• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sot shënohet 535 vjetori i “Hora e Arbëreshëvet”

August 30, 2023 by s p

Bledar Kurti/

Prijës të Gjergj Kastriotit u shpërngulën në Itali përpara pushtimit otoman por pjesa më e madhe e tyre u shpërngul në Jug të Italisë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit në vitin 1468, rënies së Krujës në vitin 1478 dhe Shkodrës 1479.

Për shkak të pushtimit nga osmanët, grupe të tjera shqiptarësh u larguan nga atdheu i tyre përmes detit Adriatik për në Itali duke themeluar më 30 gusht 1488 “Piana degli Albanesi” siç thuhet nga arbëreshët “Hora e Arbëreshëvet”.

Ruajtja e gjuhës, besimit, traditës, riteve, kostumeve, këngëve etj, i Arbëreshëve prej afro 6 shekujsh është rast unik jo vetëm në Evropë por në mbarë botën.

Prej 6 shekujsh Arbëreshët kanë ruajtur brez pas brezi identitetin e Arbërit, dhe sot mrekullohesh kur dëgjon fëmijë që flasin gjuhën e Gjergj Kastriotit dhe praktikojnë zakonet e kohës së Heroit tonë Kombëtar.

Për 4 shekuj, nën pushtimin otoman, figura e Gjergj Kastriotit u shua nga kujtesa kombëtare, dhe ishin Arbëreshët ata që e rikthyen figurën e tij në Shqipëri, si simboli i bashkimit konbëtar dhe frymëzuesi drejt rrugës për pavarësi.

Në mesim e shekullit të 19-të Shqipëria eci përpara në rrugëtimin e saj për pavarësi dhe shtet-formim, falë kontributit të çmuar të figurave patriotike arbëreshe.

Projekti i parë i Rilindjes Shqiptare, një projekt thellësisht evropian, u formulua nga figurat e komunitetit arbëresh si Jeronim De Rada, Gavril Dara, Zef Serembe, Antonio Gramshi, e shumë të tjerë, të cilët ndihmuan në finalizimin e atij projekti: zgjimi i një populli dhe pavarësia e një kombi.

Arbëreshët kanë ruajtur shumë elemente etnike të kulturës së saj shqiptare, veçantitë e saj kulturore, gjuhësore, fetare (gjuhën, ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin).

Ekzistojnë rreth 800 veshje tradicionale vetëm në Horën e Arbëreshëvet.

Në ditë festash arbëreshët organizojnë parada dhe varin në ballokone qilima disa shekullor, të endur me tezgjah, të trashëguara brez pas brezi në çdo familje. Si motiv ato kanë shqiponjën dykrenare, por edhe lule të kuqe që simbolizojnë ngjyrën e flamurit, si në rastin e Kalabrisë, ku në qilima figuron lulja Geranium Imperial, e cila rritet masivisht në kodrinat e lëndinat e zonës.

Ushqimet tradicionale janë një karakteristikë e veçantë, si kulaçi dhe buka pa maja, mënyra e ngjyrosjes në vezëve të pashkës përmes zierjes në kazan të rrënjëve të kuqe, ndërsa kërcimet dhe këngët përçojnë emocione mallëngjyese për largimin nga atdheu dhe mallin për vendlindjen e tyre, si për shembull kënga për Morenë, vendin e tyre që tashmë e kishin lënë shumë larg.

“Mori e bukura More

Si të le e më së të pë!

Atje kam zotin tatë,

atje kam zonjën mëmë,

atje kam edhe tim vëlla:

Gjithë të mbuluar në dhe!”

Komunitetet Arbëreshe ndodhen jo vetëm në Itali, por edhe në Argjentinë, Gjermani, Francë, ShBA, Kanada, Greqi, Australi, etj, ku me krenari ata vazhdojnë të ruajnë prej shekujsh identitetin arbëresh.

Siç thuhet edhe në këtë këngë arbëreshe:

“O zë i ngrohtë i vendit tim.

O dritë e syve të mi.

Ne jemi bijtë e Kastriotit.

Ne u përkasim dheut të shenjtë.”

Sa e mrekullueshme është kjo!

Sa krenari për ne!

Gjak i shprishur, por një 🇦🇱

Filed Under: Opinion Tagged With: bledar kurti

Me 300 trima ndryshon Shqipëria dhe shkruhet historia

May 13, 2023 by s p

Dr. Bledar Kurti/

– Viti 1150 para Krishtit:

Gideoni, kreu i ushtrisë prej 32 mijë vetash, pyeti Zotin: si mund ta fitoj betejën? Zoti iu përgjigj: Zbrite ushtrinë te uji. Të gjithë ata që do të shtrihen barkas e do pinë ujë me gjuhë, siç lëpijnë qentë, do t’i ndash nga ata që do të pinë duke marë ujin me dorë e me sytë nga horizonti.

Dhe numri i atyre që e pinë ujin nga grushti ishte 300. Të gjithë të tjerët pinë duke u shtrirë barkazi si qen dhe Gideoni i largoi.

E kështu me ata 300 luftëtarët fisnik, beteja u fitua kundër ushtrisë armike me 135 mijë veta.

– Rreth 600 vjet më vonë – viti 480 para Krishtit:

300 spartanë, nën drejtimin e Leonidas, zmbrapsën ushtrinë persiane me mbi 100 mijë ushtarë në Betejën e Thermopoles (greqisht për “portat e nxehta.”)

Ushtria perse u përplas e mësym mbi portat e nxehta ashtu siç përplasen dallgët e oqeanit me shkëmbinjtë në breg të detit, por spartanët i zmbrapsën.

