Tregim nga Viron KONA/
Isha nxënës në klasën e katërt atëherë, kur babai im rrobaqepës, më qepi një bluzë kadife të çelur, e cila hapej gjer në fund të gjoksit me një zinxhir në ngjyrë floriri. Kur po bëhesha gati të shkoja në shkollë, bëja ç`bëja dhe shihesha në pasqyrë. Ajo bluzë më shkonte shumë dhe më zbukuronte pamjen e fytyrës. Po më pëlqente vetja, madje po kuptoja se isha simpatik. Ndërkaq, provova të ngre përpjetë flokët përpara ballit dhe m`u duk se ashtu më shkonin më shumë.
-Ti paske humbur për këtë bluzë, sa të shkuaka! – më tha nëna dhe më mbajti një çast të përqafuar pas vetes.
Sapo shkova në shkollë, bluza ime kadife ra menjëherë në sy të shokëve dhe veçanërisht të vajzave të klasës, disa prej të cilave më hidhnin ca vështrime ndryshe nga herrët e tjera. Ndihesha i lumtur dhe, me mendje falënderoja babanë për atë dhuratë të bukur që më kishte bërë. Madje, kohë pas kohe, kur mësimi ende nuk kishte filluar, ngrihesha gjoja të pyesja shokë të klasës për zgjidhjen e ushtrimit të ditës, ndërsa tërhiqja vështrimet e të tjerëve te bluza ime e bukur. Përpjekja ime për t`u dukur, ra në sy të klasës.
-S`u mbajtka njëri sot! – tha Tori, njëri prej shokëve. Të tjerët bënë buzën në gaz me dashamirësi.
Orën e tretë kishim Dituri me mësues Xenin, një mësues me një zë të butë e thuajse femëror. Kur ishte i qetë dhe ne paraqiteshim si nxënës të urtë, ai sillej me shumë dashamirësi, por, sapo ndonjëri e tepronte me ndonjë prapësi, apo vinte i papërgatitur në mësim, ai zemërohej, madje nxehej e, ndonjëherë bëhej xhind, thuajse tjetërsohej.
Mbaroi gjysma e parë e orës. Mësues Xeni kishte kontrolluar detyrat, kishte ngritur tre nxënës në tabelë, ndërsa disa të tjerëve u kishte dhënë detyra në klasë. Pastaj, ai nisi të shpjegonte mësimin e ri. Në atë pjesë të orës, çdo mësues, kërkon vëmendje dhe përqendrim të nxënësve, sepse, siç thoshte edhe mësues Xeni, kuptimi i mirë i mësimit në klasë, ishte më shumë se gjysma e punës.
Ndërkohë që, mësues Xeni shpjegonte në dërrasën e zezë, unë se si lëviza zinxhirin e bluzës që ta hapja dhe ta mbyllja, pa qëllim, thjesht për qejf, por, kur po e ngrija sipër, ai kushedi pse ngeci. E provova ta ulë gjer në fund dhe ai u ul. E ngrita, por ai arriti gjer në gjysmë. Koka e tij e verdhë nuk ngrihej më sipër. Kjo gjë më shqetësoj dhe, një copë herë nisa të merresha me zinxhirin. Mungesa ime e vëmendjes ndaj mësimit, ra në sy jo vetëm të shokëve të klasës, por edhe të mësues Xenit.
-Këtu mendjen, kokëlakër! – më tërhoqi vërejtje ai, duke vazhduar të shkruaj në tabelë. Në të vërtetë, fjala fyese kokëlakër nuk bëri aq shumë përshtypje në klasë, sepse, mësues Xeni, e kishte zakon që kur donte të të qortonte, përdorte fjalë fyese të bashkëngjitura që kishin rrënjë fjalën kokë. Llojet e përdorimit të tyre shprehnin edhe tri gradë të zemërimit të tij: Në gradën e parë të zemërimit, ai i bashkëngjiste rrënjës kokë, emra zarzavatesh: kokëlakër, kokëqepë, kokë presh, kokë spec djegës…Në gradën e dytë, bashkëngjiste emra kafshësh: kokëderr, kokëlopë, kokëdhi, kokëbuall, kokëmushkë.. Kurse, kur zemërimi i tij arrinte kulmin, domethënë gradën e tretë, ai përdorte fjalë me emra zvarranikësh: kokë gjarpër, kokë krokodil, kokë bretkosë, kokë zhapik, kokë hardhucë prehistorike…
Disa çaste e ndala veprimin për zhbllokimin e zinxhirit.
