-Shqiptari që i propozonte për moto Lidhjes së Kombeve vargjet e poezisë “Bijtë e Adamit” të Saadi Shirazit –
Shkruan: Melsen Kafilaj-Sot në njërën nga sallat e takimeve të Kombeve të Bashkuara (UN) qëëndron i varur e madhështor një qilim i mrekullueshëm persian në mesin e të cilit janë të ëndura me fije ari vargjet e poezisë “Bijtë e Adamit” të poetit të madh pers, Saadi Shirazi.Po i japim më poshtë këto vargje, në shqipërimin brilant të Orientalistit tonë, Vexhi Buharaja.
“Si pjesë e një trupi mbi dhe njerëzit janë,
Se brumn’e krijimit të njëjtë e kanë.
Kur koha një pjesë godet me tërbim,
As shoqet më s’kanë pastaj ngazëllim.
O ti, që s’dhëmkos kur tjetri heq zi,
Më kot ty të quajnë me emrin Njeri!”
Ky qilim me sipërfaqe prej 25 m2 u realizua nga mjeshtri iranian i qilimave Muhamed Sirfijani, i cili ia bëri dhuratë kësaj organizate në vitin 2005; pikërisht në të njëjtin vit kur kjo e fundit do të përkujtonte “Vitin e Dialogut midis Qytetërimeve”.Por cila është historia e mbërritjes së këtyre vargjeve deri në “Parlamentin Botëror të Njeriut?!”(Po huazojmë këtu frazën e Alfred Lord Tennyson-it) Cili është ide-propozuesi i saj?! Të gjithë lexuesit e këtyre rradhëve kam përshtypjen se do të habiten dhe tundin kryet në shënjë mosbesimi nëse u pohoj me plotë gojën dhe me një krenari të ligjshme se ai qe një SHQIPTAR.I këshilloj që të shtendosen dhe marrin frymë lehtësisht skeptikët pasi synimi im nuk është që t’ju shpërhap mitologjira dhe nginj me pikturat e bukës së Mitomanisë.
Dëshmi kryesore që e mbështet këtë pohim është një nga personalitetet më të spikatura kulturore dhe politike të Persisë (ky vend do ta merrte emrin “Iran në vitin 1935), eruditi dhe mendimtari i lirë Mohammad Ali Forugi.Forugi, midis të tjerash ishte edhe botues i veprave të Saadiut.Siç e thekson edhe “Enciklopedia Iraniane” ndërsa në vitin 1927 ai ishte caktuar si ambasador i Persisë në Turqinë e Ataturkut për zgjidhjen e disa problemeve kufitare midis Turqisë dhe Iranit, më 1928 ai caktohet si përfaqësuesi i parë i Persisë në Lidhjen e Kombeve dhe shërbeu gjithashtu edhe si president i Këshillit të Lidhjes, një pozicion ky i cili funksiononte me sistem rotacioni mes anëtarëve të saj.Pikërisht gjatë kësaj periudhe ai u njoh dhe u takua me përfaqësuesin shqiptar në Lidhjen e Kombeve; intelektualin, poliglotin dhe politikanin Mehdi Frashëri.Mehdi Frashëri e kishte mahnitur me kulturën dhe inteligjencën e tij dhe midis të tjerash i kishte propozuar edhe një ide interesante.Ja sesi shprehet vet Forugi mbi këtë takim: “Gjatë një banketi të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë në Shtator të vitit 1928, përfaqësuesi i Shqipërisë në këtë organizatë, i cili mesa duket e kishte mësuar persishten gjatë kohës kur kjo e fundit ishte pjesë e Perandorisë Otomane më sugjeroi që poezia e Saadiut “Bijtë e Adamit” do të shërbënte si një moto e shkëlqyer për Organizatën.” Në dukje të parë, ky fakt “i thjeshtë” disave mundet edhe qw të mos ju bëj përshtypje fare por unë mendoj se duhet të ndalemi në të dhe të reflektojmë pasi ai është tregues i tre aspekteve kryesore; 1) i klasit dhe bagazhit kulturor të elitës intelektuale e politike shqiptare të viteve 20-30 2) i intuitës së Mehdi Frashërit për të depërtuar në frymën e kohës dhe shpirtin e kësaj organizate të parë të sigurisë ndërkombtare, e cila do të shërbente për ruajtjen e paqes botërore dhe 3) e vizionit për të shpalosur estetikisht përmes kësaj motoje frymën e vëllazërisë, drejtësisë dhe humanizmit; jo pak por plot 28 vite më parë se këto terma të sanksionoheshin juridikisht në Preambulën e Deklaratës Universale e të Drejtave të Njeriut të OKB-së(1948) Në këtë kuptim, ky burrë vizionar meriton krejt respektin dhe gëzon admirimin tonë.
Mehdi Frashëri, kjo figurë e rrallë intelektuale, ky atdhetar dhe firmëtar i Deklaratës së Pavarsisë eshtrat e të cilit fatkeqësisht prehen akoma në Romë, duhet përkujtuar gjithashtu edhe për mbrojtjen e interesave të çështjes çame në “Lidhjen e Kombeve” apo edhe për “Problemet Shqiptare” në të cilin ai na shpërfaqet si një mendimtar i klasit të parë, duke trajtuar me syrin e një fenomenologu të stërvitur disa nga problematikat dhe të metat e Psyche-s dhe mjedisit shoqëror shqiptar; probleme shumë prej të cilave vazhdojnë të mbeten ende dhe sot midis nesh.
© Melsen Kafilaj