Kserksi, i frustruar nga përparimi i ngadaltë i ushtrisë së tij, dërgoi njësitë e tij të famshme, të njohura si “Të Pavdekshmit”, por as këta të pavdekshëm nuk ia dolën dot.

Pas tradhtisë së Ephialtes, për një kalim të fshehtë, Mbreti Leonidas i Spartës mori vendimin për të vazhduar e mbrojtur kalimin me 300 ushtarët e tij elitë. Burrat luftuan derisa u thyen shtizat. Pasi u thyen shtizat, ata luftuan derisa u thyen shpatat. Dhe sapo shpatat e tyre u thyen, ata përdorën mburojat e tyre si armë derisa më në fund u vranë nga mijëra shigjetat e lëshuara mbi ta.

Edhe sot arkeologët vazhdojnë të gjejnë maja shigjetash në grykën e Termopoles.

Historia është mësuesi më i mirë për çdo epokë. Nuk ka asgjë të re nën diell. 300 luftëtarët e Gideonit dhe 300 spartanët e Leonidas shkruan historinë duke u transmetuar qindra e qindra brezave të mëvonshëm mesazhin se asgjë nuk është pamundur. Se pengesat mund të kapërcehen sado të mëdha të jenë ato, se vendi mund të bëhet pavaresisht çdo vështirësie, se betejat ushtarake, elektorale, ideore, transformuese, progresive, mund të fitohen, por vetëm e vetëm me njerëz fisnik, që sytë i mbajnë nga e ardhmja e që nuk përkulen barkazi e lëpijnë si qen.

Lëpirësit, në çdo parti, institucion, organigramë shtetërore, kulturore e shoqërore, kanë humbur betejat e vendit tonë për zhvillim e begati. 300 shqiptarë me integritet do e ndryshonin dhe shkruanin historinë e këtij vendi. Ka ndodhur më parë në botë, ka ndodhur edhe te ne në të kaluarën, urojmë të ndodhë sa më shpejt edhe në të ardhmen.

Filed Under: Histori Tagged With: bledar kurti

KAFE ME ISMAIL KADARENË

January 28, 2023 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Me rastin e 87 vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë.

(Pjesë nga libri KAFE ME MJESHTRIN: Me Ismail Kadarenë dhe mëkatet e një kombi, nga Dr. Bledar Kurti, 2019, Botime ONUFRI)

Unë pashë një transformim ngjyre në mimikën e tij. Ishte si një afresk i fshehur nën vel i cili shfaqej befasisht përpara syve të shikuesve. Përpara meje u shpalos një njeri i ngrohtë që dëshironte të fliste e të ndante mendime dhe përvoja për jetën, për letërsinë, për të shkuarën, për Evropën, për historinë, për Shqipërinë dhe tematika të improvizuara nga rrjedha e ndërgjegjes dhe tornimet e bisedës. Për tri orët në vazhdim unë e dëgjova mallëngjyeshëm dhe tërësisht i gjallëruar. Ajo kafe me mjeshtrin ishte takimi më shpengues i jetës sime.

Ky vend ka mëkatuar shumë kundër meje. Ka mëkatuar shumë edhe kundër teje, edhe kundër prindërve e stërgjyshërve tanë. Ne e quajmë ATdhe dhe MËMËdhe, pra at dhe mëmë. Por ky vend na quan kopilë, fëmijë të paligjshëm, bastardë të kohëve moderne, të padëshiruar në djepat e tij që prej shekujsh qëndrojnë bosh. Me miliona shqiptarë janë syrgjynosur me hir e me pahir nëpër botë. Por një penë dhe një dorë e thjeshtë frymëzoi shqiptarët të bëhen shkrimtarë e mendimtarë. Disa ia dolën të afirmohen e disa jo. Nuk ka asnjë rëndësi. E vërteta është që të gjithë ne lexuam, ëndërruam, pamë një univers tjetër në çdo faqe të librave të Ismail Kadaresë, edhe në momentet dhe kapitujt më të errët të historisë së këtij vendi, si komuniste ashtu edhe postkomuniste. Lexuam Pallati i ëndrrave dhe kuptuam që në momentet kur e liga të censuron edhe ëndrrat, gjëja më e keqe që mund të bëjë një njeri është të bëjë asgjë.

Kadareja e përshkroi atë institucion varrmihës të ëndrrave në ditët e tij më të forta. Një akt guximi që frymëzoi dhe u manifestua më pas edhe në shkrimet e shumë shkrimtarëve të tjerë. Kur ne ishim më lindorë në mendim sesa më lindorët gjeografikisht, Kadareja të yshtte me një refleks Perëndimi. Të gjitha personazhet e penës së tij janë civilë e sharmantë, të hirshëm, tërheqës, disi të ftohtë e të përmbajtur, aspak ballkanikë e provincialë, por gjithnjë plot kulturë e intelekt. Të gjithë shkrimtarët e tjerë ranë pre e barazisë së klasave dhe e provincializmit. Komunizmi i ngrinte mendjen karrocierit se ishte filozof dhe bujkut se ishte poet, pa kuptuar këta të shkretë se kjo dredhi nuk bëhej për t’i ngritur vlerat e tyre, por për të ulur vlerat e filozofëve, poetëve dhe shkrimtarëve të vërtetë. Por Kadareja arrinte gjithmonë të kapërcente gravitetet e censurës dhe sterrosjen e regjimit, duke krijuar personazhe dhe koncepte të mëdha që vetëm sa nxirrnin zbuluar injorancën dhe privimin e talentit tek ata që u bënin recensione veprave të tij, që e denonconin atë apo që mundoheshin t’ia ndalonin botimet.

Në pikun e marrëzisë, Kadareja shkruante në disa nivele të perceptimit letrar, prej të cilave disa kuptoheshin nga regjimi e disa të tjera jo. Shumë shkrime ishin të shigjetuara ndaj vetë diktaturës. Ndaj edhe në mënyrë të përvitshme ai shpallet kandidat për çmimin “Nobel” në letërsi.

Pas viteve ’90 shumë lexues apo kritikë prisnin që Kadareja të shkëputej nga tematika e komunizmit apo e personazheve të atij regjimi dhe të shkruante për koncepte dhe subjekte plotësisht universale, me të cilat mund të identifikohet çdo lexues anembanë botës. Edhe unë isha ndër këta lexues dhe kritikë që prisja nga mjeshtri të bënte një kalim konceptual në tematikën e shkrimeve të tij dhe u gëzova kur libri i tij Aksidenti ishte shumë ndjellës dhe i mbushur me eros. Por, më pas arrita të kuptoj që kishte një qëllim të caktuar, një providencë historike dhe letrare që Kadareja të jetonte e të shkruante gjatë periudhës më të errët të këtij vendi. Misioni i tij ishte dhe mbetet t’i tregojë mbarë botës historinë e disa brezave që jetuan nën marrëzi. Njëri brez tashmë është shuar. Edhe brezi im, i fundit i asaj marrëzie, po shuhet. Të rinjtë e sotëm qeshin dhe habiten me përjetimet tona. Studentët e mi gjithmonë komentojnë që “po, më ka thënë babi”, sa herë që diskutohet në auditor të universitetit ajo periudhë. Të huajt nuk arrijnë ta imagjinojnë makthin gjysmëshekullor që na burgosi shpresat dhe ëndrrat. Pena e Kadaresë u tregon lexuesve në mbarë botën se ky vend i vogël ishte djepi i marrëzisë së madhe dhe se në këtë ferr, edhe pse symbyllazi, shqiptarët arrinin të ndienin shkëlqimin e dritës që cekte fytyrat e tyre. Dhe se ishte ajo prekje drite që i udhëhoqi në terrin e atyre mijëra netëve.

Pena e Kadaresë ka më se dy dekada që është e lirë, gjithsesi ai ka vazhduar të shkruajë për kohërat e robërisë krijuese. Jo sepse nuk dinte ndryshe, përkundrazi, por ky është misioni i tij si levit i tebernakullit të fjalës. Ky është misioni që vetë arti i ka diktuar.

“Dje më ndaloi në rrugë një vajzë e re dhe më tha se ishte e lumtur pasi e kishte ëndërr të më takonte”, – tha mjeshtri dhe ktheu një hurbë kafe. – “Nuk e kuptoj përse njerëzit kanë një tërheqje të tillë ndaj shkrimtarëve. E kuptoj përse joshen nga muzikantët dhe aktorët, por nuk e kuptoj përse kanë ëndërr të takojnë një shkrimtar plak si unë. Më vjen çudi. Ndoshta është fjala. Ajo u duket njerëzve mistike dhe ata intrigohen prej saj”.

Unë nuk bëra asnjë koment. Dita po ngrohej nga pak dhe ai kishte në mollëza atë kuqëlim që lidhej natyrshëm me letërsinë… Kisha shumë për të thënë e për të kuvenduar, por zgjodha të flas pak e të dëgjoja me shumë vëmendje rrëfenjat dhe komentet e gjata të cilat ai i shoqëronte me lëvizje duarsh e hera-herës me nerv.

Mjeshtri ndihej komod e i lehtësuar në prezencën time dhe po e shijonte bisedën me mua. Dukej qartë që dëshironte shumë të fliste për bukuritë dhe shëmtitë e botës, mbi pasionet dhe fajet e saj. Dhe unë e dëgjova me shumë kënaqësi, sikur të isha një dishepull i cili më vonë do të shkruante një ungjill.

M’u kujtuaPallati i ëndrrave. Ajo vepër ishte shuplaka më e madhe ndaj regjimit komunist në Shqipëri. Ajo frymëzoi shumë intelektualë të kohës dhe u la të kuptojnë që vetëm peshku i ngordhur shkon me rrjedhën. Pjesa më e madhe e artistëve të atyre viteve ishin konformistë, sado të vegjël apo të mëdhenj, fanatikë të kuq apo oportunistë privilegjesh. Sot ne e dimë, por edhe vetë ata e kuptojnë, që nuk ishin tjetër veçse peshq të ngordhur. Nën atë marrëzi nuk kishte rregulla. Nuk kishte një udhëzues apo protokoll që duhej të ndiqej sesi të mbeteshe i papërlyer nën diktaturën më të ashpër të Evropës. E vetmja gjë që udhëhiqte mendjen, zemrën dhe vullnetin, ishte instinkti i mbijetesës. Megjithatë, kërkohej vetëm një akt shpagimi për të ecur kryelartë e pa turp drejt së ardhmes. Ashtu si keqbërësi i kryqëzuar në krah të Krishtit u shpëtua vetëm me një akt të vetëm kur tha: “Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde”, ashtu edhe disa shkrimtarë shqiptarë u shpaguan përpara historisë dhe së ardhmes përmes penës së tyre. Ata të tjerët që nuk e morën këtë guxim, sidomos ata që ende jetojnë dhe krijojnë edhe sot, duhet të jenë modestë në kujtimet e tyre dhe për asnjë moment nuk duhet të shiten për atë çfarë nuk kanë qenë kurrë: levitë të fjalës dhe lirisë.

Me Pallati i ëndrrave i vitit 1981, kur Përbindëshi ishte edhe më i rrjedhur dhe paranojak sesa më parë, pena e Kadaresë i dha dy sinjale të fuqishme atij regjimi: që nuk jeni të paprekshëm dhe se edhe kur prekeni, jeni aq injorantë e të trashë, saqë nuk arrini ta kuptoni talljen e një shkrimtari me ju. Shumë poetë, shkrimtarë dhe artistë përfunduan burgjeve dhe u vranë me pushkatim apo nën torturat më çnjerëzore, derisa erdhi fundi i një marrëzie dhe fillimi i një tjetre.