-Mos u merr më me zinxhirin se do ta prishësh më keq. Ta rregullon babai kur të kthehesh në shtëpi, – më pëshpëriti Vasoja, shoku im i bankës.
Por, pak minuta më pas, ngaqë nuk po e largoja dot mendjen nga zinxhiri i prishur, ia fillova përsëri ul e ngri, ulë e ngri. Gër – vër, gër – vër. Zinxhiri, ashtu si edhe në fillim, veçse arrinte të mbyllej gjer në mes dhe nuk ngjitej më sipër. U harrova pas tij dhe isha skuqur e djersitur i tëri nga sikleti, kur, befas, ndjeva një dorë, që ma kapi bluzën fort afër zinxhirit dhe ma tërhoqi disa herë, duke më thirrur me zë të lartë, të ashpër, qortues e fyes:
-Të thashë, këtu mendjen, more kokëbuall!
Klasa mbajti me zor të qeshurën, kurse unë u ndjeva keq përpara shokëve dhe mësuesit, jo vetëm se ai kishte arritur në gradën e dytë të zemërimit, por, edhe sepse zinxhiri me siguri që ishte prishur më keq dhe s`do të kishte usta që ta ndreqte. U bëra pikë e vrer, por pak sekonda më vonë, vura re se, për shkak të asaj tërheqje që i kishte bërë bluzës sime dora e fortë e mësuesit, kishte ndodhur çudia: zinxhiri ishte rregulluar. Kishte ndodhur ajo që na ndodhte shpesh herë në shtëpi kur nuk ndizej radioja ose televizori bardhë e zi që kishim atëherë. “Bamp”, – e godiste babai im radion dhe zëri i vinte si me magji. “Bramp”, godiste ai prapa televizorit dhe në vend të mizave, figura shfaqej e qartë në ekran. Edhe zinxhiri i bluzës sime të re, pas asaj tërheqjeje me forcë, u rregullua plotësisht, koka e tij e verdhë, ngrihej dhe ulej lirshëm dhe pa u sforcuar. Bluza ime, tashmë dukej për bukuri. Me atë lëvizje të nervozuar, mësuesi im, Xeni, ma rregulloi zinxhirin, gjë që më gëzoi pa masë dhe bëri që të harroja fjalët fyese ”Kokëlakër” dhe “Kokëbuall”, që ai përdori ndaj meje në zemërim e sipër.
Kur mbaroi ora e mësimit dhe kishim pushimin e gjatë, dola me nxitim te dera e klasës dhe, sapo mësues Xeni u shfaq në derë me regjistër në dorë, unë i thashë:
-Të falënderoj shumë mësues që ma rregullove zinxhirin e bluzës!
Për habinë time, ai kushedi pse u zbeh i tëri në fytyrë, madje u zverdhë dhe buzët po i dridheshin nga një zemërim që sa vinte e rritej. Me sa dukej m`i mori si tallje apo ironi ato fjalë dhe m`u kthye me duf:
-Do ta mbyllësh gojën ti kokëmushkë, apo si e ke hallin!
-Unë vetëm po ju falënderoj mësues, sepse juve me të vërtetë ma rregulluat zinxhirin e bluzës sime të re.
Atëherë ai ma kapi përsëri bluzën më njërën dorë, ma tërhoqi si të ishte një leckë dhe më bërtiti përsëri në fytyrë.
-Me mua po kërkon të tallesh ti, kokë krokodil!
-Po jo mësues, jo, vetëm po ju falënderoj, – përsërita me zë të mekur.
-Ik, qërohu nga sytë e mi dhe mos më zërë rrugën, o kokë hardhucë prehistorike, – më bërtiti përsëri ai, duke përdorur kësaj here fjalën fyese më të rëndë të gradës së tretë. Dhe, ashtu, i bërë xhind nga zemërimi, u largua duke përplasur këmbët nëpër shkallë.
Më keqkuptoi thashë me vete dhe doja t`i shkoja pas e ta sqaroja se nuk ia kisha me të keq. Ai, me dashje apo pa dashje, zinxhirin ma rregulloi dhe, nuk ishte i nevojshëm përdorimi në një kohë aq të shkurtër, i tërë atyre fjalëve fyese ndaj meje.
Shoku im i mirë, Vasoja, që më ndiqte hap pas hapi mos bëja ndonjë budallallëk, më tha me zë të butë.
-Mos e zgjatë më, ka rëndësi që zinxhiri i bluzës që ti e ke me merak dhe që të shkon shumë, u rregullua. Me kohë, edhe mësuesi do të sqarohet se ti vërtetë do që ta falënderosh dhe jo ta fyesh. Sot, përderisa ai përdori fjalën kokë hardhucë prehistorike, që shprehë gradën e tretë të zemërimit, mirë është të mos i dalësh përpara syve. Veç kësaj, t`i duhej t`i kërkoje të falur, sepse sot vërtetë që nuk e kishe mendjen në mësim.
Vasoja kishte të drejtë dhe unë e lashë me aq. Nuk e zgjata më.
Kur shkova në shtëpi, teksa po haja drekë, babai më pyeti se si kisha kaluar atë ditë. Druaja t`i thosha se, ngaqë më ishte prishur zinxhiri i bluzës, nuk e kisha pasur mendjen në mësim dhe mësuesi më kishte tërhequr vëmendjen, por më erdhi më për mbarë t`i them atë që m`u duk se ishte më interesante. I tregova për zinxhirin që më ishte bllokuar dhe se mësuesi me një lëvizje të dorës e kishte rregulluar menjëherë.
Babait iu bë qejfi.
-Kam thënë unë, – iu kthye ai mamasë, – Xeni, është mësues dhe njëri i mirë. Edhe i ati kështu ka qenë, njeri që i tërë qyteti e respektonte sepse u vinte në ndihmë njerëzve.
Ditën tjetër, ishte takimi mujor me prindërit dhe në shkollë shkoi babai. Në ato takime, mësuesi, pasi fliste në përgjithësi, u jepte secilit prej prindërve notat e fëmijës së tij, duke i dhënë sipas rastit edhe këshilla të veçanta.
Kur po ndaheshin, babai i shtrëngoi dorën përzemërsisht mësues Xenit dhe i tha:
-Të falënderoj mësues Xeni, je me të vërtetë një mësues i përgatitur dhe nxënësit të duan. Lëndën e shpjegon mirë, por ke edhe merak që t`i mësosh fëmijët tanë. – Babai heshti një çast dhe vijoi buzagaz: – Veç këtyre, unë gjej rastin që edhe të të falënderoj, sepse ti u tregove aq i vëmendshëm saqë, i rregullove edhe zinxhirin e bluzës tim biri.
Mësues Xeni, sa dëgjoi të përmendej zinxhiri, tërhoqi me ngut dorën e tij nga dora e babait tim, gjaku i kërceu në kokë dhe iu kthye babait me zemërim:
-Po kërkon të tallesh me mua?
-Të lutem, unë po të falënderoj, – i tha babai tepër i habitur nga ndryshimi i papritur i mësuesit.
-Falënderim i bukur! – ironizoi mësues Xeni dhe u largua tërë nerv sikur ta kishte pickuar ndonjë grerëz.
-Po ky, ç`pati, çfarë fjale të keqe i thashë!? – ia bëri babai i habitur tej mase. Bëri t`i shkonte pas, e të sqarohej, por dikush aty pranë e këshilloi ta linte me aq sepse mësues Xeni atë ditë dukej tepër i lodhur.
Babai u kthye në shtëpi i mërzitur.
-Nuk e di pse më keqkuptoi !? – iu ankua ai mamasë sime.
-Eh, lëre me kaq! Edhe ai ka hallet e tij, – i tha mamaja ime e urtë e gjithnjë paqësore, duke vënë tiganin në zjarr.
Gjatë asaj nate babait i doli gjumi disa herë, ngaqë i shkonte mendja te reagimi i mësuesit, i cili, kushedi pse, kishte mbetur i fyer pas fjalëve falënderuese që i kishte thënë.
Të nesërmen, babai kërkoi ta takonte mësues Xenin, por ai i dërgoi lajm se ishte i zënë dhe se nuk kishte kohë ta priste. “Njëherë tjetër”, – kishte thënë ai. Duke dalë nga shkolla, babai kishte takuar rastësisht drejtorin, me të cilin njihej prej kohësh.
Drejtori e takoi me respekt dhe, aty, babai i tha se kishte shkuar t`i shprehte falënderime për mësues Xenin, i cili sillej mirë me nxënësit, i mësonte dhe kujdesej për ta. – “Madje, – kishte shtuar babai, – mësues Xeni, duke qenë i vëmendshëm, i rregulloi djalit tim zinxhirin e bluzës. -Ndërkaq, – kishte vazhduar babai, – të më fali mësues Xeni, se, ne prindërit, e teprojmë nganjëherë në komunikim dhe, për këtë shkak mund të lindin edhe keqkuptime që s`janë për t`u zënë në gojë…”
Drejtori e kishte dëgjuar me respekt, e kishte falënderuar që i kishte folur mirë për mësuesit dhe, pas këtij takimi, babai ishte larguar i qetësuar.
Në mbledhjen e Këshillit të Mësuesve, drejtori, krahas vërejtjeve e kritikave për ndonjë orë mësimore të kontrolluar prej tij, bëri edhe disa vlerësime. Midis të tjerave, ai vlerësoi kujdesin e mësues Xenit me nxënësit, tha se, edhe nga prindërit kishte opinione të mira për atë mësues dhe, midis të tjerave, ai kishte përmendur edhe rastin e rregullimit të zinxhirit të bluzës.
-Këtë, ma tha vetë prindi i nxënësit, i cili m`u lut që ta falënderoja mësues Xenin në mënyrë të veçantë, – u shprehë drejtori.
Mësuesit e tjerë kishin kthyer kokën nga Xeni me vështrime dashamirëse dhe përgëzuese, por, ky, duke i befasuar të gjithë, ishte ngritur me zemërim dhe i ishte vërsulur drejtorit, ashtu siç nuk kishte ndodhur kurrë.
-Drejtor, më mirë merrni masë disiplinore dhe mbani qëndrim ndaj meje sesa të më tallni e të më fyeni këtu në prani të kolektivit. Unë nuk merrem me rregullime bluzash e zinxhirësh, por me lëndën e diturisë, – dhe, duke thënë këto fjalë ai ishte ulur, duke u dridhur i tëri nga zemërimi.
-Më fal nëse të fyeva padashur mësues Xeni, por unë veçse po e vlerësoj zellin tënd për t`u përkujdesur për nxënësit, – i tha butë drejtori.
-Faleminderit, por, nuk më duhet dhe nuk më intereson ky lloj vlerësimi!
Të nesërmen sapo hyri në mësim, mësues Xeni hodhi regjistrin mbi tavolinë, erdhi me hap të shpejt drejt e tek unë dhe, pasi më kapi fort te bluza ku ndodhej zinxhiri, e tundi fortë disa herë. Zinxhiri kërciti, doli nga vendi dhe mbeti i varur mbi bluzë.
Teksa mësuesi im largohej duke nënqeshur drejt tavolinës, zinxhiri i verdhë që lëkundej mbi bluzën time, tashmë, kushedi pse po më dukej si koka e një hardhuce. Ndjeja dëshirën t`i kërkoja të falur mësuesit, t`i thosha se, me naivitetin tim fëmijëror kisha ngatërruar e bërë lëmsh gjithçka, por edhe t`i shpjegoja se, midis babait tim dhe atij, kishte ndodhur thjesht një keqkuptim, ku shkaku isha unë, por, në ato çaste po më pengonin lotët që ishin gati të më shpërthenin dhe “koka e asaj hardhuce”, që vazhdonte të lëkundej më mënyrë të shëmtuar mbi bluzën time të bukur.(Ne Foto:Viron Kona)