Nga Branko Merxhani/
“Kultura është krijesa e lëvizjes së lirë të ideve. Fitimi që u realizua me pallën është shumë i paktë. Lufta e vërtetë është lufta për iderat”./H. St. Çhamberlain/
Fillosofia më e mirë është ajo që lindi nga Shkenca Sociologjike, ajo që mbështetet mbi njohje positive dhe arrin gjer në majën e Idealeve më të larta dhe më të bukura. Ja një aksiomë tjetër e Neo-Shqiptarismës. Mirë, po ç’është ideali? Ideali është një gjë mystreioze, që gjëndet kurdoherë jashtë lëndës dhe interesit. Fillosofët Metafyzikë, ideologët, e interpretojnë në mënyrë të ndryshme. Po as nonjë prej tyre nuk goditi një interpretim të drejtë. Disa Idealin e pranuan si një realitet të botës metafyzike, si për shëmbëllë Platoni, Muhedin-i-Arabi-u, Kant-i. Disa të tjerë mohuan krejt se Ideali mbështetet mbi një Realitet. Për ‘ta Ideali nuk është gjë tjetër veç se një ëndërr përfeksioni, një fabrikim i nxituar i fantazisë së individit.
Të gjitha këto difinisione sot u treguan të pabazuara. Dhe kjo për hir të Sociollogjisë, e cila i hodhi poshtë dhe i thërmoi interpretimet fillosoifike dhe provoi se Ideali qështë një realitet, i cili i përket botës positive.
Pas definisionit positivist, pra, të kësaj shkence, Ideali është ajo jetë që rojnë Shoqëritë në epokat e krizës së tyre, domethënë kur marëdhëniet midis individëvet, aksionet dhe reaksionet gjënden në të zier e sipër. Jetërat që rojmë në epokat e tjera janë jetëra individuale. Po jeta individuale është e zonja të sigurojë vetëm mirërojtjen materiale. Lumturia shpirtërore mbetet e pa-realizuar. Individët që janë prej natyre partikularistë dhe egoistë, vetëm kur hidhen brënda në trazirën dhe në të zierit e jetës shoqërore, pa që t’a kuptojnë mirë-mirë vërtiten jashtë qarkut të ngushtë dhe barbar të natyrës së tyre, fitojnë Ideale. Bëhen altruistë…
Individët vetëm në çaste të jashtëzakonshme të jetës kombëtare e kuptojnë ekzistencën e padukshme të jetës shoqërore. Për këtë Ideali nuk është veçse shoqëria vetë. Ideali është pjellë e Shoqërisë.
Të Rinj, që brithni si hiera të heshtura brënda në nostalgjirat e shpresave të humbura! Njerëz, që shpirtrat t’uaja bredhin si vurkolleq brënda në errësirën e dëshpërimit! Hidhuni me guxim e sakrificë brënda në valën e trubulluar të jetës shoqërore!…
* * *
Një shoqëri nuk është një entitet që përbëhet sëmplerisht nga totaliteti i njerësve që e formojnë. Një shoqëri është një entitet, që krijohet nga ndjenjat shoqërore, nga ndërgjegjia e përbashkëtë. Nuk është një përzierje elementash të ndryshmë, po një synthezë e brëndëshme, siç është për shëmbëllë edhe lënda kimike. Pra tërësia shoqërore, që formohet në këtë mënyrë si cilësi umanitare, si përmbajtje egocentrike, si shpirt dhe si formë, është krejt e ndryshme nga forma individualistike e individëve të veçantë që e përbëjnë.
Këtë entitet shpirtëror dhe moral, që është krejt i pa-dukshmë, krejt mysterioz dhe ndofta i pa-qenëshmë për ndjesinë individualistike, njerëzit e kohërave të vjetra e pandehën dikur si një perëndi, dikur si një fuqi magjike dhe dikur si një gjë sipërnatyrale. Çdo entitet brënda në natyrë dhe pikë-së-pari formasionet shoqërore të njerësve kanë, që të përdor një shprehje mythollogjike, “Epokën e Dashurisë” së tyre. Në këtë epokë shpirtërat e njerësve rojnë në të zier të thellë, që përhapet si vetëtimë nga njeri tek tjetri, dhe ahere enthusiasma arin pikën e lavdis së saj. Këto janë çastet kur Ideali shkakëton triumf…
Triumfi i Idealit është prova më e mirë e vitalitetit shpirtëror të një populli. Ideali njerinë që është prej natyre partikularist dhe egoist e ndron në një Vetëmohonjës guximtar, në një Altruist. Ideali krijon nga “krijesa” e fuqive natyrale, sipas fjalës së Schiller-it, “njerin e esthetikës, njerin – artist”.
Ideali i fal njeriut bashkë me mirërojtje materiale edhe lumtërinë shpirtërore. Atje ku ka Ideal, atje buzëqesh bukuria e jetës dhe agimi i shpresës. Hieja e së ligës ikën për vënde të larga dhe mendimi i vetëvrasjes shuhet fare.
Ideali ndrit shpirtin, shpërndan shpresë dhe ngushëllim në zëmrat, të dëshpëruarin e mban të lidhur në jetë, në iden e shpëtimit, në lindjen e ringjalljes. Ushtari trim trupin e tij e sakrifikon për Flamurin e Atdheut të vet dhe mbron kufijt e tij vetëm ahere kur çfaqet si Mprojtës i Idealit të një populli të tërë, symboli i të cilit është skalitur mbi një copë pëlhurë të reckosur. Edhe i egëri që derth gjakun e tij për Përendin e vetë, Shkencëtari që humbet vetëhen për përparimin e shkencës dhe për çpikjet, s’janë gjë tjetër veç se njerës që sakrifikohen për Idealin!
Si mjerë ata popuj që nuk kanë Ideal. Në çfaqjen e parë të krizës, në fryjtjen e parë të rebeshit, që janë kaq të bollta, kaq të kokllavitura dhe kaq të pa-pritura në jetën e sotme të popujve, do të shkrijnë, pa patur kohë të psherëtijnë, si një Pallat prej karte. Si mjerë ai grusht njerëzish, që adhuron tre Perëndira nënë një qiell!…
Fragment nga një artikull i botuar në “Demokratia”, më 9 mars 1929.