“Ai mjekërbardhi e ka fajin, Bledar, ai mjekërbardhi”, – tha mjeshtri dhe ktheu kafenë me fund. – “Ai, ai. Prej tij e trashëguam atë tragjedi”. Unë tunda kokën në shenjë pohimi dhe vura në punë motorët e intelektit se për kë e kishte fjalën. “Ai mjekërbardhi, me Manifesti komunist dhe DasCapital-in e tij. Ai, KarlMarksi, ishte shkaktari i gjithë asaj marrëzie. Bashkë me atë sifilistin tjetër. Me Leninin. Me atë sifilist të shëmtuar. Vdiq i verdhë dhe i shpërfytyruar. Ishte e ndaluar të komentohej për shëndetin e tij. Kushdo që do të fliste, do të vritej, ndaj u tha se vdiq nga një paralizë. Por e vërteta është se vdiq nga sifilizi. Sifilizi që zuri nga një prostitutë. I shëmtuar i gjallë, më i shëmtuar i vdekur, ai verdhacak i shpërfytyruar, bashkë me atë mjekërbardhin lindën përbindësha që vranë artistët. I vranë. I vranë në rrugët e Kinës, i mbytën në puse në Rusi, i burgosën dhe i pushkatuan në Shqipëri. I vranë shkrimtarët. Ai mjekërbardhi e ka fajin. Ai bashkë me atë sifilistin. A e mban mend? Sa vjet ke jetuar nën atë marrëzi?” Vura re që buzët i ishin tharë nga neveria dhe vreri që sapo kishte nxjerrë nga goja, por që e dija që buronin nga kthina më të thella të shpirtit dhe të kujtesës.

Sigurisht që e mbaja mend. Si mund të harroja vitet pa ushqim mbi tavolinë, pa rroba për të veshur, pa lodra për të luajtur. Sigurisht që i mbaja mend gozhdët në këpucët e shqyera tre numra më të mëdha (që t’i përdorja për shumë vjet), të cilat më gjakosnin këmbët çdo ditë. Më kujtohej fare mirë qumështi që pija një herë në vit, pasi mbaja radhën që në dy të mëngjesit për një shishe të vetme njëlitërshe. Më kujtohet edhe histeria e një kombi të tërë për të vajtuar vdekjen e Përbindëshit. Mbaja mend se si na detyruan në klasë që të qanim me dënesë dhe se si mësueset garonin se cila e ngrinte më lart zërin e vajit dhe derdhte më shumë nga lotët e dhimbjes për humbjen e diktatorit. Këto kujtime kanë qenë gjithmonë reale për mua. Një fëmijë mund të jetojë me pak bukë të fortë e çaj mali të zier, siç jetova unë dhe të gjithë shokët e mi, mund të veshë një palë pantallona të arnuara që nga klasa e tretë deri në të tetën, por një fëmijë nuk mund të privohet nga ngjyrat. Komunizmi na privoi nga ngjyrat. E gjithë Shqipëria ishte vetëm gri dhe e zezë. Ngjyrat e purgatorit dhe të ferrit. Çdo imazh e fasadë ishte e shpëlarë dhe e pangjyrë, duke stimuluar një gjendje kome kombëtare. Ferri ishte i vërtetë. Ferri ishte këtu.

I vetmi ushqim që kishim me ngjyrat ishte përmes librave të artit. Por këta ishin luks që vetëm mund t’i ëndërronim. Edhe kur i kërkoja ndonjë të afërmi që punonte në marinën tregtare të më sillte ndonjë libër arti, në kthim oficerët e kufirit në port inspektonin me imtësi dhe konfiskonin të gjithë ata libra që kishin piktura nudo, ose i lejonin marinarit të zgjidhte vetëm një faqe dhe pastaj librin e hidhnin në det apo e ruanin për vete për t’u masturbuar në darkë me ato kryeveprat që ishin më ndjellëse. Ky ishte koleksioni im i parë i artit. Faqe të zhubrosura të grisura nga librat. Në një komodinë pranë krevatit tim kisha Mona Lisën në një faqe me cepa të grisur, në një tjetër Davidin e Michelangelo-s të grisur në mes dhe në një tjetër Rojet e natës të Rembrandt-it me figurat anësore që mungonin nga tabloja. Ato ishin ngjyrat e mia të para në mes të atij terri që kishin pjellë ai mjekërbardhi dhe sifilisti, siç i quante mjeshtri.

“Ka ende mbetje të atij regjimi. Ndaj edhe po pengohemi të shkojmë drejt Evropës. Nuk e duan integrimin e Shqipërisë. Duan ta çojnë deri në fund misionin e tyre. Ta mbajnë nën kthetra këtë vend. Ta mbajnë ende të burgosur”, – shtoi mjeshtri me inat. 

Gjatë këtyre dy dekadave postkomuniste të gjithë shqiptarët tashmë e kanë kuptuar që porta drejt Evropës nuk është kyçur nga jashtë, por nga brenda. Me çelësat varur në ushkurët e brekusheve të pushtetarëve tanë provincialë, apo cilësdo relikte të atij regjimi që prodhoi mjekërbardhi, shqiptarët vazhdojnë t’i shtyjnë ditët e tyre nën realitetin e dhimbshëm të mbijetesës dhe me Evropën shpëtimtare vetëm si një ëndërr.

Evropa është një zonjë sharmante e cila pranon në shtrat si kontin ashtu edhe mullixhiun, por kurrsesi jo varrmihësit e shpresës. Dhe ne kemi shumë të tillë.

