të shpreh respektin tim për Jason Williams, regjisorin e filmit me të cilin ka fituar një numër çmimesh të para në shumë festivale të filmit hebraik në botë. Më së fundi, më lejoni tju falenderoj të gjithëve për vemendjen dhe t’ju uroj një mbrëmje të këndshme, me emocionet e forta që shkakton ky film.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: ambasador, besa Shqiptare, derohet ne Londer, Ditet e Memories, Mal berisah

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT