Si kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA përshëndes aktin e dhurimit fisnik të patriotit të shquar Jim Xhema i cili bëri dhuratë mikut të madh të shqiptarëve Bob Dole 500 mijë dollarë për Fondacionin e krijuar në nder të tij. Ndjehem shumë krenar për aktin fisnik, patriotik dhe mirënjohës të kryer prej zotit Jim Xhema i cili me këtë rast tregoi dashurinë, lidhjen e fortë dhe mirënjohjen e thellë ndaj senatorit Dole, mikut të madh të shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si përfaqësues diplomatik i Presidentit Dr.Ibrahim Rugova për 6 vite në zyrën e Senatorit Bob Dole, unë i jam pafundësisht falenderues Jim Xhemës për xhestin e tij dhurues e mirënjohës. Ky akt dhurimi është një simbolikë e fortë mirënjohjeje. Jim Xhema është ndër ata patriotë të mëdhenj e të jashtëzakonshëm që nuk i harron kurrë miqtë e kombit shqiptar. Miqtë e ditëve të ngushta e ditëve të vështira. Akti fisnik i Jim Xhemës bën krenar çdo shqiptar. Është një mirënjohje jo vetëm personalisht ndaj Senatorit të Jashtëzakonshëm Bob Dole, por një respekt ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës e diplomacisë amerikane që e kanë ndihmuar kombin shqiptar në ditë të vështira ku rrezikohej ekzistenca e tij. Lidhja politike e shqiptarëve me Amerikën e krijuar prej më shumë se 30 vjet më parë mes veprimtarit shqiptaro-amerikan Jim Xhema dhe Senatorit nga Kansasi, Bob Dole është jo vetëm një miqësi të ngushtë personale por edhe një garancie fortë e miqësisë shqiptaro-amerikane. Ky akt dhurimi i Jim Xhemës, tregon shpirtin bujar të shqiptarit dhe mirënjohjen e veçantë ndaj miqve më special të kombit shqiptar. Besnikëria dhe miqësia e përhershme e shqiptarëve ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës është xhevahiri më i çmuar i vlerave mirënjohëse të kombit tonë.
Me këtë rast, personalisht dhe në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA shpreh mirënjohjen më të thellë e nderimin më të lartë për Senatorin Bob Dole dhe Jim Xhemën, një miqësi dhe fisnikëri që tregon lidhjen e fortë mes dy vendeve tona aleate e mike, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.
Nderime e respekte…
Elmi BERISHA
New York, 15 Tetor 2020