Nuk mund të fitohet liria me gardianë ëndrrash. Nëse mbetemi ende nën vargonjtë e pjellës së mjekërbardhit, një agim të ri shqiptarët do të zgjohen dhe do të kuptojnë që kanë mbetur pa atdhe, pa fe, pa emër, pa histori, pa kujtesë dhe pa shpresë. Shtëpitë e tyre do të jenë shndërruar në kurvëtore, ndërsa bijtë dhe bijat në kodoshë e lavire Babilonie. Në atë agim zgjimi, bastardëve dhe tradhtarëve të sotëm do t’u jenë ngritur monumente heronjsh, ndërsa heronjtë e vërtetë do të jenë tredhur si eunukë oborresh të lashta. Shqiptarët do të vajtojnë dhe do të mbulojnë kokën me dhé, ngaqë ajo profeci e së ardhmes u përmbush vetëm sepse ata sot mbetën duarkryq, vetëm sepse sot, në ditët e përhumbjes dhe ofshamës së madhe, ata zgjodhën të bëjnë asgjë për t’u spastruar nga demonët e së shkuarës.

Ndaj Pallati i ëndrrave është po aq i rëndësishëm sot sa edhe në atë kohë. Ndoshta në një kontekst tjetër, por absolutisht duhet të shërbejë si shtysë që çdo penë, artist, politikan e mendimtar të kryejë një akt shpagimi.

“Mjekërbardhi”, – tha mjeshtri Kadare. – “Ai Marksi, mjekërbardhi. Ai e ka fajin. Bashkë me Leninin, me atë sifilistin e shëmtuar”. Më shumë se njëqind milionë viktima sollën idetë gijotinë të mjekërbardhit dhe dyqind shkrimtarë shqiptarë, dyqind levitë të fjalës u pushkatuan, u varën, u burgosën dhe u torturuan me mënyrat më çnjerëzore. “Mjekërbardhi”, – tha mjeshtri dhe me zemëratë i përmendte emrin.

“Nga një tragjedi e madhe lind një risi”, – vazhdoi mjeshtri pasi shfryu për një kohë të gjatë me neveri ndaj atyre dy varrmihësve të historisë. – “Nga lufta e Trojës, grekët krijuan teatrin. Të penduar nga masakrat në Trojë, grekët zgjodhën të vajtojnë përmes zhanrit të tragjedisë. Nga turpi që u erdhi nga mizoria e asaj lufte, ata e kërkuan shpagimin përmes artit”.

Në atë moment mendova se mjeshtri po gabohej, pasi historinë e teatrit e njihja mirë dhe e dija që kishte nisur përpara grekëve. Më pëlqeu shumë spekulimi historik që sapo kishte bërë dhe ishte një shembull jashtëzakonisht i bukur dhe i improvizuar më së miri për të ilustruar periudhën postkomuniste në Shqipëri. Por mjeshtri gabohej. Mendova ta ndërprisja dhe t’i shpjegoja se nuk ishte ashtu historia e teatrit, por zgjodha të shijoja rrjedhën e mendimeve dhe atë të ndërgjegjes së mjeshtrit. Teksa e dëgjoja me vëmendje shtjellimin e detajuar që i bënte atij koncepti, nisa t’i jap të drejtë, pasi pavarësisht se performancat e para dramatike nisën në Afrikën Veriore dhe më vonë përgjatë lumit Nil në Egjiptin e lashtë, që nga viti 3300 para Krishtit, ato ishin shfaqje publike fisnore ose ceremoni ritualesh dhe tregimesh, jo teatër i mirëfilltë. Mjeshtri nuk po fliste për shamanë që argëtonin apo terrorizonin spektatorët me magji dhe vdekje. Ai po fliste për teatrin modern që njohim sot dhe zhanrin e tragjedisë e cila bazohej mbi impaktin universal njerëzor. Tragjedia bazohet mbi hamartia – ndjenjë faji apo mëkati. Aristoteli e ilustronte tragjedinë si vetëzbulimi i protagonistit dhe manipulimi i audiencës në ndjenja mëshire dhe terrori, të cilat zgjidhen vetëm përmes katarsisit, ose spastrimit, të emocioneve të reja që lindin pas një ngjarjeje.

Grekët e zgjidhën fajin dhe mëkatin e tyre përmes teatrit. Po shqiptarët si e zgjidhën? Po ata persekutorë e pinjollë të atij regjimi si e zgjidhën? Po shoqëria jonë si u spastrua? A pati katarsis kur komunizmi dha shpirt? Këtë pyeste mjeshtri Kadare përmes analogjisë së teatrit grek dhe postkomunizmit shqiptar. Në fakt, kjo ishte analogjia më e saktë dhe më e gjetur që kisha dëgjuar ndonjëherë, pasi kurrë nuk u bë një autopsi apo analizë post mortum për atë marrëzi gjysmëshekullore.

Ne jemi një racë e veçantë që s’mund të kuptohemi veç mes veti. Por jemi kaq të paktë, saqë në rrokullimën e zezë të botës, mes së cilës vërtiten shpirtrat njerëzorë, rrallë, shumë rrallë, një herë në një mijë, ndoshta dhjetë mijë vjet, mund të na qëllojë të ndeshemi me ndokënd të gjindjes sonë, -shkruan ai te Pasardhësi, ku i referohet enigmës më të madhe në historinë e Shqipërisë komuniste: vdekjes misterioze të pasardhësit të diktatorit komunist. Por, përtej asaj ngjarjeje, këto fjalë janë edhe dëshmi për ferrin që shqiptarët vazhduan të përjetonin edhe pas periudhës diktatoriale, duke shtuar flakët për pjekjen e njëri-tjetrit, duke shtuar squfurin për djegien e njëri-tjetrit, duke baltosur edhe më shumë për shfarosjen e njëri-tjetrit, duke krijuar vetë ferrin për njëri-tjetrin.

