Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Biblioteka Kombëtare e Kosovës në mëngjesin me dëborë të 18 janarit 2016/
-Në qytete më së shumti reshi në Ferizaj, Prishtinë e Gjakovë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës me 99 kupola të bardha të mëdha mbulohet edhe nga mijëra kupola të vockëla dëbore/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 18 Janar 2016/ Kryeqyteti i Republikës së Kosovës, Prishtina, sot në mëngjes ishte i mbuluar bardh edhe nga reshjet e reja. Biblioteka Kombëtare e Kosovës me dritare zenitale e 99 kupola të mëdha të bardha, të cilat e kanë simbolikën të veçantë arkitekturale, si plisat, nga reshjet e ditëve të fundit është mbuluar edhe me mijëra kupola të vockëla dëbore dhe ka një imazh bukurie e dimri, siç shihet edhe në foto të Gazetës DIELLI.
Në Kosovë, reshjet e dëborës që filluan gjatë natës të së premtes do të ndërpriten sot, por temperaturat minimale dhe maksimalet do të jenë në vlerat negative pothuaj gjatë gjithë javës, deklaroi Instituti Hidrometeorologjik.
Njofimi i dërguar thekson se, sipas parashikimeve të fundit gjatë javes që vjen temperaturat minimale pritet të zbresin nga -13 deri -16 gradë Celsius, kurse maksimalet pritet të lëvizin nga -3 deri 2 gradë. Shtypja atmosferike në fundjavë do të rritet dhe si rezultat i saj do të rriten temperaturat minimale.
Dëborë fjollash të lehta ka reshur edhe natën e sot në mëngjes, ndërsa sipas njoftimeve të mbrëmshme të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, sasia më e madhe e dëborës u shënua në Ferizaj 42 cm, ndërsa në Prishtinë 30 cm, në Gjakovë 28 cm, në Gjilan 18 cm, në Podujevë 17 cm, kurse në Pejë vetëm 7 cm.
Në viset malore të Kosovës trashësia e dëborës ka arritur mbi 60 cm.