LAJMI I FUNDIT: KUVENDI I KOSOVËS VOTOI MOCIONIN E MOSBESIMIT PËR QEVERINË/
PRISHTINË, 25 Mars 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Kuvendi i Kosovës pas shumë debateve e replikave në seancën plenare, sot në mbrëmje, më shumë se një orë para mesnate, votoi me 82 vota pro, 32 kundër e 1 abstenim mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës të kryeministrit Albin Kurti. Mocioni ishte kërkesë me nënshkrimet e 44 deputetëve, propozuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – partner i koalicionit qeverisës. Qeveria e Kosovës do vazhdojë punën si qeveri në detyrë deri në zgjedhje të reja e një qeveri të re, që sipas disa deklaratave mund të jetë edhe qeveri pa zgjedhje të reja.
Seanca e Kuvendit të Kosovës e zhvilluar në kushte jashtëzakonshme me maska e masa tjera mbrojtëse nga virusi COVID-19 ka nisur me praninë e 106 deputetëve, ndërsa në momentin e votimit në sallë ishin 117 deputetë.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës pasditen e 3 Shkurt 2020 u votua me 66 vota pro e 10 abstenime Qeveria e Republikës së Kosovës e kryeministrit Albin Kurti – liderit të Lëvizjes Vetëvendosje në bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, derisa opozita kishte braktisur sallën.