Atë mëngjes, përpara se të takohesha në kafe me Ismail Kadarenë, më ndodhi që të dëgjoja dy burra tek të gjashtëdhjetat që e përshëndetën kështu njëri-tjetrin në rrugë: “Gjallë qenke ti? Po vdis o dreq që të hamë ndonjë copë hallvë.” “Hallvën do e ha unë i pari, – iu përgjigj tjetri, – se s’ke për ta pasur shumë të gjatë, o rrotë”.

Ndaj edhe ai takim me mjeshtrin ishte i rëndësishëm për mua, pasi vetëm përmes tij mund t’i falja mëkatet e këtij kombi. Vetëm prej tij ky vend mund të shpagohej ndaj meje, ndaj teje, ndaj prindërve tanë dhe cilitdo që i përket vëllazërisë së pajtuesve dhe jo kësaj mbrezhde periferike ku njerëzit përshëndeten me mort që në të gdhirë.

Teksa mjeshtri shfrynte me pendesë për kohët e marrëzisë së madhe, pa kuptuar m’u duk sikur po shihja në pasqyrë vetëm fragmente të trupit tim dhe pas vetes ndieja mëkate të pafundme të një kombi. Mjeshtri ishte një pasqyrë tek e cila shikoja të shkuarën dhe të ardhmen, veten dhe kombin tim, mbi të gjitha, fajin dhe turpin tonë të përbashkët.

Isha në faj që i përkisja vendit të DonKishotëve dhe SançoPançove; në faj që njerëzve pa talent, dhunti, virtuozitet dhe shije, politika e këtij vendi u ka dhënë zë dhe pozicione drejtuese, si barinj të këqij që e drejtojnë vendin drejt humnerës; në faj që i kishim shpallur luftë Perëndisë; në faj që kishim ende kafaze e vargonj në mendjen dhe idetë tona. M’u kujtua Viola dhe faji i atyre djemve të vegjël në tregimin e tij Koha e dashurisë, të cilët edhe deri vonë në jetë nuk u spastruan dot nga faji i aktit mishtor nën fustanin e Violës. Mbi të gjitha, në faj nga vetja që e kisha kuptuar me shumë e shumë vonesë, në fakt, vetëm në atë kafe me mjeshtrin, që të gjitha veprat e tij kishin qenë një përshkrim se si i gjithë ky komb kishte “futur duart” në trupin e njëri-tjetrit dhe jo vetëm kaq, por i kishin ngritur ato më lart dhe i kishin mbërthyer në fyt, për të mbytur njëri-tjetrin, si gjatë asaj periudhe gjysmë shekullore e deri më sot.

Filed Under: LETERSI Tagged With: bledar kurti

Mbi përvjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu

January 17, 2023 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Më 17 janar 1468, u nda nga jeta Gjergj Kastrioti, heroi ynë kombëtar, kalorës i kredos evropiane, i cili i la botës si dëshmi për më shumë se pesë shekuj, që një njeri i vetëm, i frymëzuar dhe i mbështetur nga një popull guximtar dhe liberator mund të ndryshojë rrjedhën e historisë jo vetëm të një kombi por të mbarë qytetërimit perëndimor.

Gjergj Kastrioti, të cilit iu dha nga Porta e Lartë emri Skënderbej, pra Skënder, Aleksandër nga Aleksandri i Madh, ishte një personalitet i rëndësishëm jo vetëm për fatin e Arbërisë por edhe të Evropës.

Otomanët ishin në kulmin e fuqisë së tyre, të afta për të depërtuar në zemër të Evropës e madje kishin për qëllim rrëzimin e papatit, pushtimin e Romës, si zemra e Evropës, dhe kthimin e kontinentit në fenë islame, por gjatë fushatave të tyre ushtarake pushtuese në Ballkan pësuan humbje nga ushtria e arbërve me në krye Gjergj Kastriotin, duke mos i lejuar të avanconin e të përmbushnin misionin e tyre.

Falë Gjergj Kastriotit, Evropa ruajti identitetin, kulturën dhe besimin e krishterë. Ndaj edhe Selia e Shenjtë në Vatikan vazhdon t’i referohet heroit tonë si një hero të Europës i cili e bashkoi perëndimin.

Mbi këtë vlerë papët, të gjithë pa përjashtim, e kanë konsideruar e titulluar Skënderbeun si “Defensor Fidei” (Mbrojtës i besimit), si një Athleta Christi (Atlet i Krishtit), si një simbol që bashkoi besimtarët europianë.

Papa Piu e ngriti Skënderbeun në piedestal pesë shekuj më parë, dhe 50 vjet më parë Papa Pavli i gjashtë e shpalli Skënderbeun si modelin që duhej ndërtuar Europa. Së fundmi edhe Papa Francesku iu referuar Skënderbeut si mbrojtës i kredos së Krishterë dhe Atlet i Krishtit.

Statujat dhe monumentet e heroit tonë gjenden anëembarë botës, dhe ai gjendet në libra dhe në literaturën e huaj.

Libra mbi princin shqiptar filluan të shfaqen në Evropën Perëndimore në fillim të shekullit 16-të. Ai përmendet nga pena e viganëve të letërsisë. Voltaire e nis kapitullin e tij “Marrja e Konstandinopojës” me frazën : “Sikur Perandorët grek të kishin vepruar si Skënderbeu, Perandoria e Lindjes ende mund ishte ruajtur.”

Skënderbeu është protagonist i tri tragjedive të shekullit 18-të, Skënderbeu i autorit britanik, William Havard, një tragjedi e vitit 1733, pastaj George Lillo, Heroi i krishterë (1735), dhe Skënderbeu i Thomas Whincop, Ose, Dashuria dhe Liria, (1747).

Një numër poetësh dhe kompozitorësh gjithashtu u frymëzuan nga karriera e tij ushtarake. Poeti francez i shekullit 17-të, Ronsard shkroi një poemë rreth tij, ashtu si edhe poeti amerikan i shekullit të 19-të, Henry Wadsworth Longfellow.

Në vitin 1855, Camille Paganel shkroi Histoire de Scanderbeg.

Edhe kompozitori italian Antonio Vivaldi shkroi një operë me titull Skënderbeu (interpretuar më 1718). Një tjetër operë me titull Skënderbeu ishte edhe ajo e kompozitorit francez të shekullit 18-të, François Francœur (interpretuar më 1763).

Gjatë më shumë se pesë shekujve të pushtimit otoman në Shqipëri figura e Gjergj Kastriotit u fshi tërësisht në mënyrë të qëllimshme nga kujtesa jonë kombëtare për të ndalur vetëdijen e zgjimit dhe kryengritjes për pavarësi. Por, arbëreshët në Itali, pasardhësit e Skënderbeut, luftëtarëve dhe ndjekësve të tij, në veçanti Jeronin de Rada, e rikthyen figurën e Gjergj Kastriotit. Arbëreshët jo vetëm që mbajtën gjallë prej shekujsh gjuhën, ritet, kulturën, historinë, fjalët Arbër e Arbëri, por ndezën flakën e rizgjimit kombëtar.

Heroi ynë, kjo figurë përbashkuese u bë simbol i rilindasve të cilët nisën rrugëtimin e Shqipërisë për pavarësi. Duke bërë kështu që figura e tij të ishte sërish guri i themelit për fatin e kombit shqiptar që arriti pavarësinë në 1912.

Gjergj Kastrioti nuk ishte thjesht një mit legjendash, ai ishte një hero i vërtetë me përmasa epokale e falë tij, Shqipëria, Evropa dhe të gjitha vendet që kanë luftuar e luftojnë për liri, kanë patur e do kenë një shembull të jashtëzakonshëm heroizmi, vizioni, largpamësie dhe bashkimi të një populli për liri.

Libertatem diu vivere

Filed Under: Opinion Tagged With: bledar kurti

Dita e Kushtetutës Amerikane

September 17, 2022 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Sot SHBA feston Ditën e Kushtetutës. Më 17 shtator 1787 delegatët në Konventën e Filadelfias firmosën Kushtetutën e SHBA, dokumentin më jetëgjatë deri më sot, ndërkohë me tekstin më të shkurtër që ekziston nga të gjitha kushtetutat e vendeve të tjera, të cilat u bënë me një të tillë duke marrë shembull atë të SHBA.

SHBA është shembulli i demokracisë në veprim për mbarë globin. Por, eksporti më i rëndësishëm i Amerikës në botë ka qenë Kushtetuta e saj. Ajo u hartua si kushtetuta e parë në një dokument të vetëm. Është dokumenti me jetëgjatësinë më të madhe. Dhe gjatë dy shekujve të fundit çdo komb e ka pranuar nevojën dhe vlerën e të pasurit një kushtetutë. Dhe në rastet kur vendet kanë hartuar një të tyren, referenca ka qenë pikërisht Kushtetuta Amerikane. Madje ka pasur shumë përpjekje për të importuar Kushtetutën dhe sistemin e qeverisjes së SHBA-së dhe për t’i zbatuar ato në pjesë të tjera të botës, por ato kanë qenë të pasuksesshme. Kjo ka ardhur për faktin se Kushtetuta dhe sistemi i qeverisjes amerikane janë pasqyrim i mentalitetit, vlerave dhe identitetit amerikan. Shumë vende, veçanërisht ato në Amerikën Latine, u përpoqën të imitonin qeverinë dhe Kushtetutën e SHBA, por dështuan. Bolivia e provoi, dhe si rezultat pësoi gjashtëdhjetë revolta, dhjetë kushtetuta të rishkruara dhe gjashtë presidentë të vrarë midis viteve 1826 dhe 1898. Simon Bolivar (1783-1830), i njohur si George Washington i Amerikës së Jugut, vdiq një idealist i zhgënjyer nga dështimi për të zbatuar kushtetutën e vendit të tij, të modeluar sipas asaj amerikane. Arsyeja e dështimit nuk ishte gjë tjetër veçse fakti se Kushtetuta Amerikane u hartua për popullin dhe shoqërinë amerikane, e cila qëndron e bazuar mbi disa parime të caktuara.

Kushtetuta e SHBA-së ka një sërë amendamentesh specifike për të drejtat e njeriut të njohura si Bill of Rights. Hartuesit dhe ratifikuesit e Kushtetutës së SHBA-së i mësuan botës se nuk mund të ketë kushtetutë pa një seksion të veçantë që rendit të drejtat individuale.

Gjithashtu, në hartimin e Kushtetutës amerikane, u krijua një emër dhe ofiq i ri që nuk kish ekzistuar më parë: Presidenti. Për herë të parë në histori u krijua figura dhe detyra e Presidentit. Një shembull një u mor më pas nga shtete të tjera.

Kushtetuta i dha ofiqit të Presidentit kompetencën të ishte “Komandanti i Përgjithshëm i Forcava të Armatosura dhe Marinës, të bënte falje, të nënshkruante marrëveshje me kombe të tjera (nën këshillimin e Senatit), si edhe të caktonte ambasadorë, konsuj, gjyqtarë të Gjykatës Supreme.” Presidenti ishte drejtues lufte por nuk mund të shpallte luftë dhe as të paguante për luftën pasi këto pushtete i kishte legjislativi.

Kushtetuta i jepte legjislativit, pushtetit me shumë individë më shumë kompetenca, ndërsa ekzekutivit, pushtetit që drejtohej nga një njeri i vetëm shumë pak prej tyre.

Në këtë kushtetutë Presidenti i SHBA ka më pak pushtet se pushtetet e tjera. Në fakt, themeluesit e kushtetutës nuk lejuan që një njeri i vetëm, apo edhe një grup njerëzish të mernin në dorë fatet e një kombi. Kjo do ndryshonte më vonë në shekullin e njëzetë me zgjedhjen e drejtëpërdrejtë të senatorëve dhe me pushtetet që do i kalonin presidentit, sidomos shpallja e luftës pa miratimin e Kongresit, të cilat do e bënin një individ të vetëm njeriun me pushtetin më të madh në SHBA dhe si rrjedhojë edhe në botë.

Kushtetuta amerikane ka një ndarje pushtetesh e cila funksionon në mënyrë të përkryer. E jo vetëm kaq, por qeverisja amerikane ka një dinamikë dhe një formulë rotacioni të paprecedentë.

Përpjekjet e etërve amerikanë për të mos lejuar asnjë individ të bëhej mbret apo Zot duken qartë në ekuacionin e rotacioneve të kongresmenëve, senatorëve, kolegjit elektoral, dhe mandatit të gjykatësve të Gjykatës Supreme.

Themeluesit e Kushtetutës caktuan që pushteti legjislativ, Kongresi, të përbëhej nga dy dhoma: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Në Dhomën e Përfaqësuesve çdo shtet do dërgonte një numër përfaqësuesish sipas numrit të popullatës së çdo shteti. Ndërsa në Senat, dy përfaqësues nga çdo shtet pavarësisht numrit të popullatës. Kjo u bë për të ruajtur balancën midis demokracisë popullore dhe drejtimit të elitave.

Për më tepër kushtetuta vendosi se zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të bëhen çdo dy vjet, për President çdo katër vjet, për Senat çdo gjashtë vjet, ndërsa mandati i gjykatësve të Gjykatës Supreme të jetë i përjetshëm në mënyrë që gjykatësit të mos ndikoheshin nga rotacionet politike. Në këtë mënyrë kushtetuta siguron qarkullimin e elitave dhe rotacionin e pushtetit.

Por, sikur të mos mjaftonte kjo ndarje, edhe mënyra e zgjedhjes së senatorëve apo e presidentit kalonte përmes një procesi rotacioni edhe më filtrues. Neni 1, Pika 3, e Kushtetutës së SHBA thotë: “Senati do ndahet në tre Kategori. Karriget e Senatorëve të Kategorisë së Parë do jenë të lira në përfundim të vitit të dytë, dhe Kategoria e dytë do përfundojë në vitin e katërt, ndërsa Kategoria e tretë në vitin e gjashtë.” Ndërsa Presidenti, me mandat katër vjeçar, nuk do zgjidhej drejtëpërdrejtë nga populli por nga një grup përfaqësuesish, që njihet si Kolegji Elektoral, nga çdo shtet.

Etërit amerikanë krijuan një Republikë të bazuar mbi parimet më të shëndosha të demokracisë.

Sistemi politik dhe qeverisës në SHBA është i balancuar dhe unik. Ndarja horizontale e pushtetit në Shtetet e Bashkuara është tërësisht e ndryshme nga vendet e tjera, sado demokratike qofshin ato. Asnjë shtet tjetër nuk është kaq i obsesuar me ndarjen e pushteteve si në Amerikë. Në sisteme presidenciale dhe parlamentare të ngjashme përsa i përket ndarjes horizonatale të pushtetit është presidenti, parlamenti apo kryeministri ai që kanë pushtet mbi të tjerat. Edhe një institucion kolegjal si parlamenti mund të shndërrohet në absolutizëm pasi si kryeministri ashtu edhe ministrat e qeverisë dalin nga parlamenti për aq kohë sa ka një shumicë të thjeshtë. Një qeveri parlamentare nuk has aq shumë vështirësi sa presidentët amerikanë për të shndërruar në ligje propozimet e tyre. Qeveria paraqet direkt legjislaturën e vet në parlament. Zakonisht kontrollon kalendarin dhe axhendën legjislative. Situata është tërësisht ndryshe në sistemin amerikan. Axhenda legjislative nuk kontrollohet nga presidenti. Shumica e ligjeve që miratohen janë më shumë produkt i negociatave midis dy dhomave të Kongresit sesa Kongresit dhe Presidentit. Ky sistem balancash e ka bërë SHBA vendin më të zhvilluar dhe udhëheqës në botë.

E pluribus unum (Nga shumë, një). Kjo është motoja e Vulës së Madhe të Shteteve të Bashkuara. 50 shtete në një.

Një vend me mbi 56 mijë qeveri. Me mijëra njësi qeverisje të ndara në 36 mijë qytete e qyteza, dhe 35 mijë distrikte të veçanta!

Vendi me diversitetin më të madh njerëzor por të gjithë të bashkuar në një qeveri, një komb dhe një flamur! “Nga shumë, një” është një markë unike amerikane e cila u arrit falë atij dokumenti që u firmos në Filadelfia më 17 shtator 1787, Kushtetutës, për të cilën Presidenti dhe zyrtarët e lartë të SHBA betohen në marrjen e detyrës se do ta respektojnë, ruajnë e mbrojnë me të gjithë forcën dhe aftësinë e tyre.

Filed Under: Politike Tagged With: bledar kurti

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT